Në Prishtinë themelohet Shoqata Jo-qeveritare ‘Kosova për Sanxhakun’. Bëhet fjalë për një nismë që buron prej vullnetit të mirë për bashkimin kulturor dhe shpirtëror të trevës së Sanxhakut me Kosovën, duke u bazuar në historinë e përbashkët etnike.
Dikur para aneksimit nga Serbia e Mali i Zi, Sanxhaku bënte pjesë në Vilajetin e Kosovës, i cili ishte Vilajeti më i madh në përbërje të trojeve të Shqipërisë.
Nisma e profesor Ismet Azizit, synon avancimin e të drejtave të shqiptarëve në trevën e Sanxhakut dhe promovimin e kulturës së kësaj treve të harruar. Shoqata ‘Kosova për Sanxhakun’ do të jetë një shoqatë e pavarur me qëllim të avancimit të të drejtave të banorëve në trevën e Sanxhakut – të ruajë, konservojë, zhvillojë dhe promovojë kulturën shqiptare të trevës së Sanxhakut dhe të shtojë marrëdhëniet dhe kontaktet mes shqiptarëve -boshnjakëve të Sanxhakut dhe shqiptarëve të trevave tjera shqiptare.
Kuvendi themelues me vota unanime kryetar të kësaj shoqate ka emëruar profesor Ismet Azizin, njërin prej veprimtarëve shumë të dalluar të miqësisë mes Kosovës dhe Sanxhakut. Në Kuvendin themelues kanë marrë pjesë edhe personalitete të njohura të Sanxhakut e të Kosovës.
Në këtë tubim vëllazëror përveç shumë intelektualëve, studentëve, profesorëve universitar, punëtorëve shkencor, veprimtar e deputet, morën pjesë nga Bihori: Safet Hadroviq Vrbicki, dr. Kemal Kurtagiq ( Kutagaj), Prof. Dr Admir Muratoviq kryetar i Bashkësisë Kulturore të Sanxhakut, Prof. Dr.Rexhep Shkrijel, nga N. Pazari, Prof. Prof. Riza Gruda (ish deputet në Parlamentin Serbisë), nga N. Pazari, Jonuz Kola nga Kuksi, Musë Prevlukaj nga Plava, Rexhep Abazi nga Lugina e Preshevës, Shefket Hukiq, nga Peja me prejardhje nga Uglla e Peshterit, e shumë të tjerë.
Shumë emocionuese ishte prezenca e pasardhëseve të luftëtarëve të Luftës së Pazarit, siç ishte Xhavit Kastrati, nipi i Shaban Polluzhës, Fazli Muriqi, nipi i bajraktarit të Rugovës Sak Fazlisë, Agim Bërdyna , nipi i Mulla Zekë Bërdynjës, Aqif Blyta (nga familja e Aqif Efedi Blytës) të cilët përshëndeten kuvendin, me shpresë se kjo shoqatë të arrijë të ndriçojë të kaluarën heroike të para ardhësve të tyre.
Në punimet e kuvendit mori pjesë edhe deputeti Nait Hasani, përgëzoi nismëtarin, ndërsa shoqatës i dëshiroi sukses në ngritjen e urave të bashkëpunimit dhe zbardhjen e tragjedive të së kaluarës së kësaj treve. Ndërsa për gjendjen e popullatës shqiptare të Sanxhakut, z. Hasani potencoi edhe mundësinë dhe të drejtën e aprovimit të një rezolute të Kuvendit të Kosovës.
Punimet e kuvendit e përshëndetën Prof. Hakif Bjarami, Azem Vllasi, Admir Muratoviq, Rexhep Shkrijelj, Riza Gruda, Rexhep Abazi, Musa Prevlukaj, Kenan Kurtadiq, Jonuz kola Shefket Hukiqi të cilët kuvendit dhe organizatës i uruan sukses, duke shprehur kënaqësinë për themelimin e saj.
Nexhmedin Spahiu para pjesëmarrëseve deklaroi se shoqata “Kosova për Sanxhakun” ka për qëllim që t’i ngjall lidhjet kulturore, shpirtërore mes Kosovës dhe Sanxhakut .
“ Ka për qëllim që ti ngjall lidhjet kulturore, shpirtërore, mes Kosovës dhe Sanxhakut, mes Shqipërisë dhe Sanxhakut, lidhje këto të cilat kanë ekzistuar tradicionalisht, deri në dekadat e fundit, e për shumë e shumë arsye për shkak që janë zbehur në kuptimin fizik, por vet prania juaj në këtë tubim tregon se ato asnjëherë nuk janë zbehur në kuptimin shpirtëror”, tha Spahiu.
Ai gjithashtu tha se një ndër qëllimet e kësaj shoqate është që të ndikoj edhe në ngjarjet nga historia të cilat janë të injoruara.
“ Një ndër qëllimet e kësaj shoqate është që të ndikoj tani e tutje kjo dhe shumë ngjarje tjera nga historia të cilat janë të injoruara të bëhen pjesë e vetëdijes sonë , përmes kësaj shoqate tentohet që ti kthehet vëmendja e opinionit në Kosovë dhe në Shqipëri drejt Sanxhakut , si një njësi kulturore , shpirtërore të cilin duhet bashkëpunuar , të cilin nuk ka asnjë arsye që kjo të shmanget. Shpresojmë që në të ardhmen përmes veprimtarisë së kësaj shoqate, institucioneve tona tu kthjellohet mendja dhe të përqendrohen në aktivitetet, projektet të cilat do të orientohen drejt Sanxhakut”, tha Spahiu.
Nga ana tjetër Ali Daci propozoi bordin drejtues të shoqatës “Kosova për Sanxhakun” të i cili u votua nga anëtarët e kuvendit. Gjithashtu u zgjodh edhe kryetari i bordit Ismet Azizi për të cilin të gjithë kuvendarët votuan pro këtij propozimi.
Në fund të pranishmëve iu drejtua edhe bashkëthemeluesi i shoqatës Prof. Dr Mazllum Baraliu, i cili anëtarëve të kuvendit nga të gjitha trojeve iu dëshiroi mirëseardhje, ndërsa njëherësh shprehi bindjen se një bord me një përbërje të tillë premton shumë dhe se sukseset nuk do të mungojnë.