-FSK-ja, Garda Kombëtare e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë mbajtën krosin me moton “Së bashku për paqe’’/
-Vendin e parë në këtë garë në kategorinë e meshkujve e zuri Jesemin Zverko, të dytin Valdet Brahimi dhe në vendin e tretë u rendit Adnan Ademi, që të tre pjesëtarë të FSK-së, kurse në kategorinë e femrave vendin e parë e zuri ushtarja Donjeta Korpuzi, vendi i dytë i takoi pjesëtares së Ushtrisë Amerikane, rreshter Stefany Stock dhe në vendin e tretë u rendit ushtarja Bahare Bytyçi/
-Gara sportive u zhvillua në kuadër të aktiviteteve paraprijëse të Ushtrimit fushor “Shqiponja 5” të FSK-së, i cili do të mbahet nga 22 deri më 26 tetor/
PRISHTINË, 20 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë u zhvillua sot gara në atletikë “Së bashku për paqe” – krosi në vrapim i oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gardës Kombëtare të Ajovës dhe të Ushtrisë Amerikane për Evropë.
Ceremonia fillestare u mbajt në Sheshin Skënderbeu, prej nga filloi edhe shtegu i vrapimit i cili vazhdoi deri tek rrethrrotullimi afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë Dr. Ali Sokoli në Prishtinë dhe anasjelltas, në një gjatësi prej 5 mijë metrave.
Në garë ishin 300 ushtarakë nga FSK, Garda e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë dhe në fund u shpallen rezultatet.
Në hapjen zyrtare të garës morën pjesë ministri i FSK-së, Haki Demolli, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Thimoty Orr, drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, si dhe zyrtarë të Ministrisë dhe oficerë të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Në fjalën e tij, drejtuar ushtarëve dhe oficerëve të Gardës Nacionale të Ajovës, Forcave Amerikane dhe të FSK-së, ministri Demolli tha se aktivitetet e tilla po mbahen me qëllim të thellimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
“Përpos vizitave në shtetin e Kosovës po zhvillojmë edhe këtë kros. Këto dy forca përveç aktiviteteve ushtarake, siç janë ushtrimet e përbashkëta fushore dhe trajnimet, po zhvillojnë edhe aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, siç është edhe ky kros me sloganin ‘Së bashku për Paqe’”, u shpreh ai.
Në fund ministri Demolli përgëzoi sportistët duke ju uruar suksese të gjithë pjesëmarrësve dhe duke jua rikujtuar se fituesit e garës do të shpërblehen me medalje.
Ndërsa, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Thimoty Orr, pas i uroi pjesëmarrësit, tha se, “fuqia e shteteve tona është në zemrat tona” dhe se pret t’i nderojë me medalje fituesit.
Drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi, tha se edhe ky aktivitet i përbashkët dëshmon më së shumti bashkëpunimin për paqe në mes të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Vendin e parë në këtë garë në kategorinë e meshkujve e zuri Jesemin Zverko, të dytin Valdet Brahimi dhe në vendin e tretë u rendit Adnan Ademi, që të tre pjesëtarë të FSK-së, kurse në kategorinë e femrave vendin e parë e zuri ushtarja Donjeta Korpuzi, vendi i dytë i takoi pjesëtares së Ushtrisë Amerikane, rreshter Stefany Stock dhe në vendin e tretë u rendit ushtarja Bahare Bytyçi.
Tre vendet e para u nderuan me medaljen e artë, argjendtë dhe të bronztë si dhe me certifikata, të cilat u ndanë nga ministri i FSK-së, Haki Demolli, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione.
Ky aktivitet sportiv, në një mot të mirë, u përcoll nga një numër i madh i qytetarëve dhe mediave.
Gara sportive u zhvillua në kuadër të aktiviteteve paraprijëse të Ushtrimit fushor “Shqiponja 5” të FSK-së, i cili do të mbahet nga 22 deri më 26 tetor.
“Shqiponja 5” është ushtrimi fushor i përgjithshëm i FSK-së, i cili mbahet çdo vit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, e ku marrin pjesë të gjitha njësitë taktike dhe operacionale.