NGA URAN BUTKA*/
Jam i nderuar që jam i ftuari i “Vatrës” në këtë përvjetor të Ditës së Pavarësisë Kombëtare dhe që sjell përshëndetjet më të përzemërta nga Shqipëria: Gëzuar 28 Nëntori- dita e shenjtë e Flamurit!
Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali erdhi si rezultat i lëvizjeve të mëdha kulturore , politike dhe luftarake shqiptare, më së afërti qysh nga Komiteti i fshehtë i Manastirit 1905 dhe krijimi i çetave të para të lirisë, 1905, Kongresi i Alfabetit në Manastir 1908, Kongresi arsimor i Elbasanit 1909, kryengitjet e fuqishme antiosmane dhe çlirimtare në vitet 1910-1912 në Kosovë, Malësinë e Madhe dhe gjithë hapësirën shqiptare, paralelisht e pazgjidhmërisht edhe me lëvizjet atdhetare në Amerikë, që kulmuan me shoqatën Besë-Besën 1907, themelimin e Kishës shqiptare në Boston 1908, daljen e gazetes “Dielli” 1909 dhe themelimin e Shoqërisë Panshqiptare “Vatra”, 1912.
E them qysh në krye se këtë herë nuk vij si politikan, por si një pjesëz e kulturës kombëtare, që është shënja e kushti i parë e identitetit dhe mbijetesës sonë kombëtare.
Si shkrimtar, unë e ndiej dhe e çmoj lidhjen e gravitetin shpirtëror e mendor, flakën e pashuar të zjarrit të shqiptarizmit dhe sakrificën e jashtëzakonshme të shqiptarëve të Amerikës për atdheun dhe kombin.
Si historian, e vlerësoj kontributin tuaj në luftën për liri, pavarësi e demokraci, që kulmon me shpalljen e Pavarësisë, formimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe integritetit teritorial nga coptimi i huaj, që kulmon me Konferencën e Paqes në Paris, ku i kishte dërguar delegatët e saj “Vatra”. Po ashtu, në luftën kundër komunizmit dhe diktaturës çnjerëzore gjysëmshekullore staliniste dhe rrëzimin e saj, si edhe në mbështetje të proceseve demokratike, që kulmuan në vetet ’90 dhe në vazhdim.
Aspekti tjetër i rëndësishëm i kontributit historik të shqiptarëve të Amerikës, është ushqimi dhe ndikimi i lobit shqiptar të Amerikës tek politika amerikane në favor të çështjes shqiptare. Theksoj se lidhja dhe bashkëpunimi i pashkëputur me SHBA, mikun dhe aleatin tonë të madh, është siguruar , jo aq nga shqiptarët në Shqipëri, sesa nga shqiptarët e Amerikës, veçanërisht të “Vatrës”, në një përpjekje titanike nëpër shekuj. Mjafton të përmendim personalitetet e shquara: Nolin, Konicën, Kirkën, Frashërin, Pecin, Tromarën, Omarin, Çekrezin, Panaritin, Dakon, Floqin, Qiriaqët, Përmetin, Kallajxhiun, Pipën e të tjerë, deri tek zotërinjtë e nderuar Agim Karagjozi, Gjon Buçaj, Nikolla Pano , Sami Repishti,Elez Biberaj, Harri Bajraktari,Rrustem Gecaj, Frans Grishaj e të tjerë.
Presidenti Uilson i informuar historikisht prej Nolit, Midat Frashërit e të tjerë u bë mbrojtës madh i kombit tonë. Natyrisht edhe nga Shqipëria janë bërë përpjekje, fjala vjen,, im gjysh,Sali Butka në vitin 1920 botonte në librin “Ndjenja për Atdhenë” edhe, poezinë ”Rroftë Amerika” :
Rroftë, rroftë Amerika
Presidenti i saj Uilsoni
Me 14 pika,
I tha botës: qëndroni!
Madje kjo u kthye edhe në këngë dhe u përhap kudo .
Ne duhet t’i jemi mirënjohës për jetë SHBA, presidentit Klinton dhe NATO-s, që kryesuan luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës nga kolonizatorët serbë, të cilët kryen masakra dhe shpërngulje biblike ndaj shqiptarëve të Kosovës, të njëjta si ato të terroristëve të sotëm të Isisit.
Theksoj se shqiptarët e Amerikës, vecanërisht ish-kongresmeni dhe kryetari i Ligës Shqiptaro-amerikane z.Jozef Diguardi, kontributi i të cilit ende nuk është vlerësuar sa duhet, ishin të parët që ndihmësuan në luftën për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, që është fitorja më e madhe e kombit tonë, pas pavarësisë së Shqipërisë të virtit 1912.
Si publicist, çmoj, së pari “Zërin e Amerikës” një zë i fuqishëm,që vinte e vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe ngjallte e ngjall mbështetje, shpresë e veprim drejt përparimit në kohët më të veshtira të historisë sonë dramatike, me këtë rast uroj analistin dhe studiuesin Ilir Konomi. Vlerësoj lartesisht gazetën “Dielli”, që ka ndriçuar si një diell kombin në kohët më të errëta të tij. Me këtë rast përshëndes z.Dalip Greca, editorin e sotëm të “Diellit”, në vazhdën e “Diellit” të dikurshëm që s’do të perëndojë kurrë. Po ashtu edhe gazetën Ilyria dhe botuesin Vehbi Bajrami, si edhe gjithë mediat shqiptare, që emetojnë në territorin e ShBA .
Mund të them pa e tepruar, se ekzistenca dhe përparimi i Shqipërisë dhe i kombit nuk do të ishin siguruar pa përpjekjen e Vatrës, vatranëve, shoqatave të tjera shqiptaro-amerikane dhe gjithë shqiptarëve të Amerikës ,
Por unë mendoj se ato janë të lidhura pazgjidhmërisht edhe me ju të sotmit , intelektualë të njohur , bisnesmenë, studentë, punonjës të thjeshtë, por me shpirt shqiptari. Sot Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Çamëri kanë nevojë për fjalën dhe ndihmën tuaj. Jetojmë në një kohë të vështirë, të krizave të brendshme morale, ekonomike e politike, por edhe të rreziqeve të mëdha, që vijnë nga konfliktet rajonale e botërore, veçanërisht nga terrorizmi.
Shqipëria e Kosova, si dy shtete shqiptare, krahas arritjeve si vende të lira e demokratike, dëshmojnë njëherësh edhe probleme të mëdha , që kërkojnë zgjidhje. Ato luftojnë me vetveten për të mposhtur të keqen e trashëguar nga e shkuara, jo vetëm komuniste, por edhe e tranzicionit të zgjatur e të dhimbshëm, për shkak të mendësive e politikave konfliktuale, korrupsionit të lartë, mungesës së një shteti ligjor, por edhe të një qytetarie dhe tradite demokratike të munguar. Përpjekja për t’u integruar në bashkimin Europoian, pavarësisht nga pengimet dhe mangësitë, si dhe orientimi euro-atlantik, ku busull ka qenë dhe mbetet SHBA, është drejtimi i duhur, ashtu si edhe lufta kundër terrorizmit, që kërcënon jetën dhe paqen e njerëzimit. Por në politikat e sotme duhet forcuar fryma kombëtare e demoktatike, si edhe reformat e thella në të gjitha fushat, sidomos ato ekonomike dhe të sundimit të ligjit. Kjo kërkon një klasë politike të re, jo si ajo me mendësi komuniste, apo e inkriminuar, që dominon në Shqipëri e Kosovë, kërkon një gjeneratë intelektuale kombëtare dhe profesioniste, si ajo që shkollohet në ShBA dhe vendet perëndimore , kërkon një reagim aktiv qytetar, dhe institucional ndaj politikave të mbrapshta, të brendshme e të jashtme, sidomos ndaj atyre antishqiptare serbe dhe greke.
Mendoj gjithashtu, se ruajtja e harmonisë fetare, një aset i cmuar dhe model për të gjithë botën e qytetëruar, është një imperativ dhe shëmbëlltyrë, sidomos në këto kohë të trazuara.
Së fundi, mendoj se Vatra juaj, vatra e gjithë shqiptarëve, duhet të ngrihet në një nivel tjetër, që t’i përgjigjet zhvillimeve kombëtare, ashtu si në kohën Nolit, Konicës e Kirkës, për të përballuar sfidat e kohës së sotme dhe të së ardhmes shqiptare.
Unë kam besim tek e ardhmja e shqiptarëve, tek inteligjencia, karakteri, përkatësia europiane dhe sidomos fryma kombëtare, që do t’i bashkojë edhe më shumë shqiptarët shpirtërisht mes vedi, por edhe në një shtet të vetëm kombëtar.
Zoti ju bekoftë dhe mbrothësoftë, juve dhe gjithë shqiptart kudo janë! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashuara të Amerikës!
Nga mot gëzuar Ditën e Flamurit!
* Fjala pershendetse mbajtur ne darken solemne te Vatres me rastin e 103 vjetorit te Pavaresise, me 27 nentor, ne restorant MAESTRO’S