–Kryeministri Kurti u prit nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Franco Federici/
Gjeneral Brigade Jörg Rüter merr detyrën nga Drejtori në largim i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s Gjeneral Brigade Frank T. Best/
PRISHTINË, 21 Prill 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Sot, Gjeneral Brigade Jörg RÜTER ka marrë detyrën si Drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë. Ai ka marrë përsipër këtë përgjegjësi nga Gjeneral Brigade Frank T. BEST i cili udhëhoqi ekipin këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s që nga prilli i vitit 2020.
Gjeneral Brigade Frank T. Best lë prapa vetes një periudhë të suksesshme: “Viti im në Kosovë shkoi shpejt. Shpresoj, jo, jam i sigurt, se NALT bëri ndryshimin. Po largohem me kujtime të miqësisë së sinqertë dhe pata nderin të punoja me një ekip të jashtëzakonshëm.
Drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral Brigade Jörg Rüter, ka ndërtuar një karrierë mbresëlënëse në Forcat e Armatosura Gjermane qysh nga viti 1985 atëherë kur edhe u bë pjesë e saj. Së fundi, ai shërbeu si Udhëheqës i Zyrës së Drejtorisë së Politikës së Forcave të Përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes në Berlin.
Që nga gushti 2016, misioni i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s është të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të organizatave të sigurisë në Kosovë me mandatin e tyre origjinal, përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe koordinimit të edukimit dhe stërvitjes, njoftoi Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT).
Edhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka dërguar njoftimin për ceremoninë:
Komunikatë për media
U mbajtë ceremonia e transferimit të autoritetit të drejtorit të NALT-it
Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, sot u mbajtë ceremonia e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NATO Advisory and Liaison Team –NALT). Në këtë ceremoni, tashmë tradicionale, nën kufizimin e masave anti-covid, drejtori i deritashëm i NALT-it, gjeneral brigade Frank T. Best, i transferoi autoritetin e tij zyrtar, drejtorit të ri, gjeneral brigade Jorg Rüter. Të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama, si dhe zyrtarë e oficerë të lartë të NALT-it, Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Gjatë ceremonisë, me fjalimet e tyre u paraqitën gjeneral Best, pastaj ministri Mehaj, gjeneral Rama, duke përfunduar me fjalimin e gjeneral Rüter.
Në fjalimin e tij, gjeneral Best, vlerësoi angazhimin e madh të stafit të tij si dhe bashkëpunimin dhe koordinimin e duhur me stafin vendor të Ministrisë dhe FSK-së. Ai evokoi nga periudha e qëndrimit në Kosovë me mesazhin për të bërë ndryshimin për të mirën e gjeneratave të reja.
Në fjalimin e tij, ministri Mehaj, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për kontributin e NALT-it nën udhëheqjen dhe drejtimin e gjeneral Best, të cilin, me vlerësimin më të lartë, e nderoi me medaljen “Shërbim i shquar”. Në fjalimin e tij, gjeneral Rama theksoi se mbështetja e NALT-it nën drejtimin e gjeneral Best ka qenë shumë e rëndësishme në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së dhe për motivacionin e njëjtë e nderoi me medaljen “Shërbim vetëmohues”.
Duke i dëshiruar mirëseardhje gjeneralit Rüter, ministri Mehaj dhe gjeneral Rama, shprehën besimin e plotë se përvoja e tij e gjatë profesionale do të mundësoj vazhdimin e realizimit të suksesshëm të misionit dhe detyrave të NALT-it edhe në të ardhmen. Pas aktit zyrtar të transferit të autoritetit, me fjalimin e tij u paraqitë, gjeneral Rüter i cili shprehu falenderimin e tij për paraardhësin, vlerësimin për lidershipin e ministrit Mehaj dhe gjeneral Ramës, si dhe vullnetin e tij të lartë për të filluar punën në bashkëpunim të shkëlqyer me ta. Programi i ceremonisë u shoqërua edhe me pika të zgjedhura muzikore për tu përmbyllur solemnisht me Himnin e NATO-s.
***.
Kryeministri Kurti u prit nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Franco Federici
Prishtinë, 21 prill 2021
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj, janë pritur sot në takim nga komandanti i Forcave paqeruajtëse në Kosovë (KFOR) Gjeneralmajori Franco Federici, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Takimi është zhvilluar në formë të drekës së punës me qëllim të njohjes dhe prezentimit me njëri-tjetrin. Në takim u bisedua rreth bashkëpunimit midis Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, situatën aktuale të sigurisë dhe stabilitetin institucional.