Nga Frank Shkreli/
Gazeta Telegraf e Tiranës njofton se gjatë këtyre ditëve po zhvillohet në Durrës një veprimtari e parë sportive në historinë e notit shqiptar. Me këtë nismë, Federata Shqiptare e Notit bëri histori duke organizuar në pishinën e Durrësit, Kampionatin Mbarëkombëtar në këtë sport, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kësaj ngjarjeje mbarëkombëtare i parapriu Kampionati Kombëtar i muajit të kaluar për moshat deri në 14 vjeç, tha për gazetën Telegraf, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Agim Çiraku.
Në një intervistë për gazetën Telegraf, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Çiraku, me të drejtë e cilësoi Kampiontaion Mbarëkombëtar të notit si, “Një veprimari të madhe të notit në vendin tonë… ku marrin pjesë notarë nga të gjitha trevat shqiptare, çka e bën më të rëndësishëm dhe më interesant këtë event”, theksoi ai në intervistën për gazetën Telegraf. Kjo nuk ishte një ndërmarrje e vogël dhe do si do, por kërkonte seriozitet dhe aftësi organizimi. Z. Çiraku shtoi se në Kampionat po marrin pjesë rrethë 300-notarë të zgjedhur nga federatat e trojeve shqiptare. Ai theksoi se përgatitjet e mëdha, për pjesëmarrjen e qindra notarëve në garat e Durrësit, kanë përfshirë, ndër të tjera, organizimin dhe përzgjedhjen e skuadrave dhe të gjyqtarëve, si dhe detaje për akomodimin e gjithë këtyre pjesmarrësve që vërshuan në Durrës, nga të gjitha trevat shqiptare.
Z. Çiraku duhet të ndihet krenar për këtë ndërmarrje, jo vetëm nga pikëpamja dhe natyra mbarëkombëtare e garës, por edhe për faktin që po i sjellë notit shqiptar, ose më mirë të themi këtij sporti tashti i konsideruar si mbarë shqiptar, vendin që i takon në rajon dhe në botë. Por edhe për faktin se siç nënvijoi edhe ai vet, ky organizim sportiv, shënon, “Rikthimin e traditës së mirë që Durrësi ka patur me sportin e notit”, ndërsa Shqipëria nuk kishte organizuar kurrë më parë, në këtë nivel mbarëkombëtar, një garë të tillë në not.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Agim Çiraku njoftoi lexuesit e gazetës Telegraf se në garat e Durrësit do të merrnin pjesë 150-notarë nga 15-16 ekipe
nga mbarë Shqipëria, ndërsa nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi ishin regjistruar një numër i njëjtë pjesëmarrsish në këtë garë, përfaqsues të federatave të tyre respektive të notit. Z. Çiraku u shpreh optimist se notarët shqiptarë nga Shqipëria dhe nga viset e tjera shqiptare do të shënojnë rekorde të reja gjatë këtij Kampionati Mbarëkombëtar në Durrës.
Sa bukur tingëllon kjo, “Kampionati Mbarëkombëtar i Notit”, sidomos sot në këtë moment të historisë së shqiptarëve kur aq shumë gjëra mund të organizoheshin në nivel kombëtar, jo vetëm në sport, por pothuaj në të gjitha fushat e aktiviteteve kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike, por që nuk kanë ndodhur deri më tani, aq sa do të duhej të ndodhnin. Ndoshta duhej që sporti, pikërisht një organizim si Kampionati Mbarëkombëtar i Notit që, më në fund, të hapë rrugën drejtë një bashkpunimi dhe bashkrendimi të mirëfilltë mbarëkombëtar edhe në aktivitete të tjera të fushave të ndryshme.
Urime Federatës Shqiptare të Notit dhe Presidentit të saj Z. Agim Çiraku për këtë ndërmarrje kaq të madhe e kaq domethënse sportive shqiptare, jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për faktin se kjo garë po mbahet në shkallë kombëtare. Në një kohë, kur politikanët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, bëjnë deklarata bombastike që i merr era për bashkim kombëtar, kryesisht për qëllime politike, para zgjedhjeve – ndërkohë që nuk mund të zgjidhin problemin e tarifës për disa thasë potatesh në kufirin shqiptaro-shqiptar – ja një organizatë jo-qeveritare, siç është Federata Shqiptare e Notit, u tregon udhën politikanëve se si duhen bërë gjërat, duke bashkuar shqiptarët në një eveniment mbarëkombëtar garash në not.
Ashtu, pa bujë, pa rrahje gjoksi — dhe pa deklarata bombastike boshe të politikanëve shqiptarë për bashkim kombëtar, të cilat sikur bëhen me qëllim dhe në kohë të caktuara, për të zemëruar miqtë dhe armiqtë e kombit — Federata Shqiptare e Notit organizon këto ditë — për herë të parë në histori, në Durrësin bregdetar shqiptar, gara në not – në shenjë të përparimit dhe bashkimit kombëtar, me pjesëmarrrës nga të gjitha trojet. Duke venë në dukje vlerat më të çmueshme sportive po se po, por edhe vlerat shpirtërore, kulturore dhe kombëtare, më të çmueshme të shqiptarëve. Ndërkohë që gjatë 100-viteve të fundit – për arsye historike që dihen — të ndarë e të përçarë gjeografikisht dhe ideologjikisht nga njëri tjetri, familja me familje, në një kohë kur shqiptari nuk u suall mirë me shqiptarin — sot shqiptarët nga të gjitha trojet së bashku, në paqë dhe pa frikë nga askush, garojnë në not, aty në qytetin e vjetër të Durrësit.
Dihet se gjatë historisë, sporti ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm për bashkim dhe për mirëkuptim, madje edhe në fushën e diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos gjatë Luftës së Ftohtë. Historia ka shënuar efektin e “diplomacisë ping pong” në marrëdhëniet amerikano-kineze, kur lojtarët amerikanë të ping pongut kishin shkuar për herë të parë në Kinë, në fillim të 1970-ave, ngarje kjo që përgatiti rrugën për vizitën e famshme të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Riçard Nixon në Kinë, duke zbutur kështu atmosferën politike midis dy vendeve kundërshtare dhe duke sjellur një ulje tenisonesh në marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës. “Asnjëherë në histori nuk është përdorur sporti si një mjet më efikas në diplomacinë ndërkombëtare”, ishte shprehur udhëheqsi i atëhershëm komunist kinez, Çu En Lai, duke iu referuar qëndrimit prej një jave të sportistëve amerikanë në Kinë.
Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbe valvitet sot i lirë mbi tokën shqiptare dhe në mjedisin e garave të notit në Durrës, si një simbol shprese për një të ardhme më të mirë, për të gjithë shqiptarët kudo dhe së bashku. Garat mbarë-kombëtare të notit të organizuara nga Federata Shqiptare e Notit në pishinën e Durrësit më 10, 11, dhe 12 korrik – përveçse se janë siç e cilësoi Presidenti I saj, Z. Agim Çiraku, një, “veprimtari e madhe e notit në vendin tonë”, mund të konsiderohen gjithashtu edhe si një simbol lirie, barazie dhe vëllazërie midis shqiptarëve të të gjitha trojeve – një miniaturë e bashkimit të trojeve shqiptare, në të vërtetë! Kampionati i notit në Durrës, shënon gjithashtu edhe besimin në vet-vete se garat sportive mbarëkombëtare janë, njëherazi, një shprehje e zotësisë dhe aftësive, si dhe e fuqisë krijuese të sportistëve shqiptarë për të garuar me njëri tjetrin dhe me të tjerët, në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, në paqë, barazi e vëllazërim. Por, në këtë mjedis zhgënjimesh politike dhe ekonomike në jetën e përditshme të shqiptarëve, Kampionati mbarë kombëtar i notit në Durrës, mund të shikohet, ndoshta si një çfaqje e vogël, si një hap I parë por domethënës i realizimit shpresës në arritje, eventualisht, të synimeve kombëtare për një të ardhëme më të ndritur për brezat, anë e mbanë trojeve shqiptare.
NUK SHITEN E AS NUK FALEN TROJET SHQIPTARE
Fjalimi i Biden-it nuk është alibi për qeveritarët e Prishtinës /
Nga KOLEC TRABOINI /
Ato që thotë në fjalime e biseda në Prishtinë i nderuari Biden,zëvendësi i presidentit Obama, së pari nuk janë urdhra, nuk janë te detyrueshme dhe se dyti ai nuk e thotë shprehimisht se duhet të falim toka shqiptare. Nuk mund ta thoshte këtë se po ta thoshte nuk do te ishte aspak mik i shqiptareve. Nuk meriton një mik i madh si Biden, të përdoret për qëllime të mbrapshta nga klani në pushtet në Kosovë. Kjo është një ligësi e dinakëri orientale e propagandës se dyshes Thaçi – Mustafa. As Amerika nuk i lejon vetes të thotë falini tokat sepse amerikanët e dinë historinë, që tokat shqiptare në Ballkan janë të pushtuara nga 4 shtetet ballkanike, Serbia, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi.. Po le të shkojmë më tej. Edhe sikur të thoshte Biden jepini tokat, Biden në janar do të jetë thjeshtë një pensionist si gjithë të tjerët e fjala e tij nuk është ligj por një opinion personal. Madje pa asnjë influencë me ardhjen e një presidenti dhe administrate të re në Shtëpinë e Bardhë me 20 janar 2017. Kosova nuk mund të japë asnjë centimetër tokë, le të thotë çfarë të doje Biden, Hashim Thaçi, Is Mustafa apo propoganda qorre e Prishtinës. Nuk ka mik të mirë në botë që të detyron të shesësh a të falesh trungun e Atdheun. Nëse e japin truallin kombëtar, për tradhti kombëtare do të paditën shtetarët e sotëm në Kosovë e jo pensionisti Biden përtej oqeanit. Prandaj nuk ka asnjë alibi për ata që i janë qepur si bisha trojeve shqiptare e do ti japin tek të huajt. Nëse ata bëjnë sikur nuk e kuptojnë sot se po kryejnë një akt të paprecedent, në fakt një akt tradhtie(çfarë të kujton faljen e Shën Naumit që bëri Zogu për serbët që e sollën në pushtet), nga dëliri se e ndjejnë veten të gjithëpushtetshëm bëjnë sikur as lexojnë çfarë shkruhet e as çfarë flitet në popull, por nesër kur të mos jenë më në pushtet, bukur mirë do të kenë mundësi ta kuptojnë, por edhe të mbajnë përgjegjësinë historike të tradhtisë e do të marrin atë që meriton çdo tradhti e çdo tradhtar. Nuk është vonë për të hequr dorë nga ky akt mizor i tjetërsimit të trojeve kombëtare shqiptare dhe aspak vonë për të dënuar tradhtinë, nëse kjo ndodh. 18 gusht 2016
MUHAMET SHABANI, HISTORIANI I DIMENSIONEVE THELLUESE
Rreth librit “Politika ekspansioniste e shteteve ballkanike ndaj trojeve shqiptare”/
Nga Bajame Hoxha- Çeliku, Tiranë./
Kohët e fundit më ra në dorë rastësisht libri i Msc. Muhamet Shabanit mbi politikën gjenocidiale të fqinjëve tanë historik ndaj trojeve shqiptare,një libër i kompletuar dhe, deri diku shterues mbi këtë temë. Libri,një vështrim i thelluar monografik i çështjes, e tejshtrin vështrimin në shumë aspekte të historisë së Shqipërisë dhe të Ilirikumit dhe bën një panoramë të kësaj historie nga lashtësia gjer në ditët e sotme,duke trajtuar me shembuj, fakte, analiza dhe detaje, fatin historik të kombit shqiptar, përballë armiqve oreks-mëdhenj që gllabëruan tokat shqiptare dhe e vunë vendin tonë në morsën e shtrëngimeve dramatike ,dhe, nga ana tjetër populli shqiptar në këtë vibrim të vazhdueshëm të historisë, diti të ngrejë antikorpet e veta ndaj virusit të shuarjes ose tjetërsimit dhe zhbërjes. Me të drejtë mund të themi,se sado që stuhitë kanë fryrë në anën e kundërt të anijes së shpresës ,është gjetur gjithmonë një kohë e qetë për të dalë në breg. I gjithë libri i Muhamet Shabanit trajton pikërisht këtë ide,dhe vetiu shndërrohet në një manifest të përurimit të një ndërgjegje sa të vjetër dhe të re kombëtare:të vetëdijes se një popull që shuan kujtesën dhe nuk mbetet esëll, është i destinuar të zhduket. Këto mesazhe ky libër i përcjell më së miri dhe na i bën me dije ato përmes trajtesave me skrupulozitet shkencor.
Po kush është Muhamet Shabani?Ai ka lindur në fshatin Jezercë- Ferizaj më 1954. Ka kryer Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës për histori. Është një nga veprimtarët e e shquar të çështjes së Kosovës dhe arsimit shqip,dhe për shumë vite ka kontribuar si kryetar i Lidhjes,ku më pas, ka emigruar dhe është zgjedhur drejtor i shkollës shqipe në Bruksel ku ka ndihmuar vite me radhë fëmijët shqiptarë të mos asimilohen apo të harrojnë gjuhën e bukur shqipe dhe historinë e saj. Pra,një njeri i formuar në fushë të historisë dhe të hulumtimeve didaktike-shkencore, që sjellin natyrshëm të dhëna intertesante në dobi të çështjes së trajtuar. Muhamet Shabani në librin e tij niset nga një burim i pasur arkivor dhe nga një literaturë e pasur, e konsultuar me kujdes ,kështu, faktografia bëhet një tërësi piketash nga duhet të lëvizë mendimi drejt realizmit dhe objektivitetit, ashtu siç vërtetë e parasheh shkenca moderne historike, dhe siç duhet të ndodhë dhe të mirëkuptohet larg çdo skeme apo ideologjie të frustuar. Asnjë ideologji nuk mund ta udhëheqë historinë, përveç ideologjisë kombëtare,dhe kjo ,aspak nuk duhet të mitizohet,po të udhëhiqet nga kriteri i së vërtetës brenda arsyetimit rrethanor. Kështu duke vërejtur këto parime ,mund të themi se Muhamet Shabani ia ka arritur të bindë lexuesin, pavarësisht nga anësia, ta marrë atë me urtësi përdore dhe ta çojë tek burimi i së vërtetës për të freskuar kujtesën .Kjo, jo vetëm që është një arritje e tij,po edhe një mënyrë e bindshme e procedimit faktik duke dëshmuar edhe një herë se shumë historianë shqiptarë ,të zotë të mbrojnë të vërtetat e përgjakura të kombit të tyre, nuk kanë rënë kurrë në trajtesa të manipulimit të së vërtetës, as të urrejtjes etnike edhe pse nga kjo urrejtje, populli shqiptar shpesh e ka pësuar. Një nga këta historianë mbetet edhe Muhamet Shabani, i cili në librin e tij plotëson një kuadër të plotë të tablosë kombëtare duke e shtrirë vështrimin e tij që nga mugëtira e historisë e deri në të sotmen.
Dhe çfarë mësojmë ne nga gjithë trajtimet e tij. Mësojmë se shumë toka shqiptare sot vetëm emrin kanë të tilla, se në to nuk ka më banorë shqiptarë aty,mësojmë mbi projektet shfarosëse të Çubrilloviçit dhe të Ivo Andriçit, diplomat dhe nobelist, po që në çdo takim projektonte dhe negocionte vetëm kundër shqiptarëve,mësojmë mbi shpërnguljet e mëdha nga Nishi dhe vise të tjera të Kosovës ,mbi negociatat dhe planet e kësaj shpërnguljeje nga jugosllavët me turqit,në mënyrë që popullsia shqiptare të shfarosej;mbi trysninë e ndërrimit të fesë dhe, përmes saj, të harresës etnike,mbi vrasjet ,masakrat dhe dëbimet e çfarëdolloj forme e metode ,mbi orekset e mëdha për zhdukjen edhe të Shqipërisë londineze etj, etj. Libri hapet me një përshkrim që u bën autori trojeve dardane,organizimit të asaj kohe,luftrave të pareshtura dhe emrave të mëdhenj që nxori kjo trevë,midis të cilëve spikat Konstadini i Madh. Dardania e shekujve 7-14 paraqitet në kohën e dyndjeve sllave. Duhet thënë se në këtë kapitull autori sjell një varg referencash nga autorë të huaj,midis të cilëve edhe të historianëve serbë, maqedonas, ku hedh poshtë shkencërisht të ashtuquajturën tezë serbe mbi gjoja Kosovën si djep të Serbisë. Të gjitha dokumentet dhe të dhënat e ndryshme vërtetojnë autoktoninë shqiptare të popullsisë së Dardanisë,duke hedhur tej gjithë ato sajime dhe maipulime që synojnë të mjegullojnë historinë dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të kësaj treve. Gjithë historia e mëvonshme me ardhjen e sllavëve në Ballkan aty nga shek 7, ka qenë histori luftërash dhe pushtimesh, po njëherit edhe histori qëndrese dhe përpjekjesh të vazhdueshme për ruajtjen e identitetit qytetërues të një populli që përqafoi i pari krishterimin dhe vlerat perëndimore. Autori na flet me gjuhën e fakteve sesi pushtuesit u munduan dhe ia arritën që disa kisha t`i shndërronin nga kisha të besimit katolik në kisha serbe, siç bëhet fjalë për kishën e Pejës dhe manastirin e Deçanit.
Inkursioni historik i Muhamet Shabanit nuk ka të ndalur kur duhet të flasë me skrupulozitetin e shkencëtarit dhe flakën e pashuar atdhedashëse për t`u hedhur në kohërat më të vonshme e për të sqaruar me një metodikë të përsosur të shtjellimit fakt- kundërfakt dhe ballafaqim të arsyetuar të tyre brenda kornizës së logjikës shkencore. Emrat e përdorur gjithnjë në dobi të tezave të tij vijnë në ndihmë natyrshëm dhe nuk janë të kërkuara,po ato sillen përmes karuselit të së vërtetës dhe fiksohen gjithnjë brenda një sistemimi logjik. Mirë e shpjegon dhe e selit ai Betejën e Kosovës(1389)ku mjaft autorë të huaj thonë se ajo u zhvillua në Albani,midis të cilëve Filip Mezieri që është bashkëkohës i kësaj ngjarje të madhe. Ai me të drejtë dhe arsyetueshëm hedh poshtë historiografinë serbe që mohon rolin e shqiptarëve në këtë betejë,duke pohuar se kjo betejë ishte një aleancë ballkanike kundër vërshimeve osmane dhe roli i shqiptarëve ishte përcaktues,ndonëse dihet fundi i saj. Historiani Muhamet Shabani me vështrimet e tij analitike arrin të shkojë dhe të përqasë epokat e mëvonshme duke i bërë një prerje vertikale historisë shqiptare, gjithnjë mbajtur tek ideja se kjo histori është formuar në përpjekjet e njëpasnjëshme të një kombi heroik në luftë të vazhdueshme për mbijetesë dhe në ruajtjen e vlerave të larta qytetëruese. Vitet e vështira të pavarësisë së Shqipërisë dhe të Luftërave ballkanike gjejnë një vend të konsiderureshëm në faqet e këtij libri dhe shtjellohen me gjithë peshën dhe dramacitetin e tyre që mbartin. Orekset shoviniste serbe ishin të mëdha,nuk mjaftonte vetëm Kosova, po këto orekse arrinin deri në Durrës ,me qëllim kolonializimin e pjesës veriore të Shqipërisë londineze. Po kështu edhe synimet greke,të cilat si tentakulat e një oktapodi të pështirë, synonin thithjen e gjithë Shqipërisë jugore .
Autori Shabani u bën një analizë të hollësishme ngjarjeve,momenteve historike, eventeve ndërkombëtare, duke i sjellë ato në thelbin e tyre dhe në aspektin e shfrytëzimit të rrethanave kundërfatike. Ajo që bie në sy në librin e tij,mjaft të pasur me një faktologji kokëfortë dhe të padiskutueshme në aspektin e vërtetësisë ,është se autori niset gjithnjë në aspektin zbulues të këtyre fakteve, duke sjellë jo vetëm të dhëna nga ngjarje të caktuara, po edhe dëshmi e dokumente kohorë nga historianë dhe politikanë të kohës. Autori tregon se trojet shqiptare u bënë jo vetëm lojë për top nga rrethana të diktura ndërkombëtare, po ato shpesh mbetën si një resto për të kënaqur egoizmin e fuqive ndërlufturese dhe e palëve fituese ,të cilat për të vendosur raporte të brishta paqeje dhe ekuilibra të caktuara në interesa të fëlliqëta,iu desh që tokat shqiptare t`i këmbenin në këtë tregti të ndyrë politike.Autori Shabani e njeh mirë situatën e atyre kohërave dhe gjithë lojën diplomatike që është bërë, lojë që ka rezultuar në mënyrë të tërthortë dhe herë herë të drejtpërdrejtë në dëm të interesatve të kombit shqiptar.Autorët e projekteve famëkeqe të shovinistëve grekë dhe serbë, dalin në pah dhe zbulohet gjithë ajo përpjekje e tyre për të bindur tryezat e diplomacive europiane dhe botërore se këto përpjekje ishin të drejta dhe, sipas tyre, kërkonin të vinin në vend drejtësinë e munguar. Politika e justifikimit të pushtimeve arrinte deri në sajime monstruoze dhe të dala boje ,të cilat merrnin në krah justifikimet fetare dhe justifikime të tjera që nuk ia vlen të përmenden për irracionalitetin që mbartin.
- Shabani me një gjuhë të saktë dhe të shkruar pa peshën e emocionit të tepruar,çka vetiu e kërkon shkenca moderne ,arrin të paraqesë gjithë atë tablo të shtrirë dhe tronditëse të realiteteve shqiptare në trojet etnike duke i shikuar ato një dhe të pandara edhe pse Fuqitë e Mëdha i kishin copëtuar duke krijuar një shtet sa një e treta e tyre. Libri i tij,është një libër meritor, i cili historinë e Shqipërisë e sheh si histori e një populli të tërë ,aty ku ky popull banon edhe pse shumë pjesë të tij u ndodhën dhe ndodhen edhe sot në okupim. Me një largpamësi dhe në mënyrë shkencore shikon ai fatin e popullit të Çamërisë, të shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi. Po kështu, Kosovën martire autori e përshkruan në të gjitha pikat kyçe të ngjarjeve historike, me Luftën e Dytë Botërore dhe kohën e pasluftës. Është një ndjesimendim që të bën të besosh këtë autor ,se ai sjell gjithnjë referenca dhe fakte ose thënie nga autorët e huaj, të cilët dëshmojnë në emër të ndërgjegjes dhe realizmit të tyre këtë genocid të paparë. Autori nuk niset nga pozita të ngushta nacionaliste, as nga emocione të cilat e çojnë në deformimin e së vërtetës së paluajtshme. Përkundrazi, ai niset nga e vërteta duke dëshmuar gjithë atë dramë kombëtare të një populli të copëtuar padrejtësisht,po edhe pse u copëtua, shovinistët në pjesët aq sa morën nën administrim, kishin një qëllim dhe vetëm një:zhbërjen e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e tokave të liruara. Po kjo nuk ngjau me Kosovën.
Kosova si Feniksi u ngrit nga hiri i këtyre luftërave të përgjakshme dhe arriti të ruajë vitalitetin dhe identitetin e saj edhe pse e pagoi shtrenjtë çmimin e lirisë. Autori që ka qenë një aktivist i shquar i arsimit kombëtar në Ferizaj,me moton :”mësim ,mësim dhe vetëm mësim”,e përshkruan këtë luftë të UÇk-së dhe të popullit me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë si në luftë heroike ,ashtu siç ajo ishte në të vërtetë.Në faqet e këtij kapitulli do ndeshim me emra veprimtarësh,heronjsh (Adem Jashari),njerëzish të thjeshtë, të cilët gjithnjë me thirrjen e brendshme për liri, arritën të shkruanin akte heroizmi dhe sakrificash të panumërta.Krijimi i shtetit të Kosovës është një akt,një kompesim historik për trojet e shumëvuajtura shqiptare,po ky kompesim ende nuk është bërë plotësisht.
Në një gjendje jo të mirë, në mungesë të lirive të tyre kombëtare dhe njerëzore ndodhen shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi,ende sot po u refuzohet çamëve të shkojnë dhe të marrin shtëpitë e tyre në Çamëri. Autori arrin të shkruajë një libër të analizës së thellë dhe të plotësimeve tekstore që i shkojnë përshtat mbajtjes në këmbë të argumenteve të mirëpërcaktuara dhe që nuk mund të kontestohen. Ai arrin të na japë dimensionet e gjëra të një lufte të paprinciptë të ulkonjave shoviniste ndaj një populli që, historikisht, nuk u ka asnjë faj, të një populli që mbetet si një nga popujt e vjetër të Evropës dhe me një kulturë të lashtë. Natyrisht në vështrimet e tij gjithnjë ndeshim këtë ide,po nuk duhet të harrojmë se autori tërthorazi bën thirrje për syçeltësi dhe për forcim të elementit shqiptar,element që nuk mund të forcohet pa njohur historinë dhe pa u ndërgjegjësuar për faktin se tokat e Shqipërisë nuk i janë shkëputur hënës,siç thotë akademik Rexhep Qosja,po i janë shkëputur Shqipërisë. Është e drejta e saj t`i kërkojë ato,është e drejta e shqiptarëve që në kushte të reja demokratike të vendosin vetë. Autori bën një vështrim historik të thelluar dhe me peshë. Shquarsia e faktit dhe mbajtja e tij në rrënjë të së vërtetës, është tipar kryesor i aktit shkrimor të këtij historiani me peshë. Për historinë e Shqipërisë është shkruar shumë nga autorë shqiptarë dhe të huaj,mjaft gjëra janë të njohura dhe të ditura,po Muhamet Shabani e shtrin dimensionin e vështrimit të tij edhe mbi bazën e njohjeve të veta,mbi studimet dhe zbulimet e kryera, duke thelluar ato dhe duke krijuar një panoramë më të plotë.
Në librin e Shabanit njihemi me figura të mëdha të historisë sonë që nga Skënderbeu,Nënë Tereza,Hasan Prishtina,Hoxhë Kadriu, Ramiz Cërnica, Adem Jashari,Sanihe Aliu-Sherifi(organizatore dhe udhëheqëse e demonstratave të grave dhe vajzave të fshatit Balaj kundër suprimimit me dhunë të autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989),e emra të nderuar e të dashur si gjenerali Clark,Havier Solana,Toni Bler,Bill Klinton(vëllai amerikan)) e Madelen Ollbrajt,njihemi posaçërisht me atë hero kolektiv ,popullin e Kosovës,me ato ngjarje të tmerrshme të plojës së luftës ,çfarë flet për një qëndresë kombëtare,epopeja e së cilës në kohrat moderne u ngjet betejave skënderbejane dhe homerike. Duke i përshkruar këto beteja, Muhameti u bën vetiu një homazh këtyre njerëzve ,emri i të cilëve është shkruar në panteonin e kombit shqiptar.
Libri kurorëzohet me historinë e re të Kosovës,me shifrat tmerruese të therorive në emër të lirisë,djegiet(një foto e djegies së Çarshisë së Gjakovës i ngjet një pamjeje biblike),me eksodin kosovar dhe gjithë atë teatër të përgjakshëm luftimesh ku rinia e lavdishme kosovare arriti me heroizëm të pashoq të shkruajë historinë më të re të lirisë. Libri të befason me shifrat,faktet dhe kjo ia shton vlerën prozës shkencore të Muhamet Shabanit duke shkuar drejt thellimit të argumentit në shtrirje të dimensioneve kohore, drejt thellimit për të kapur thelbin etnik të një populli qëndrestar në shekuj ,siç ishte populli shqiptar…dhe siç vazhdon edhe sot me të drejtën e zotit të jetojë në trojet e veta.
Shqipja e filloi fluturimin e saj me dhimbje…
Pavarësia e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare/
/Prof. Gjon Frani Ivezaj/
… Shqipja e filloi fluturimin e saj me dhimbje, por e vendosur të valvitet krenare në të gjithë trojet etnike shqiptare nga Veriu ne Jug, nga Kosova deri në Camëri, në Mal te Zi dhe Maqedoni. Ne sot, përkujtuam me një meshe solemne të udhehequr nga fort I Perndershmi Dom Pjetër Popaj, të gjithë deshmorët e flijuar ndër shekuj, të cilët, luftuan dhe derdhen shumë gjak, që Flamuri, të valëvit i lirë në të gjithë trojet arberore, që shteti shqiptar të vazhdonte me dinjitetin iliro-arberor, duke qenë në themelet e historisë së tij.
Historia e Flamurit është e lashtë, sa vetë historia e kombit tonë. Simboli i Shqiponjës, në fushën e kuqe të Flamurit, fillon me kohën e vjetër para Krishtit, vijon me Mesjetë dhe vjen deri në kohët e reja moderne…Lëvizjet apo kryengritjet e vijueshme heroike të shqiptarve, që i paraprinë Pavarsisë, kundër sundimtarëve 5 shekullor të Perandorisë Osmane, kishin vullnetin e pamohueshëm të popullit, në periudha historike kombtare. Të tilla ishin: Epoka e lavdishme e Gjergj Kastriotit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, e sidomos kryengritjet e vazhdushme kundërosmane të viteve 1910 dhe 1911, Kryengritja e Malësisë së Madhe më 6 Prill 1911, të cilat, pasuan me kryengritjen e përgjishme të vitit 1912, e cila përfshiu mbarë hapsirën popullore, për liri dhe pavarsi kombëtare.
Fiset e Malësisë, iu bashkuan menjëherë lëvizjeve përparimtare liridashëse të trojeve shqiptare nga pushtimi i gjatë otoman. Ata kërkonin Autonomi të plotë dhe për më shumë ishin të avancuar në ide dhe kërkesa për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, vecanërisht të vilajeteve ku jetonin shqiptarët.
Trimi legjendar Heroi Kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti, kishte për qëllim unifikimin e të gjitha forcave, për të cliruar krahinat e tjera të Shqipërisë. Për këtë arsye Kryetrimi, ftoi trimat dhe bujarët shqiptarë, në një kuvend të përgjithshëm, që u mbajt më 2 Mars 1444 në Lezhë, ku, morën pjesë: Gjergj Kastrioti, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini, Teodor Muzaka etj.
Rrjedha e ngjarjeve, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, solli mjerisht pushtimin e trojeve nga otomanët, ku, pësoi tragjedi të mëdha në trojet e Arbërit.
Në vitin 1877-1878, sërisht themelohet Lidhja e Prizrenit. Ajo zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqsuesve të krahinave, në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878. Qëllimi i tubimit, ishte formimi i një shteti autonom shqiptar në ombrellën turke, që do të mbulonte vilajetet osmane të Prizren, Manastirit, Shkodrës e Janinës.
Lidhja, ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, adminstrativisht dhe ushtarakisht, për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar. Megjithatë, shqiptarët, nuk ndaleshin për të gjetë rrugë e forma të tjera, për t’u çliruar nga anmiqtë otomanë, që shkatërronin çdo gjë kudo në trojet tona.
Lidhjes së Prizrenit, i duheshin organizim konkret dhe veprime të shpejta, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, për dorëzimin e tokave shqiptare, vendeve fqinje, forcat turke largoheshin nga pozicionet të cilat duhej t’i zinin forcat e Lidhjes të degës së Shkodrës, para se t’i pushtonte ushtria malaziase, duke u përballë shpesh me ushtritë pushtuese.
Në fund të shek. XIX, patriotët shqiptarë, filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re, për t’u bërë ballë rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896. Takimi i parë, u mbajt më 1897 në Gjakovë, kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt takimi tjetër në Pejë, ku, morën pjesë 500 vetë, ku, Perandoria Otomane ndërhyri dhe shpërndau Besëlidhjen.
Më 23 janar 1899, nën kërcënime të reja për tokat shqiptare në Pejë, u mblodh kuvendi me 500 pjesëmarrës nga vilajetet e Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Lidhja e Pejës, u quajt ndryshe Besa-Besë. Kuvendi u organizua, drejtua dhe zgjodhi kryetar Haxhi Zekën. Ai doli me një program 11 pikësh, i cili, kundërshtonte përpjekjet për të copëtuar tokat shqiptare, por që nuk kërkonte autonomi. U shpall edhe Besa për një vit. Pas suksesit, në përhapjen e programit në Kosovë e Shqipërinë Veriore e të Mesme, në përgatitje të një kuvendi mbarëkombëtar, që do t’a aprovonte programin e Lidhjes, Sulltani i Perandorisë Otomane reagoi, duke përdorur edhe trathtarët shqiptarë.
Më 1899, përpjekjet për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit u penguan. Kjo solli kryengritjen e armatosur të vitit 1900, kur u erdhën forca të tjera otomane, që shkatërruan Lidhjen e Pejës.
Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 dhe Kuvendi i Memorandumit të Greces, më 10-13 qershor të vitit 1911, janë të formuar nga Komiteti Qendror i Podoricës, prej patriotëve dhe trimave malësorë. Kryetari i Komitetit në fjalë ishte Sokol Baci (Ivezaj), kurse Sekretari i Komitetit ishte djali i tij Kolë Sokoli Ivezaj, doctor i shkencave juridike dhe albamologjisë. Pjesëtarë të tjerë të Komitetit ishin: heroi kombëtar Dedë Gjon Luli, Nikë Gjelosh Luli, Tomë Zoli me vëllain Lekën, Gjon Nikë Plluci, Gjekë Marash Gjeloshi, Kolë Marash Vata, Luc Muc Elezi, Mehmet Shpendi etj.
Kryengritja e Malsisë së Madhe e vitit 1911, është padyshim kurorëzimi i lavdisë shembullore të luftërave heroikë malësorë, duke qenë kësisoj beteja më e vendosur kundërosmane, për Pavarësinë e mëvonshme të Shqipërisë.
Më 23 mars 1911, u hartua dhe publiku një thirrje drejtuar popullit të Shkodrës, e nëshkruar nga patriotët e flaktë, si: Isa Boletini, Mehmet Shpendi dhe Ndue Gjoni, ku, thuhej, se: “Ka ardh koha të lirohemi nga pushtimi osman.”
Më 24 mars, Malësia dhe malësorët e dëgjuan thirrjen për kryengritje, për liri e pavarësi, pse ishin përfaqësuar në mbledhjen historike të ‘Lidhjes së Prizrenit’ (1878), përmes patriotëve të kombit: Dedë Gjon Luli, Smajl Martini, Çun Muça, Baca Kurti etj.
Malësorët sypatremur si fatosa të lirisë, të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Trieshit e Kojës, me në krye trimat: Dedë Gjon Lulin, Sokol Bacin, Nikë Zekën, Prek Calin, Tomë Nikën, Nikë Lekën, Gjelosh Gjokën, Pretash Zekën, Palok Traboini etj., ishin pushkë e gatshme e mbushur me barut, për trojet etnike shqiptare.
Ushtria turke, përballë situatës së padishirueshme, i plotëfuqishmi Valiu i Shkodrës Bedri Pasha, duke parë humbjet, urdhëoi Kajmekamin e Tuzit, nen/Kolonelin Ahmet Beun, që të riorganizoj forcat, për të mbrojtur kështjellën me rëndësi strategjike të Shipshanikut.
Sukseset e kryengritsve malësor, e detyruan dinakun Bedri Pasha, të përdor propagandën e përçarjes fetare. Në qytetin e Shkodrës, ai e shpalli kryengritjen e malësorëve si luftë fetare: “katolikët kundër myslimanve“, e u bëri thirrje popullsisë myslimane, të bashkohet dhe nisej në luftë për të mbrojtur Perandorinë Islame në rrezik.
6 Prilli 1911, është kryengritja më e përgjakshme e malësorëve trima, që ngritën Flamurin Kuq e Zi, në Istikamin e Deciqit, mbas 500 vjet gjak dhe robërie me malësorët trima.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, më 28 Nëntor 1912, përbën një akt madhshtor, në mbarë historinë e popullit, që përbën një fryt të mbarë luftërave shekullore, për të mbrojt tërësinë territoriale dhe formuar shtetin e madh etnik shqiptar.
Populli shqiptar në Ditën e Pavarësisë, arriti të krijoj të drejtën e tij të pamohueshme, për të pasur liri të plotë dhe sovranitet politik në të gjitha trojet e veta etnike, si të gjithë kombet e civilizuar në mbarë hapsirën e botës.
Krijimi i shtetit shqiptar, zhvillon një ardhmëni të përgjithshme, duke ngrit forcën e zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor e politik, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në proceset përparimtare të civilizimit botëror.
Vendimi historik i Pavarësisë kombtare, që buroi nga Kuvendi i Vlonës, nën udhëheqjen diplomatit Ismail Bej Qemal Vlora, Imzot Nikollë Kacorri, Luigj Gurakuqi etj., arriti të parandaloj programet kundërshqiptare, të cilët, ishin përpiluar nga fqinjët shovinist dhe nga diplomacia franko-ruse. Ata, kishin një mentalitet të vjetër bizantin, për t’a asimiluar popullin shqiptar nga hapsina e Gadishullit Ballkanik.
Turqia, u gjend e papërgatitur për luftë. Ajo, vendosi të formonte ushtrinë e armatosur me vullnetarë shqiptarë. Asokohe doli një urdhër i Ministrisë Turke të Luftës, për t’u dërguar trathtarëve shqiptarë 50.000 pushkë.
Ndërsa ushtria turke, një ditë para betejës braktisi frontin në disa pika. Luftimet në Merdar ishin të ashpra. Serbët e morën atë pas humbjeve të mëdha. Edhe mbrojtja e kufirit nga Rashka në Podujevë, u mbeti vullnetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini. Me organizimin e mbrojtjes në veri të Prishtinës, u caktua Hasan Prishtina, ndërsa në Gjakovë, Plavë e Guci Bajram Curri.
Vullnetarët shqiptarë luftuan me vendosmëri, por për mungesë të municionit u tërhoqën nga qyteti, që ra po atë ditë në duart e serbëve, ku më vonë u pushtua Vuçiterna dhe Mitrovica. Me organizimin e forcave vullnetare shqiptare në zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut ishte Idriz Seferi, që arriti të grumbullojë 6000 luftëtarë, të cilët luftuan në kufirin me Serbinë, ku sëbashku me forcat e vendit u bënë ballë njësive të Armatës serbe…
Shqipëria, u vetëshpallë e pavarur në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, ku, morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë Asambleja e Vlorës, formoi Qeverinë e Parë të Shqipërisë së Pavarur, të drejtuar nga Ismail Qemali, zv/Kryeministër Imzot Nikollë Kacorri etj.
Njohja ndërkombëtare e Pavarësisë dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë, u ba mbas Konferencës së Ambasadorëve(Londër), vendim i së cilës ishte shpallja e Principatës Shqiptare Sovrane nga Perandoria Osmane, nën mbikqyrjen e Komisionit Ndërkombtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të ri jashtë kufijve të tij administrativ.
Shpallja e Pavarësisë, nuk ishte një akt i veçum, por u përgatit hap mbas hapi, me kujdes, durim, guxim, me ndjenjën e përgjegjësisë ndër shekuj. Ata që nënshkruan dokumentin e Pavarësisë, që u mblodhën në Kuvendin e Vlorës, e kishin filluar veprimtarinë patriotike shumë kohë përpara dhe ishin dalluar si luftëtarë të pushkës e penës.
Kur patriotizmi i rilindësve u përfshi me idetë e mëdha të iluminizmit dhe nacionalizimit evropian, mendimi prparimtar dhe cilësor politik e shoqëror i Rilindjes, u ngrit në një shkallë më të lartë ndërgjegjesimi dhe mori një përmbajtje dhe kuptim të ri.
E thanë shkurt dhe saktë, Rilindasit tanë të shquar, gjithnjë pandërprerje, luftuan për t’a kthyer vetëdijën popullore në ndërgjegje kombtare.
Në terësi sot, mund të them me bindje, se kultura e re e publikimeve në gjuhën shqipe, e ndihmoi popullin të zbulonte identitetin e vet historik dhe kombëtar, pavarsisht nga ndarjet krahinore, fetare, t’a ndiente veten një bashkësi kompakte e vijuese me të njëjtën histori, kulturë, tradit, shqetësime, shpresa, dhe me të njëjtat kërkesa.
Duke e mbyll ketë festim të përbashkët, në Kishën “Zoja e Shkodrës”, në New York, që mbeti gjithnjë për shqiptarët si qënder e madhe atdhetare dhe fetare, përfitoi nga rasti tu uroj të gjithëve Gezuar Festën e Flamurit, 101-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ne sot, jemi të gëzuar, sepse në trojet e Dardanisë së lashtë, erdhi liria dhe pavarësia nga nata e gjatë e pushtuesve serbë dhe një ditë shpresoi e besoi, që të gjithë trojet shqiptare etnike të bashkohen në një shtet të vetëm rreth nënës Shqipëri, një ëndërr dhe dëshirë, që e kanë pasur gjithnjë Rilindasit tanë. Zoti i bekoftë shqiptarët, kudo ku jetojnë dhe punojnë! Shënim: Kjo kumtesë, është mbajtur më 28 Nëntor 2013, në përkujtim të 101-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë ceremonisë solemne të ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Kompanjelin e Kishës katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Harsdale NY. Marrë nga revista kulturore “Jeta Katolike”, New York, Shkurt 2014.