Në kuadër të ditës ndërkombëtare të grave, PEN Qendra e Shqipërisë, qendër e PEN International në Tiranë, promovoi librin me poezi “VALLËZIMI I FRYMËS, të poetes Violeta Allmuça, botuar nga shtëpia botuese Fishta. Ky libër është i botuar edhe në gjuhën angleze, në Sh. B. A. Fjalën e hapjes e mbajti Entela Kasi, presidente e PEN në Shqipëri. Për poezitë e poetes Allmuça, folën Natasha Lako, studiuesi Behar Gjoka, Miradije Maliqi, Fatime Kuslli dhe botuesi Frano Kulli. Në një atmosferë me tingujt e muzikës të studentes së Akademisë së Arteve, Ina Aliaj, gazetarja Kozeta Kurti, njëkohësisht autore e disa librave, por edhe autoret femra pjesëmarrëse në këtë takim poetik, lexuan poezi nga libri i poetes Allmuça. Sopranoja e TOB, Sofia Kola, në përmbyllje të këtij aktiviteti, ishte edhe surpriza e kësaj ore poetike dedikuar Violeta Allmuçës. Poetja Allmuça e botuar në disa antologji brenda dhe jashtë vendit, e po ashtu autore e disa librave në prozë dhe poezi, ndau emocionet dhe nënshkroi librin për të pranishmit.(Ahmet ZANI)