Ushtarakë të Komandës së NATO-s dhe Gardës së New Jersey-it vizituan Bazën Detare të Pashalimanit/
Nga Shefqet Kërcelli/
Në zbatim të planeve të bashkëpunimit midis Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë {FARSH}, me zyrën e Bashkëpunimit të SHBA në Ministrinë e Mbrojtjes të RSH, {ODC} për vitin 2016, gjatë kësaj jave zhvilloi një vizitë në vendin tonë një grup ushtarakësh të Komandës së NATO-s dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-it. Qëllimi i kësaj vizite ishte shkëmbimi i eksperiencës dhe diskutimi i mënyrave të zhvillimit të trupës së nënoficerëve, trajnimit, edukimit dhe ecurisë në karrierë të tyre. Fillimisht grupi i ushtarakëve të NATO-s, zhvilloi takime në Shtabin e Përgjithshëm të FA, ku u prezantua sistemi i edukimit të nënoficerëve të gradave të larta, promovimi i aftësive të tyre tekniko-profesionale, strategjia e nënoficerit, udhëzuesi i NATO-s për këtë qëllim, zhvillimi i standarteve, edukimi, e ardhmja e nënoficerit, kurset trajnuese të afruara dhe mësimet e nxjerra. Në vijim ushtarakët e NATO-s vizituan Komandat kryesore të FA, ku shpjeguan dhe diskutuan rreth detyrave, rolit dhe përgjegjsive të nënoficerit, barazisë gjinore, integrimi i personelit femër në strukturat ushtarake të SHBA, trajnimi dhe certifikimi i instruktorëve, roli dhe përgjegjsia e tij, etj. Më datën 27 prill, nënoficerët e lartë të NATO-s vizituan Bazën Detare Pashaliman, ku mbas takimit me Komandantin e Bazës, nëpërmjet një brifingu të shkurtër u njohën me detyrat që zgjidh Flotilja Detare Pashaliman dhe roli që kanë në përmbushjen e misionit nënoficerët e detarët e niveleve të ndryshme. Ishte befasi e këndshme për miqtë e NATO-s dhe Gardës së New Jersey-it, lundrimi në gjirin e Vlorës me anijen “Oriku”. Këtu ata u njohën jo vetëm me bukuritë natyrore të bredgetit vlonjat, por dhe me karakteristikat e reliefit të Karaburunit, maleve, kodrave dhe vecoritë e ishullit të Sazanit. Natyrisht ushtarakët miq panë nga afër shpellën e Haxhi Alisë dhe reliefin shkëmbor të bregdetit jonian. Këtu shfrytëzova rastin për ti prezantuar dhe rolin e Misionit amerikan në Shqipëri gjatë Luftës së II-të Botërore, të cilët përdorën rajonin e Karaburunit dhe gjirit të Vlorës për të goditur nazi-fashistët në prapavijë. Por aktivitetet mes ushtarakëve tanë dhe të NATO-s nuk mbaruan me kaq. Njohja me traditën, zakonet dhe resurset turistike të Vlorës, ishte pjesë tjetër e programit. Si ishushtarak u ndjeva mirë kur pashë këta ushtarakë të rinj që kërcenin vallet shqiptare të gjithë trevave. Në fund të vizitës ushtarakët e dy palëve do analizojnë rezultatet e punës së këtyre ditëve dhe do saktësojnë projektet e bashkëpunimit për të ardhmen.