Papa Françesku kryesoi mbrëmë, në Koloseum, Udhën tradicionale të Kryqit të së Premtes së Madhe. Në përfundim shqiptoi këtë lutje:
“O Krisht, i lënë vetëm, i tradhtuar deri nga tuajt e i shitur me çmim fare të ulët.
O Krisht, i gjykuar nga mëkatarët, i dorëzuar nga Krerët.
O Krisht, i larë në gjak, i kurorëzuar me ferrra e i veshur me purpur.
O Krisht, i shporuar nga heshta, që e përshkoi tej e mbanë zemrën tënde.
O Krisht, i goditur e i gozhduar egërsisht.
O Krisht, i vdekur e i varrosur, ti që je Zoti i jetës e i qenies.
O Krisht, i vetmi shëlbues, rikthehemi tek Ti edhe këtë vit me sy përdhe nga turpi, por me zemër plot shpresë.
Turp, për të gjitha pamjet e shkretimit, të shkatërrimit e të përmbytjes, e zakonshme tashmë në jetën tonë.
Turp, për gjakun e pafajshëm, që derdhet ditë për ditë: gjak grash, fëmijësh, emigrantësh, njerëzish të persektuar për shkak të ngjyrës së lëkurës ose të përkatësisë së tyre etnike e shoqërore e edhe për besimin në Ty.
Turp, për të gjitha herët që, si Juda e Pjetri, të shitëm e të tradhtuam e të lamë të vdesësh vetëm, për mëkatet tona, duke dredhuar si burracakë përpara përgjegjësive.
Turp e marre për heshtjen tonë, përballë padrejtësive, për duart tona, përtace për të dhënë, të pangopura, për të marrë e për të fituar.
Turp, për zërin buçimtar, kur mbrojmë interesat tona, e të shuar, kur flasim për ato të të tjerëve; për këmbët tona, që ngasin në pika të vrapit në rrugën e së keqes, e paralizohen, në atë të së mirës.
Turp për të gjitha herët që ne, Ipeshkvijtë, Meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, e shkandulluam dhe e plagosëm trupin tënd, Kishën; për çdo herë, që e harruam dashurinë tonë të parë, entuziazmin e parë, gatishmërinë tonë të plotë, duke i lënë të na ndryshken zemrën e shugurimin.
Shumë turp, o Zot, por zemra jonë ka mall edhe për shpresën besimplote se Ti nuk do të sillesh me ne, sipas meritave tona, por vetëm sipas begatisë së mëshirës sate; se nuk do të na mungojë dashuria jote, për shkak të tradhtive tona; se zemra jote, amtare e atërore, nuk na harron për shkak të ngurtësisë së përmbrendcave tona!
Nuk do të na mungojë shpresa jote:
Shpresa e sigurt se emrat tanë janë të skalitur në Zemrën tënde e të ngërthyer në beben e syrit tënd.
Shpresa se Kryqi yt i shndërron zemrat tona të ngurrta, në zemra mishi, të afta të ëndërrojnë, të falin e të duan: shndërroje, o Zot këtë natë të errët, në agimin rrezëllues të Ringjalles; Shpresë se besnikëria jote nuk bazohet mbi tonën.
Shpresa se aradhja e burrave e grave besnike ndaj Kryqit tënd vijon e do të vijojë të jetë besnike, si tharm që jep shije e si dritë, që hap horizonte të reja në korpin e humanizmit tonë të plagosur;
Shpresa se Kisha jote do të përpiqet të jetë zë që bërtet në shkretëtirën e njerëzimit, për të përgatitur udhën e kthimit tënd triumfal, kur do të vish rishtas për të gjykuar të gjallët e të vdekurit;
Shpresa se e mira do të ngadhënjejë, pavarësisht se sot duket e mundur pa shpresë;
O Zot Jezus, Bir i Zotit, viktimë e pafajshme e shpërblimit tonë, përballë flamurit tënd mbretëror, misterit të vdekjes e të lumnisë sate, përballë kryqit, gjunjëzohemi, plot me turp, por edhe me shpresë, e të lutemi të na lash në lumin e gjakut e të ujit, që gurruan nga Zemra jote e shporuar; të na i ndjesh fajet e mëkatet tona.
Të lutemi të kujtohesh për vëllezërit tanë të dërrmuar nga dhuna, indiferenca, lufta:
Të lutemi t’i këputësh zinxhirët, që na mbajnë lidhur në egoizmin tonë, në verbërinë tonë vullntare e në kotësinë e llogarive tona njerëzore.
O Krisht, të kërkojmë të na mësosh të mos turpërohemi kurrë nga Kryqi yt, të mos e përdorim për interesat tona, por ta nderojmë e ta adhurojmë, sepse me të Ti na tregove sa të përbindshme janë mëkatet tona e sa madhe, dashuria jote; sa e ulët padrejtësia e gjykimeve tona, e sa e pushtetshme mëshira jote. Amen.
E Shtuna e Madhe e Shenjtë e Pashkëve: Kisha rri pranë varrit të Jezusit/
Të Shtunën e madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Kisha rri pranë varrit të Jezu Krishtit, duke medituar mundimet dhe vdekjen e Tij. Pra, në këtë ditë të Shtune të Pashkëve, Kisha nuk kremton Eukaristinë – Meshën e Shenjtë. Altari, pika qendrore, në të gjitha Kishat, në këtë ditë është i zveshur në shenjë zie e përkujtimi të mundimit e vdekjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit. Vetëm pas Vigjiljes kremtore – pas kësaj nate të pagjumë të së Shtunës së Madhe të Pashkëve, fillon gëzimi i Ngjalljes së Krishtit, fillon koha e Pashkëve e cila zgjat për 50 ditë, deri në festën e Rrëshajëve – Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot.
Sonte është Vigjilja e Ngjalljes së Krishtit. Nata më e bukur, Nata më e Shenjtë, pika kulmore e tërë vitit kishtar, thelbi i tërë fesë sonë të krishterë. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve, gjithçka përkon, gjithçka kondensohet dhe merr kuptim të ri në Dritën e saj shpëtimprurëse. Është një ritual, ai i liturgjisë së shenjtë, i ngarkuar me simbole, një “memorial” – “kujtesë” reale dhe e mistershme e tërë historisë dramatike të shpëtimit të njerëzimit, që realizoi Jezusi. Zoti i prini popullit të zgjedhur gjatë historisë së tij të vështirës deri në tokën e premtuar, deri në çlirimin e tij përfundimtar, që është çlirimi nga mëkati e nga vdekja e amshuar. Pashkët, që do të thonë kalim, tregojnë pikërisht kalimin e njerëzimit nga errësira në dritën e Zotit; kalimin nga mëkati në falje; nga urrejtja në dashuri; nga vdekja në jetë.
Vigjilja e Pashkëve është përplot me SIMBOLE. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve kemi bekimin e dy elementeve të rëndësishme kozmike: zjarri i ri dhe uji, simbole që kanë një domethënie të madhe biblike, që tejkalojnë kufijtë e historisë e të kohës. Një tjetër simbol, është QIRIU i madh, i bardhë që ndizet nga zjarri i ri që bekohet në fillim të liturgjisë hyjnore të kësaj Nate të Pashkëve. Është Qiriu që përfaqëson e simbolizon fitoren e Dritës së Krishtit të Ngjallur mbi errësirën e vdekjes, Dritë që ndodhet midis historisë së vjetër e historisë së re të njerëzimit, është Alfa e fillimeve metakozmike dhe Omega e metahistorisë, simbole të Fjalës së Hyjit që është para të gjitha kohërave dhe që i mbyll të gjitha kohërat, ndërsa data e vitit, e gdhendur në Qiri të Pashkëve, 2015, na tregon se Jezu Krishti rrënjoset thellë në historinë e përditshme, në historinë tonë të sotme, krah për krah me njeriun, për të fituar mbi errësirën e mëkatit, të vdekjes, të pakuptimit, të dhunës, të egoizmit, të asgjësë që josh çdo krijesë, të akullsisë së shpirtit.
Sipas ritit të liturgjisë së Dritës të Natës së Pashkëve, Qiriu i Krishtit të Gjall, zhytet në ujë të bekuar për të simbolizuar frytet e begatshme të Shpirtit Shenjt, në mënyrë që të krijojë bijë të tjerë të Hyjit me anë të Pagëzimit, Sakramentit të rilindjes sonë shpirtërore. Diakoni, duke marrë Qiriun e madh në dorë, simbol i Dritës ë Ngjalljes së Krishtit, gjithnjë sipas ritit të liturgjisë së kësaj Nate të Pashkëve, përshkon Kishën të zhytur në errësirë dhe me zë të madh i kumton asamblesë së besimtarëve të pranishëm Ngadhënjimin e Jezu Krishtit mbi vdekje. Është momenti kulmor i lajmërimit të Ngjalljes së Krishtit. Kështu, Kisha na fton t’i dëgjojmë fjalët që lajmërojnë fitoren e Krishtit të Gjall mbi vdekje, që kumtohen në çdo Kishë për të gjithë.
Kremtimi i Natës së Pashkëve vijon me liturgjinë e Fjalës së Hyjit.Dymbëdhjetë lexime bible nga Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re si një afresk gjigant i “historive të mëdha të familjes”, që nga tregimet e krijimit, nga tregimet e ndrojtura të fillesës deri në vizionet e profetëve dhe në thirrjet e Shën Palit për t’u bërë “njerëz të rinj”.
Pastaj, festa e madhe në tryezën e lulëzuar për të komunikuar me Qengjin e Pashkëve, me Krishtin e vdekur e të ngjallur për ne, që shkëlqen mbi errësirat e mbi vetmitë shkatërrimtare dhe i jep kuptim, shije, shpirt e perspektivë ultrahistorike ngjarjeve dhe jetës njerëzore. Të kuptosh këto simbole, të jetosh realitetin e tyre do të thotë të hysh në më të madhin e mistereve me të cilat është mbështjell njeriu, do të thotë të kalosh “pyllin e simboleve” për të dalë në një kopsht në të cilin një gur i hequr mënjanë le të shihet një varr bosh: janë Pashkët e njeriut e të kozmosit.
Ky është kumti që informon për ngjarjen më të madhe të njerëzimit: çlirimin e tij nga mëkati dhe vdekja e përjetshme. Shpallja e lajmit të gëzueshëm të Pashkëve që kumtohen në Vigjiljen e Pashkëve, kremtim që pasqyron historinë e Zotit me popullin e zgjedhur, me tërë popujt e botës, me ne, që në Ngjalljen e Krishtit kanë (kemi) fituar Jetën e Pasosur. Në këtë lajm të gëzueshëm të Ngjalljes së Krishtit, gjejmë domethënien e vërtetë të Pashkëve dhe të jetës sonë njerëzore.
