Nga Edmond BANUSHI/
Për të nxehur këtë verë me temperatura jo të larta, mendoi qeveria. Kontrolli i privatësisë, imei, kontrolli i gjyqësorit, KLD, kontrolli i njësive të qeverisjes vendore, me ligj, duke u ndryshuar harta e tyre, dhe me akt administrativ, duke u hequr kompetencën, qenë temat e ditës.
Këto dëgjohen nga kryeministri dhe zëdhënësit e tij, që asnjëri nuk ia kupton idetë dhe i japin dhe dozën e tyre të paditurisë, absurditetit që flet i madhi. Nuk di pse bëjmë të njëjtat gabime këto 20 vjet, vetëm ndryshon autori, por gabimet janë të njëjtat.
U fol për imei, numrin identifikues të telefonit, më privat nuk ka se ku të bëhet! U justifikua qeveria, ҫuditërisht me ministren e teknologjisë, jo me atë të financave, se duhej për të mbledhur taksat, dhe për të shmangur evazionin fiskal, por ҫ`lidhje ka telefoni që unë, ti, ai, të gjithë ne, kemi aktualisht në xhep, po e përdorim, me mbledhjen e detyrimeve doganore, që të gjithë e dimë bëhet për telefonat e rinj, harroi të na e spjegojë ministrja. Po, kaq të trashë na dinë?? Pastaj, është një ligj (nr. 9712, datë 16.4.2007), që detyron ata që importojnë telefona celularë të rinj brenda territorit të R.Sh,. t`i deklarojnë dhe të regjistrojnë numrin e imeit me qëllim pagimin e detyrimeve tatimore, përse duhej një vendim i këshillit të ministrave?
Përveҫ këtij absurditeti, regjistrimi i sendeve të luajtshme nuk mund të parashikohet me vendim të këshillit të ministrave por me ligj, është parim i Kodit Civil, por sic duket në qeveri nuk ka juristë ose i kanë marrë diplomat, siҫ thonë gojët e liga, duke i blerë.
Për të mos folur për antikushtetueshmërinë e këtij akti, që prek jetën private, fshehtësine e korrespondencës dhe mjeteve të komunikimit. Neni 35 dhe 36 i Kushtetutës parashikon që mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, pra jo me vendim të këshillit të ministrave dhe liria dhe fshehtësia e cdo mjeti komunikimi janë të garantuara. Nuk ka nevojë të përhapemi për ta kuptuar shkeljen e të drejtave të njeriut nëpër rastet e Gjykatës së Strasbourgut, e kemi të shkruar në Aktin tonë Themelor.
Gjykata Kushtetuese foli, pezulloi zbatimin e këtij akti arrogant, por qeveria në vendimin e saj kishte parashikuar afate shumë të shkurtra zbatimi, jo pa qëllim, dhe efektet antikushtetues mund të kenë ardhur ndërkohë. Kush na garanton që kjo bazë të dhënash antikushtetuese do të shkatërrohet?!
Pikërisht këtu qëndron gjithë djallëzia e ekzekutivit të pakontrolluar.
Janë dhe dy temat e përhershme që nuk mungojnë në asnjë edicion lajmesh, ajo kundër drejtësisë dhe ajo kundër ndërtimeve pa leje. Nuk e mohoj, janë të rëndësishme të dyja, ndërtimet pa leje dhe me leje, që po na marrin frymën, jo vetëm duke zënë sipërfaqet të gjelbra, lulishte, blu, dete e liqene, e të hirta, gërxhe malesh, por na i kanë mbushur mushkëritë me cimento,e kemi gjithmonë zhurma matrapikësh e betonë-hedhësesh në vesh, se nuk përfundojnë kurrë ndërtimet në këtë vend të bekuar, dhe drejtësia, që duhet të jetë e drejtë në fund të fundit, por kjo realizohet duke qene te pavarura, jo duke u kontrolluar (apo varur) nga forca (shpesh dhe humori) e qeverisë apo shumicës parlamentare.
Sa herë ndryshojnë pozicionet opozitë-pozitë, janë të njëjtat diskutime, të njëjtat beteja që hap e mbyll opozita e veshur me pushtet tashmë. Në 2005, Berisha, i sapo veshur me pushtet, filloi betejen me KLD, atë që po ben sot Rama, pasi bëri presion duke u marrë me emra konkretë të saj, nuk arriti gje, dhe u miratua një ligj (që mesa më kujtohet u “propozua” nga baza me peticione të nënshkruara që ia shtinë në mend) që më pas u deklarua antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, ligjit nr. 9448, datë 05.12.2005 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Për të freskuar kujtesën për ata që nuk kanë memorie të gjatë, sipas këtij ligji u përcaktua papajtueshmëria e mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me çdo veprimtari tjetër politike, publike ose private (përveç mësimdhënies), pasi vjen në kundërshtim me përcaktimin kushtetues të anëtarësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për shkak të detyrës si gjyqtar, duke i detyruar anëtarët e KLD që ishin gjyqtarë të zgjidhnin brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërmjet mandatit të gjyqtarit dhe atij të anëtarit të KLD, duke qënë se u konsiderua si konflikt interesash.
Po këtë po dëgjojmë edhe sot, sipas pozitës së sotme, që nuk është Berisha, gjyqtarët nuk duhet të jenë anëtarë KLD pasi mbrojnë njëri-tjetrin dhe ka konflikt interesash. Ndërkohë ligji nr. 9448, datë 05.12.2005 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, është kundërshtuar nga opozita e asaj kohe, dhe përfaqësues në Gjykatën Kushtetuese ka qënë pikërisht i flakti z.Ylli Manjani. Sipas opinionit të tij të asaj kohë, ligji i Berishës (gjuha e opozitës së atëhershme) dilte jashtë logjikës kushtetuese të përfaqësimit të gjyqësorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe cënon parimin e vetëqeverisjes së tij. Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 14, datë 22.05.2006, i dha të drejtë opozitës së asaj kohe, duke konsideruar se ndërprerja para përfundimit të afatit të përcaktuar në nenin 147/1 të Kushtetutës të mandatit të anëtarëve të KLD, me anë të përcaktimeve në ligj, është antikushtetuese. Bazuar në nenin 116 të Kushtetutës, në hierarkinë e akteve normative që kanë fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë te detyrueshme për pozitë e opozitë, i pari është pikërisht Kushtetuta dhe cdo akt tjetër duhet të jetë në përputhje me të. Sipas Gjykatës Kushtetuese, të vendosur në lëvizje me kërkesë të opozitës së kohës, të përfaqësuar nga i nderuari z.Manjani, afati 5-vjecar i antëtarëve të KLD, duke qënë afat kushtetues, nuk shkurtohet dot me ligj.
Por e keqja ishte bërë ndërkohë. Përbërja e KLD ishte ndryshuar, dhe në përfundim të luftës për marrjen e KLD-së, ngelën pa mandat gjyqtari dhe mandat anëtari të KLD-së, pikërisht edhe anëtari i sotëm i KLD-së, Sokol Ҫomo.
Për pak variacion dhe origjinalitet, pozita e sotme zgjodhi rrugën e komisionit parlamentar, duke u ngarkuar anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga parlamenti dhe vendime të marra kur ata nuk ishin zgjedhur ende në këtë funksion.
“Atë, faljua se nuk dinë se c`bëjnë!”
Në rast se ata kanë shkelur ligjin kur kanë votuar në vendimet e KLD-së që nuk i kanë pëlqyer shumicës së sotme, ligjin ka shkelur dhe Presidenti, ligjin ka shkelur dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, se edhe ata kanë votuar, edhe ata të zgjedhur nga Parlamenti janë, përse nuk i shkarkojmë, komisionin e kemi ??!!
Dhe sikur të niset nga motive fisnike kontrolli mbi KLD ka pasoja të rrezikshme për shoqëri me ekuilibër të brishtë si e jona. Ndërsa kryeministri dëshiron që për sa kohë nuk e kontrollon KLD-në, inefiҫenca e gjykatave të jetë alibi për dështimet e qeverisjes.
Fushata tjetër, pjesë e trilogjisë, na kujton të famshin “Zogun e Zi”.
Vetë i nderuari kryeministër i sotëm kryetar i Bashkisë Tiranë, në kohën e konfliktit të famshëm, vuri në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, (në atë kohë i donte gjykatat) duke pretenduar se sipas parimeve të decentralizmit të pushtetit, të autonomisë vendore, të subsidiaritetit dhe të proporcionalitetit të parashikuar në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 8548, datë 11.11.1999, të cilët kanë gjetur zbatim në ligjin nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, bashkitë dhe komunat ushtrojnë funksionet e veta dhe janë përgjegjëse në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike. Bazuar në aktet e mësipërme i nderuari kryeministër i sotëm ka kundërshtuar si antikushtetues ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” dhe të ligjit nr. 8408, datë 25.09.1998 “Për Policinë e Ndërtimit” pasi sipas tij cenojnë parimin e decentralizmit të pushtetit dhe të autonomisë vendore, i atribuojnë pushtetit qendror çështje të administrimit të ndërtimeve dhe territorit, si dhe uzurpojnë vendimmarrjen lokale. Funksioni parësor i pushtetit vendor është administrimi i territorit nën juridiksion, vendosja e policisë ndërtimore nën varësinë e pushtetit qendror, duke e pajisur me kompetenca ekzekutive dhe urdhërdhënëse për çështje të pushtetit vendor, bien ndesh me parimin e autonomisë vendore dhe të proporcionalitetit të përcaktuar nga Karta Europiane e Autonomisë Vendore.
Dhe Gjykata Kushtetuese foli, përcaktoi se ish-kryetari i bashkisë, kishte të drejtë, dhe vendosi që shqyrtimi dhe miratimi i lejeve të ndërtimit, si çështje të planifikimit dhe menaxhimit urban që përfshihen në konceptin ligjor “funksionet e veta”, janë kompetencë e plotë dhe ekskluzive e organeve të qeverisjes vendore.
Sipas vendimit të cështjes së Zogut të Zi, e drejta e shfuqizimit të akteve të paligjshme të KRRT-ve që funksionojnë pranë organeve të qeverisjes vendore është kompetencë e organeve të pushtetit gjyqësor, si dhe KRRT-ja është organ i specializuar për urbanistikën që ushtron funksionin dhe kompetencat e tij vendimmarrëse në fushën e planifikimit dhe të menaxhimit urban, nën autoritetin e pushtetit vendor.
Por ama ndërtimi tek Zogu i Zi u prish. Paratë tona u shpërdoruan.
Sot i nderuari kryeministër aktual mendon ndryshe, me një akt admnistrativ, të pushtetit qëndror, pezullon zbatimin e ligjit, nga organet e qeverisjes vendore, merr përsipër të ndalojë kohën, dhe për më tepër të bëhet edhe gjykatë, duke përcaktuar dhe cilat akte te KRRT-ve janë të ligjshme dhe cilat janë të paligjshme.
Përveҫ se po veprojnë në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendime që janë përfundim i proҫeseve që janë iniciuar prej kësaj force politike, më e cuditshmja është se janë po të njëjtat zëra të kësaj force politike. Ose ka evoluar mendimi i tyre, ose janë me kujtesë të shkurtër, ose kujtojnë që populli dele, është me kujtesë të shkurtër.
Ne gjithë këtë zhurmë të madhe, është gjykata që flet fjalën e fundit, ndaj gjykata duhet të jetë e fortë dhe e pavarur, se gjykata ndryshe nga politika që me ndryshimin e karrikes, në opozitë apo në pozitë, ndryshon dhe opinion, gjykata duhet të jetë e qëndrueshme, madje në vendimet e saj t`u rikujtojë palëve edhe qëndrime të saj të mëparshme, nga të cilat nuk mund as devijojë.
Por, ndërkohë, për fat të keq, sic ka treguar historia, pasoja e dëshiruar, qëllimi antikushtetues derisa të flasë gjykata, do të arrihet, dhe dëmi është përsëri mbi ne.
Një nga dallimet thelbësore midis vendeve demokratike dhe autoritare është pikërisht qëndrimi ndaj gjyqësorit, dhe posaҫërisht ndaj Gjykatës Kushtetuese. Pushteti absolut është shumë joshës por dhe po aq i rrezikshëm dhe vetëm një gjykatë e pavarur mund ta mbajë drejt cfarëdo qeverije, që të ketë kurajo t`i kontrollojë dy pushtetet e tjera, dhe të thotë të vërtetën me gjuhën e ligjit.
Joshjes së të paturit nën kontroll të këtij pushteti nuk i kanë shpëtuar as udhëheqës të mëdhenj. Franklin D.Roosevelt, u zgjodh në vitin 1932, në mes të Depresionit të Madh, me 57% të votave, president i SH.B.A-ve. Partia Demokratike kishte mazhorancën sa në Kongres edhe në Senat. Me një forcë të tillë zgjedhore, ai aprovoi me shpejtësi një pakt fiskal që njihet me emrin “New Deal”, për të dalë nga humnera financiare. Katër ishin këmbët themelore të tij, pakti, “National Industrial Recovery Act (Nira)”, që nuk ishte gjë tjetër veҫse një masë mbrojtjeje e tregut kombëtar; “Public Works Administration (Pwa)”, që ishte zbatimi praktik i teorisë ekonomike keynesiane, të rritjes së shpenzimit publik për rimëkëmbjen e ekonomisë; (u ndërtuan shumë vepra të mëdha, një nga të cilat është Overseas Highway, rruga me pamje të mrekullueshme që lidh Key West dhe shumë ishuj të tjerë me Miamin.); “Social Security Act”, që futi për herë të parë asistencën sociale dhe hodhi bazat e “Welfare State” të sotëm në Amerikë dhe “National Labor Relations Act”, që forcoi akoma më tepër të drejtat e punëtorëve, por veҫanërisht rolin e sindikatave në kontratat kolektive me punëdhënësit.
Këto masa shkaktuan diskutime të shumta dhe të ashpra. Ndërkaq Supreme Court of the United States, ekuivalentia e Gjykates Kushtetuese tek ne, ishte shprehur, me rezerva për Nira-n, më 27 maj 1935, duke e shpallur nenin e parë të tij në kundërshtim me Kushtetutën. Në të thuhej, midis të tjerash,shprehimisht “Rrethanat e jashtëzakonshme mund të kërkojnë masa të jashtëzakonshme. Por … rrethanat e jashtëzakonshme nuk mund të të japin me shumë pushtet se ҫ`parashikon Kushtetuta”. Të gjitha shtetet e hodhën në gjyq qeverinë federale dhe ndërsa gjyqet vazhdonin, më 1936, Roosevelt u rizgjodh president, me 61% të votave. Gjatë gjithë fushatës ai e kishte sulmuar Supreme Court, por kulmin e arriti në transmetimin radiofonik të datës 9 mars 1937. Ai tha, përafërsisht, se forma e qeverisë amerikane e dhënë nga Kushtetuta, është si një grup me tre kuaj, ku dy prej tyre, Kongresi dhe ekzekutivi ecin në unison, ndërsa i treti gjyqësori, jo. Duke qënë se ai humbi 5 me 4 në gjykatë, mendoi se do të ishte mirë t`i hiqte qafe gjyqtarët duke u “qarë” hallin për punën e rëndë. Nëpërmjet një plani të paraqitur prej tij “Judiciary Reorganization Bill”, kërkoi që të dilnin në pension gjyqtarët mbi 70 vjeҫ dhe të drejtën për të emëruar deri në gjashtë gjyqtarë të rinj. Ndonëse partia e tij kishte shumicën në kongres dhe senat, ata e hodhën poshtë propozimin, madje e quajtën një “kërkesë të rrezikshme, që u largohet parimeve kushtetuese”. Në këtë kohe “New Deal” dha shenjat e para pozitive në ekonomi, u përmirësuan kushtet e punëtorëve të bardhë (për ata me ngjyrë nuk bëhej fjalë fare). Megjithatë koha u dha të drejtë gjyqtarëve të pavarur. 48 shtete e fituan gjyqin me qeverinë federale, por ndërkaq masat ishin zbatuar tërësisht. Ekonomia amerikane hyri perseri në krizë në fund të vitit 1937. Pas shumë kompromiseve ligjet e New Deal u gjykuan në përputhje me Kushtetutën.
Këtu qëndron dallimi midis ligjvënësve amerikanë të zgjedhur nga populli, kanë turp nga historia, dhe atyre shqiptarë të emëruar nga Baballaret e partive, që nuk e kanë as në fjalor këtë fjalë.
E kundërta ndodhi në vitet nentëdhjetë në Peru dhe Venezuelë. Presidentët Fujimori dhe Chavez pas fitoreve në zgjedhje kërkuan dhe realizuan rishkrimin e kushtetutave përkatëse dhe vunë totalisht nën kontrollin e tyre gjyqësorin. Por nëse ka ngjarje që ngjan si dy pika uji me rastin amerikan, është Carlos Saul Menem në Argjentinë. Natyrisht që e kaluara e këtij shteti ishte shumë e trazuar. Brenda një shekulli kishte provuar 2 herë diktaturën ushtarake. Por edhe ata që vinin në pushtet me zgjedhje, kishin deshirë si paraardhësit militarë të nënshtronin gjyqësorin. Në vitin 1990 u bë kalimi demokratik, nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Partia për Drejtësi i zuri vendin Partisë Radikale. Duke qënë kjo forcë politike në fuqi që nga viti 1983, natyrisht që anëtarët e Gjykates Kushtetuese ishin zgjedhur nga presidenti I mëparshem. Që gjatë fushatës zgjedhore, Menem u bënte presion, madje edhe thirrje të hapur për dorëheqje anëtarëve të kësaj gjykate. Dhe vetëm 3 muaj pas ardhjes në pushtet, ashtu si Roosevelt në 1937 u “qau hallin” gjyqtarëve se punonin shumë dhe propozoi një ligj në parlament që shtonte numrin e tyre nga 5 në 9. U aprovua me shpejtësi rrufe dhe kështu Menem pati edhe në gjykatë mazhorancën. Tregojnë një episod kuptimplotë për këto ngjarje në Argjentinë. Menem sapo erdhi në pushtet i ofroi nje post si ambasador në një vend të rëndësishëm një anëtari të Gjykates Kushtetuese Carlos Fayt. Pasi e refuzoi Fayt, autor i 35 librave, i nisi një kopje të librit që kishte shkruar mbi “ligjin dhe etikën” me dedikimin shkruar me dorë “Kujdes, e kam shkruar unë këtë libër”.
Baza e pamundësisë për të dalë shpejt nga kriza ekonomike, lulëzimi i korrupsionit, rritjes së kriminalitetit, në vendet që kanë në bazë zgjedhjet demokratike është pikërisht cënimi që politika i bën pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
Kjo do të thotë që mosrespektimi i parimit bazë të demokracis, ai i ndarjes dhe pavaresisë së pushteteve, nuk është problem vetëm i prokurorëve dhe gjyqtarëve, por i të gjithë qytetarëve.
Ne kemi fatin të njohim historinë e vendeve të tjera dhe të zgjedhim modelin që duhet të ndjekim, e ҫfarë bëjmë?? Përsërisim po të njëjtat gabime tonat, megjithëse e dimë përfundimin, vetëm për arritjen e një qëllimi afat- shkurtër, të errët të cilin historia nuk do të na e falë.