Në përkrahje të Prof.Dr Eshref Ymerit,për denoncimin moral e dëmtues të gënjeshtrës./
Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj/
Duke i kërkuar ndjesë për përgjigjen e vonuar, uroj, përgëzoj dhe falenderoj Prof. Dr. Eshref Ymerin për kurajon morale e qytetare, për njohuritë e gjera historike e diplomatike,me të cilat ai mbron të vërtetën e hidhur historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Gjithë ata historianë që i shërbyen me fanatizëm idealit marksist-leninist -enverian, kurrë nuk kanë venë në shërbim të historisë logjikën me arsye. Asnjëherë nuk kanë bërë pyetjet si ndodhi, përse ndodhi, apo cilat ishin shkaqet ose pasojat. Më habit një fakt tejet domethënës për një njeri të thjeshtë, kurse për një historian është abdsurditet, mosthellimi i punës së tyre “historiko- shkencore” për gjetjen e shkakut të genocidit në Ballkan. Nuk kam dëgjuar nga goja e tyre apo të kem lexuar nga ata që të kenë bërë ose të bëjnë një pyetje të vetme:
” Përse genocidi në gadishullin e Ballkanit u ndoq vetëm ndaj shqiptarëve, të cilët u masakruan dhe u përndoqën nga trojet e të parëve ilir si në Çamëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnjë e Maqedoni, një shfarosje që ende nuk ka marrë fund? Për derisa ata nuk i njohin juridikisht të drejtat legjitime territoriale, të thesprotëve apo dardanëve hyjnorë, nuk ka e s’mund të ketë drejtësi. Se për mbështetje morale nga ana e shovinistëve përfaqësues të nacionalizmit ekstrem, as që bëhet fjalë. Një mëri hakmarrëse pa arsye e heshtur, që fle në mendjet e tyre të mykura, do të jetë gjithmonë e pranishme mes neve dhe fqinjëve. Kot nuk ekziston thënia se, ‘uji fle, por hasmi s’fle’. Qetësia e rreme, apo fqinjësia “e mirë” për hir të mënajnimit të mosmarrëveshjeve ndërballkanike, gjë që e kërkojnë orgamnizmat ndërkombëtare, është hipokrizi dhe farsë. Nuk duhet të harrojmë se ende këlthet për drejtësi, Nata e San Bartolemeut të Ulqinit, ulëret Çamëria për pronarët e saj legjitim. Kanë 70 vjet që ende kërkëllijnë gjithë ankesë, drynët e ndryshkur në portat e shqiptarëve të përndjekur nga trojet, pronat dhe shtëpitë e tyre. Nëntoka e Kosovës rënkon nga varrosjet masive. Ende s’është terur gjaku i pafaj që lau trojet arbërore të Dardanisë. Ndaj dhembja e shqiptarëve të pafajshëm është e pranishme në çdo zemër nëne e të çdo shqiptari si dëshmitar kohor, pasi plagët e të rënëve janë emde të freskëta… ”
Jashtë kufijëve tanë shtetëror, shqiptarët u denigruan, u vranë, u shpërngulën me forcë nga vatrat e tyre. Këtë gjëmë e bënë të huajt si: shovinizmi grek, serb apo maqedonas. Për fat të keq shqiptarët nuk kishin vetëm armiqtë e tyre shekullor, por u luftuan, iu mohuan të gjitha të drejtat ,u vranë, u burgosën dhe u internuan nga vëllezërit e një gjaku, nga ata që ndoqën mësimet e Moskës dhe Beogradit. Pra politika e diktaturës komuniste shqiptare i shërbente shovinizmit greko-serb, lidhur me shfarosjen e kombit më të lahtë të kontinentit. Të kërkosh zhdukjen e identitetit të një kombi është krim, përgjegjësia e të cilit ka përmasa botërore. Pasi kush më shumë e kush më pak, prej vendeve të hequra si miq, me politikat e tyre revanshiste për epërsi ndaj vendit tonë, apo edhe heshtjes duke bërë sehir atë që ka ndodhur me shqiptarët janë fajtor, indiferentizmi i të cilëve është faj i pakorregjueshëm, madje është bashkëpunim i tyre me krimin.
Për krimet e bëra si brenda dhe jashtë vendit, si nga diktatura komuniste shqiptare edhe ajo serbe, apo greke ende nuk është kërkuar falje. Me të drejtë është ngritur opinioni botëror për genocidin nazist. Pyes se kur vallë ky opinion nuk do të tolerojë më, por do të kërkojë me ndërgjegje shpagim e dëmshpërblim për viktimat e komunizmit ndaj shqiptarëve? Si nazizmi edhe komunizmi janë diktatura dhe si të tilla kanë ndjekur politika ekstreme të shfarosjes masive.
Kjo ka qenë dhe është detyrë e historianëve nëse kanë sadopak atë nervin apo damarin e ballit që u tregon se janë atdhetarë. Kurrë nuk mund të ecet përpara në paqe e qetësi, nëse ky problem madhor nuk gjen zgjidhje.
Ka 69 vjet që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore dhe ende sot Gjermania Demokratike po shlyen dëmshpërblimet e krimeve të nazizmit. Po për krimet e komunizmit kush do të përgjigjet vallë?
Mos vallë nostalgjikët e atij sitemi demonian, të cilët para pak ditësh shkruajtën parrulla në malin e Shashicës, mbi Ujin e Ftohtë të Vlorës, për komandantin legjendar, për peshkaqenin baba, që pasi eliminoi ata të cilëve u kishte frikën, filloi dhe hëngri një nga një bijtë e vetë. E të kesh nostalgji për një përbindësh me buzëqeshje hipokrite dhe mashtruese, është e neveritshme, është mëkat. Kjo është çmenduri. Besimi i tyre verbër do të thotë që në jetë të ecësh si somnambul, pa parë dhe analizuar se ç’ndodh rreth teje. Me këto mendje Shqipëria e pafat, kurrë nuk mund të bëhet si Evropa , apo si Bota e zhvilluar, jo. Me korrupsion , me emërime militantësh partiak, duke flakur në rrugë të madhe të aftët, duke ngritur në piedestal antivlerën, me një histori të gënjeshtërt dhe të politizuar, me një kulturë të gjymtuar, me një gjuhë administrativo -politike të bastarduar, me mungesë etike dhe estetike tërësore dhe jo të pjesëshme apo e kudopërdorshme, nuk shkohet askund.
Shpresa e kombit tonë varet nga shkëputja prej nostalgjive të së shkuarës komuniste që e shkatërroi atë materialisht dhe e varfëroi ndërgjegjësisht. E bazuar në të vërtetën historike, duke e zhveshur nga hiperbolizmat, duke hequr dorë nga idhujt që i takojnë mistiçizmit dhe fesë pa baza shkencore, pastaj le të rishkruhet një histori reale dhe shkencore. Vendi ynë duhet të shohë vetëm drejt së ardhmes duke gjetur rrugët që të çojnë drejt një demokracie të vërtetë, drejt një sistemi ekonomiko-shoqëror jo ideal, por i vërtetë të cilin duhet ta ndërtojnë vetë shqiptarët. Ishte zgjedhja e shqiptarëve rruga e demokracisë, tani u takon atyre ta zgjidhin lëmshin që është pleksur keqas në këtë tranzicion që po plaket, sepse duket i thinjur dhe i rrudhosur. Kjo plakje nuk është si rezultat i halleve të kombit, por u plakën nga mendimet se si do t’i mbushin dhe sa shpejt do t’i mbushin xhepat e tyre …Ndaj vetëm ta mnedosh këtë tranzicion të zvargur, lodhesh deri në rrudhje mendimi.
Janë këto e shumë arsye apo faktorë të tjerë shqetësues, që dal në përkrahje të Prof.Dr.Eshref Ymerit. Sado të besohet gënjeshtra apo shpifja, një ditë e vërteta triumfon dhe del në shesh.
***
Koment:
Eshref Ymeri To Me Today at 5:02 PM
Shumë e dashura dhe e nderuara Zonjë Fisnike,
Ju falënderoj nga zemra për përkrahjen tuaj aq dashamirëse dhe aq frymëzuese. Ju ankoheni me shumë të drejtë për heshtjen e historianëve për zbulimin e së vërtetës rreth gjenocidit komunist dhe gjenocidit që ujqit evropianë kryen kundër trojeve shqiptare pas Kongresit famëkeq të Berlinit dhe pas Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës. Por historinanët tanë, moj zonjë e nderuar, janë zëdhënësit e drejtpërdrejtë të politikës zyrtare, e cila jo vetëm gjatë regjimit komunist, por edhe në këto vite të demokracisë anarshiste, ka qenë dhe vazhdon të mbetet armike e thekur e Çështjes Kombëtare Shqiptare – e ribashkimit të trojeve tona etnike në një shtet të vetëm, që nga Çamëria e deri në Tivar. Ju, si shkrimtare e shquar, si publiciste dhe analiste e talentuar, për mendimin tim, jeni e vetme mes zonjave intelektuale shqiptare që qëndroni në pararojë të mbrojtjes së shqiptarisë së selitur dikur në të katër vilajetet tona. Qëndrimi juaj, i përshkuar fund e krye nga fryma e lartë e atdhetarisë, është një dackë e fortë jo vetëm për zonjat intelektuale, por për mbarë inteligjencien shqiptare, për mbarë historianët tanë, për mbarë Akademinë e Shkencave, për këtë ngrehinë të kalbur që rri e vegjeton para padrejtësive kriminale që i janë bërë kombit shqiptar nga ujqit evropianë. Qëndrimi juaj, si një përfaqësuese e shquar e letrave shqipe, është një klithmë ulëritëse për dy figurat e letrave shqipe, Ismail Kadarenë dhe Dritero Agollin që nuk e ngritën kurrë zërin, qoftë edhe një herë të vetme, për padrejtësinë kriminale që Evropa i bëri kombit shqiptar më 1878 dhe më 1913, në vend që ta ngrinin zërin fuqishëm dhe t’i drejtoheshin me thirrjen për zhbërjen e padrejtësisë sa më shpejt që të ishte e mundur. Kombi shqiptar juve duhet t’ju jetë shumë mirënjohës për shqiptarinë tuaj shembullore që e keni trashëgim brez pas brezi nga paraardhësit e fisit tuaj të nderuar.
Me shumë respekt.
Eshrefi Tiranë, 04 maj 2014