Mendime rreth librit: Ilir Ikonomi “Pavarësia – Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”/
NGA ZYBA HYSEN HYSA/
Të shkruash me dashuri për kombin, do të thotë të përpiqesh të nxjerrësh në dritë të vërtetat e historisë, që brezat t’i njohin, të mësojnë dhe të nxjerrin mësime për të marrë në dorë frenat e ardhmërisë kombëtare, të shkruash me dashuri për kombin do të thotë që në paraqitjen e fakteve të drejta dhe të gabuara të ketë vërtetësi fisnike, jo egoiste, se edhe gabimet e historisë janë çelësi i suksesit të sotëm: atë që bëmë gabim dje, të përpiqemi t‘i rregullojmë sot, që nesër të mos ripërsëritet historia në dëmin e kombit tonë, të shkruash me dashuri për kombin do të thotë, të mos harrojmë as dhe një gur që kanë vendosur të parët tanë për zhvillim e përparim, se ai gurë ka ndihmuar në ndërtimin e kështjellës historike.
Këto i lexova dhe i pashë me sytë e mendjes, i bëra pjesë të qenies sime dhe më besoni, u ndjeva më krenare se kurrë për historinë dhe për figurat historike që në të kaluarën i njihnim bardhë e zi, pra: ky patriot, ky tradhtar…
Në librin e Ilir Ikonomit futeshe me kureshtje dhe nuk dëshiroje të dilje pa i vjelë frytet e një periudhe të shkurtër kohore, por që fara kishte shekuj që ishte mbjellë, kishte mbirë, ishte rritur, kishte lulëzuar dhe ishin pjekur frytet dhe ai na e jap qartazi që këputja e këtyre fryteve erdhi jo lehtas, por përmes një rrugëtimi të gjatë e të rrezikshëm që bëri Ismail Qemali nga Stambolli, në Bukuresht, më pas në Vjenë e Budapest e përsëri në Vjenë drejt Triestes, në Durrës, Kavajë, Cermë, Divjakë, Libofshë, Fier, Novoselë, më në fund në Vlorë, ku nuk qe rastësi, apo fat i saj, por aty ishin patriotët më largpamës që përkrahën ideatorin Ismail Qemali në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Librin “Pavarësia – Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit” të Ilir Ikonomit e përshkruan tej e tej fryma e dashurisë për aktorët politikë shqiptarë të 100 viteve para, secili prej tyre kishte mendimet dhe bindjet e tij për ardhmërinë e Shqipërisë, ai nuk ndërhyn që të nxijë, apo të zbardhë faktet, duke ngritur njërin e duke ulur tjetrin, kjo e bën librin të jetë shkruar me një kulturë të lartë e me një frymë të re demokratike për të përcjellë tek lexuesi erën njerëzore të perëndimit.
Të jetosh në Amerikë, nuk do të thotë se i ke të gjitha dhe vetëm luga të mjafton për të ngrënë “pilaf”, por Amerika është vendi që i lë hapsirë njeriut të shpalosë idetë, mendimet dhe rrugën e ke të hapur nëse idetë dhe mendimet tua i shërbejnë zhvillimit, pavarësisht nga kundërshtitë, fiton më e mira. Qenka e thonë që njeriu kur shkruan larg Atdheut, edhe momentet, apo veprimet e gabuara i rrëfen me dashuri, këtë besoj e bën nga kultura e fituar në një shtet demokratik, siç është Amerika, si kusht vendimtar për të pasur një komb të bashkuar shpirtërisht, pavarësisht nga feja dhe bindjet politike.
Ky libër është edhe një “shkollë” për politikën e sotme kombëtare që të mos dëgjojmë më “Këtë e bëri keq …”, Atë e bëri mirë…”, apo ky është tradhtar”, “Ai është patriot”…, por në rrjedhën e historisë secili ka atë “gurin” e tij të vogël, apo të madh, por e rëndësishme është të themi se cili skaliti di të skalisë “gur – qoshen:” që mban në këmbë kështjellën e historisë.
Nëpër rreshtat e librit të Ilir Ikonomit gjen hapësirë të lexosh edhe mes rreshtave e kjo hapësirë shkruan shumë për sytë e historianëve, politikanëve dhe intelektualëve të mirëfilltë, aty ka mesazhe të trishta dhe të gëzueshme, por unë dua t’u jap ngjyrë shprese, se vetëm duke shpresuar, nuk ndalim punën dhe luftën për të arritur qëllimet tona.
Dua të nxjerr në pah idenë e librit brilant, se kundërshtari politik, nuk është armiku yt, apo i kombit tënd, si dhe vazhdimi i kësaj ideje, se kur fiton njëri, duhet ta mbështesë edhe tjetri, pavarësisht se nuk fitoi ideja e tij, për çështjen kombëtare, lihen mënjanë mëritë dhe egoizmi personal, kjo i ndan diktatorët nga demokratët.
Jemi lodhur nga përplasjet politike “Non stop” 24 orë të politikanëve shqiptarë të sotëm, shpalosja e ideve dhe programeve fillon me fillimin e fushatës zgjedhore e mbaron me përfundimin e zgjedhjeve, më pas ka bashkëpunim, kjo është demokracia dhe kjo ishte rruga e Ismail Qemalit që e pse ishim me mendime dhe ide të ndryshme, por me një qëllim me Syrja bej Vlorën, ai e ftoi në Kuvendin e shpalljes së Pavarësisë. Kështu në faqe 218 thuhet: “Në qoftë se delegati i tij, Veli bej Këlcyra nuk do kishte mbërritur, vendin e tij ta zinte Syrja bej Vlora. Ndërkaq, i biri, Eqremi, ishte caktuar delegat i Vlorës. As Syrja bej Vlora dhe as Eqremi nuk ndodheshin në Vlorë, por ata nuk mund të liheshin jashtë listës, qoftë për shkak të emrit që kishin, qoftë për faktin se kishin qen nismëtarët e përpjekjes për thirrjen e kuvendit, paçka se u dështoi puna.”
Të dy ishin liderë të përpjekjeve për të krijuar një shtet shqiptar, të dy kërkonin mbështetjen e shteteve dashamirëse, por çelësi i suksesit të Ismail Qemalit qe se nuk i shkëputi lidhjet me patriotët shqiptarë, i dëgjonte dhe i vlerësonte, se ishte më e vështirë të mblidhje Kuvendin se sa të merrje mbështetjen e shteteve të huaja, se siç e thekson autori në faqen 216 – 217: “Ishte gjë e rrallë të shihje parinë shqiptare të mbledhur në një konak. E rrallë sepse shqiptarët ishin të ndarë në fise dhe klane, nderonin tri besime të ndryshme dhe nuk kishin gjuhë të njehsuar kombëtare… sepse shqiptari individualist dhe krenar, që nuk duron dot as hijen e vet, e kishte të vështirë të pranonte një shqiptar tjetër mbi krye… Megjithatë, kishte diçka të padukshme, që i bënte veriorët dhe jugorët të mblidheshim bashkë në këto rrethana të veçanta, kur po turrej e liga… Pra, sado të ndryshëm të ishin këta njerëz, si rrjedhojë e atij brumi të përbashkët ata nuk ishin shkrirë me kombe tjera, as nuk e kishin holluar gjakun. Ata ishin thjesht shqiptarë.”
Me politikën ndodh si me letërsinë, krijuesit rendin për të arrirë vlerat e klasikëve, politikanët duhet të rendin për të arrirë vlerat e kuvendeve, se vetëm ashtu do ketë demokraci, bashkim dhe zhvillim, jo bashkim kufijsh të diktuar, por të ardhur si rezultat i bashkimit shpirtëror, se “Bashkimi kombëtar nuk arrihet me klitha, apo metra katrorë flamujsh, ai bashkohet duke qenë bashkë shpirtërisht, mendërisht dhe financiarisht, çdo trumbetim, apo rrahje gjoksi, është kot, ai e dëmton bashkimin tonë, ndaj të gjithë duhet të regjistrohemi në “Shkollën e Ismail Qemalit” për të zgjidhur një herë e mirë çështjen tonë kombëtare…” , kam shkruar në librin tim të fundit “Sharrajt në jetën e kombit”. Dhe jam shumë e kënaqur që më ra në dorë libri “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” se vërtet leksionet e tij përbëjnë “Shkollën e Ismail Qemalit”, kjo më bën të besoj, se midis krijuesve ka fije mistike që bashkëveprojnë dhe ne na duket rastësi që ndodhin gjërat, por “një dorë”, që truri ynë nuk ka arritur ta dallojë i drejton mendjet dhe dalin vepra që lidhen njëra me tjetrën.
Nuk dua të zgjatem në këtë përsiatje, se nuk do kisha mbarim në nxjerrjen dhe përcjelljen e mesazheve me vlera aktuale, ku përfshihet edhe përmendja e ndërtimit të “Rrugës së Kombit” përgjatë udhëtimit serb për të gjetur një dalje në Adriatik dhe dëshira e tyre për ta pasur Shëngjinin port e sot kjo rrugë të çon në Shëngjin, ku qeveria jonë ia ka lënë Kosovës për të dalë në det për të transportuar mallrat…
Nuk dua të flas më shumë, lexuesi të mendojë vetë, se ky është fati ynë i madh sot, kemi shumë intelektualë, por për fat të keq pak flasin duke lexuar midis rreshtave. Kështu në faqen 102 thuhet: “Ishte mëngjesi i datës 9 nëntor 1912, kur në Prizrenin me borë një kolonel serb, i quajtur Dimitrie Buliç, iu drejtua me këto fjalë ushtarëve të rinj: ‘Djema! Divizioni ynë i Shumadijes duhet të kryejë edhe një detyrë tjetër të vështirë, por të rëndësishme… Kemi pushtuar mjaft lugina pjellore dhe qytete të bukura, por tani na ka mbetur të dalim në Adriatikun serb për t’i hapur atdheut tonë një rrugë të lirë drejt botës…’ Ushtarët iu përgjigjën me thirrje dhe pllaja ushtoi. Batalionet e Shumadijes e nisën marshimin nga Prizreni. Kaluan nëpër krahinën e Lumës, pak a shumë në ato vise, që sot përshkohen nga Rruga e Kombit dhe ku udhëtarët modernë kanë një rast të mirë për të reflektuar mbi historinë…”
Libri “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” është shkruar me një stil shkencor – historik e letrar – publicistik, një stil që e bën autorin jo vetëm të qëmtojë, por aty – këtu edhe të japë mendimet e tij e pse jo të tërheqë vëmendjen pa fjalë. Kjo është një vepër që i ka munguar lexuesit shqiptar, ndaj leximi i tij do ketë shumë vlera, se do na sjellë pas 100 vjetësh, jetën dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë e në veçanti, të Ismail Qemalit deri në ditën e shpalljes së Pavarësisë e më pas. Ky është ndër librat e veçantë që janë botuar në këtë jubile të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, se krahas tjerave, ai na mahnit me përshkrimet e qyteteve, personazheve dhe na bën ta duam dhe të punojmë më shumë për këto troje të lara me gjak nga brezat deri në Bashkimin përfundimtar të Kombit tonë.