Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të jenë të përfaqësuara nga diplomatë të rangut më të ulët, ndersa Serbia me Ministrin e Jashtem, Merkiq./
Në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, sot mbahet debati për punën e tribunaleve ndërkombëtare për krime lufte, në të cilin debat do të marrë pjesë edhe presidenti serb, Tomisllav Nikolliq.
Diskutimet mbi temën “Roli i së drejtës penale ndërkombëtare në realizimin e pajtimit”, janë caktuar për datën e sotme, nga presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq.
Në delegacionin e Serbisë sot merr pjesë edhe ministri i punëve të jashtme, Ivan Mërkiq.
Jeremiq këtë debat e ka future në agjendë vitin e kaluar pas shfajësimit të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të jenë të përfaqësuara nga diplomatë të rangut më të ulët.
Jeremiq ndërkaq e ka cilësuar si “skandaloze” faktin që presidenti i Tribunalit të Hagës nuk i është përgjigjur thirrjes për të marër pjesë.
Në fakt, presidenti i Tribunalit, Theodor Meron, ka kritikuar debatin në fjalë, duke thënë se “me të vihet në pikëpyetje respekti thelbësor për sundimin e ligjit”.
Gjykatësi Meron, duke folur ditë më parë në Brookings Institution në Washington, ka thënë se “shfajësimet, sikurse edhe dënimet, dëshmojnë për shëndetin e këtij sistemi”.
“Debati nuk është i atillë, në të cilin pjesëmarrja ime do të kontribuonte ndaj normave që unë i kam shumë për zemër”, pati thënë Meron.
Debati pritet të fillojë në orën 10:00, sipas kohës lokale në New York. (a.v.)