Ashton: Marrëveshja ka inicialet e të dy kryeministrave/Serbët në veri nuk do ta pranojnë marrëveshjen, kërkojnë referendum/
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se negociatat kanë përfunduar, tekstit i janë vënë inicialet nga të dy kryeministrat.
“Dua t’i uroj të dy për vendosmërinë dhe guximin që kanë pasur gjatë këtyre muajve. është e rëndësishme që ajo që po shohimt ani është një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Evropës”, u ka thënë Ashton gazetarëve në Bruksel.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ende nuk dihen hollësitë e marrëveshjes së arritur.
Lajmi i është konfirmuar fillimisht Radios Evropa e Lirë nga Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Serbët në veri nuk do ta pranojnë marrëveshjen, kërkojnë referendum
Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, kanë porositur se nuk do të pranojnë dhe zbatojnë marrëveshjen e paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në takimin që kanë mbajtur të premten në Zveçan, ata kanë theksuar se “nuk i pranojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe se janë të vendosur të mbeten në përbërjen e Serbisë”.
E ashtuquajtura kryetare e Kuvendit paralel të veriut të Mitrovicës, Ksenija Bozhoviq, ka theksuar se përfaqësuesit serbë të katër komunave në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovica e veriut, kanë sjell përfundimet se askush nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje, që, sipas tyre e cenojnë territorin e Serbisë.
“Populli serb dhe qytetarët e Republikës së Serbisë janë bartësit e vetëm të sovranitetit dhe askush nuk ka të drejtë që në kundërshtim me vullnetin e tyre, të nënshkruajë marrëveshje dhe akte të tjera për vendosjen e pushtetin e shtetit të papranuar, Republikës së Kosovës, në një pjesë të territorit të Serbisë”, ka thënë Bozhoviq.
Ajo, gjithashtu, ka theksuar se përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës kanë ardhur në përfundim se duhet të kërkojnë mbajtjen e një referendumi në Serbi për të parë vullnetin e popullit atje nëse duan të heqin dorë nga Kosova.
“Në referendum, njerëzit do të sqarohen se a janë për ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë, apo për të pranuar kushtet për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për hyrje në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Bozhoviq.
Kërstimir Pantiq, zëvendës i shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka theksuar se serbët e veriut nuk do të lejojnë që, qoftë nga Qeveria e Beogradit, qoftë nga ajo e Kosovës ose edhe nga bashkësia ndërkombëtare, t’ju imponohet çfarëdo qoftë që nuk është në përputhje me vullnetin e tyre. Ai e ka porositur me tone kërcënuese kryeministrin serb, Ivica Daçiq, se serbët e veriut nuk do të marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjeve të Beogradit me Prishtinën.
“Le ta marrë Daçiqi këtë marrëveshje nga Brukseli dhe le të vijë këtu që ta zbatojë së bashku me Hashim Thaçin”, ka thënë Pantiq.
Porosi të ngjashme për autoritetet e Beogradit ka dërguar edhe lideri tjetër i serbëve të veriut të Mitrovicës, Radenko Nedeljkoviq, i cili ka kërkuar nga delegacioni serb në Brukseli që të tërhiqet nga dialogu.
“Kthehuni prapa dhe dëgjojeni zërin e popullit. Pavarësisht se çfarë do të bëni. ky popull nuk do ta pranojë. Ne nuk i duam institucionet e Kosovës dhe nuk e duam shtetin e Kosovës”, është shprehur Nedeljkoviq.
Ndryshe, përfaqësuesit e serbëve kanë marrë vendim që të fillojnë me mbledhjen e nënshkrimeve për të iniciuar mbajtjen e referendumit në Serbii, përmes të cilit qytetarët e atjeshëm do të sqaroheshin se a janë, siç thuhet, për ruajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë, apo për të pranuar kushtet, siç i kanë quajtur ata, të imponuara për të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim e Serbisë në Bashkimin Evropian.(Kortezi:Bekim Bislimi)