• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA- KRONIKE E AKADEMISE PERKUJTIMORE NE NDERIM TE AKADEMIK MARK KRASNIQI NE NJU JORK

September 7, 2015 by dgreca

-Bashke me Kroniken e veprimtarise perkujtimore edhe fjala e Kryetarit te Vatres dr. Gjon Bucaj, mesazhi i Presidentit te nderit te Vatres, Agim Karagjozi dhe fjala e zv.Kryetarit Agim Rexhaj/

Me 5 shtator 2015 VATRA organizoi nji aktivitet për përkujtimin e akademik Mark Krasniqit, i cili vdiq pak ditë ma parë dhe u vorros në Prishtinë. Perkujtimi u zhvillue ne Royal Regency Hotel dhe filloi para orës 11:30 të ditës dhe zgjati rreth dy orë. Aktiviteti u zhvillue në mënyrë krejt spontane ku, përveç kryetarit Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës, folësit tjerë shprehën kujtime dhe mbresa përsonale për lidhjet miqsore, nga takimet e ndryshme që kanë pasë me Profesorin e njerë. Drejtimi i aktivitetit iu ngarkue zotit Besim Malota i cili ka pasë marrëdhanje të ngushta, edhe familjare, në shpinë e të cilit profesor Krasniqi ka ndejtë të shumtën e kohës sa herë që ka ardhë në Shtetet e Bashkueme. Në fillim ai përshëndeti dhe ngushlloi të pranishmit për humbjen e akademikut të shquem si dhe për dy kolegët tjerë të tij që mbrenda pak ditësh u ndanë nga jeta, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Mbas nji minut heshtje për të tre, ai ftoi kryetarin Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës. Agim Rexhaj mik përsonal shprehi dhimbjen e madhe dhe vlersoi plot emocion humbjen e randë me përshkrime të kontakteve të shumta miqsore që ka pasë. Liridona Malota të cilës profesor Krasniqi i ka dhanë emnin kur ka lindë, në vjetin 1991 ai gjindej në Amerikë “tue kërkue lirinë”, dhe i dha emnin Liridona, emën me të cilin i ati u pajtue me kënaqsi. Harry Bajraktari i cili kishte marrë pjesë në vorrim përshkrou nderimet që Akademikut iu banë në Kosovë dhe solli kujtime nga bashkpunimi me të ndjerin. Ai gjithashtu solli për Vatrën nji ekzemplar të librit të fundit, i cili u botue me shpenzimet e tij në mënyrë të përshpejtueme nji ditë para vdekjes. Idriz Lamaj, Marjan Cubi, Tomë Paloka edhe Mithat Gashi vlersuen lart veprën e profesor Krasniqit dhe përpjekjet e tij të palodhshme deri në fund të jetës për Kosovën, për kombin shqiptar dhe për bashkimin e trojevet etnike. Profesor Mithat Gashi lexoi poezinë “Kosovës” të shkrueme kur autori ishte 22 vjeçar, student në Itali me bursë të Ministrisë së Arsmit të Shqipnisë. Në fund nipi i Profesorit, Martin Krasniqi, falënderoi të pranishmit dhe, prej këtij tubimi, i drejtoi mirënjohjen Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për përcilljen shumë dinjitoze të axhës Mark në pushimin e mbram. Gjatë programit, i cili ishte i lirë dhe folësat u shprehën simbas deshirës së tyne, u treguen disa pjesë filmike të përgatituna mjeshtrisht nga z. Dritan Haxhia, ku fliste vetë Akademik Krasniqi. Në të mramin fragment filmik, për realizimin e botimit të librit të fundit ai falënderon Hajdar Bajrakarin dhe redaktorin Bajrush Morina. Me zanin e lodhun shqiptoi porosinë për shqiptarët: Mos hiqini dorë kurrë nga Bashkimin Kombëtar. 

FJALA E DR.GJON BUÇAJ KRYETAR I VATRES MBAJTUR NE AKADEMINE PERKUJTIMORE/

Në përkujtimin e Akademik Mark Krasniqit – 5 shtator 2015, New York

Me rastin e vdekjes së Akademik Mark Krasniqit, lindi spontanisht ideja për organizimin e nji përkujtimi këtu, në komunitetin shqiptaroamerikan të New York-ut me rrethe, për të tregue respektin tonë për këtë atdhetar të shquem dhe mirënjohjen për kontributin që Ai i ka dhanë kulturës shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, arsimit dhe luftës për liri e pavarësi të Kosovës. Fatkeqsisht, lajmet për humbje të randa nga Kosova nuk u ndalen me kaq, mbrenda nji muejit u shuen edhe dy figura të tjera, kolegë e miq të Mark Krasniqit, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Gjithashtu në Kroaci vdiq edhe studiuesi arbëresh, Alekander Stipçeviq, ilirologu ma i madh bashkëkohor.

Në tubimin e sotëm, ata që e njohën nga afër ose e admiruen nga larg profesor Markun, qoftë në Kosovë ose gjatë vizitave të Tij në Amerikë, do të kenë rastin të sjellin kujtime dhe mbresa përsonale, kurse në nji rast të përshtatshem ma vonë, mund të organizohet nji konferencë shkencore, ku do të ndigjojmë studiues dhe njohës të kualifikuem, mbi jetën dhe veprën e këtij përsonaliteti kombëtar të shumanshëm.

Megjithatë, lypet që këtu të njifemi, shkurtimisht, me disa të dhana biografike të jetës së tij. Ai lindi me 19 tetor 1920 në katundin Gllaviqicë, që tash thirret shqip Shëngjon, në rrethin e Pejës, në nji familje me origjinë prej krahinës Nikaj e Mertur. Shkollën fillore e kreu në katundin e lindjes, kurse gjimnazin në Prizren më 1941. Prej atij viti deri në 1943 ka studiue letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946 ka studiue Gjeografinë dhe Etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku ka diplomue me 1950. Prej 1950 deri 1961 ka punue në Akademinë e Shkencave në Beograd, asistent e mandej bashkëpunëtor shkencor. Në vitin 1960 ka doktorue në Universitetin e Lubljanës, sepse në Beograd ia refuzuen temën që trajtonte aspekte të ndryshimevet bashkëkohore gjeografike shoqnore në Kosovë. Prej vitit 1961 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri sa pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga arsimi në vitin 1981. Për studentat dhe për kolegët ka mbetë gjithmonë Professor Marku ose Baca Mark, i nderuem dhe i dashtun. Baca Mark e thërriste me respekt edhe President Rugova, të cilit Baca Mark i ndejti gjithmonë përkrahës besnik.

Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, antar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipnisë deri në fund.

Si autor ka shkrue shume libra shkencorë, letrarë, publicistikë dhe tekste shkollore. Posta e Porositur, Lepuri analfabet; monografitë etnografike Rugova, Lugu i Beranit (koautor), Rrënjët tona etnike, Gjurmë e gjurmime – studime etnografike, Besa në traditën shqiptare, Toleranca në traditën shqiptare dhe Mikpritja në traditën shqiptare, Jehona e Kohës (përmbledhje poezishë për të rritun), Reagime (polemika), janë disa nga titujt e veprave të tij. Ka botue edhe librin Kujtime e Përjetime, me shenime autobiografike, si dhe librin e fundit që doli nga shtypi nji ditë para vdekjes, Porosia ime per shqiptarët: Mos hiqni dorë kurrë nga Bashkimi Kombëtar. Ka ba disa përkthime në gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm. Si polemist njifet sidomos me shkrimet që botoi në mprojtje prej sulmeve nga intelektualët shovenista dhe pushtetarët serbë në vitin 1966, me forcën e fakteve dhe të guximit përsonal, si e tregon tema “Qëndrimet shkencore në thumb të politikës antishqiptare”. Guximi i tij ishte mbështetje e fortë morale edhe për intelektualët tjerë shqiptarë të Kosovës në kohë presioni dhe persekutimi. Në vitin 1992 paraqiti raportin “Kosova sot” (Kosova Today) në Senatin Belg në Bruxelles, në mbrojtje të çashtjes së Kosovës. Nji vepër tjetër me vlerë të madhe kombtare asht edhe roli i tij gjatë procesit historik të pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Burrë i ndershëm, i sinqertë, i kandshëm në shoqni, i ambël në biseda, cilësi këto që shumë prej jush i keni shijue, patëm kënaqsinë me i shijue ma se nji herë edhe në Vatër. Agim Karagjozi i pat dhurue nji libër me dedikimin:

“Akademik Mark Krasniqit me admirim e mirënjohje për kontributin madhor që ka dhënë kulturës shqiptare dhe mbrojtjes së të drejtave të Kosovës. Kujtim nga Vatra.”       

Agim Karagjozi

New York, 20 prill 2004

Akademik Mark Krasniqi ka marrë shumë çmime e vlersime akademike kombëtare e ndërkombtare. Ai asht nderue me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga Presidenti Rugova dhe me medaljen Nderi i Kombit nga President Nishani.

Ai ka meritën e madhe të ngritjes së monumentit të Skënderbeut në Prishtinë, si inisjatori dhe organizatori i palodhshëm deri në realizimin e qellimit. Kam pasë kënaqsinë me qenë pjesë e publikut të gëzuem në tubimin festiv të asaj dite plot emocion të 28 nandorit 2001 në Sheshin ku u ngrit monumenti.

Bashkimi Kombëtar ishte synim i tij jetsor, ai asht edhe AMANETI i Tij i fundit për shqiptarët.

I letë i qoftë dheu i tokës së ambël të Kosovës!

I paharrueshem qoftë kujtimi i Tij!

FJALA E ZV/KRYETARIT TE VATRES, Z. AGIM REXHAJ NE AKADEMINE PERKUJTIMORE

Miq te nderuar, para se të them diçka për mikun tim, për mikun tonë, të madhin Mark Krasniqin, do t’iu them edhe njëherë ngushëllime, të gjithë juve këtu dhe familjes së tij, ngushëllime për humbjen e të shtrenjtit tonë, të profesorit të pashoq Mark Krasniqi. 
 
Këtu dhe tash, më duhet t’ua them se profesorin e njoh, ashtu siç e njohin gjeneratat e shqiptarëve, që nga fëmijëria ime, qëkur e kam mbajtur me respekt në duar librin antologjik të poezisë shqiptare për fëmijë, “Postën e porositur”, librin me të cilin jemi rritur dhe me porositë e të cilit jemi edukuar ne shqiptarët, që jetonim nën tutelën komuniste, me të cilën kurrë nuk është pajtuar profesor Marku  .
 Por unë, unë kam pasur fatin e madh që profesorin tonë ta njoh tash e një çerek shekulli, që nga viti heroik, një nga vitet më të mëdha të historisë shqiptare, që nga viti i Pajtimit të Shenjtë Kombëtar, që nga viti 1990, kur profesori Mark, bashkë me intelektualët dhe figurat  më të shquara shqiptare, si Anton Çeta, Bajram Kelmendi, Azem Shkreli etj., kishte arritur në New York me një mision të shenjtë, me misionin e pajtimit të shqiptarëve dhe të faljes së gjaqeve.
 Që nga ato ditë të korrikut të vitit 1990, profesor Marku është bërë pjesë e jetës, e preokupimit, e mendimit tim dhe, ashtu siç koha lind dhe krijon personalitetet të mëdha jo rastësisht, ai, bashkë me të madhin e të mëdhenjve, me President Rugovën, si burra të pashoq të shqiptarizmës, u bënë pjesë jo vetëm e jetës sime, por e të gjithë neve që përpiqeshim për Kosovën e për Shqipërinë, për Shqiptarët dhe për çlirimin e demokratizimin e tyre.
 Dhe, kurdoherë që ndjehesha i pafuqishëm, kurdoherë që punët dhe çështjet e kombit nuk na shkonin mirë dhe ndjehesha i dobësuar, i pashpresë dhe i zhgënjyer, më kujtoheshin këta burra të burrave, Rugova dhe profesor Marku dhe, prapë, ndjehesha me fat, fuqizohesha, trimërohesha dhe bashkë me shokët e mi të punës e të idealit,  vazhdonim rrugën tonë të madhe.
 Shkuarja në amshim e profesor Markut, e njeriut i cili kishte lindur si njeri i kombit dhe për kombin, është një humbje e pazëvendësueshme dhe sot, edhe nëse ligështohem sot ose nesër, unë do ta ndjej mungesën e fjalës së tij, të këshillës së tij, të urtisë së tij, shumë dhe thellë. 
 
Miq të nderuar, sigurisht se unë, po edhe ju, do ta keni në çdo prag-feste një boshllëk, një zbrazëti, dhe ato festat tona, në të cilat i këmbenin urimet dhe mesazhet tona të mbarësisë, Festa e Kërshëndellave, Festa e Pashkëve, Festa e Pavarësisë, e 28 Nëntorit të madh, dhe Festa e Vitit të Ri, nuk do ta kenë më atë ngjyrë dhe atë shije që kishin kur ne këmbenim urimet tona me aq shumë shpresa e përgëzime mbarësie.
 Miq të nderuar, për mua, as vizitat në Prishtinë e në vendlindjen time në Pejë, nuk do të jenë njësoj pa profesor Markun dhe do të jenë më të varfra për shumëçka, sepse atje tash e tutje do të më përcjellë vetëm kujtimi për te, jehona e fjalëve të tij, e humorit të tij të pashoq, e gjesteve dhe e guximit të tij njerëzor e kombëtar. 
 
Zonja dhe zotërinj, megjithëse nuk dua të ligështohem dhe dua t’ia zë pritën vajit e lotit për humbjen e madhe të të madhit, profesor Markut, edhe nëse ligështohem, dua të ma falni, se udhëtimi për në amshim i të shtrenjtit tonë, na lë neve këtu ku jemi, në Amerikë, shqiptarët e tjerë kudo ku janë, në secilin cep të trojeve shqiptare, na lë pra ne shqiptarëve më të varfër, na lë pa demokratin e madh, pa atdhetarin e shtrenjtë, na lë për një hap a për më shumë hapa më larg idealeve të shenjta shqiptare. Sepse ai ishte një nga ato shtyllat e mëdha të kombit, të demokracisë, të pajtimit të njëmendët kombëtar, të pavarësisë dhe përparimit të shqiptarëve.
 
Zonja dhe zotërinj, miq të nderuar, edhe njëherë ngushëllime familjes dhe miqve të profesor Markut, të gjithë juve këtu, për jetë e mot lavdi dhe i qoftë dheu i lehtë.
Agim Rexhaj, 5 Shtator 2015

Filed Under: Vatra Tagged With: akademik Mark Krasniqi, Gjon Bucaj, me 5 shtator, ne Nju Jork, Vatra perkujtoi

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT