• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“O Shqiptarë! Nënës mos ia bëni varrë!”

May 5, 2017 by dgreca

 “O Shqiptarë! Nënës mos ia bëni  varrë!” (Fan S. Noli)/

48 Repishti

 Shkruan:Prof. Sami  Repishti/ Ridgefield, CT. USA./

– Gjendja politike e trazueme, zhvillimi i pa mjaftueshëm ekonomik, e paqa sociale gjysëm e thyeme në Shqipëri sot, më frikësojnë! Me afrimin e datës së zgjedhjeve të 18 qershorit “opozita”politike kercënon me bojkot. Kërkohet “nji qeveri teknike” me sigurue “zgjedhje te lira dhe të drejta” sepse partitë në pushtet akuzohen se nuk gëzojnë mirëbesimin e duhun. Koalicioni sundimtar po thyhet. Zgjedhja e presidentit të ri ka tregue thellësinë e mosmarrëveshjes. Si përfundim, Presidenti, kryetar i Shtetit “emnohet” nga udhëheqsit e nji partie politike, pa konsultim me “opozitën” demokratike, dhe me 24 korrik konfirmohet nga nji Parlament i ri i zgjedhun dy muej mbas “emnimit”. Parlamenti i ven vulen nji dokumenti të cilin nuk e ka konceptue, shkrue ose aprovue ma parë. I gjithë operacioni i zgjedhjes së Presidentit na kujton metodat mesjetare të zgjedhjes së “Mbretit”nga baronët, kalorës të Oborrit. Sot, këto “zgjedhës” jane baronët e ri me pasuni prrallore të grumullueme me mjete të dyshimta. Në çdo etapë të procesit nuk ashtë përfillë vullneti i lirë i popullit, që ironikisht quhet “sovrani”. Nji ndërtesë e ngritun mbi këto themele rrezikon me qenë jo e besueshme dhe jo jetëgjatë.

Ashtu si shumë bashkatdhetarë, edhe unë frikësohem sepse jemi para nji udhëtimi të rrezikshëm, drejt nji kaosi shtetnor, dhe vetëm nji hap larg “luftës së nxehtë” që vendi njohu në vitin 1997, me të gjitha rrjedhimet shkatërrimtare .…dhe derën e hapun për të gjitha!

Problemet që rrjedhin edhe nga nji pabarazi e turpshme ekonomike, me vorfëni sidomos në zonat rurale dhe malore të harrueme, pagesa të ulëta deri në dhimbje, papunësi, sidomos për të rinjtë, ndërsa krimi, korrupsioni dhe kanabis sativa lulëzojnë, janë tregues se besimi popullor në aftësinë e “Shtetit” me sigurue nji jetë me dinjitet po grryhet nga ky realitet i frikëshëm. Nga dëshprimi rritet numri i atyne që janë të bindun se Shqipëria ashtë vendi i degradimit moral dhe mbrapambetjes ekonomike si rezultat i qeveritarëve të perceptuem si “ klasë hajdutësh” që veprojnë si kapitalistët e pamëshirëshëm, “…udhëheqës politikë që nuk janë tregue të aftë me udhëheq këte vend gjatë tranzicionit.”(D.L.Pillips) Rrjedhimi ashtë nji emigrim i mallkuem që shterrë energjitë vitale të popullsisë.

Ankimet e shumëta tregojnë humbjen e besimit në nji të ardhme ma të mirë, nji ndjenjë të fortë inferioriteti ndaj kombeve tjera, dhe nji pa aftësi me arrijtë nivelin e zhvillimit që të tjerët gëzojnë. Në Shqipëri, në vend që të ndizet qiriu që na jep dritë, mallkohet errësina që na mbulon.

Perspektivë e frikëshme! Shqipëria po tregon se ende nuk ashtë formue si shtet organik, koordinim sistematik në shërbim të nji tanësie shtetnore. Në Shqipëri qytetarët nuk janë ende koshient për detyrat e tyne ndaj Atdheut nanë. Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në largimin e tij nga Shqipëria deklaroi:”…E le vendin me përfundimin e hidhur se këtu ka shumë për të berë që njerëzit të bashkëjetojnë brenda një kornize rregullash.”Anti-kompliment i randë!

Nji burim i “së djathtës” shkruen: “KM Edi Rama drejton nji ndërmarrje kriminale që e ktheu Shqipërinë në qendrën europiane të organizuar të trafikut të drogës”. Nji tjetër burim i “së majtës” paraqet gjendjen në Shqipëri “me ngjyra trendafili”. Qytetarët e ndershëm janë të hutuem,-ashtu si Ministri gjerman. Besimi në authoritetin ashtë damtue randë. Pa autoritet nuk ka “shtet”, dhe pa “shtet” tatpjetja rritet çdo ditë e ma shumë drejt gremines së hapun nga vetë shqiptarët…!

Thirrjet për rrëzimin e “autoritetit’ me dhunë janë akte të rrezikëshme që synojnë shkatërrimin, edhe kështu të dobët të strukturës shtetnore të vendit. Dhe kur këto thirrje bahen nga elementë shqiptarë, ata cilësohen nga bota e jashtëme si “marrëzina!” Në rastin ekstrem, edhe si “trathëti!”

Në nji situatë të këtillë, nuk duhet të mbështetemi në retorikë politike si udhëheqja e mendimeve tona, sado tërheqse të jetë ajo, sepse retorika politike ka shumë ngrohtësi, dhe pak arsye. Shqipëria  ka nevojë për mendimtarë të pavarun, larg propagandës dhe “fake news”, të mirë informuem dhe të lirë me u çfaqë. Këto “të drejta qytetare” i siguron vetëm nji “shtet i lirë”.

Kontrasti “e drejta” dhe “shteti” në dukje nji paradoks, ashtë i pranishëm kudo dhe kurdoherë në mendjet e qytetarëve të informuem. Në SHBA, rinia edukohet me parimin se çdo qenie njerëzore lindë me disa “të drejta” të garantueme vetëm për faktin se jemi qenie njerëzore, e që percaktohen si “të drejta natyrale”: jeta, liria dhe ekzistenca përherë e ma e lumtun (the pursuit of happiness). Ata nuk janë “të drejta që na jep “shteti” (të drejta pozitive), sepse vetë “shteti” formohet nga ne dhe per ne, e vepron vetëm për nji qellim: me respektue, dhe me mbrojtë këto “të drejta natyrale” të qytetarëve.

Nji pozicionim i këtill i njohun si “the American exceptionalism” shpesh herë ashtë i keqinterpretuem si nji “e drejtë me qenë mbi të tjerët”, ose “imperializëm”. Ashtë e kundërta: të gjithë janë të barabartë para ligjit, me të drejta të plota dhe të pacenueshme. Dhetë amendamentet e para të Kushtetutës Amerikane janë përcaktime ligjore që mbrojnë këte barazi dhe “qytetarin” e lirë nga ndërhymja e “shtetit”. Të rinjtë amerikanë edukohen me mendue se identiteti amerikan ashtë  lidhun, së pari dhe fuqimisht, me nji ide, dhe jo me nji copë tokë ose nji grup racor të veçantë. Ky qendrim e ban SHBA-n nji vend “exceptional”, të ndryshëm, të dalluem nga vendet tjera.

Ky qendrim doli në sipërfaqe me fuqi edhe me zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA. Senatori Ben Sasse (R.Nebraska) i frikësuem nga zhvillimet e padëshirueshme në politikën amerikane, foli për nji “zgjim të tribalizmit”, dhe shtoi: ”Unë jam kundër ‘nji identiteti politik’. Unë jam për “nji politikë ideore’ që na tregon se çdo të thotë emni ‘Amerikë’, dhe cili ashtë qellimi i jetës sonë të përbashkët!”

Shqip: do të kujdesohen shqiptarët me mbrojtë nji vend që quhet “Shqipëri” dhe se qellimi i shqiptarëve ashtë nji jetë e përbashkët në këte “Shqipëri”? A do të vazhdojnë shqiptarët me jetue të ndamë në grupe e fise me identitete lokaliste, pa “nji ide qendrore” që i bashkon, pa konceptin e jetës së përbashkët për të gjithë pa dallim, pa përjashtim? Sepse, Shqipëria nuk ashtë ”çifliku i babajt” por Atdheu i të gjithë shqiptarëve!

Nga përgjigja korrekte e kësaj dileme që përballojmë akoma sot, mbas 105 vjet pavarësie, varet e ardhmja e jonë si nji popull me perspektivë europiane. Sepse edhe vetë Bashkimi Europian (B.E.) në thelb, ashtë nji “ide” ma shumë se çdo gja tjetër: ideja e nji kontinenti të lirë, paqësor dhe të sigurtë për të gjithë 500 miljonë plus qytetarët që e banojnë. B.E. që dëshmojme na sot ashtë vetëm skeleti që nevojitet me ushqye e me realizue këte ide.

Fatkeqsisht idetë fisnike të Botës së Lirë, sidomos ata të mbas L2B, gjetën nji terren anmiqsor në vendin tonë, ku popullsia i u nënshtrue nji indoktrinimi të ashpër dhe nji fryme hakmarrëse. Nji shembull: në “Plenumin e Gruas…” Tiranë, 1979, Nexhmije Hoxha, bashkëshorte e diktatorit E.H., deklaronte:” …Ne do të persekutojmë armiqtë e popullit deri në brezin e shtatë, madje do të lejmë fëmijtë e tyre të pamartuar”…nji skenë makabre qe ekzekutoi Sigurimi i Shtetit komunist, dhe nji përsëritje makabre e praktikës naziste të hitlerianëve kundër izraelitëve …! E pabesueshme, por e vërtetë!

Cila ashtë vlera morale e politike e “lëvizjes anti-fashiste” që reklamojnë ende përkrahsit e saj kur ata ballafaqohen me krime të këtilla të përbindëshme? Le të gjykojmë me dorë në zemër…!

Kjo atmosferë e rrezikëshme përballohet nga anti-teza –rezistenca anti-komuniste, me plagët e trashëgueme nga e kaluemja e çmendun. I mbijetuemi i Auschwitz-it, John Amery, shkruen:” Kushdo që ashtë torturue, kurrë nuk e ndjen veten të sigurtë përsëri në këte tokë!” Ish të persekutuemët shqiptarë anti-komunistë kanë përbuzë hakmarrjen – cilësi shtazarake- dhe kanë kërkue “drejtësi, e cila u ashtë mohue me pretekste absurde. Megjithë këte gjest kaq fisnik që rregjistron historia e popullit tonë, qendrimi i “fajtorit” që nuk kërkon falje për krimet e kryeme, asgjason procesin e “pajtimit” dhe “bashkimit”, nji proces që na mundon të gjithëve, dhe që na pengon në çdo hap të jetës së përditëshme

Efektet e nji fryme të këtillë helmojnë ende sot atmosferën shoqënore e politike të vendit tonë me rezultate shkatërrimtare dhe kercënojnë të mbeten efektive edhe për breznitë e ardhme. Ashtë mallkimi që na ndjek në mënyrë të pamëshirëshme! Kështu ngjet kur pjesëtarë të Qeverisë deklarojnë haptazi se janë “krynaltë” për prindët e tyne me të kaluemen kriminele. Këtu ndershmënia vdes, dhe vargu i gënjeshtrave dhe i mashtrimeve me ndërgjegje të plotë lindë e rritet deri në monstruozitet. (Mbasardhësit e kriminelëve nazistë nuk u martuen ose nuk banë fëmijë me qellim që të zhdukej nga faqja e dheut kjo racë xhelatësh!).

Në Shqipëri, ra heshtja pothuejse e plotë. Kundër kësaj heshtje mbytëse shkrimtari Primo Levi, i Auschwitz-it, në shenj proteste, vari veten në litar, nji mesazh që tingëlloi në botën mbar. Nuk u ndigjue në Shqipëri . Unë uroj të mos jemi ”në pritje të Z. Godot!” kur shpreh bindjen time se do të vijë dita që Shqipëria do të udhëhiqet nga nji grupim burrash e grashë të ndershëm, të pajisun me guxim qytetar dhe zemërgjanësi, që refuzojnë dukjet e jashtëme, e që nuk hipnotizohen nga “e keqja” por dedikojnë mendjen e djersën e tyne shërbimit për popull e atdhe. Shkruej kështu sepse të shumtë janë ata që qeverisen Shqipërinë; shumë të paktë janë ata që qeverisen Shqipërinë si akt angazhimi patriotik, me mend e me djersë….e që do të kujtohen! Andërr? Jo! Nji dëshirë e ngritun në pasion!

Na duhet guximi dhe vendosmënia për punë ndërtimtare, shpresa dhe sidomos pajtimi në mes nesh, dialogu i hapët dhe i edukuem. Na duhet patriotizmi –dashunia e sherbimi për vendin që quejmë atdhe, pa humbe në errësinën e nacionalizmit romantik e agresiv, sepse nji strategji e ndërtueme mbi “territore” nuk ka sukses. Na duhet fryma e mirëkuptimit të ndërsjellë. Ajo që nuk na duhet ashtë polarizimi i politikës së vendit, dhe personalizimi i politikës si profesion. Si rrjedhim, sot në Shqipëri, nuk kemi “parti kombëtare” por “parti të Tiranës”, nji rezervoar kuadrosh të ricikluemë…!

******

Zgjidhja e ngerçit politik në Shqipëri sot, nuk mund të bahet me përjashtimin e partive të opozitës, aq ma pak të PD-së, forcë politike me kapital moral të madh. Votimet nuk janë legjitime pa opozitën, megjithë manipulimet politike të mbrapaskenës. Nji akt i këtill mohon sakrificat e rezistencës heroike anti-komuniste dhe përjashton mundësinë e tyne me marrë pjesë në qeverisjen e vendit.  Kjo tezë ashtë krejtësisht e papranueshme dhe duhet përjashtue! Modalitetet janë nji problem teknik që zgjidhet nga ata që duen Shqipërinë ma shumë se “partinë”. Bojkotimi  Parlamentit ashtë akt primitiv dhe anti-demokratik, sepse në Parlament zhvillohet debati i lire që sjellë marrëveshjen. Nji qeveri e re duhet të gëzojë jo vetëm besimin e shumicës që e ka votue por edhe të elementit të pavarun e asnjanës. Grindjet pozitë-opozitë rrezikojnë me kthye zgjedhjet e 18 qershorit 2017 në nji replikë të zgjedhjeve të 2 nandorit 1945: nji arkë për “Frontin Demokratik” dhe “arka boshe” për “armiqtë e popullit”.

Këtu lindë nevoja e nji kompromisi të thellë, ndoshta edhe historik të pranuem lirisht nga shumica dërmuese e popullsisë, dhe i hapun për të gjithë!

Nuk kanë vlerë akuzat absurde që qarkullojnë në tregun e mjeteve të informimit. Aq ma pak kur ata synojnë me diskreditue miqtë e aleatët tonë, e ambasadorët e tyne, akuza banale që na kujtojnë 45 vjetët e izolimit komunist. Ashtë qendrim infantil, ashtë qendrim vetë-damtues! Shqipëria krenohet të jetë nji demokraci parlamentare –megjithë të metat parlamentare! – që kerkojnë ndryshime rranjësore. Nuk ka shqiptar normal që andrron kthimin e rregjimit komunist dhe përdorimin e mjeteve të E.H. me arrijtë qellimet e diktatorit: mbajtjen e pushtetit me dhunë, e të rolit udhëheqës të PPSH-së “permanent dhe absolut” me “grusht të hekurt”! Shqipëria ashtë kandidat serioz për anëtarsim në B.E., me sigurinë e vendit të garantueme nga NATO, me pluralizëm politik, e shtypin e lirë (të paktën nominal!). Ndamja e qeverisjes në tre pushtete teorikisht ekziston, me gjithë komprometimin e thellë të sistemit gjyqsor (që shpresohet të riformohet). Pa dyshim ka shpresë!

Shqipëria nuk  ashtë nji ishull! Jetojmë në Ballkanin perëndimor të kontinentit europian, sot zonë e trazueme.   Ka shumë mundësi që rajoni të priret drejt nji vale pakënaqsishë në nji masë të madhe. Këto vitet e fundit, “Moska ka hapë nji front e ri në Ballkan me qellim krijimi të nji krize politike”, shkruen J.Bugajski. Ai vazhdon:” Pikësynimi nuk ashtë me pakësue perspektivat (për vendet ballkanike) e hymjes në NATO dhe B.E., por në forma kercënuese me kthye Ballkanin në nji zonë ku konfliktet shkaktojnë ramjen e influencës së Perëndimit, dhe ngritjen e asaj ruse.

Tre shtete: Maqedonia, Bosnia dhe Kosova paraqiten si konstruksione politike të përkohëshme dhe artificiale dhe përparimi i tyne drejt Europës duhet të ndalohet. Shqipëria akuzohet se me ndihmën e Washingtonit kërkon coptimin e Serbisë dhe të Maqedonisë për formimin e nji ‘Shqipërie të  Madhe’”- pjellë e fantazive serbo-greke.

Kjo situatë, propagandon shtypi rus, mund të sjellë konfliktin në mes të kombësive, dhe të detyrojë Shqipërinë (e Kosovën) me ndërhye në mbrojtjen e bashkatdhëtarëve të tyne. Ndërhymja ringjallë rivalitetin serbo-shqiptar, me zhvillime të padëshirueshme, që tërheqin, mundësisht, edhe Turqinë e Greqinë në konflikt. Për studjuesët e origjinës se L1B, nji skenar i këtill nuk ashtë i mundun. Megjithëse historia nuk përsëritet,  ajo përmban tinguj të ngjashëm!

Që nga viti 2000, na jemi dëshmitarë të ngritjes së nji rreziku të ri: “populizmit”, dhe lëvizjes së politikës së nacionalizmit agresiv, lëvizje që kerkon kthimin e pushtetit në duert e “kombit-shtet”, larg nga institucionet ndërkombëtare të mbas L2B, si NATO, B.E. edhe UNO-si dhe nji serie organizatash ekonomike, shoqënore e kulturore që përbajnë strukturën e ruejtjes së paqës që nga viti 1945.

“Përgjigja e jonë ashtë edukimi i popullsisë, kryesisht rinisë sonë”- shkruen Dr. Moshe Kantor-“me të drejtat e vlerat e tolerancës, demokracisë, bashkëndamjes së përgjegjsisë dhe sigurimit tonë. Në se vlerat nuk kalohen nga nji brezni në tjetrën organikisht, e që sistemet tona arsimore mund të japin për këte brezni, veçanërisht në vitet e krizës dhe mbrapambetjes ekonomike, përfundimi do të ishte fatal”.

Duhet të mobilizohet qytetaria e ndershme dhe koshiente!

Para së gjithash, të projektohen vijat kryesore të diskursit politik: nji bërthamë me ide koherente të kohës që jetojmë. Përcaktohen problemet që kërkojnë zgjidhje, dhe debatohen. Asgja nuk pranohet pa bindje të plotë, dhe në se nuk i përgjigjet shqetësimeve të popullit mbar.

“Vlerat intelektuale dhe shkencore grumullohen në botën tonë; ata kalojnë nga nji brezni në tjetrën”, spjegon filozofi anglez John Gray. “Nuk ashtë kështu me vlerat morale, që fatkeqsisht nuk kanë këte efekt grumullimi”. Kjo ashtë arsyeja që çdo brezni duhet të mësojë këto vlera nga vetë eksperienca e tyne; në se jo, krijohet mundësia e nji katastrofe te re…” shton ai.

Çfarë mund të bajmë për breznitë e ardhme? Me paraqitë përvojën e terrorit të kuq si paralajmerim i të ardhmes që i kercënon. Rishtazi, Presidenti i Izraelit ftoi ish Presidentin e Gjermanisë me marrë pjesë në përkujtim të Holokaustit. A mund të imagjinojmë na nji ftesë nga ish të përndjekurit drejtue trashëgimtarëve të terrorit të kuq me vizitue Bedenin, Vloçishtin, moçalet e Myzeqesë, Burrelin, Spaçin, Qafë Barin e vende tjera shenjte ku pushojnë pa gjurmë, pa shenj kufomat e mijëra viktimave të pafajshme të komunizmit? A jemi na aq të pjekun për nji gjest të këtill që do të trondiste edhe ndërgjegjen ma të fjetun? Gjeste të këtilla sot nuk janë “e kaluemja- e harruemja”; ata janë përpjekje për nji mirëkuptim, sot dhe nesër, nga ata që kërkojnë përsëritjen e katastrofës….!

Në Europë dhe në Amerikën e Veriut sidomos, qytetarët kanë tendencën me spjegue, për çdo epokë, vendin e tyne në botën ku jetojnë. Ky spjegim ashtë zakonisht optimist dhe perparimtar: kontribut për pasuninë e përbashkët të njerëzimit. Vlerat perëndimore, randësia e diskursit të lirë dhe racional, e drejta e pronësisë si bazë e lirisë së individit, nevoja për forume publike dhe për informata janë vlera që popujt e mëdhej trashëguen, e lajnë trashëgim. Kjo cilësi ”e burrave të shtetit” iu dha popujve sensin e misionit të përbashkët, me nji fjalor të përbashkët, si dhe nji kuadër mbrenda të cilit argumentimet politike gjejnë fushë veprimi për zbulimin e piksynimeve të përbashkëta.

Me humbjen e besimit në qytetnimin perëndimor nga sulmet e gjithanëshme, ai u konceptue si histori e shtypjeve të vazhdueshme. Propaganda komuniste zen këtu vendin e parë! Tue fillue me diktaturën e shumicës, tue kalue në diktaturën e pakicës, e tue përfundue me “diktaturën e njëshit!” trashgimia e jonë e pasun u pezullue. Shtetet mafioze u çfaqën në çdo kand të botës, bashkë me “dorën e hekurt”. Fituen partitë e ekstremit. Vlerat liberale në familje –bërthamë e shoqënisë- u sulmuen randë në shkollat tona. Studentët e pakulturuemë u banë agresivë, jo tolerantë, abuzues, e tallës të mësuesve në shkollë e prindëve në shtëpi….! E frikëshme!

Mjaft persona nuk e kuptuen, edhe ma shumë të tjerë nuk e vranë mendjen me kuptue. Çdo gja perëndimore u gjykue si “reaksionare” dhe “shtypëse”. Ma në fund, ndërtesa e ngritun mbi këto parime, u shemb. Ajo që na mbeti ishte nevoja urgjente me rindërtue botën e re, botën e vlerave dhe ideve shoqënore të qytetnueme, hap mba hapi, çdo ditë nga pak…!

Ma shumë se partitë politike, ma shumë se zgjedhjet katër vjeçare, vendi i jonë ka nevojë absolute për rindërtimin moral të shoqënisë sonë shqiptare. Dhe kjo, “sous peine de mort”! Nën kercënimin e zhdukjes sonë si komb me identitet shqiptar…! Mos e dhashtë Zoti!

Filed Under: Emigracion Tagged With: “O Shqiptarë! Nënës, mos ia bëni, Sami repishti, varre

Shfletime: Eqrem Basha”VARRE”

May 14, 2013 by dgreca

Kufiri
f.12
Te ne kufijtë janë varrë të hapura, rreze topash, sinorë që i ngul e i shkul i huaji dhe s’e pyet asnjëherë të zotin. Nuk na ndajnë nga të tjerët që s’janë si ne, por futen midis nesh, ndajnë vëllanë nga vëllai, djalin nga babai, burrin nga gruaja…

f.14
Zona e kufirit shfaqej në forma dhe mostra të pazokonshme. Ndonjëherë lëvizte e hapej, si lumenjtë që gërryenin brigjet duke përvetësuar ara e brinja dhe duke i shndërruar në shkurre të thata tokat e bukës, livadhet e buta..Ndonjëherë ngjitej majave të larta atje ku supozohej që s’mund të shkonin as dhitë e egra, e ndonjëherë i binte përmes Qytetit, duke mos respektuar asnjë rend, asnjë rregull, asnjë shesh e asnjë park, duke ndarë bahçet nga shtëpitë, stallat, ahuret nga bagëtia, arat nga zotëria, prindër nga fëmia..Zona e kufirit ndonjëherë na fuste edhe ne brenda, na mbyllte në karantinë dhe na qelbte në pordhët tona, na kalbte si gjellët e prishuara në plëndësin e sëmurë. Në zonën e kufirit nuk ndërtohej shtëpia, nuk lëvrohej ara, nuk ngrihej stalla. Në zonën e kufirit nuk të vinte miku, nuk bëheshin dasma, nuk hapeshin varre. Zona e kufirit duhej mbetur e shkretë, duhej qethur, rruar e kruar, duhej harrë e tharrë, që të shihej nga larg miza në lëvizje. Ndodhte që mbeteshin varret në atë anë, të vdekurit në këtë anë…Atëhere hapnim një fushë tjetër varresh. Këndej dhe andej, nga të shkelësh varre. Varre të krijuara aty për aty, meqë kortezhi nuk mund të mnbërrinte në cakun e duhur.
Prandaj, ngado që të silleshe, do të ndeshje nga një varr të vetëm, të njohur o të panjohur, të një udhëtari a kalimntari të rastësishëm. Varret mbilleshin gjithandej, Brenda oborreve të shtëpive, pranë arës a zabelit, tek një cung mali apo në shtigjet e karvanëve.

Rojat
f.18
Rojat e kufirit ishin gjithmonë të huaj, domosdoshmërisht të huaj. Ata nuk kishin asgjë të përbashkët me ne. Asnjë qëllim për t’u afruar dhe për të jetuar si ne. Ishin aty për të na ndarë, për të na ruajtur, për t’u vënë në mes dhe për të mbikqyrur durimin tonë, për të penguar të mos bëheshim një.

f.20
Telat me gjemba i lidhnin xhenierët e ushtrive që hapnin istikame nëpër kuotat e larta në kohën kur nuk kishte nevojë as për tela, as për vija e hendeqe. Nga atje rojat vrojtonin pëllëmbë pas pëllëmbe vijën e kufirit, të cilën e njihnin vetëm ata, kositnin pa paralajmërim çdo gjë të gjallë që merrte guximin të aventurohej dhe mbanin regjimin e fortë në një hapësirë që nuk përfshinte vetëm kufirin, por edhe një terren më të gjerë përpara tij, ku nuk guxonin të qaseshim e që quhej zona tampon, zona e vdekur ose zona e vdekjes.

Atletët
f.26
Shtrëngimi dhe egërsia e vijës së kufirit nxiste instinktin e reagimit për të mos përfilluar dhe për të gjetur kundërpërgjigjet, mbi të gjitha shkathtësinë e përbuzjes dhe thyerjes së tij, për të mbajtur lidhjet e përhershme me ata që ishin ne. Eleganca me të cilën i selitnim këto shkathtësi, dëshmonte se aftësinë e kapërcimit të kufijve e kishim të lindur dhe se sprovat e këtilla nuk ishin prej sot.

f.27
Atletët e kufirit ishin posta jonë, kasnecët dhe lidhjet e mirëfillta. Ata ishin damarë që e mundësonin qarkullimin e mirëfilltë të gjakut në gjithë organet dhe gjymtyrët tona. Detyrat ishin të shumta dhe të ndryshme. Do të bëhej një urim a një ngushëllim, do të përcillej a do të merrej një nuse, do të çohej në vend një fjalë e dhënë, do të përmbushej një amanet, do të ktheheshin në vatrën e vet fëmijët e shpërndarë apo të tëhuajtësuar në kohë dyndjesh e shpërnguljesh. Mbase do të kapërcehej një kufomë që lypsej varrosur në varret e fshatit ku kishte lindur. Qarkullonin mallra e letra, prika e miraze…nëse ishte stinë e përshtatshme, kalonin dhe karvanë të tërë, krushq e dasmorë…

Nata
f.32
Nata ishte plot gogolë, bubuzhela, akrepa, lugetër që na hynin në shtretër, gjarpërinj me brinjë që na mbështilleshin nëpër këmbë…derisa ne dridheshim duke u strukur në kraharorin e prindit, të vetmit që kishte guximin dhe fuqinë të na e largonte frikën. Por këto krijesa ishin edhe arma e vetme e tyre për të na disiplinuar: do të rrish urtë a ta thërras lugatin!…

f.33
Në kohën e egërsimit të regjimit, lugetërit shndërroheshin në policë e ushtarë, ndërsa shtëpitë e rrethit të kufirit lugat e akrep e kishin kufitarin. Ai ishte gogoli që trëmbte fëmijën, forca mbinatyrore që duhej ta bënte memec kur qante pranë gjirit të tharë, kur kërkonte të dilte në oborr e të vraponte i gëzuar, kur dëshironte diçka që nuk mund t’i plotësohej. Shshshttt!, se graniçari!
Më të rënda ishin netët e lëvizjeve të hijeve të natës, të diversantëve, spiunëve, patrullave të armatosura. Atëhere nuk bëhej më fjalë për xhinde e lugetër, nuk tregoheshin as përralla me veliatë e shtojzovalle që të ngrinin me frymë. Nuk trokitej në derën e fqinjit, se nuk lëvizej natën nëse nuk ishte e domosdoshme.

Diversantët
f.37
Diversantët ishin një kastë e veçantë, që e kishim ne këndej, por edhe ata andej. Tashti edhe ne edhe ata, do të thuash ti, një qefere jeni, nga një brumë ngjisheni, apo jo? Jo, jo, se e ke gabim. Ne ishim një si popull, edhe këndej edhe andej i takonim një race, një loze, shpesh dhe një fisi. Flisnim një gjuhë, por regjimet e kufirit që ishte vënë në mes nuk ishin njësoj. Regjimi dallonte dhe diversantët. Pra, edhe po të ishin dy kushërinj, mbase vëllezër dhe nëse njëri shkonte me detyrë nga këndej e tjetri nga andej, po të ndesheshin përballë, duhej ta zhduknin njëri-tjetrin. Kjo ishte logjika e rojave që rekrutonin hafije edhe nga ne.

Hunda
f.41
Vesi i hundës ishte trashëgues, përcillej nga brezi në brez, nga babai tek i biri, nga i biri tek nipi. Me hundë mund të ishin një fshat, një rreth familjar, një fis, apo një rreth shokësh e bashkëmendimtarësh që futnin flegrat në të palarat e Qytetit…

f. 42
Vesi i hundës herë-herë vinte si e shkuar, epidemi që rrëmbente Qytetin njësoj si ajo e lemzës, e ligave, e gazit të papërmbajtur, apo e skuqjes (I kuq i madh).

f.44
Futja e hundës në kufi sillte pasoja nga të cilat qytetarët paguanin haraç, shpesh edhe me kokë.

Koka

Fiqiri

Kujtesa

f.69
Kujtesa të mban gjallë, o krijesë e Perëndisë! Të ushqen me uzdajë se mund të kapërcesh çdo vështirësi, mund t’ia dalësh, siç ia kanë dalë të parët, të gjesh forcë e motiv të luftosh çdo gjë që të pengon të marrësh frymë lirisht.
Kujtesës ndonjëherë i thonë histori. Historia shkruhet e krijohet sipas kohës, vendit e rrethanave. Kujtesa që kemi ne është tjetër. Është më e thellë. Nuk është një regjistër ngjarjesh, as kronikë luftërash e lëvizjesh. Është më shumë se kaq. Prandaj çdo pushtues synon zhdukjen e saj, si hapin e parë të nënshtrimit.

F.71
Ndodhte të na vinin nga një bisht në mbiemra, riemëronin fshatin, pastaj na e vinin në mbiemër. Por ne e kujtonim emrin e fisit, të gjyshërve, të stërgjyshërve. Ruanim dhe mbiemrat e rinj, sikur për të dëshmuar se edhe ato ishin pjesë e kujtesës, sepse , një e kishim të sigurt: nuk mund të ndryshonim atë që ruanim thellë në vete, që na dallonte prej ekspeditave që vinin e shkonin.

10 Malli
f. 77
Ndërsa ti digjeshe nga malli, nga ajo varrë e hapur në shpirt, përgjëroheshe t’i takoje njërëzit e tu, në vend të çmalljes, të vinin emisarët e shtrëngimit të vijës së ndarjes të të lajmëronin armiqësitë që bëheshkan gati përtej kufirit, egërsinë dhe çoroditjen e tyre, lakminë që paskan ndaj mirëqënies së supozuar, për planet që gatuakan për të ta prishur lumturinë.
Ishte mjeshtri ta fshihje këtë, ta mbaje për vete mallin, të thaheshe e të piqeshe në kraharor. Ta mbyllje lotin në qerpik, se edhe vaji mbikqyrej, kontrollohej…
..Na u tha syri. U dogjëm. Sa do të jenë plakur njerëzit tanë. Ata fëmijë që i lamë të vegjël, kushedi sa do të jenë rritur. A do t’i njihnim po t’i shihnim. Po ata a do të na njihnin? Kush e di si do të jemi bërë. Nuk e shohim veten. Do të jemi tharë nga malli dhe do të jemi rrudhur nga vetmia.
Malli djeg, sa kohë që të djeg e të mpak ai, dy herë më shumë të vret vetmia. Ajo të hyn drejt në gjak, drejt në zemër. Aty të fut helmin e pashërueshëm.

Gjuha
f.79
S’pushonin të na bindnin se kishim gjuhë të vështirë dhe aspak të qartë. Gjuha juaj nuk i ngjan asnjë tjetre, nuk ka asgjë të përbashkët me tonën dhe vështirë se i plotëson kriteret për ta vënë në shërbim. Më lehtë e keni të mësoni tonën, se është e kultivuar dhe e normuar.

f.80
..ne e dinim se gjuha ishte ajo që na mbronte. Gjuha ishte ajo që na bashkonte me ata të përtej telave, që ishin ne, derisa këmbëngulnin të bëheshim si këta të midis telave, të vënë aty vetëm për të na ndarë.

f.81
Ku e dinin ata se gjuha jonë nuk ishte e qartë derisa ne merreshim vesh fare mirë me njëri – tjetrin? Me gjuhën e tyre komunikonim vetëm kur duhej merrnim një leje, të nxirrnim një dokument për të lëvizur pranë vijës së kufirit, t’ju shitnim djathë e gjizë.

f.84
Ndonjëherë shkonin aq larg sa na i ndërronin dhe emrat e vendbanimeve. Krijonin një nyjë në gjuhën e tyre dhe ia ngjisnin një fshati, një lagjeje, sado që ne kishim emrat tanë të vjetër. Na detyronin t’i mësonim, t’i vinim në mbiemra. Në fillim na dukeshin të pakapshëm, por mësoheshim, me aftësinë e pashpjegushme të përshtatjes. Ne mund të qeshnim, si mund të quhej një fshat Ujë i Zi, derisa e dinim se aty buronte ujë i bardhë i kthjellët, apo si mund të quhej Katund i Ri fshati që kishte ngrehina mijëravjeçare përrreth. Mbase nuk e kuptonim se qëllimi ishte të linin fërkemet me erë të keqe, si egërsirat që përhapin shurrën nëpër shkurre për të shënuar territoret, për t’i rinjohur pastaj si të vetat.

…Preknin edhe emrat tanë, duke u vënë parashtesa, prapashetsa, që s’përputheshuin me gjuhën tonë duke na bindur se përputheshin me defterët e tyre për organizim institucional, se ne nuk dinim ç’ishin institucionet, ç’ishte shteti që e krijonin ata në shtëpinë tonë, ç’ishte rendi e qeverisja.

Vajet
f. 91
Nuk vajtohej vetëm vdekja. Në çastet e kotësisë, atëhere kur nuk merreshin me asgjë dhe me askënd, gratë tona, në vend që të kënaqeshin me të mirat e kësaj jete, siç kënaqet e argëtohet e gjithë bota, sa herë që ka nge, vajtonin.
Është tokë vajesh kjo e jona, o Mik, tokë dhembjesh e pikëllimi. Pak gëzime kemi parë dhe pak arsye kemi për t’u kënaqur.
Nuk ishte larg vajtimit as kënga ndonjëherë.

f.92
Këngët nuk këndoheshin, por qaheshin. Prandaj, kur lavdërohej rapsodi thuhej: e qau me lot. Ta qaje me lot do të thoshte ta bëje tjetrin t’i këputej zemra, sepse kështu lartësohej tragjikja, që ishte jeta jonë ashtu si e kuptonim ne.

Dasma
f.96
Në jetën e një të riu dasma ishte ngjarja më e shënuar, por edhe për prindët që zgjidhnin stofin më të mirë, terziun më të zot, t’i qepnin rrobat e dhëndërrisë që do zinin vendin kryesor në dollapët e kujtimeve, pa u zbehur deri në pleqëi, se do të visheshin kohë pas kohe për ta ndjerë veten si në ato ditë kur gëzimi ishte kulmi i kulmeve.
Çdo gjë sillej rreth tij. Do të merrej me lodra e do të shpihej të lahej në praninë e shokëve në banjën e Qytetit. Berberi i zgjedhur do të vinte në shtëpi ta qethte e ta rruante në mes të valles se këngëve të bijave. Do të nisnin shakatë e do të thurreshin shpotitë, çdo gjë do ta vinte në qendër të vëmëndjes. Shokët vraponin t’i shprishnin shtratin e martesës, ta vononin takimin me nusen, ta grushtonin shpinës tek hynte në dhomën e saj dhe t’i këndonin gjithë natën, te dera për ta detyruar t’i rrinte nuses i zgjuar.
Një herë në jetë, të paktën për një javë, ai do të bëhej mbret, paçka se pas kësaj do t’i kthehej së zakonshmes, së përditshmes, do të vishte rrobat e zotërisë a të shërbëtorit, të bariut a të dyqanxhiut.
Manovrat
f.106
Në se nuk kishte luftë, kishte kërcënime. Nëse nuk kishte kërcënime, kishte kërkesa të vazhdueshme për të qenë syhapur e vigjilent, i gatuar për më të keqen. E keqja është gjithmonë pas dere. Kujdes kur e hap se ta ngjet për fyti. Nëse ne flemë, nuk flë armiku. Paqja jonë e brishtë rrezikohej vazhdimisht, thoshin rojat e kufirit, ndaj duhet të jemi të përgatitur. Të jetojmë e të punojmë sikur gjithë jeta të jetë në paqe. Të ushtrojmë e të kalitemi sikur nesër të ketë luftë.

f. 107
Në se nuk kishte luftë, kishte manovra. Përgatitje të vazhdueshme për luftë në kohën kur ndarja arsyetohej me ideologji. Andaj bëheshin mobilizime, që të forconin vigjilencën përballë kërcënimeve të supozuara, që t’u mundësonin atyre që vinin me tela me gjemba dhe uniforma ngjyrë ulliri të bënin operacione taktiko-ushtarake për të dëshmuar përgjigjen ndaj çdo tentimi për të këputur telat që na ndanin.

Lufta
f.114
Njësoj si manovrat, toka jonë mund të ishte vetëm fushëbetejë ose vetëm një kamp i madh. Apo, edhe më thjesht, një shteg nga kalonin ushtritë, të cilat si uji i ndyrë që vërshon fushën e butë dhe kur tërhiqet, lë pas llumin e shkretëtirën që s’të jep mundësi as të mbjellësh, as të korrësh. Në kapërcimet e këtilla fusha jonë djerrohej, shkuleshin me rrënjë pemë e vreshta, zhdukeshin sinorët, shkrumboheshin shtëpitë, rrafshoheshin kodrat, për t’u hapur shtigje lufte, në marshimet e tyre epokale, ushtrive të perandorive që bënin rikonfigurimet e territoreve, të sferave të interesit, për t’u lejuar t’i shkelnin milingonat e pafajshme që ishin pengesë e vogël në sendërtimin e ideve të mëdha për ndryshimin e botës.

Bonjakët
f. 122
Jetimi lind pa fat. Ai rritet pa dashuri prindërore, pa kujdesje e pa përkulje të atyre që ia duan të mirën. Jetimët e luftës dhe të kufirit janë të hedhur në rrugët e jetës, sikur dikush t’u ketë dhënë të shtyrën në grykë të humnerës. Ata ndiqen gjithë jetën me peshën e këtij fati, derisa të rriten e të bëhen dhe vetë prindër. Por edhe si prindër u përcjellin fëmijëve ndjenjën e vetmisë dhe pasigurisë me të cilën janë rritur vetë.
f. 125
..Jetimët e kufirit, jetimët e luftërave, jetimët e murtajës, jetimët e lisë, jetimët e kurbetit, jetimët e hakmarrjes, jetimët e humbjeve, jetimët e përmbytjeve, të tërmetëve, të nizamëve, të lavave të ujqve..

Sëmundja
f. 129
Historitë që rrëfeheshin te ne, siç thamë, ishin rrëfime luftërash e dyndjesh. Koha matej me periudha betejash e marshimesh të mëdha, shpërnguljes e masakrash- lufta e parë, lufta e dytë, lufta e bugarit, lufta e turkut, lufta e serbit, dyndja e parë, dyndja e dytë, masakra e përroit të gjakut, djegia e parë, djegia e dytë…
Por historitë tregoheshin dhe me kohë sëmundjesh e epidemish: dy vjet pas murtajës, një vjet pas lisë së parë…Këto ishin sëmundje të evidentuara në regjistrin e të ligave që nuk na linin rehat. Ishim mësuar me to, siç mësohet robi me të këqijat e jetës duke e ditur se nuk mund t’i shmangë dhe e kishim zakon t’i merrnim me të mirë. Ua ndërronim emrat dhe u vinim nofka përkëdhelëse, eufemizma, që e quanin të zezën të bardhë dhe ujkun qengj. I lehti ishte sëmundja më e rëndë e tokës, kollë të mirë kolli i zi a kolli i keq që u shkulte fëmijëve mushkëritë dhe i nxinte si bloza e oxhakut, lulekuqe fruthi e lia.

Burgu
f.133
Përtej asaj që e quanim burg jetën që jetonim, të rrethuar me tela me gjemba e mure të padukshme ndalesash, burgu i vërtetë, ai i hekurave dhe qelive të errëta, na vinte si ndëshkim i domosdoshëm, lehtë e papandehur, jo për krime ordinere, por qoftë edhe për një shikim andej, për një ofshamë dhembjeje e pakënaqësie, për një dëshirë të thjeshtë njerëzore për t’iu afruar vëllai vëllait në një rast gëzimi a pikëllimi apo edhe për një pushtim malli e dashurie.
Burgosej ai që tentonte të kalonte nga këndej andej, sepse kjo quhej ikje. Burgosej ai që përpiqej të kalonte nga andej këndej, sepse edhe ajo quhej ikje. Burgosej andej ai që kapërcente nga këndej, burgosej këndej ai që kapërcente nga andej…Burgosej secili që merrte guximin të mos e përfillte ndarjen, sepse të gjitha, pa përjashtim, ishin ikje.

f. 135
Ishte e pamundur të gjeje ndonjërin nga ne që të paktën një herë nuk e kishte kaluar purgatorin, koridoret e hetimeve dhe nuk ishte përpunuar nga organet e mbrojtjes popullore, siç e quanin veten.
Trysnia
f.140
Familjet e mëdha e të vogla i kujtonin anëtarët e tretur me lugët rreth sofrës ditëve të festive. Sipas zakonit, gjithmonë lihej një vend i zbrazët për të munguarin që supozohej të ishte gjallë, ose të paktën nuk ishte varrosur me duart e tyre. Lugë të mallit ime ëmë vinte gjithnjë në sofër.

..Ajo që më vonë do të bëhej një fotografi e varur në mur, në kohët e hershme të fëmijërisë ishte luga e thatë, vendi i zbrazët rreth sofrës, të cilin e shikonim me mall e përgjërim edhe në ditë gëzimesh.
f.144
Herrja e kohëpaskohëshme, pastrimi nga elementët armiqësorë, jo vetëm në kohën e ashpërsimeve të regjimit të kufirit, por gjithnjë lidhur me qëllimet për ta rralluar dëndësinë tonë rreth vijave të tij, kishte efekte zinxhiri dhe merrte me vete të tjerë që lidheshin me to apo druanin se ishin lidhur, ndaj krijonin kolona të ikësve që u druheshin raprezaljeve të reja, të njerëzve që nuk donin të jetonin në ankthin e vazhdueshëm të frikës e të terrorit.
Ishte rregull që, menjëherë pas kësaj të vinin emisarët me harta turistike, duke na ofruar toka e perspektiva të reja, ëndrra që nuk i njihnim dhe nuk i kishim parë, vesika, lehtësi udhëtimesh në botën e huaj, në tokën e premtuar, duke na bindur se kjo e brezit ët kufirit ishte shterpë, duhej braktisur sa më parë. Këtu nuk mbin as ferra e gomarit, nuk gracon asnjë lule, asnjë bimë nuk merr frymë. Atje është toka e premtuar. Asaj i takojmë dhe andej duhet të drejtohesmi. Kot e tresim jetën në këtë vijë të egër kufiri.
Megjithatë ne e donim këtë tokë të egër, e kultivonim me kujdes, në bahçet tona mbinin lule të bukura, erëdhënëse, që na këqnaqnin. Ku kishte tokë si kjo që të jepte më bollëk, gjithmonë kur kishe mundësi ta ujitësh, ta ushqesh e të rritësh gjithë melhemet e një jete të shëndetshme, atëhere kur nuk ndërhynte dhuna.

Zija e bukës
f. 148
..më e zeza e të zezave, ishte zija e bukës, kur dimri zgjatej e forca shterej, kur rrethi shtrëngohej e ne mbylleshim në oborrin tonë, ku asa gurit nuk kishe ç’t’i shtrydhje më. Atëhere shihnim vetëm sytë e uritur të carrokëve që nguliteshin në duart e zbrazëta dhe na plaste zemra, e humbnim vullnetin për të qendruar. Thyheshim si kashtë e tharë para argumentit më dëshpërues të arsyes të të qenit në atë vend dhe në atë kohë: kruanim magjet, mblidhnim myshkun e puseve të thella ku ruanim verës rezervat e ushqimit, ndiqnim pëllumbat e egër që futeshin nën kulmet e thata, me shpresë se do të gjenin një kokërr misër, që hatullat tona nuk e kishin parë kushesi prej kurësh.
Zija e bukës na hante e na thante si kanceri i padukshëm. Ajo futej në mishrat tanë të zaifët duke thithur lëngjet e jetës, për t’i shndërruar binatë e përkulura në skelete të vyshklur dhe pa jetë.
*Botoi: Varrë
Koha Biblioteka ODA
Prishtinë 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: eqerem Basxha, varre

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT