Opinion nga Ilir Levonja/Florida/
Disa webe shqiptare kanë orë të tëra që shpërndajnë lajme ogurzezë të tipit Europa kërkon gjak. Ndaj po e dërgon Kryeministrin shqiptar në Serbi etj. Shoh një të tillë tek Gazeta Kritika i dt së sotme, 9 nëntor 2014. Aludime të nisura edhe nga shorti i UEF-as për eleminatoret e kampionatit të ardhshëm europian. Në fakt grupet radikale atje nuk e patën për gjë të vrisnin Xhinxhiqin në mars të 2003, vetëm pse tentoi të dialogonte me shqiptarët e Kosovës. Ndërsa shumë analistë argumentojnë se ai u godit për vdekje edhe për orientimin pro Europian, revansh të cilin po e vuan sot edhe Ukraina. Dhe për më keq, e gjitha iu faturua popullit serb. Edhe sot e kësaj dite, në kronika të ndryshme vrasja e Xhinxhiqit riemetohet me tekst të tillë, serbët vranë Kryeministrin. Kur në fakt nuk ishin ata, por radikalët apo njerëzit që duan të hiqen më patriotë se përmbajtja e këtij termi. Madje së fundi, është kthyer dhe zëvendësuar rëndom me termin nacionalizëm. Ujra politike këto ku prej vitesh, pllaquritet politika perverse e Ballkanit perëndimor. Shkurt, ajo radikale apo nacionale me theks jashtë kohe, ka dominuar mbi politikën progresiste.
Kështu nuk mund të mos merret si i tillë edhe emetimi i lajmeve të natyrës së mësipërme. Këtë lojë të ulët po bëjnë dhe disa webe në Beograd.
Nuk e di deri kur do ta shtyjmë komunikimin dhe bashkëpunimin me Serbinë, ndërkohë që një i tillë është prezent prej vitesh. Në Shqipëri përshembull kanë aktivitet shumë sportistë, teknikë, apo tregtarë të mallrave të konsumit.
Ndofta është çasti, apo dita kur të paktën nesër duhet të jemi me Ramën për në Beograd. Dhe përfundimisht, si qytetarë të Europës, duhet të mësohemi të respektojmë pozicionin e Kryeministrit të vendit, të shqiptarëve. Qoftë në atë karrike edhe Rama. Unë i pari jam një kundërshtar i Ramës për ‘revolucionin’ e prishjeve, pasi ato janë një kosto e madhe financiare për një vend si Shqipëria. Gjithmonë kam hedhur idenë e bashkëpunimit, pasi kurdoherë gjënden zgjidhje. Bërjen e reformave në grup me qëllim që të marri fund riti ndërtim, prish, rindërtim, prish. Eshtë një humbje e madhe. Aq më tepër, mendoni për djersën dhe gjakun e atyre mijra emigrantëve të cilët punojnë jashtë vendit pa asnjë lloj siguracioni minimal. Eshtë pikërisht leku i tyre që po shkon dëm, jo ai i ekonomisë shqiptare. Sot për sot, një qytetar i mesëm, nuk mund të marri një kredi bankare dhe të paguaj rregullisht një apartament banimi. Ky është treguesi më i thjeshtë i ekonomisë tonë.
Ka gazeta shqiptare, ka analistë me emër të madh, ka ministra e ish kryeministra, që i thërrasin ulok Presidentit të vendit. Pastaj flasin për kulturë dhe japin opinione në panelet e ekraneve më të fuqishme të vendit. Përse? Model i kujt janë? Si Kryeministri, si Presidenti, nga ato dyer do dalin. Nga ato forca politike që ne aderojmë.
Kështu duhet të veprojmë edhe nesër me Ramën. Ai është Kryeministri ynë, i shqiptarëve. Presheva u zgjua me mirëseardhjet për ‘të. Kështu duhet të veprojë edhe Rama, me ishët dhe aktualët. Dhe ndofta me sjelljen tonë u japim mundësinë politikanëve në tërësi. Të ndërrojnë dhe të jenë në nivelin e duhur si në rastin e nesërmën, në Beograd.