• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BUJAR LESKAJ, THEMELUESI I KLSH-SË MODERNE

January 28, 2019 by dgreca

Bujar_LeskajBujar Leskaj na paraqitet edhe si një shembull dinjitoz i shtetarit që nuk kapet me thonj e me dhëmbë pas karriges së pushtetit si shumica e politikanëve tanë, por pasi i shërben vendit të tij ai, largohet për t’u lenë vend të rinjëve që vijnë me ide të reja./

Nga Enver Memishaj/

Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion unikal, një dhe i vetëm, në repertorin e institucioneve shqiptare dhe megjithatë, ai ka qenë i përhumbur në atë karvanin burokratik të administratës, të cilat kanë rendur mbi dërrasat e kalbura të tranzicionit shqiptar.

Si ogur i mirë, 100 vjetori i shtetit shqiptar e gjeti KLSH-në me një Kryetar të ri, dr. Bujar Leskaj, personaliteti i të cilit ka qenë më i zëshëm se vet KLSH-ja dhe e inspektimeve të zymta të 20 vjeçarit të tranzicionit. Mund të duket provinciale t’i kujtosh dikujt origjinën ku është rritur dhe mbrujtur, po përkatësia vlonjate është puqur më shumë me institucionin, më saktë në një konvergim historik, marrë parasysh faktin se themelimi i Këshillit Kontrollues në 1925 qe një propozim i deputetit të Vlorës, Mustafa Tragjasi, i cili mbi domosdoshmërinë për ngritjen e një institucioni auditimi do të shprehej se: “Populli po thotë se taksat jam tue i paguar, por nuk jam duke ditur se ku po prishen. Edhe për t’i dhënë një dritë popullit që nesër t’i paguajë taksat ma me gëzim është e nevojshme që ta ndriçojmë mbi të ardhurat dhe të prishurat”.

Shumëkush mund të flasë dhe të shkruaj gjithfarë qokash për dikë, por në rastin konkret, t’i thurësh artificialisht lavde është një mohim i punës reale të dr. Bujar Leskajt në krye të KLSH-së. Si një institucion me mandat të gjerë 7 vjeçar drejtimi, Kryetarin Leskaj duhet ta shkëpusim nga e përgjithshmja, pra nga cikli i rotacioneve të kryetarëve sepse ai, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk do të bëjë pjesë tek grupi i ish-kryetarëve, por do të mbetet si kryetari i themelimit të KLSH-së moderne, ose një Kryetar emeritusi KLSH-së.

Arkitektura e re menaxheriale dhe audituese e KLSH-së ka një dëshmitar kyç, verba volant, scripta manent thotë latini, pra ligjin e ri 154/2014 të funksionimit dhe organizimit të KLSH-së. Me të drejtë, ky ligj mund të pagëzohet si Ligji “Leskaj” i KLSH-sësepse është hartuar dhe miratuar falë përkushtimit dhe vendosmërisë personale të dr. Bujar Leskajt. Sinqeriteti i kësaj vendosmërie lexohet qartë tek thirrja e tij se do jepte dorëheqjen si Kryetar i sapozgjedhur në rast të mosmiratimit nga maxhoranca e majtë të këtij ligji. Kësaj sipërmarrjeje të Kryetarit Leskaj iu bashkua një aleat i fuqishëm i shqiptarëve, Bashkimi Europian, i cili e “kërcënoi” qeverinë e majtë se nuk do ti lëvronte rreth 40 milion euro nëse nuk do të miratonte ligjin “Leskaj” të KLSH-së.

Nëse do të bëjmë një bilanc, në dy vitet e para, përmes këtij ligji të ri, dr. Bujar Leskaj arriti t’i jepte KLSH-së ato atribute që s’mori përgjatë 20 viteve. Sot, KLSH-ja është i vetmi institucion shqiptar që ka një ligj identik me simotrat europiane. U zhbë termi kontroll dhe u gdhend fjala auditim dhe u vendos fjalori dhe metodologjia euro-atlantike e auditimit, përfshirë auditimin eperformancës që Perëndimi filloi ta realizonte qysh në fund të viteve ’70.Miratimi i këtij ligji është një nga ato pak arritje që regjistrohen në progres-raportet e Bashkimit Europian, pra angazhimi i tij është përkthyer në një përfitim për të gjithë shqiptarët në kuadër të përafrimit me BE-në.

Shtatë vjet të Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë prodhuar shumë shifra, por tek puna e Leskajt ka diçka më të çmuar për t’u qëmtuar se 2.6 miliard euro dëm ekonomik të zbuluar apo një kallëzim penal në javë : Sjellja prej shtetari!- ajo çka sot duket edhe më e rrallë, për të mos thënë inekzistente. Në fakt, para se të ketë vepruar si Kryetar i KLSH-së, ai ka vepruar si patriot dhe shtetar. Janë këto dy veti që e kanë bërë KLSH-në një institucion pararojë ndër institucionet shqiptare, madje mund të themi se Kontrolli i Lartë i Shtetit duket si parakohe në krahasim me institucione e tjera, mbarëvajtja e të cilave është bjerrë nga llurba korruptive dhe ambicia për t’u kapur me kthetra pas pushtetit. Pështjellimet politike dhe veçanërisht korruptive i kanë ngecur në kapsulën e kohës së tranzicionit institucionet shqiptare ndërsa KLSH ka arritur spikamën e vet dhe është i pari që ka shkelur finishin e integrimit europian, duke u pozicionuar si një kalorës i vetëm në luftën kundër korrupsionit. Si kryetar i KLSH-së, dr. Bujar Leskaj ka vepruar në njëfarë mënyre edhe si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, si një përfaqësues dinjitoz i interesave kombëtare. Kujtojmë këtu se nënshkrimi i marrëveshjes së parë, si Kryetar i KLSH-së, ka qenë me Zyrën Kombëtare të Kosovës, dhe kjo përzgjedhje  nuk është rastësore, por tërësore në patriotikën e vet. Po ashtu, vizitat e tij jashtë vendit kanë pasur në qendër lobimin për anëtarësimin e Kosovës në institucionet  ndërkombëtare të auditimit. Me rëndësi për t’u theksuar është edhe auditimi mbi bashkimin doganor Kosovë-Shqipëri, i cili shërben si busull për atë sesi mund të bëhet ky bashkim.

Në raport me Bashkimin Europian, KLSH-ja ka spikatur si aleati më i besueshëm për kontrollin dhe monitorimin e financave publike duke u shndërruar në një partner i Gjykatës Europiane të Audituesve dhe të Komisionit Europian, përmes direktoratit të përgjithshëm për buxhetin e BE-së, “DG Budged”.

Marrëdhënia me SHBA është harlisur më tej përmes një bashkëpunimi origjinal dhe unikal me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së, ku dr. Bujar Leskaj është i vetmi kryetar në vend dhe në rajon që ka realizuar një homologim të plotë dhe konkret me një institucion amerikan.  Pritja që iu bë në fund të mandatit nga Kryekontrollori amerikan Gene.L.Dodaro (pritja e tretë zyrtare brenda 4-viteve), ose e thënë ndryshe i besuari më i ngushtë i Kongresit Amerikan për auditimin e Shtëpisë së Bardhë, vjen si një çertifikim i suksesit dhe besimit të punës së Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në raportet me vendet e zhvilluara të Europës Lindore, veçanërisht ato vende si Polonia dhe Çekia, aktiviteti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka rezonuar, përpos bashkëpunimit për detyrat funksionale, edhe ato ndjesitë e momenteve kyçe historike si e famshmja Solidarnos nga ku kanë marrë spunto edhe ndryshimet demokratike në vendin tonë. Si kurorëzim i këtij bashkëpunimi të suksesshëm, në fakt sot është një Kryetar i KLSH-së, dr. Bujar Leskaj, e jo një Ministër i Jashtëm apo ndonjë zyrtar tjetër, që është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Polonisë, z.Andrzej Duda me titullin “Kryqi kalorësiak i urdhrit për merita në dobi të Republikës së Polonisë”.

Si kryetar  i KLSH-së ai s’ka lënë pa shpalosur “reflekset” si  njeri i kulturës dhe si një mik i librit, duke e kthyer Kontrollin e Lartë të Shtetit në një institucion të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave kulturore, madje më shumë sesa vet ministria e Kulturës. Në njoftimet zyrtare apo rubrikën mjaft kërshërore “jeta sociale” të faqes së KLSH-së, Kontrolli i Lartë i Shtetit shfaq një tjetër dimension si një shtëpi e artistëve dhe intelektualëve. Po ashtu, shtresa e ish-përndjekurve ka gjetur në 7 vitet e dr. Bujar Leskajt më shumë mbështetje tek KLSH-ja sesa përgjatë 25 viteve të marrë së bashku tek institucionet e  ngritura për këtë qëllim. Madje,  Kryetari Leskaj u dedikoi një auditim që nxori në pah se problematika e kësaj shtrese janë edhe më të mëdha se ato të publikuara përgjatë viteve.

Duke iu rikthyer titullit, se dr. Bujar Leskaj është themeluesi i KLSH-së moderne, duhet të bëjmë një vlerësim në një optikë më të gjerë ngase mbrothësia e një institucioni matet jo nga propaganda, por tek sakrificat e drejtuesit. Në këtë rrafsh, dr. Bujar Leskaj arriti që të bëntereformë edhe me ikjen e tij, më saktë duke mos pranuar të kandidonte për një mandat të dytë.Thënë në mënyrë metaforike, ai mbrojti institucionin edhe nga “vetvetja” pasi të ushtrosh për 14 vite postin e Kryetarit, rrjedhimisht zvetënohet në njëfarë mënyre pavarësia e për pasojë KLSH kthehet si një institucion i dhënë me koncesion. Prandaj, transformimi i këtij vendimi personal të Bujar Leskajt në një parim të Kodit Etik Auditues ka dhënë një shembull të mirë, jo për KLSH-në, por në fakt për të gjithë drejtuesit, qofshin edhe ata politikë. Sepse vjen një moment kur zhvillimi i një institucioni kërkon që t’i hapet rrugë edhe nga vet iniciatorët. Kësisoj, si me emërimin e tij si kryetar ashtu edhe me largimin, dr. Bujar Leskaj tregoi se ne shqiptarët, nëse drejtohemi nga vullneti i mirë dhe interesi i përgjithshëm, mund të arrijmë të “bëjmë shtet”.

Pra, Bujar Leskaj na paraqitet edhe si një shembull dinjitoz i shtetarit që nuk kapet me thonj e me dhëmbë pas karriges së pushtetit si shumica e politikanëve tanë, por pasi i shërben vendit të tij ai, ai largohet për t’u lenë vend të rinjëve që vijnë me ide të reja.

Thelbi apo kryekumti që na përcjell veprimtaria e Bujar Leskajt si Kryetar është se duhet t’i mbrojmë institucionet pikësëpari nga ambiciet personale për t’u kapur pas karriges së institucionit. Dhe ja vijmë pikërisht në realizimin e atij qëllimi që mëtojmë ta realizojmë duke u kacavjerrë pas karriges. Sot, dr. Bujar Leskaj, përmes punës si kryetar dhe largimit si shtetar me dinjitet, ka ngadhënjyer në betejën me kohën përtej mandatit 7 vjeçar pasi e ka fituar titullin si themeluesi i KLSH-së europiane dhe moderne.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bujar Leskaj, Enver Memishaj, I KLSH-SË MODERNE, themeluesi

Artikujt e fundit

  • Lavdia dhe hyjnorja e Martin Camajt, si prani dhe frymë e teksteve letrare
  • “The Adriatic Review”: Mehmet Konica dhe Apeli për Presidentin Wilson
  • SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ
  • SEJDI DIDA – INTELEKTUALI QË I DHA HASIT ARSIM, KULTURË DHE IDENTITET
  • Kur SHBA flet për Kosovën pa folur me Qeverinë
  • Banaliteti i së keqes…
  • Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II
  • SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE NJU XHERSI (NEW JERSEY)
  • JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON
  • Angjelin Preljocaj, Odiseja e baletmaestrit që iku nga Vërmoshi në barkun e nënës, për të qenë sot pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura
  • Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar
  • Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës
  • Refuzimi i mbrojtjes në liri të të akuzuarve në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut
  • Të përdorur dhe të flakur…
  • 52 vite nga Kryengritja e Spaçit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT