Nga Luan Çipi/Një tjetër lajm i gëzuar: Petraq J. Pali, emër shumë i dëgjuar në qarqet letrare të emigracionit në Amerikë si poet, shkrimtar dhe publicist, i sjell këto ditë lexuesit, librin e ri me novela e tregime: “Ana, vajza e sekretarit”, një libër ky, botim i Shtëpisë Botuese “Edlora” Tiranë dhe sponsorizuar nga djaloshi shqiptaro-amerikan Indrit J. Bregasi.Juristin Petraq J. Pali, që 30 vjet më parë punonte si gjeometër në Drejtorine e Ujrave të qytetit dhe shëtiste gjatë gjithë ditës në të katër anët e rrethit të Vlorës me motoçikletën e tij JAWA, askush nuk do ta përfytyronte se do bëhej një poet e prozator me emër. Po ai, krahas zgjerimit të njohurive dhe shkollimit universitar dhe udhëtimeve e lëvizjeve nëpër botë, rezultoi një vëzhgues i vëmendshëm dhe hodhi në letër kujtime mbresëlënëse, dhe krijime të bukura letrare, të paraqitura me art dhe atdhetari.
I lindur në fshatin e bukur bregdetar Qeparo të Krahinës Himarë, në vitin 1944, Petraq Pali, pati fatin të kishte babë Janko Palin, Mësues i Merituar, Nderi i Qarkut të Vlorës dhe Mirënjohje e Qytetit te Vlorës, studiues, poliglot, poet e shkrimtar dhe përkthyes i palodhur dhe atdhetar i spikatur.
Petraq Pali e ka nisur krijimtarinë letrare qysh para ndryshimeve demokratike të vendit, me melodramën “Selim Lala”, por e ka bërë veten shkrimtar me punë intensive e vullnet të çeliktë, gjatë njëzet viteve të fundit, duke botuar çdo vit poezi, përshkrime udhëtimi, tregime e novela e deri romane. Ndër veprat e tij, deri tani 21, mund të përmendim 5 libra me poezi, 1 me publicistikë, 2 novela, 5 romane dhe 8 libra me rrëfenja e tregime.
Mërgimi në Korfuz të Greqisë dhe në Virxhinia të Amerikës, malli, patriotizmi në gjenezën Jankopaliane dhe dashuria për vendin e vet: Qeparoin, që e lindi dhe e mëkoi me dashuri dhe atdhetari, Vlorën e veprimtarisë djaloshare, që e zbuloi si ajkën e të rinjve të gëzueshëm, të zotë e të dashur dhe që e vuri në ballin e tyre, si nismëtar e organizator, me epiqendër djemtë e bregdetit, po dhe me shokë e miq nga të gjitha trevat shqiptare. Të gjitha këto të bashkuara në një mendje të ndritur, origjinale dhe më tej të përpunuara në art, shpërthyen atje larg në dhe të huaj, dhe u kthyen në mbresa të pashlyeshme në prozë e në poezi të kërkuara. Këto gjurmë Petraqi i mban të freskëta dhe i përtërin me ardhjen e përvitshme në Qeparo, ku fle e ndrojtur muza frymëzuese dhe ku po përpiqet, mesa duket, të kthehet në folenë e tij të re, ndërtuar sipas kërkesave të kohës, për të gjetur qetësinë e dëshiruar dhe vrull të ri inspirimi.
Faqja e posaçme në internet dhe shoqata “Qeparoi” është një tjetër veprimtari që paraqet vullnetin e pamposhtur dhe sakrificën pa interes të këtij Shqiptari të vërtetë, ndërsa Shkolla “Janko Pali”, një mundim familjar krejt patriotik, vazhdim i traditës së babit të tij të ndritur, një model i rrallë i përpjekjeve të Shqiptarëve të Amerikës, sipas shembullit të hershëm të vatranëve të paharruar, kontribues të rëndësishëm për vetëgzistencën e Shqipërisë tërësore, me Vlorën dhe Prishtinën.
Një tjetër mësim që na jep Petraq Pali, si rrallë djem të tjerë të kësaj kohe, është kujdesi, respekti dhe shpenzimet financiare që i kushton babit të vet, të cilit ia ka ruajtur krijimtarinë dhe veprimtarinë dokumentare patriotike, didaktike, shkencore e historike, ka botuar të përpunuar një pjesë prej tyre dhe nuk i rresht përpjekjet për ta vendosur atë në piedestalin që meriton. Po kështu veprim human i kohës, është xhesti prej kalorësi i Petraq Palit, që deri tani, veprat e tij në shumë kopje, i ka dhuruar pa shpërblim, duke sakrifikuar të ardhurat e tij personale.
Petraq Janko Pali, veprimtar shoqëror në gjirin e Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane, ku për 8 vjet ka qenë nënkryetar e sekretar, gjendet hera herës kudo: Në Tiranë, në Korçë, në Vlorë e në Berat, në Çikago, Boston, Miçigan, Washington, Njujork e Toronto, kudo ku mblidhen Shqiptarët dhe jep ndihmën e tij modeste për njohjen dhe ruajtjen e traditave më të mira dhe për përparimin e pandalshëm të Kombit Shqiptar.
Edhe tani, 72 vjeçar, mrekullohem nga veprimtaria e dobishme e Petraq Palit dhe i uroj nga zemra atij: shëndet të mirë e prodhimtari të pashtershme.
Libri i fundit me novela e tregime “Ana, vajza e sekretarit” është një tjetër arritje me vlerë. Novelat dhe tregimet e këtij vëllimi të ri, me një prozë të bukur dhe tërheqëse dhe përshkrime narrative e intriguese, me densitet ngjarjesh e karakteresh, na çojnë në gramat e fundit të sistemit totalitar dhe në ditët e para të epokës së demokracisë: Kohë dhe Njerëz. Pleksje ngjarjesh dhe ndodhish interesante e intriguese, me vërtetësi e besnikëri. Pasqyrim real dhe fantazi figurash e bëmash, në fotografim të figurave aktive dhe të denigruara të regjimit në dekompozim e rënie dhe figura e fate njerëzish të thjeshtë e të vuajtur në skamje e mjerim, por me besim e aspirata pozitive per një jetë më të mirë, për liri e demokraci dhe për ta bërë Shqipërinë si Evropa dhe Amerika.
Nuk dua të shtjelloj, apo të komentoj ngjarjet, që aq bukur dhe si një letrar i pjekur tashmë, trajton Petraq Pali, se kam frikë mos ju shuaj kërshërinë, por ju rekomandoj ta lexoni “Ana, vajza e sekretarit”, për t’u njohur me personazhe interesantë, që hasen shpesh në jetë, por që të fiksohen në mendje.
Le t’i urojmë prozatorit dhe poetit prodhimtar, Petraq Pali, në 72 vjetorin e lindjes së tij, jetë të gjatë dhe shumë libra të tjerë, po kaq të bukur!
Tiranë, më 09.03.2016