• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria ka nevojë për një “dhjetor” tjetër

March 20, 2017 by dgreca

1-andon-dedenga Andon Dede, Nju York/Sa u gëzuam atë dhjetor të ’90-ës! Si fëmijë, besuam se tash e mbrapa edhe ne do t’i ngjanim botës, jo vetëm se shpëtuam nga zinxhirët e një prej diktaturave më të tmerrshme që kishte njohur ky vend, por dhe për dritën jeshile që menduam se u hap edhe për ne, drejt lirisë, mirëqënies, prosperitetit e tërë të mirave që sjellin këto.

Por, shumë shpejt u zhgënjyem keqas, në të gjitha drejtimet. Dhe ky zhgënjim ishte dhe është edhe më i tmerrshëm, më shkatërrues e më vështirësisht i përballueshëm se ai i prindërve tanë kur, mbas Luftës së Dytë Botërore, jo më që nuk hëngrën me lugë floriri, siç iu qe premtuar, por ndjenë se në qafë iu vu një lak i ri që s’e kishin provuar kurrë më parë. Pse e them këtë? Se, tek e fundit, diktatori e shpura e tij nuk e fshihnin se qenë një diktaturë, gjoja ”e proletariatit”, paçka se ata që sundonin s’kishin asgjë të parbashkët jo më me proletarët por as me  turmat e pangopura me bukë që kishin nën vete. Kurse zhgënjimi i tanishëm është dhe më i pagëlltitshëm kur mendojmë se na vjen në një klimë krejt të ndryshme nga ajo e pas-Luftës, prej atyre që iu besuam e që, në dallim  nga të të parët, na u hoqën se i përkisnin një “race” tjetër, me demek demokratike. Por, s’qe e thënë. Edhe ata, si gjithë pushtetarët, shumë shpejt u tjetërsuan. Them u tjetërsuan apo u transformuan se, në fillimet e tyre, në mos të gjithë, të paktën disa syresh, edhe mund të kenë qënë sadopak idealistë. Por, përvoja jonë tregoi atë që bota e ka përjetuar me kohë, se pushteti është më i fortë se çdo ideologji apo ideal.

Klasa politike që ka sunduar në këtë çerek shekulli, e cilitdo krahu qoftë, e ka diskretituar keq veten dhe e ka humbur të drejtën për të qeverisur më tej. Por, ecë e hiqe! Është shumë e vështirë, në mos e pamundur.

*   *   *

Shpesh pyes veten dhe, ma merr mendja se këtë pyetje e kanë bërë dhe e bëjnë edhe shumë të tjerë: “Si qe e mundur që Enveri qëndroi në pushtet për afro gjysmë shekulli, kur shumë njerëz të ndershëm e të mënçur e kuptuan që në fillim se kishin të bënin me një mashtrues e kriminel që nuk i dhimbsej jo më jeta e popullit por as e miqve e bashkëpuntorëve të tij më të ngushtë, madje, edhe e atyre që e kishin mbajtur me bukë apo që kishin vënë në rrezik kokën e tyre për jetën e tij?! Dhe përgjigjen e kam kuptuar me kohë: Çdo diktator, gjë e parë që bën, krijon atë aparat apo mekanizëm që do t’i duhet për të mbajtur e forcuar pushtetin, për të vënë nën zgjedhë të tjerët. Këtë bëri edhe Enveri, sa mori pushtetin: solli nga fshatrat më të humbura legjionet e pashkolluara dhe mbushi me to radhët e aparatçikëve dhe sidomos të Sigurimit famëkeq.  Për jetën e re që po shijonin, përmes komoditeteve të shumta që iu siguroi, ata ishin gati të vrisnin dhe nënën e babën po t’ua kërkonte ai që i solli në ato poste.

Kalojmë tani në kohën tonë. Edhe këta të sotmit, jo vetëm e kanë kuptuar e përvetësuar me themel këtë “sekret” por edhe e kanë zbatuar e po e zbatojnë po me aq sukses, duke krijuar një strukturë administrative e mbrojtjeje sa që e ke të vështirë në mos të pamundur për t’i lëvizur nga karriget ku janë ulur, në pushtet apo në opozitë qofshin, gjë që për mua, tashmë nuk ka thuajse asnjë ndryshim e rëndësi. Janë gati njëlloj si ata, për nga etja për pushtet, zullumet që bëjnë e mjerimin që iu shkaktojnë masave të pambrojtura të popullit.

Gjithë sa shpreha më sipër, më shtyjnë të mendoj se Shqipëria mund të shpëtohet nga kjo gjendje kënetore ku është fundosur, vetëm përmes një “dhjetori” tjetër që të largojë nga pushteti apo dhe politika, në përgjithësi, tërë këtë lukuni mashtruesish, hajdutësh, pse  jo dhe kriminelësh, që në çerek shekullin që lamë pas, kanë menduar e punuar vetëm për xhepat e tyre dhe e kanë katandisur popullin si mos më keq, duke e detyruar edhe pas njëzet e pesë vjetëve pluralizëm që, për të mbijetuar, ta gjejë zgjidhjen tek emigrimi. Një ndjenjë turpi dhe tmerri më  kap sa herë që infrmohem nga Media se jemi vendi i dytë në Botë, pas Sirisë, për numurin e azil-kërkuesve. Mirë ata të gjorë që e bëjnë këtë për të shpëtuar kokën nga lufta vëlla-vrasëse apo dhe bombardimet e avionëve, qofshin ata të miqve apo të armiqve; po bashkë-atdhetarët tanë kush po i detyron të marrin rrugën e dhimbshme të kurbetit, edhe tani në shekullin e ri?! Do të mjaftonte vetëm ky fakt për të kuptuar se kush e ka qeverisur e po e qeveris Shqipërinë në këtë çerek shekullin e fundit të të ashtuquajturit tranzicion që një Zot e di se kur do të mbarojë. Hë, pra, a mund tu besosh të tillë poltikanëve, fatet e vendit e të popullit, me apo pa pushtet qofshin?  Zgjidhja e vetme, për mendimin tim, do të qe vetëm një fillim i ri me mendësi të re dhe njerëz të rinj. Unë nuk e pres zgjidhjen përmes zgjedhjeve, qofshin ato edhe “të ndershme e të drejta”, siç po pretendohet nga protestuesit aktualë në çadrën e ngritur para kryeministrisë. Po a nuk jemi bindur katërcipërisht në këto 25 vjet se në Shqipëri një pretendim i tillë është as më shumë e as më pak por një utopi e kulluar?! Kush do t’i sigurojë ato, mos vallë e ashtuquajtura “qeveri teknike”, votimi elektronik apo ndërkombëtarët, që po bëhen qesharakë me refrenin e çdokatërvjetshëm se “zgjedhjet e fundit ishin një hap përpara, pavarësisht se kishin akoma disa probleme”, e të tjera dokrra si këto?! Ndaj them se do të ishte naivitet i pafalshëm që të presim ndryshime rrënjësore për të cilat folëm më lart, përmes zgjedhjeve, siç e kanë dëshmuar bindshëm rrotacionet politike të deritanishme.

*   *   *

Kur them se duhet një “dhjetor” tjetër, nuk kam parasysh që të ndiqen ato rrugë e të përdoren ato mjete të ’90-ës, se tashmë kanë ndryshuar kohët e, për pasojë, kushtet e brendëshme e të jashtëme nuk janë më ato, pavarësisht se hendeku në mes të pasurve e të varfërve apo, thënë ndryshe, mes atyre që ditën të përfitojnë nga ndërrimi i sistemit dhe shumicës së popullit që mbeti po aq i varfër e i braktisur, në  mos edhe më keq, vazhdon të jetë present në të katër anët e vendit. Me “dhjetor” tjetër pra, unë kam parasysh largimin nga skena politike e të gjithë kësaj klase oligarkësh e banditësh dhe zëvendësimin e saj me një të re, të edukuar e të formuar sipas standarteve të sotme perëndimore.

Jam i vetëdijshëm se në gjithë sa shpreha më sipër, ka një kontradiktë të madhe: nga një anë them se duhet “dhjetor” tjetër që të largojë klasën politike që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe, nga ana tjetër, pohova dhe pamundësinë e këtij ndryshimi, nga që pushtetmbajtësit e kanë krijuar e konsoliduar atë aparat apo mekanizëm mbrojtës sa që me një vlerësim realist thuajse e bën të pamundur një ndryshim të tillë. Po atëhere, ç’duhet bërë? Si mund të mendohet dalja nga kjo gjendje që është bërë prej kohësh një domosdoshmëri absolute?

E di gjithashtu se nuk po them ndonjë gjë të re, sidomos përsa i përket diagnozës së parë, daljes nga sistemi oligarqiko-diktatorial që është instaluar aty. Përsa i përket zgjidhjes, edhe pse duket si e pamundur, në tregun mediatik janë hedhur mendime të ndryshme, madje nuk kanë munguar edhe veprimtari të organizuara për  të bindur njerëzit se ç’duhet të bëjnë. Një pjesë e mirë e tyre kanë shprehur mendimin se duhet filluar pikërisht nga ndërgjegjësimi i masave për gjendjen ku janë e për ndryshimet që duhen bërë. Të tjerë, bien në pozitat e një fataliteti të skajshëm duke mohuar çdo dritë jeshile në atë realitet të errët shqiptar. Ka ndër ta që e shohin zgjidhjen tek ndërkombëtarët, duke pohuar se pa angazhimin e tyre as që mund të dilet nga ajo gjendje…Mund të jenë hedhur edhe ide e mendime të tjera. Unë, sado e çuditëshme të duket, bije dakord me të gjitha e me asnjë. Pse e them këtë? Po a nuk na dukej dhe realiteti ynë i para ’90-ës të shekullit të kaluar si i i çimentuar e si i përjetshëm, ndaj të cilit nuk mund të bëje dot asgjë për ta përmbysur? Por ja që mrekullia ndodhi. Për atë përmbysje apokaliptike sigurisht që ndikuan faktorë të jashtëm e të brendshëm: nga njera anë popullit i kishte ardhur shpirti në majë të hundës, si tani dhe, nga ana tjetër, Bota Lindore ish-komuniste, përqark, kishte kohë që ziente. Pa këta dy faktorë, pra, as që mund  të mendohej dhjetori i ’90-ës.

Po tani, si qëndron puna? Pavarësisht se jemi në kohë e në kushte krejt të tjera, disa analogjira qëndrojnë, siç dolën dhe nga ekspozeja e mësipërme. Duke ndërgjegjësuar masat brenda dhe në një bashkërendim veprimesh me ndërkombëtarët, diçka mund të bëhet për t’ia vështirësuar apo dhe pamundësuar sundimin e mëtejshëm kastës së re oligarqike, që herë është në pushtet e herë në opozitë.

Prapë sikur nuk thamë ndonjë gjë të re, nëse nuk zbresim në një plan më konkret se si mund të realizohet kjo. Po ta krahasojmë Shqipërine e sotme me një të sëmurë, para se të japim “ilaçet”, le të kthehemi pak mbrapa për të njohur shkaqet e sëmundjes. E, pra, pse erdhi kjo gjendje? Si mundi klasa e re poltike të zëvendësojë të vjetrën, në vend që të ndërtonte një të re, për të instaluar dhe këtu, më në fund, shtetin ligjor e demokracinë e vërtetë, që do t’i priste rrugën dhe çdo abuzimi me pushtetin?! Përgjigja është shumë e qartë për tërë ata që kanë një minimum kulture social-politike dhe sadopak njohje të realitet shqiptar: mungesa e institucioneve.(!) Pse e them këtë? Se korrupsion, krime e dukuri të tjera negative të të gjitha llojeve, ka edhe në shtetet më të përparauara e me demokraci të instaluar prej kohësh. Por, ajo që i dallon ato nga këneta jonë politiko-shoqërore, janë institucionet e konsoliduara që nuk merren me llafollogji boshe, siç po bëjnë “baballarët” tonë të kombit me të ashtuquajturën “reformë në drejtësi”, dhe jo vetëm. Ata hartojnë ligje, në bazë të përvojave të huaja që i gjen me bollëk; ua përshtatin  kushteve të vendit dhe, më kryesorja, i zbatojnë ato me rreptësi deri në fund. Për tu bindur për këtë, mjafton t’i përjgijgemi një pyetjeje fare të thjeshtë: shteti oligarqiko-kriminal që është instaluar tek ne, mos ka ardhur nga mungesa e ligjeve dhe për këtë na u dashka reforma?! Absolutisht jo! Le ta ngul bisturinë edhe më thellë: mos regjimi i Enver Hoxhës e kishte të keqen vetëm tek ligjet? Prapë përgjigjem: absolutisht jo, kryesisht tek moszbatimi i tyre!

E zëmë se po biem dakord për këtë. Por lind problemi tjetër, edhe më i koklavitur se i pari: po si t’ia bëjmë që ne institucionet tona, siç e pohojnë tashmë njëzëri analistë e poltikanë, të huaj e të vendit, janë nga më të korruptarat?! Me ç’njerës do t’i mbushim ato institucione që të na zbatojnë ligjet e të krijojnë atë klimë mbytëse për hajdutët e kriminelët pushtetmbajtës?

Kjo është e vërtetë, por për të dalë nga kjo gjendje do të thosha përsëri: e vështirë, por jo e pamundur… “Po si, pra?” – do të më ndërpresë fjalën, jo pa të drejtë, lexuesi i mundshëm. Dhe përgjigja ime është ajo e fillimit: të përpiqemi për një “dhjetor” tjetër, jo përmes një revolucioni me dhunë, por të kadifenjtë, të butë, të shtruar, pak nga pak. Që të mbërrish në majë të malit, do hedhësh fillimisht hapin e parë. Këtu po, mund të ndihmojnë shumë edhe ndërkombëtarët në drejtimin apo monitorimin e institucioneve, por jo si deri tani që, për mendimin tim, nuk e kanë përligjur veten, duke u bërë përgjithësisht, palë e pushtetmbajtësve.

Nju York, 20 mars 2017.

Filed Under: Politike Tagged With: And on Dede, nje Dhjetor, shqiperia, tjetër

Analiza: A mund të shkaktojë ISIS një 11 shtator tjetër?

September 11, 2015 by dgreca

Nga Rafael Floqi*/

Rritja e fuqisë së grupit ektremist Shteti Islamik ishte mjaft e beftë. Ajo i kapi Shtetet e Bashkuara në befasi verën e kaluar, kur organizata mori nën kontroll pjesën më të madhe të Irakut verior, duke u zgjeruar më pas dhe në Sirinë fqinje. Por shumë analistë thonë se grupi – i cili u krijua nga radhët e al-Kaidës në Irak – ka qenë prej vitesh në organizim e sipër. Edhe para se forcat amerikane të iknin nga Iraku në vitin 2011, ISIS po ndërtonte një forcë ushtarake profesionale, duke nxitur trazira sunite dhe duke ndërmarrë fushata brutale bombardimesh dhe vrasjesh barbare. Grupi krenohet me 50 mijë luftëtarë në Siri dhe 30 mijë në Irak, duke rekrutuar 6 mijë të tjerë vetëm muajin e kaluar.

Ky është një grup mizoria e të cilit alarmoi dhe vetë al-Kaidën dhe që po e shfrytëzon me sukses luftën civile në Siri dhe sundimin sektar të Irakut për të mbledhur armë, pasuri dhe ndikim me një shpejtësi të madhe, thotë David Kilcullen, arkitekti i shtimit të trupave luftarake në Irak në vitin 2006. Zoti Kilcullen aktualisht kryeson CAERUS, një firmë sigurie dhe e strategjive të zbulimit në Uashington. Sipas tij, ISIS e ka lënë në hije al-Kaidën:

“Është organizatë shumë më e aftë ushtarakisht, është shumë më e pasur, ajo kontrollon territorin, kontrollon infrastrukturën kryesore dhe ky është me të vërtetë një kërcënim shumë më dramatic, sesa ai që kemi parë nga al-Kaida. Ata kanë fituar miliona dollarë nga rrëmbimet dhe shpërblimet prej tyre. Tani ata janë grupi më i pasur terrorist në botë, me zotërime, që kapin një vlerë prej më shumë se 450 miliardë dollarësh.”

Si në Siri dhe Irak, ISIS po krijon embrione qeverisjeje duke ndjekur shembullin e Hezbollahut, i cili vepron si një organizëm i ngjashëm me një shtet në Liban. Madje kohët e fundit ata nxorrën edhe monedhën e tyre.

Sulmi vdekjeprurës i dy burrave në një ekspozitë të karikaturave te Profetit Muhamed pranë Dallas para disa kohësh tha veterani i CIA-s Michael Morell, ishte thjesht frymëzuar nga Shteti Islamik.  

Por është vetëm një çështje kohe para se grupi xhihadist të jetë në gjendje pë të drejtuar sulmet më të përpunuara në tokën amerikane që mund të rezultojnë në viktima masive. “Nëse ne nuk do ta vendosim ISIS nën kontroll, ne kemi për ta parë këtë lloj sulmi,” si lloji i sulmit të al-Kaedës nisur në 9/11, i tha Morell, gazetës “USA Today”.

Deri tani, përpjekjet e SHBA nuk kanë qenë efektive në kundërvënien me sukses ndaj shtetit Islamik në rekrutimin e qindra të konvertuarve amerikanë, thotë ai, “dhe ne nuk e kemi atë fuqi, sepse është shumë e vështirë për ta bërë këtë gjë.”  Morell eshte nje ekspert i njohur ai ndodhej pranë Presidentit George W. Bush në një shkollë fillore në Florida në vitin 2001, kur presidentit iu tha se ishin rëmbyer avionë të linjave ajrore dhe qenë rrëzuar në Qendrën Botërore të Tregtisë, dhe ai ishte po në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Obama gati një dekadë më vonë, kur për herë të parë u dëgjua fjala, që Navy Seal 6 kishte vrarë Osama bin Ladenin.

 Morell ka shkruar një përmbledhje të përvojave të tij, pas 33 vjetesh punë në CIA, duke përfshirë edhe dy pozita si ushtrues detyre i drejtorit të prgjithshëm ,të botuara të martën me titull “Lufta e Madhe e kohës sonë: Nga Al Kaida tek ISIS, Lufta e CIA-s kundër terrorizmit”.

Teza e tij qendrore është: Kjo “luftë e madhe”, e cila tashmë ka testuar sigurinë kombëtare të vendit dhe politikën e saj, ka të ngjarë të shtrihet për dekada të tëra dhe më gjatë. “Për aq sa unë mund të parashikoj,” thotë ai.  Vetëm të premten e kaluar, niveli kërcënimit në bazat amerikane ushtarake u ngrit në nivelin më të lartë ne 10 ne parg të përvjetorin e 9/11, pjesërisht për shkak të shqetësimit në lidhje me sulmin Teksasit që la dy sulmues të vdekur. “Ne jemi patjetër në një fazë të re të një kërcënimi global terrorist” Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Jeh Johnson paralajmëroi në ABC e Fox News të dielën.

Dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë “Homeland Security” në Kongress Mike McCaul, republikan nga Teksasi, ka thënë se përdorimi i sofistikuar i Internetit nga grupet e ISIS-it ‘do të thotë se “me të vërtetë, se terrorizmi është bërë viral.”

“Do të ishte një gabim të mendohej se al-Kaeda ka vdekur, së bashku me bin Laden në Abbottabad”, thotë Morell.

Ndërsa udhëheqja e al-Kaedës në Afganistan dhe Pakistan është asgjësuar, degët e tjera të grupit kanë lulëzuar, duke përfshirë al-Kaedën në Gadishullin Arabik, me bazë në Jemen. “Ata sot e kanë aftësinë për të sjellë një avion në Shtetet e Bashkuara”, thotë Morelli. “Në qoftë se kjo do te ndodhte nesër, unë nuk do të isha i befasuar. Ai thote se si CIA dhe agjencitë e tjera të inteligjencës amerikane nuk e llogaritën mirë ndikimin e Pranverës Arabe. Pasi nisën demonstratat pro-demokracisë që përfshinë të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ata arritën në përfundimin se ato do ta shkatërronin al-Kaidën për shkak se ajo do të “godiste narrativën e Alkaedës se vetëm dhuna mund të çonte në ndryshime politike.”

Gjë që doli që ishte vertet “krejtësisht e gabuar,” thotë ai. Qeveritë që pasuan nuk ishin në gjendje apo të gatshme për të luftuar ekstremizmin.

 Pëe sulmet e 2012 në Bengazi që la katër amerikanë të vdekur, Morell ve në dukje se përse Departamenti i Shtetit nuk i është përgjigjur një kërcënimi në rritje atje me forcimin e sigurisë për punonjësit e saj, ashtu si edhe CIA. Por ai gjithashtu vë pyetje përpjekjet e republikanëve në Kongres për të sugjereruar se ishte në lojë një lloj komploti. Bengazi është “fëmija deshtak” i ndërhyrjes së politikës në sigurinë kombëtare.”

Ai argumenton se mbledhja nga NSA-së në masë të të dhënave të thirrjeve telefonike në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë edhe nga miliona amerikanëve të padyshuar për ndonjë keqbërje, ka qenë “një mjet shumë i rëndësishëm” kundër terrorizmit, edhe pse ai pranon se është e vështirë të tregojnë se çfarë komploti të veçantë ajo ka ndërprerë. Më vonë një gjykatë federale apeli  arriti në përfundimin e programit ishte i paligjshëm, dhe Kongresi tani po debaton nëse do të rishikojë mënyrën se si ajo punon para se të skadojë afati. “Sikur të kishte qenë ai program para 9/11, do te kishim një shans të mirë që të dëgjonim 19 rrëmbyesit të komunikonin me njëri-tjetrin, “thotë ai. Një duzinë vjet më vonë, kur qëllimi i programit u zbulua nga ish-kontraktori i NSA Edward Snowden, peisazhi politik ka ndryshuar.

 “Reagimi i publikut në vitin 2013 ishte:” Jo nuk mund t’i besojmë qeverisë? ” Por do të kishte qenë një reagim krejtësisht i ndryshëm në vitin 2001, (kur) sulmet e 9/11 sapo kishin ndodhur. ” Edhe më pas agjencia nuk pranoi të tërhiqej, Cheney ka vazhduar të thotë në deklarata publike se ka pasur një lidhje që bëri të mundur një veprim amerikan kundër Irakut.

“Ndikimi ishte i madh,” kujton Morell, dhe kishte kontribuar në besimin e shumicës së amerikanëve se Iraku kishte një rol në sulmet e 11 shtatorit.

 “Unë u ula në tryezë me babain tim një vit pasi filloi lufta në Irak, dhe kam thënë diçka që ngrinte një pyetje në lidhje me nëse kjo ishte gjëja më e drejtë për të bërë apo jo”, kujton Morell-i. “Babai im përplas dorën mbi tavolinë derisa piruni  kërceu jashtë dhe tha:” Por, Iraku shkatoi 9/11! ” Unë i thashë, “Jo, ata nuk e bënë, babi. Unë e di. Më beso. Unë e di.” Ndersa tani luftëtarët nga al-Kaida po lidhen me Shtetit Islamik të Irakut dhe Levanti (ISIS) dhe marshuan në Raka, në Siri.

Pamjet e fundit tronditëse të ushtarëve amerikanë të masakruar nga grupi ekstremist ISIS, vijnë si një mesazh kërcënimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në publikimet e rradhës në rrjetet sociale ISIS-I, kërcënon Amerikën dhe qytetarët e saj se do të jenë shënjestër nga çdo mysliman në botë. Ata paralajmërojnë amerikanët të ruhen pasi një tjetër tragjedi si ajo e 11 shtatorit do të mund të përsëritet. Ky sulm virtual është shoqëruar me pamjet e torturave të ushtarëve amerikanë gjatë periudhës që ata ndodheshin në Irak dhe vjen si reagim pas ndërhyrjes së SHBA-së. Ekstremistët e shtetit islam kanë publikuar një video me të cilën kërcënohen të gjithë amerikanët duke i paralajmëruar se do të përsëritet sulmi i 11 shtatorit të vitit 2001. Në video thuhet se lëvizja e xhihadistëve është më e fuqishme qysh prej kohës kur Al Kaida sulmoi në New York dhe Washington para 14 viteve dhe tash janë të gatshëm që prapë të sulmojnë SHBA-në.

Ekstremistët e ISIS-it paralajmërojnë se nuk ka “Siguri për asnjë amerikan në botë” dhe se ata janë të aftë dhe mjaft të fortë “që përsëri ta kallin Amerikën”. Video xhirimi që quhet “Do ta kallim Amerikën” i fton pjesëtarët e ISIS-it që ta sulmojnë SHBA-në.  Në video po ashtu janë paraqitur disa nga krimet më të rënda që ekstremistët kanë bërë siç janë prerja e kokës së gazetarit dhe pilotit. Aty paraqiten të shtënat në Paris dhe Otavë, duke thënë se pas Francës dhe Kanadasë, është radha e SHBA-së. “Me leje të Allahut së shpejti do ta përsërisim 11 shtatorin”, thuhet në xhirimin e ISIS-it që me fotografi përcillen raportet e mediave në sulmin e Kullave binjake.

Shumë ekspertë thonë se elementi që tërheq drejt ISIS dhe bashkëpunim nga grupe të tjera, është suksesi ushtarak i Shtetit Islamik. Por të tjerë thonë se ISIS nuk ka kaluar ndonjë provë të vërtetë ushtarake. Brian Jenkins, ekspert i terrorizmit, thotë se zona kryesisht sunite e Irakut ishte një pre e lehtë.

“Nuk është se ISIS ishte një forcë e pamposhtshme, e cila mundi ushtrinë irakiane, thjesht ndodhi që ushtaria e Irakut u largua, duke lënë një vakum që ISIS ishte në gjendje ta mbushte.” “Siria tani është një mozaik me territore të zotëruara nga qeveria dhe territore të mbajtura nga ky apo ai grup. Ndërsa Iraku de facto është i ndarë në zona sunite, shi’ite dhe zona kurde.”

Zoti Jenkins thotë se edhe një ndërhyrje e gjerë ushtarake perëndimore nuk do të ishte në gjendje të ribashkonte Sirinë dhe Irakun. Maksimumi që mund të arrihet – argumenton ai – është që të “përmbahet kaosi” brenda zonës së konfliktit, i cili mund të zgjasë për dekada me radhë.

Por shumë ekspertë thonë se ISIS duhet të ndalet. Ata e shohin rritjen e ISIS-it si zhvillimin më të rëndësishëm në xhihadin ndërkombëtar, që nga 11 Shtatori 2001. Vëzhguesit thonë se ISIS ka marrë rolin e udhëheqësit së rrjeteve globale terroriste kundër Perëndimit. Grupe të mëdha ekstremiste – që nga Abu Saiaf dhe Jamaat Islamia në Azinë Lindore, deri tek Boko Haram në Afrikë – e kanë zhvendosur besnikërinë e tyre nga al-Kaida tek kjo organizatë e re terroriste e pamëshirshme.

Prandaj duke perifrazuar Brehtin do të thosha, “Njerëz jeni vigjilentë!”.

Filed Under: Analiza Tagged With: A mund të shkaktojë ISIS, një 11 shtator, Rafael Floqi, tjetër

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT