• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA, TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA NË DIALOGUN ME SERBINË

July 10, 2020 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti  dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në konferencë virtuale – Samitin e Parisit organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel/

-Fjalimi i plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në konferencën virtuale të Samitit të Parisit/

PRISHTINË, 10 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.

Këto theksoshen në fjalimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti të mbajtur sot në konferencën virtuale të Samitit të Parisit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, sot nga ora 10:30, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili dje takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 Korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, sipas njoftimeve të fundit ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 Korrik.“Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hoti në një konferencë shtypi këtë javë në Prishtinë.

FJALIMI I PLOTË I KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, AVDULLAH HOTI SOT NË KONFERENCËN VIRTUALE TË SAMITIT TË PARISIT:

Samiti i Parisit

10 korrik 2020

(nëpërmjet video-konferencës)

I nderuar President Macron,

E nderuar Kancelare Merkel,

I nderuar Përfaqësues i Lartë Borrel,

I nderuar Përfaqësues i Posaçëm i BE-së Lajcak,

I nderuar President i Serbisë Vuçiq,


Me kënaqësinë më të madhe e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë samit të dalluar, i cili tregon angazhimin e Bashkimit Evropian, si dhe të vendeve tuaja përkatëse, për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.

Ky integrim mund të bëhet vetëm përmes promovimit të demokracisë, fuqizimit të sundimit të ligjit, si dhe vendosjes së paqes së qëndrueshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet vendeve tona në të gjitha rrafshet.

Më lejoni të theksoj që Republika e Kosovës mbetet fuqishëm e angazhuar ndaj fuqizimit të institucioneve demokratike të saj dhe sigurimit të rrugës së integrimit të saj në BE.

Mbështetja dhe sigurimi i pavarësisë së institucioneve të sundimit të ligjit qëndron në krye të angazhimit të qeverisë sime. Ndihma dhe këshillat e BE-së dhe të EULEX-it për institucionet tona vlerësohet gjerësisht.

Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë zbatimin e duhur të kritereve që janë të rëndësishme për të siguruar besimin e plotë të vendeve të BE-së ndaj angazhimit tonë për të avancuar sundimin e ligjit. Pikërisht në këtë drejtim edhe ju kërkojmë mirësisht që ta shqyrtoni kërkesën tonë për liberalizimin e vizave. Ne do të punojmë fuqishëm për të çuar përpara statusin e vendit tonë në integrimin në BE si kandidat potencial.

Kosova, krahas vendeve të tjera të rajonit, është goditur rëndë nga pandemia Covid-19. Më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë popullit të Kosovës për ta përballuar këtë situatë emergjente përmes institucioneve të BE-së, si dhe drejtpërdrejt përmes qeverive tuaja.

Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta përmbajtur përhapjen e virusit, si dhe për ta mbështetur ekonominë përmes një liste gjithëpërfshirëse të masave të rimëkëmbjes ekonomike.

Në këtë drejtim, mirëpresim nismën e BE-së për t’i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor përmes projekteve të përbashkëta të mëdha, të cilat ndihmojnë në kapërcimin e krizës ekonomike dhe sigurimin e lidhjeve më të mira dhe më të ngushta ekonomike ndërmjet vendeve të këtij rajoni.

Z. President, zonja kancelare, z. Borell,

Në përputhje me përkushtimit të fuqishëm të vendit tim për paqe rajonale dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë përmes bashkëpunimit rajonal, ne sot kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe bashkëpunim të ngushtë me fqinjët tanë të parë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, si dhe në një gamë të gjerë partneritetesh rajonale.

Për Kosovën, marrëdhëniet fqinjësore me Serbinë vazhdojnë të mbeten një çështje shqetësuese.

Ne kemi filluar procesin e dialogut në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Brukselit. Ne kemi arritur një numër marrëveshjesh. Ato marrëveshje që janë zbatuar kanë përmirësuar jetën e njerëzve në të dyja vendet.

Që nga fillimi i dialogut në vitin 2011, Serbia vazhdimisht ka ndërmarrë fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ka lobuar kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga shtetet e tjera. Këto praktika të dëmshme dëmtuan procesin e normalizimit të marrëdhënieve tona si dy shtete të pavarura.

Gjatë zhvillimit të dialogut, Serbia nuk ka treguar synime të njëmendta për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Përkundrazi, ajo e ka zgjatur procesin për të “blerë kohë” dhe për të vazhduar fushatat e saj kundër sovranitetit të Kosovës.

Praktika të tilla të ndjekura nga Serbia e kanë shtyrën Kosovën që të reagojë, siç ishte rasti i vendimit të qeverisë së mëparshme për vendosjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe.

Megjithatë, ne mbetemi të përkushtuar për një proces paqësor të normalizimit të marrëdhënieve tona, i cili mund të arrihet vetëm nëse Kosova dhe Serbia respektojnë shtetësinë e njëra-tjetrës.

Që nga fillimi, qeveria e porsazgjedhur e Kosovës është treguar përnjëmend vullnetmirë duke hequr të gjitha barrierat tarifore ndaj mallrave nga Serbia, para së gjithash për t’i dhënë një shans dialogut dhe për të arritur një marrëveshje përfundimtare detyruese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të përfundojë më njohje të ndërsjellë zyrtare ndërmjet dy vendeve.

Ne besojmë se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut. Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të angazhohemi në dialogun Kosovë-Serbi si palë të barabarta.

Por, ne besojmë fuqimisht se dialogu duhet të ketë një afat kohor të qartë dhe një kornizë të vlerave dhe parimeve themelore që duhen respektuar, në përputhje me perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Ne besojmë se suksesi i këtij procesi thelbësor duhet të udhëhiqet nga parimet e mëposhtme:

1.      Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, meqenëse është premisa kryesore që qëndron në themel të Republikës së Kosovës dhe mbi të cilën ajo mbështetet fuqishëm. Çdo shkelje e këtij parimi bie ndesh me parimet dhe vlerat themelore të BE-së. Prandaj edhe është e papranueshme.

2.      Organizimi kushtetues i Republikës së Kosovës nuk mund të preket, pasi që ai garanton funksionimin demokratik të autoriteteve, barazinë në përfaqësim dhe mishëron parimin e shtetit qytetar, jo të organizuar sipas linjave etnike. Prandaj, ndërhyrja në karakterin unitar të Republikës së Kosovës do të ishte mënyra më e lehtë për të çfunksionalizuar shtetin e Kosovës dhe për ta bërë atë të paqëndrueshme. Kjo nuk mund të ndodhë.

3.      Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, pasi që kjo është e vetmja mënyrë për t’i dhënë legjitimitet një marrëveshjeje të tillë.

Objektivat

Bazuar në këto parime, Kosova do të angazhohet në dialog me objektiva të qarta mbi të cilat duhet të arrihet Marrëveshja:

1.      Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi Marrëveshja nuk mund të ketë sukses. Njohja e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe për t’ua shtruar të dyja vendeve rrugën drejt integrimit në BE.

2.      Rezultati i kësaj marrëveshjeje duhet të jetë gjithashtu detyrimi i BE-së për ta përfshirë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të BE-së.

3.      Anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara duhet të jetë gjithashtu pjesë e rezultatit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo natyrisht nënkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

4.      Angazhimi për anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare dhe hapja e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është objektivi ynë dhe apeli ynë gjatë këtij procesi.

5.      Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, personat e humbur dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, dëmet e luftës, të vrarët, janë çështje që na shqetësojnë më së shumti në këtë proces. Nuk mund të ketë normalizim pa vënë drejtësinë në vend.

Në bazë të këtyre parimeve dhe objektivave, Republika e Kosovës është e gatshme të jetë partnere konstruktive dhe bashkëpunuese në dialogun për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.Ju faleminderit për vëmendjen!

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryeministri Hoti, TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA NË DIALOGUN ME SERBINË

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT