• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nderim e mirënjohje në kujtim të shkencëtarit elitar Aristidh Kola!

November 1, 2020 by dgreca

Shkruan:Vilhelme Haxhiraj*-

  Aristidh Kola, 1944- 2000, Shqiptari i Madh, studiuesi më i ndritur,Elitë & Nder i Kombit, i cili,  edhe pse lindi e jetoi larg tokës mëmë, e tregoi me vepra se, ishte krenar për kombësinë shqiptare, i mbrujtur  me gjak pellazgo-iliro-arbër.

Aristidhi, shqiptari me shtetësi greke, një Elitar i kombit u bë shembull frymëzimi për historianët e shitur tek shovinizmi greko-serb. Ai kurrë nuk i harroi e mohoi gjenet e tij Pellazgo-iliro-shqiptare. Ishte krenar që në vena i rridhte gjak iliro-shqiptar, një gjak të pastëre të pandotur, ia helmuan egërsirat shoviniste.

.

“Gjuha Shqipe është gjuha që flisnin Perënditë…”, Aristidh Kola

“Gjuha shqipe është mëma e gjuhës greke”. A.Kola

  Aristidh Kola të shpallet Nderi i Kombit - About | Facebook      Aristidhi, lindi më, 8 korrik, 1944, në Kaskaveli të Thivës ( Tebës) në Greqinë Qëndrore, zonë e cila banohet kryesisht nga arvanitas.

Aristidh Kola ishte jurist, historian, shkrimtar, publicist dhe studiues. Ishte kryetar i Lidhjes së Arvanitëve.  Aristidhi  ishte me shtetësi greke dhe me kombësi shqiptare, që punoi për lashtësinë e Ilirëve, si dhe origjinën e grekëve. I udhëhequr nga ndjenjat amëtare të të parëve, i mbrujtur me dashurinë për kombin e tij, të cilit ia kushtoi jetën studimore dhe atë fizike.  Vdiq në Athinë më, 11 tetor, 2000. Aristidhi, si edhe mijëra e mijëra bashkëkombas të tij, u edukuan me frymën e dashurisë për traditat e të parëve, që trashëgoi kjo pjesë e popullatës shumëkombëshe e Greqisë së sotme, një shtet i sajuar duke rrëmbyer dhe huajtur gjenezën dhe gjuhën e popullit që gjeti në gad. Ilirik( Pellazgëve hyjnor).  Sot ajo mburret me një histori të vjedhur që ka përvetësuar gjatë shekujve.

   Gjuha e perëndive: Aristidh Kola: 9789992792476: Amazon.com: Books  Aristidh Kola, studioi për jurisprudencë në Athinë dhe pas mbarimit të universitetit, për shumë kohë iu përkushtua traditave kombëtare të arvanitasve në Greqi. Vepra e tij kryesore, “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, bëri një jehonë të gjerë në botën arvanitase dhe tronditi sferat studimore të antikitetit grek , që kanë hiperbolizur dhe mashtruar historinë  e vërtetë të banorëve autoktonë në Ballkan, që ishin pellazgo-ilirët. Bota akademike i njohu 9 botime brenda dhjetë vjetëve. Kola botoi revistën “Besa”, si dhe revistën tjetër “Arvanon”. Këto revista pasqyronin jetën dhe traditat e botës arvanitase.

     Aristidhi bashkëpunoi me të gjitha rrethet e diasporës shqiptare në Botë. Ai mbante lidhje dhe bashkëpunoi me arbëreshët e Italisë, me shqiptarët e Amerikës, me intelektualë të Kosovës, të Turqisë dhe atyre të Shqipërisë. Ai ishte lidhur edhe me arbëreshët e Korsikës. A. Kola, u bë i njohur në Greqi, sidomos për përkrahjen morale që i dha luftës së UÇK-së, duke u shfaqur në disa emisione televizive. Kjo shkaktoi reagimin e disa grupeve proserbe, me të cilat u ndesh në rrugë gjyqësore.

     Aristidh Kola, ishte miku i madh i të gjithë shqiptarëve dhe besnik i së vërtetës historiko shkencore për origjinën e shqiptarëve dhe të grekëve. I qeshur dhe i dashur, Aristidhi  ishte mik i të gjithë emigrantëve shqiptarë në Greqi. Në zyrat e shoqatës arvanitase “Marko Boçari”, organizoheshin aktivitete politiko-kulturore për Shqipërinë, si dhe për personalitete të rëndësishme arvanitase të Greqisë.

A. Kola ka bërë një punë këmbëngulëse për afirmimin e identitetit arvanitas në Greqi. Ai nisi hartimin e fjalorit arvanitas, vepër të cilën nuk arriti ta përfundonte. A. Kola, vdiq në vitin 2000, pas një sëmundjeje të rëndë (leucemi në gjak).

Veprat studimore të Kolës:

–Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, 1983.

–Gjuha e Perëndive, 1989.

-Deklarata e Bashkimit Arvanitas. 

-Fjalori Korrigjues i Fjalëve arvanite

-Fjalori Krahasues i Gjuhës Shqipe

-Greqia në Kurthin e Serbëve të Milosheviçit

-Kënga e Mercenarëve, prejardhja e grekëve

-Mithi dhe e Vërteta

-Varrimi i Tretë i Marko Boçarit

*vo:Gaz:Dita-December 28, 2015 –Ariatidh Kola : “Shqiptarët që bënë Greqinë”:revista “Besa”, nisi botimin e saj si organ i Shoqatës së Arvanitasve të Greqisë, në vitin 1983 si revistë e përtremuajshme. Artikulli i Aristidh Kolës shfaqet në numrin 5 të “Besës” (qershor-korrik-gusht 1984), në kohën kur autori ishte edhe sekretar i Lidhjes ndërsa kryetar ishte Jorgo Jeru. Revista e cila vijon të dalë edhe sot, trajtonte çështje të historisë, folklorit, letërsisë dhe temave aktuale, ashtu si dhe revista tjetër, e përdymuajshmja “Arvanon”.

     Përveç artikujve të shumtë dhe kontakteve të përditshme  me diasporën arbëreshe kudo nëpër Mesdhe e botë, vepra e Aristidh Kolës, i lindur në vitin 1944, në fshatin arvanitas Kaskaveli të Tebës (Thivës) në Greqinë qëndrore, është përjetësuar në dy librat e tij të famshëm, “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, 1983, dhe “Gjuha e perëndive”, 1989. Ai në këtë libër studimor tregon se gjuha shqipe është gjuhë e Perëndive. Sipas tij dhe shumë autorëve qysh nga antikiteti e në vazhdim thuhet se, Gjuha Shqipe është gjuha që flisnin Perënditë…

 *Arben Llalla: Muzika: Albasoul prezanton thesarin e këngëve Arbëreshe

Vo:Alba Soul( shpirti i Arbëreshit): Studiuesi A. Kola, ishte nismëtari për krijimin e disqeve me këngë të vjetra arvanite dhe një me këngë arbëreshe. Deri sa u arrit në botimin e librit me këngë arvanite  “Arvanitasit, këta krijues të Greqisë së Re”, përbëjnë popullin që mbajti barrën kryesore të luftës çlirimtare të 1821.  

     Të fuqishëm, të pamposhtur dhe liridashës, me gjakun e tyre lanë tokën greke dhe paguan me flijimet e tyre lirinë e Greqisë së Re. Një popull i tillë, me shpirtin luftarak, është e natyrshme të shprehej përmes këngës epiko-lirike dhe vajeve. Por këngë folklorike arvanitase në antologjinë greke të shekullit XIX nuk ka. Dy këngë suliote gjenden tek ’Bleta shqiptare’ e Thimo Mitkos që u botua më, 1878, në Aleksandri të Egjiptit. Më 1891, historiani dhe gjuhëtari Artur Mikloferi botoi veprën ‘Atika und seine Heutigeu’ ku, midis të tjerash thotë : “Mesa di unë, këngët popullore bashkëkohore greke i janë përshtatur këngëve të vjetra të dashurisë, lirisë dhe kaçake të arvanitasve.” Konkluzionin e jep Aristidh Kola, i cili thotë: “Kështu u bë greqizimi gjuhësor ku u flijua në këtë mënyrë kënga e vjetër epiko-lirike arvanitase, e cila kaloi tek brezat e rinj në variantin grek dhe kështu u njoh më vonë si greke.” 

   Këto 15 vitet e fundit, falë kërkimeve të studiuesit arvanitas Aristidh Kola, muzikantit arvanitas Dhimitër Leka dhe këngëtarit të njohur arvanitas Thanas Moraiti, u bë e mundur që të prodhohen dy CD me këngët e vjetra arvanitase me titull ’Këngët Arvanitase’ dhe ‘Trëndafilat e Shkëmbit’ që janë përmbledhje e disa këngëve të arvanitëve të Greqisë dhe të arbëreshëve të Italisë së Jugut. 
    Pas 17 vite studimesh nëpër Çamëri, në fund të vitit 2002, doli ne qarkullim “Antologjia e Këngëve Arvanite të Greqisë”, me autor, muzikologun e shquar arvanitas Thanas Moraiti.  Kërkimet për Antologjinë e këngës arvanite Thanas Moraiti, në bashkëpunim me studiuesin dhe historianin arvanitas Aristidh Kola, i filloi në vitin 1985, atëherë kur ai dha para publikut koncertin e tij të parë në teatrin ‘’Orfeas’’ me këngët arvanitase bashkë me kompozitorin arvanitas Dhimitër Leka. Në këtë Antologji, nëpërmjet këngëve arvanite, lexuesi do të mësojë ngjarjet e rëndësishme historike të luftrave, të dashurisë e vajeve të kombit Arbër që nuk mundi t’i shkruante me penë dhe bojë në ato vite të vështira lufte për ekzistencë kombëtare, por i trashëgoi me anën zërit të fuqishëm popullor.

   Aristidhi thotë: “… gjyshja jonë fliste arvanitika, këtë gjuhë që nuk është greqisht me ca fjalë të tjera, por është Shqip, shqipja e pastër e shekullit XIV… këtë e vërtetojnë  emigrantët e sotëm shqiptarë që ndodhen në Mesologji, të cilët na thonë; ’Ju flisni shqipen e vjetër’. Dhe kjo është shumë e llogjikshme, pasi gjuha e shqiptarëve që u vendosën këtu në shekullin XIV, evoluoi në greqishten dhe ajo që erdhi deri në ditët tona ishte idioma e vjetër e shqipes. Për ne, humbja e gjuhës arvanitase është si të kemi humbur atdheun…sepse arvanitasit nuk mund t’i shtypte kush në Greqi, ngaqë ata udhëhiqnin Greqinë, ishin gjeneralë, kryeministra, presidentë dhe pronarë të kryeqytetit. Por vetë ata e ‘gëlltitën’ të shkuarën e tyre, sepse me fanatizëm besonin se ishin grekë. Me ndihmën e mësuesëve arritën ta zhdukin gjuhën arvanitase, të cilën sot nuk e  flet  askush.”

“Vritmëni, po gjakun ma mblidhni… se do t’u duhet nipave e mbesave për të shkruar gjuhën shqipe”- kjo thënie e Petro Nini Luarasit, i përshtatet shumë vdekjes së Aristidh Kolës, i cili vdiq nga një ”sëmundje” e përgatitur në laborator, për të mos u dëgjuar zëri i së vërtetës së mbyllur me shekuj në thellësitë e harresës. Bota duhej të harronte se: “Ka pak njerëz në Greqi që nuk e kanë gjyshen apo gjyshin arvanitas” dhe duhej që të mos përmendej se “Greqia sot i ka 695 fshatra shqiptare ku jetohet shqip, frymohet shqip”, duhet për të mos përmendur kurrë që:”Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3 milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip”. Aristidh Kola dhe Luka Çiçipi, Profesor i Antropologjisë dhe i Gjuhësisë në Universitetin Aristoteli të Selanikut (Greqi)  , duhej që të vdisnin, sepse e kthjellonin ujin e turbullt të historisë, që bota të mos e njoh të vërtetën historike të Arbërisë. 

       Më, 24 maj 2000, një ditë përpara prezantimit të librit të tij, kushtuar arbëreshit të njohur uratë Antonio Belushit, me titull “Antonio Belushi dhe magjia e traditës popullore”, Aristidh Kola shtrohet urgjentisht në një spital të Athinës i sëmurë rëndë. Më 11 tetor të vitit 2000, në spitalin Evangjelizmos në Athinë, vdiq arvanitasi i shquar Aristidh Kola, i cili rënkonte prej një muaj.

       Mos-heshtja ndaj së vërtetës i çoi drejt vdekjes dy dijetarët arvanitas në Greqi, Aristidhin dhe Lukën. 

    Aristidh Kola, gjatë viteve 1995-2000, ishte njëri nga zërat më të fuqishëm në Greqi që mbronte çështjen e Kosovës duke denoncuar masakrat serbe në shtypin grek. Për këtë ngjarje skandaloze në median greke, Aristidhi shkruante:

“Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në “Skaj”, 5 maj 1999, dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja… Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse “e drejta del, vjen kur t`i vijë ora …(Nga rrënjët tona janë në Arbëri).

Aristidh_Kola456

   Të dy studiuesit ecnin kundër rrymës, sepse nuk lejohej që; “Arvanitët të këndomi/ Gluhënë të mos harromi”. Këdo si ata i pret vdekja.

Vo: K.Traboini:“Pse ia sharrojmë vetes degët që kemi nën këmbë. Me fustanellën tonë krenohen fqinjët, duke e quajtur pjesë të etnografisë së tyre kombëtare. Pasi na zvogëluan gjeografikisht të tjerët, pse për fajin tonë, vazhdojmë të zvogëlohemi shpirtërisht.” E kryepseja: “pse pra ne e kemi humbur shansin historik për t`u bërë qendra e mbarë botës arbërore-arvanite-shqiptare?” – pyetTraboini dhe vazhdon: ”Parë në këtë sy, mund të them se diku përtej gardhit tonë, në Greqi, patëm fatin të njohim Aristidh Kolën, personalitetin më të madh arvanitas të shekullit XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë.”

Aristidh Kola me krenari, me guxim dhe me vetëdije të plotë thoshte:“Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat. Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjerra dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time…”

Studiuesi arbëresh, Antonio Belushi, në një akademi, u shpreh: “I madhi Aristidh Kola është i pavdekshëm. Ai ndodhet shumë lart në pavdekësi.

*Vo:Fragment i shkëputur nga libri im “Elitat e mohuara, krenari Kombëtare”, f.77-82

Filed Under: ESSE Tagged With: nderim, Vilhelme Haxhiraj

Shkoi studiuesi i Iktiologjise Aleksandër Floko

February 11, 2019 by dgreca

1 Aleksandër_Flloko

Nga Vilhelme Haxhiraj/Më, 7 shkurt, 2019, u zhvillua ceremonia mortore dhe u bënë homazhe për përcielljen e trupit të pajetë të intelektualit dhe studiuesit të mirëfilltë Aleksandër Pavli Flloko, i cili i përkiste gjithë Shqipërisë. Origjinën e babait e kishte nga Gjirokastra, lindi në Dardani, u rrit, u arsimua dhe dha vlera në Vlorë, ndërsa gjysmën e dytë të jetës e kaloi Durrës e Tiranë.Është i biri i mjekut infeksionist, Dr, Pavli Flloko, që dhe sot emri i tij nderohet nga gjithë ata, të cilëve u ka shërbyer.

    Aleksandër Flloko ose “Aco”, siç e njeh çdo vlonjat. Kështu e ka thirrur i madh dhe i vogël në qytetin e Vlorës, ka lindur më 1946, në Dardani, në zemrën e shqiptarisë, në  qytetin e Pejës.   Me prishjen e marrëdhënieve Shqipëri –Jugosllavi, familja Flloko u nda në dy pjesë, nëna me njërin djalë ngeli në  Republikën Federale Jugosllave, kurse babai, Dr.Pavli Fllokome djalin tjetër jetonin në Vlorë. Pas shkollës së mesme në Vlorë, Aco shkoi me studime në Universitetin e Tiranës, katedra e Biologjisë. Pas përfundimit te studimeve emërohet në sektorin e peshkimit Vlorë, ku punon deri në vitin 1980.

Në vitet 1974-79, ka qenë pedagog në Universitetin e Vlorës(Akademia e Marinës), krahas punës si biolog në peshkim.

Në vitet 1981-1991, punon në Institutin e Kërkimeve të Peshkimit Durrës. Në periudhen 1986-1992, ka qenë edhe Pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrësdhe në UBT.

Në maj 1991-1998, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit.

Në vitet ’90 e në vijim ka bashkëpunuar si koordinator dhe konsulent në projekte dhe studime të ndryshme të FAO-s për Peshkimin dhe Akuakulturën ne detit Mesdhe.

Në vitin 1998, merr gradën “Doktor i Shkencave” ‘në fushën e biologjisë së aplikuar për realizimin për herë të parë të riprodhimit artificial të peshqve detarë në Shqipëri’. Për kontributin e tij në fushën e kërkimit shkencor, si edhe në mësimdhënie, në vitin 2005 ai merr titullin “Profesor i Asociuar”.

Nga 1998 – 2000, drejton Stabilimentin e Konservimit të peshkut në Durrës.

Në periudhën qershor 2000 – qershor 2004, ka punuar si Koordinator Kombëtar në një projekt pilot të Bankës Botërore.

Nga korriku 2004 – janar 2007, ka qenë Shef Departamenti në Institutin e Kërkimeve Veterinare.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Prof. Flloko ka qenë bashkëpunëtor i disa projekteve të FAO, BE dhe BB, si edhe anëtar i disa bordeve kombëtare e ndërkombëtare.

Nga 1999 -2006, ka qenë Drejtor i Bordit të Drejtorëve në Këshillin e Ekspertëve të Agrobiznesit.

Nga 2003 -2007 rikthehet si Pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke futur për herë të parë në këtë Universitet lëndët « Ihtiologji » dhe « Menaxhim peshkimi ».

Në janar 2007- gusht 2007,  emërohet sekretar i parë në Misionin e Shqipërisë pranë BE-së në Bruksel, në fushën e bujqësisë, ushqimit dhe resurseve peshkore.

Është autor i mbi dyzet (40) studimeve dhe ka botuar një numër të madh artikujsh në revista shkencore, brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka marrë pjesë në mjaft aktivitete ndërkombëtare, kongrese, konferenca, simpoziume, etj. Është gjithashtu bashkëautor i monografisë “Ihtiofauna e Shqipërisë” dhe autor i disa teksteve universitare si Iktiologjia, Menaxhimi i Peshkimit, Akuakultura, etj. Prof. Flloko është njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja.

       Në vitet-2007- 2012, intelektuali, studiuesi me titujtProfesor &Assstent Doktor,kalon me detyrën, Sekretar i Përgjithshëm i Presideniti të Republikës Bamir Topi.

Aco Flloko, biolog i apasionuar, kërkues shkencor në profesionin e tij për zhbirimin e botës nënujore, vlerat ekonomike të kësaj bote tejet të pasur,  mbi të gjitha dallohej si qytetar dhe njeri i mirë.

Por për fat të keq, Aco u nda nga jeta në një moshë që mund t’i jepte ende vlera në Iktiologji, në studimin e peshqëve që përbëjnë një pasuri të madhe ekonomike për vendin.

Me ndarjen nga jeta të Aleksandër Fllokos, familja humbi njeriun më të dashur. Aco do t’i mungojë bashkëshortes, fëmijëve do t’u mungojë babai, Kurse aktorit Timo Flloko do t’i mungojë vëllai. Mungesën e tij do ta ndiejnë miqtë dhe shokët.Kombit iu pakësua një vlerë intelektuale, një individualitet në një fushë të rrallë të shkencës.

I qoftë e lehtë balta që e pranoi në gjirin e saj! I shprehim ngushëllimet tona Znj. Gita, fëmijëve dhe vëllait!Presidencë, më, 28 nëntor, 2010 ( Aleksandër Flloko , Vilhelme e Fitim Haxhiraj Ngushëllimet më të sinqerta, për mikurn tonë të mirë, Aco, në emër të familjes Haxhiraj, Vilhelme e Fitim Haxhiraj

Vlorë, 10.2.2019

Filed Under: Histori Tagged With: shakoi Aleksander Floko, Vilhelme Haxhiraj

VEPRIMTARI NDERIMI PËR SHKRIMTAREN VILHELME HAXHIRAJ – VRANARI

October 6, 2014 by dgreca

nga MSc. ALBERT HABAZAJ/
Pikërisht, ditën e Bajramit të Vogël, në qytetin e Vlorës Shoqata Kulturore – Atdhetare “Labëria” zhvilloi një veprimtari shumë mbresëlënëse për zonjën fisnike, Vilhelme Haxhiraj Vranari, shkrimtare e njohur jo vetëm në Vlorë, Tiranë e Shqipëri, por edhe në Rajon, në Europë e deri në SHBA. Shoqata “Labëria”, nga më të njohurat në mbarë Shqiptarinë, i dorëzoi titullin më të lartë, “PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË” që jep për figurat më të nderuara, me kontribute të veçanta kulturore kombëtare. Zonja Vranari ka shumë vlerësime e dekorata, por kjo dekoratë asaj i shkaktoi shumë emocione pozitive, se së pari ajo është bijë Labërie nga Kanina, me origjinë nga gjaku princor i Vrana Kontit, si dhe nuse po në Labëri, në Armen, tek z. Fitim Haxhiraj, me origjinë nga Krahësi i Tepelenës. Bashkëshorti i saj, Fitimi, me shpirt artisti, është menaxher i opusit letrar të Vilhelmes, shkrimtares, është cilësuar princeshë e letrave shqipe, Musine Kokolari e letrave shqipe. Fitimi qe dhe moderatori i kësaj veprimtarie, të cilën e çeli kryetari i shoqatës “Labëria”, për Vlorën, Z. Ahmet Demaj dhe që shpalosi tek të pranishmit vlerat letrare kulturore dhe atdhetare të Vilhelmes. Sekretari i kësaj shoqate, Albert Habazaj, u kërkoi të pranishmve 1′ heshje në nderim të poetit popullor Lefter Haxhiraj, i cili ka pak ditë, që është ndarë nga jeta. Folkori na zbukuron botën e brendshme, na bën më të mirë, më të bukur shpirtërisht. Kënga labe, si pjesë e së tërës folklorike shqiptare është gurrë popullore, është thesar i paçmuar, shufër floriri e kulturës sonë jomateriale. “Çinxërfilja” është një këngë labe e mirënjohur në rang kombëtar, një këngë polifonike, e bukur si një stinë me vajza – tha në nderimin e tij folësi. atë këngë e këndon grupi polifonik i Armenit, me marrës të magjishmin këngëar lab, Rramën Nuredini. Këtë këngë Artistja e famshme, Aurela Gaçe e ngriti në një majë tjetër artistike, nga e cila e shijojnë të gjithë artdashësit nëpërmjet televizionit, koncerteve të shumta brenda dhe jashtë vendit etj. “Cinxërfilja”, si çdo krijesë artistike, kishte patjetër një baba. “Cinxërfiles” i vdiq babai. Ju kërkoj, Miq Të Krijimit, të Vilhelmes dhe të fitimit, të mbajmë 1′ heshtje në kujtim të babait të “Cinxërfiles”, atij që bëri këtë lirikë popullore brilante,nëkujtim të të paharruarit Lefter Haxhiraj, i cili është dhe vëllai i Fitimit”. Më tej veprimtaria rrodhi në shtratin e saj të bukur, me fjalën e kulluar e të meçur të Prof. Dr. Eshref Imeri, ardhur enkas nga Amerika dhe me përshëndetjen e shkrimtarit të persekutuar Bedri Çoku. Shkrimtari dhe publicisti Albert Habazaj lexoi dy letrat që e nderuara Nimfa Hakani, i dërgon nga Amerika Shoqatës “Labëria” dhe mikeshës së saj, Vilhemes, të cilat u duartrokitën nxehtësisht nga pjesëmarrësit në aktivitet. të dy letrat po i dërgojmë për botim në gazetën tonë të dashur “Dielli”. Në vijim, Poeti i talentuar fierak Gentian Banaj, me origjinë nga Kanina, me zërin e tij, si artist i lindur, me shpirtin e tij të bukur si pranverë, interpretoi vargje nga krijimtaria e autores që nderojmë. Profesor Maku Pone, shkrimtar dhe poet, i njohur në rang kombëtar, erdhi nga Fieri me kënaqësi, pa e përfillur moshën e bardhë dhe bëri vlerësime serioze për krijimtarinë letrare, publicistike, shoqërore, politike dhe atdhetare të zonjës Vilheme Vranari Haxhiraj. Veprimaria u bë më emocionale, kur nënkryetari i Përgjithshëm i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Msc. Sejmen Gjokoli i dorëzoi Çertifikatën e nderit “Personalitet i Shquar i Labërisë”, shkrimtares së palodhur e prodhimtare Vilhelme Vranari Haxhiraj, e cila, me fisnikërinë e saj, pasi falënderoi, përcolli mesazhe mirëkuptimi,harmonie, ekuilibrash e dashurie për njeri -tjetrin, Atdheun dhe kulturën e këtij populli vital. Veprimtaria u pasqyrua nga “Tv 6 + 1 Vlora” dhe Tv “APOLON”, Fier, si emision special.
Letër Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria,

Të nderuar bashëatdhetarë të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria.
Të nderuar pjesëmarrës në këtë takim vlerash të shpirtit lab që kombin e ka vënë gjithmonë mbi veten,
Të nderuar miq Vlonjatë që zini një vend të posaçëm në zemrën time,

Quhem Nimfa Hakani. Ju përshëndes nga ShBA, ku kam vite që jetoj e punoj bashkë me fëmijët e mi. Unë i kam kaluar 12 vitet e para të fëmijërisë sime në Vlorë. Po marr shkas nga kjo ngjarje të përkujtoj Vlorën që unë njoh dhe që ja ndjej mungesën. Kam një mall të patregur për detin, dhe kujtimet më të mira për vlonjatët bujarë e mikpritës, për shoqet e fëmijërisë dhe për mësuesit e përkushtuar vlonjatë, që më kanë dhënë dijet e para në bangat e shkollës, si mësuesja e rreptë por edhe e dhëmbshur Fotinia(shkolla e muzikës), dhe veçanërisht mësuesit e përkushtuar të shkollës “Halim Xhelo”. Nuk e harroj të mrekullueshmen Mësuese Lejla Shehun, që na magjepste ne si fëmijë, dhe na bënte të mësonim çdo ditë me devocion dhe na frymëzonte që detyrat t’i bënim pa asnjë gabim. Gjithmonë do ta kem në kujtesë, Mësuesin Kristaq Suli, që megjithëse asnjëherë nuk pata rastin ta kem mësuesin tim, më ndalonte korridoreve, mua dhe nxënësit e tjerë, e na hiqte veshin kur ne si fëmijë shkelnim rregullat e shkollës me çapkënllëqet tona, dhe që, i shtinte “tmerrin” nxënësve, të cilët asnjëherë nuk guxonin të shkonin të papërgatitur në lëndën e tij. Apo Daut Shtinon, mësuesin e fizikës që i merrte nxënësit e tij në tarracën e “Halim Xhelos” që të shikonin konstelacionet e yjeve,i cili më bënte mua të ndihesha keq që isha e vogël dhe nuk mund të shkoja dot me tim vëlla të shihja yjet.

Të nderuar Miq,
Po ju shkruaj për të përshëndetur Znj. Vilhelme Vranari-Haxhiraj për vlerësimin që do t’i jepet nga ana juaj këtë fundjave. Kisha planifikuar të vija në Shqipëri gjatë periudhës shtator-Tetor, dhe do të dëshiroja të isha midis jush për të uruar dhe përgëzuar miken time të mirë, për nderimin që do të marrë nga ana juaj në këto çaste, por gjërat rrodhën në mënyrë të tillë që nuk munda të vij. Duke mos mundur të jem atje, do t’ju kërkoja që të më bënit një nder të veçantë, të lexonit rreshtat e mëposhtëm të një shkrimi dedikuar grave shqipëtare me rastin e 8 Marsit 2014 dhe për të cilin jam frymëzuar nga zonja Haxhiraj që ju po e vlerësoni kaq lart.

Do të dëshiroja që sot ky shkrim t’i dedikohej si një urim Vilit, gruas që kaq shumë i ka dhënë qytetit të Vlorës.

Ju faleminderit për këtë mundësi.

Shpresoj se do të ma plotësoni këtë dëshirë!

Me respekt,
Nimfa Hakani

Letër për Vilhelme Haxhirajn

Gruas, që mbijetoi epokat dhe përsëri jeton mes dritë- hijeve të kohës!

”Mjeshtres së Madhe”Vivra dhe atyre grave që mposhtën vështirësitë dhe sot janë vetvetja.

Jeta shpesh është e padrejtë, e dashur mike… kudo që je. Veçse ndonjë herë është mizore e katile me disa njerëz, kur sistemi totalitar i pesëdhjetë vjetëve, u mundua ta thyejë shpirtin e shumë njerëzve pa arsye, por nuk mundi të ndrydhë shpirtin dhe forcën e karakterit tënd. Nuk mundi të shkatërrojë atë që ti ishe dhe u formove. Nuk mundi të transformojë atë që ti zotëroje si njeri. Ai sistem nuk ta ndrydhi apo tjetërsoi dot forcën tënde, sadoqë u mundua me çdo lloj mohimi dhe mënyre. Qoftë ty që të shtypi, qoftë ty që të “emancipoi”… dhe ti prapë ia dole mbanë.
Shumë njerëz që u trajtuan keq në atë sistem, humbën. Sot nuk ndihen e nuk i njeh njeri, Ata janë të thyer, të humbur, apo mbase nuk janë më. Ndërsa ti arrite të mbijetosh, ti arrite të kapërcesh pamundësitë, arrite të shkëlqesh si njeri,si grua, si krijuese në fushën e letërsisë,të shtypit e politikës,fal individualitetit tënd, fal forcës tënde shpirtërore, fal vetmohimit dhe inteligjencës tënde. Ti sot je një personalitet në qytetin tënd, në lagjen tënde, në komunitetin tënd e më gjerë. Madje respektohesh e nderohesh nga të dyja anët e ngastrave. Ti mbase, shpesh qëndron thjesht brënda mureve të shtëpisë tënde duke përhapur fjalën e shpirtit tënd në eter për të gjithë ata që ta dëgjojnë.
Sot je në një nivel që mund të ndihmosh të tjerët, pa patur pushtet, pa fituar asnjë post administrativ, por vetëm me forcën e karakterit tënd dhe të fjalës tënde.Ti jep një ndihmë të thjeshtë, një këshillë, thua një fjalë të ngrohtë nga shpirti yt dhe ato mbajnë, jo forcën e pushtetit, por forcën e shpirtit tënd femëror. Dhe në këtë përkrahje, ti arrin të kapërcesh mohimin dhe t’i”harrosh” ato ura e barriera që ndajnë edhe sot e kësaj dite në ngastra blu dhe të kuqe shumë shpirtra në Shqipëri; ura dhe barriera që po vazhdojnë ta dëmtojnë kombin po në atë mënyrë si e dëmtuan, e kufizuan për 50 vjet që të ecte me hapin e Europës dhe ende po e mbajnë atë peng, në një ngujim që po kthehet në një mur ndarës të shëmtuar pothuaj treçerek shekullor edhe tashti. Ti si grua ngrihesh mbi këtë mentalitet. Ti i thyen barrierat. Ti i kapërcen dhimbjet e tua njerëzore. Ti ngrihesh mbi nivelin e kohës dhe shikon të ardhmen në sy.
A e kupton lartësinë që ke arritur si njeri, mikja ime? Vështro rreth e qark dhe vur re ku ke arritur vetëm me aftësitë e tua.
Kurrë mos e harro këtë sado keq që mund të ndjehesh sot për çfarëdo arësye apo halli, që gjendja e sotme ekonomike dhe politike i bën shumë shqiptarë të ndihen keq dhe të përjetojnë pasiguri . Mos i lër ato hije të të mposhtin! Mbaje kokën lart, mikja ime! Zoti do të shohë një ditë ty dhe Shqipërinë dhe do të bëhet më mirë!
Por, ti e ke bërë Shqipërinë tashmë një vënd më të mirë, duke dhënë nga shpirti yt dhe zemra jote gjithëçka të mirë e të bukur që ti zotëron. Le të shpresojmë për më mirë, le të shpresojmë që ekonomia botërore nuk do të bjerë më, që ekonomia shqiptare do ta marrë veten, që politikat shqiptare nuk do të jenë më ndarëse, që ngujimit ku e kemi futur veten do t’i jepet fund së shpejti.Atëherë asgjë nuk do ta ndrydhë shpirtin tënd dhe që ne të gjithë do ta shohim njëri- tjetrin drejt në sy pa mbrapshtësinë me të cilën e shohim sot. Shqipëria ka nevojë për ty, për shpirtin tënd të gjërë, për fjalën tënde të ngrohtë, për mëndjen tënde të mprehtë.
Mikja ime…Vili!
Ti je gruaja! Ti je dhembja! Ti je shpirti ! Ti je guximi! Ti je e pamundura! Ti je lindja dhe rilindja! Ti je e ardhmja e Shqipërisë! Ti je jeta!
Me dashuri e respekt!
Nimfa Hakani Nju Jork, 7 Mars, 2014

Filed Under: Kulture Tagged With: veprimtari ne Vlore, Vilhelme Haxhiraj, Vranari

Përse genocidi në Ballkan u ndoq vetëm ndaj shqiptarëve?!

May 5, 2014 by dgreca

Në përkrahje të Prof.Dr Eshref Ymerit,për denoncimin moral e dëmtues të gënjeshtrës./
Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj/
Duke i kërkuar ndjesë për përgjigjen e vonuar, uroj, përgëzoj dhe falenderoj Prof. Dr. Eshref Ymerin për kurajon morale e qytetare, për njohuritë e gjera historike e diplomatike,me të cilat ai mbron të vërtetën e hidhur historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Gjithë ata historianë që i shërbyen me fanatizëm idealit marksist-leninist -enverian, kurrë nuk kanë venë në shërbim të historisë logjikën me arsye. Asnjëherë nuk kanë bërë pyetjet si ndodhi, përse ndodhi, apo cilat ishin shkaqet ose pasojat. Më habit një fakt tejet domethënës për një njeri të thjeshtë, kurse për një historian është abdsurditet, mosthellimi i punës së tyre “historiko- shkencore” për gjetjen e shkakut të genocidit në Ballkan. Nuk kam dëgjuar nga goja e tyre apo të kem lexuar nga ata që të kenë bërë ose të bëjnë një pyetje të vetme:
” Përse genocidi në gadishullin e Ballkanit u ndoq vetëm ndaj shqiptarëve, të cilët u masakruan dhe u përndoqën nga trojet e të parëve ilir si në Çamëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnjë e Maqedoni, një shfarosje që ende nuk ka marrë fund? Për derisa ata nuk i njohin juridikisht të drejtat legjitime territoriale, të thesprotëve apo dardanëve hyjnorë, nuk ka e s’mund të ketë drejtësi. Se për mbështetje morale nga ana e shovinistëve përfaqësues të nacionalizmit ekstrem, as që bëhet fjalë. Një mëri hakmarrëse pa arsye e heshtur, që fle në mendjet e tyre të mykura, do të jetë gjithmonë e pranishme mes neve dhe fqinjëve. Kot nuk ekziston thënia se, ‘uji fle, por hasmi s’fle’. Qetësia e rreme, apo fqinjësia “e mirë” për hir të mënajnimit të mosmarrëveshjeve ndërballkanike, gjë që e kërkojnë orgamnizmat ndërkombëtare, është hipokrizi dhe farsë. Nuk duhet të harrojmë se ende këlthet për drejtësi, Nata e San Bartolemeut të Ulqinit, ulëret Çamëria për pronarët e saj legjitim. Kanë 70 vjet që ende kërkëllijnë gjithë ankesë, drynët e ndryshkur në portat e shqiptarëve të përndjekur nga trojet, pronat dhe shtëpitë e tyre. Nëntoka e Kosovës rënkon nga varrosjet masive. Ende s’është terur gjaku i pafaj që lau trojet arbërore të Dardanisë. Ndaj dhembja e shqiptarëve të pafajshëm është e pranishme në çdo zemër nëne e të çdo shqiptari si dëshmitar kohor, pasi plagët e të rënëve janë emde të freskëta… ”
Jashtë kufijëve tanë shtetëror, shqiptarët u denigruan, u vranë, u shpërngulën me forcë nga vatrat e tyre. Këtë gjëmë e bënë të huajt si: shovinizmi grek, serb apo maqedonas. Për fat të keq shqiptarët nuk kishin vetëm armiqtë e tyre shekullor, por u luftuan, iu mohuan të gjitha të drejtat ,u vranë, u burgosën dhe u internuan nga vëllezërit e një gjaku, nga ata që ndoqën mësimet e Moskës dhe Beogradit. Pra politika e diktaturës komuniste shqiptare i shërbente shovinizmit greko-serb, lidhur me shfarosjen e kombit më të lahtë të kontinentit. Të kërkosh zhdukjen e identitetit të një kombi është krim, përgjegjësia e të cilit ka përmasa botërore. Pasi kush më shumë e kush më pak, prej vendeve të hequra si miq, me politikat e tyre revanshiste për epërsi ndaj vendit tonë, apo edhe heshtjes duke bërë sehir atë që ka ndodhur me shqiptarët janë fajtor, indiferentizmi i të cilëve është faj i pakorregjueshëm, madje është bashkëpunim i tyre me krimin.
Për krimet e bëra si brenda dhe jashtë vendit, si nga diktatura komuniste shqiptare edhe ajo serbe, apo greke ende nuk është kërkuar falje. Me të drejtë është ngritur opinioni botëror për genocidin nazist. Pyes se kur vallë ky opinion nuk do të tolerojë më, por do të kërkojë me ndërgjegje shpagim e dëmshpërblim për viktimat e komunizmit ndaj shqiptarëve? Si nazizmi edhe komunizmi janë diktatura dhe si të tilla kanë ndjekur politika ekstreme të shfarosjes masive.
Kjo ka qenë dhe është detyrë e historianëve nëse kanë sadopak atë nervin apo damarin e ballit që u tregon se janë atdhetarë. Kurrë nuk mund të ecet përpara në paqe e qetësi, nëse ky problem madhor nuk gjen zgjidhje.
Ka 69 vjet që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore dhe ende sot Gjermania Demokratike po shlyen dëmshpërblimet e krimeve të nazizmit. Po për krimet e komunizmit kush do të përgjigjet vallë?
Mos vallë nostalgjikët e atij sitemi demonian, të cilët para pak ditësh shkruajtën parrulla në malin e Shashicës, mbi Ujin e Ftohtë të Vlorës, për komandantin legjendar, për peshkaqenin baba, që pasi eliminoi ata të cilëve u kishte frikën, filloi dhe hëngri një nga një bijtë e vetë. E të kesh nostalgji për një përbindësh me buzëqeshje hipokrite dhe mashtruese, është e neveritshme, është mëkat. Kjo është çmenduri. Besimi i tyre verbër do të thotë që në jetë të ecësh si somnambul, pa parë dhe analizuar se ç’ndodh rreth teje. Me këto mendje Shqipëria e pafat, kurrë nuk mund të bëhet si Evropa , apo si Bota e zhvilluar, jo. Me korrupsion , me emërime militantësh partiak, duke flakur në rrugë të madhe të aftët, duke ngritur në piedestal antivlerën, me një histori të gënjeshtërt dhe të politizuar, me një kulturë të gjymtuar, me një gjuhë administrativo -politike të bastarduar, me mungesë etike dhe estetike tërësore dhe jo të pjesëshme apo e kudopërdorshme, nuk shkohet askund.
Shpresa e kombit tonë varet nga shkëputja prej nostalgjive të së shkuarës komuniste që e shkatërroi atë materialisht dhe e varfëroi ndërgjegjësisht. E bazuar në të vërtetën historike, duke e zhveshur nga hiperbolizmat, duke hequr dorë nga idhujt që i takojnë mistiçizmit dhe fesë pa baza shkencore, pastaj le të rishkruhet një histori reale dhe shkencore. Vendi ynë duhet të shohë vetëm drejt së ardhmes duke gjetur rrugët që të çojnë drejt një demokracie të vërtetë, drejt një sistemi ekonomiko-shoqëror jo ideal, por i vërtetë të cilin duhet ta ndërtojnë vetë shqiptarët. Ishte zgjedhja e shqiptarëve rruga e demokracisë, tani u takon atyre ta zgjidhin lëmshin që është pleksur keqas në këtë tranzicion që po plaket, sepse duket i thinjur dhe i rrudhosur. Kjo plakje nuk është si rezultat i halleve të kombit, por u plakën nga mendimet se si do t’i mbushin dhe sa shpejt do t’i mbushin xhepat e tyre …Ndaj vetëm ta mnedosh këtë tranzicion të zvargur, lodhesh deri në rrudhje mendimi.
Janë këto e shumë arsye apo faktorë të tjerë shqetësues, që dal në përkrahje të Prof.Dr.Eshref Ymerit. Sado të besohet gënjeshtra apo shpifja, një ditë e vërteta triumfon dhe del në shesh.
***
Koment:
Eshref Ymeri To Me Today at 5:02 PM

Shumë e dashura dhe e nderuara Zonjë Fisnike,
Ju falënderoj nga zemra për përkrahjen tuaj aq dashamirëse dhe aq frymëzuese. Ju ankoheni me shumë të drejtë për heshtjen e historianëve për zbulimin e së vërtetës rreth gjenocidit komunist dhe gjenocidit që ujqit evropianë kryen kundër trojeve shqiptare pas Kongresit famëkeq të Berlinit dhe pas Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës. Por historinanët tanë, moj zonjë e nderuar, janë zëdhënësit e drejtpërdrejtë të politikës zyrtare, e cila jo vetëm gjatë regjimit komunist, por edhe në këto vite të demokracisë anarshiste, ka qenë dhe vazhdon të mbetet armike e thekur e Çështjes Kombëtare Shqiptare – e ribashkimit të trojeve tona etnike në një shtet të vetëm, që nga Çamëria e deri në Tivar. Ju, si shkrimtare e shquar, si publiciste dhe analiste e talentuar, për mendimin tim, jeni e vetme mes zonjave intelektuale shqiptare që qëndroni në pararojë të mbrojtjes së shqiptarisë së selitur dikur në të katër vilajetet tona. Qëndrimi juaj, i përshkuar fund e krye nga fryma e lartë e atdhetarisë, është një dackë e fortë jo vetëm për zonjat intelektuale, por për mbarë inteligjencien shqiptare, për mbarë historianët tanë, për mbarë Akademinë e Shkencave, për këtë ngrehinë të kalbur që rri e vegjeton para padrejtësive kriminale që i janë bërë kombit shqiptar nga ujqit evropianë. Qëndrimi juaj, si një përfaqësuese e shquar e letrave shqipe, është një klithmë ulëritëse për dy figurat e letrave shqipe, Ismail Kadarenë dhe Dritero Agollin që nuk e ngritën kurrë zërin, qoftë edhe një herë të vetme, për padrejtësinë kriminale që Evropa i bëri kombit shqiptar më 1878 dhe më 1913, në vend që ta ngrinin zërin fuqishëm dhe t’i drejtoheshin me thirrjen për zhbërjen e padrejtësisë sa më shpejt që të ishte e mundur. Kombi shqiptar juve duhet t’ju jetë shumë mirënjohës për shqiptarinë tuaj shembullore që e keni trashëgim brez pas brezi nga paraardhësit e fisit tuaj të nderuar.
Me shumë respekt.
Eshrefi Tiranë, 04 maj 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: ndaj shqiptareve, Perse genocidi ne Ballkan, u ndoq vetem, Vilhelme Haxhiraj

Artikujt e fundit

  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT