“Udhëtimi im” është revista më e fundit me shqiptarët më të suksesshëm në Britaninë e Madhe, të cilët janë promovuar në një ceremoni të zhvilluar në “Regent’s University” të Londrës. Mes shqiptarëve të suksesshëm ka biznesmenë, avokatë të niveleve të ndryshme, publicistë e njerëz të artit e teknologjisë, madje edhe lektorë e profesorë në universitetet e njohura angleze, si ai i Oksfordit, apo universitete të tjera britanike. Njëri prej tyre është Golë Nashi, lektor në Universitetin e Hertfordshire në Watford. “Jemi mësuar që shqiptarët këtu në Britani t’i shohim vazhdimisht në kronikën e zezë. Ky aktivitet është diçka shumë pozitive, pasi nxjerr në pah vlerat e vërteta të komunitetit shqiptar në Britani, duke i parë nga një këndvështrim shumë pozitiv për arritjet e mëdha, e që janë bërë nder i Shqipërisë në Britani”, tha Golë Nashi, lektor në Universitetin Hertfordshire. “Unë jam Aqif Neli dhe në vitin ’98 jam shpërngulur me familjen time në Britani. Me gjithë pritjen shumë të mirë të autoriteteve angleze, ne kemi kalur vështirësi, por në sajë të mundësive që krijon ky vend kam arritur të kem kompaninë time, një kompani të suksesshme, që punëson mbi 60 shqiparë dhe që vazhdon të rritet dita-ditës”, tha Aqif Neli. Drejtori i gazetës “The Albanian”, promovueses së shqiptarëve të suksesshëm të Britanisë, Petrit Kuçana thotë për Top Channel se, në këtë botim ka shqiptarë me histori që i kalojnë kufijtë e të besueshmes. “Vetëm për pak momente të imagjinojmë sesi ishte një emigrant, që dikur, ndoshta nga vitet ’97, ishte në bregdetin shqiptar dhe me skaf do të largohej drejt brigjeve të ëndrrave. Erdhi në Britani, krijoji kompaninë e tij dhe ka të punësuar britanikë, teksa konkurron denjësisht me kompani britanike. Ashtu siç kemi pedagogë që japin leksione në univeritetet britanike, apo arkitektë e avokatë, por edhe ‘barrister’ që përfaqësojnë Mbretëreshën në gjyqet britanike. Kemi edhe shkencëtarë shqiptarë, shpikjet e të cilëve publikohen në revistat gjermane. Si dhe personazhe të fushave të ndryshme të jetës, me të cilët natyrisht të gjithë jemi krenarë”, tha Petrit Kuçana, drejtor i gazetës “The Albanian”. Ky botim promovues i gazetës më të madhe të komunitetit shqiptar në Britani “The Albanian”, e cila që prej 12 vitesh del në Londër, tenton të evidentojë shqiptarët që kanë arritur në majat e profesioneve të tyre, duke u bërë shembull për emigrantët e rinj, në kushtet kur media dhe politika britanike po përdor, shpesh me të drejte e më së shumti duke spekuluar politikisht, emigrantët shqiptarë si e keqja dhe një ndër shkaqet se përse britanikët duhet të votojnë në referendum pro daljes së vendit nga BE-ja.SH.K