• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT-Kosova, traditë të gjatë në studimet albanologjike

August 14, 2017 by dgreca

-Në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit të XXXVI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare/

1 Min BajramiSeminari-sot-11 Seminari-sot

-Ceremoninë e mbylli drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, i cili ka thënë se sivjet kanë shënuar numër rekord të kërkesave për pjesëmarrje në kurset e mësimit të shqipes. Sipas tij, momenti i ri është interesimi i brezit të dytë e të tretë të mërgatës shqiptare me origjinë nga Kosova e Shqipëria për ta mësuar ose përmirësuar shqipen e tyre/

PRISHTINË, 14 Gusht  2017-Gazeta DIELLI/ Sot në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit të XXXVI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në këtë solemnitet ishin të pranishëm: Arsim Bajrami, ministër në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Ismet Salihu, kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës; Hivzi Islami kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve; Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, ambasadorë, akademikë dhe seminaristë.
Ceremoninë e hapi dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, e cila tha se seminaristët janë dëshmia më e mirë se asgjë nuk e ndryshon formimin e vazhdueshëm shkencor tërëjetësor të studiuesve të rinj nëpërmjet këtij institucioni dhe standardet e larta që ky Seminar i ka vendosur tashmë.
“Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë, një tubim i lartë shkencor dhe kulturor që ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe të kulturës, në zbërthimin e gërshetimit të gjuhëve e të kulturave të ndryshme me shqipen dhe avancimin e studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të shqipes në shumë qendra botërore universitare. Falë miqve tanë, seminaristëve, albanologjia vazhdon të studiohet dhe të mësohet gjithandej në botë.”, ka thënë dekanja. Ajo për më shumë i ka falënderuar seminaristët (profesorë e studentë në universitete të mirënjohura evropiane), që kanë kontribuar në themelimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit të ndërsjellë me fakultetin tonë, me theks të veçantë në albanologji.
Në një fjalë rasti, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në emër të Qeverisë së Kosovës e uroi fillimin e Seminarit duke thënë se ky tashmë është shndërruar në një nga institucionet më prestigjioze për studimin e albanologjisë. Më tutje, ai ka thënë se ata do të përpiqen, së bashku me Republikën e Shqipërisë, që ta krijojnë një linjë të veçantë buxhetore për Seminarin, duke e shndërruar kështu në ngjarje shtetërore.
“Ky Seminar ka shërbyer për internacionalizimin e studimeve të albanologjisë në universitetet e botës dhe për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.”, ka thënë ministri Bajrami.
Po ashtu, kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Ismet Salihu, i uroi punë të mbarë Seminarit duke e vlerësuar lart këtë instituticion.
Ndërkaq, në emër të Akademisë së Shkencave, Artit dhe Kulturës, akademik Hivzi Islami, duke i uruar punë të mbarë seminarit tha se ky Seminar tashmë e ka krijuar dimensionin e vet si pjesë e pandashme e traditës dhe kulturës shqiptare.
“Seminaristët janë ambasadorët më të fuqishëm të Kosovës. Përçuesit më besnikë të vlerave të Kosovës dhe shqiptarëve”, ka thënë akademik Islami.
Ceremoninë e mbylli drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, i cili ka thënë se sivjet kanë shënuar numër rekord të kërkesave për pjesëmarrje në kurset e mësimit të shqipes. Sipas tij, momenti i ri është interesimi i brezit të dytë e të tretë të mërgatës shqiptare me origjinë nga Kosova e Shqipëria për ta mësuar ose përmirësuar shqipen e tyre.
“Ne jemi institucioni më i madh dhe me traditën më të gjatë në studimet albanologjike. Synojmë të mbetemi të tillë. Këtë nuk mund ta bëjmë pa mbështetjen e seminaristëve dhe studiuesve joshqiptarë, të cilët na kanë mbështetë publikisht. Dhe, sivjet ka pasë një numër rekord të të paraqitur për ta mësu shqipen, më shumë se 170 – mbështetje më e madhe nuk na duhet.”, ka thënë Paçarizi.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare bën të ditur edhe se punimet e tij do të mbahen  nga 14 deri 25 gusht./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: arkeologji, Behlul Jashari, kosova, Tradite

TRADITË QË PO HUMB

November 6, 2015 by dgreca

Nga Pëllumb Gorica/

Martesat me shkuesi shpesh lulëzojnë dhe kthehen në përkushtim të sinqertë. Sandra Gulland/
Në tendencën drejt rendjes globaliste,përpjekja për të ruajtur elementët e traditës, për të gjithë ne është një domosdoshmëri jetike.
Në krahinën e Sulovës , që shtrihet në kufirin ndarës të Shqipërisë së Mesme dhe asaj Jugore, banorët shquhen për shpirtin bujar dhe respektues të traditave, të rrënjosura në gëzimet dhe hidhërimet, dhe të rëndësishme në vargun e gjatë të shekujve. Në këtë trevë dhe të tjera si këto jeta është rregulluar nga norma të pashkruara, e të trashëguara brez pas brezi në ndërgjegjen e banorëve. Një numër prej tyre që kanë të bëjnë me familjen, duke u shprehur në një formë të përgjithshme kanë mbijetuar. Njeriu në jetë ka tre moment kryesore; lindjen, dasmën dhe vdekjen, për të cilat ka një angazhim serioz ku gjithmonë sipas kushteve dhe mundësive kryhen ceremoniale me rite interesante. Martesa thith një angazhim moral e material, për t’i dhuruar çiftit përgjegjësitë për jetën. Fejesa është akti i parë nga më të bukurit në fillesën e lidhjes për të kaluar tek dasma, si gëzimi më i madh i jetës bashkëshortore. Është trashëguar kjo traditë e veçantë e krijimit të familjes si një ritual përsëritës i jetës thuajse tërësisht e natyrisht me elementë të shumtë, thellësisht shpirtëror dhe me ndjesi të mëdha gëzimi. Thuajse në të gjithë kohërat, lidhjet martesore ishin krijuar nga një institucioni i veçantë ai i lajmësit (mblesë, ndërmjetës, etj). Kjo përbën një vlerë, që koha e ka njohur, trashëguar dhe respektuar. Riti i fejesës është simbol i krijimit të familjes dhe shpesh këtë rol e luanin njerëz të zotë, që me gjuhën e tyre të komunikimit bindnin krushqit për lidhjen e re. Natyrisht, kjo nuk vinte vetvetiu, por duhej ndërhyrja e tij. Fejesa me normat e saj të detyrueshme, norma, që dikur zbatoheshin me përpikmëri, padyshim rrezatonte virtytet më të mira. Për të është shkruar fare pak.
Me dëshirën për të sjellë një studim të mirëfilltë për traditën e fejesës dhe institucionin e lajmësit, në të cilën do të shprehemi me këtë studim, është respektimi, gjë që e ka bërë ato të shquhen. Të trajtosh fejesën dhe normat e institucionin e lajmësit, kaq me rëndësi në krijimin e familjes për kohën e shkuar kërkon patjetër të hulumtosh thellë. Pa e nëpërkëmbur rolin e lajmësit si dukuri zakonore tradicionale, për vetë anën arkaike, duhet të theksojmë se për të shpjeguar atë nuk kërkohet zbërthim, por pasqyrim të tij në kohëra dhe vlerat. Kjo dukuri e së kaluarës për shkak të ndryshimeve të kohëve moderne ka pësuar zbehje. Sot kanë ndryshuar shumë gjëra, brezat po ashtu janë ndërruar e mbi të gjitha edhe shumë nga ata që i kanë zbatuar nuk jetojnë. Studimet në këtë drejtim janë shumë të pakta, përveç disa studiuesve, që falë vullnetit dhe ambicieve për vlerat tradicionale të familjes dhe traditave të krahinës së tyre, në përputhje me norma e rregulla të pashkruara janë munduar të thonë diçka.
Në përgjithësi kur fëmijët, djali apo vajza i afroheshin moshës për t’u fejuar fillonin përpjekjet për të gjetur njeriun e duhur. Riti i fejesës kalonte nëpër disa faza deri në përfundim, sepse si familja e vajzës edhe ajo e djalit ishin të interesuara t’i fejonin fëmijët e tyre, siç thuhej në xhis të mirë. Në fejesë lajmësi kishte një detyrë të rëndësishme. Për këtë caktohej një njeri i pjekur me përvojë në këto punë dhe i njohur nga të dy familjet. Ata kanë luajtur rol të madh në krijimin e familjes dhe ishin të vendosur e të sigurt në lidhjet që krijonin. Zotësia e disa prej atyre që e kryenin këtë gjë për të bashkuar çiftet e krushqitë ishte proverbiale. Lajmësi mund të ishte i afërm, vëllazëri ose mik i familjes së djalit dhe, që i zinte vend fjala. Ai dërgohej gjithmonë nga familja e djalit. Këtë detyrë mund ta merrte kushdo përsipër, që dinte të shquhej për oratorinë apo fjalën e urtë, të lëvdonte me doza cilësitë e vajzës, e natyrisht edhe të djalit. Përpjekjet, takimet, bisedat janë të lodhshme, sepse kur bëhet marrëveshja e krushqisë dhe shpallet fejesa nevojitet njohje e hollësishme. Kjo patjetër kërkonte kohë të mjaftueshme dhe zotësi komunikimi e vetëkuptohet që kishte vështirësi duke përdorur njohjet, miqësitë. Njohja ishte edhe domosdoshmëri e detyrueshme. Gjithsesi në lidhjet e brendshme e të thella familjare fejesa e lidhja e miqësisë nuk bëhej pa pëlqimin e dy familjeve dhe rrethit miqësor e kjo detyrë i takonte padyshim lajmësit. Me fjalë të tjera përpiqej të krijonte një miqësi të re, duke marrë përsipër të lidhte çiftin dhe familjet në krushqi, me ecejaket e tij të shpejta në të dyja familjet vajtje- ardhje, sa te njëra te tjetra. U fliste për familjen që do lidheshin, autoritetin që gëzonin, pasurinë, zotësinë, miqësinë që kishin. Në rastin më të parë ai u hedh fjalën dhe këmbëngulte tek propozimi. Atëherë ishin edhe kohëra kur mundësitë për t’u njohur të rinjtë ishin të rralla, sepse vajzat pa mbushur 15 vjeç mbylleshin brenda. Për fejesë sulovarët gjithnjë kanë preferuar një djalë, a vajzë nga familje të mira, të ndershme. Nga vajza për nuse kërkohej bukuri dhe zotësi në punë, nga djali dhe familja e tij veç gjendjes së jetesës, kërkohej të ishin punëtorë e të pushkës. Ishin kërkesa këto që përcaktonin cilësitë e djalit, që do të martohej. Familja e djalit pyeste më shumë për vajzën, pyeste për shtëpinë, që ajo të ishte bujare mikpritëse, si dhe për cilësitë e vajzës në sjellje, pamje, vetëm pasi bindeshin për këto cilësi vinte koha për të kërkuar vajzën. Familja e vajzës zakonisht nuk e jepte pëlqimin menjëhershëm, kështu që lajmësi duhej të shkonte 3-4 herë e nëse vendosej jepej fjala. Ishte tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur të gjendej një diçka që të kënaqte ndonjëherë edhe tekat e palës së nuses, kur kërkonin haraç për këtë lidhje. Ndonjëherë fejesat ishin edhe interes ndërmjet familjeve, por edhe rregullim i miqësive të prishura në kohëra. Në shumicën e rasteve deri në mes të shekullit të kaluar, fejesat bëheshin në moshë të re, mosha e zakonshme në të cilën ata e kryenin fejesën ishte 16 vjeç për vajzën dhe 18-20 për djemtë. Kanë ndodhur fejesa edhe në djep, që ishte një fenomen i trashëguar në shekuj. Kishte raste, që dy familje jepnin fjalën njëri-tjetrit, që po të lindnin djalë e tjetra vajzë do të bënin krushqi. Edhe pse ndonjë mund të dilte budalla apo çalaman. Të vjetrit tregojnë raste të lidhjeve të fejesave që në bark të nënës, por ajo që duhet theksuar ishte se femrat nuk pyeteshin për fejesë. Ajo nuk e njihte burrin. Këtë e kishin në dorë prindërit, sepse qoftë djali e sidomos vajza nuk kishte të drejtë as të jepte mendim me dëshirën e tyre për fejesë e martesë. Zakonet i ndrydhnin shpirtin e i mpinin të rinjtë.
Lajmësi e quante të përfunduar detyrën e tij, kur dy të rinjtë martoheshin dhe lidhnin kurorë me njëri-tjetrin. Por, dua të vë në dukje detajin e rëndësishëm. Lodhja e lajmësit merrte rrugëzgjidhje dhe kjo ka arsyet e veta. Që këtej ka rrjedhur edhe shakaja e lezetshme e cila në atë kohë përmendej shpesh në Sulovë: I paguam këpucët. Familja e djalit për mundimin që bënte i jepte si shpërblim të holla. Kjo ishte një dhuratë respekti, por edhe një rregull i trashëguar, sepse ishte personi që është lodhur e në këtë mënyrë ka krijuar krushqinë. Roli i lajmësit ishte i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të mohohej. Ai ishte ndërlidhës mes miqve dhe ata nuk mund të bënin asnjë veprim pa pyetur më parë atë. Ky zakon sado i tillë kishte edhe detyrime të tjera për lajmësin deri në ditën e martesës së çiftit. Bashkimi i çifteve kishte edhe të keqen se ata nuk njiheshin më parë dhe duke mos e njohur as karakterin e njëri-tjetrit kishte edhe prishje të fejesës. Mendohej gjithmonë ana e keqe se si djali apo më tepër vajza mund të ishte e shëmtuar apo moshë e madhe, por edhe me arsyetimin e thjeshtë se femrës i duhej gjetur një burrë ndodhte të lidhej me ndonjë që mund të ishte leshko, çalaman. Pasi i shpleksin muhabetet me ndërhyrje sqaruese në kohën e duhur me vajtjet dhe ardhjet e tij për të saktësuar gjërat e prishnin miqësinë, që ndodhte rrallë, por më shpesh i martonin shpejt e shpejt. Por, kur çdo gjë shkonte mirë gëzimi nga të dyja palët ishte i madh, sidomos nga ana e vajzës që tregonte shumë, e më kryesorja asaj i gjendej burrë për të mos u bërë barrë në shtëpi. Lajmësi ishte më i suksesshëm kur çiftet martoheshin, e më pas krijonin familje dhe jetë në harmoni. Kjo ishte edhe fillimi i një jete të re të çiftit, duke arritur në përfundimin e bukur se krijimi i familjes kishte edhe vlerë të madhe. Është interesante dhe një psikologji karakteristike që fejesat me lajmës në Sulovë kanë qenë të qëndrueshme.
Duke pasur koncepte të rrepta për martesën brenda gjakut, që sipas traditës ka pasur një stërgjysh të përbashkët, në këtë krahinë kanë qenë të ndaluara fejesat apo krushqitë brenda farefisit e lidhjeve të gjakut, megjithëse duhet thënë që në kohërat e sotme kjo ka filluar të lëshojë pe, e me raste të veçuara. Para se të lidhej një krushqi e re pyetej mirë për lidhjen fisnore të djalit apo dhe vajzës dhe vetëm pas kësaj jepej fjala. Pyetej me rrënjë e me degë, për të mos bërë, siç thonë në Sulovë ilaka. Ndikonte në zgjedhjen e krushqisë besimi, gjendja social-ekonomike dhe këtu e gjente shprehjen e vet diferencimi klasor. Djali e vajza duhej t’i përkisnin të njëjtës shtresë sociale. Një i varfër nuk merrte guximin të kërkonte për djalin, vajzën e një të pasuri, apo i pasuri të merrte për djalin vajzën e një të varfëri. Ky rregull rrallë prishej. Janë vënë re, dy lloj martesash: dhënia e dy motrave në një derë dhe ato me këmbim, pra duke dhënë vajzën në një derë e duke marrë prej asaj dere vajzën e tyre. Me shumicë dërmuese është preferuar vajza që shkon te djali, ndërsa e kundërta ka ndodhur rrallë, pasi personat që e bëjnë këtë gjë shihen me përçmim nga rrethi shoqëror, madje përbuzen. Fejesat dikur në përgjithësi bëheshin jashtë vendbanimit, por brenda krahinës, dhe rrotull Sulovës: Shpat, Dumre, Vërçë, Myzeqe, Nahije të Beratit, që thuajse traditat i kanë të njëjta. Sulova me dëshirë i martonte vajzat e saj në Myzeqe, Nahije të Beratit që të kishin miq e mbështetje në ato krahina, apo edhe në Elbasan, Berat, Tiranë, që ato të jetonin mirë. Më pak i martonte në Vërçë, Shpat i Sipërm, Tomorricë ngaqë në këto krahina ishin malore e të varfra, që me dëshirë i kërkonin vajzat e Sulovës, se ishin punëtore e të fisme, kurse sulovarët trima, mikpritës e bujarë.
Prej shekujsh fejesa ishte një rit i zakonshëm, edhe pse stuhia e çuditshme në vitin 1967 tronditi jetën e mentaliteteve dhe traditat e patraiakalizmit. Qeveria e partia në pushtet kërkonte me ngulëm prishjen e fejesave në djep me një propagandë gati histerike për këtë traditë të vjetër, me lëvizjen në emër të luftës kundër fesë e zakoneve të rënda të së shkuarës. Por, megjithë presionin e egër të regjimit ateist, institucioni i lajmësit nuk u zhduk, ai mbijetoi, edhe pse shndërrimet sociale rolin e tij e zbehën. Në mjediset e reja të krijuara, shkollat, ndërmarrjet prodhuese, aksionet, të rinjtë njiheshin dhe dashuroheshin e kjo solli një stepje të traditës së fejesës që në djep e ndërvarur nga rrethanat. Femra mori disa të drejta, ndonëse ajo mbeti thjesht në marrëdhënie shoqërore, edhe pse në krahinën e Sulovës zakonet ishin më të buta në krahasim me krahina të tjera. Zhvillimet e reja, krijuan kushte të tilla që të rinjtë të vendosin për fejesë e shumë herë pa anën e prindërve apo të afërmve. Ishte koha kur pjesa më përparimtare e shoqërisë krijoi një hap të madh në krahasim me të kaluarën, kur çiftet atëherë nuk njiheshin dhe nuk ishin parë kurrë. Lajmësi përsëri vazhdonte të kryente rolin si protagonist në takimet, që atëherë quhej parje. Me këtë parje, nëse të rinjtë ishin në një mëndje, vendosej për fejesë. Një kohë kjo gjë u bë traditë ku vajza dhe djali së bashku me të afërmit, e me një numër të caktuar pjesëmarrësish nga të dy familjet dhe lajmësin në krye pinin kafetë e shkëmbenin nishanet në të cilën futeshin ora, këpucë, unazë etj. Ndodhte që vajza apo edhe djali merrnin vendime për ta prishur fejesën d.m.th pendoheshin për këtë lidhje, duke rënë dakord pas fjalës së dhënë. Mjafton të ndalemi në një aspekt tjetër që martesa pa pëlqimin e prindërve ishte një veprim i rëndë. Për këtë ka tregime.
Në përputhje me të gjitha rregullat e sipas zakonit fejesa bëhej në shtëpi. Zakonisht ajo shpallej thjesht dhe pa bujë. Fejesa bëhej të shtunën. Gjithnjë bëhej në fillin në familjen e vajzës e shndërrohej në një festë të gëzueshme. Në bufenë e fejesës 7-9 vetë nga familja e djalit, në disa raste edhe më shumë shkojnë në familjen e vajzës. Ja si mund ta përshkruajmë në pak fjalë gostinë e fejesës, për të paraqitur sadopak karakterin e gëzueshëm të këtyre çasteve e riteve të gëzueshme. Të lumtur për zgjedhjen që kishin bërë dhe miqësinë, miqtë priteshin me nderime rrethuar nga dashamirësia dhe hareja. Kënga, vallja e muhabeti ka lezet. Në këto raste shkëmbeheshin disa herë duart, gotat tokeshin gjithë gëzim dhe në sofër shtrohen të gjithë të mirat me meze, mish e raki pikë e parë, se Sulova është një krahinë e njohur për dollinë e rakinë! Kënga me bejte për mirëseardhjen e miqve. Miqësi e nder. Miqtë, lajmësi hyjnë sipas sërës brenda në konak me shtrëngime duarsh. Burrat ulen dhe rrethojnë qoshen e oxhakut. Graria, vajzat, djemtë terë kureshtje rrinë në këmbë te dera e konakut, korridori, shkallët e deri në oborr. Më pas ndizet muhabeti në konak, që plekset me shakara, hidh njëri e tjetri prit. Më plaku që ishte në qoshe të oxhakut pyeste.
– Nga udhë e mbarë o miq?
I pari i qoshes tjetër, pra pala e miqve, përgjigjej:
-Ndoqëm gjurmët e një thëllëze, që u fut këtu.
-Rrini rehat e bëni muhabet se këtu është!- ia kthente ai që pyeste. Dhe, me këto shakara e të tjera, për të ndezur edhe më shumë bisedën, niste qerasja e miqve me raki, kafe e llokum sipas zakonit të fejesës duke uruar: “Me trashëgime e këmbë të mbarë!”. Shpallej kështu fejesa me një miqësi të përjetshme, lidhje midis dy familjeve që forconte me tepër edhe të farefisit. Pastaj tregohen nishanet. Në ritin e ndërrimit të nishaneve bënin pjesë: fustane ose copë për fustan, këmishë nate, vathë, gjerdanë, unazë, kuti tualeti, këpucë, etj dhe dorovë për pjesëtarët e familjes së vajzës, prindërit, motrat, vëllezërit, për gjyshërit, dajat e xhaxhallarët, hallat, tezet. Pastaj vazhdohej me të ngrëna e të pira. Sofrat shtrohen plot me meze e raki. Dollia ngrihej me shëndete e urime të bukura: “Me trashëgime, në dasmë, me miqësi të pandarë, me bukë të ëmbël!.’’ Fjala merr zjarr e kënga ndizej. Secila anë përshëndet me këngë në mes të dollisë e detyruar sipas zakonit. Çaste me të vërtetë gëzimi e lumturie që nguliten për të mos u harruar kurrë. Pas një jave a dy pala e vajzës kthen vizitën në familjen e djalit, si rregull me dy më shumë se sa numri i atyre që shkoi nga familja e djalit. Një ceremoni e vogël kjo për të shkëmbyer edhe bukën, siç thuhej në mënyrë simbolike dikur në Sulovë. Me këtë rast bëhej edhe shkëmbimi i nishaneve, që ishte i ligjëruar si zakon. Ato kurrë nuk kanë qenë të caktuara në mënyrë të prerë, por në tërësi sipas gjendjes nga të dyja palët dhe periudhat historike. Pas fejesës familjet e ndjenin nevojën shpirtërore të kësaj lidhje.
Kohë e re, mundësi të reja. Fenomeni institucional i lajmësit dhe fejesat me mblesëri në përgjithësi janë të rralla dhe lajmësit po ashtu. Ai që e praktikon, sidomos në zonat rurale ka përvetësuar një kulturë demokratike, duke iu përshtatur riteve të botës moderne. Më kryesorja, tashmë të rinjtë lidhen ose me njohje direkte ose nëpërmjet elektronikës dhe e kërkojnë vetë fjalën për fejesë në familje. Vitet kalojnë, vlerat në krijimin e familjes kanë rëndësi e më së shumti janë pasuri e pazëvendësueshme e traditave të mrekullueshme dhe trashëgimi për brezat.

Filed Under: Komente Tagged With: Pellumb Gorica, qe po humb, Tradite

Traditë

September 17, 2015 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Ndonjëherë vendi i fsheh sekretet e veta nga një udhëtar, duke i treguar atij asgjë, përveç livadheve, pyjeve dhe pjesën e jashtme të shtëpive; kjo fillimisht, sepse pastaj papritmas i hedh një çelës për të hyrë ku të dojë dhe të shohë çfarë të mundet.

Njerëzit duhet ta mbajnë mend lavdinë e të parëve, pasi dalin nga dënimi prej shumë kohësh kur tradita i mohohej; lavdia nuk duhet të merret si e dhënë, por si arritje e brendshme e një vendi.

Tradita nuk është pronë materiale, prandaj nuk mund të mbijetojë vetëm a pa njeriun. Kishat u pakësuan apo u zhdukën jo nën forcën e shpatave osmane, por sepse shqiptarët nuk kishin a nuk ishin mendimtarë a filozofë mjaftueshëm për të qenë të interesuar në doktrinën fetare, dhe as mjaft të dashuruar për t’u magjepsur me të gjatë shekujve të pushtimit apo edhe në periudhën e izolimit komunist.

Perënditë e kishin dënuar Sizifin për të ngjitur një gur të rëndë në majë të malit, nga ku guri rrokullisej përsëri poshtë shtyrë nga pesha e vet. Nuk ka dënim më të tmerrshëm se sa puna e kotë dhe pashpresë.

Nëse i besohet Homerit, Sizifi ishte më i urti mes njerëzve. Por tallja me Perënditë, urrejtja ndaj vdekjes  dhe pasioni për jetën i dhanë atij dënimin e papërshkrueshëm të punës për realizimin e asgjëje. Sizifi u ndëshkua nga Perënditë për pasionet e tij. Ky është çmimi që paguhet për pasionet e kësaj toke. Asgjë nuk dihet lidhur me Sizifin në ferr. Mitet janë bërë për imagjinatën.

Njeriu sot punon çdo ditë të jetës, në të njëjtën detyrë, si Sizifi, dhe ky fat nuk është më pak absurd. Por është tragjik vetëm kur bëhet i vetëdijshëm.

Sizifi, i pafuqishëm dhe rebel, e njeh shkallën e gjendjes së tij të mjeruar: këtë mendon ai gjatë zbritjes nga mali, për t’u ngjitur përsëri bashkë me gurin që e shtynte me përbuzje për të mposhtur mjerimin.

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Lulushi, Tradite

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT