Nga Aleko LIKAJ/
Gazetari dhe reporteri televiziv Vasil Qesari, është prezantuar sërish me një ekspozitë të re në artin e fotografisë për publikun francez në Bordo të Francës. “SOY CUBA”, titullohet ekspozita e tij e fundit që u hap këto ditë në galerinë “Quais des livres” në qendër të qytetit, në Avenue Victor Hugo. Janë foto të marra para disa muajsh në fillim të këtij viti nga një udhëtim i autorit në ishullin e madh të Karaibeve, atë të Kubës, të cilat pasqyrojnë një botë krejt tjetër, të trishtë, të izoluar e të mungeses se lirisë. Për ngjarjen artistike e cila është pasqyruar edhe në dy televizione lokale, si dhe në shtypin peridik “Metro”, “Bordeaux 7”, ka shkruar edhe gazeta më e madhe “Sud Ouest”, në fillim të kësaj jave duke e shoqëruar materialin edhe me dy foto. Nën okielon “Midis dy diktaturave”. artikulli ka bërë paralele për sistemet totalitare staliniste, në Shqipërinë e dikurshme ku ka lindur dhe ka jetuar autori, dhe Kubës që ky i fundit e ka fiksuar në aparatin e tij.
Sipas gazetës, ekspozita që ka qëndruar për disa ditë e hapur është pritur mjaft mirë nga vizitorët e shumtë, intelektualë, artistë, shkrimtarë e gazetarë të regjionit të Aquitaine-s duke e konsideruar atë si një risi dhe mjaft shprehse për autorin e saj Qesari. Në rreth 40 fotografi janë sjellë me shumë realizëm portrete e copëza jete nga një botë ku mbizotërojnë sloganet në kontrast të thellë me mjerimin dhe zhvillimin aty. Ajo pëmend edhe faktin se ky autor në harkun e pesë viteve të fundit ka prezantuar ekspozitat e tij në gjininë e fotografisë edhe në Shtetet e Bashkuara, Tunizi, Portugali, Shqipëri e në Francë. Në këtë të fundit ka qenë i pranishëm në kater evenimente të tilla. Ndërsa në një prej kronikave televizive që u transmetua për aktivitetin, kolegë, artistë, fotografë e miq të autorit nuk kanë munguar të veçojnë pasionin e përkushtimin e Vasil Qesarit për tema ku në qendër të tyre është vetë njeriu me dramën e tij, kryesisht në “foto te rruges”. Ata gjithashtu e kanë konsideruar ekspozitën si një sukses tê autorit dhe kanë vlerësuar gjuhën shprehëse dhe gjetjet artistike të fotografive për të dhënë me realizëm një botë me një sfond krejt ndryshe.
Aleko LIKAJ