Studiuesja e historisë Valdete Cenalia (Dida) i bashkohet Federatës Vatra. Zonja Cenalia ka studiuar në Tiranë në Fakultetin Filologjik në fushën e historisë dhe ka kryer Master Shkencor në specialitetin Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe ka kryer një sërë trajnimesh në fushën e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe çështjeve sociale. Prej 7 vitesh jeton familjarisht në New Jersey dhe punon për shtetin e New Jersey në Qarkun Bergen. Është mësuese me kontribut të lartë në shkollën shqipe të Qendrës Shqiptaro-Amerikane në Riverdale, New Jersey dhe eksperte e kurrikulave mësimore. Është aktive në shoqatën e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë dhe pjesëmarrëse në të gjitha ngjarjet dhe evenimentet e komunitetit shqiptar në New York, New Jersey, Connecticut e më gjërë. Studiuesja Cenalia është vlerë për Vatrën dhe komunitetin tonë.
Mbyllja e vitit shkollor në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane, Riverdale
Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullit shqiptar është i vetmi thesar! Çdo të shtune mësueset e shkollës shqipe në Riverdale kanë dhënë kontributin e tyre duke mos thënë asnjëherë “sot jemi të lodhura”. Nuk ka kënaqësi më të madhe, kur, ne mësueset dëgjojmë fëmijët që flasin dhe shkruajnë shqip. Prandaj, mbrojtja dhe ruajtja e gjuhës shqipe është detyrë dhe obligim i joni që t’a trashëgojmë tek brezat tanë.
Drejtuesja e shkollës Gonxhe Meta së bashku me drejtuesit e Qendrës dhe mësueset Fatjona Limanaj, Artemisa Jazxhi, Orkida Agaj, Eglantina Mataj dhe Valdete Cenalia në mënyrë të organizuar bënë mbylljen e vitit shkollor duke shpërndarë çertifikata për të gjithë nxënësit dhe organizuan një festë për mbylljen e vitit shkollor. Gjuha mësohet aty ky flitet!
“PËRTEJ HARRIMIT” – KOHA E TERRIT KOMUNIST KU U SHUAN QINDRA INTELEKTUALË SHQIPTARË
Valdete Cenalia Dida/
Kisha hyrë brenda atij burgu duke lexuar librin e Ermira Xhomaqit kushtuar gjyshit të saj “Abdulla Ramit-Përtej harrimit”, më dukej vetja sikur isha brenda një globi të ftohtë dëbore, rrethuar nga telat me gjemba, ku burgu ishte një parajsë komuniste, duke parë e dëgjuar rënkimet, torturat që u bëheshin të burgosurve që njiheshin si “armiq të popullit”, ku Abdulla Rami përkthente ose shkruante vargje, duke ia përshtatur vuajtjeve, në burgun famëkeq të Burrelit.
“Të mirët dënohen me vdekje e shkatërrim
Me ligj të turpit të zi
Gjithë këto mënxyra e thajnë shpirtin tim
Që shkriu posi qiriu”.
Abdulla Rami i lindur në Tatzat të Delvinës më 20 Maj 1908, u shkollua në Liceun Franko-Shqiptar në Korçë 1927-1931 dhe ishte bashkënxënës me diktatorin Enver Hoxha në liceun e Korçës, ku pikëpamjet e tyre të kundërta, xhelozia e diktatorit nuk kursyen vënien në pranga menjëherë pas vendosjes së regjimit totalitar në Shqipëri. Ai do të shkollohej në Montpellier të Francës gjatë viteve 1936-1940 për Drejtësi, ku Abdulla Rami do të analizonte diktaturat dhe regjimet totalitare pseudo-demokratike që kishin degjeneruar në diktaturë. Gjyqtari i ri kërkonte të zëvendësonte legjislacionin e trashëguar nga e kaluara me legjislacion të standarteve Perëndimore, por hasi sharrën e kohës së komunizmit.
Rami po mundohej t’i kushtonte vëmendje ndërtimit të një Shqipërie të Lirë Demokratike, Etnike dhe bashkim ndërkombëtar. Ai ishte i brymosur me idetë demokratike të Evropës Perëndimore ku dhe ishte shkolluar, por idetë e tij përplaseshin me idetë bolshevike dhe revolucionare të Lindjes.
Abdulla Rami ishte sekretar dhe një ndër organizatorët e Ballit Kombëtar, që mendonte bashkëpunim me Partinë Komuniste me anë të “Marrëveshjes së Mukjes”për një Shqipëri Etnike, por kjo gjë nuk do t’i pëlqente PKSH më në krye Enver Hoxhën. E mohuan këtë marrëveshje ku çoi dhe përçarjen mes tyre. Kryetari i “Balli Kombëtar” Mit’hat Frashëri u largua nga Shqipëria dhe u vendos në SHBA, por, Abdulla Rami nuk pranoi të arratisej ku thoshte “nuk kanë pse të më arrestojnë”. Por arrestimi i Abdulla Ramit ndodhi më 16 Dhjetor 1944, ku ishte vetëm 37 vjeç, sepse kishte përhapur idetë e “Ballit Kombëtar”dhe u cilësua si“armik i popullit”, duke ia shkatërruar përfundimisht karrierën e juristit të diplomuar në Evropën Perëndimore.
“Qysh asnjë s’do mbesë historinë të vajtojë
Të martirëve të copëtuar
Binjakëve, grave të ve, kujtimin t’u rehatoj
Nga xhelatët e mallkuar”
Epoka e errët e socializmit, vuajtjet e pafundme të të gjithë familjarëve të të burgosurve, ajo kohë po shuante çdo ëndërr dhe ndjenjë njerëzore, që të shkulnin me rrënjë këtë dhimbje që e fshihnin në heshtje, ku ajo heshtje harrohej ku nuk flitej asnjë fjalë, por, Rami vazhdonte të përkthente duke ia përshtatur vuajtjeve të tij me burgun e tmerrshëm të Burrelit:
“Kur bijtë e tu lidhur me hekur
Në bodrumet e errëta dergjen e rënkojnë”
Të gjithë këto intelektualë të shkolluar jashtë siç ishin: Abdulla Rami, Abaz Omari, Gjergj Kokoshi, Sulo Klosi, Enver Zazani, Jusuf Vrioni, Andre Xega, Niko Leza, ishte një histori që dëshmonte për një energji njerëzore mbytur me një lehtësi kriminale nga“fitimtarët”nën diktaturën e Enver Hoxhës.
Formimi, zgjuarsia, intelektualiteti i Ramit dhe i shumë të bashkëstudentëve dëshmoi faktin e intelektualëve të formuar në Evropën Perëndimore që përfunduan në internime, ekzekutime si kundërshtarë të ideologjisë komuniste që hodhi në humnerë të gjithë inteletualet e pafajshëm nga regjimi i Enver Hoxhës, që nuk kishte përfunduar asnjë shkollë por mori pushtet absolut duke eliminuar një nga një të gjithë kundërshtarët, ku rruga e vëllezërve Rami e shumë intelektualëve u kryqëzuan për fatin e tyre të keq me atë të Enver Hoxhës në liceun e Korçës dhe me pas u vunë në kryq prej tij. Abdulla Rami brenda qelisë shprehte dhimbjen me anë të shkrimeve:
“Qëndresa e tyre heroike
U gdhend në muret e qelive pa dritë
U rrahën, u vranë me keq se bagëtitë
Pushuan mendjet e arta.
Qershiza e Burrelit ferr, u bë shtëpi varr
Për qindra e qindra mëmdhetarë
Si nëna, gra, motra priten rrënjët e saj
E lot të nxehtë derdhen, lot që kurrë s’u thanë
Ato lot që s’u thanë si të nënë Halimes, gruas Gjyrxhie e vajzave të tij Thëllënxës, Rufies e Fatmires.
Megjithëse gjithë jeta e tij i shkoi nëpër burgje e internime, por mësuam për një intelektual që kishte mbetur në harresë, ku ishte burgosur dhe internohej nga një qytet në tjetrin ngaqë “bërtiste” se kishte ide ndryshe nga qeveria e ferrit komunist. Faleminderit Ermira që n’a e solle të përshkruar kaq bukur dhe në mënyrë të dhimbshme jetën e një intelektuali siç ishte Abdulla Rami.
Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit
Valdete Cenalia/
Në librin “Prof. Rexhep Krasniqi-një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”, profesor Besim Muhadri e ka përshkruar qartë figurën e Profesor. Dr. Rexhep Krasniqit, si një njeri që punoi dhe luftoi për një Shqipëri natyrale, për një Shqipëri etnike. Njeriu që kurrë nuk e ndali luftën kundër së keqes që kishte pllakosur Shqipërinë dhe shqiptarët, si ata që jetonin brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ashtu edhe ata që jetonin në trojet e veta etnike, por që kishin ngelur padrejtësisht brenda territoreve jugosllave, ndaj të cilëve ushtrohej dhunë e po mundoheshin t’i asimilonin dhe shfarosnin.
Profesor Besim Muhadri në librin e përgatitur për Prof.Dr. Rexhep Krasniqin, na jep një informacion të mjaftueshëm për jetën dhe veprimtarinë e Profesorit të nderuar, i cili 24 vjet më parë vdiq këtu në Nju Jork, duke lënë prapa një veprimtari të shquar në fushën e atdhetarisë dhe të studimeve historike e politike për shqiptarët. I lindur 28 shtator 1906 në Gjakovë kaloi një jetë të dhimbshme, duke mbetur jetim që në moshën 8 vjeç e për t’u adaptuar më pas si “bir shpirti” nga Bajram Curri, i cili më pas do ta shoqërojë vetë në regjistrimin e shkollës në Vjenë, ku edhe doktoroi në fushën e historisë, për t’u bërë njëri ndër doktorët e parë të shkencave historike në trojet shqiptare. Pas kësaj kohe ai kthehet në atdhe, ku jep kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit, por edhe të udhëheqjes, kurse pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore, detyrohet të largohet nga vendi, ku jetoi dhe veproi në mërgim, Austri, Australi dhe së fundi në Nju Jork, ku edhe vdiq. Pas vdekjes së Mit’hat Frashërit, udhëhoqi “Komitetin Shqipëria e Lirë, të cilin Komitet e udhëhoqi për plot 35 vjet me radhë.
Përmes librit të përgatitur e të redaktuar nga vetë ai, Prof. Dr. Besim Muhadri na e sjell mjaft qartë dhe të pastërt figurën e një njeriu brilant si në fushën e shkencës, ashtu edhe në fushën e kontributeve politike në favor të atdheut dhe Kombit të tij, siç ishte prof. Dr Krasniqi.
Në kapitullin e parë trajton prejardhjen, origjinën dhe shtrirjen e popullit shqiptar si dhe zhvillimin e kësaj popullsie brenda hapsirës së vet historike.
-Tema e Kongresit të Berlinit dhe pasojat e këtij Kongresi për Verilindjen e Shqipërisë.
Vrasja e Mehmet Ali Pashes në Gjakovë me përmasa tragjike, pushtimin e Podgoricës, Shpuzës, Zhabiakut nga ana e Malit të Zi.
-Temën e Konfliktit për marrjen e Plavës dhe Gucisë dhe përfundimi i Lidhjes së Prizerenit dhe çështjen e kufirit etnografik të Kombit Shqiptar në Verilindje;
Temën e luftërave për lirinë e popujve kristian të Ballkanit, në të cilën profesor Krasniqi shpreh qartë arsyet e shpërthimit të këtyre luftërave dhe zhvillimin e tyre duke trajtuar problemin bullgar, grek. Pastaj ai flet edhe për zhvillimin kulturor e kombëtar të shqiptarëve si dhe përpjekjet e sllavizmit ku gjuha shqipe mbizotëroi e jetoi në themelin e gjuhës familjare.
Temën e rrjedhës së ngjarjeve para luftës Ruso-Turke ku Perandoria Ruse mbeti e pakënaqur nga Protokolli i Londrës 31 Marsit 1877 ku Fuqitë e Mëdha dhanë pëlqimin për paqen e bërë me serbët, Turqia të nënshkruante me Malin e Zi të njëjtën paqe për çarmatimin e fuqive të veta ushtarake etj.
Temën e copëtimit të tokave shqiptare pas përfundimit të luftës Ruso-Turke, ku në mars 1878 në Shën Stefan nënshkruhet një traktat, sipas të cilit pjesët e tokave shqiptare i kaluan shteteve fqinje, favorizohet Bullgaria, kurse Rusia detyronte Turqinë të jepte viset shqiptare, që solli edhe Kongresin e Berlinit si dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, mbajtur më 10 qreshor 1878, si kundërshtim i copëtim i tokave shqiptare nga ana e fuqive të mëdha.
Në librin “Profesor. Dr. Rexhep Krasniqi- një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”, profesor Besim Muhadri prezanton shumë shkrime të tjera interesante të shkruara nga ana e Rexhep Krasniqit gjatë kohës sa ishte kryetar i Komitetit Shqipëria e lirë, shkrime të publikuara nëpër revista të kohës e në libra të veçantë, madje edhe në në gjuhën angleze. Përmes këtyre shkrimeve profesor Krasniqi opinionit ndërkombëtar ia bënte me dije çështjen e pazgjidhur shqiptare e në veçanti atë të Kosovës, ndërkombëtarizim të cilin e bënë pranë diplomacisë amerikane në SHBA, në kohën kur kishte filluar valë e madhe shpërnguljesh të popullsisë shqiptare duke ngritur si problem në OKB.
Po ashtu profesor Besim Muhadri, në librin kushtuar Rexhep Krasniqit, prezanton edhe shkrime të autorëve të tjerë që flasin për figurën e Rexhep Krasniqit. Ndër ta është edhe publicisti Idriz Lamaj, një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rexhep Krasniqit, që falë kontributit të tij në ruajtjen e arkivit të profesorit, e ka parë dritën e botimit edhe ky libër që po promovohet sot, por i shkruar katër vite më parë. Idriz Lamaj jep të dhëna interesante për Rexhep Krasniqin, por edhe për Xhafer Devën. Më të parin kishte punuar në të njëjtën zyrë 17 vjet, kurse me të dytin 10 vjet.
Po ashtu shkrime interesante të prezantuara në këtë libër janë edhe ato të studiuesve si Nuredin Ahmeti, Hamdi Thaçi, Frank Shkreli, Alban Dobruna e Nexhat Çoçaj. Përmes të cilave shkrime sikur plotësohet portreti politik, atdhetar dhe historik i profesor doktor Rexhep Krasniqit.
Prandaj libri “Prof. Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të shqipërisë etnike” ,i përgatitur dhe i redaktuar nga profesor Besim Muhadri, me të drejtë mund të quhet një kontribut i rëndësishëm në ndriçimin e figurës së Rexhep Krasniqit, apo siç e thotë edhe recensenti i librit Dr. Alban Dobruna një hap i rëndësishëm në hostoriografinë shqiptare, sepse koncepti, qasja dhe formimi i profesor Rexhep Krasniqit përbën një përafrim me shkollat historiografike evropiane dhe një gërshetim me traditat e shkollës historiografike shqiptare.
Duke përfunduar këtë shkrim timin për këtë libër, e përgëzojmë profesor Besim Muhadrin për këtë kontribut të veçantë në lidhje me nxjerren në dritë të këtij libri, i cili shpërfaq në mënyrë komplekse figurën e Rexhep Krasniqit në këtë format libri.