Me rastin e 17 janarit, përvjetorit të vdekjes të Skënderbeut/
Nga Abdurahim Ashiku-Athine/
Gjergj Kastrioti lindi në Kullën e Gjon Kastriotit. Po ku ka qenë Kulla e Gjon Kastriotit ? Në cilën Odë shqiptare u vendos dhe u përkund djepi, i vetmi mjet që shtriu e lidhi me dizga të leshta Gjergj Kastriotin ?
Barleti, që konsiderohet më pranë tij në kohë e hapësirë, na flet për Emathian, që studjuesit e mëvonshëm (Biemi, Tivarasi, Noli) e lidhën me Matin, lidhje që Kristo Frashëri e kundërshton, kurse Edith Durham, në “Brenga Ballkanike”, duke cituar Strabonin thotë se “Ai vend që tani quhet Maqedoni, dikur quhej Emathia” (f.433), emër i cili, sipas saj, do të thotë “ E Madhja”.
Autorë të tjerë, korifenj në historiografinë shqiptare si Aleks Buda e të tjerë, bazuar në përshkrimet e Barletit dhe të disa autorëve të tjerë, i kërkuan rrënjët e Kastriotëve në Has të Kukësit. Të tjerë i kërkuan dhe i kërkojnë rrënjët e Kastriotëve, madje edhe të Vojsavës, në Mirditë kur të tjerë autorë, jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme, por brenda kufijve shekullorë shqipfolës, rrënjët e kësaj të fundit (Vojsavës ) i gjejnë në Pollog , fshatin Gradec në Gostivar.
Të tjerë autorë, hajdutë të historisë, Gjergj Kastriotin janë munduar e mundohen ta quajnë dikush Georgij e dikush Jorgji, dikush sllavoserb, sllavomaqedonas apo grek.
Gjergj Kastrioti lindi në Shqipëri, lindi shqiptar, u rrit si shqiptar, luftoi siç luftojnë shqiptarët, me shpatë në dorë, dhe vdiq shqiptar.
Për mendimin tim, nuk ka rëndësi në se Gjergj Kastrioti lindi në Mat, në Dibër, në Has, në Krujë a gjetkë. E rëndësishme është se ai qe, në radhë të parë, një shqiptar i madh, pastaj një dibran i madh, a matjan i madh, a hasjan i madh, a krutan i madh.
Në qoftë se unë në prezantimin tim do të përdor “prashajkën” duke tërheq pas vetes e paraqitur para jush tezën se Gjergj Kastrioti lindi në Kullën e Gjon Kastriotit në Dibër duke e lidhur me toponiminë që personalisht e njoh, lindi në Dibër, e cila gjeografikisht gjendet atje ku takohen vektorët e popullsisë shqipfolëse, qendra gjeografike shqiptare, nuk i mbyll rrugën kërkujt që të thotë fjalën e vet mbi fakte e dokumente. Rrugën ua mbyll vetëm atyre që emrin Gjergj e shkruajnë dhe e shqiptojnë Georgij apo Jorgji.
Barleti dhe të tjerë studiues, të afërt apo të largët në kohë me Skënderbeun, na ka lënë duzina emra vendesh që lidhen me lindjen dhe jetën e Skënderbeut. Këta emra, studiues dhe historianë të vonët i kanë lidhë me Matin dhe me Hasin. Çuditërisht ata, për një kohë të gjatë nuk i kërkuan në Dibër.
I pari, në shekullin e kaluar, në vitin 1940, në përmbledhjen historike, ende në dorëshkrim ( ! ), “ Dibra në prak të historisë”, Haki Stërmilli, autori i të parit roman historik kalorsiak shqiptar, “Kalorsi i Skënderbeut”, duke kundërshtuar Nolin paraqet si çelës për tezën e tij se Gjergj Kastrioti lindi në Dibër, toponiminë e cila përkon tërësisht me emrat dhe emërtimet e vendeve historike të cituara nga Barleti, Bjemi, Anonimi i Venedikut dhe të tjerë.
Skënderbegasi i madh Kristo Frashëri në artikullin e vet me titull “Nga ishin Kastriotët ? Ku lindi Skënderbeu? “( gazeta “Mësuesi” 4 dhe 11 shtator 1974 ) çështjeve në burimet historike, arkivore dhe letrare, u shtoi edhe të dhënat toponimike të mbledhura në teren.
Nga analiza e të dhënave, ai nxori konkluzionin se me emrin Has autorët e ndryshëm nuk kanë pasur parasysh Hasin e sotëm mbasi ai deri në shekullin XVI nuk quhej Has por Pashtrik, por një nga krahinat e Dibrës, qendra e së cilës ishte Qidhna e masakruar barbarisht nga Sulltan Mehmeti II më 1466 ( ku u kaluan në tehun e thikës dhe të shpatës më se dhjetëmijë burra, gra, fëmijë e pleq të strehuar aty për t’i shpëtuar genocidit otoman) në gjirin e së cilës ndodhen fshatrat Kastriot, Sinë dhe Gardhi i Poshtëm, që lidhen historikisht me familjen e Skënderbeut. Nuk është e rastit, thotë autori, që bashkëkohësi i heroit R. Voltarrano e quan të atin e Skënderbeut Gjon Dibra apo Gjon Dibrani. Kristo Frashri thotë se nga defteri turk i përpiluar në vitin 1467 del se në fshatin Sinë, që një shekull më parë ishte zotërim feudal i Pal Kastriotit (gjyshi i Skënderbeut), banonte një familje me të njëjtin mbiemër – familja e Dhimitër Kastriotit. “ Fakti që në Sinë të Dibrës, shkruan K. Frashëri, dy orë larg fshatit Kastriot, i cili ndodhet po ashtu siç shënon kronika e Lukarit, pranë lumit Drin, tre ose katër breza pas Pal Kastriotit, ekzistonte një familje me të njëjtin mbiemër, siç është ajo e Dhimitër Kastriotit, kjo nuk është e rastit. Kjo tregon se Kastriotët ishin vendosur prej kohësh në fshatin Sinë”.
Por edhe pse ishin në fshatin Sinë Kastriotët pronat e tyre i kishin poshtë në fushë. Në mes të kësaj fushe ndodhet fshati Kastriot. Pikërisht në disa pika të caktuara të këtij fshati, një varg i tërë toponimesh janë të lidhura me emrin e babait të Skënderbeut, siç janë Kulla e Gjonit, Kopshti i Gjonit, Pusi i Gjonit, Ograja e Gjonit. Të gjitha këto të dhëna, përfundon K. Frashëri, mbështetin traditën popullore dibrane, sipas së cilës Skënderbeu lindi në Shëgjerth ( lagje e Sinës ) dhe u rrit në Çelias ( lagje e Kastriotit ).
Po në këtë kohë, dy autorë dibranë, Hazis Ndreu dhe Ali Hoxha, lindur e rritur në këtë zonë, në shkrimin “Toponimia në ndihmë të Kastriotëve” botuar në gazetën “Mësuesi” e përforcuan tezën dibrane të origjinës së Kastriotëve. Ali Hoxha në shkrimin “Mbi lokalizimin e fushës së Betejës së Torviollit” ( Fushë e Çidhnës ) botuar në “Studime historike” nr. 3 viti 1979, në vlerë të rrënjëve të Kastriotëve na jep në dorë toponime të tilla si Kastriot, Fusha e Kastriotit, Kalaja e Gjonit ose Kulla e Gjonit, Kroi i Kastriotit, Pusi i Gjonit, Zabeli i Gjonit, Kalueri (vend në të cilin thuhej se stërviteshin kalorësit), Çeliasi (thuhet se këtu ka qenë burgu), Gjuri i Luftës, Gjardhi i Poshtëm, dikur fshat më vete, sot lagje e fshatit Sinë e Poshtme, Gjardhi i Epër në Sinë të Epër. Brenda territorit “Gjardhi i Poshtëm, ose shkurt Shgjerth janë edhe toponimet Troja, ( ku thuhet se kanë pas trojet Kastriotët) e ku ka gjurmë themelesh prej guri, Kodra e Trojes, Hambaret. Po në Sinë të Poshtme kemi edhe toponimet Pajella e Skënderbeut dhe Hurdha e Kalit të Skënderbeut. Në Sinë të Epërme ruhet toponimi Thana e Skënderbeut. Në Çidhën: Kepi i Xhitetit, Kepi i Matjes ( i cili sipas gojëdhënës shërbente për të matur ushtarët e Skënderbeut). Pusi i Skënderbeut, Guri i Kalit të Skënderbeut (në të cilin thuhej se Skënderbeu ka pas lidhë kalin e tij), Kalaja e Skënderbeut etj.
Hazis Ndreu në shkrimin e 14 janarit 1976 në gazetën “Mësuesi” vë në dukje se materiali toponimik i trevës së Dibrës jo vetëm pajtohet me burimet dokumentare mbi Skënderbeun , por ka edhe veshjen folklorike Kastriotase, gjë që i mungon materialit toponimik të viseve të tjera.
Për rrënjët e Kastriotëve në trevën e Dibrës flet edhe historia e jetës dhe e veprës së Skënderbeut. Skënderbeu, në kthim nga beteja me Huniadin, në krye të treqind kalorësve shqiptarë erdhi në Dibër. Cili hero historik nuk është mbështet në marshin e tij legjendar nga vendlindja ? Pse nuk shkoi Skënderbeu në Has të Kuksit por erdhi në Dibër dhe prej andej nisi çlirimin e vendit ?
Beteja e parë e Skënderbeut, ajo e 29 qershorit 1444 është zhvilluar në Dibrën e Poshtme, në Fushën e Çidhnës, në ato vende që Gjergji i Kastriotëve i njihte symbyllas që në vogëli. Cili strateg ushtarak nuk do të zgjidhte për të tërhequr në betejë armikun në ato terrene ku ai njeh çdo pëllëmbë toke ?
Skënderbeu, nga 26 beteja të mëdha që ka zhvilluar kundër ushtrisë më të madhe e më të egër të kohës, turqve osmanlinj, 19 beteja i ka zhvilluar në Dibër. Cili kordhëtar i madh nuk do të tërhiqte e ngrinte pusi kundër armikut në ato vende ku edhe rrënjët, degët, gurët, drurët, malet, luginat, gratë dhe fëmijët, do t’i kishte shpatulla e krah të fortë, armë fitoreje ?
TOPONOMIA DHE MIKROTOPNOMIA E REKËS SË EPËRME
Nga Avzi Mustafa/
Studiues të ndryshëm krahinën e Dibrës e ndajnë ne dy pjesë, në Dibrën e Epërme dhe Dibrën e Poshtme. Një ndarje të këtillë bën edhe Myler, i cili gjithashtu e ndan atë në dy krahina, në Dibrën e Epërme dhe Dibrën e Poshtme.
Në Lindje të Dibrës, rrethuar nga malet Korab, Velivar dhe Kërçin, në të dyja anët e lumit Radika, shtrihet një krahinë shumë e bukur e magjepsëse, me shumë ujë, kullota të shumta, lisa e klimë të mirë.
Në këtë krahinë, gjegjësisht në fshatrat e Rekës, jetonin shqiptarë që i përkisnin besimit të krishterë ortodoks, të cilët më vonë një pjesë u konvertuan në myslimanë, por të gjithë ishin shqiptarë. Kjo përçarje ishte rezultat i shumë grabitjeve e sulmeve të ndryshme, që zgjatën deri në shekullin XX. Masakrimet, djegiet e vjedhjet bënë, ashtu siç shkruan një gazetë, “…u shkret fare prej rrëmbimesh…. rrembjein, repin, pjekin”. Prandaj ata filluan të quhen të shkretë (Shkretë).
Fshatrat e kësaj zone janë të vendosura në shpatet e malit Korab dhe të maleve lidhur me të, si malet e Kabashit (2395 m), Bradasit (2168m), Lerit (2197m), Ostricës (1717m) dhe malit të Kus-Babait (2200m).
Territori i Rekës së Epërme përfshin rrjedhën e epërm të Lumit Radikë, ku janë të vendosura 16 fshatra: Beliçica, Bibaj, Bogdi, Grekaj, Kiçinica, Krakornica, Nishtrova, Niçpuri, Nivishta, Rimnica, Senca, Tanushaj, Vau, Valkovia, Vërbeni, Zhuzhnja, Dufi, Stezimiri, Reçi, Spiroglica, Bibaj, Grekaj e etj. Përgjatë rrjedhës së epërme të lumit Radikë dhe në shpatet e maleve shtrihen së paku 17 fshatra të banuara me popullsi shqipfolëse. Kjo krahinë e vogël nga veriu kufizohet me malin Vraca dhe Republikën e Kosovës, nga lindja me malet Bistrica e Kozhuf dhe Liqenin e Mavrovës, nga jugu mbaron me fshatin Sencë, i cili shtrihet në anën e majtë të lumit Radikë dhe nga perëndimi ka përballë malin e Korabit dhe krahinën simotër të Lumës.
Rekën e Epërme, në bazë të një dokumenti të kohës, ku përmendet krahina e Dibrës, e përmend Pukëveli, por edhe regjistrat turk të vitit 1467 e ndajnë gjithashtu krahinën e Dibrës në dy pjesë Dibra e Poshtme dhe Dibra e Epërme. Po ashtu kemi shfrytëzuar edhe defterët e shek. XV- XVI, të përkthyer e të botuar nga Arkivi i Maqedonisë, të përkthyesve nga Dr. Aleksandër Stojanovski dhe Metodija Sokollovski, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e subjektivizmit të përthyesve dhe redaksive të tyre.
Të dhënat janë për fshatrat: Beliçica, Bogdevo, Volkovi, Vërbena, Girqan, Kiçinica, Krakornica, Nishtrova, Niçipuri, Rimnica (Luminca siç e quajnë anasit), Senca dhe Zhuzhla ose Zhuzhnja. Për secilin fshat, në bazë të defterëve, do të japim një pasqyrë për vendbanimin dhe popullsinë, ashtu siç janë të shkruar, përkthyer dhe adaptuar në gjuhën maqedonase.
BELIÇICA – në regjistrimin e vitit 1467 është shënuar me emrin Bliçicë. Është fshat i krishterë, i pabanuar (hali). Shtrihet në verilindje të Dibrës dhe bënte pjesë në Nahinë e Rekës. Në vitin 1519 numëronte 18 familje; në vitin 1536-1539 janë regjistruara 18 familje, ndërsa në regjistrimin e vitit 1583 fshati futen në Nahinë e Rekës së Epërme (të Madhe), që bënte pjesë në sanxhakun e Ohrit dhe numëronte 30 familje të krishtera me 56 persona. Fshati posedonte 4 mullinj.
BOGDEVA – është fshat i krishterë dhe shtrihet në verilindje të Dibrës, në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467 Bogdeva është “has” i Karagjoz beut dhe hyn në përbërje të Vilajetit të Rekës; në regjistrin e vitit 1467 është shënuar me emrin BOGDV. Në regjistrimin e vitit 1519, fshati është regjistruar me emrin BOGDEVË, me 16 familje të krishtera, që nuk ndryshojnë as në regjistrimin e vitit 1536-1539; ndërkaq në regjistrimin e vitit 1583 fshati shtrihet në Rekën e Madhe ose të Epërme, hyn në Nahinë e Rekës dhe bën pjesë në Sanxhakun e Ohrit. Fshati numëronte 10 familje të krishtera.
VOLLKOVA – në vitin 1467 fshati ka qenë derven e i krishterë; shtrihej në verilindje të Dibrës, i takonte Nahisë së Rekës. Në defterin themeltar të këtij viti është regjistruar në kuadër të Vilajetit të Rekës si “has” i “zaimit”. Pra, bënte pjesë në Zaimet e Rekës së Karagjoz Beut dhe numëronte 6 familje të krishtera. Në regjistrimin e vitit 1519 i ka të regjistruara 13 familje të krishtera. Fshati Vollkovi në vitet 1519-1583 ishte derven, shtrihej në Rekën e Epërme ose të Madhe, pranë fshatrave Tërnicë e Debovë (fshat i zhdukur). Edhe në regjistrimin e vitit 1583 fshati Vollkovi është fshat derven, që bën pjesë në Nahinë e Rekës.
GIRQANI ose GREKAJ – është fshat i krishterë. Shtrihet në verilindje të Dibrës dhe bënte pjesë në Nahinë e Rekës, në kuadër të Sanxhakut të Ohrit. Në regjistrimin e viteve 1536-1539 fshati ka të evidentuar 11 familje, ndërsa në vitin 1583 fshati numëronte 20 familje dhe ka pasur 2 mullinj, që kanë punuar tërë vitin.
VËRBENi – shtrihet në verilindje të Dibrës dhe bënte pjesë në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467 fshati ka numëruar 9 familje të krishtera, me 722 akçe të ardhura dhe ishte “has” i Karagjoz Beut. Është shënuar me emrin VIRBNI. Në regjistrimin e vitit 1536/39 fshati numëronte 93 familje të krishtera dhe 1 familje myslimane. Në defterin osman për Sanxhakun e Ohrit të vitit 1583, mes tjerash, thuhet se: “fshati është i evidentuar me emrin VIRBEN me 50 familje të krishtera dhe 20 familje myslimane, prej të cilave 13 të islamizuara; fshati shtrihet në verilindje të Dibrës, ndërmjet fshatrave Shtirovicë dhe Sencë.” Me këtë regjistrim fshati ka numëruar 165 persona ose 120 familje të krishtera.
KIÇINICA – është derven dhe kryesisht i krishterë. Ai shtrihet në verilindje të Dibrës, në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467 ka qenë i shkretuar e i pabanuar, ndërkaq në vitin 1519 fshati ishte mera dhe në të ishin vendosur 8 familje të krishtera. Pra, fshati shtrihej në Rekën e Epërme (të Madhe). Në regjistrimin e vitit 1583 fshati Kishnicë është derven dhe ka ruajtur e mirëmbajtur rrugën Tetovë-Dibër dhe i takon Nahisë së Rekës që hynte në Sanxhakun e Ohrit dhe ka të evidentuar 12 persona ose 6 familje të krishtera.
KRAKORNICA – është fshat i krishterë dhe shtrihet në verilindje të Dibrës, në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467 fshati ka qenë “has” i Karagjoz Beut dhe bënte pjesë në Vilajetin e Rekës. Ai ka numëruar 3 familje të krishtera. Në vitin 1519 fshati ka numëruar 12 familje çifte të krishtera. Në regjistrimin e vitit 1583 fshati Kakornicë është në kuadër të Nahisë së Rekës, që shtrihej në verilindje të Dibrës në kuadër të Sanxhakut të Ohrit. Fshati ka numëruar 33 persona, 1 familje jobesimtare, 20 familje të krishtera dhe aty ka punuar 1 mulli .
NISTROVA – është fshat i krishterë dhe shtrihet në verilindje të Dibrës në Nahinë e Rekës. Në Vitin 1467 Nistrova është “has” i Karagjoz Beut, bënte pjesë në kuadër të Vilajetit të Rekës dhe numëronte 11 familje të krishtera. Në regjistrimin e vitit 1519 fshati është evidentuar me emrin NSTROVË dhe ka numëruar 36 familje të krishtera. Në vitin 1583 fshati Nistrovë, hyn në përbërje të Nahisë së Rekës, në kuadër të Sanxhakut të Ohrit. Numëron. Ai numëronte 83 persona, 70 familje të krishtera dhe ka pasur 3 mullinj që kanë punuar tërë vitin.
NIÇPURI – është fshat i krishterë dhe shtrihet në verilindje të Dibrës. Ai bën pjesë në kuadër të Nahisë së Rekës. Në vitin 1467 është “has” i Karagjoz Beut dhe ka qenë në kuadër të Vilajetit të Rekës. Në regjistrimin e vitit 1536/39 fshati ka numëruar 16 familje. Në vitin 1583, fshati Niçipur është në kuadër të Nahisë së Rekës në Sanxhakun e Ohrit, numëronte 28 persona, 20 familje, 2 tjerrtore leshi dhe 1 mulli.
RIBNICA – është fshat i krishterë në Nahinë e Rekës dhe shtrihet në verilindje të Dibrës. Në shek. XV-XVI kanë qenë dy fshatra fqinje, Ribnica e Madhe (Byjuk Ribnica) dhe Ribnica e Vogël (Kuçuk Ribnica). Në vitin 1467 Rimnica e madhe numëronte 10 familje, në vitin 1536/39 fshati ka të evidentuar 34 familje të krishtera, ndërsa në regjistrimin e vitit 1583 Ribnica e Madhe nuk është e evidentuar. Si duket, ato vite ajo u bashkua me Rimnicën e Vogël.
RIBNICA E VOGËL (Kuçuk Ribnica) – është fshat i zhdukur dhe shtrihet në verilindje të Dibrës në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467 është evidentuar me emrin Ribiçicë dhe ka numëruar 4 familje. Në regjistrimin e viteve 1536/39 është shënuar me emrin Ribiçica e Vogël dhe ka pasur 42 familje, mes tyre 1 familje muslimane. Ndërkaq në regjistrimin e vitit 1583 fshati nuk është evidentuar ose së paku mund të jetë i evidentuar me emër tjetër.
SENCA – është kryesisht fshat i krishterë dhe shtrihet në verilindje të Dibrës në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467 në regjistër është shënuar me emrin SENÇI. Ka qenë “has” i Karagjoz Beut, ka numëruar 4 familje, ka pasur 1 mulli. Në vitin 1519 fshati i ka evidentuar 42 familje të krishtera e 1 familje muslimane. Regjistrimi i vitit 1583 për fshatin Sencë është i plotë. Fshati është në kuadër të Nahisë së Rekës, në Sanxhakun e Ohrit. Ai numëronte 42 persona ose 30 familje.
ZHUZHLE – është fshat i krishterë në Nahinë e Rekës. Në vitin 1467 fshati është “has” i Karagjoz Beut, në përbërje të Vilajetit të Rekës. Në këtë regjistrim ka 5 familje dhe 2 mullinj. Në vitin 1519 fshati i ka numëruar 14 familje të krishtera dhe shtrihej në Rekën e Madhe (Epërme) pranë fshatit Nistrovë.
Në bazë të regjistrimit, që është kryer nga përfaqësues të shtetit bullgar në fillim të viteve 1900-të, në fshatrat e Rekës kemi 2861 shqiptarë ortodoksë dhe 2262 shqiptarë të fesë myslimane. Interesant është fakti se në Rekë kemi tre fshatra që banoheshin nga shqiptarët ortodoks, si në Z’LVAJSKO, KIÇENICA, BELIÇICA dhe tre fshatra të banuara vetëm nga shqiptarë myslimanë, si: SHTIROVICA, 400 shqiptarë mysliman, STROJÇA me 300 shqiptarë myslimanë dhe TANUSHA me 350 shqiptarë myslimanë. Për Shtirovicën kemi dëshmi edhe nga Bajazid Doda dhe Nopça.
Më poshtë po sjellim emrat e fshatrave që kanë banuar shqiptarët ortodoks të Rekës ashtu siç janë shkruar nga autorët bullgarë, serb dhe grek duke ruajtur origjinalitetin e tyre:
1. V’RBEN, ka pasur 300 shqiptarë ortodoksë dhe 360 shqiptarë myslimanë
2. V’LKOVIJA, 150 shqiptarë ortodoksë dhe 150 shqiptarë myslimanë
3. GREKANE, 25 shqiptarë ortodoksë dhe 14 shqiptarë myslimanë
4. Z’LVAJSKO, 35 shqiptarë ortodoksë
5. ŽUŽNE, 150 shqiptarë ortodoksë dhe 160 shqiptarë myslimanë
6. KIČENICA, 120 shqiptar ortodoks
7. BELIČICA, 450 shqiptar ortodoks
8. BIBANE, 32 shqiptarë ortodoksë dhe 90 shqiptarë myslimanë
9. BOGDEVO, 180 shqiptarë ortodoksë dhe 108 shqiptarë myslimanë
10. BRODEC, 360 shqiptarë ortodoksë dhe 150 shqiptarë myslimanë
11. NIVIŠTA, 170 shqiptarë ortodoksë dhe 180 shqiptarë myslimanë
12. NISTROVO, 150 shqiptarë ortodoksë dhe 230 shqiptarë myslimanë
13. NIČPUR, 250 shqiptarë ortodoksë dhe 220 shqiptarë myslimanë
14. D’BOVO, 24 shqiptarë ortodoksë dhe 90 shqiptarë myslimanë
15. REČ, 150 shqiptarë ortodoksë dhe 140 shqiptarë myslimanë
16. RIBNICA, 120 shqiptarë ortodoksë dhe 200 shqiptarë myslimanë
17. SENCE, 195 shqiptarë ortodoksë dhe 120 shqiptarë myslimanë
Sa i përket Rekës së Epërme, kjo trevë shqiptare me popullsi autoktone shqiptare është dyndur shumë herë nga vatrat e veta. Dyndjet e këtyre banorëve kanë kaluar në katër faza. Këto fshatra denbabaden kanë gjallëruar, mirëpo shkaqet ekonomike benë që lëvizja migruese të bëhet brenda trojeve shqiptare për të kërkuar të ashtuquajtur “tokë pa zot”.
Sa i përket Rekës së Epërme dyndjet e para filluan menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut. Këtë mendim e arsyetoj me një citat të nxjerr nga Marin Baleti: “Për besnikërinë dhe trimëritë e shumta dhe të shënuara që banorët kishin treguar për hir të mbretërisë së t’et, Gjonit në kohën kur i binte në qafë Otomani”. Mirëpo dyndja më e madhe e këtyre fshatrave filloi në shekullin XVIII, pas humbjes së një lloj autonomie të fituar më 1467. Nga një defter turk kuptojmë se figurojnë të boshatisura 13 fshatra, të cilat u vendosën rreth malit të Thatë dhe në Karshiakë e deri në Veles, ku ata tani formojnë një kurorë të fshatrave të migruara nga Reka e Epërme.
Sipas disa të dhënave, deri në vitet e ’60-ta të shekullit XIX Reka e Epërme fliste vetëm shqip. Këtë e na e përshkruajnë më së mirë udhëpërshkruesit bullgarë. Sipas profesorit universitar të Sofjes, Jordan Ivanov: “Popullsia shqiptare e Gostivarit, e krishtera, është bullgarizuar në kontakt me bullgarët” .
Mizoritë me format më të ulëta, si: përdhunimet, plaçkitjet, djegiet, vrasjet e torturat, që i kjo popullatë përjetoi më së miri i përshkruan Edit Durhami, e sidomos shkrimtari Haki Stërmilli, i cili i ka parë me sytë e tij dhe i ka përjetuar këto skena ferri. Ai do të shkruajë se: “terri i natës ishte zhdukur nga drita e zjarrit të katundeve të djegun prej serbëve …”.
Studiuesi Hamit Kokallari kur bën fjalë për vendbanimet shqiptare ortodokse në viset lindore, gjegjësisht për Rekën e Epërme, pyet: “Përse në shumë katunde të Shqipërisë etnike lindore (Maqedoninë Perëndimore), sikur kam mundur të vërtetoj vet, pleq e plakat e folshin me droe shqipen tonë me një të folme të kthjellët e të kullueme, kur mirshin vesh se ai qi kuvendonte me ta nuk ishte bullgar ose tjetër kush përveç shqiptar” që më pas të përgjigjet: “Vetëm puna, pse ata pleq e plaka na e folshin me dashje e me sy të përlotun shqipen”. Dyshimi i tyre ishte sepse të huajit më qëllime të caktuara i “masakrofshin pa mëshirë në shtëpitë e tyre natën”. Kësaj popullate askush nuk i doli në ndihmë – ata mbetën gjatë gjithë historisë së tyre si të shkretë, andaj edhe sot e kësaj dite nga tjerët quhen të shkret “Shkreti”.
Për të zhdukur gjurmët e shqiptarëve të kësaj ane, përpjekjet nuk janë ndalur as në kohën e Jugosllavisë së Titos, kur pushtetarët maqedonas të përkrahur nga disa antishqiptarë vazhdonin edhe më tej shkombëtarizimin e ortodoksëve shqiptarë. Me këtë rast po ofrojmë një dokument arkivor, që mban datën 4.12. 1967. Edhe pse shumica e shqiptarëve ishin shpërngul, ata që kishin mbetur në vitin 1967 kërkuan që në fshatin Sencë të mësojnë në gjuhën amtare. “Sivjet për here të parë prindërit nëpërmjet referendumit u deklaruan që mësimi të zhvillohet në gjuhën mësimore shqipe, duke mos u futur në zgjedhjen e kësaj çështje, megjithatë sjellja e disa shokëve nga Senca se ky akt nënkupton aksion që të shpërngulen maqedonasit nga Senca është i dëmshëm dhe për lloj kritike”. Çfarë absurdi – të gjithë ishin shqiptarë, por qëllimi ishte që popullsia me fe ortodokse të asimilohet dhe ata ia arritën qëllimit. Sot në tërë Rekën mund të gjesh vetëm turistë dhe barinj në stinën e verës.
Edhe pse nuk ka banorë që jetojnë ose ka shumë pak sosh, nga toka e Rekës del gjuha dhe vendi stërgjyshor i këtyre shqiptarëve. Këtë më së miri e dëshmon emërtimi i vendeve. Këtu do t’i japim vetëm ato që kemi mundur t’i evidentojmë, sepse në fakt kjo punë kërkon angazhim ekipor.
Makrotoponomia
Në klasifikimin e materialit nuk e kemi ndjekur asnjë kriter, por vetëm i kemi evidentuar, sepse qëllim ynë nuk është që të mbështetemi në kriteret e klasifikimit, as në prejardhjen e as në pikëpamjen shtresore e lesiko-semantike, por vetëm që të evidentohen ashtu si i përdorin banorët lokal dhe si janë të evidentuar në hartat topografike: Bgjeska e Rudovës, Bgjeshka e Bistrës, Bgjeshka e Kabashit, Bgjeshka Vërbeni, Bgjesha e Vaut, Leri, Guri i Zi, Sutovica, Gjolet Karkornicës, Guri Kush, Guri Dashit, Vorri Shkaut, Stanet e Baltës, Bgjeshka e Reçit, Gropza, Skrel. Guri i Markut, Kodra e Fudanit, Rast e Ngult, Gjini Voda, Golem Argat, Guri i Zi i Vogël, Çesma e Zhypit, Kodra e Made, Taume e Ali Baklavës, Krasta, Kulla e Asanit, Qafa e Kadisë, Strezimirski Çam, Kisha e Dingozit, Gun Gabash, Kushi Baba, Guri i Deplnis, , Kepi Bard, Guri i Zhytetit. Manastiri (ec), Korabi i Nistrovës, Cuselija, , Bgjeshka Tuentes. Shumica e këtyre emetimeve janë shkruar në gjuhën maqedonase me deformime si grafike ashtu edhe drejtshkrimore, që sot me të vërtetë të kemi një kakokofoni të turpshme jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë maqedonasit.
Mikrotoponomia
Kështu është bërë vetëm evidentimi i tyre sipas fshatrave dhe materiali është marrë nga njerëz, gjegjësisht bashkëbisedues drejtpërdrejt. Në vazhdim do t’i japim ashtu siç i quajnë këto mirkotoponime banorët lokalë në të folmen e tyre.
Duf: Guri i Xhinit, Uji i Zanave, Ajozma e Merzivecit, (edibe), Gropa e Shabanit, Bgjeska e Madhe, Bgjeska e Vogël, Kisha e Dingozit, Argaqi i Katunit, Korija i madh, Korija i Livadheve, Guri Cakut. Tolej, Brozovec, Çajane, Ballaban Jerqevish, Grika, Sulo, Livadhi Karshi, Livadhi Garipit, Livadhi Torit, Te Arat e Dervishit, Te Arat e Izvorit, Te Lenishta, Te Rrafsha e Llambit, Te Bataranka, Te Kroi i Xhemës, Te Kroi i Gjonit, Te Guri i Kulenit, Te Jazi i Mullinit, Ujte e Mellcës, Te Prroi i Kojës.
Zhuzhnjë: Vorret e Llatinëve, Groshticë, Bigori i Nivishtes, Bgjeska e Nistrovës, Bgjeshka e Tutens(Nopça), Gun Gubash, Sila Vort, Prrue i Likës, Alnishtë, Prroi Thell, Përroi i Bukovenit, Hurda te Zabelet, Klenjt.
Niçipur: Shullo, Guri Gorit, Mulla Ambl, Kroi Ftoet, Fushija, Guri Stomit, Guri Shushes, Kumlla e Rediti, Guri Kush (Kuq), Vorret e Mlla, Kroj i Dullës, Kroj i Smilit, Darda e Made, Prroi i Panës, Ara e Alisë, Ura e Dubanes, Kroj i Verrinit, Llomba e Neselkut, Kroj i Similverit, Guri Shtjafit, Livadhi Kagjos, Guri Vërcakut, Bregu i Botës (dheut), Guri i Katilit, Ara e Lagut, Kroi i Kustaret, Guri Zhypit. Kroi Elinaket, Kroi i Pecit, Kisha e Shumtanasit. Livadhet e Niçpurit, Guri i Shushesh, Ara e Ivanit, Guri i Katillit, Vorri i Gjurçinit, Kurti i Kishës
Bogdë: Kroj i Shushes, Reka e Endigos, Boget .Shavare, Vorri i Bibës, . Gorishta, Përroi i Folit, Pëçushta, Legala, Rrasa e Haxhisë, Livadhi i Gjurës, , Mërizi i Llopfve, Shpella e Madhe, Kandova, Llombet, Reçicat, Lugu i Priftit, Tallonbazi, Reshkia, Leret, Bgjeshka e Bogdit, Livadhet e Tërshanës, Rrasa e Kushe, Ligatat e Shpatit, Çuka, Karapushi, Guri i Dardhishtës, Vorret Rimjan, Koria, Lloqet, Livadhi i Plakut, Bogëze,Stani i Sadikut, Stani i Dairt, Merizi i Vjetër, Kroi i Vanes
Beliçicë; Kroi i Madh, Kisha e Shumkollit, Korija, Ballaban, Brezovec, Goverdanik, Toljane, Korilja e Vjetër.
Krakornicë: Kroi Katundit. Gjolet e Karakornicës, Kisha e Endigos, Guri I Kojës , Shtëpia e Pashës, Guri i Kush, Livadhet e Pashës, Tumba, Guri i Ukut, Gropsa, Guri i Dashit, Llomba, Dradha , Çeshma e Katundit, Çeshma e Sollomonit, Çeshma e Pashës, Çeshma e Nuses së Re, Skrel, Strazhnik, Guri Kush, Guri Bullit, Arat e Vasilit, Kaliba e Zhypit, Stogjet, Livadhet, Bigori, Vasilia, Krroi i Tomes, Llofka i Janes.
Vau: Ujë të Vaut, Bgjeshka e Vaut, Bulli Vau, Livadhi Madh, Guri Bigorit ( Bigorski Kamen), Dedebeg, Zenelbeg, Bgjeshka e Brodashit . Guri Bunarit (Bunarski Kamen).Ligata e Madhe, Boge, Radovec, Tumba, Proska, Fudan, Rasilla, Livadhi i Nidës, Bunar, Bigori, Shpella e Helvës, Shpella e Shtirovicës, Guri Deshat.
Vallkavija: Ura e Vallkavisë, Përroi i Thellë, Guri i Gostilës. Ara e Nelit, Kazana, Bandera, Ligata e Madhe, Delmna, Kroi i Ukut, Kroi i Madh, Rrafsha e Epërme, Kroi i Sharitun, Kroi i Ftoftë, Guri i Andonit, Gropa, Ara e Bilallit, Ara e Madhe, Vorret e Eperta, Murizi, Ara e Vegjisë, Kërçelja, Guri i Minit, Te Ara e Zheshkut, Guri Abazit, Sadoli, Ligata e Madhe, Dardhat e Brenit, Guri i Orlit, Kroi i Kakudës, Sllana,
Sence:Ura e Shtremët, Qafa e Sencës
Gregaj: Përroi i Gregajt, Qafa e Belart( dalje për tu lidhur me fshatrat Gregaj dhe Tanushe .
Tanushë: N’Pirg, Meniku, Skretec, Lisenj, Tri Sinure, , Guri i Arushës, Skretec, Bacili, laket Zhypet, Livadhet e Tanushës, Maja e Madhe, Guri i Lam, Hurdet, Laktar, Bregu i botës, , Ligatat e Medhaja, , Ligata e Tanushës, , Q(shaja)afa Barallavit, Kykul, Shall t’ Rimnicëces, Krroi i Dushkut, Krroi i bregut, Krroi i Barallavit, Krroi i Ftohet, Krroi te Mullinjt, Krroi i Skertecit, Krroi i Marleshit, Hurzet, Te Burimi, Bregu botës, Shpella e Dinkos, Shpella e mehmetit, Guri Kush (j), Guri i Memet, Guri Mexhit, Krroi Bibe, Ujt Kalar, Krroj Bibe, Te Jurukut.
Nistrovë, Rrafshi i Madh, Bgjeshaka e Nistrovës, Kodra e Kullës, Mali i Grabovës, Gunga e Bashës (Kjuselija), Kodra Kulla, Mali i Grabovës, Livadhet e Grabovës, Ara e Korabit, Pirgu Radomir, Osog, Strung, Mollka, Kisavica, Livadhi i Priftit
Belicë: Bigori i Ternicës, Manisterishte, Kazan, Korija
Vërben: Livadhet e Turkut, Trauli, Livadhet e Traulit, Jonxha e Tanallarëve, Livadhi Hajdarit, Fusha e Llukovës, Bozhina, Guri i Damanit, Arat e Damanit, Krroi i ftoht te Bgjeska e madhe, Krroi i Markut, Krroi i Varaçes, Guri Hulës, Manastiri Kozha, Kozha e Vërbenit, Molla e ambëll (ogradë), Kroi i Vogël, Kryet e Livadhet, Ograda e Kryshes, Jonxha e Nazisë, Kisha e Vogël, Beli Kovaç, Ograda e Kostes, Ograda e Dojçit, Kroi i Hoxhës, Voret e Muslimaëve, Voret e ortodoksëve . Mëlla e Epërme, Mëlla e Mjedisme, Mëlla e Poshtme.
Shtirovicë: Kroi i Razhnikut, Fusha e Korabit, Belanxha, Stanet e Niçpurit, Rasa e nguljt, Ura e Torbeshve, (Torbeski Most), Qafa e Kadisë, Kuqi Baba, Guri Bardh, Guri zi, Stani i Baltës, Silanski Kamen, Mengallova Kulla, Karpa, Skalsi Rid, Guri Madh. Gropsa, Guri i Deplnis (Dhelpës), Kepi Bard ( Bardh), Strezimirski Çam , Guri i Dutetit (Zhuteti, )Vorri Osmanit, Guri Kush.
Riminicë: Pralluka, Shullo, Kroi i Xhamisë, Kroi i Shahides, Kroi i Shtutkajve, Shpella e Veljanit, Livadhet e Priftit, Guri Gjatë, Krroi i Ftohohëet, Krroi i Azemicës, Rrasat e Zeza, Vorret e Kondes, Ujt e Shumes, Vorret e Vashave, Guri i Shqypes, Skalica, Kunorçe, Ara e Gjatë, Ragapec, Mihavec, Gradinec, Bregu,
Leskova: Dikur ka qenë si lagje më vete afër Vaut. Ky fasht është boshatisur. Banorët e këtij fshati një pjesë janë shpërngul në Vërbjan dhe një pjesë në Jabollçishtë të Velesit. Tani këtë fshat, siç thotë bashkëbiseduesi, e kanë zaptuar gjarpërinjtë, që dalin nga themelet e shtëpive. Aty kemi vetëm livadhe dhe i quajmë Livadhet e Leskovës, Përroi i Rimnicës.
Reç: Hurdha e Idrizit, Bgjeshka e Reçit, Kodra e Kulsit, Guri i Shtytrit, Ujmisht , Llukovo Pole,
Nishirova ( Nikiforovo), Leunova. Në këto dy fshatra jeton një pjesë e shqiptarëve të Rekës së Epërme. Këto dy fshatra i takojnë Rekës së Vogël: Sendaktash, Golema Krasta, Crn Kamen, Izvorçe, Baçilishte, Zhezhnica, Radimost, Prisoj, Livada, Dukesh, Dominoo, Livajca, Jaori, Masllarica, Ogragje, Lekoec, Gjuroec, Petilep .
Toponimet e Rekës së Epërme, si çdo toponimi tjetër, pasqyrojnë imazhin e vendit, të banorëve, të gjuhës, të historisë etj. Prandaj ne nuk do të ndalemi në këtë punim në klasifikimin e toponimeve ose në mbështetjen e klasifikimeve të ndryshme që ekzistojnë në literaturën shkencore, por do t’i ndaj toponimet e Rekës në toponime natyrore dhe në toponime kulturore. Pra, në toponime që pasqyrojnë reliefin e vendit dhe toponime që pasqyrojnë historinë e vendit, të cilat me gjuhën e tokës na dëshmojnë për autoktoninë tonë.
Ne bazë hartave dhe në botime të autorëve të ndryshëm, toponimet e Rekës së Epërme i gjejmë edhe me emra te ndryshëm si. p.sh, fshatin: Zhuzhnje e gjejme si: Zhuzhnja, Zhezhen, Zhuzhnje; po shtu Verbjani dhe Vrbjane; Gurin e Qytetit si: Guri Dutetit dhe si Zhutetit; Gurin e Kuq si Guri Kush; Shen Pjetrin si Shen Qetri. Ne Shtirovice toponimin Guri i Dhelpnës si “Guri Delpnis”, Gurin e Bardh si “Guri Bard”, “Sila Vort” (tautologji interesenate), pastaj Beliçicën si: Beliçica dhe Belçica, Bogdi si Bogdevë, Gryken si Grikë, Kepi Bardhë si “Kepi Bard” (Mapcarte) Valkovija si Volkovijë
Në botimet e ndryshme te autorëve te vendit dhe të huaj toponimet e Rekës së Epërme i gjejmë edhe në këto forma: fshatin Sence si SENÇI, Ribnicen si Rimnicë dhe si Luminicë, Mllakin si Ligata, Gregejn si Girqani, Vaunën si Brodec, Kishën e Shën Nikollës si Kisha e Shumkollit, Kishën Shën Pjetrit si Kisha e Sheqentrit, Bogdin si Bogdevo.
Në këtë regjion sot ndeshemi me shumë toponimi të burimeve të ndryshme shqipe, romake, turke, sllave. Janë këto toponime të formuara me fjalë të parme, me parashtresa dhe prapashtesa, me parafjalë, me kompozita, por edhe më keq – edhe me përkthime prej një gjuhe në një gjuhë tjetër. Bashkëbiseduesit tim me inicialet Vitko T. më pohon: “se ne kur folim me të qetrat (të tjerit) i “rrotullojmë” (që to të thotë se i përkthejmë) aty ku mundemi. Kjo shihet qartë te toponimi që gjendet në Shtirovicë. Ai që e ka “rrotulluar” nuk e ka ditur se si i thonë çamit, andaj e ka bërë Strezimirski çam e jo Stezimirski bor”; “Mahija e Madhe” në vend të Nahisë së Madhe ose Gjini Voda për Uji i Gjinit, Kodra Made në vend të Kodra e Madhe etj. Është shumë interesant edhe një toponim që mendojmë se do të zgjojë interes dhe diskutim. Toponimi “Guri nguljt”, me të cilin banorët lokalë të dikurshëm të Shtirovicës e quajnë vendin e tyre, kurse banorë të fshatrave përreth këtë toponim e emërtojnë si “Guri Shtrum” e dikush “Rasa ngult”. Tani shtrohet pyetja se cili emërtim është i drejtë dhe si do të përdoret.
Duke përfunduar do të themi se duket se ka ardhur koha që toponimet të gjejnë zgjidhje të drejtë që ato të përdoren ashtu siç i emërtojnë banorët e vendit dhe të standardizohen. Ndryshe do të ndodhë ashtu siç i shkruan një mik Milan Kunderës, Hubel: “Për të asgjësuar popujt fillohet duke asgjësuar kujtesën e tyre. Shkartohen librat, kultura dhe historia e tyre. Dhe, dikush tjetër shkruan libra të tjerë, i përcjell një kulturë tjetër shpik për to një tjetër histori. Mbas kësaj populli fillon dalëngadalë ta harrojë atë që është dhe atë që kishte. Dhe, bota përreth tij harron më shpejt se akoma”.
Burimet:
Arkivi Qendror Shqiptar, F. 203. Pa vit, D.1409, f. 21 cit, sipas Qerim Litës.
Barleti Marin, “Histori e Skënderbeut”, Vatra Shkup, 2004, f. 164
Defteri i Dibrës dhe i Matit, Stamboll, dosje 508 pranë AIH të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
“Shqypja e Shqypnis, Sofje, 21. 10.1909, nr. 10
Dervishi Nebi, Dëshmitë e Rekës shqiptare sipas regjistrimeve nëpër shekuj
Doda Bajazit & Nopça Franc, Jeta fshatare shqiptare ne Rekën e Epërme, Tetovë, 2012
Durham, M. E., Njëzet vjet ngatërresa ballanike, Tiranë, 1944,f. 247
Jakupi Enis, Reka – vendi im, Tetovë, 2007
Haruni Sefedin, E folmja shqipe e Rekës së Epërme të Gostivarit, Shkup, 1994,
Lita Qerim, Disa burime arkivore për Rekën e Epërme, botuar në gazetën ditore Lajm.
Osmani Edibe, Rite e besime popullore ne viset e Tetovës dhe Gostivarit, Shkup, 1997
Stërmilli Haki, Dibra në prag të historisë, Tiranë, 1940. f. 95
ДАРМ – одделение Тетово, Ф. ОК на СКМ Гостивар, Извештај на Општинскиот комитет меѓу I и II Општинска конференција, Гостивар, 1967
Бајазид Дода & Франц Нопча, Албанскиот селски живот во Горна река кај Дебар (1914)
Vitomir Tanaeski, 60 vjeç. I lindur nga fshati Vërben.
Shahidie Ahmeti, e lindur në Duf, 86 vjeçare
Lifet. K. Informator, Jeton në Gostivar, 51 vjeç
Danica Milloshevska, 59 vjeçe) e lindur në Gostivar, por prindërit e saj janë nga Nikiforova.
Çamëri, emër tipik i autoktonisë shqiptare
Nga Prof. dr. Selman Sheme/*
“Çamëri” dhe “Epir” janë toponime të një regjioni dhe se kuptimi i tyre gjatë shekujve mori dimensione hapësinore të ndryshme. “Çamëri, një nga emrat tipikë që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve në vendbanimet e tyre të sotme”, thotë ai.
Toponimet janë gjurmë të kulturës materiale dhe shpirtërore, nëpërmjet të cilave dëshmohet gjuha dhe historia e popujve të ndryshëm. Ato ndihmojnë për të sqaruar etnogjenezën, marrëdhëniet shoqërore-juridike dhe përbëjnë një komponent të fuqishëm të diversitetit kulturor të regjioneve gjeografike. Toponimet janë përmendore të kulturës njerëzore. Emrat e vendeve (toponimet) janë bartëse të kujtesës sociale dhe kanë si referencë mjedisin natyror, historik, gjuhësor, politik etj. Çamëria në çdo periudhë historike është paraqitur si një regjion gjeografik dhe etnografik unikal, i identifikuar, megjithatë emri i saj gjatë shekujsh nuk ka qenë i qëndrueshëm, por ka ndryshuar nga njëra periudhë historike në tjetrën. Këto ndryshime shprehën procesin historik të zhvillimit të saj.
Në ditët tona përdoren paralelisht dy emra për këtë krahinë si dublim i njëri-tjetrit. Çamëri për vendin dhe çamë për banorët dhe Epir për vendin dhe epirotë për banorët e tij. Në të folmen e popullit përdoret emri i parë, ndërsa në literaturë më tepër i dyti.
Emri “Epir” dhe “epirotë” ndeshet veçanërisht në literaturën greke, kurse në literaturën shqiptare në përgjithësi përdoret emri popullor Çamëri për vendin dhe çamë për banorët e tij.
Këta dy emra i ndeshim jo vetëm në literaturën e kohës së sotme, por edhe në literaturën historike që nga kohët më të lashta. Kuptimi i tyre nuk është i njëjtë në çdo kohë. Herë njëri shtrihej në një territor më të gjerë e tjetri përfshinte një hapësirë më të ngushtë, herë njëri paraqitej si kryenjësi e tjetri si nënnjësi.
Luhatja e këtyre dy emrave është e lidhur me prejardhjen (origjinën) historike dhe veçoritë e zhvillimit politiko-shoqëror të krahinës në shekuj. Emri “Epir” ka qenë përdorur në kohën e lashtë nga autorë grekë si emër i përgjithshëm që përcaktonte pozitën kontinentale të krahinës përballë Greqisë ishullore (Epir në greqisht do të thotë stere, tokë).
Nga fundi i shek.VI p.e.s.(para Krishtit), ai u shndërrua në një emër të përveçëm gjeografik, ndërsa në gjysmën e dytë të shek. IV para Krishtit ai mori edhe përcaktim politik. Epiri banohej prej 14 fisesh, ndër të cilët kryesorët ishin tesprotët, kaonët e molosët, të cilët ishin etnikisht të një trungu me ilirët.
Gjithashtu edhe emri Çamëri ka origjinë (burim) të lashtë historike. Gjejmë sot trajtesat më të hershme lidhur me prejardhjen e emrit Çamëri, që u takojnë studiuesve të huaj të shek.XIX, M.Leake e F. Pouqueville.
Vëmendja është drejtuar nga toponimia që ka natyrë konservative dhe ruhet relativisht gjatë edhe kur ka zhvendosje popullsish. Është vërejtur një lidhje e ngushtë e emrit Çamëri me emrin e lumit që përshkon krahinën – Thjam-isit antik. Thjami është identifikuar me Kalaman, lumi që shkon pranë shkallës së Filatit (shkalla e Zorianit). Dijetari i njohur anglez William Leake, në fillim të shek.XIX pa te fjala “çam” një reflektim të emrit të vjetër të Kalamas, të emrit Thjamis, duke e paraqitur në një vazhdimësi jo greke.
Studiuesi grek, Nikoleos Georgios Nikokles, mbështet tezën se fjala “çam” do të thotë “pisha”, ose vendi i banorëve të pyjeve me bredha. Ky studiues mundohet të argumentojë se ngjashmëria e fjalëve “çam-pisha” është një dëshmi se shqiptarët kanë qenë të ngulitur në Danub dhe, në kohën pas Krishtit, ky emër grek bashkë me popullin kanë kaluar në vendbanimin e ri ilirik (Çamëri).
Studiuesi gjerman I.Ph. Fallmerayer e kundërshtoi këtë tezë antishkencore. Ai argumenton se fjala “bredh”-çam (pylli me bredha) është një fjalë e parme turke dhe jo fjalë e parme greke dhe, si shumë fjalë të tjera, ka ardhur te shqiptarët nëpërmjet lëvizjeve migruese dhe marrëdhënieve me turqit e imigrues në Europë. Dhe më tej vijon: – Ndofta emri i provincës bregdetare shqiptare “Çamëri” nuk është i prejardhur as nga greqishtja e as nga turqishtja, por nga emri i stërlashtë i lumit Thiamis.
Në fillim të shek XIX, studiuesi francez F.Pouqueville, në veprën e tij prej gjashtë vëllimesh “Vyage delle Greece”, përshkrimi i Çamërisë dhe i krahinës së saj, Sulit, zë pesë kapituj. Racën shqiptare ky autor e ndan në katër regjione etno-gjeografikë: në gegë dhe Mirditë, në toskë, në labë, e në çamë. “Katundet e zallit te Thyamis (sot lumi Kalama) janë shqiptarë të krishterë të gjuhës çame” (Vëll II, fq 103)… Çamëve u ka hije lëvdata për trimërinë, bukurinë, pastërtinë e zgjuarsinë.
Në hartat etnografike të botuara në shek. XIX nga studiuesit e huaj, F. Pouqueville, G.Lejean, J.Perthes, K.Saks etj, shtrirja e krahinës së Çamërisë deri në gjirin e Prevezës paraqitet me unitet gjuhësor territorial shqiptar. Në hartën e tij etnografike. J.Perthes në 1851-shin e ka të shënuar toponimin Çamëri në shtrirjen gjeografike të tij.
Në punimet e prof. Çabejt, vazhdimësia e këtyre dy termave (Thiamis-çam) shpjegohet në bazë të ligjeve të zhvillimit fonetik të shqipes. Autori ynë, duke u mbështetur në këtë fakt, e paraqet emrin Çamëri si një nga emrat tipikë që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve në vendbanimet e tyre të sotme. Sipas tij, edhe zhvillimi fonetik Arachthos (emri i lashtë i qytetit të Artës) shpjegohet më mirë me anë të shqipes, sesa greqishtes.
Megjithëse emrat “Çamëri” dhe “Epir” janë toponime të një regjioni, kuptimi i tyre gjatë shekujve mori dimensione hapësinore të ndryshme.
Emri “Epir”, meqenëse shprehte “vendin e pyjeve me bredha”, u shtri në drejtim të veriut, të arealeve të pyjeve me bredha, deri në gjirin e Vlorës, e më tej. Skënderbeu e quante principatën e tij pjesë të Epirit. Në këtë kuptim, Epiri filloi të identifikohej me një krahinë të madhe, që shtrihej nga gjiri i Artës në jug, deri në atë të Vlorës, në veri. Ndërsa emri Çamëri mbeti në shtrirjen historike nga gjiri i Artës në jug, e deri afër atij të Sarandës, në veri.
Kështu bashkëjetuan këta dy emra, njëri për të shprehur një krahinë të madhe si kryenjësi dhe tjetri një krahinë më të vogël si nënnjësi. Krahina e Epirit përfshinte atë të Çamërisë si nëndarje të saj. – Këto dy krahina njëra më e madhe dhe tjetra më e vogël pësuan gjatë shekujve edhe nënndarjet e tyre, të cilat shfaqen në aspektin gjeografik dhe në atë etnografik. Këto nënndarje morën edhe emrat e tyre të veçantë. Epiri në aspektin gjeografik ndahej paralelisht në dy pjesë që quhen: Epiri i Veriut apo “Vorio Epiri” siç quhet nga grekët, i cili shtrihet nga gjiri i Sarandës deri në atë të Vlorës dhe “Epiri i Vërtetë” apo Epiri i Jugut që shtrihet nga gjiri i Sarandës, deri në atë të Artës. Epiri i Jugut ose Epiri i vërtetë përputhet me atë krahinë që quhet Çamëri.
Po ashtu edhe Çamëria ndahej në dy pjesë, por nënndarja e saj ishte në drejtim meridional: në pjesën lindore më të lartë shtrihej “Malësia e Çamërisë”, kurse pjesa perëndimore që shtrihej në viset më të ulëta quhej “Fusha” apo Çamëria e vërtetë”.
Këta emra me luhatjet e tyre njëri pranë tjetrit ose njëri mbi tjetrin kaluan rrjedhën e shekujve deri në ditët tona.
Si kudo në hapësirën etno-kulturore shqiptare në Ballkanin Perëndimor, që mbetën jashtë kufijve politikë të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në 1913-n, toponimet pësuan deformime të theksuara.
Pas pushtimit të Çamërisë dhe trojeve të tjera jug-shqiptare, kolonistët greke bënë riorganizimin politiko-administrativ dhe ndryshuan në mënyrë të ndjeshme fjalorin onomastik të trojeve shqiptare. Ndryshimi i toponimeve është bërë në forma të ndryshme, siç është përkthimi në gjuhën greke, përshtatja apo edhe ndryshimi tërësor i tyre. Këtë fat pati edhe toponimi “Çamëri”, i cili qëndron gjallë dhe i fuqishëm më tepër në përdorim të popullit dhe në literaturën shqiptare për këtë krahinë. Emri “Epir” u shua nga përdorimi i popullit dhe mbeti vetëm në literaturën greke. Grekët e përdorin këtë emër për arsye politike. Pasi aneksuan Epirin e Jugut (Çamërinë), ky emër i ngjallte aspirata edhe për aneksimin (pushtimin) e Epirit të Veriut ose Vorio-Epirit.
Në shërbim të strategjisë së helenizimit të gjithë Shqipërisë së Jugut, qeveritë greke, jo vetëm kanë hedhur në qarkullim një literaturë të gjerë propagandistike, por kanë përdorur mjete nga më të ndryshmet, ku përfshihen nga asimilimi me dhunë deri te dallimet në trajtimin e emigrantëve dhe çamëve të shtetit amë, duke mos u dhënë leje-kalimi për të vizituar trojet e tyre.
Ngjarjet e kohëve të fundit dëshmojnë se edhe në nivele shtetërore, në Greqi janë të pranishme atavizmat e së kaluarës dhe reminishencat nacionaliste dhe raciste për diskriminimin e qytetarëve sipas kombësisë, duke shkelur konventat ndërkombëtare mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat janë firmosur edhe nga shteti grek. Qeveria greke duhet të kryejë detyrimet ligjore e kushtetuese për trajtimin e popullsisë çame dhe arvanitase në Greqi si pakicë etnike. Vetëm në këtë mënyrë mund të mëtohet për integrim dhe demokratizim të rajonit të Ballkanit. “Çamëria, -shkruan shkrimtari I.Kadare, – nuk është një fantazmë që ngrihet për të errësuar miqësinë midis grekëve dhe shqiptarëve, përkundrazi, kur popujt lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më shumë dhe e duan më shumë njëri-tjetrin”.
* Prof. Dr. Selman Sheme eshet keto dite ne New York dhe te dielen ne oren 5 pm vatar do te organizoje nje bisede dhe takim promovues me librat e tij per Camerine.