“Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes” – Maksimiliam Lamberz
Nga Klajd Kapinova/
Një “curriculum vitae” e shkurtër e Fishtës/
Mësohet nga burimet familjare, se kishte lindur pas tre vëllezërve dhe një motër të cilën e donte shumë. Në moshën 7 vjeçare, nis mësimet e para të edukatës në qytetin e lashtë të traditës kulturore Shkodër në vitin 1878. Dy vjet më pas, vijon mësimet e rregullta në Seminarin e Troshanit (shkollë e klerikëve katolikë).6 vjet më vonë shkon për të ndjekur studimet në Bosnje (në Kuvendin e Sutiekës), ku, merr dijet e qendrushme në degën filozofike, ndërsa në Kuvendin e Livnos, mëson me adhurim në linjën teologjike.Në një ndër ditët e ftohta të 25 shkurtit të vitit 1894, në kishën e Troshanit çon meshën e parë, duke qenë i veshun me zhgunin e sandalet e zbathura të shën Françeskut të Asizit. Në vitet në vijim, ishte kapelan në famullinë e Lezhës, mësimdhënës e meshtar në Kolegjin e Troshanit dhe për 12 muaj gjendet në Gomsiqe të Pukës. Në bashkëpunim me abatin e Mirditës, imzot Prenk Doçi, i jep jetë tek themelon Shoqninë Letrare dhe Kulturore “Bashkimi”, boton artikuj të rëndësishëm e të mprehtë, duke përhapur të vërtetën në një numër sa më të madh njerëzish. Ishte i pari që hapi klasat qytetëse, duke futur gjuhën shqipe në mësim, në kohën që ishte emëruar drejtor i shkollës fillore françeskane. Më pas ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir (1908), si dhe themelon dhe drejton deri sa mbylli sytë revistën e njohur kulturore-shkencore “Ylli i Dritës” (Shkodër, 1913).Ai, hapi Shtypshkronjën Françeskane, nga ku nisën të dalin rregullisht periodikë të shtypit katolik dhe kulturorë në qytetin e Shkodrës. Krijoi lidhje dhe ura bashkëpunimi me të gjithë albanologët e njohur evropian asokohe, duke i pasur si bashkëpunëtorë dhe bashkëtrajtues të shumë temave interesante mbi Shqipërinë, gjuhën, visaret e kombit, traditën, letërsinë dhe krishtërimin e hershëm ndër shqiptarë. Në bashkëpunim me të madhin liberator Luigj Gurakuqin (të cilit i kishte venë në ambientet e Kuvendin Françeskan në Shkodër një dhomë përsonale në dispozicion, ku shpesh Gurakuqi strehohej, sa herë që nga kundërshtarët politikë vihej në rrezik jeta e tij, shënimi im K.K.), themelon “Komisien letrare” (1916) të Shkodrës dhe paralelisht me këtë drejton gazetën e rëndësishme “Posta e Shqypnisë”.
Përvoja e tij e gjërë në zotimin për çështje nacionale shqiptare bëri të mundur që ai me veshjen e fratit, të përfaqësojë Atdheun e vet, në Konferencën e Paqes në Paris, ku kryeson delegacionin diplomatik.Duke përfaqësuar denjësisht alternativën e opozitës, Fishta ishte deputet i Shkodrës dhe zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Me dorën e vet, përuron hapjen e gjimnazit të njohur “Illyricum” në Shkodër, që pas vdekjes do të marrë emrin e tij, por komunistët e suprimojnë menjëherë me të ardhur dhunshëm në pushtet. Në vitin 1924, merr pjesë në lëvizjet politike të kohës, duke qenë përkrah opozitës noliste dhe më pas emigron në Itali.Për kulturën e gjerë që kishte, emërohet Lektor Jubilar në Teologji e Filozofi. Më pas, dy herë është përfaqësues i delegacionit shqiptar në Athinë e Stamboll. Për 3 vjet me radhë zgjidhet si Provinçial i Urdhërit Françeskan në Shqipëri (ky urdhër është ndër më të vjetrat në vendin tonë, së bashku me benediktinët, të cilët janë vendosur për herë të parë në shëk.XII-XIII, shënim im K.K.) dhe një vit para se të mbyllte sytë ishte akademik i Italisë, një ndër titujt më të mëdhenj, që ende se ka fituar asnjë njeri i nacionit të vet deri më sot. Pikërisht për këtë fat dhe nder historiografia komuniste, e anatemoi Fishtën deri në përbaltje për gjysëm shekulli, duke mos thënë asnjëherë arsyen, se ishte një atdhetar dhe kundër shovinizmit pushtues barbar sllav.
5 ditë pas Krishtlindjeve, më 30 dhjetor 1940 mbylli sytë, ai, që i hapi sytë gjithë popullit shqiptar. Fishta varroset në Shkodër, mes lotëve dhe pikëllimit të madh të bashkëqytetarëve, bashkëluftëtarëve të idealeve të senjta të lirisë dhe demokracisë perëndimore, vëllezërve të dashur në Krishtin e Atdheun. Kur eshtrat e tij, ishin pajtuar me lumninë e pasosur, ndodhi ai akti më antinjerëzor, kur zvarroset nga regjimi ateist i Enver Hoxhës, ashtu sikurse kishin vepruar turqit me eshtrat e Pjetër Bogdanit autorit të “Çetës së Profetëve”, serbët me babain e grumbulluesit të zellshëm e kodifikimit të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” at Shtjefen Gjeçovit dhe së fundi përsëri komunistët eshtrat e Dedë Gjo Lulit fatosit trim të Kryengritjes së Malësisë së Madhe (më 6 prill 1911) të cilat me përbuzje i hodhën në ujërat e ftohta të lumit Drin… Pushtuesit e huaj dhe komunistët trathtarë me gjak e gjuhë shqiptari, kishin një emërues të përbashkët: të shkatërronin sa më themel, çdo vlerë dhe figurë të ndritur të trojeve amtare shqiptare.
6 vjet pas vendosjes së demokracisë, për vlerat e së cilës ai punoi e jetoi gjithnjë, më 28 dhjetor 1996, pas 56 vjetësh rivarroset me një cerëmoni, ku, merr pjesë gjithë hierarkia e klerit katolik, duke i bërë edhe një herë nderim relikeve të rigjetura të eshtarave të tij. Para atyre pak eshtrave që Zoti deshti t’i ruante, u bënë nderime e humazhe në qendër të kishës françeskane dhe filloi puna për të ribotuar serinë e veprave të tij…
Pa Fishtën historia e letrave shqipe do të ishte e mangët
Esencialisht, për të gjithë françeskanët e përvujtur, Fishta, ishte një intelektual dhe klerik i madh.Një njeri me vizione të kjarta. Vepra e tij u bë burim frymëzimi dhe dashurie për Fe e Atdhe dhe përparim, çka në mendjen e Fishtës, ato jetonin në një unitet, duke e ngritur gjeniun në nivele të reja cilësore, që i kanë qendruar kohës edhe sot.
Vlerësime pozitive kishte vazhdimisht sipas këndvështrimeve të ndryshme, për Fishtën e letrat shqipe, si njohës i kthjellët i tërësisë së kulturës së tabanit të lashtë autentik dhe përtej tij. Opinione pozitive kanë shprehur përmes pendës dhe mendjes në kohë dhe në rrethana të ndryshme shumë intelektualë të shquar, albanologë evropianë ashtu dhe bashkëatdhetarët e tij në Veri dhe Jug të Shqipërisë, shkrimtarë dhe studiues të kulturës shqiptare asokohe dhe sot.
Kështu Karl Shtainmes e krahason Fishtën me Gëten e Shilerin, ndërsa francezët e thërrasin “Tirteu i Shqipërisë”. Albanologu i njohur italian at Fulvio Kordinjano, që punoi dhe jetoi për një kohë të gjatë në Shqipëri, radhiti këto fjalë të ngrohta zemre: “Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji fui të çuditshme ther e pren aty ku djeg”. Ndërsa 5 vjet më vonë, albanologu i shquar italian, Prof. Gaetano Petrotta, me pendën dhe mendjen e tij ka lënë të gdhendur këtë vlerësim shumë domethënës: “Ndër veprat e këtij është shprehur e pasqyruar në mënyrë më të kthjellët shpirti i popullit shqiptar. Këto vepra kanë për të mbetur të pavdeshme e kanë për t’u bërë poezia e kombit të Skënderbeut…”. I madhi për të madhin Faik Konica për at Gjergj Fishtën, në shenjë nderimi dhe respkti të thellë ka lënë si dëshmi të tij vlerësimin konçiz: “Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Prof. Ernest Koliqi, thotë: “Fishta, ishte vravashka e shqiptarizmës, e bashkimit në gjakun dhe gjuhën e përbashkët”.
Për poetin e pendës, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen Nacionale, Prof. Abaz Ermenji shkruan: “At Gjergj Fishta, është ndoshta m’i madhi poet shqiptar gjer më sot. Edhe ky pjesën më të rëndëishme të veprave të tij, ia pat kushtuar çështjes nacionale”. Në vitin 1989, At Daniel Gjeçaj (që këto ditë ndërroi jetë), studiues i afërt, (botues i “Lahutës së Malcis” në Itali), jep esencialisht këtë formulim: “…Fishta, këndohej pa dijtë se i thojshin emnin; këndohej përse në këngët e tija ishte shqiptar; shqiptari në doke, në kanu, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngallnime”. Poeti i madh i valëve të liqenit të Pogradecit dhe miku i tij Lasgush Poradeci, e pati cilësiar bukur meshtarin françeskan, si: “Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar”. Gjykim të mirë ka hartuar edhe albanologu dr. Antonio Baldacci, ku midis të tjerave sintetizon: “At Fishta mund të thirret apostull i Atdheut të vet…”.
Shkurt e saktë, duke bërë paralelizëm në historinë shumëshekullore shqiptare ka lënë të shkruar edhe at Augusto Gemelli, kur vlerëson: “Në historin e Shqypnis, emni i at Fishtes do të rrijë krahas me atë të Gjergj Kastriotit. Dy emna këta, të cilat janë e do të mbesin nji flamur i vetëm, nji nxitje e vetme e nji lumni e vetme”. Prof. Martin Camaj, shkruan: “…Mua më ka bërë përshtypje një gjë në seleksionimin e shkrimtarëve të vendit, janë ndalur shkrimtarë që ishin krejtësisht të talentuar është edhe Fishta, që ishte shumë i kulturuar në pikëpamjet e letërsisë”. Kritiku i sotshëm bashkëkohorë Dr. Aurel Plasari midis shumë konsideratave për jetën dhe veprën e Fishtës ka dhënë edhe vlerësimin e veçantë: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë”.
Dr. Sabri Hamiti, një ndër njohësit më të mirë të letërsisë së traditës dhe bashkëkohores, mbi lirikën dhe poetikën nacionale, renditë edhe këto fjalë në parathënien e lirika fishtiane: “…zotërojnë figurat ambientale dikund edhe figurat historike, por gjithnjë më të freskëta janë krahasimet që dalin nga një botë elementare shqiptare e shkëmbit, malit, fushës, lules, erës; pra një botë e tërë konkrete që don të pavdeksohet e të përgjithësohet në art”. Mbi korpusin e botuar të veprave të Fishtës në Kosovë, të ndara në katër vëllime, shquhet edhe shkrimi hyrës që shoqëron kryeveprën “Lahuta e Malcis”, shkruar me art nga studiuesi i shquar i ditëve tona Dr. Anton Nikë Berisha, ku mund të kundrohet me endeje parathënia me titull kuptimplotë: “Vepër e qenësisë së botës dhe shpirtit shqiptar”, ku ndër të tjera autori Dr. Berisha sintetizon: “Rëndësia dhe vlera e “Lahuta e Malcis” dëshmohet pos tjerash edhe me aktualitetin që ka kjo sot, qoftë si tematikë, qoftë si pasuri gjuhësore shprehëse dhe si kuptimësi: – ruatja e qenësisë shqiptare, forcimi dhe pasurimi i vetëdijes dhe vetëdijësimit kombëtar, për atë qëllimin e fundit thelbësor që del nga gjithë vepra letrare e këtij krijuesi madhor – për mirëqënien tonë të sotme dhe të nersërme”.
Vepra e Fishtës një ungjill i ngrohtë atdhedashurie
Mund të thuhet hapur, se kontributi i Fishtës, është simbol i shqiptarizmit të kulluar dhe gjithë vepra e tij madhore përbën një ungjill të ngrohtë atdhedashurie. Si meshtar i përvujtë i popullit të vet që e donte dhe e respektonte aq shumë, u nderua, u respektu si bari shpirtëror shembullor nga delet e veta dhe bashkëkohësit, mbasi si një shqiptar i vërtetë ruante besë e burrëri, kishte guxim e trimëri, për të cilat gdhendi me pendën e fuqishme magjinë e madhe të veprave që krijoi mendja e begatë, duke ia bërë dhuratë krenarie gjithë Shqipërisë.
Pikërisht për këto virtyte të çmueshme, vepra e “poetit nacional” shpaloset me vizione mjaft të gjëra, me vlera të shumta e të një rëndësie të madhe për letërsinë shqipe. Ajo që e dallon më së shumti poetin si gjeni origjinal, midis shumë të tjerave është arsyetimi bindës se: Homeri shqiptar nuk është aspak transplantim i teologjisë a i parimeve të Urdhërit Françeskan, të cilit me devocion ai i përkiste, por ndryshe, ishte më shumë se kaq, sepse ishte gjithnjë një vlerë e re që ripërtërihej e ridimensionohej në një sistem origjinal vlerash, që asnjëherë nuk i kundërvihej kuptimit esencial kristian, në veprat e të cilit identifikohet si një lloj bagazhi i pasur me vlera ripërtëritëse bashkëkohore. Për me tepër, kjo dëshmohet në tërësinë e kulturës solide që kishte pasur fatin e mirë të merrte Fishta, duke përthithur ajkën kulturore botërore e në veçanti atë evropiane dhe e transmetoi nektarin si një trashëgim të denjë brez pas brezi përmes puplës së shkrimtarit.
Pohimi i thjeshtë i autorit, shpjegon dukshëm mesazhin filozofik të tij të shprehur në veprat “Odisea”, “Shën Françesku i Azisit”, “Kryepremja e Shën Gjonit”, të cilat janë respektivisht: ngallnjimi i lirisë, vëllazërimi dhe inifikimi sipas vështrimit të kthjellët të doktrinës kristiane. Gjithsesi mund të pohohet me të drejtën e qytetarisë shqiptare, se kryevepra aq shumë e adhuruar nga shumë breza si një margaritar brilant shkëlqen brenda universit që shpalosë mendja dhe dora e palodhur e shkrimtarit të përkushtuar tërësisht interesave të nacionit shqiptar. Ky prodhimtar i begatë i fushës së letrave shqipe, asokohe me të drejtë ishte përfshirë me të drejtë vlerësimi, në listën e Çmimit Nobël, si i nagjishëm në pendën artistike, çka në këtë mënyrë kishte kaluar kufijtë etnikë dhe i përkiste tashmë edhe fondit të artë të letërsisë botëore.
Si një intektual universal, eruditi i gjërë e i thellë Fishta, ka lënë gjurmë në fusha po aq të vështira sa ajo e letërsisë, ku në mënyrë të dukshme, është shquar si arkitekt shqiptar me shije të hollë.
Disa nga projektet e realizuar nga mendja krijuese e Fishtës janë: balli i kishës së Rubikut, qela e Lezhës. Ndërsa në Dukagjin (Malësi e Madhe) ka mbetur si gjurmë e freskët dora mjeshtërore e tij, që e skicoi në kartë kishën e Prekalit, kishën e “Zojës Rruzare” në qytetin e Shkodrës, ashtu sikurse projektoi kishës së Troshanit. Po ashtu Fishta organizon me vetëinsiativë ekspozitën simbolike me titull kuptimplotë “Rozafat”, ku për vizitorët e shumtë ardashës, ofroi 25 punime të nënshkruara nga dora e frymëzimit të padër Gjergjit.
Kraharori i poetit ruajti tituj nderi e fisnikërie
Fishta i madh nuk mbeti pa u vlerësuar nga qarqet e interesuara të kancelarisë së kulturës dhe të civilizimit evropian dhe nga bashkëkohësit e vet.Ai është nderuar me kurora dafinash argjendi nga Klubi “Gjuha Shqype” i Shkodrës në vitin 1911, “Penda e Artë” dhënë për merita të spikatura në cilësi shkrimore dhënë nga qyteti po aq i Beratit në vitin 1917. Medalja “Mearif” e Klasit II, dhënë nga shteti i Turqisë më 1912, “Rihter-Kreuz” të dorëzuar nga Austro-Hungaria në vitin 1912, “Benemerenza” dhuruar nga Selia e Shenjtë në Vatikan më 1925, medalja me emrin e një zogu mitologjik “Phoenix” dorëzuar nga shteti i Greqisë në vitin 1931, etj.
At Gjergj Fishta, duke u vlerësuar, ka sot një trashëgimi, një mal të tërë me emrin dhe rrymën e pastër gjithsesi të vlerësuara sa dhe si duhet. Ekzistenca e plotë e botimit të tij, do të nxisë kërshërinë e studiuesve letrarë që t’i qasen kësaj vepre dhe t’a vështrojnë atë mbi bazën e studimit të kohës në mënyrë sa më komplekse e më të gjithanshme.
Të rindertojmë Fishtën e gjithshqiptarëve
Çdo ditë e më shumë, po zgjohet ndërgjegja kombëtare e gjeneratës së re, në trojet shqiptare dhe diasporë. Ata natyrshëm, po kërkojnë të shkundin qeveritë e papërgjeshme, për indiferentizmin, që kanë manifestuar gjithnjë tash 24 vjet, ndaj figurës së madhe të shpirtit shqiptar At Gjergj Fishtës.Duhen përgëzuar Nismëtarët në rrjetin social Facebook (1 Milion Shqiptarë Që Shtepia e At Gjergj Fishtës Të Rikonstruktohet ose Albanian Genocide – Turkey 1385-1912 etj.), për idenë qëllimmirë, të Rilindjes me Zemër të Poetit të Madh Kombëtar.Ne s’kemi pse të presim deri sa të behemi një milion vete, për të Ngritur një Qendër të Madhe Kulturore, kushtuar Pader Gjergj Fishtës!?
Nuk është tashme fjala të rindërtohet shtëpia e tij (pse është jashtë kohës), por duhet të rikonceptohet Një Qendër e Re e Madhe Kulturore Mbarëkombëtare; të blehet tokë me hapësirë të mjaftueshme apo mbi tabanin e kësaj kulle përdhese dhe perreth ndertesës autoktone, mund të Ringrihet Identiteti Ynë Arbëror, ku,për fat të keq, sot streheza e tij fëminore, është braktisur deri në përdhunim…Arkitektet e “huaj”, që jetojnë dhe punojnë nëpër botë dhe kanë përvoj, sëbashku me ekspertët e urbanistikës në vendlindje, kanë mundësi të hapin një konkurs profesional bashkëpunimi, për një projekt serioz dhe ambicioz cilësorë, plot vlera funksionale, duke respektuar traditën.
Aty mund të pranifikohet të ndërtohen disa dhoma apo salla e komode funksionale, të departamentit të albanologjise, auditore bashkëkohore kumtesash, muzeume moderne, me relike të ndryshme dhe pavione në dy gjuhe shqip-anglisht, një restorant të vetëadministruar nga stafi etj.
Gjithashtu mendoj, se duhet të ketë mirëmbajtës vendas dhe disa cicerone shumë të mirë, të traditës, që të dinë shumë gjuhë të huaja; të ketë numër llogarie bankare të përhershem në vendlindje, për dhurime fondmbledhëse, fotoarkiv, libra të larmishëm dhe dokumente të kontributit të madh të shkollave me ëmër të shquar të Kuvendeve Franceskane dhe Jezuite të Shkodrës, në ndihme të cështjes shqiptare.
Ne, duhet të jemi krenar, për këtë nismë mbarëshqiptare në trojet etnike dhe diasporë, sepse në çdo hap është e gdhendur dukshëm në histori vlera e ndihmës së madhe, për çështjen e mirëfilltë kombëtare të vetë fratit të përvuajtur dhe modest të Shën Françeskut, që ishte dhe mbeti deri sa kaloi në amshim Pader Gjergj Fishta.
Ky mendoj, se është një investim i së ardhmes sonë, per të na treguar ne dhe brezave vijimësinë shqiptare dhe një Falënderim nga zemra, për të gjithë eterit e shquar shpirtëror ndër shekuj, të atdhedashurisë për Fe-Atdhe-Përparim.
Të ngrihet me keto fondmbledhje Biblioteka e librave dhe të gjithë kolana të ndryshme të botimeve shqiptare, për dhe rreth veprës së pavdekshme të Fishtës.
Mendoj, se çdo autor shqiptar apo albanolog i huaj, pa problem, mund të dërgoi 5 kopje librash të poetit kombëtar, (sikurse i dërgohen rregullisht çdo botim i ri Bibliotekës Kombëtare në Tiranë dhe Prishtinë, që kthehen automatikisht në pasuri mbarëkombëtare), të cilat në vite e kohë të ndryshme, i janë përkushtuar At Gjergj Fishtës.
Atë e ka dashur dhe e do sërisht (edhe mbas 74 vjetëve të kalimit në amëshim) çdo brez, që ka jetuar dhe jeton në trojet etnike shqiptare.
Shikoni rastin pozitiv të luftëtarit martir trimit Adem Jashari, sa investime dhe kontribut i madh po jepet nga diaspora, për të rindërtuar (me të drejtë) përkujtimin e veprës se tij heroike dhe përmes kësaj natyrshëm përkujtohen trimat liridashës deshmor të Dardanisë, të renë për liri e pavarësi ndër shekuj…
Kompleksi i Ri Shumëfunksional, i Qendrës Kulturore Kushtuar Pader Gjergj Fishtës, natyrshëm mund të shërbej si vend peligranazhi atdhedashurie, për ne, që jetojme larg vendlindjes në Perëndim dhe Amerikë.
Kudo në botën e civilizuar qendrat kulturore atdhetare, janë muze origjinale të gjalle ose pasaportat e identitetit tonë arbëror ndër shekuj…
Aty mund të hapen disa panaire libri të përvitshëm, komplekse dyqanesh me suvenire apo produkte kombëtare të markës ‘Made in Albania’ nga çdo zonë dhe krahinë të trojeve etnike shqiptare.
Fishta ynë i papërsëritshëm në histori dhe letërsi, është sot për sot shkrimtari më i përfolur me gojë, por dhe më i lënë në harrese me apo paqëllim, sa askush tjetër. Kështu kolana e veprave të tij, tash 24 vjet asnjëherë nuk është rishtypur, nga kujdesi i qeverive, sikurse disa shkrimtarëve të tjerë. Shtëpia e tij dhe banorët e katundit Fishtë, janë lënë mbas dore, sikurse të ishin nga një planet tjetër. Varfëria dhe prapambetja, janë ulur këmbkryq atje.
Fishta shumëdimensional, ka një të veçantë brilante, se vetëflasin veprat e tij të madhe, dhe s’ka nevoj të flas Fishta, sikurse ndodh rendom sot në media, ku, shkrimtarët vetëintervistohen dhe flasin ‘non stop’, për veten e tyre dhe jo të tjerët për librat e tyre.
E pra, për fat të mirë të historisë së djeshme dhe sotme Fishta respektohet nga të gjithë. Ai adhurohet, dhe mbahet me krenari identitetit shqiptar fotot e shumta dhe kryevepra “Lahuta e Malcisë”, recitohet me mall nostalgjik poezia e tij atdhetare permendesh, permenden me respekt si shembull brilant fjalimet e tij të zjarrta, me nota shpirti të thekshme patritotizmi, në Konferencën e Paqes në Paris, për çeshtjen thellësisht shqiptare.
Kësisoj, Fishta, është tjetër esencialisht si personalitet i kompletuar një njeri me virtyte positive dhe shembull patriotizmi, meshtarë i përvuajtur, që iu gjend pranë grigjës së vet edhe në momentet më tëvështira historike dhe shkrimtarë, i një vlerë dhe cilësie shumë të lartë, mbasi ka hyrë natyrshëm në zemrat dhe familjet e çdo shqiptari, pa dallim feje, krahine e ideje.
Ai, është simboli i shqiptarisë së kulluar, modeli i një njeriu të thjeshtë, të përvuajtur deri në madhështi….
Në Amerikë, bëhen shumë gjëra te bukura positive jo nga Qeveria apo Presidenti Obama, por nga vetë inisiativa e lirë e njerzve të lirë, në një botë të lirë demokratike.
Sot, përmes internetit dhe rrjeteve sociale si Facebook etj., ne mund të komunikojmë dhe bëjme misione atdhedashurie të vlefshme, për vendlindjen, pa pasur nevoj të bëjmë mbledhje rutine të lodhshme dhe stergjata me burokracinë e korruptuar shqiptare.
Këto rrjete po ndryshojnë sot botën dhe po e bejnë atë dhe njerëzimin me transparente, para ngjarjeve dhe fakteve, të cilat shpesh media elektronike e “pavarur”, i ka fshehur dhe ka abuzuar me qëllime kompromentimi me qeveritë dhe sistemet e ndryshme.
Eshtë koha për veprim! Të ngrihet grupi i punës, me përfaqsues nga gjithë trojet etnike shqiptare dhe diaspora dhe hapet llogaria bankare dhe ne i kalojmë atje ndihmat apo kontributet tona.
Komisioni, duhet të jetë transparent, pa futur hundët apo duart qeveritarët parazitë të babëzitur apo sikurse thotë poeti kombetar:
“Ju rrugaça sallahana
vagabonda shakllabana,
rriçna t’ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t’na qelbi fis e atdhè…”
Fishta, ishte dhe mbeti Poeti Mbarëkombëtar dhe projekti, duhet të ketë këtë ide, vizion dhe dimension, me qëllimin fisnik mbarëkombëtarë, për brezat që do të vijnë.
Pamja e zymtë e medaljes shfaqet para nesh.Eshtë fjala për një shkrimtar tjetër shqiptar gegë, por që nga vëllezërit shqiptarë është lënë në harresë me ose paqëllim.
Shtëpitë e Gurakuqit dhe Fishtës, gradualisht po shemben, për t’ia zhdukur qytetit kultudashës Shkodërlocës gjurmët e identitetit dhe historinë e lavdishme ndër shekuj…
Kështu, poeti i ndjenjave shqiptare At Gjergj Fishta O.F.M. (1870-1940), nuk ka varr, ku, mund t’a përkujtojmë me lule dhe lutje, sepse për eshtrat e tij, nuk u kujdesen asnjë nga qeveritë “demokratike“, duke filluar me komunistët, që i vodhen e hodhën në lum me fanatizëm anadollak mbetjet relike dhe deri tek ato të erës “demokratike”, që drejtojne sot me fjalë të bukura përmes “rilindjes”…
Komunistët dhe postkomunistët, me kostume perëndimore sot, si s’mirëzi ia shkatërruan me heshtje varri shtëpinë, u muduan t’i tjetërsonin historinë, gjurmë të pashlyeshme të lavdisë së perkushtimit ndaj Atdheut, Kuvendin shpirtëror dhe kombëtar, arkivat, antikuaret e rralla me një fond të pasur origjinal, muzeun e parë kombëtar, sepse aty françeskanët e Fishtës strehuan liberatorin e madh Luigj Gurakuqin, për të mos e vrarë kundërshqiptarët, ruajten flamurin e Deciqit dhe eshtrat e Dedë Gjon Lulit, duke i varrosur me respekt, në zemër të Kuvendit; ngritën me mund dhe djersë stacionin e parë meterologjik, muzeun filatelik, bandën e parë muzikore të qytetit, sollën në Shkodër topin e parë dhe hapën sportin popullor të futbollit etj.
Në këtë Kuvend shqiptaresh të kulluar, brez mbas brezi françeskanët nder shekuj realizuan me sukses misionin pranë popullit shqiptar nën moton: “Lutu dhe Puno“, duke bërë që Shqipëria (si vijim i Arbërisë krenare të Gjergj Kastriotit) të mos jetë një lagje e vjetër e Turqisë anadollake…
Pse u masakrua Fishta?
‘’Kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë, se Shqipnija pa Fishtën, kishte për të qenë e mangët, ashtu si letrat tona pa penden fishtjane kishin për të paraqitë nji golle (boshllëk) të paplotsueshme. Këndej del e qartë, se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin, që ai xen në panteonin e Kombit.’’ – Prof. Namik ResuliUniversiteti i Napolit, Itali
Pa koment, po ofrojmë pjesë të fjalës së diktatorit të egër komunist dhe ateist Enver Hoxhës, para një grupi të rinjsh, që morën pjesë në Pleniumin e IV të Rinisë Popullore Komuniste.
“… Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe.Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugoallavia….Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë.Kurdoherë, që krerët feudalë të Shqipërisë si Ballshët (Balshajt ‑ shënim) e të tjerë, kanë qenë në aleancë të mirë me sllavët e jugut që kanë pasur përkrahjen e malësorëve…Çdo gjë e lidhte popullin tonë me sllavët e jugut, jeta zakoni, burrëria, lufta për indipendencën kundër të njejtëve armiq…Miqësia ka ekzistuar përgjatë shekujve e rrebeshesh në mes të popujve tanë dhe atyre malazezë.Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta, me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur…Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese.Populli shqiptar dhe sllavët e jugut, me malazezët e serbët në krye, nuk mendojnë dhe nuk ndiejnë si as si Gjergj Fishta dhe as si Vladan Gjeorgjeviçi.Poetët popullorë malazezë e serbë kanë shkuar me entuziazëm për trimërinë dhe bujarinë e shqiptarëve.Këngët autentike të malësorëve të Shqipërisë së Veriut, këndojnë anasjelltas trimërinë dhe besnikërinë e malazezëve. Si mund të këndonte populli kësisoj kur ekzistonte një armiqësi siç kërkon ta përshkruajë At Gjergj Fishta e agjentët e tjerë të imperializmit.Populli shqiptar, ka luftuar së bashku me popujt sllavë të Jugut, kundër Turqisë në Kosovë e gjetkë. Në kohën e Gjon Kastriotit dhe Skënderbeut, ne kemi pasur marrëdhënie të ngushta me këta popuj, ne kemi pasur krushqira dhe aleanca.”
Sulmi dhe lufta, kundër klerit katolik në Shqipëri prej 1944-1990, ka qenë e mirëorganizuar nga sistemi komunist dhe veglat e propagandës, që më pas në vitin e zi 1976, shpalli Shqipërinë si shteti i vetëm ateist në botë.Në ndihmë të kësaj lufte katastrofike vdekjeprurëse dhe shkatërruese të vlerave kombëtare, një rol të madh kanë luajtur shkrimtarët dhe artistët e numeklaturës komuniste, që për të fituar poste dhe privilegje apo foto me buzëqeshje para apo në krah të diktatorit Hoxha, shkruan dhe përbaltën sistematikisht patriotin dhe shkrimtarin e shquar françeskan At Gjergj Fishtën O.F.M.
Për të parë poetin fisnik, po ofrojmë një shkrim të shkurtër esencial nga dora e tij, që paralajmëron dhe fton lexuesin, përmes rubrikës së botimit të librave të rinj, daljen në dritë të poezive brilante me titull: “Juvenilia”, të shkruar me dashuri dhe përkujdesje ndaj veprës letrare, të kolegut poet dhe patriotin e madh të papërsëritshëm Dom Ndre Mjedën.
“Literaturë shqype
Si e kemi lajmue edhe nji herë tjetër, fort i Nderti Zotni Dom Ndre Mjedja në këto kohët e mbrame, tue herrë lulishtën e Zanave, ka mbledhë e ba tubë do lule të bukura poezie plot njomësi e hijeshi e i quejti “Juvenilia”, nën të cillin emën kuptohen vjershat e kangët e tija të shkrueme në moshë të re.
Prej emnit të përvujtë të të mbledhunit të këtyne kangëve, njeriu s’kishte me pritë se gjenë aty mbrendë nji poezi të naltueshme e vjersha të punueme me zeje.Por puna âsht krejt ndryshe.
Në atë libër ke nji poezi plot ndiesi, nji zeje të pashoqe e nji gjuhë fort të hijshme. Kur ti këndon ato vjersha, të ngjallet menjiherë uzdaja se me gjuhë shqype ka me mujtë dikur me u mëkambë nji literaturë e zgjedhme e e hijshme.
Kur këndon ato kangë, as nëpërmend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo âsht gjuha shqype.
Në ato kangë, nuk janë shartue mollat me morriza, as lilat me hitha, si me thanë se ajo gjuhë nuk âsht e perbame me fjalë të trillueme mbas qejfit e me hamendje; por âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë.
Prej këtij libri, shifet kjarisht sesa arsye kanë ata që thonë, se gjuhën letrare e ban pupla e letrarve e jo pallavrat e thata. Prandaj na po jau porosisim këte libër gjithë dashamirësve të literaturës kombtare e, sidomos mësueasve e nxanësave të shkollave si fillestare, si të mesme.
E shpresojmë, se shqyptarët, kanë me iu pergjegjë kësaj porosie tonën, psekujtojmë që ata e dijnë, se, kur na flasim mbi Shqypnì a lavdojmë ndonji vepër shqyptare në fletore tonë, atëherë e kemi përnjimend e jo per me shkarravitë leter.
Libri “Juvenilia”, në këto ditë âsht qitë me u shitë e kush don me e ble, t’i sillet Shtypshkrojës Françeskane në Shkoder, tue dërgue çmimin e tij, që âsht tri koronash, si edhe shpenzimet e postës, kush e porositë me postë.”(At Gjergj Fishta, “Posta e Shqypnís”, nr.54, f.3, Shkoder, 22 qershuer 1918).
Ai na paraqitet në harresë të qëllimshme, pra, në një formë të re të vijimit të persekutimit të ri ndaj poetit tonë të madh Fishta, i cili, kësisoj dretjpërdrejtë del i huaj në tokën shqiptare, sepse nuk ka varr dhe shtepi…
Ndërsa Fishta i pagojë, që nuk është ankuar dhe nuk ankohet, s’ka asgjë, përvec veprave, që populli dhe në vecanti malësorët kreshnikë dhe fisnike, pa ditur shkrim dhe këndim, i dinin permendesh dhe këndonin me lahutë e cifteli plot dashuri në odat e burrave me mijëra vargje të ‘Lahutës së Malcis’.
Kujtoj, se aktori i famshëm malësori dukagjinas Ndrek Luca, tronditi të gjithë shqiptarët, në Kuvendin e Motrave Stigmatine në Gjuhadol në Shkodër (në vitin 1991), kur recitoi permendesh për 1 orë pjesë brilante nga “Lahuta e Malcisë”, që ishte dhe mbeti kryevepër mbarëkombëtare e Poetit Kombëtar Fishta…
Homeri shqiptar Pader Gjergj Fishta, është monument kulture dhe atdhedashurie mbarëshqiptare.
“Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit komtar mbi mbshtetjen e gjuhës komtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme. Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vëgjelë; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh.”, vlerëson albanologu i shquar italian At Fulvio Cordignano, (Shih ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925).