Nga Zyba Hysen Hysa/Para disa ditësh më vjen një ftesë për në Preshevë, por e kisha krejtësisht të pamundur të isha e pranishme, ndaj me kërkesën e tyre, u shkruaj një fjalë përshëndetëse…
Të dashur vëllezër dhe motra të Preshevës martire,
Edhe pse nuk jam fizikisht aty, jo vetëm sot në këtë ditë përkujtimore për poeteshën Sadete Presheva, por gjithmonë zemra dhe shpirti im kanë qenë pranë jush duke ndjerë njëlloj si ju, gëzimet dhe dhembjet tuaja e këtë na e mundëson gjaku shqiptar që na rrjedh në deje, ndaj përmes kësaj letre po u nis zërin tim, zërin e një nëne, të një gjysheje, të një poeteje, të një patrioteje… për ta bashkuar me zërin tuaj dhe njëherësh të themi:
I paharruar qoftë kujtimi i Poeteshës Presheva!
Dikur të ndarë me kufij klonesh, as që e njihnim njëri – tjetrin dhe sa mall e sa lot derdhëm për këtë, sot që klonet u tretën, klone të padukshme ende na mbajnë të ndarë, por di të them që ne, shqiptarët që mbijetuam shekujve, po futemi në udhë pa udhë prej mugëtirës së kohës që po kalojmë…
Stuhia antishqiptare duket se ka pushur, por mendoj që antishqiptarizmi, ka ndërruar taktikë, jo strategji, se mjegullnaja e përhapur në hapësirat shqiptare e më gjerë, ka mprehur dhëmbët e ujkut, se populli ynë i mençur thotë: “ujku mjergull do” dhe vijnë ujqërit e stepave mbështetur nga çakejtë tanë dhe bëjnë kërdinë… mjegulla endet mbi ne, ne na duhen syshqiponjë për të parë përtej mjegullës, e këta sy i kanë intelektualët, krijuesit, patriotët e vërtetë, që të çjerrin tymnajën dhe të mbajnë popullin syçelë, që të ruajë thesaret kombëtare ashtu siç ka ditur t’i ruajë ato edhe përmes stuhive të shekujve…
Të dashur miq pjesëmarrës të këtij takimi,
Në letrën time nuk dua të flas me akademizma, por me fjalë të thjeshta dua të shpreh mendime akademike për situatën nëpër të cilën po kalon kombi ynë. Them se është kapërcyer problemi i përdorimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla, kjo është një arritje e madhe, se gjuha është vërtet e dyta pas gjirit të nënës, se sapo lind foshnja pi qumësht gjiri, e pak nga pak mëson fjalët e para të gjuhës së mëmës, por kjo liri na ka bërë të pavëmendshëm në përvetësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe saktë, apo më e keqja më e madhe, emigrantët po harrojnë t’ua transmetojnë brezave.
Në maj të vitit 2011 kam pasur fatin të jem aty, në Preshevën shqiptare dhe më besoni, edhe sot i ruaj të freskëta ato kujtime , biseda me intelektualë, me mësues, me nxënës të mrekullueshëm, që, kur konkursi i poezisë filloi me poezinë e Ali Asllanit, m’u duk vetja sikur isha në Vlorë, kudo që ishim, këdo që takuam, prekëm Shqipëri dhe folëm shqip, por ajo që më tronditi, qe se historia, letërsia, muzika… e pse shkruhen shqip, nuk flasin shqip, me këtë dua të them që nuk lexojnë të vërtetat e shqiptarëve ndër shekuj… tekstet shkollore duhet të përafrohen deri në unifikim në të gjitha trojet shqiptare mbarëkombëtare dhe në diasporë (këtu me specifikat e veta) Një abetare e përbashkët do ishte hapi i parë, por jo abetare vetëm për shkronja, fjalë, fjali e tekste, por një abetare që do transmetonte frymë kombëtare, ashtu siç janë edhe abetaret e gjuhëve tjera të botës. Më pas historia, ndryshe në Shkup, ndryshe në Preshevë, ndryshe në Prishtinë, ndryshe në Tiranë dhe kësaj i thonë të mësosh gabim historinë me gjuhën tënde, kjo është vetëvrasje e identitetit tonë kombëtar, apo letërsinë, gjeografinë, muzikën…
Të qenit autoktonë në trojet tona, na ka bërë të pavëmendshëm të kuptojmë ndryshimin e taktikave në strategjinë e armikut tonë shekullor për pushtimin e trojeve, që për fat të keq, ju ende e keni mbi shpinë dhe një pjesë e fatkeqësive, ka ardhur me duart tona. Kështu herë me të mirë e herë me dhunë, është bërë e mundur që shumë troje të popullohen me serbë dhe batica serbe vazhdon edhe sot e kësaj dite, por me një taktikë mashtruese, se gjoja do vendosim klimën paqësore midis shqiptarëve dhe serbëve, po si u vendoska kjo klimë, kur shi bie vetëm në arën e hasmit??
Nuk mjafton të themi “jemi krenar që jemi shqiptar”, por të përpiqemi të ruajmë identitetin tonë shqiptar në çdo çast, në çdo veprim, në çdo situatë, të flasim, të mendojmë, të jetojmë si shqiptarë. Edhe pse bisedojmë me një serb, ne duhet t’i flasim shqip, ta përshëndesim shqip, se jo vetëm është gjuha e mëmës, por është shenja e parë dalluese që na quan shqiptarë. Pse t’i përgjigjemi serbëve, grekëve, malazezve… me gjuhën e tyre, kur ne kemi gjuhën tonë, atë gjuhë që është ballafaquar me gjuhët më të mëdha të botës, siç bëri Noli në përkthimet e tij, atë gjuhë që edhe gurë e drurë të këtyre trojeve, po të kishin gojë, do flisnin vetëm shqip. Për sa kohë që nuk do kemi mundësi të bashkojmë territoret, gjë që nuk është më e rëndësishme, se sa të ruajmë identitetin, se nëse ne nuk ruajmë çdo gjë që është shqiptare dhe nuk flakim tej ato gjëra që na janë imponuar ndër shekuj me qëllim që të na përçajnë, kufijtë nuk do na vlejnë më, ashtu siç nuk po na vlejnë kufijtë e Shqipërisë dhe të Kosovës, se nuk po punohet me seriozitet për t’u prezantuar në botë si një faktor më vete dhe i rëndësishëm…
Lufta për të drejtat e shqiptarëve, është përpjekja e secilit prej nesh për të qenë shqiptar… por siç ka thënë poeti ynë, Xhevahir Spahiu: “Është vështirë të jesh shqiptar dhe shkrimtar në Shqipëri…”, po në Kosovë, po në Maqedoni, Po në Malin e Zi, Po në Preshevë, të dashur miq? Sigurisht shumë herë më e vështirë, por kjo vështirësi duhet të na latojë mendjen, të na çelë sytë për të shpëtuar vetveten, për të ruajtur identitetin tonë kombëtar…
Mbase u mërzita, por këto, besoj janë edhe shqetësimet tuaja, se kanë ikur ato kohëra të një propagande fallso që bëheshin takime, kuvende, festa e përkujtimore dhe nuk thuheshin të vërtetat e hidhura, se e vërteta, sado e hidhur qoftë është shumë herë më e ëmbël se gënjeshtra, se kur thuhet në kohë e vërteta, dëmton më pak se kur mbulohet. Kur të qëllon prindi, shuplaka harrohet dhe marrim mësime, kur të qëllon armiku shuplaka hap plagë dhe dhemb gjatë, të “qëllojmë” njëri – tjetrin me dashuri prindërore, ashtu siç më qortonte i ndjeri babai im, duke më përqafuar, dhe do shohim se sa përpara do të ecim dhe se sa bashkë do të jemi.
Unë jam e bindur që vepra e profesoreshës Presheva do mbetet një dritë e pashuar, një shkëndijë që ndezi gjuhën shqipe në një kohë të trazuar, ajo do mbetet një misionare e pavdekshme për ne dhe gjithë kombin tonë. Shpirti i saj, si i gjithë patriotëve dhe mendimtarëve shqiptarë, nuk e ka gjetur akoma vendin në parajsën qiellore, ato enden mbi ne, për të pritur realizimin e ëndrrës së tyre dhe ne e kemi këtë detyrë dhe përgjegjësi për t’u prehur përfundimisht shpirtrat e tyre në paqe. Zoti na dhente dashuri mes njeri – tjetrit, Zoti na dhente mend te vlerësojmë vlerat tona, gjuhen tone te bukur, vendin tonë te mrekullueshëm, kulturën tone te hershme dhe te jemi bashke për t’u bere bashke…
Unë s’kam se çfarë të them më shumë se titulli i librit që përurohet sot: “Sadete Presheva: Simbol i Femrës Shqiptare”.
FALEMINDERIT!
Pasi e nis shkrimin tim, më vjen kjo përgjigje:
“E nderuar poete Zyba,
Unë me profesion superior jam filozof dhe kësaj here do të mundohem që testin që e keni shkruar që në këtë apo në atë mënyrë paraqet një oqean që duhet shterur.
Është fakt i pamohueshëm se testi juaj paraqet një hyrje të plotë për një enciklopedi kombëtare. Po të kisha mundur si Rudolf Carnapi ta formoj një alfabet, apo siç thoni ju, abetare, nuk do të kisha pasur shkronja me ju falënderuar për tërë atë që e ke thënë, prandaj në pamundësi të tillë për ta shpreh tërë atë që duhet me e thënë, sepse gjuha standarde është tepër e varfër për ta shpreh tërë atë që e ndien gjuha emocionale. Kështu që në pamundësi për të gjetur shprehje për një falënderim për një nënë të madhe shqiptare, do t’i kthehem fjalës së popullit, bij e të cilit je edhe ti: Të faleminderit, rrofsh e qofsh sa malet e Tomorrit!
P. s. Në mungesë të Zyba Hysa, një karrige do te jete e zbrazët.
Prof. dr Avni Presheva”
Kaluan ditë dhe siç rrëmbehem unë nga puna, nuk i kisha kontrolluar mesazhet, kur hapa kompjuterin dhe pashë fotot dhe fjalët shumë ngazëlluese të Prof. Dr. Avni Preshevës: “E nderuar, shih aty ku është kryesia, vendi yt është i zbrazët. E kam mbajtur fjalën , se njeriu lidhet për fjale e cjapi për brirë.
Përshëndetje dhe shume të faleminderit për telegramin, të cilin e kemi lexuar!
Prof. Dr. Avni Presheva”mbeta pa frymë… M’u shkaktua një ndjesi e pa provuar ndonjëherë, mbase këtë e kanë ndier ata që marrin titullin e lartë “Nder i Kombit” dhe unë u ndjeva po ashtu, unë do ta ruaj këtë “titull” në shpirt që kurrë të mos më bjerë shpirti në agoni, por deri në gërhimën e fundit të luftës së tij për të dalë të më ndriçojë sytë dhe mendjen për t’i shërbyer vendit tim, popullit tim, KOMBIT tim!
Faleminderit Prof. Dr. Avni Presheva, faleminderit të gjithëve ju, që më keni ruajtur vendin bosh për të qenë aty… Më keni respektuar, më keni nderuar, por të gjitha këto u takojnë juve, se jeni njerëz fisnikë dhe patriotë!
I paharruar qoftë emri dhe vepra e poeteshës Presheva!
FALEMINDERIT!
(Ne Foto:Nga salla e takimit)