Nga REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
(Pledoaje etike)/
1.
Të bezdisshme e shpresëpakta janë ditët e lojës elektorale të Kosovës. Figurinat që pështillen ndër sheshe, rrethuar truprojash e nga ata që militojnë si në trans, janë ose të pakultivuar ose të inkriminuar, ndonëse shpesh, gati si rregull, i kanë dy tiparet bashkë. “Gjithçka që thuhet në komunitet, duhet të çojë në dashuri” (thotë Shkrimi i vjetër), por ata nuk mund ta bëjnë këtë. Fjala a bëma e tyre s’përçon tjetër pos brëngë, urrejtje dhe helm. Mirëpo, për paradoks, tash sa vite ato nuk morën asnjëherë formën e votës refuzuese a të ndërgjegjës së organizuar qendrestare. Një gjëndje ambivalente ngurtësohet përherë: mëllefosje e zhgënjim i thartë, në një anë, dhe apati e mpakje, në anën tjetër.
Në demokracitë e mirëqena, ai që delegon vullnetin dhe tjetri që merr n’dorëzim atë, ndërtojnë një mirëbesim të ndërsjellë e absolut. Këtë (veç shtypit të lirë, avokatisë së shtetit…) do ta sigurojë, së paku në vendin e gjermanëve, dhe një institucion i veçantë, Këshilli i Etikës, që ndjek jetësimin e premtimeve fluturake, duke denoncuar vesin e lig të mospërmbushjes së tyre. Sepse, para se të shpërthejë kriza politike, fillimisht etika jep shpirt…Ky kallëzim faturohet rëndë qysh gjatë legjislaturës, e sidomos në mbarimin e saj, kur kërkohet sërish verdikti sovranor. Po edhe kur ajo s’është e tillë, apo kur, në një kapërcyell historie përdhunohet egërsisht duke nxirë jetën qytetare, aherë përligjen krejtësisht referencat e qytetnisë që (neni 35 i Kushtetutës franceze të vitit 1793) sanksionojnë të drejtën e Kryengritjes popullore për të rrëzuar kastën e molepsur politike.
2.
Po, anise ende e largët si yjet, një natë kisha një prehje çastësore që s’kje veç deshirake dhe, e tillë, do të tretej shpejt, si vesa, para diellit të së vërtetës hidhtuese.
Ndërsa ndiqja një edicion lajmesh pashë një politikan, një nga krerët që rreket ti prijë Kosovës, tek gjithë shend, mori kazmën në dorë në aksionin e rrëmujshëm për dëlirjen e Kryeqytetit. Kje një pamje aq mahnitëse, autentike dhe e hirshme në natyrshmërinë e saj. Fqinjëronte me pikturën ideale…Më kujtoi dhe mote të ikura. Thuase kishte lënë bazën proletare dhe, për të mbushur kuotën klasore, si mësonin herët sovjetët popullorë, ishte ngjitur shkallësh të kierarkisë, e tani rikthehej simbolikisht tek lavdia e turmës. Veçse, me një diferencim të hollë e domethënës. Vegëza e përvijimit që pasonte shërbimet e pazë, është thelbësisht tjetërfare: në vend fijesh nga instanca e autokracisë, është nëntoka e krimit të karteluar, që e mban apo e shtynë përpjetë në fronin tempullor.
Sidoqoftë, për një çast, gjithësesi të shkurtër e mashtrues, pata një ngazëllim dhe ndjesi plotësie. Sa i kishte hije almisja e dashur, mendova. Ndaj, s’kish si të mos thoshja: ja si do të dukej rendi i mbarë i gjërave. Pa përçmim për kazmën e bekuar bukëdhënëse, ky liderth fjalëkotë e me hijerëndesë të stisur, ashtu duhej të ngryste orën e tij. Sepse, ajo e ai, të ndarë padrejtësisht, rivendosën lehtësisht dhe përplot emocione e ngrohtësi, marrëdhënien e prishur të mirëkuptimit, si mes dy të njohurish të vjetër. Statura e palëmuar e tij, përdorimi i veglës, gjuha burimore, mandej dhe ashpërsia finoke e saj (as ajo s’krenohet dot për elokuencë) e, pse jo, nevojësia kontributore – a nuk jepnin mallëngjimin e djegshëm dhe harmoninë e përkryer? Lamtumira e tyre aksidentale kje një mëkat, një rrëzomë pasojash largvajtëse për Republikën e mosvarme…Ato ndihen gjithkund e do të krusmojnë më shumë, vdekshëm më shumë në kohët që vijnë!
Se, gjithësesi i lig është kaptimi, tashmë i kryer, i udhës së matanshme: sfida e vizionit dhe moralit, është, thjeshtë, e papërballueshme për të a tipologjinë e shartuar të llojit. Madje dhe ëndërrliga e kamjes prrallore apo shndrizës meteorite, nuk bëjnë një ngushëllim të paqëtuar. Kosova, sado e vogël dhe e vetmuar, i ka duruar gjatë, por ka ditur ti mallkojë përjetë sundtarët e zinj.
3.
Por, jo! Ekuilibrat janë përmbysur.Thënja e Niçes se kudo që ka një luftë, ajo është luftë për pushtet, sikur gjen në këtë copëz të ishulluar mbrapsije, pasqyrimin dhe dëshminë e vet të mnertë. Kështu ishte gjatë, këputshëm gjatë. Janë ndërruar sundtarët, por pothuaj gjithçka vulosej prej të drejtës së mujshisë verbtane. Shqiptarët vetë i përfaleshin fuqisë dhe përtallnin dijen, magjinë e saj çliruese. Nuk patën dhjetë shekuj inteligjencë (Kamy) që të mësonin artin e barasvlerësimit ekzistencial mes forcës dhe njohurisë. Ndaj, mendtarët nuk i lënë as të vdesin denjësisht, ndërkohë që “trathtarët e kazmës” bujare dhe, më pas, të vetë idesë së shtetit, rrëmbejnë parësinë e keqsundojnë!..Harbohen në ethe triumfi me përkushtim shtinjak për punët e mëdha, ndërkohë që kanë vënë në furrik favoresh klanësit e shumtë, e s’dinë a s’duan të kenë imagjinatë dhe ndjesi detyre për statusin e njeriut të vogël, atij që u kalvaros netësh bizantine, e përulet sërish…Pikërisht kështu portreton Enciklopedia e britëve ballkanësin tipik, të shplarë në ndërdymjen groteske: servil ndaj eprorëve dhe mizor ndaj vartësve. Përveç kësaj amze gjallimi, titullari i epërm politik i Kosovës, gjithnjë i dyzuar, ka dhe suplementin vendar, këtë ndajshtesë t’rrallë të hipokrizisë përfekte. Është viktimë e dyfishtë e shantazhit rrënues: me hipotekë faji para të huajve dhe, si pacient kronik i tyre, shantazhues i pamëshirë ndaj të vetëve.
A do ta iluminojnë atë ciklet e normalitetit elektoral dhe kur? A mund ta krijojë një format të emancipuar politik, pararendësi, mentori i tij vulgar, vjedhës e vrasës? Që vulgarizon miljeun social dhe vjedh e vret të ardhmen e brezave të pafat? Vështirë! Ata, (me pak besë të vakët tek kauza e Vetëvendosjes) fosilë nga të gjithë ngjyrat e distinktivët, riqarkullohen në rreth të mbyllur. Kultura e munguar e ndëshkimit dhe teknologjia plutokratike e pushtetësisë, i mban në bashkëjetesë nga një alternancë në tjetrën, deri në lodhje. Deri aherë kur një ftomë a rrëfe e botës ti marrë në pakthim. Po ky është një ngushëllim i vogël. Stuhi të tilla rrokullisëse nuk ndodhin shpesh dhe, fundja, përse duhet vetëvuajtur me gëzim në pritje qindvjetësh të rinj?
Ndonjëherë ndotësia shihet më qartë prej distancës, por zgjedhja është prore autoktone. Ndërkaq, frymëzimi i largët frëng gëzon, tashmë, statusin e shkollës që ka dhënë provën e parrëzueshme të kthjelltësisë.
Të luftosh të keqen jashtë teje dhe, poashtu, atë brenda teje, nuk është e njëjta gjë, por caku a epilogu është gjithmonë ai: qenja i lirë! Kjo e dyta, madje, është poaq e lartë e sublime. Rrezja e reflektimit civil, e dyshimit të paprerë, pa drojë e lëkundje, për despotitë nacionale, janë fryma e gjallnisë ndanë trishtimit të vetëkalbjes. Aroma e jaseminit nuk përhapet dot përballë erës, por ajo e virtytit shkon dhe kundër saj, deri në skutat më të errta të Rruzullimit, (fliste Buda) e, unë, teksa lexoja në një revistë berlineze titullin vëmendës që përshfaqte merakosjen e bijëve të këtij Dheu të madh:” Europa duhet ta konfirmojë vlerën e saj, ndryshe, do ta kapërdijë thithka globaliste”, shprehja çudinë sesi e gërryejnë krijesën vetiake elitat kosovare dhe, njëkohësisht, sesi relatorët e specializuar, i prezantojnë të poshtëvënët e tyre me shkallë të zjarrtë optimizmi e lumnie!
Mitet e besimet e lashtë, shpesh diktojnë sjelljet mondane. Mbase punë boshe, por biles, meriton nder e përfillje, përpjekja për mirë e fatësi. Një bestytëri kineze, Fengshui, parathotë kob kur Shtëpia ngrihet me portën në drejtimin e gabuar. E, me gjasë, Porta e Kosovës është vënë andej, nga nuk e hapin dot rrëshqanorët e kohës sonë…
Ajo lëngon për gjak e dritë të re. Megjithë interesin për aleancat jetike, asnjëra syresh, as drita as gjaku, nuk gjenden jashtë truallit arbënor. Janë aty, bimësi e parë e fillimjetës!..
Kur tradhtarët shpallen ”patriotë”, dhe patriotët damkosen ”tradhtarë”nga tradhtarët
Nga Faik Krasniqi/
Tragjedia më e madhe e një kombi është kur tradhtarët bëhen ”patriotë”, dhe patriotët nga tradhtarët cilësohen ”tradhtarë. Ne shqiptarët, sikur e kemi në traditë që shumë shpejt t’i harrojmë vuajtjet tona, individuale apo kolektive qofshin ato, e sigurisht që gati-gati i harruam edhe ata shqipfolës që për shumë dekada i shërbyen armikut më të egër të popullit shqiptar që ka njohur ndonjëherë historia. Nuk është e nevojshme që të shkruajmë histori të gjata për bëmat e poshtra të spiunëve dhe tradhtarëve shqipfolës, por është mirë që kryesisht të demaskohen. Të demaskohen agjentët shqipfolës të UDB, e veçanërisht ata ish agjentë të UDB-së, që edhe sot e kësaj dite “notojnë” në ujëra të turbullta, bile disa nga ata janë të veshur edhe me pushtet, duke u pajisur kështu edhe me njëfarë imuniteti politik.
Kush është në të vërtetë Shkëlzen Maliqi?
Shkëlzen Maliqi është djali i ish-sekretarit të Punëve të Brendshme të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës të Federatës Jugosllave, Mehmet Maliqi, i njohur dhe ndërkombëtarisht për ashpërsinë ndaj “irredentistëve” dhe “nacionalistëve” shqiptarë. Jo vetëm i ati, por edhe i vëllai Gazmend Maliqi që ishte punëtor operativ i UDB-së në Prishtinë dhe përgjegjës për shumë keqtrajtime të shqiptarëve në vitet ’80-ta. Të kujtojmë se Edi Rama para disa vitesh Shkëlzen Maliqin e quante mashtrues ordiner kur ky i fundit organizonte sondazhet e ”Gani Bobit” në Shqipëri i kontraktuar nga Klan. Udhëheqësit e Shqipërisë duket e kanë të pamundur t’i shpëtojnë psikologjisë Bizantine. Rama pa dashje po i bën një të mirë Kosovës duke i larguar një person të padëshiruar për shqiptarët e Kosovës. Me zgjedhjen e këtij këshilltari Edi Rama provoi se do jetë të paktën po aq filoserb sa kollovari i Milicës Sala.Shkëlzen Maliqi është njeri i shërbimeve sllavo-serbe në tre breza, që në kohën e monarkisë të kryeministrit Stojanoviq. Këshilltari i Kryeministri Rama e ka pasur gjyshin spiun të Jugosllavisë mbretërore, babën spiun grek dhe të Sigurimit Jugosllav dhe tani na del këshilltar Maliqi. Babai i Shkëlzen Maliqit ka qenë një nga shqiptarët e ndershëm me qen besnikë të famëkeqit Rankoviq. Kujtoj këtu lidhjet me Udbash-in famëkeq Goran Gaiq dhe persekutimin e shqiptarëve pas incidentit të quajtur ngritja e flamurëve në Prizren. Serbët e konsideronin të atin e Shkëlzen Maliqit edhe më besnik se famëkeqin Rrahman Morina, i martuar me grua serbe si vjehrri i Salës. Vetë Shkëlzeni këlysh i SDB-së aktualisht bashkëpunon aktivisht me BIA-n. Shkëlzeni ka miqësi të kahershme me Zvetozar Kovaç, drejtorin aktual të shërbimit sekret të ushtrisë serbe. Shkëlzeni si spiun serb familjarisht është antiamerikan i tërbuar. Kjo gjë do i hapi telashe Edi Ramës me stafin e ambasadës amerikane në Tiranë, si psh me atasheun Joshua Petersenin. Kujtoj këtu qëndrimet anti-UÇK dhe anti-Amerikë në vitet 1998-1999 ky Shkëlzen Maliqi sa herë ia bënte nervat kaçurrel kolonel Applegate-s, që e konsideronte edhe më filo-serb se Doklen dhe Shyqyri Durakun.Prof. Klosi të flasë nëse ka takat. Të kujtojmë problemet e dhjetorit 1998(18 dhjetor), prita që iu vu nga serbët kolonës së UÇK-së që nga Kruma (Cahanaj) po penetronte në Kosovë. Kujtoj këtu kooperimin e Sokol Pogës këtij Shkëlzenit dhe Gaiç-it shërbimit sekret të Milosheviqit etj, etj.
Cila do të jetë detyra e parë e Shkëlzenit?
Detyra e parë e këshilltarit të Edi Ramës është organizimi i një takimi me udhëheqësit e Serbisë, të cilët do të ndërhyjnë për një takim edhe në Greqi, e kështu të vendosin krijimin e “kombit kosovar” një dëshirë e kahershme edhe e këshilltarit i cili mendon serbisht dhe i duket vetja sikur flet shqip. Rama po i ngjan paraardhësit të tij me këtë autogol spektakolarë të realizuar në një terren filosllav siç është Franca. Për t’u bërë më i plotë kuadri i këshilltarëve të kryeministrit Rama, prisni tani kur të dëgjojmë se si këshilltar politik do të marrë enveristin Rexhep Qosja. Shenjën e parë e dhanë socialistët në nëntorin e vitit të kaluar duke i dhënë këtij enveristi titullin “Qytetar Nderi” të Vlorës.