• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA DHE VITI I FAIK KONICËS

January 23, 2016 by dgreca

TA NDIHMOJMË TË GJITHË FEDERATËN VATRA PËR TË KURORËZUAR DENJËSISHT VITIN FAIK KONICA/
Nga Thanas L. Gjika/
Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA e shpalli vitin 2016 Viti Faik Konica , edhe per arsyen pse viti 2016 përbën 120-vjetorin e themelimit të revistës Albania, revistës më të rëndësishme të Rilindjes sonë kombëtare. Me këtë revistë u ushqyen gjithë intelektualët shqiptarë të kohës, të cilëve ua kemi borxh krijimin e Shqipërisë së pavarur.
Faik Konica është një nga themeluesit dhe veprimtarët më aktivë të shoqërisë Vatra, ai e pagëzoi këtë shoqëri që në themelimin e saj. Vatra është pjellë e dyshes gjeniale Konica-Noli, ajo është shoqëria patriotike kulturore që ka luajtur rolin më të madh për ruajtjen e territoreve tona në fund të Luftës së Parë Botërore, për njohjen e problemit të Kosovës dhe të çlirimit të saj.
Viti 2016, Viti Faik Konica, nuk duhet menduar thjesht si viti kur shoqëria Vatra do të ndihmojë finaciarisht botimin dhe promovimin e dy romaneve të panjohur të Faik Konicës, të zbuluar e përgatitur për botim prej studjuesit Fotaq Andrea. Ky vit duhet menduar si viti kur të gjithë ne bijtë e diasporës shqiptare të Amerikës duhet të mendojmë e të angazhohemi për ta ngritur shoqërinë Vatra në nivele të rinj, me synimin që ajo të luajë një rol edhe më të ndjeshëm në mbarë jetën shqiptare.
Sot, të gjithë ne shqiptarët, si ata që kanë ardhur para vitit 1990 dhe ne të ardhurit pas këtij viti, kemi arritur të tregojmë se jemi të aftë të përshtatemi me sukses në atdheun e ri dhe të shfaqim aftësitë tona. Sejcili ka mundur ta tregojë veten duke u marrë me bisnes, duke ndërtuar a blerë shtëpi, duke u shkolluar e kualifikuar në universitetet e këtij vendi. Sejcili sipas prirjeve e talentit të vet ka shkruar e botuar vepra me artikuj, studime, poezi e prozë, ka dhënë koncerte, ka realizuar shfaqje, ose filma, ka treguar se është bir i denjë i një populli të lashtë që është shquar e shquhet për karakterin e vet krijues e jo imitues, për sedrën e shëndoshë e jo të sëmurë, etj.
Megjithë këto arritje duhet të kuptojmë më mirë çështjen themelore: si individë kemi qenë e jemi ende të dobët, të bashkuar rreth Vatrës do të jemi më të fortë.
Për të realizuar forcimin tonë nuk na duhet të ngrejmë male mbi kurriz, as nuk na duhet të pengojmë planet tona private për përmirësimin e jetës sonë. Mjafton të hedhim një hap fare të vogël me një kosto minimale: të anëtarësohemi në shoqërinë Vatra. Ky anëtarësim kushton vetëm $ 100,00 (njëqind dollarë) në vit. Kjo shumë, që është vërtet e vogël për sejcilin prej nesh, në fakt është me vlera të mëdha për të ardhmen e shoqërisë Vatra dhe të prsetigjit të diasporës sonë. Është me vlera të mëdha, sepse numëri i shqiptarëve të punësuar dhe të pensionuar në SHBA arrin sot rreth 100.000 vetë, të cilët po të paguajnë kuotën e anëtarësisë në Vatër prej 100 dollarësh, mblidhet një shumë vjetore prej rreth $ 10,000.000.00 (dhjetë milion dollarë). Kjo shumë mundëson kthimin e shoqërisë Vatrës në një institucion që mund të realizojë shumë projekte kulturore, artistike e shkencore për zhvillimin dhe përmirësimin moral e kulturor të çdo shqiptari që jeton në diasporë dhe në atdhe. Të gjithë shqiptarët që do të ndihmojnë Vatrën për të marrë mbi vete misionin e gjallërimit tonë, do të ndjehen krenarë, sepse shumë shpejt ata do të nderohen më shumë prej rrethit të tyre familjar e shoqëror. Ky respekt ndaj tyre do të vijë duke u shtuar sepse kushdo e vlerëson njeriun fisnik që ndihmon lulëzimin e velerave morale e kulturore të popullit të vet.
Ecja e popullit tonë drejt qytetërimit modern varret vetëm në shumën qesharake prej 100 dollarësh në vit dhënë prej çdo shqiptari të punësuar e të pensionuar në SHBA. Jam i bindur se të gjithë e kuptojmë se nuk duhet kursyer një shumë kaq e vogël për një qëllim kaq të madh. Këtë, ndoshta nuk duan ta kuptojnë vetëm ata emigrantë që i ka marrë mbrapsht emigrimi, vetëm ata që kujtojnë se janë më të nderuar duke u hequr sikur janë grekë pa pasur gjak grek, ose ata që hiqen se janë bërë amerikanë e nuk janë më shqiptaro-amerikanë.

Filed Under: Vatra Tagged With: DHE VITI, I FAIK KONICËS, Thanas L Gjika, Vatra

DEMOSTRATA E DHUNESHME MUND TE SJELLE VIKTIMA, JO LARGIMIN E KRYEMINISTRIT NGA ZYRA

December 5, 2015 by dgreca

Opinion nga Thanas L. Gjika / Masaachusetts/ USA/
Në gazetën RD të ditës së djeshme lexova midis tjerash në replikën e z. Sali Berisha shprehjen: Dhe mos ik më 8 dhjetor, mos ia mbath më 8 dhjetor, por rri në zyrë”, drejtuar kyeministrit të sotëm z. Edi Rama.
Kjo shprehje zbulon mendimin se z. Berisha po nxit popullin për ta kthyer demostratën paqësore në demostratë të dhunshme, si atë që organizoi kundër ish kryeministrit Fatos Nano, kur ky u detyrua të braktiste zyrën për të mos derdhur gjakun e atyre që e sulmuan si banditë dhe hynë brenda në kryeminstri.
Z. Berisha paska harruar se në një vend anëtar të NATO-s institucionet shtetërore nuk mund të dhunohen, se ushtarët e Gardës së Republikës, ashtu si vranë me 21 janar 2011 katër demostrues që e kthyen demostratën në demostratë dhune, mund të vrasin edhe më 8 dhjetor 2015 çdo demostrues që do ta shkelë territorin e Kryeministrisë.
Z. Edi Rama nuk ka pse të largohet nga zyra, nuk ka pse t’ia mbathë pasnesër më 8 dhjetor. Atë do ta mbrojnë ushtarët e Gardës, por e këshillojmë z. Berisha të mos turret për të hyrë në kryeminisri, se mund të bjerë viktimë e shkeljes së rregullave të demostratës paqësore.
I lutemi z. Basha, kryetar i PD-së, të dalë në krye të demostruesve dhe të respektojë rregullat e demostratës paqësore. Për një demostratë banditeske nuk ka nevojë populli shqiptar. Populli ynë është lodhur prej dhunës dhe abuzimeve të kohës së diktaturës dhe të pasdiktaturës. Ai ka nevojë për veprimtari politike të kulturuara. Ata që e duan popullin shqiptar nuk duhet ta fusin në rrugën e dhunës, prej së cilës ai e ka pësuar gjithnjë duke bërë hapa mbrapa…

Filed Under: Opinion Tagged With: Demonstrata, dhuna, Thanas L Gjika, viktima

U FESTUA 100 VJETORI I KISHES SHQIPTARE ORTHODIKSE ‘FJETJA E SHEN MARISE’

September 28, 2015 by dgreca

Franklin ZDRULI, Thanas L. GJIKA/
Fotot A. MURRAJ/
Shqiptaro Amerikanet e qytetit Worcester (Uster) MA, me 26 e 27 shtator festuan 100-vjetorin e krijimit te kishes “FJETJA E SHE MARISE”. Ne mbremjen e dates 26 ne ambjentet e bukura te Saint George Orthodoks Cathedral, 30 Anna Street u dha darka madheshtore. Kjo ceremoni u krye nen drejtimin dhe kujdesin e z. Gary P. Peters. Mbasi u kenduan hymnet kombetare te Amerikes dhe te Shqiperise, u dha lutja dhe fjala e hapjes prej The Most Rev. NIKON Kryepeshkopi i Bostonit i New Englandit dhe i Archdioqezes se Kishave Shqiptare Orthodokse te Amerikes. Ishin te pranishem me shume se 300 besimtare, shume klerike te kishave orthodokse simotra, Mr. Joseph M. Petty Mayor i qytetit, Michael Gregory bashke kryetar i keshillit te Archdioqezes Shqiptare, Very Rev. Arthur Liolin Kancalar i Archdioqezes Shqiptare, Fr. Timothy Lowe, prifti i kishes jubilare, Hiresia e Tij John Abdalah Peshkop i Dioqezes Antiokase te Worcester-it. Mbas ngrenies se darkes dhe lutjes mbyllese qe dha Peshkopi NIOKON, grupi muzikor ALBA dha nje koncert te pasur me kengetaret Edi Duro dhe Fitore Mamaqi (Levonja). Festa u mbyll te nesermen ne mengjes me  nje meshe ceremoniale ku moren pjese shume prifterinjve te kishave simotra orthodokse.
Kisha “Fjetja e Shen Marise” e pati bashkuar dhe vijon ta mbaje te bashkuar komunitetin shqiptar te ketij qyteti duke i dhene keshtu mundesi per veprimtari te ndryshme ne sherbim te diaspores dhe te kombit. Kjo jete nje shekullore perben nje faqe nderi per historine e emigracionit tone ne ShBA dhe nje ure lidhese me atdheun meme e mbare kombin shqiptar.
Sot, Worcesteri eshte qyteti i dyte per nga madhesia ne gjithe New England-in, pas Bostonit. Ai ka luajtur nje rol shume te madh ne zhvillimin ekonomik te shtetit Massacusets dhe te mbare ShBA-ve. Qe ne fillim ai u projektua si qytet industrial metropolitan. Kujtojme ketu fabrikat e shumta, ato te armeve e ushqimore, etj. Industrializimi e shnderroi qytetin ne nje kompleks uzinash e fabrikash, por edhe ne nje qytet ku bukuria natyrore ta ben me te lehte jeten dhe pushimin.  Ketu gjen gjelberim, pyje, perrenj, liqene. Ne Worcester gjendet parku i pare i krijuar me fonde private te dhuruar shtetit qe mban emrin ELM PARK. Sot Worcester eshte zhnderuar ne nje qytet studentor dhe cilesohet si qyteti i pare ne Amerike per numrin e kolegjeve qe ka ne vetvete. Permendim ketu disa nga me te shquarit si ASSUMPTION COLLEGE, WPI, CLARK University dhe HOLLY CROSS, qe renditen ne nivelet e larta si ne shkalle kombetare dhe ate nderkombetare.
Worcesterit po i ndryshon qendra nga viti ne vit, duke marre pamje gjithnje e me te bukur me dyqanet e shumellojshme, restorantet e guzhinave nga gjithe bota, si dhe ndertesa muzesh, ndertesa e teatrit Hanover, ku ekspozohen arritje te artit amerikan e boteror, si dhe salla famoze “Mechanic Hall”, e cila eshte endra dhe krenaria e cdo muzikanti dhe orkestre pasi eshte e vecante per akustiken e saj te larte . Nuk duhet harruar muzeu i artit i cili gjithashtu ka nje njohje boterore per ekspozimin e shume veprave origjinale me vlere. Me pak fjale ky eshte Worcesteri, te cilit shqiptaret i thane “shtepia jone” qe para vitit 1900, kur erdhen emigrantet e pare dhe sidomos pas krijimit te kishes. Jo rastesisht ne vorrezat e ketij qyteti u varros shqiptari i pare, djaloshi Kristaq Dishnica, te cilin nuk pranoi ta varroste kisha greke e asaj kohe, dhe Noli u detyrua te vishte roben prifterore per te mos i lene shqiptaret orthodokse te nenshtruar ndaj synimeve shoviniste asimiluese te prifterinjve greke.
Ne keto vite ne kete qytet numerohen gati 20 000 Shqiptaro-Amerikane, gati nje e dhjeta e popullsise se qytetit. Kur filluan te vinin shqiptaret e pare ketu ne fund te shek. XIX dhe ne fillim te shek. XX, shume pak prej tyre regjistroheshin shqiptare, shumica regjistroheshin si qytetare otomane, ose qytetare greke. Ne Massachustetts, emigranti i pare qe njihet i regjistruar si Shqiptar quhej Kole Kristofori nga fshati Katund i Korces. Ai mberriti ne ShBA ne vitin 1884 dhe jetoi disa vjet ne Worcester e me tej u shperngul ne Boston MA, ku u dorezua me vone prift. Ne vitin 1884 ne zyrat e emigracionit ne State Island u regjistrua si shqiptar edhe nje emigrant tjeter me mbiemrin Konduli, djalosh nga qyteti i Korces, i cili u vendos se pari ne New York, por shume shpejt shkoi ne Alaske ku punoi shume vjet e me tej u kthye ne atdhe. Numeri i emigranteve qe regjistroheshin si shqiptare filloi te rritet mbasi u dorezua prifti i pere shqiptar At Noli dhe sidomos mbas shpalljes se Shqiperise shtet i paverur me 1912.
Askush nuk e harron kontributin dhe perkushtimin e Fortlumturise se tij Fan Stilian Noli ne ngritjen dhe drejtimin e Kishes Orthodokse Shqiptare ne ShBA, por jo kushdo sot i njeh vlerat dhe kontributin e perkrahesve dhe atdhetareve qe e zgjodhen Nolin per udheheqes dhe e ndihmuan ne cdo hap. Shumica e tyre ishin prej kolonive shqiptare ne perendim te Bostonit si Southbridge, Worcester, Natick, Frammingam, Clinton, etj. Deri ne kete kohe shume shqiptare kontribuan ne ngritjen e disa kishave te tjera qe i perkisnin nje komuniteti etnik te perzier me shqiptare, greke, siriane, armene, ruse, e besimtare te tjere orthodokse. Keshtu u ngrit kisha “Shen Kostandini dhe Helena” ne Webster MA nga Polenaket e Korces , apo “Shen Spiridhoni” ne Worcester, te cilen e ndertuan shqiptare te erdhur prej Greqise Veriore ne kufi me Shqiperine. Duke qene se keta emigrante, shteti grek nga ishin nisur dhe komuniteti grek i ketij qyteti qe i priti, i quante greke per shkak se ishin banore te Greqise dhe orthodokse per nga besimi, u deturuan qe te mbeteshin miq me besimtaret greke, fakt qe ndikoi ne greqizimin e plote te femijeve te tyre.
Per shkak te besimit orthodoks dhe te njohjes se greqishtes qe kishin mesuar neper shkolla greke te Shqiperise, e quajten veten greke edhe mjaft shqiptare qe erdhen nga zonat e Shqiperise se Jugut. Edhe sot disa shqiptare qe e filluan jeten e emigracionit se pari ne Greqi, ku mesuan greqishten dhe shijuan per te paren here jeten e lire, kur vijne ne USA, behen anetare ne kishen greke te “Shen Spridhonit”, me qe ajo eshte me prane shtepive ku ata jetojne dhe ku mesha mbahet greqisht, gjuhe qe ata nuk duan ta humbasin.
Per t’u permendur eshte fakti se kisha e pare shqiptare orthodokse e ndertuar me ndihma financiare dhe pune vullnetare prej emigranteve shqiptare eshte kisha e “Shen Kollit” (Saint Nicola) ndertuar me 1912 ne Southbridge MA. Kurse kisha shqiptare orthodokse e qytetit Worcester MA kushtuar Hyjlindeses Mari, me emrin “Fjetja e Shen Marise” (Saint Mary Assumption) u organizua se pari me 1911 si nje grup i lidhur me kishen e Shen Gjergjit, kurse si kishe me vete u organizua ne vitin 1915. Ne vitet 1911-1917 sherbimet fetare kryheshin ne salla qe merreshin me qira, kurse ne vitin 1918 u ble nje godine kishe gjermane ne 63 WELLINGTON STREET, te cilen e pajisi me ikona Rev. At Naum Cere. Ne 3 tetor 1982 filloi sherbimi fetar ne kishen e re qe kemi sot, e cila u ndertua me ndihmat financiare te Shqiptaro-Amerikaneve ne adresen 535 SALISBURY STREET. Midis donatoreve te kesaj periudhe nuk mund te leme pa permendur bujarin Anthony Athanas, pronarin e restorantit PIER FOUR te Bostonit. Kjo kishe u zgjerua e u zbukurua ne vitet 2000-2010. Mbas shtesave dhe plotesimit te ambjenteve te brendshme me piktura te realizuara prej piktorit te talentuar Dhimiter Chika, kisha jone eshte nder kishat shqiptare me te bukura ne mbare Ameriken. Kjo kishe bashke me Katedralen e “Shen Gjergjit” Boston MA, “Shen Kollit” ne Southbridge, ate te “Ungjillezimit” ne Natick dhe kishat e tjera orthodokse shqiptare ne shtetet New York, Michigan, Ilinois, etj jane anetare te denja te Peshkopates Amerikane Orthodokse.
Gjate ketij shekullit te pare te sherbimit fetar te kishes “Fjetja e Shen Marise” kujtojme me respekt dhe perulesi prifterinjte e pare qe sherbyen ketu si At Stath Melani, Rev. Pandi Sinitza, Arch. Thimi Theodhos, Rev. Naum Cere, te cilet u shquan krahas forcimit te besimit edhe per brumosjen e besimtareve me atdhedashuri dhe mesimin e gjuhes shqipe. Mesimin e gjuhes shqipe me femijet e lindur ne emigracion e vijoi atdhetari Peter Kolonja mbasi At Stathi shkoi ne Permet me 1917 per te vijuar punen ne sherbim te kishes e te atdheut, ku dhe u vra ne dhjetor te atij viti prej disa forcave shoviniste greke. Gjate ketij shekulli ne kete kishe kane sherbyer shume klerike, midis te cileve sherbeu me gjate Very Rev. Spiro Page. Sot sherben Very Rev. Father Timothy Lowe.
Gjate dhjetevecareve ne vazhdim shqiptaret jo vetem u ingranuan ne shoqerine amerikane duke u bere anetare te denje te saj por ata identitetin e tyre se bashku me besimin si pjese e pandare e trashegimise identitare e ruajten si nje amanet prej te pareve. Ne bisedat me te moshuarit sot ata tregojne me nostalgji se kur ngrinin dolline e pare ne festat per nder te dites se pavaresise urimi fillonte me fjalet: “Dhe mot ne Shqiperi”.
Ishin pikerisht ndjenjat atdhetare e fetare qe i kane shtyre shqiptaret e Worcesterit per te mbajtur gjithmone flamurin e shqiptarizmes e te ndershmerise ne rrugen e tyre te rritjes , te integrimit dhe te rruajtjes se identitetit shqiptar ne diaspore dhe me gjere. Ne kete udhetim shekullor do te duhej kohe te shfletonim  gjithe te shkuaren aq me teper ta analizonim ate por disa pika te rendesishme eshte e domosdoshme t’i njohim.
Shqiptaret e Worcesterit e kane manifestuar gjithnje hapur e me kurajo ndjenjen e liridashjes dhe ruajtjen e identitetit kombetar me cdo cmim . Ishin pikerisht keta shqiptare qe mbeshteten dhe financuan Ismail Qemalin ne fund te Luftes se Pare Boterore per perfaqesimin e Shqiperise ne oborret e Fuqive te Medha ku luftoi kunder coptimit te metejshem te Shqiperise. Ishin perseri bijte e ketij komuniteti qe perkrahen organizaten “Shqiperia e Lire” dhe vizionin e pare demokratik te shpalosur nga Kostandin Cekrezi per nje Shqiperi te lire dhe zgjedhje demokratike me ndihmen e SHBA-ve mbas Luftes se Dyte Boterore. Po keta shqiptaro-amerikane te Worcesterit derguan qindra mijera dollare ne Shqiperi per te ndihmuar familjet e tyre gjate kohes se monizmit. Kohe, kur populli yne neperkembej prej sunduesve te pashpirt qe mashtronin duke propaganduar nje te ardhme te lumtur, per te fshehur te tashmen e mjerueshme ku zvarritej populli cdo dite. Keta Shqiptaro-Amerikane nuk u dekurajuan nga realiteti i nje shteti mosmirenjohes dhe per gati 50 vjet u munduan te vijonin ruajtjen e shqiptarise, ne ngjashmeri me komunitetin shqiptar te Italise se Jugut, qe perjetoi izolimin nga mema per me shume se pese shekuj.
Komuniteti shqiptar i Worcester-it e di mire se besimi dhe shpresa ne Jezu Krishtin eshte rruga me e sigurt per te care erresiren dhe izolimin drejt nje bashkimi te qendrueshem. Edukimi i femijeve ne shkollen e se dieles (Sunday School) ne ambentet e kishes eshte nje pune e mire per formimin e ndergjegjes se te rinjve me ndjenja fetare. Ndergjegja e te tille njerezve, si te themi paiset me ate llamben qe ndizet ne trurin e tyre sa here ata ndodhen para kryerjes se nje hapi te gabuar ne jete, llampe e cila me driten e saj jep alarmin qe te mos kryhet nje vjedhje, nje genjeshter, ose nje krim. Per nje llampe te tille kemi nevoje te gjithe, prandaj shume prinder te rinj shqiptare i sjellin femijet e tyre ne kishe cdo te djele dhe jo vetem per t’i pagezuar ose kurorezuar. Lum ata prinder qe e kane kuptuar se ardhja ne kishe bashke me femijet nuk eshte humbje kohe, por perfitim i madh moral, eshte nje kapital i rendesishem per jeten e cdo njeriu. Ne kete drejtim shquhen shqiptaro-amerikanet e lindur ketu, te cilet ndjekin rrugen e prinderve te tyre, kane ardhur dhe vijne regullisht ne kishe, kane ndihmuar e ndihmojne kishen financiarisht me dore te hapur duke dhuruar shuma te konsiderueshme. Ne shqiptaro-amerikanet e ardhur rishtas duhet t’i kemi per shembull te tillet besimtare dhe te ecim ne rrugen e tyre.
Ne kete 100-vjetor vlen te permendim disa prej besimtareve e veprimtareve te shquar te kishes sone me familjet e tyre. Le te permendim zoterinjte Gregory Steffon,  Bill Jons (Vasil Kamenica), Dr. George M. Laska, Norman C. Simon, Dr. Theodor S. Thamel, te cilet kene fituar bashke me disa anetare te tjere titullin e larte “Kalores i Shen Gjergjit”. Ne ceremonine e 100-vjetorit u shpall dhe kaloresi i pesembedhjete, z. Louis Pero, i cili eshte shquar gjithnje per pune te devotshme ne sherbim te kishes sone e sidomos ne hartimin e historikut te shkurter te kesaj kishe. Po ashtu vlen te permendim se mjaft besimtare e besimtare te tjere jane vleresuar me tituj e nderime te tjera per sherbimin e vijueshem model ne kete kishe si zonjat Mariolla Spiro, Paticia Morris, Elsie Vangjel, Sofia Pojani, etj. Me punen e tyre keta veprimtare bashke me anetaret e bordit te kishes kane bere qe komuniteti shqiptar i Worcesterit te jete krahu i djathte i komunitetit te Bostonit dhe zemra e shqiptarizmit ne Massachusetts. Te panumert jane emrat e anetareve te kesaj kishe qe kane sherbyer here si kryetare te Keshillit Laik, here si kengetare te korit te kishes, antare dhe drejtues te shoqerive te ndryshem si “Djemte e Shen Marise”, “Bijat e Shen Marise, shoqerive teatrale e muzikore, grupeve sportive, etj, etj, emrat dhe shume foto te te cileve jane riprodhuar ne broshuren e bukur qe u botua me rastin e ketij 100-vjetori.
 Komuniteti shqiptar prane kishes se Shen Marise ne Worcester ka luajtur rol te rendesishem ndermjet te tjerash ne ngritjen e qendres se pare rehabilituese per te moshuarit,  nga besimtaret orthodokse “Holy Trinity” . Ngritjen e qendres  se kujdesit per femijet e moshes parashkollore ne ambjentet e kishes “Fjetja e Shen Marise”. Ndertimin e godines se pare per strehimin e te moshuarve me emrin “Illyrian Gardens”, ndertimin e programeve te ndryshme per femije dhe te rinj shqiptare, si dhe organizma te ndryshme. Disa prej tyre jane “Kori i kishes” (The Church Choir) krijuar me 1917, “Bijat e Shen Marise” (Daughters of Saint Mary’s) krijuar me 1951, “Te rinjte e Shen Marise” (Saint Mary’s Youth Group) krijuar me 1968, “Bijte e Shen Marise” (Sons of Saint Mary’s) krijuar me 1972 dhe shume shoqeri e grupe te ndryshme teatrale, sportive, muzikore, etj., si dhe organizaten AANO etj.
Aktiviteti shoqeror dhe besimtar i ketyre organizmave ka qene i larmishem qe prej fillimit te tyre e deri ne ditet tona duke perfshire mesimin e kengeve dhe valleve shqiptare, mesimin e gjuhes shqipe, organizimin e mbremjeve festive per festa te ndryshme, sidomos te 28 Nentorit, dhenie shfaqjesh, si dhe dhenie ndihmash ne komunitet dhe me gjere per te riardhurit, dhenie bursash e ndihmash vjetore per studentet Shqiptaro-Amerikane, si dhe dhenie ndihmash per shkolla dhe organizma bamirese per te realizuar projektet e tyre.
Pas vitit 1991 komuniteti shqiptar i Worcester-it u gjend ne nje realitet shokues, sepse duke u hapur Shqiperia, shqiptaret filluan procesin zinzhir per te terhequr njeri tjetrin ne mergim. Kisha e Shen Marise u be pike referimi per shume e shume shqiptare te riardhur. Duhet te kujtojme se nepermjet dedikimit te anetareve te saj ne bashkepunim me organizaten NEARO u dergun fillimisht ne Shqiperi dhe me pas ne Kosove mijera e mijera pako me ushqime dhe veshje te ndryshme. Gjate luftes se Kosoves e me pas nepermjet fushates fondmbledhese qe Kisha jone mori persiper u grumbulluan dhe u shperndane rreth 300 000 dollare ne forme ndihme monetare per refugjatet kosovare te shperngulur nga trevat e tyre.
Sot qendra komunitare per ndihme sociale per emigrantet “Friendly House” eshte fakti me i gjalle qe te riperterin kujtesen. Kjo qender u krijua per t’u ardhur ne ndihme emigranteve shqiptare qe per vite me radhe nuk pushoi dhe sot vijon veprimtarine e saj ne ndihme te emigranteve te rinj.
Veprimtaria e ketij komuniteti kompletohet dhe me programin e ores shqiptare qe trasmetohet live cdo te shtune nga ora 8:00 – 10:00 ne mengjes. Ky radioprogram eshte programi me i vjeter i vazhdueshem ne shqip ne mbare Ameriken, themeluar ne vitet 30-te te shek. XX. Sot mbahet prej ciftit Andrea e Rebeka Tanace. Krahas ketij radioprogrami ka disa vjet qe transmetohet prej z. Arben Kamberi dy here ne jave emisioni televiziv ne gjuhen shqipe ne kanali 13. Pjese e rendesishme e veprimterive kulturore eshte dhe grupi “Vallet Tona”, i cili vijon te pergatite valltare te rinj cdo vit per me se 10 vjet nen koreografine e zotit Dhimiter Demiri.
Komuniteti shqiptar i Worcesterit ka nje liste te gjate veteranesh qe kane marre pjese ne Luften e Pare dhe te Dyte Boterore, ne Luften e Korese, te ate te Vjetnamit, etj, madje ka dhe deshmoret e vet ne keto luftra. Keto jave komuniteti yne festoi 100-vjetorin e veteranit te L. II B., z. Vangjo Naum, i cili ka ardhur ketu me 1936 nga Drenova e Korces dhe mori pjese dhe ne daken festive, ku u duartrokit si anetari me jetegjate i komunitetit.
Vlen te permendim se ky komunitet i ka dhuruar disa vjet me pare qytetit tone Majoren e pare shqiptare ne mbare Ameriken, zonjen Kostandina Lukes, e cila vijon t’i sherbeje komunitetit si keshilltare ne bashki. Ne festimet e 100-vjetorit te pavaresise se Shqiperise ish Majorja dhe komuniteti i Worcesterit kishin nderin te pershendetnin nga prane Ambasadorin shqiptar te SHBA Mr. Gilbert Galanxhi tre here brenda nje viti.
Ne kete 100-vjetor te kishes sone ky komunitet i dhuron shtetit Massacusets Mbretereshen e Bukurise Miss Massacussets 2015, zonjushen Polikseni Manxhari si nje fakt se vajzat shqiptare nuk jane vetem te zgjuara e nikoqire, por edhe te bukura.  Ne kete 100-vjetor komuniteti prane kishes “Fjetja e Shen Marise” i dhuroi qytetit Worcester veprimtarine me te madhe dhe me te bukur shoqerore e familjare, Festivalin Shqiptar . Ky eveniment zhvillohet cdo dy vjet per 33 vjet me radhe ne oborrin e kishes nga anetaret e komunitetit . Kete vit ne kete ngjarje moren pjese me shume se 13 000 vizitore te cilet erdhen jo vetem nga qyteti dhe qytezat rrotull, por edhe nga shtete te ndryshme te Amerikes e Kanadase. Ky festival kete vit iu dedikua 100-vjetorit te themelimit te kishes. Eshte per te theksuar se ne kete festival na nderuan me pjesemarrjen e tyre dhe me urimet personalitete te pushtetit vendor te qytetit, midis te cileve permendim keshilltaret dhe Majorin Joe Petty, kongresmanin Mr. Jim Mcgovern, senatoren locale Harriet Chandler si dhe zevendes guvernatoren e Massacusets Mrs. Karen Polito, sherifin e Worcester County me origjine shqiptare, Mr. Lou Evangjelidhis.
Mirepo nuk mund te leme pa permendur faktin qe per ngjarje te rendesishme si fetivali i sivjetem dhe kremtimi i 100-vjetorit te kishes “Fjetja e Shen Marise”, ngjarje me vlera mbarekombetare, nuk u derguan asnje person nga ambasada jone ne USA, dhe asnje urim nga zyrtare perkatese te atdheut. Nje indiference dhe heshtje e tille prej atdheut meme deshmon per mosnjohje dhe mosmirenjohje. Qeveria shqiptare duhet ta marre me seriozisht lidhjen me diasporen, pjesemarrjen ne festa te ndryshme te saj, dergimin e teksteve mesimore te gjuhes shqipe, te historise, te letersise dhe te hartave te ndryshme te atdheut e te mbare trojeve shqiptare. Nese qeveria shqiptare ndihmon seriozisht diasporen ne plan kulturor e shkollor, neser mund te dalin prej saj personalitete te shquar te artit, letersise, shkences, biznesit, etj, si dikur Marin Becikemi (alias Marin Barleti), Leonik Tomeu, etj prej diaspores shqiptare te Italise se Veriut; Jeronim de Rada, Gavril Dara, Zef Skiroi me shoke prej diaspores se Italise se Jugut; Merko Bocari, Anastas Kullurioti e A. Kupitori prej diaspores se Greqise; Fan Noli prej diaspores se Thrakes Lindore etj. Sa me shume kohe kalon aq me shume ky mosinteresim i qeverive te atdheut ndikon ne dobesimin dhe tretjen e diaspores shqiptare ne bote. Duhet pasur parasysh se ne diasporen e re shqiptare po shkollohen studente shqiptare nga me te miret e Amerikes dhe te Europes, po lindin biznesmene, te cilet neser mund te kthehen ne nje burim energjish e pasurish te pazevendesueshme per atdheun…(FOTOT- i gjeni ne Facebook)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Fjetja e Shen Marise, Franklin Zdruli, Kisha shqiptare, Orthodokse, Thanas L Gjika, U festua 100 vjetori

GJERMANIA PASNAZISTE DHE SHQIPËRIA PASKOMUNISTE

June 22, 2015 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. GJIKA/
Gjermania naziste më 9 maj 1945 njohu humbjen dhe firmosi kapitullimin e sistemit nazist. Funksionarët dhe ushtarakët e lartë që u kapën gjallë i kaluan gjyqit dhe u dënuan si kriminelë lufte. Kështu u nda populli gjerman prej së keqes së vet. Mbas kësaj Gjermania u nda në tre zona kontrolli, dy nën kontrollin e Anglisë dhe ShBA-ve dhe një nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Dy pjesët që kontrolloheshin prej aleatëve perëndimorë krijuan shtetin Republika Federale Gjermane, që u quajt dhe Gjermania Perëndimore. Pjesa që kontrollohej prej BS u shpall pas disa vitesh shtet më vete me emrin Republika Demokratrike Gjermane, që u quajt dhe Gjermania  Lindore. Në plan ekonomik e politik këto dy shtete gjermane krijuan dy sisteme të ndryshme. Gjermania Perëndimore me ndihmën e Anglisë e të ShBA-ve, krijoi sistemin pluralist me ekonomi të tregut të lirë, kurse Gjermania Lindore u detyrua prej Bashkimit Sovjetik të krijonte sistemin socialist me ekonomi të përqendruar në duart e shtetit.
Gjermania Perëndimore ndoqi këshillat e një udhëheqësi të saj largpamës, i cili iu drejtua popullit me këto fjalë:
“Për fajin e vetë ne gjermanëve, Gjermania është e shkatëruar, ajo humbi rininë në luftë dhe një të tretën e teritorit (Gjermaninë Lindore). Ne duhet të punojmë fort për ta rimëkëmbur vendin tonë dhe për të paguar dëmet që u shkaktuam vendeve që pushtuam gjatë luftës. Popull gjerman, kur të shkosh në zgjedhje, të votosh ata kandidatë që janë të njohur për ndershmërinë dhe atdhetarinë e tyre dhe jo ata kandidatë që janë të njohur vetëm për shkollimin e tyre të lartë. Gjermaninë do ta ndreqin atdhetarët e ndershëm që punojnë me përkushtim e sakrifica dhe jo ata që kanë diploma të larta, por që u mungon përkushtimi atdhetar.”
Që nga viti 1945 deri më 1960 populli i Gjermanisë Perëndimore punoi kokulur dhe në fushatat zgjedhore zgjodhi bij atdhetarë të përkushtuar pavarësisht nga arsimimi i tyre. Kështu u krijua klasa e re politike që ndoqi një politikë ekonomike me rritje të shpejtë. Brenda 15 vjetëve RFGj arriti të rimëkëmbej ekonomikisht e politikisht, ia hoqi frikën botës se mos shkaktonte një luftë të re dhe u bë fuqia e parë ekonomike midis shteteve të Europës Perëndimore, e cila filloi të thithte fuqi punëtore nga vendet e tjera. Duke ecur në këtë rrugë ajo u fuqizua aq shumë sa që e detyroi Bashkimin Sovjetik ta dorëzonte Gjermaninë Lindore më 1989, gati gjashtë vjet para afatit të caktuar.
Kurse Shqipëria paskomuniste ndoqi një rrugë të ndryshme nga ajo e Gjermanisë pasnaziste. Shqipëria paskomuniste nuk deshi të ndahej nga e kaluara, nga e keqja që pati sunduar për gati gjysëm shekulli. Kjo dukuri pati pasoja shkatërimtare për të ardhmen e atdheut:
1. Udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë ndonëse e njohu dështimin e sistemit socialist diktatorial dhe pranoi shpalljen e pluralizmit dhe krijimin e ekonomisë së tregut të lirë, nuk pranoi të shpallte veten fajtore për gjithë dëmet që i kishte bërë popullit gjatë viteve 1944-1991 dhe nuk kërkoi të falur. Ajo nuk dënoi askënd prej drejtuesve të diktaturës, madje as ish diktatorin e vdekur. Kjo politikë ndikoi tek ish anëtarët e PPSh-së që drejtonin Partinë Demokratike që të mos i dënonin anëtarët e ish kupolës komuniste si meritonin për krimet e kryera. Kështu kuadrot e lartë të PPSh-së, të sigurimit dhe të ushtrisë u nxitën që të mos pranonin se ishin pjesë e asaj ushtrie që doli e mundur prej Luftës së Ftohtë dhe të mos tërhiqeshin kokulur e të mos tërhiqeshin nga veprimtaria politike e pushtetore. Për turpin e tyre ata filluan një luftë të re mashtruese si në politikë dhe në letërsi. U shkruan prej tyre artikuj e libra me kujtime të mbushur vetëm me trimërira e bëma pozitive për periudhën e Luftës Antifashiste dhe për kohën e diktaturës, pa shpjeguar pse dhe si u instalua e keqja, diktatura komuniste, e cila kapitulloi bashkë me ushtrinë e vet. Ata nuk duan ende të kuptojnë përgjegjësinë që kanë pasur në zbatimin e politikës antinjerëzore të atij sistemi dhe në teprimin e krimeve duke vrarë, burgosur dhe internuar vëllezërit e një gjaku shumë më tepër sesa kishin vrarë e dënuar armiqtë e jashtëm të popullit shqiptar gjatë 100 vjetëve para ardhjes në pushtet të PKSh-së.
2. Mosdënimi i krimeve të kryera gjatë sundimit komunist dhe i figurës së ish diktatorit, është pjesë përbërëse e krimeve të rinj, që tregojnë se sa poshtë kishin rënë dhe sa poshtë qëndrojnë edhe sot nga ana morale ish pushtetarët komunistë dhe bijtë e tyre, të cilët shfaqen si enverucë në jetën e sotme duke imponuar mendimet e tyre e duke luftuar me cdo mjet e formë ata që mendojnë ndryshe.
3. Drejtuesit e partive politike të Shqipërisë paskomuniste, që kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me PPSh-në, nuk punuan dhe nuk punojnë për ndërgjegjësimin e cdo shqiptari për të dënuar krimet e kryera gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe për të mos ua dhënë votën bijve të ish pushtetarëve dhe ish sigurimsave të kohës së diktaturës komuniste.
4. Në Gjermaninë Perëndimore nuk ishte prekur prona prej nazizmit, prandaj investimet e reja prej pronarëve vendas dhe të huaj dhanë rezultate të shpejta. Në Shqipërinë socialiste prona u shtetëzua krejt dhe qeveritë paskomuniste nuk luftuan me ndershmëri për t’ua kthyer pronën pronarëve të vërtetë, por ua ndanë atë kryesisht ish komunistëve dhe shërbëtorëve të tyre besnikë. Kjo gjendje e pronës tek ne nxiti vjedhjen e korrupsionin dhe pengoi e pengon investitorët për të bërë investime serioze.
5. Sistemi diktatorial duke e varfëruar tej mase shqiptarin, duke e mbajtur të shtypur përmes një dhune të paparë, ia shkatëroi moralin njerëzor dhe ia neveriti dashurinë për atdheun. Shqiptari i kohës së diktaturës për të mbijetuar detyrohej të bëhej hajdut, gënjeshtar, mosmirënjohës, spiun e vrasës; vese të cilat e pengojnë sot shqiptarin të punojë kokulur e me përkushtim atdhetar qoftë në atdhe, qoftë në diasporë.
6. Duke mos pasur pronë të mjaftueshme në atdhe, duke u drejtuar prej politikanësh të pamoralshëm, shqiptari i sotëm ende e sheh si rrugë shpëtimi rrugën e shpërnguljes drejt vendeve ku mungon tymnaja helmuese e politikës shqiptare dhe puna paguhet më mirë. Po të mos bëhen korrigjimet e nevojshme për të treguar e dënuar krimet e kryera deri sot prej ish pushtetarëve të diktaturës e të tranzicionit, atëhere shpërngulja e shqiptarëve nga atdheu ka për të mbetur si e vetmja rrugë shpëtimi dhe Shqipëria do të kthehet në një shtet me popullsi të rallë, gjë që rrezikon të ardhmen e kombit tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: GJERMANIA PASNAZISTE DHE SHQIPËRIA PASKOMUNISTE, Thanas L Gjika

LEGJENDA ILIRO-SHQIPTARE RRETH LIQENIT TË POGRADECIT

September 10, 2013 by dgreca

Mendime për librin “Legjendat e Enkelanës” të K. Nanushit/

Nga Prof. As. Dr. Thanas L. Gjika/

Pushtimet e gjata të trojeve iliro-shqiptare prej romakëve, bizantëve, sllavëve e osmanëve sollën si pasojë shkatërrimin e shumë qyteteve e kështjellave, ndërrimin e emrave në shumë vendbanime dhe territore gjeografike. Megjithatë, popullsia vendase vijoi të mbijetonte në këto troje duke e ruajtur kulturën e vet materiale dhe atë shpirtërore. Njohja dhe sjellja në ditët tona e kësaj kulture është, pa dyshim, një vlerë e çmuar. Sidomos është e mirëpritur ajo pjesë e kulturës shpirtërore që lidhet me legjendat, mitet, gojëdhënat, besëtytnitë, ritualet e cila ende njihet pak.

Këtë pikërisht po bën Kristaq Nanushi me dy librat e tij, Legjendat e Liknidës botuar më 2002 dhe Legjendat e Enkelanës i sapobotuar. Siç kuptohet nga vetë toponimet (Liknida është emri ilir i liqenit, kurse Enkelana është emri ilir i trojeve pranë tij), autori është një studiues i lidhur fort pas vendlindjes së tij. Puna prej katër dekadash si mësues letërsie mesa duket nuk ia ka përmbushur kërkesat shpirtërore, ndaj me shtysat e brendshme dhe me formimin letraro – shkencor që e karakterizon,me zell dhe përkushtim shembullor, ai i ka mbledhur dhe i ka rikrijuar ato, duke ruajtur burimin dhe atmosferën e kohës.

Një cikël legjendash me shenjtëri, që përbëjnë kapitullin e parë në Legjendat e Enkelanës duken vërtet  sikur pikojnë nga qielli e rrezëllijnë nga nëndheri. Aty nuk është e vështirë të kuptohet se autori më shumë se sa si besim ato i ka shprehje dëshire që njerëzit të lidhen në ideale të pastra e të larta morale dhe në jetë të priren drejt së mirës. Vetëm me marrëdhënie të tilla të ndërsjellta, të mbushura me ide e ideale të bukura, shoqëria mund të vetëpastrohet – ky mesazh i tyre duket sa universal dhe i gjithëkohshëm, aq edhe imediat e imperativ për shoqërinë shqiptare sot.

Legjendat e emërtimeve krijuar përmes imazheve konkrete janë emocionuese. Mbeten të pashlyeshme emërtimet e Linit, të mjellmës, guzës, pëllumbit, thëllëzës, gurnecëve etj.

E veçantë ndër to është legjenda e sirenës së liqenit. A ka patur sirena ky liqen me bukuri magjike? A ka sot? Kjo pyetje shtjellohet përmes një rrëfimi shumë të bukur dhe emocionant, që të hap para syve imazhe befasuese.

Tjetër atmosferë vjen përmes një vargu temash  nga jeta shoqërore, trajtuar në pjesën e dytë të librit, të cilave autori me të vërtetë “ ua ka fryrë pluhurin e kohës dhe i ka lënë me shkëlqimin e tyre, si varg smeraldesh në gushë të popullit”. Ato lindin nga liqeni, nga Kalaja e qytetit, nga Mali i Thatë, nga Qafa e Panjës, nga Mokra e Gora. Janë subjekte të lehta  e të këndshme, por që filozofojnë bukur mbi jetën shoqërore. Edhe fjala vret (Qafa e Panjës pa panjë), edhe i vogli mund të ndeshet me të pamposhturin (Bajamja që çel në dimër), në jetën tonë duhet të dallojmë lulet shëronjëse nga lulet helmonjëse (Lule helmi nën dëborë) e të tjera si këto lexohen etshëm, por të futin dhe në mendime.

Një cikël shkurtimash nga jeta shoqërore në qytet vijnë si gojëdhëna jo të thëna, por të kënduara. Në këngët popullore qytetare ka shumë histori intriguese të dashurive romantike, platonike, melankolike, kokëkrisura etj. Herë me citime e herë me evokime ato duken si rikrijime të bukura poetike të historive, të cilat, ndonëse janë të shkuara, mbeten të pavdekshme sot e përjetë.

Arkeologët tanë në bazë të gjetjeve të ndryshme mbështetur në imagjinatën dhe në formimin e tyre shkencor, krijojnë skica e vizatime për gjendjen origjinale të objekteve iliro – arbërore të zbuluara, kurse Mitrush Kuteli dikur dhe Kristaq Nanushi tani kanë rikrijuar përmes rrëfenjash e tregimesh ngjarjet dhe bëmat iliro – shqiptare që kanë shërbyer si bërthama të krijimit të legjendave dhe gojëdhënave të lashta, të cilat shpesh herë na kanë mbërritur të cunguara. Në pjesën e tretë të librit K. Nanushi zbulon dhe i rikrijon mjeshtërisht heronjtë – persona dhe personazhe – nëpër ag e mug të shekujve, vendbanimet dhe vendluftimet e tyre, kalatë dhe fortifikimet natyrore, vetitë morale dhe shpirtërore, organizimin e jetës shoqërore e familjare, etërit dhe perënditë që lutnin ata. Dy kalatë, e Pogradecit dhe e Blacës, por dhe disa të tjera më të vogla në Mokër, dëshmojnë pushtetin e të parëve tanë mbi viset tona dhe na mbushin me ndjenja idhujtarie. Idhujt në një komunitet janë si gurët kilometrikë në udhët e jetës, janë piketa të udhëve të historisë. Sa më shumë idhuj të ketë një shoqëri, aq më shumë vlera ka. Duke i zbuluar këta, siç bën K. Nanushi në librat e tij, ne ridimensionojmë kulturalisht shoqërinë tonë.

Galeria e heronjve që sillen në libër janë jo si sfond i jetës, as si asistencë, por si ekzistencë. Në panteonin e kombit, midis etërve të shtetformimit ilir Epidamn, Monun, Glauk, Pirro, Teuta, Gent… radhitet edhe Bardhyli i Enkelanës, me identitetin dhe unikalitetin e vet. Duket qartazi se portreti i këtij mbreti bëhet pas një pune të gjatë e të mundimshme, duke hulumtuar me durim një literaturë mijërafaqëshe. Është një portret që interceptohet nga të dhënat e atykëtushme historike dhe që pastaj mbushet me përfytyrime letraro – artistike. Ma sa dimë, ky është portreti i parë që bëhet për këtë mbret. Plotësohet kështu një bosh dhe një nevojë jo vetëm për pasardhësit e enkelejve në Pogradec, por edhe për gjithë këtë lloj literature. Të njëjtat konsiderata mund të themi edhe për heronjtë e tjerë të librit, si Mbreti i Malit të Thatë, Bendo Shapërdani, Sulejman Starova, Angjevini i Mokrës, Kolë Brana, Petro Kapedani, Jashar Starova e të tjerë. Tek të gjithë këta ne njohim mpleksjen e materiales me shpirtëroren dhe me lentet e shpirtit dhe forcën e imagjinatës rilindim epokat. Me fjalë të tjera, fytyrëzohet qytetërimi shqiptar rreth liqenit Liknidë.

Lidhur me legjendën e popullit tonë për trimin Ago Ymeri, të cilit i këndohen variante në gegërisht e toskërisht, na tërheq vëmendjen varianti i treguar prej Nanushit. Ky variant, që këndohet në Mokër e në Pogradec, përmend emrin e mbretit kundërshtar, mbretit që ka kapur rob Ago Ymerin. Ky mbret përmendet me emrin Krajl Marko, pra është prici sërbo-bullgar Krajleviç Marko (v. 1335-1395), për të cilin kanë kënduar e këndojnë këngë lavdëruese sërbët e bullgarët, por jo ne shqiptarët, sepse për ne ai ishte pushtues.

Koha e shkurtër e vajtje-ardhjes së Ago Ymerit (tre ditë vajtje nga pallati i krajlit tek shtëpia e tij dhe tre ditë për t’u kthyer sërisht tek krajli) na shtyn të mendojmë se varianti që përmend Spanjën si vend burgosjeje të trimit duhet të jetë variant i vonshëm. Mendimi se varianti mokrar mund të jetë origjinali, mund të mbështetet dhe nga vetë problemi themelor i baladës: mbajtja e besës së dhënë dhe shpërblimi i saj me lirimin e Ago Ymerit dhe të shokëve të tij. Kjo dukuri tregon se balada e Ago Ymerit duhet të jetë ngjizur për ngjarje që kanë ndodhur në trojet ballkanike, në troje fqinjë me trojet arbëroro-shqiptare, ku fqinjët tanë e kanë njohur dhe e kanë vlerësuar normën morale të besa-besës arbërore. Ky sugjerim kërkon studim të mëtejshëm…

Me thjeshtësinë dhe këmbënguljen që e karakterizon njeriun e punës, autori nuk mjaftohet me hulumtimet në gojën e popullit dhe nëpër libra e gazeta të vjetra të kësaj pasurie burimore. Ai punon shumë për përpunimin artistikisht të gjuhës me të cilën na i përcjell ato dhe arrin me shumë sukses një nivel të lartë bukurie në komunikim me lexuesin, duke përdorur fjalë të sakta e të bukura, plot nuancime e ngjyresa kuptimore të freskëta. Me dhjetëra fjalë e kompozita të reja melodioze ka krijuar ai në këtë vëllim. Për nga pasuria gjuhësore dhe fjalëformimi mund të thuhet pa mëdyshje se K. Nanushi ecën në rrugën e bashkëqytetarëve të tij M. Kuteli e L. Poradeci.

Ky libër, ashtu si edhe i pari, është ilustruar mjeshtërisht nga Piktori i Merituar Anastas Kostandini. Ilustrimet e tij vijnë jo si plotësuese ose konkretizuese të subjekteve, por si interpretime të tyre me mjetet specifike të pikturimit. Bashkëpunimi shkrimtar – piktor bëhet kështu një “duet” impresionues i imazheve, ku fjala dhe figura, të pranëvëna njëra – tjetrës, qëndrojnë në një harmoni të përputhur e të natyrshme.

Duke përfunduar, mund të themi se legjendat iliro – shqiptare buzë liqenit të Pogradecit, të rikrijuara në dy librat e K. Nanushit duken si në festën e tyre. Heronjtë e të gjitha kohërave janë ulur bashkë në kuvend, në odeonin e qytetit. Ata kuvendojnë, muzat dëgjojnë… Subjekte koncize, të strukturuara bukur, thënë me gjuhë të thukët, me fjalë e fjali të figurshme, me nëntekste që zgjojnë kërshëri e të vënë në mendime, mesazhe humane dhe filozofike për jetën – këto janë disa nga veçoritë që autori i ruan nga libri i parë dhe i dëshmon edhe në të dytin. Nuk kish si të ndodhte ndryshe,kur këto janë tipare të stilit të tij krijues.

Kjo punë me vlera të dukshme për rindërtimin e historisë dhe të kulturës sonë të lashtë, duhet vijuar e shpënë edhe më tej, si prej studiuesit  K. Nanushi ashtu edhe prej kolegëve të tjerë, për zonat rreth liqenit të Liknidës, pra dhe në qytet Strugë, Ohër dhe fshatrat e tyre. Gjithashtu këto vepra mund të shërbejnë si shembull për punë të ngjashme në mbarë trojet shqipfolëse brenda e jashtë kufijve shtetërore, mbasi kjo është pasuri kulturore jo thjesht shqiptare, por dhe ballkanike…

Filed Under: Kulture Tagged With: Legjenda Iliro-Shqiptare, Liqenit te Pogradecit, rreth, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT