-U përkujtuan 36 dëshmorët nacionalsitë dhe Komandanti i tyre Hysni LEPENICA, rënë me 14 Shtator 1943, kundër pushtuesëve italianë/
Në organizimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”,në mjediset e selisë së saj, në Bronx, NY, të Dielën e 10 shtatorit(2017) u organizua pasditja përkujtimore kushtuar 36 Dëshmorëve nacionalistë(komandantë çetash të Ballit Kombëtar) dhe Komandantit të tyre, Hysni Lepenica.
Veprimtarinë e moderoi Editori i Gazetës”Dielli”, Dalip Greca. Ai ftoi të pranishmit që me një minut heshtje të nderoheshin dëshmorët nacionalistë, që për 50 vjet ishin shpallë tradhëtarë.
Më pas u ftua Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, që të të përshëndeste të pranishmit. Z. Mishto falenderoi z. Pëllumb Lamaj dhe ish të përndjekurit e pranishëm, që edhe këtu në mërgim japin kontributin e tyre për zbardhjen e Historisë. Kryetari i Vatrës e falenderoi z. Lamaj për bashkëpunimin me Vatrën në organizimin e disa veprimtarive kushtuar nacionalistëve shqiptarë dhe ish klasës së të përndjekurëve politikë, ende të paintegruar , të pashpërblyer plotësisht, moralisht dhe financiarisht, nga shteti shqiptar. Z. Mishto tha se Vatra edhe në të ardhmen do të organizojë veprimtari të tilla për zbardhur historinë e vërtetë të shqiptarëve, e cila edhe 26 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdon të shkruhet dhe interpretohet politikisht, duke i trajtuar nacionalistët si tradhëtarë, e fitimtarët si heronj.
Pëllumb Lamaj, e falenderoi Kryetarin e Vatrës për bashkëpunimin dhe e uroi për detyrën e tij në krye të Federatës historike, në krye të vatranëve dhe uroi sukses gjatë mandatit të tij. Duke iu referuar ngjarjes së 14 Shtatorit 1943, masakrës së Grehotit,ai tha se historianët komunistë e kanë shtrembëruar dhe keqinterpretuar ngjarjen tragjike, ku mbeti i vrarë heroi nacionalist, komandanti i Ballit Kombëtar, Hysni Lepenica dhe 36 komandantët e çetave. Komunistëve nuk u interesonte, që ta zbardhinin ngjarjen,tha ai, sepse do të dilte në dritë tradhëtia e tyre, si shkaktarë dhe bashkëpunëtorë me italianët.
Cila është e vërteta e kësaj ngjarje, ku u luajt preludi i vëllavrasjes dhe nisjes së “Luftës Civile” në Shqipëri, term që i tmerron historianët komunist edhe sot?
Pas kapitullimit të Italisë Fashiste, Divizionit”Peruxhia” në Gjirokastër iu kërkua të dorëzoheshin tek forcat nacionaliste të Hysni Lepenicës, ose tek forcat nacionalçlirimtare, të kryesuara nga Bedri Spahiu, me ndërmjetësin e britanikut Tilman. Por Gjenerali italian Kiminello nuk pranoi të bashkohej me forcat nacionalçlirimtare, as të dorëzonte armët pa u inbarkuar në Sarandë. Nacionalistët, duke e pasë Gjirokastrën dhe Sarandën zonë të tyre të influencës, ua premtuan sigurinë, nën shoqërimin e tyre derisa të hipnin në anije. Por, nga ana e tyre partizanët , në fshehtësi e luajtën lojën e tyre.Kështuqë me 14 Shtator 1943, kur shkuan Forcat Nacionaliste me në Krye komandantin Hysni Lepenica, për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i shoqëruar italianët e për t’i përcjellë deri në port, sipas marrveshjes,-ata u goditën papritur nag ushtarët italianë dhe mbetën të vrarë 36 komandantë nacionalistë dhe Komandanti i tyre, Hysni Lepenica.
Sipas z. Lamaj, por edhe sipas zbardhjes të së vërtetës përmes vetë dëshmisë së italianëve dhe të anglezëve, nxitës të kësaj masakre u bënë krerët e LNÇ si Bedri Spahiu, Shefqet Peçi dhe Shemsi Totozani, që ndodheshin pranë shtabit të divizionit italian”Peruxhia”, në kazermat e Grehotit. Këto akuza vërtetohen edhe nga dëshmitë e oficerit anglez, Tilman, si dhe të oficerit italian Giovani Bonomi, të pranishëm në vendngjarje.
Për të zbardhur këtë tragjedi u shfaq për të pranishmit dokumentari”Grehot 1943″ realizuar nga vëllezërit Pëllumb dhe Engjëll Lamaj.
Kësaj veprimtarie iu bashkua edhe Akri Çipa, poet, analist,që kryen studimet pasuniversitare(MASTER) në Columbia University.
Veprimtaria u ndoq edhe nga Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikan e përfaqësuar nga shkrimtari Mhill Velaj me zonjën si dhe u filmua nga TV Kultura Shqiptare me z. Adem Belliu, “FOCUS” i gazetarit Robert Papa, dhe “RAY SHOW” i poetit Ramiz Muja.