Ne Foto:Sekretari i Marrëdhënieve me Shtetet, kryeipeshkvi Dominique Mamberti/
Sekretaria e Shtetit të Vatikanit u ka dërguar ambasadave të akredituara pranë Selisë së Shenjtë një “Notë verbale” për të kujtuar thirrjet e kohëve të fundit të Papës Françesku në lidhje me gjendejn në Lindjen e Mesme. Radio Vatikani intervistoi Sekretarin e Marrëdhënieve me Shtetet, kryeipeshkvin Dominique Mamberti, dhe e pyeti si e shikon Selia e Shenjtë gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme në këto çaste:
Sigurisht, Sekretaria e Shtetit po e ndjek gjendjen e bashkësive të krishtera në Lindjen e Mesme me shqetësim të madh. Bashkësitë e krishtera janë duke vuajtur padrejtësisht, kanë frikë dhe shumë të krishterë janë detyruar të emigrojnë. Vetëm në Mosul ekstremistët kanë zaptuar dhe dëmtuar rreth 30 kisha e manastire të cilave ua kanë hequr kryqin. Për herë të parë pas shumë vitesh nuk ka qenë e mundur të kremtohej mesha e shenjtë ditën e diel. Duhet kujtuar se në Irak, sikurse edhe në vendet e tjera të Lindjes së Mesme, të krishterët janë të pranishëm që nga fillesat e jetës së Kishës dhe kanë pasur një rol domethënës në zhvillimin e shoqërisë. Ata dëshirojnë thjesht të vijojnë të jenë të pranishëm, si ndërtues të paqes dhe të pajtimit.
Çfarë është duke bërë Selia e Shenjtë për t’ua lehtësuar situatën?
Selia e Shenjtë vepron në nivele të ndryshme. Para së gjithash vetë Ati i Shenjtë ka treguar në raste të ndryshme dhe me malëngjim afërsinë e tij me bashkësitë e krishtera, veçanërisht me familjet e Mosulit, duke i ftuar të gjithë të luten për ta. E ka shprehur personalisht afërsinë e tij, me anë të kontakteve me disa prej udhëheqësve fetarë, si me Patriarkun e Babilonisë së Kaldeasve dhe me Patriarkun e Antiokisë së Sirianëve, duke i inkurajuar barinjtë dhe besimtarët të jenë të fortë e të shpresojnë. U ka dërguar edhe një ndihmë ekonomike familjeve, nëpërmjet Këshillit Papnor Cor Unum, për t’iu përgjigjur nevojave humanitare. Nga ana jonë, Sekretaria e Shtetit, nëpërmjet kanaleve të veta diplomatike, vijon ta tërheqë vëmendjen e autoriteteve ndërkombëtare dhe të qeverive tek vëllezërit tanë dhe pikërisht këto ditë u kemi dërguar një “Notë verbale” të gjitha ambasadave të akredituara pranë Selisë së Shenjtë, me tekstin e thirrjeve të fundit të Atit të Shenjtë në lidhje me gjendjen e përgjithshme në Lindjen e Mesme, dhe u kemi kërkuar t’ua përcjellin qeverive përkatëse. Ne urojmë me gjithë zemër që bashkësia ndërkombëtare ta shikojë me vëmendje këtë çështje, duke qenë se po preken parimet themelore të dinjitetit njerëzor, po preket respektimi i të drejtave të çdo njeriu, bashkëjetesa paqësore dhe harmonia mes njerëzve e popujve. Iraku dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme janë të thirrur të jenë model i bashkëjetesës ndërmjet bashkësive të ndryshme, përndryshe mbarë bota do të humbiste shumë dhe do të ishte shenjë shumë e keqe.
Në lidhje me Lindjen e Mesme, çfarë mendoni për konfliktet që po e përshkojnë atë rajon dhe në mënyrë të veçantë për rritjen e dhunës në rripin e Gazës?
Gjendja është tragjike dhe shumë e trishtueshme. Fatkeqësisht ekziston rreziku të mësohemi me të dhe ta shohim gati si të pashmangshme, gjë që nuk do të ishte e drejtë. Ati i Shenjtë ka bërë thirrje disa herë të vijojmë të lutemi, duke kërkuar dhuratën e paqes dhe duke pranuar thirrjen që vjen prej Hyjit për ta ndërprerë qerthullin e urrejtjes e të dhunës, që e largojnë paqen. Do të doja të theksoja ftesën e Papës për ata që kanë përgjegjësi politike në nivel kombëtar e ndërkombëtar, të mos kursejnë asnjë përpjekje për ndalimin e çdo armiqësie dhe të kërkojnë paqen e dëshiruar për të mirën e të gjithëve. Siç thotë Papa Françesku, duhet më shumë guxim për të bërë paqe, se për të bërë luftë. Nuk duhet të vihen në qendër të vëmendjes interesat e veçanta, por e mira e përbashkët dhe respekti i çdo njeriu.(Radio Vatikani )