Perëndimi dënon me forcë dhunën që çon në humbjen e jetës së protestuesve/
Zyrtarët në Ukrainë thonë se tre protestues kanë humbur jetën në kryeqytetin Kiev gjatë përleshjeve me policinë. Njoftohet se dy protestues kanë marrë plagë nga armët e zjarrit. Një zyrtar mjekësor tha se një aktivist tjetër po ashtu gjeti vdekjen në skenën e përleshjeve. Tre udhëheqës të partive opozitare kanë fajsuar presidentin Viktor Yanukovych për dhunën.
Sipas njoftimeve, policia po përpiqej të hiqte kampin e protestuesve sot dhe përdori gazin lotsjellës ndaj demostruesve të cilët u kundërpërgjigjën duke qëlluar policinë me gurë dhe mjete shpërthyese të prodhuara në rrugë artizanale.
Ministrja e Drejtësisë së Ukrainës e vlerësoi punën e policisë duke thënë se ajo ishte krenare për kurajon dhe tolerancën e treguar nga ata. Olenka Lukash foli me diplomatët e huaj gjatë një takimi në Ministrinë e Jashtme.
“Forcat policore duke rrezikuar jetën e tyre, demostruan durim të madh me ekstremistët.”
Por ajo u gjend përballë një reagimi shumë kritik nga ambasadori gjerman në Ukrainë, Cristof Weil.
“Nuk është vetëm formulimi i ligjeve kundër protestave, por shpirti i ligjeve që na bën të ndjehemi të zhgënjyer. Ne i lexojmë ligjet tuaja por gjithashtu duam të theksojmë procedurën e diskutueshme përmes të cilës u futën në zbatim dhe kontekstin tejet të politizuar përmes së cilës u miratuan ato.”
Ambasadori gjerman tha se të pranishmëve u kishte bërë përshtypje se askush nga qeveria nuk kishte shprehur keqardhje për dy të vrarët e një natë më parë.
Ndërkohë, ambasada amerikane në Kiev tha përmes një deklerate sot se kishte anuluar vizat për disa shtetas ukrainas që kanë lidhje me dhunën atje.
Policia e specializuar për protestat ndërmori një aksion mbrëmë kundër qindra protestuesve për t’i larguar ata nga kampi me tenda të ndërtuar në Qendren Pavarësia.
Shefja e politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton bëri thirrje sot për dhënien fund menjëherë të dhunës në Ukrainë. Ajo dënoi me forcë dhunën që çoi në humbjen e jetës së protestuesve.
Ndërsa në Uashington, Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Amerikane, që mbikëqyr edhe Zërin e Amerikës, reagoi ashpër ndaj sulmeve të përgjakëshme nga policia ndaj dhjetëra gazetarëve në Kiev, përfshi dy gazetarëve të Radios Evropa e Lirë. Ata po mbulonin protestat të hënën kur u rrahën dhe goditën nga pjestarë të forcave speciale.
Protestat masive në kryeqytetin ukrainas Kiev shpërthyen pasi presidenti Viktor Yanukovych refuzoi një marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe zgjodhi në vend të saj lidhje më të ngushta me Rusinë. Kjo e fundit i ofroi atij një hua prej 15 miliardë dollarësh.