• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUFTA E KLASAVE – KANCERI I POLITIKËS SHQIPTARE

July 27, 2019 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/*

          Gjatë shekujve XIX dhe XX mbisunduan dy mënyra qeverisjeje, ajo e qeverisjes sipas kushtetutës borgjeze krijuar prej Napoleon Bonapartit dhe mendësia e qeverisjes diktatoriale provuar prej Komunës së Parisit dhe partive nazifashiste, të cilën e perfeksionoi Partia Komuniste Bollshevike nën drejtimin e Vladimir Iliç Leninit. Ky për të marrë dhe mbajtur pushtetin me partinë e tij si forcë e vetme politike ngriti në parim luftën e klasave për të eliminuar partitë e tjera politike dhe individët që nuk ndiqnin programin e partisë së tij. Kështu Lenini arriti të instalonte Pushtetin e Sovjetëve. Pasuesi i tij, Josif Visarjanoviç Stalini e zbatoi me zell më të madh parimin e luftës së klasave, duke u shkaktuar popujve të Bashkimit Sovjetik 20 milion viktima, pra shumë më tepër viktima sesa u shkaktoi L2B. Një rrugë të tillë ndoqën për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit edhe partitë e tjera komuniste të cilat deri në vitin 1990 e rritën numërin e viktimave të sistemit komunist në 100 milion njerëz.

          Nga ana tjetër demokracitë borgjeze ishin qeverisur sipas parimeve kushtetuese, të cilat i pati pasuruar Abraham Linkolni në mbarim të Luftës Civile, kur dha një shembull human për të shuar urrejtjen midis forcave kundërshtare. Ai u tha ushtarëve të tij se kundërshtarët e mundur nuk duheshin parë e trajtuar me urrejtje, sepse ata “janë bashkëqytetarët tanë”. Pak kohë më vonë, kur u zgjodh president për të dytën herë, Linkolni theksoi: “vendi do të qeveriset me drejtësi, pa keqdashje për askënd”. Këto thënie u kthyen në parime dhe kështu u krijua uniteti kombëtar i kombit të ri amerikan, i cili u mobilizua pa asnjë dallim për zhdukjen e pasojave të luftës dhe zhvillimin e vendit.

          Në këtë rrugë, në rrugën e krijimit të unitetit kombëtar, hyri dhe populli shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, kur intelektualët atdhetarë përpunuan ideologjinë tonë nacionaliste. Ata krijuan parulla mobilizuese si “Atdheu mbi të gjitha”, “Liri, a vdekje”, “Për lirinë e atdheut jap jetën”, etj. Ky lloj morali vijoi të frymëzonte rininë tonë edhe gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare, kur nëpër shkolla këndohej: “Do vijë koha përsëri / kur flamuri kuq e zi / do valojë mbi Kosovë e Çamëri”.

          Më 7 prill 1939, sulmit të ushtërisë fashiste iu kundërvunë forca shqiptare të ushtërisë mbretërore, të xhandarmërisë dhe disa vullnetarë popullorë. Në luftimet e asaj dite ranë 15 dëshmorë: dhjetë në Durrës, dy në Vlorë, një në Sarandë, një në Berat dhe një në Shkodër. Shumë shpejt atdhetarë të krahinave të ndryshme si Abaz Kupi, Safet Butka, Selim e Myslim Peza, Muharrem Bajraktari, Riza Kodheli, Haxhi Lleshi, etj krijuan çetat e para të armatosura dhe filluan luftën për ta kundërshtuar pushtimin fashist. Natyrisht rezistenca e 7 prillit dhe çetat e para të armatosura, kishin mungesa në organizimin e tyre. Çetat e para atdhetare që u pasuan më vonë dhe nga çetat që krijoi organizata patriotike “Balli Kombëtar” ishin të ngjashme me çetat e Rilindjes Kombëtare. Disiplina dhe ndërlidhja e tyre ishin të dobëta. Kurse çetat partizane që krijoi Partia Komuniste gjatë pranverës së vitit 1942 e më vonë, u shquan për organizim, disiplinë, ndërlidhje dhe komandë të përqendruar. Pikërisht me këto tipare çetat partizane korrën suksese dhe fituan simpatinë e aleatëve dhe të shtresave të varfra të popullit shqiptar. Dihet se Partia Komuniste Shqiptare dhe çetatat e saj të armatosura u krijuan sipas udhëzimeve të Stalinit, udhëzime që i vunë në zbatim tek ne të dërguarit e Josif Broz Titos. Enver Hoxha, i vënë në krye të PKSH-së prej tutorëve jugosllavë, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, u nxit prej tyre që të bashkohej me forcat antifashiste nacionaliste me qëllim që shpejt a vonë të delte mbi to dhe t’i eliminonte. Me këtë synim ai dhe forcat e tij morën pjesë në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, ku u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm Nacional, i cili u quajt pak më vonë prej PKSH-së Këshilli Nacional-Çlirimtar. Më tej të dërguarit e Titos e shtynë Enver Hoxhën që të dërgonte përfaqësuesit e PKSH-së në Tapizë e Mukje, ku më 3 gusht 1943 u hartua Marrëveshja e Mukjes, e cila zgjodhi Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do të luante në fund të luftës rolin e një qeverie provizore deri në zgjedhjet popullore kur do të përcaktohej forma e regjimit politik. Mirëpo tutorët jugosllavë e detyruan Enver Hoxhën që ta mohonte Marrëveshjen e Mukjes dhe brenda shtatorit 1943 me anë të një shkresë sekrete të firmosur nga “Shpati”, pseudonimi i Enver Hoxhës, u urdhëruan organizatat bazë të PKSh-së që ta shpallnin tradhëtar “Ballin Kombëtar” në mbarë Shqipërinë londineze dhe ta luftonin si armik edhe pse deri atëhere forcat e kësaj organizate kishin luftuar në bashkëveprim me forcat partizane kundër pushtuesve italianë. Disa javë më vonë udhëheqja e PKSH-së shpalli “armiq” edhe forcat që drejtonte Abaz Kupi, udhëheqësi i rezistencës së 7 prillit 1939 dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Nacional / Këshillit Na-Çl.

          M. Popoviçi dhe Dushan Mugosha e mësuan Enver Hoxhën që me çdo kusht të luftonte që PKSH-ja të zbatonte pa hezitim parimin e “Luftës së klasave”, luftës për asgjësimin e të gjitha forcave politike e ushtarake dhe të individëve që nuk përputheshin me vijën politike të PKSH-së. Duke shfrytëzuar rrethanat e luftës, PKSH-ja filloi veprimet për t’u shpallur si forca e vetme luftarake antifashiste me qëllim që të merrte në fund të Luftës Antifashiste pushtetin si forcë e vetme politike. Kështu ajo arriti që në fund të L2B të delte fitimtare dhe të instalonte qeverinë e vet komuniste. Kjo qeveri e konsideroi luftën e klasave motor lëvizës të shoqërisë shqiptare, pa menduar se kjo lloj politike dëmtonte unitetin kombëtar dhe nuk sillte çlirimin e forcave të brendshme të kombit për t’u mobilizuar për zhvillimin e vendit. Enver Hoxha, thirrjet e rilindasve “Atdheu mbi të gjitha”, “E jap jetën për atdheun” i zëvendësoi me parullat “Partia mbi të gjitha”, “E jap jetën për partinë”. Sipas tij partia ishte më e rëndësishme se atdheu.

          Me arrestime, burgime, internime, pushkatime të atyre që mendonin ndryshe, ose që i dukeshin Enver Hoxhës se mendonin ndryshe, vijoi sundimi i diktaturës së proletariatit deri në vitet 1990-1991, kur u pranua kapitullimi i këtij regjimi dhe tek ne.

Në vitin 1992 intelektualë të shquar shqiptarë menduan se erdhi koha që politika shqiptare të largohej nga urrejtja që kishte mbjellë politike e luftës së klasave dhe të ndiqej një politikë humane për të realizuar pajtimin midis persekutuesve dhe të persekutuarve, pra për të arritur paqësisht tek uniteti kombëtar, aq i nevojshëm për popullin tonë të përçarë nga ideologjia komuniste.

          Para se të largohej nga jeta në mars 1992, Martin Camaj, poeti i lartësive, si e quan Frank Shkreli, shkroi:

“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

          Mesazh human që dëshmonte se poeti qëndronte larg hakmarrjes, larg inatit e zemërimit që mund t’i shkaktonin një njeriu të zakonshëm përndjekja dhe mohimi që i kishte bërë regjimi komunist.

          Po ashtu, luftëtari i të drejtave të njeriut, Profesor Sami Repishti, ish i burgosur, në gusht 1992 shkoi nga Amerika në Shqipëri për të ndihmuar në ecurinë e proceseve për demokratizimin e jetës e të pushtetit. Sapo zbriti në Rinas ai deklaroi para gazetarëve: ‘Kthehem në atdhe me dashuni për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri’.

          Studiuesi i talentuar, Profesor Rexhep Qosja, shkoi nga Prishtina në Tiranë për të diskutuar mundësinë e arritjes së pajtimit kombëtar midis përndjekësve dhe të përndjekurve. Nga Parisi shkroi dhe Ismail Kadareja për këtë problem. Mirëpo Partia Socialiste, forca politike që mbante në gjirin e vet ish-komunistët dikur të pushtetshëm në formacionet e PPSH-së, të shtetit dhe të Sigurimit, nuk kërkoi të falur për bëmat kriminale dhe gabimet e shumta që kishin shkaktuar lëndime të rënda në më shumë se një të tretën e popullit. Gjatë vitit 1992 e më vonë, kur kishte ardhur koha e tyre, të përndjekurit nuk shprehën asnjëherë ndjenja hakmarrjeje ose revanshi. Visar Zhiti, Atë Zef Pëllumbi, Eugjen Merlika, Lek Pervizi, Lazër e Jozef Radi e shumë të dënuar të tjerë botuan vepra memuaristike, poezi, analiza e romane, ku zotëronte humanizmi dhe jo urrejtja klasore. Por, përderisa shkaktarët e krimeve nuk kërkuan të falur, viktimat nuk kishin si dhe pse t’i falnin përndjekësit e tyre të papenduar. Kështu në shoqërinë shqiptare paskomuniste nuk u arrit pajtimi kombëtar për shkak se në Partinë Socialiste nuk pati intelektualë largpamës që të ngriheshin mbi urrejtjen klasore dhe të vlerësonin si duhej nacionalistët, ballistët, legalistët dhe dëshmorët e tyre që ranë gjatë Luftës Antifashiste nuk u vendosën në panteonin e Vorrezave të Kombit. Për fat të keq edhe Partia Demokratike, Partia Republikane etj të mbushura me ish-komunistë e ish-sigurimsa, nuk patën intelektualë vizionarë për të gjetur rrugën e pajtimit kombëtar. Lufta e dikurshme e klasave nuk u shua, nacionalistët, ballistët e legalistët urreheshin si më parë. Pronat që ua mori regjimi komunist, partitë e reja sa herë erdhën në pushtet nuk ua kthyen, por u dhanë disa copa letrash dhe i sorollatën e po i sorollatin nëpër gjykata. Ata u lanë jashtë lojës politike, asnjë post me rëndësi vendimmarrës nuk iu dha të përndjekurve të komunizmit. Madje në vitet 1991-1992 parimi i luftës së klasave u pasurua dhe me luftën midis anëtarëve e simpatizantëve të partive të reja politike. Anëtarët dhe simpatizantët e PS-së sulmonin e sulmojnë me sharje e shpifje anëtarët dhe simpatizantët e PD-së, PR-së dhe anasjelltas. Kjo luftë e re bëhet sa për tym e tifozllëk për t’ia marrë mendjen popullit, ndërkohë që sipas planit katovica, besnikët e PKSH / PPSH-së të gëzojnë pasuritë dhe pushtetin.

          Kjo luftë vijon dhe sot duke e gërryer shoqërinë shqiptare si kanceri. Kjo luftë pas vitit 1992, kur u ndërrua sistemi ka qenë dhe është absurde. Atë e mban gjallë plani Katovica, i cili duhet shkatërruar bashkë me klasën e korruptuar politike, që e zbaton. Uroj që Vetingu dhe Reforma në Drejtësi ta shpëtojë politikën shqiptare nga mendësia e luftës së klasave dhe korrupsioni. Përndryshe populli, sidomos rinia duhet të ngrihet në një lëvizje të re më serioze e më të programuar demikratike se lëvizja e studentëve e vitit 1990…

* Artikulli është ripunuar nga autori

Filed Under: Analiza Tagged With: Thanas L Gjika-Lufta e Klasave-Kanceri

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT