• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË THETH, NË FSHATIN E BOTËS

July 8, 2017 by dgreca

1 Theth

Ese nga Xhevair Lleshi/Thethi! Në gjuhën shqipe i thonë thjesht në një emër që s’e gjend dot kund. Por në të vërtetë të vë në mendime dhe gjithnjë e gjen shpjegimin brenda shqipes. Ngrihen lart malet e lartë mbi luginën e madhërishme, duke sogjetuar mbi kreun e Shqipërisë me një krenari të epërme. Dhe sytë mbeten në rrëzë të Okolit aty ku nisin ujërat e kristalta të Shalës. Atje në pyjet që ndryshe nga gjithë bota azdisen në një blu të thellë, si një det i hatashëm gjer lart në qiell, duke krijuar një unitet të paparë me të. Ti or mik, ashtu si bëri Franc Nopça, baroni me famë i shqipes zonjë, mund të futesh në këto troje vetëm nga lugina e Bogës, shoqëruar tashmë nëpër një rrugë të re, në brendësi, me kokën që mbetet në të dy anët majave dhe vështrim kredhur në detin e pyjeve, duke dalë doemos në Qafën e Tërthores ku befasia të trondit dhe ti mbetesh krejt i mahnitur, ashtu si do të jetë zverdhur nga kjo pataksje e mrekullueshme, dikur edhe vetë gjuhëtari, gjeologu dhe albanologu i madh. Aty nisin grykat, luginat, pyjet e mahnitshëm. Aty buron edhe gjuha shqipe. Atëherë një çast e më parë tek foleja e së bukurës, tek foleja e shqipes zonjë: në Theth. Aty trysesh ëmbël në luginën e çmendur që të mbush me një frymëzim perëndie. 4 ThethUji i kulluar nis zhaurimën duke kënduar bashkë me zanat e Fishtës. Kështu janë këto bukuri magjepsëse, si shtojzovalle që bëjnë një sy gjumë të tronditur para takimit me hijet e maleve që i presin në muzg. Këto ëndrra marrin menjëherë një ngjyrë të theksuar trëndafili që befas duket sikur i sheh në valët e kreshpëruara që fshehin hiret e maleve përreth me një ngritje të epërme te qiejt si kreshta e botës, fshehur prej ditës kur kambanat bien e bien melodishëm e ku pasqyrohen çuditërisht kokëposhtë mbi Luginë. 1 Theth-51Atje poshtë s’ka humbëtira, atje sërish janë malet, janë bashkë me legjendën e treguar nga gjyshërit dhe stërgjyshërit në shekuj. Aty kullot bagëtia, në liri të plotë, atje vijnë oshtima nga thellësia e tokës, atje dëgjohet edhe çiftelia edhe lahuta, atje tingulli i një rapsodi të vjen pranë e të mban peshë…  Zamir Marika mban frymën dhe vë dorën në gjoks, duke iu dridhur aparati fotografik: çfarë pamje! Zot i madh! Dhe hesht i menduar.2 Church-of-Theth-Albania1

Unë këtë e marr për përkëdhelje dhe e pyes nëse e ka lexuar Edith Durham, këtë studiuese legjendare për viset shqiptare: një vajzë e re, aq e re sa mund të të binte të fikët, e madhe e me gjurmë të rënda për zakonet dhe trashëgiminë shqiptare aq mbresëlënëse. Këtyre anëve, madje në çdo centimetër katror ka lënë gjurmë të tjera duke endur e shpjeguar fijet e holla të Kanunit, ai, ati i madh, Shtjefën Gjeçovi. E kisha lexuar veprën e tij si një roman të famshëm, i tillë për çdo kohë. Vjen afër nesh Pjetër Luca, ati i Nik dhe Sokol Pjetrit. Ai tund kokën. Merr ujë nga lumi i zanafillës në luginë, lag fytyrën dhe freskia e drithëron në pëllëmbët e rreshkura. Dhe jo si gjithë të tjerët bën kryqin me sytë nga qielli. Dhe sheh me radhë: Shtegu i Dhënve, Vijat, Radohina, Qafa e Vizhnës, Maja e Arapit (Okoli), Qafa e Pejës, Kurrizi i Paplukës dhe Maja e Alisë, Qafa e Rragamit të Valbonës, Maja e Hekurave, Qafa e Currajve që të hedh në Nikaj Mërtur, e më tej, më tej… në pafundësi. 5 Thethi1Ç’ishte kështu ky njeri i çuditshëm që s’donte të më jepte një përgjigje për malet e madhërishëm që rrinin kaq pranë, sup më sup me njëri-tjetrin dhe s’bëzanin por flisnin vetëm me thellësitë, tronditshëm? Ç’ishte? Binte në sy diçka e hershme. Pjetri fuste dorën në ujët me hënë e me muzg dhe e tundte kokën me një brengë të çuditshme, duke ndjekur rrugën e hënës me një magjepsje të mrekullueshme. Ai njeri mendonte dhe mendimet e tij përcilleshin vetiu tek të tjerët. Një zë njeriu lëshonte ca thirrje që ai i kuptonte por nuk na tregonte si të ishte një marrëveshje e fshehtë dhe kuptimplote. Qeshte e tundte kokën. E di ç’thonë, o njeri? Atje do ta gjeni zanat e pyllit që hedhin valle. Ju s’e merrni dot me mend që unë i kam parë me sytë e mi, ndaj dhe i dëgjoj çdo mbrëmje…Ky Pjetri kishte qenë i pranishëm në të gjitha ngjarjet që prej krijimit të botës, padyshim ishte i krisur në paraqitjen e tij aq interesante, se s’kish se si njeriu të fliste me qeniet e padukshme për ne të tjerët, të vdekshmit e zakonshëm. Kaluam rrëzë shkëmbinjve të Okolit, hidrocentralet e rinj prej përroskave plot ujë aq sa të mbahej gjallë një bujtinë katërkatëshe dhe të hiqte dorën e shtetit në ndalesat e turpshme të energjisë elektrike. S’ka energji! Bashkë me ulërimën e gjeneratorëve përzihej kënga e shtojzovalleve të pyllit e të luginës. Këtu do t’i lëmë pleqtë para se të vdesin. Ta ndjejnë thellësinë e kësaj pranvere korriku. Se në Theth hyn e del vera është vetëm pranverë. I sjellin me kujdes pleq e të rinj, i mban era për krahu, se vijnë nga Valbona. 1 Theth UjTjetër botë Valbona edhe pse pëshpëritin se ajo botë ka nisur të prishet. E ç’janë ata? Amerikanë, polakë, çekë, sllovakë, zviceranë, gjermanë… E ç’nuk janë!  Bëjnë meshë në kishë, u bien kambanave, falen për shpirtin e tyre dhe shkojnë me të perënduar, diku në një kthesë apo lëndinë për të ngritur çadrat. Ndërsa pranë tyre oshtin lumi me ujë të kristaltë duke parë edhe vet i mahnitur lodrimin e troftës së egër, me një pamje për të lënë mendtë. U dëgjua befas teshtima e Majës së Hekurave. Nik Pjetri vuri dorën në zemër…  Jemi bërë me bujtina të reja, tha, njëra më e bukur se tjetra. Kudo varen vetëm drita, nga ato llambat led, u thonë. I ulim dhe i ndezim, ca edhe rrafsh me tokën, se edhe ajo drita kërkon të lëshojë, siç vijnë ngaherë prej Qafës së Vizhnës, duket sikur ecën një ushtri me njerëz dhe ne ajo na ka mbajtur zgjuar jetë e mot. Kurse mua djali më iku nga Qafa e Pejës, shton Pjetri. Është në Florida. Njëzetedy vjet ndenji pa ardhur, që nga tetëdhjetë e gjashta. Më thosh ngaherë në telefon se e bënte kryqin për shkretinë dhe asgjënë, se aty s’kishte frymë njeriu prej të tijve, se atje s’kishte Theth. Ja, ku jam ende, kullos grigjën e deleve mes lëndinave. Janë bërë njëqind e ca pleq që kullosin bagëtinë e shtojnë sepse na mban frymën dhe na siguron turistët me ushqimin që na falin malet. Ne, atë kohë, malet na kanë mbajtur me frymë. Kollomoqi i qeverisë nuk shpohej as nga plumbi por ulte kryet mali dhe zbriste një drenushë a një derr i egër për të mbajtur frymën… Zoti i madh është një me malin dhe vetë ky ka një shpirt allasoj….

Theth_Thethi_Albania

Ahu është një dru i fortë, me të cilin është zbukuruar çdo bujtinë. Dhe mbahen çatitë që nga njëzeta. Atyre, çative u merrte erë Nopça, njëlloj si Fishta i madh i Lahutës, po edhe si ai italiani i veçantë At’ Zef Valentini. Ia themi emrin shqiptar ne. Isha përpara një fushëtire nën një brinjë mali, nën Majën e Alisë, pa njeri dhe pa kurrfarë grigje, as këmborë, as blegërimë, as ndonjë fyell që zbraz brengën e njeriut. Të pret te Ujëvara e Grunasit, tha frati. Shkuam atje, përpara na doli një shtjellë e çuditshme uji, një melodi me njëmijë zëra dhe me dymbëdhjetë ngjyra drite me një të kuqe të famshme. Ngjitu e ulu nëpër mollokë të mëdhenj si të zbritur nga qielli dhe të dukej se po hyje në një botë tjetër. Në muret e shkëmbit uji bashkë me ngjyrat e krijuara ndizte një botë me shenjtë dhe plot shtegtarë. Aty fliten të gjitha gjuhët e botës. Ja, edhe ky na duhej me këtë fyellin e gjatë në dorë. Është ai, bariu i grigjës, ai që na prin çdo mbrëmje, që lutet për këta endacakë, po edhe ata të rinjtë e universitetit të sporteve, të degës së alpinizmit (edhe të degëve të tjera). Çfarë spektakli që japin. Një qytetnim i ri po vjen, ta dini. Kurrë më parë… Ja, i shikon? Një plak me mjekër të ashpër drizë hyri në kullën 350 vjeçare që s’u shemb asnjëherë, po i afrohet të katërqindave. Ai na dëgjon, Sadriu, i mjeri, që ka ndërmend të kthehet, unë po i lutem Zotit që të kthehet… Mjaft, or plak, dhe ai u bë kaq kohë që e kërkojnë dhe vazhdimisht e kërkojnë…

Zbresim të dëgjojmë zërat e shpellës, ai bën pagëzimin e emrave të rinj, të troftave që s’dinë ku të futen, se tani është koha e tyre… Zbritëm nëpër shkallët e bujtinës duke mbajtur një susak dhallë në duar dhe i hipëm një reje të hollë që endej përmbi kokat tona. Hëna qe përzierë me kopenë e deleve të bardha që s’bënin më tutje po qëndronin të shushatura në vend. Pjetër Luca i shtyu një nga një. Kështu bënte ai kur shkonte për ditë të shënuar, e merrte në duar lahutën dhe e përgëzonte si të kolovitej. Po pse e bënte këtë, mos për tekat e tij, jo or jo, po atje lart mbi shkamb ishte çerdhja e shtojzovalleve, ato të bukurat e dheut që vinin me gjëmime dhe që dukej se do fluturonin nën qiellin e bruztë të mbrëmjes.

Nata do të davaritej me një qetësi të hatashme dhe shpella në Okol gjëmonte ujët në gji, tek një liqeth që s’mbahej mend të bënte këmbë e të dilte prej asaj gryke, as kur binte, as kur shtronte bora mbi katër metra, as edhe sikur vetë zoti të binte për të fjetur. Papritur ujët në gji të malit do tundej me llahtar dhe buiste me një fill zëri të njomë e madhështor si ato të vargjeve të Fishtës, kur në këtë skaj të kreshnikëve të Bjeshkëve të Namuna do të ngriheshin vetëtima të mprehta e të mbetura pa u dashuruar. Edhe vetëtimat ngrinin sikur prisnin prej lart lajmin, larg e larg, duke lënë një vazhdë drite plot ngjyra të thekshme nate kur hapen drejt agut dhe treten larg në të bruztën e humbur.

E di ç’thonë këngëtarët çekë kur vijnë këtu me motoçikletat e tyre të famshme? Këtu kemi humbur dhe jemi gjetur. Këtu edhe jemi vrarë po edhe jemi ngjallur te pragu i kishës ose nën ujëvarë, kur ia beh shiu i dendur, se ai vjen kur nuk e pret, po s’duhet të vijë, lutemi, as nga Radohina, as nga Jezerca, se të paudhat re edhe ia behin jo njëherë, i shalojnë këta male si unazë rreth nesh dhe ato bukuroshkat fluturojnë bashkë me to… Veç kur i gjen në ag mbi çati dhe i buzëqeshin dritës.

Ti do të pyesësh pse i mbulojnë kështu me dru ballet e bujtinave. Ja pse, mor zot, se këtu na i lanë të parët, me frikën se mos përplaseshin vetëtimat në shkëmb. Ah, ç’hiqte mëma e ujit dhe e malit për t’u mbushur mendjen. I kemi dëgjuar rënkimet e tyre, këngët, të folmen e allasojtë, me ritmin e atij zogut të vjetër me gjuhën e Nopçës në shqipen e kulluar ku burojnë tridhjetë e gjashtë krojet e Radohinës, Okolit, Paplukës, Hekurave, ngado dhe me një hap vetëtime hidhet në Pejë, Vuthaj, Pllavë, Vërmosh, Valbonë, në shtatë kontinentet e botës. Se ne, or njeri i mirë, jemi në qendër të botës këtu, ku vet shqipja asht’ një botë e tanë. Hynte njëri në derë, dhe e mbante kockën e shpatullës së ngrënë nën dorë, si për t’ia shpjeguar me alfabetin e perëndive të At’ Zef Valentinit.

Qeshte shumë ky Zefi siç bënte edhe Gjergj Fishta me lahutën e maleve, duke ia rrëmbyer vargjet lumit tonë, pikë më pikë, kur kalonte pëllëmbën e dorës në mjekër dhe shikonte hijet e shtatë maleve të xhindosur. Ja, po vjen, nuk e dallon si i çan erërat? Nuk guxoja t’i thosha asgjë, se kisha frikë mos prishja këtë magjepsje të maleve dhe të luginës, që merrnin frymë kaq qetë dhe pastaj dendur e më dendur mbi Fshatin e fjetur të Botës. Ç’thotë kjo natë, mendoja,

çfarë shikon ky njeri pranë meje, që mua s’ma zënë sytë asgjëkund, që tremb dhe pastaj befas më egërson?

Të nesërmen në mëngjes, nën ritmin e dritës së lëbyrtë dhe ajrit të freskët, gjithnjë pranveror, u ngjitëm nëpër një rrugë me kalldrëm të ndrequr dhe iu afruam një ndërtese të re, të vogël, të bërë krejt ndryshe, jo me stilin e drurit të gdhendur, por me beton dhe hekur, si zyra shteti që ishin, si zyra informacioni të rilindura nga bota e asgjësë, pranë lumit të gjallëruar padukshëm. Po ai shtet që i lë pa drita, që vjen në pikë të agut me makinë të madhe për të gjobitur me 200 mijë lekë, ende pa u betuar qeveria, bujtinën e Nik Pjetrit. Sa e merr në telefon një i dashur nga Greqia dhe «jasu» e tij ushton thekshëm mes maleve. Të prish gjuhën apo jo gjoba dhe ethja e qeverisë, apo jo. Nopça dhe Zef Vqalentini ngjethen atje ku përgjojnë tan botën! Në atë bujtinë të ngritur me gjak e me djersë, e menduar prej shumë kohësh dhe e krijuar si metaforë në ballkonin e strehës së Shtegut të Dhënve fryn puhizë edhe prej fantazmave që nuk banonin më aty pari. Ishin zhdukur dhe frymët e vdekura nganjëherë sillen rreth bujtinave të Thethit. 47 bujtina dhe 100 shtëpi. Të gjitha mikpritëse. Sytë blu të zgjuar, me një shkrim të xixët dhe me një vetëtimë mërie të endur hollë, nën buzëqeshjen fantastike përulej lehtë nusja e Nik Pjetrit. Një bukuri e pa shkuar dëm, një protestë me fustan të bryllët, përplot dritë, ngre duart lart dhe thërret Zotin e madh në ndihmë, me zërin e saj të ngrohtë Lebetitë e qëmotshme: E ç’e doni, ç’e doni këtë farë të bukur, si pika e lotit, që na ka zaptuar motin, robtë, zotin, ujin, malet dhe zërin? Harrojeni sa më shpejt këtë njeri! Mbrëmë i shkruam në një sms që të na jepte lejen për ta bërë hidrocentralin sa për lagjen tonë, sa për bujtinën tonë. Zotat nuk e durojnë dot gjëmimin e gjeneratorit! Po si unë jeni edhe ju të gjithë… E di. Edi?…

Mos e harro premtimin, o njeri! Po ai ikën, ja, atje udhës, nuk e patë ju? Nuk i bëri përshtypje asgjë  dhe s’e ktheu kokën pas! E pse ta kthente? Ai nuk e di që këtu rrojnë themeltarët e shqipes, ata që zbuloi Nopça dhe Fishta, ata që bekoi Zef Valentini, ata që shërojnë të sëmurët dhe u rrëfejnë tan botës rrënjët që buron si ujë i kristaltë.

Ata, mor zot, na lanë vetëm, për qiell e për dhé. Na kanë lënë vetëm me stuhitë e dëborës, vetëm edhe para këtyre miqve që na bujtin nga ana e anës, nga tan’ bota e madhe! Na katandisën të flasim me vetëtimat dhe taksidari vjen të nesërmen e zgjedhjeve të mallkuara, na kërkojnë të bëhemi më mikpritës dhe të ngurosemi të paqësuar nën ethet e atdhedashurisë këtu. Ehu, me kë flas dhe unë! E ku merrni vesh ju nga kjo bota jonë që endet midis freskut, bollëkut dhe indiferencës? Se s’ka më keq e më vështirë se indiferenca e qeverisë! Edhe ju si të tjerët, se mos keni ardhur për ne! Mallkuar retë e qiellit që nuk shprazin vetëtima mbi kokat e epërme! Ju or miq vini dhe ikni me fjalë nëpër gojë, por befas ktheni rrugë dhe na lini pendët. Ç’doni që na ngrini mendjen dhe në gjurmët tuaja vijnë prerësit e dritave të paguara, taksidarët e çmendur… Vetë policët kanë ngelur pa ardhur ende me blloqet e tyre nëpër duar. E vetmja polici në botë me rroba fosforeshente dhe blloqe gjobash nëpër duar edhe ato fosforeshente!… Ju mor vëlla, s’pyesni për njeri… udhës i keni të gjitha, njerëzit po ikin, ikin e s’e kthejnë kokën pas, vetëm ikin të trandur ku t’u zërë këmba truall më të bukur e duke lënë shkretë qendrën e botës tanë, këtë ujë të bekuar e këtë ajër jete që ta ngroh shpirtin bashkë me shqipen tonë të kullueme…

Zbritëm rrugën prej kalldrëmi të sapo ndrequr dhe morëm bregut të lumit. Dielli u zu nga retë, një erë e beftë tronditi Thethin, atëherë pashë gjënë më të bukur; dritën e veçantë që zbriste nga Maja e Hekurave dhe hapte krahët duke u ngritur lar e pastaj zbriste menjëherë poshtë tronditshim, duke shkundur rrezet me një vigmë rrëqethëse dhe e mbuloi kopenë e pafundme që mori përpjetë bashkë me dymbëdhjetë shtojzovallet e luginës e të pyllit që qeshnin me të madhe e plot drithërimë emocionale.

S’kam ç’të bëj që ti s’sheh gjë, mor zot, thoshte me zërin e ngrohtë Pjetër Luca, ikën dhe ato, na lanë shëndenë, shkuan vërtet, po do të vijnë siç thonë të epërmit tanë të mëdhenj. Lebetitë e qëmotshme, në vigjilje të Kërshnellave, kur bie borë dhe ata, Nopça e Valentini, vijnë si çdo vit këtu pa stap në dorë, me mjekër të madhe nga koha e gjatë, se tani po i afrohen moteve që s’vijnë më, se janë nga soji i njerëzve të shenjtë për shqipen e shqiptarët. Prandaj erdhën dhe i lanë borxh fjalët këtu në Theth, në qendrën e mahnitshme në botës, ku edhe vetë natyra ka mbetur me kohë pa fjalë. Ndaj fryn erë e bukur veriu e ulur këmbëkryq me jugun mu në sheshin e Vetëtimave…

 

Tiranë, më 07.07.2017

Filed Under: Featured Tagged With: fshati i botes, Thethi, Xhevair Lleshi

Thethi, “parajsa” natyrore që kërkon vemëndje

June 27, 2015 by dgreca

Nga Nikolla Lena/

“Dita e Bjeshkës” tashmë është futur në kalendarin e festimeve alpine dhe zhvillohet në krah të Bjeshkëve të “Namuna”, pikërisht në Luginën e Thethit.  Aty çdo vit më 25 qershor mblidhen burra e gra nga zonat e Shalës, Pultit, Shoshës, Bogës  dhe festojnë së bashku.Pata një ftesë nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura që të merrja pjesë në “Ditën e Bjeshkës”. Ata nën organizimin e ministrisë së Mjedisit si  dhe  disa shoqata të tjera që merren me mbrojtjen e mjedisit dhe të parqeve natyrore si, INCA, përfaqësues të GIZ-it, kishin menduar ta shfrytëzonin këtë ditë feste për prezantimin e një projekti  promovues  të  vlerave natyrore, klimaterike, turistike dhe kulturore të zonës. “Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) synon zgjerimin e kësaj zone, duke nisur nga Vermoshi deri në Valbonë, që do të quhet Parku Kombëtar i Alpeve, duke përfshirë ndër të tjera edhe dy parqet kombëtare ekzistuese, Parkun Kombëtar të Thethit dhe atë të Luginës së Valbonës. Kështu, Parku Kombëtar i Alpeve do të ketë një sipërfaqe prej 85 mijë ha dhe do të jetë më i madhi në vend”, më shpjegonte gjate udhëtimit për në Theth Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej.

Pasi lame Shkodrën dhe fshatrat fushore të saj, u futëm në luginën që të çon drejt Bogës. Nuk di si ka mbetur ky emër. Zoti në këtë luginë të bukur, nga sllavishtja do të thotë “Zot”. Mbase Zoti im ose vend i Zotave, ose nga latinishtja “Grykë e Bukur”…por vërtet është një vend tepër tërheqës dhe i bukur. Fshati ishte rregulluar në të dyja anët e luginës me shtëpi të reja e bujtina për vizitorët e huaj.Pasi lamë Bogën u drejtuam për lart, drejt Bjeshkëve. Qafë Sora (ose Sorra) bën ndarjen midis Bogës dhe Thethit. Pikërisht aty, në pikën më të largët i sheh të dyja Luginat, në lindje atë të Thethit dhe perëndim atë të Bogës. Aty ngrihej madhështor një kryq betoni, por aty ishte edhe e para bujtine buzrruge. Rruga ishte e gjatë dhe u ulëm ta pinim një kafe. Ishte një lokal alpin i ndërtuar me dru, me një shesh pushimi ku mund të kundroje dy botë, lindjen dhe perëndimin. Nuk ia mësova emrin e vërtete pronarit të lokalit se aty shërbenin ca “Culla” (djem) dhe ca gra, por i thoshin Lokali i Bajraktarit të Bogës….Rruga drejt Thethit ishte e vjetër dhe e vështirë. Ndeshëm disa turiste ceke dhe angleze, që me çantat e tyre mbi shpinë marshonin drejt Thethit. Ndeshem edhe karvane qe shtegetonin bagetite drejt alpeve…Festa ishte organizuar në sheshin e Kishës së fshatit. Një shesh i madh dhe i gjelbëruar. Gra e burra me veshje karakteristike të zonës e kishin mbushur atë.

Në ceremoni foli Zamir Dedej, që bëri një parashtrim për Zonat e Mbrojtura dhe rëndësinë që marrin ato për natyrën shqipëtare dhe atë turistike. Ai theksoi se këto parqe shtrihen tashmë në tri shtete, atë të Malit të Zi,Shqipërisë dhe Kosovës. Ruajtja dhe mirëmbajtja e tyre tashmë nuk është detyrë vetëm e ministrisë përkatëse, por edhe e vet komunitetit dhe e pushtetit lokal ku shtrihen. Foli gjithashtu edhe specialisti i vjetër të mjedisit, Nihat Dragoti, i cili theksoi se ky studim do të diskutohet me komunitetin e zonës dhe debati do të mbetet i hapur për t’u diskutuar dhe në nivele të tjera nga specialist të ndryshëm, nga grupet e interesit, si dhe do të vilet mendimi nga gjithë komunitetet e zonave, që përfshijnë Alpet.  Prezantimi i historikut të zonës u bë nga Prof. Luigj Shyti, prezantimi i vlerave kulturore dhe tradicionale nga Zef Bari, prezantim i procesit të zonimit të parkut të alpeve nga Nihat Dragoti, ekspert i INCA. Më pas pati diskutime nga pjesëmarrësit.

Përfaqësuesi i bujtinave të zonës promovoi vlerat dhe traditat e trevës. “Shtëpia asht e zotit dhe e mikut“, është shprehja tradicionale që përdorin banorët e bjeshkëve dhe dyert e kullave të tyre janë të hapura për miqtë, vizitorët, turistët vendas dhe të huaj. Banorët e kësaj zone kanë perfeksionuar shërbimet dhe kulinarinë etj. Këta malësorë janë jo vetëm mikpritës, por edhe shembull i bashkëjetesës së natyrës me njeriun, përfundoi ai. Ceremonia mbaroi mes stendave të shumta të varura rreth e qark, valleve tradicionale dhe këngëve me çifteli. Pati edhe një panair të vogël me produkte të zonës.

Fare prane kishës, rreth 100 m në perëndim të saj, ndodhet kulla e famshme e nguimit. Një kullë e gurtë që ka bjeshka5hyrë dhe ka mbetur në histori si një instrument i çuditshëm gjykimi dhe dënimi. Një kullë e gdhendur në gure katrore, me vrima të vogla që përfaqesonin dritare dhe themelet e veta i kishte të ngulura në shkëmb. Pronari i saj i saj, Sokol Koçeku, një mesoburre, na rrëfen historinë e kullës dhe bëmat e saj. Ngjarjet e para nga kjo kullë janë një roman më vete dhe duan shumë kohë t’i tregosh, por unë mësova se aty është ngujuar edhe njëri prej 7 shalianëve, Mark Sadiku, që lane nam në Shkodër me bëmën e tyre. E pyeta Sokolin edhe për mbiemrin e ndryshuar të disa Shalianëve si,  Mark,Fran, Marash…të kthyer në mbiemra myslimane si, Sadiku psh. Ai më shpjegoi se në kohën e “Turkies” nuk i lejonin katolikët apo të krishterët të bënin pazar në Shkodër dhe kështu detyroheshin të ndrronin mbiemrin, por të ruanin fenë. Kulla e ndërtuar në tri kate, kishte hapësira të kufizuara dhe frëngi fare të vogla. Orenditë ishin të pakta dhe ato më të nevojshmet si sofra, ena e ujit dhe disa shtroje prej lëkurë delje. Sigurisht dhe arma vrastare. Çdo kat përfaqësonte nivelin e krimit. Kur krimi gjykohej tepër i padrejtë, vrastari vendosej në katin e parë ku ishte një shkëmb i madh guri dhe pak orendi. Kur krimi gjykohej mesatarisht, vrasësi theeeeethiiiivendosej në katin e mesëm dhe më i drejti në katin e sipërm. Tamam si në Ferrin e Dantes, sipas gjykimit.  Vizitorë të shumtë hynin e dilnin nga kulla me përshtypje të çuditëshme në kokat e tyre. Shihje gjermane, zvicerane, angleze e ceke, të çuditur nga ato që kishin dëgjuar për këtë kullë. Ishte kohë dreke kur u  larguam prej saj dhe u drejtuam për nga kulla e Mollajve ose e Ujkajve, për te Fran Molla ose Ujka. Një kullë krej ndryshe, e re dhe me dritë. Me dritare të mëdha, me mure të rregullt e me plot hapësira. Brenda ishte e areduar në mënyrë moderne. I zoti i kullës priste miq dhe drekën e kishte shtruar në oborr të saj. Gratë dhe djemte e rinj shërbenin me mirësjellje. Zakoni e donte një berr në hell, verë e raki kumbulle. Gjelbërimi dhe ajri i pastër të shtonin oreksin. I zoti i shtëpisë kishte thirrur edhe dy rapsod prej Shale. Çiftelia shoqëronte këngët e traditës dhe ato të kohës së sotëme. Bjeshkët e Namuna ngriheshn thik mbi kokat tona. Tashmë ato nuk na dukeshin më të “namuna” por të bukura e të bekuara. Gjelbërim i pa anë,ajër i pastër,uji me shumicë dhe legjenda e histori të çuditëshme e mbresëlënëse.

Lugina e Thethit është vërtetë një parajsë tokësore që kërkon më shumë vëmëndje për resurset ekonomike që mbart,për historinë, për turizmin, për vizitorët e shumtë që ka dhe për vet banorët e kësaj zone që jetojnë gati në kufijt e legjendës.(Kortezi:ATSH)

Filed Under: Reportazh Tagged With: kerkon Vmendje, Nikolla Lena, parajsa, Thethi

Thethi, mes turizmit dhe trashëgimisë kulturore

March 10, 2014 by dgreca

Nga Nikolla Lena/-Në bukuritë e rralla të vendit tonë, futet dhe Thethi.Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në Veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500m mbi nivelin e detit.Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

                                                                                          Maja Arapit

Historia e Thethit dhe e shalës ështe e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve.. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike. Këtu kanë banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas e ndoshta edhe grupe te tjera popullsie të pa njohura. Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të  sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin e XVI–të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në pejë. Që nga ajo kohë Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinjt. Edhe sot,Shala,Shoshi dhe Pulti konsiderohen pjesë e Dukagjinit. Më pas në fillim të shekullit të XIX-të, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me bushatëllinjtë e shkodrës. I pari që  përmend Thethin në hartën e vitit 1668, është Cornelli, ndërsa në vitin 1916-1917 shkon në fshatin Theth at Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën të njohur. Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi I Kuq Amerikan dhe më pas në 1936 hapet rruga automobilistike që shoqërohet një vit më vonë me hapjen e një agjencie turistike. Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim do të hapen disa qendra të tjera turistike dhe do të ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht. Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar””. Pas ndryshimeve të ‘90–tës, pati shumë ndryshime dhe sotë është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj.Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorët dhe pushuesit. Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.

 Emri, midis historisë dhe gojëdhënës

Mbështetur në të dhënat historike te grumbulluar, në toponimet që janë në këtë fshat dhe të dhënat gojore të banorëve, origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë : Nga emri “thep”,Thethi ndodhet midis malesh të larta dhe të thepisura. Njerëzit duke punuar, kullotur bagëtinë, gjuajtur e te tjera, shpreheshin : “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”, “…në thepa…”, “…thepa…” e të tjera. Në këtë fshat ka shumë vende që emërtohen dhe rreth fjalës “thep-a, -i, -at” si : “Thepi i Krysë”, “Thepi i Rrgadhës”, “Thepi i Kodrës Botës” e të tjera. Në kuptimin që emërton fjala “kuj” (kunj) pothuaj është shumë e përafërt me fjalën “thep”. Toponime me fjalën “kuj” ka më shumicë, p.sh. “Kuji i Dhive”, “Kuji i Lopëve”, “Kuji i Shqypes”, “Kuji i Zhareve”, ‘Kuji i Nenave”, “Kuji i Rupës”, “Kuji i Praçes”, “Kuji i Pulave” etj. Krahas këtyre, malet e larta dhe të mprehta si “thika” që njerëzit në mënyrë të zakonshme e përdorin shprehjen “…në thika të majave…”, “…në thika…”, “…prapa atyre thikave që duken…”, e te tjera, mund të shkojnë në favor të prejardhjes së emrit Theth nga fjala “thep” i cili ka përparësi me emrat “kunj” dhe “thika” në kuptimin e vendit që emërtojnë. “Thekër”, duke zhvilluar një bujqësi ekstensive, duke prerë e djegur pyjet, banorët mbillnin thekër. Atëherë nga përdorimi i shprehjes “në thekën”, në të folurën krahinore, “…po shkoj në thekën”, “…isha në thekën…”, “…thekën”, “Thekna”, rrugës deri në fiksimin e emrit, evoluoi dhe na erdhi “Theth”. Toponime me emrin “thekën” ka disa në Theth si “Theknat” disa : “Thekna e Hasës”, “Zhari i Theknës” e të tjera. ”Thellë” Thethi është një gropë e thellë në krahasim me malet që e rrethojnë. Edhe si luginë është mjaftë e thellë në drejtim të burimit të lumit të Shalës, sa që edhe banorët më të afërt janë mbi një orë larg. Gjatë veprimtarisë së tyre, njerëzit mund të kenë përdorur shprehjet : “…isha atje thellë…”, “…në thellësi…”, “…thellë…” e kështu me kalimin e kohës u formua emri “Theth”.

 Kurora mes maleve

Thethi rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima,Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit, që fshehin në brendësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, speleologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të alpeve, te të cilët kjo zonë lë mbresa të pashlyeshme.

Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okolideri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë. Thethi si park zoologjik natyror Quhet i tillë nga banorët dhe nga vizitorët, pasi ka një hapësirë të admirueshme, e cila i ofron kushte të mira jetese disa llojeve të ndryshme të kafshëve të egra si :ariu, dhia e egër, derri i egër, kaprolli, dhelpra, ujku, lepuri, pa harruar rrëqebullin, zardafin e iriqin.

Po përveç shumëllojshmërisë së kafshëve të egra, pylli i Thethit është mjaft i pasur edhe me shpendë të ndryshëm sishqiponja, skifteri, thëllëza, pëllumbi i egër, gjeli i egër dhe pula e egër e shumë shpendë të tjerë që shtegtojnë në Theth gjatë sezonit të riprodhimit. Nuk duhen lënë pa u përmendur edhe pasuritë e lumit të Shalës, që buron në Okol dhe tëlumit të Kapresë, që shquhen për peshkun karakteristik : troftën pikaloshe e kryemadhe, pa harruar edhe liqenin e akullt të Tërthores, ku gjendet peshku triton alpin dhe shumë lloje të tjera.

Turizmi

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Lidhur me këtë fakt ka shkruar edhe alpinisti Georg Heinshemer, i cili e ka konsideruar Thethin, padyshim, vendin më të përshtatshëm për turizëm ndër Bjeshkët e Veriut të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me viset e bukura të Tirolit, Austri.

Ndërsa për banorët e kësaj zone, Dr. Franc Nopca ka shkruar se ”po t’u biesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ndihesh më i sigurt”. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lëGrykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2 deri në 3 m i gjerë. Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës.

Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: bukurite e alpeve, Thethi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT