• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA: GËZUAR 4 KORRIKUN, DITËN E PAVARËSISË SË AMERIKËS

July 4, 2020 by dgreca

      Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”,Z. Elmi Berisha, uron 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Amerikës.

        VATRA për 108 vite ka parë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin strategjik të Kombit Shqiptar.Kur Europa me traktate të fshehta apo nëpër konferencat ndërkombëtare,pa dhimbje, shkëpuste Tokat e Arbërit, për të kënaqur fqinjët,Vatra, plot besim e shpresë i drejtohej Washingtonit për ndihmë dhe mbrojtje. Që këndej, VATRA niste ambasadorët në Europë. Kjo miqësi u ideua nga themeluesit e Vatrës, Noli, Konica me bashkëpunëtorët.Ndjehemi krenarë për paraadhësit tanë, elita e kohës për Kombin.

       Që këtu, në vendin e Demokracisë, vatranët dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës gjetën miqësinë me Presidentin Wilson,për të shpëtuar Pavarësinë e humbur gjatë Luftës së Parë Botërore,.. që këtu u përgatitën Trupat Vullnetare të Vatrës, që shkuan në Shqipëri,për të siguruar kufinjtë Jugor të kërcënuar nga fqinjët, këtu u përgatitën bijtë e shqiptarëve,që në radhët e Batalionit të Atlantikut, shkuan si aleatë të NATO-s për çlirimin e Kosovës!

Që këtu, me ndihmën e Zërit të Amerikës, dhe mbështetjen e fuqishme të shqiptaro-amerikanëve, nisi dhe rrëzimi i komunizmit në Shqipëri.

Për dekada, Vatra dhe të gjithë shqiptarët e Ameriëks, siguruan miqësinë e Presidentëve amerikan; Ronald Regan, Presidentit George H. W. Bush, Presidentin Bill Clinton, Presidentin George W.Bush dhe tash me Presidentin aktual Donald Trump, ku Vatra dhe shqiptarët e Amerikës,shpresojnë që Kosova martire, të konsolidohet si shtet i njohur ndërkombtarisht, duke siguruar anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

4 Korriku, Festa e Pavarësisë së Amerikës, është edhe festë e Shqiptarëve.

Gëzuar 4 Korrikun!

HAPPY JULY 4th!

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Happy July 4th, Vatra

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT-DEGA E VATRËS NË NEW JERSEY

June 19, 2020 by dgreca

-SIPAS BISEDËS ME KRYETARIN E DEGËS Z. ADEM MALELLARI-/

PAK HISTORI: Dega e tanishme e Vatrës në New Jersey u organizua në prag të Kuvendit të Federatës “VATRA” të 19 Janarit 2020, me kontributin e nënkryetarit të Federatës Adriatik Spahiu. Si datë krijimi është 12 Janar 2020. Kryetar i degës është z. Adem Malellari.
Nuk është hera e parë që Federate Vatra organizon degë në shtetin e New Jersey-t. Dega e parë në New Jersey u themelua me 29 Shtator 1914 dhe u regjistrua në librin e Federatës – dega me Nr 36. Ajo e kishte qendrën në Atlantik City, New Jersey. Fillimisht pati 23 anëtar, por shpejt e shtoi numrin e anëtarëve. Pleqësia e parë në kohëformimin e degës përbëhej nga këta zotërinj: Kryetar- Z. Lazar Shajko, arkëtar z.Andon Myzeqari, Sekretar z. Panajot Kissi, ndërsa pleq u zgjodhën: Nikolla Panxho dhe Spiro Leka.
Në fushatën historike “Për Shpëtimin e Shqipërisë” që u organizua me 3 Qershor 1917, dega u bë pjesë aktive duke dhuruar kursimet e çdo anëtari të saj.Në Librin e nderit të fushatës janë shënuar këta kontributor të degës me shumat përkatëse. Saktësojmë se rroga mesatare e një punëtori ishte $5-7 në javë :
1- Thoma V. Goga $25.00
2- Spiro Leka $ 20.00
3- Konstandin & Philip Kona $ 10.00
4- Margarit Kondilli $10.00
5- Taqi Minxhali $ 15.00
6- Anastas Kovaçi $ 10.00
7- Vell. K . Avrami $ 30.00
8- Dhimitri At Thimi $ 10.00
9- Anastas Luka $ 5.00
10- Gjergj M. Tutulani $15.00
11- Panajot Kissi $10.00
12- Kristo Dhaskali $10.00
13- Petro J. Xoxa $ 10.00
14- Philip Mishti $ 7.00
15- Athanas Xega $ 10.00
16- Vell. Goxhumana $ 15.00
17- Vell. Myzeqari $ 20.00
18- Lambi Karafili $ 5.00
19- Spiro Koliani $ 5.00
20- Vangjel Blumbi $ 2.00
21- Vell. Beqari $15.00
22- Nikolla Qendro $ 7.00
23- Spiro Kosta $10.00
24- George Vulpe $ 20.00
25- L.P. Papas $ 7.00
26- Vell. Kotori $ 5.00
27- Naum Droboniku $ 5.00
28- Vell. Vesho $ 10.00
29- Koçi Minxhari $ 5.00
30- Lambi Xoxa $ 5.00
31- Vangjel Gjata $ 5.00
Shuma e përgjithshme e mbledhur nga Dega e Vatrës në Atlantik City-NJ $338.00. Numri i kontributorëve 31. Rekordin e shënoi z. Thoma V. Goga me $25.00. Mesatarja për person $10.90.
***
Dy vjet pas degës në Atalantic City një tjetër degë u ngrit në shtetin e New Jersey-t, ajo me nr. 56 në Librin e Federatës. Kjo degë e kishte qendrën në Camden të NJ. Dega filloi organizimin me 6 nëntor 1916. Pleqësia e parë u zgjodh kështu: Kryetar- z. Varfe Dervish Zejnel Konitza, Sekretar-Z. Ismail Mahmut Gostivishti, Arkëtar- z. Sali Shefki Leshnja, dhe Pleq: Abas Etem Kaica, Dylber Qamil Taçi dhe Nesim Osman Vrepcka.
Në shtetin e NJ u ngrit një degë edhe në vitet ’80 e organizuar nga anëtari i bordit të Federatës z. Ymer Doda.
Në Federatën Vatra ka shumë bashkatdhetarë që jetojnë në Shtetin e New Jersey-t, që janë anëtarësuar në Qendër, ndërsa një pjesë janë anëtar të degës Hudson Valley-NY.
Dega që u organizua me 12 Janar 2020, është relativisht e re dhe ende nuk e ka provuar veten me ndonjë veprimtari serioze. Pandemia ka qenë një nga faktorët e frenimit, por gjithësesi kryetari i saj z. Adem Malellari është optimist se dega do të forcohet dhe do të shtojë anëtarsinë. Po si po e kalon Pandeminë dega e re?
Ja si iu përgjigj pyetjeve të reaksisë kryetari Adem Malellari:

Dielli: Si është gjendja shëndetsore juaja dhe e familjes në këtë kohë Pandemie? A ka njeri nga rrethi juaj familjar e miqësor të prekur nga COVID-19?
Z. Adem Malellari: Faleminderit Zotit, kujdesit të treguar nga perfaqesuesit e shtetit dhe kujdesit të treguar nga ana jonë, nuk kemi pasur asnjë të prekur si familje dhe si miqësi ketu ne SHBA, Europe dhe vendlindje Pogradec.
Dielli: Si është situata në New Jersey përsa i përket Koronavirusit?

Z. Adem Malellari: Situata ne New Jersey ka qenë mjaft e rëndë nga prekja dhe humbja e jeteve nga koronavirusi. Shteti ku ne jetojmë vjen i dyti, pas New Yorkut, si për numrin e të infektuarëve ashtu edhe për numrin e vdekurëve. Deri ditën e Mërkurë, 17 Qershor 2020, numri i të infektuarëve u raportua 170 mijë e 559 persona, ndërkohë që vetëm në 24 orëshin e fundit u regjistruan rreth 350 persona të prekur. Shteti ka raportuar se ka realisht të infektuar aktiv 123 mijë e 745 persona. Për 1 milion banorë ka regjistruar 19 mijë e 207 të infektuar. Është i dyti shtet edhe për numrin e viktimave. Deri tani janë raportuar 12 mijë e 891 të vdekur. Për 1 Milion banorë ka 1 mijë e 451 të vdekur. Beteja nuk përfunduar. Parashikimi është që deri me 1 tetor të ketë shifrën e përgjithshme rreth 14 mijë e 231 të vdekur. Numri i shëruarëve është 33 mijë e 963.
Zona më me shumë viktima, ku jetojnë dhe shumë shqiptarë është Bergen , ku janë regjistruar 1 mijë e 681 të vdekur(8 të vdekur gjatë ditës së mërkurë, 17 qershor), ndërsa numri i të infektuarëve bë Bergen kap shifrat 18 mijë e 939. Ka dhe qarqe që janë mbi këët shifër si Hudson me 19 mijë e 238 të infektuar(numri i të vdekurëve 1, 290), Passaic me 18 mijë e 988 të infektuar(numri i vdekurëve 1,007), Essex me 18, 437 të infektuar(1, 755 të vdekur, 4 të vdekur të mërkurën), Middlesex me 16 mijë e 513 të infektuar(1,094 të vdekur- 9 të vdekur të mërkurën), Union me 16 mijë e 337 të infektuar dhe 1, 131 të vdekur etj…
Dielli- Po në zonën tuaj, si është gjendja? A u morën aty masa kufizuse? A ka filluar rihapja e bizneseve , parqeve, plazheve?

Z. Adem Malellari: Tek gjendja është në kontroll. Ne zonen tone u moren masa efikase te domosdoshme per nje mbrojtje sa me te mirë të jetës së qytetarëve. Rihapja e bizneseve te cilat u mbyllen po vijon te rihapen gradualisht, hap pas hapi, duke respektuar fazat. Hapja e parqeve u krye ne total, kurse hapja e plazheve është ende ne menyre te kufizuar, ndërkohë që janë aktizuar bizneset e ndërtimtarisë, pylltarisë, shitjet me pakicë etj…
Dielli: – U bënë më shumë se tre muaj që jeni të izoluar, si i keni mbajtë lidhjet me kryesinë e degës dhe me anëtarët e saj?

Z. Adem Malellari: Lidhjet me kryesine dhe anteresine i kemi mbajtur te vazhdueshme duke komunikuar nepermjet rrjeteve sociale, telefonatave, jemi interesuar per shendetin e tyre, te familjeve dhe me gjere. Me disa qe jemi afer dhe jemi takuar duke ruajtur distancen e duhur.
Dielli: Po me qendrën i keni mbajtë lidhjet?
Adem Malellari: Lidhje me qendren i kemi mbajtur kryesisht me presidentin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA” Z. Elmi Berisha dhe me editorin e gazetës Dielli, Dalip Greca. Gjithashtu, gjate kesaj kohe kam kominikuar disa here me z. Adriatik Spahiu, nen/kryetar i Vatrës.Komunikimet kane qene nepermjet lidhjeve telefonike dhe mesazheve nga rrjetet sociale. Gjithashtu kemi ndjekur informacionet dhe intervistat qe ka realizuar gazeta Dielli.
Dielli: – Dega juaj është më e reja, që u krijua në prag të Kuvendit të 19 Janarit. Cila është gjendja reale e saj. A e keni ruajtë anëtarësinë e krijimit të degës? Ka të larguar apo keni shtuar anëtar të rnj?

Adem Mallellari: Dega e Vatres New Jersey eshte dege e re e cila u krijua ne 12 Janar 2020, me ndihmën e nënkryetarit të Vatrës, njekohesisht kryetar i deges së Vatrës ne Jacksonville –Florida, z. Adriatik Spahiu, si dhe prej njërit nga antarit e kesaj dege z. Kujtim Mançellari. Kjo dege ka ne gjirin e saj anëtarë të moshave te ndryshme, kryesisht të rinj e te reja, te cilet jane perfaqesuar nga krahina te ndryshme të Shqiperise. Nuk kemi të larguar. Presim rihapjen e plotë të shtetit që të nisim nga veprimtaritë dhe shtimin e anëtarëve të rinj.(Pergatiti:Dalip greca)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: dalip greca, Vatra

100 VJET NGA LUFTA E VLORES- BANDA KOMBETARE DHE TRUPAT VULLNETARE TE VATRES ISHIN NE VLORE…

June 5, 2020 by dgreca

….DHE…PËR NJË TRIM NË HISTORI…PORTRET PER LUFTETARIN PATRIOT MEHMET BEQAJ…/

Ne Shqipërisë Shkruan qe nga Mars 1920 fresh 200 Trupa Vullnetare te Vatres…

– Sjellim në vëmendje: Në Luftën e Vlorës morën pjesë edhe Trupat Vullnetare të Vatërs dhe Banda Muzikore ”VATRA”…Muzikën e Hymnit të Luftës së Vlorës e ka kompozuar dirigjenti i Bandës së Vatrës, Profesor  Thoma Nasi…                              

Kjo ishte xhaketa e Trupave te Vatres…

Nga  IDAJET JAHAJ, Vlorë/

     Një dialog: –  Na folë pak për luftën,- e pyetën Mehmetin./

                        –  Për cilën luftë?- iu përgjigj ai, me buzëqeshjen karakteristike./

                        A nuk ka diçka homerike në këtë deponim ?/

Mjafton kaq për të kuptuar epicitetin e atij trimi. Dhe të gjithë trimave të tjerë të epopeve të lirisë. Ishte Mehmet Beqaj nga Vranishti. Ai kishte jetuar në fundin e shekullit të 19-të dhe gjatë gjithë shekullit XX (1885 – 1973). Rrojti 88 vjeç.

Kapela e Trupavave te Vatres…

    Është kollaj në përshkrimet letrare  të thuash për një figurë “rrojti”. Por është vështirë ta përshkruash  jëtën e kësaj luftëtarit të lirisë , të një luftëtari të stuhishëm për atdhe, për më se tre çerek shekulli. I tillë ishte Mehemt Beqaj nga Vranishti. Sigiruisht, në jetën e tij  të gjatë ai shkëlqeu me pjesëmarrjen në sa e sa luftime të kohëve për çështjen e lirisë, që në rininë e tij. Nga viti 1900 deri nga vitet 40-të të shek. XX. Pra, afër gjysmëshekulli sakrifica e përkushtime. E jo vetëm me pushkë, por edhe me fjalë, me kushtrime, me filozofinë e atdhetarit.

    Shkëlqeu përkrah trimave e kapedanëve të tjerë të Vranishtit e të Lumit të Vlorës, krah Sali Vranishtit, Azem Sulos, Pasho Ramadanit e të tjerëve. Dhe Vranishti, si kudo në Labëri, ka nxjerrë shumë kapedanë të tillë të lirisë së Mëmëdheut.

Mund të shkruash shumë e shumë për këtë trim, por vetëm disa kulme të veprimtarisë së tij japin imazhin e këtij veterani patriot. 

Nga kronika e veprimtarive në beteja

    Lindi në vitin 1880. Eposi dritëzues i Rilindësve i kishte shtrirë rrezet edhe në Labëri, edhe në Vranisht. Në këtë fshat, më 1878,  kishte bujtur Abdyl Frashëri e kishte qëndruar disa ditë mes këtij populli atdhedashës. Drita e këtij burri i kishte përçuar rrezet e tij edhe tek brezat e mëpasmë, nëpërmjet kujtimeve të veteranëve. Kështu edhe Mehmeti, kishte dëgjuar për ‘të dhe në zemër i ishte skalitur harta e Mëmëdheut, për të cilin Abdyli i madh kishte shkrirë jetën.

    Kishte dëgjuar se turqit kishin torturuar disa nga burrat e fshatit të tij. Zemra e djaloshit hovte për veprime atdhetare, për të shkrepur armë mbi pushtuesit.

    Që më 1900 Mehmeti u lidh me lëvizjen e “komitave” të maleve, praktikisht me firarët që ngjiteshin  majave  të Çikës për të sulmuar armikun e për të mos u kapur prej tyre.  Më pas mori pjesë në radhët e çetës së Sali Vranishtit,  çetë që u bë e famshme kundër zaptijeve turke. Luftimet e kësaj çete u bënë epope lirie. Mehmeti ndoqi Saliun në ndeshjen me xhandarët turq në Buzujk. Po ashtu  në përballjen me filogrekun Thimio Loli në Delvinë.

       Në vitin 1908 ai pa dhe njohu nga afër Ismail Qemalin, i cili erdhi në Vranisht, te Pasho Ramadani e Veli Duka, ku qëndroi një javë. Pa dritën e burrit të flamurit, që do ta shpëtonte Shqipërinë nga kthetrat e të huajve. Dëgjoi edhe fjalët e tij për çetat, lirinë, Shqipërinë, unitetin, shkollat, abetaret…

    Pas shpalljes së pavarësisë Mehmetit e shokëve do t’i dilnin detyra të tjera. Duhesh ruajtur shteti i ri, shteti i shqipeve. Mehmeti nuk i ndahej çetës së Saliut. Serbët ishin afruar në veri e Mehmeti me të tjerët shkuan kundër tyre deri në Dibër e i përzunë prej andej. Pastaj ata u kthyen kundër invadorëve të Jugut, grekërve, të cilët mësynë Brgedetin tonë. Pas shumë pritash e sulmesh i zhdukën edhe palikarët e Megali-idhesë greke  nga vendi ynë. Bandat e Spiro Milos panë lemeri nga pushka e zotërve të këtij vendi.

    Gjatë viteve 1913 e 14  Mehmeti luftoi bashkë me shokët në Shashicë, Bestrovë, Cakran,  Ardenicë, etj. kundër bandave filoturke si ato të Haxhi Qamilit e të tjerëve. Në një nga këto luftime u plagos rëndë vëllai i tij, Merke Beqaj. Atë çuan për kurim në Francë, por nuk mundi të shpëtojë. Atje e varrosën. Mehmeti, më pas, shkoi sërish në Qafën e Macukullit kundër serbëve.

     Epopeja e 1920-ës e gjeti në këmbë luftëtarin tashmë të hekurt e veteran. Vranishti dërgoi në atë luftë mbi 200 luftëtarë, me Sali Vranishtin në krye. Midis tyre u dallua edhe Mehmet Beqaj. Luftoi në  Drashovicë, në Vreshtat e Mëdha, në lagjet e Vlorës,  deri sa e shporrën edhe  pushtuesin italian. Trimat lebër shkruan epope të artë dhe shembulli i tyre bëri jehonë në botë.

      Pas asaj lufte, më 1924, Mehmeti shkoi deri Shkallën e Tujanit, në radhët e forcave popullore, duke përzënë forcat e diktatorit të kohës, që e shiste vendin te serbët. Qeverinë Demokratike të Nolit e shihte si shpresë të ngrohtë për jetën e këtij vendi të shumëvuajtur…

Kronikë e pasur, e ndritshme.

Dhe cilësitë e Trimit. Ciceron i kujtimeve…

  Për të cilësuar luftëtarë të tillë, dikush përdori një togjfalësh po aq të rrallë:  “Ata hidheshin si luanët në zjarr” ! Shumë e saktë dhe emocionante. Ashtu  tregonin shokët e tij edhe për trimin Mehmet Beqaj. Por ai ishte edhe i tjeshtë, i përzemërt me shokët e fshatarët, me bashkëatdhetarët. Ishte i pajisur me rreptësi luftëtari, por edhe me filozofinë popullore të kallzimit. Ai fliste , si shumë veteranë të tjerë lebër,  si ciceron për luftimet, shokët. Për llogoret e armikut, hedhjen në sulme nga tanët, durimin në luftime, marshimet. Tërë jetën nuk iu nda gishti nga këmbëza. Ashtu siç thoshte një varg i famshëëm për Sali Vranishtin : “ Kapedan Sali Vranishti / Sa rrove punoi gishti/” .

        …Në vitet 40-të ai u lidh me lëvizjen e luftën Çlirimtare.  “Edhe kësaj lufte i kemi borxh mundimin, sakrificën e jetën,- profetizonte në bisedat.  -Sikurse edhe në luftrat e para”. 

       Por kësaj here ishte rreth të 60-tave. Nuk mund t’i qepej dot malit. U jepte kurajo të rinjve. “ Si më 20-tën, bij, – u thoshte.- që hidheshim si luanët mbi tela ”.  Jetoi edhe rreth 30 vjet pas çlirimit. Si ciceron, megjithëse fjalëpakë, kallzonte historira.  Por mbeti proverbiale ajo pyetja e tij : “ Për ç’ luftë më pyesni ?” Debolesë të madhe kishte kapedan Saliun.  “Keni dëgjuar për Çerçiz Topullin , o djem? Ja, edhe ne si ai e kishim kapedanin tonë.” Dhe ishte hijerëndë e fjalë-ergjëndë. 

  Dhe të tjerët për Mehmetin : “ Nuk e vari njëherë pushën në oxhak. Po pranë vetes, edhe në gjumë.  Kishte frymëmarrjen e Atdheut. Si gjithë luftatarët e tjerë, stuhi në beteja.

…Dhe penat e mëdha për trimin…

Ditë të tëra kishte biseduar  i ndrituri Petro Marko  me Mehmetin e veteranët e tjerë të Vranishtit, atje në fshatin malor., kur bëri romanin  “Halimi”. Ai bujti në shtëpinë e Mehmetit,( pra, te i i biri i tij, Mitati).Në faqet e fundit të romanit Petroja shkruan : “ Në një shesh , përpara shkollës së madhe të fshatit, vinin një e dy pleq me qylaf të bardhë, me tirq dhe me shkop në dorë.Nja katërmbëdhjetë pleq, me fytyra të thata, me sy të gjallë, me mustaqe të bardha, si festet që mbanin mbi kokë.

-Duam të dijmë,-tha njëri nga poetët e rinj,- në se keni marrë pjesë në luftë?

Ata u panë  në sy  dhe u vrenjtën.

–  Në cilën luftë, more bir? – pyeti njëri prej tyre që quhej Mehmet.

–  Po ,- miratuan të tjerët. –Në cilën luftë?  Se janë shumë luftrat që kemi bërë.

–  Në 20-tën ,- tha poeti i ri.

…-Të gjithë kemi lindur me pushkë në dorë,- foli Mehmeti. Dhe pas një hopi : – Dhe me pushkë në dorë do vdesim !

…E ciceronët veteranë të atdheut u ndezën në kujtime…

     Ndërsa brilanti i vargjeve, Xhevair Spahiu,  në një kronikë për Vranishtin e trimat e tij, shkroi: “ Bisedonim ulur në bar. Me nja dhjetë pleq. Kujtimet e 1920-tës buronin… Gjithkush nga ata kishte një shenjë nga ajo luftë: ndonjë gisht të prerë, ndonjë shenjë cefle predhe në këmbë…Për Mehmet Beqaj thoshnin se e mbante zjarrin ndezur deri vonë. Kishte trup mesatar, fytyrë të ngrohtë, qeleshe të bardhë. Kur fliste, sytë i lëshonin xixa. Sytë herë i mbërthente në cep të qerpikëve, herë i lëvizte si zhivë…Dhe më mbeti në kokë ajo pyetja e tij e thellë : “ Për cilën luftë t’ ju flasim ? Se kemi mbi pesëmbëdhjetë vjet në  luftra…” 

    Si në eposet homerike…

Sjellim në vëmendje: Në Luftën e Vlorës morën pjesë edhe Trupat Vullnetare të Vatërs dhe Banda Muzikore ”VATRA”…Muzikën e Hymnit të Luftës së Vlorës e ka kompozuar dirigjenti i Bandës së Vatrës, Profesor  Thoma Nasi…   Ai publikoi kujtimet e veta ne gazeten Dielli pasi u kthye ne SHBA….                           

( Literaturë :

Gazeta “Hora e Vranishtit”, dhjetor 1970; romani “Ultimatum” i P. Marko; gazeta “ Hora”, nr.9, 2005;  gazeta “ Hora “ v.2010, nr. 8; kujtime veteranësh të Vranishtit…).

Filed Under: Featured Tagged With: banda, Lufta e Vlores, TV, Vatra

3 QERSHOR, NJË DATË E SHËNUAR PËR VATRËN

June 3, 2020 by dgreca

-NJË DATË E SHËNUAR SI 3 QERSHORI- 103 VITE TË SHKUARA, VATRA NISI FUSHATËN HISTORIKE PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË…

-3 QERSHOR 1917- “VATRA” DHE SHPËTIMI I SHQIPËRISË NGA SHQIPTARËT E AMERIKËS/

Kole Tromara.

* Fushata 3 Qershorit 1917, ku vatranët nga 40 mijë dollarë, që parashikuan, arritën të mblidhnin më shumë se $150 mijë(pagesa javore atë kohë ishte $6-7).

Bahri Omari/

– 9 Ditë para çeljes së fushatës, me 25 Maj 1917, Noli nxori nga shpirti vargjet: Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’Amerikë…. 

* Shumë vatranë dhuruan pagesat, që fitonin për një apo dy javë.

* “Vatra” pyeste shqiptarët e Amerikës: Cili shqiptar i mirë, që i dhimbet shpirti për vëllezërit e robëruar, nuk do që ta kemi Kosovën, Toskërinë dhe Çamërinë?

* Thirrja: Shqiptarë-Ç’i doni paratë, kur të na e rrëmbejnë vendin grekët dhe sllavët? 

-80 degët e Vatrës hynë në garë me njera tjetrën, vatranët hynë në garë me njeri tjetrin, dhe ftuan në këtë garë edhe kolonitë përtej Atlantiku, ku u treguan të gatshëm shqiptarët e Argjentinës…

NGA DALIP GRECA

Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” po e ndiqte me shqetësim teatrin e zhvillimeve luftarake gjatë Luftës së Parë Botërore, veçanërisht në Ballkan, ku fqinjët kishin synim të coptonin Shqipërinë. Vatranët nuk qëndruan duarkryq. Që më 1916, “Vatra” nisi organizimin e shërbimit diplomatik, duke i vënë një rrogë mujore rreth 1600 frangash delegatit të saj në Londër, Mehmet Bej Konica, duke emëruar ambasado(apo delegate të Vatrës), Mithat Frasheri, dr. Mihal Turtulli etj. Pagesa sigurohej përmes organizimit të “Dita e delegatit”. Po ashtu, gjatë vitit 1916 nisi pranë degëve të mëdha përgatitjet e trupave vullnetare të Vatrës për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e kufijve jugorë.

     “Vatra” dhe miqtë e saj në Europë e Washington po mendonin se si ta shpëtonin pavarësinë që realisht nuk ekzistonte më, mundësisht të kthenin territoret e humbura nga Konferenca e Londrës. Fundi i luftës nuk duhej ta gjente të papërgatitur Vatrën. Këtij qëllimi i shërbeu fushata e madhe për shpëtimin e Shqipërisë, e cila synonte për të organizuar lobimin dhe mbrojtjen e Shqipërisë.

3 Qershori i vitit 1917 ka hyrë në historinë kombëtare si “Dita e shpëtimit të Shqipërisë nga shqiptarët e Amerikës”.

 Shkak për lëvizjen shpëtimtare ishte raporti që Mehmet Konica, delegati i Vatrës për Evropën, me qendër në Londër, i dërgoi Vatrës në Boston, si dhe një letër mallëngjyese e delegatit tjetër të Vatrës në Gjenevë, Dr. Mihal Turtulli. Komisioni qendror i Vatrës, që në atë kohë drejtohej nga kryetari KolëTromara dhe sekretari Loni Kristo, mori në shqyrtim raportin dhe letrën në mbledhjen e pasdites të së dielës të 20 Majit, 1917. Raporti i Mehmet Konicës u hapi sytë vatranëve për gjendjen reale ku ishte Shqipëria, e kthyer në shesh lufte dhe pre e fqinjëve, që kërkonin t’i zhvatnin të tjera territore, në ato vite kaotike të Luftës së Parë Botërore. Përveç humbjeve të territoreve, që i kishte shkaktuar Konferenca e Londrës, paslufta shtonte pikëpyetjet për egzistencën e mëpastajme. Ndërsa letra mallëngjyese e delegatit të Vatrës në Zvicër, Dr. Mihal Turtulli, që shoqërohej edhe me njëmijë dollarë, ishte një thirrje që preku thellë zemrat e vatranëve.

Komisioni Qendror i Vatrës, pasi e lexoi letrën e Dr. Turtullit dhe raportin e delegatit Mehmet Bej Konica, arriti në përfundimin se “Vatra” do të mbetej përgjithnjë e turpëruar në sytë e botës, po të mos i përgjigjej pozitivisht thirrjes për të nisur fushatën shpëtimtare.

-“Po! – iu përgjigjen vatranët thirrjes, ashtu si ua do nderi, trimërisht dhe me dorën hapur”- u shkrua në rekordin e mbajtur me 20 maj 1917.

Propozimi i Dr. Turtullit ishte që të mblidheshin së paku nja 40 mijë dollarë, që do të përdoreshin për shpëtimin e Shqipërisë, duke ngritur një Komision Shpëtimi.

Në mbledhjen e 20 majit, Komisioni Qëndror vendosi që të caktohej e diela e 3 qershorit 1917, për të nisur fushatën e madhe të shpëtimit të Shqipërisë, duke synuar mbledhjen e 40 mijë dollarëve, sa ç’propozonte Dr. Turtulli. Ftoheshin të gjitha degët e Federatës Pan shqiptare të Amerikës “VATRA”, të gjitha shoqëritë shqiptare, të gjitha shoqëritë fetare, kombëtare dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës, që të bëheshin bashkë në qendrat, ku jetonin dhe, nën moton: “Të shpëtojmë Shqipërinë!” të jepnin kontribute sipas mundësive por, pa u kursyer. U ftuan gazetat dhe revistat shqiptare, të shpërndanin këtë mesazh kombëtar dhe të kontribuonin nën frymën e Rilindjes. Në thirrje ftoheshin shqiptarët e Amerikës që, së paku, të jepnin 10 dollarë e sipër për këtë fushatë.

Komisioni Qendror i Vatrës orientoi delegatin Mehmet bej Konica në bashkëpunim me Dr. Mihal Turtullin, të organizonin Komitetin e Shpëtimit Kombëtar në bashkëpunim me shqiptarët e Amerikës.

Vendimet u përcollën përmes mikut të sprovuar të shqiptarëve z. Aubrey Herbert.Në atë kohë Komisioni Qendror i Vatrës përbëhej nga këta atdhetarë : 

Kolë Tromara – Kryetar i Vatrës, 

Loni Kristo –   Sekretar 

Bahri Omari ishet kryeredaktor i Diellit.

Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi dhe Fan S. Noli – ishin kontrollorë 

                         LETRA QË NGRITI PESHË SHQIPTARËT E AMERIKËS

      “Vatra” hartoi një letër-qarkore, firmosur nga Kolë Tromara dhe Loni Kristo, që ia adresuan të gjitha degëve të Vatrës (në atë kohë numëroheshin rreth 80 degë), shoqërive shqiptare, fshatare, fetare dhe patriotike, që vepronin në SH.B.A.. Në atë letër informoheshin shqiptarët se Atdheu ishte në rrezik të humbte pavarësinë e 1912-ës, prandaj kërkohej bashkim për ta shpëtuar Shqipërinë.

  Letër-qarkorja nuk linte hapësirë për diskutim. Në të shkruhej shkoqur: 

“Komisioni kërkon nga atdhetarët e Amerikës një gjë, për një qëllim, mbi të cilin s’ka bisedim.”… 

Pra gjithçka ishte e vendosur, shuma duhej mbledhur medoemos. Komunikimi ishte i 

hapur:

 “Na duhen para për të mbrojtur të drejtat tona, për të fituar një Shqipëri të lirë dhe të madhe, për të organizuar Atdheun tonë, pas çlirimit. S’ka bisedim mbi këtë pikë!” Ky ishte urdhëri i Atdheut.

Gjithçka ishte përcjellë në mënyrën urdhërore, pa vënë në dyshim realizimin. Komisioni arsyetonte: 

“Çdo shqiptar i mirë e ka për detyrë të bëjë sakrificë për  këtë qëllim të shenjtë për shpëtimin e Shqipërisë. As mbi këtë pikë s’ka bisedim!”

     Pra, shqiptarët viheshin para faktit të kryer, pa patur nevojë për negociata e pa diskutime.

Komisioni arsyetonte se në Amerikë ishin në atë kohë rreth 50 mijë shqiptarë, por vetëm një pjesë e vogël e këtij numri ishte e gatëshme për sakrificë. Komisioni përllogariste rreth 3 mijë vetë të përfshirë në këtë aksion kombëtar, por parashikimi u tejkalua. Rreth 5 mijë vetë u bënë pjesë e fushatës, ku, natyrisht, prinë vatranët. 

                                     THIRRJA E KUVENDIT TË VATRËS

Kuvendi i Federatës “Vatra” i motit 1917, lëshoi këtë thirrje, para se të niste fushata e 3 Qershorit:

“Shqipëria është e rrethuar prej armiqsh, që duan ta copëtojnë. Shpëtimin e saj e pret vetëm nga bijtë e saj fisnikë të Amerikës. Asnjë i huaj s’mund të na japë Lirinë dhe Indipendencën, të cilat duhet t’i fitojmë me duart tona, me djersën dhe gjakun tonë dhe me delegatët tanë të zgjedhur lirisht me zërin e popullit. Ndihni pra të gjithë, me sa të mundni! Mos dëgjoni fjalët e gabuara të njërit, apo tjetrit, por dëgjoni zërin e delegatëve tuaj të besuar, që dërguat në Kuvendin e Federatës tuaj të Madhe.” 

“Vatra” informonte anëtarësinë: 

“I pamë punët e delegatit tonë, z. Mehmed Bej Konitza; I gjetëm të mira me një zë dhe prapë me një zë vendosëm t’i japim dy shokë të tjerë, Dr. Turtullin dhe Nikoll Kasneci. Jemi të bindur, që këta delegatë do të bëjnë detyrën e tyre, po t’u japim “armë të mira” (dollarë) dhe sa t’u duhen. Ndihmoni pra pa u kursyer, që të shpëtojmë Shqipërinë nga mjerimet dhe ta trashëgojmë për veten tonë dhe për bijtë tanë dheun e lavdëruar të Skënderbeut.

Jepni qesen dhe shpirtin për Shqipërinë e lirë dhe të madhe! O burrani!”

Në fund firmosnin: 

Kryetari i Kuvendit: Hasan Bitincka

Sekretari: Ndreko Stavro

Komisioni:

Kolë Tromara, Loni Kristo, Fan S. Noli, Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi.

Më pas vinin emrat e delegatëve të Kuvendit: Bahri Omari, Kostaq Leçishti, Mina Grameno, Spiro K. Lubonja, Josif Pani, Ilias J. Përmeti, Stire Luka, Shefki Aliko, Mustafa S. Leshnja, D.J. Tushemishti, Foto Dukati, Koto Trebicka, Vangjel Spiro, Qani Bilishti, Duro Tabaku, Sadik Duro, Misto Papa, Vangjel Miller, Nico V. Grabocka, Marko Adams, Veli Harshova, Matto Tasi, George Luarasi, Angelo Sotir, KolëRodhe, Stathi Suli, Hajrulla Starja, Maliq Picari, Llambi Kreshpani, Andrea Kristo, Shefqet Frashëri, S. Blushi, Kostë Çekrezi, Adem Vishoshica, Faik Babani.

PERËNDIA ZGJODHI SHQIPTARËT E AMERIKËS SI SHPËTIMTARË TË SHQIPËRISË

Kryetari i Vatrës Kolë Tromara dhe Sekretari Loni Kristo, para fushatës e nisnin mesazhin drejtuar shqiptarëve të Amerikës, botuar në Gazetën “Dielli” e “Vullnetari” dhe shtypin tjetër të shqiptarëve të Amerikës, me thënien e Dr. Turtullit në letrën drejtuar Vatrës: “Çlirimi dhe e ardhmja e Shqipërisë varen nga shqiptarët e Amerikës”.

 Drejtuesit e Vatrës arsyetonin: 

“Domethënë, ne vatranët dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës, mund ta shpëtojmë Shqipërinë nga robëria dhe nga coptimi dhe t’i japim Atdheut tonë lirinë e kufijtë e vet kombëtarë nga Veriu, Jugu, Lindja dhe nga Perëndimi. Ne mund ta madhojmë Shqipërinë e Konferencës së Londrës, duke fituar nga Konferenca e Paqes copërat e Atdheut, që na rrëmbyen fqinjët lakmonjës, duke marrë që tani masat, që ta mbrojmë nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm.”

  Kryetari Tromara dhe Sekretari Kristo, i prekën në shpirtra shqiptarët e Amerikës, tek shkruanin: 

“Perëndia na zgjodhi ne, Shqiptarët e Amerikës, si shpëtimtarë të Shqipërisë. Shqipëria jonë e pret shpëtimin dhe sigurimin e saj nga ne. S’ka shpresë nga ndonjë tjetër. Kështu na  porositi Dr. Turtulli.”

    Përse i duheshin Vatrës paratë e shqiptarëve të Amerikës, e sqaron mesazhi, përcjellë vatranëve dhe tërë shqiptarëve të Amerikës: 

“Delegati i Vatrës, Mehmet Bej Konica dhe Dr. Mihal Turtulli, na e tregojnë se si ta shpëtojmë Shqipërinë. Duhet të dërgojmë delegatë nëpër Evropë, që të flasin e të mbrojnë Shqipërinë. Këta delegatë dhe të tjerë personalitete të zotë dhe miq të shqiptarëve, të shkojnë në Konferencën e  Paqës dhe të kërkojnë me argumenta një Shqipëri të lirë me kufinjtë e saj ethnografikë. Këta  shqiptarë të zotë, më pastaj, të kthehen dhe të bëjnë Shqipërinë për shqiptarët. Për ta nisur këtë punë do të duhen së paku 40 mijë dollarë, na thotë Dr. Turtulli dhe ai vetë jep shembullin: “Duke na dërguar 1,000 dollarë, ndërkohë që do të mjaftonte që shqiptarët  e Amerikës të dhuronin secili nga 10 dollarë.” Po ia nisim, – shkruajnë drejtuesit e Vatrës, – që sot, kështu e do nderi dhe detyra e shqiptarëve të Amerikës.”

    Ata shtronin pyetjen: 

“Cili shqiptar i mirë, që i dhimbet Atdheu i mjeruar, nuk e do çlirimin, zgjerimin dhe sigurimin e Shqipërisë? Cili shqiptar i mirë, që i dhimbet shpirti për vëllezërit e robëruar, nuk do që ta kemi Kosovën, Toskërinë dhe Çamërinë?

Cili shqiptar i mirë nuk jep, jo vetëm qesen, po dhe shpirtin e tij për qëllimin e shenjtë? Ai që rri dhe diskuton këto pyetje, s’mund të jetë shqiptar i mirë dhe me këta s’kemi punë! E vetmja pyetje që do të bëjnë atdhetarët e mirë dhe fisnikë të Amerikës duhet të jetë: KUR? dhe SA?

Kur?  

“3 qershor, në Ditën e Shpëtimit të Shqipërisë. Të gjithë bashkë, shoqërisht, si në kohë lufte me Flamurin përpara, një tok këtu, një tok atje, si taborë të një ushtrie që mblidhen, kur i thërret Trumbeta e detyrës.”

SA?

“Sa të mundni, më tepër se ç’keni dhënë deri tani!…Aq sa do t’i jepnit mjekut për të shpëtuar  nënën tuaj të sëmurë për vdekje. Të tërë qesen me shpirtin bashkë! Rrogën e një muaji, a rrogën e një jave, të paktën. Mos ia kurseni dhuratën Shqipërisë, se ia jepni vetes tuaj. Ç’i doni paratë, kur të na e rrëmbejnë vendin grekët dhe sllavët? Ç’e doni jetën jashtë Shqipërisë, të huaj në dhe të huaj, syrgjyn gjer në vdekje? Ç’e doni paranë dhe shtëpinë në Shqipërinë e robëruar pa liri, pa siguri, pa nder, me kokën ulur nën kërbaçin e shkelësit të huaj në vendin tuaj?”

  Këtë fushatë jetike e diktonte gjendja e Shqipërisë. Për drejtuesit e Vatrës, Shqipëria ishte e sëmurë, ishte në rrezik për vdekje, e shkelur, e djegur, e plagosur, e neveritur, pa ndihmës, e pa mbrojtës. Po e mban shpirtin ndër dhëmbë, me një fjalë e një shpresë: “Kam djemtë në Amerikë. Ata do t’më shpëtojnë!” Ashtu, siç thoshte Korça, kur e dogji zjarri dhe e rrëzoi tërmeti. Ajo ngushëllohej se “ kish djemtë kurbetli, në Misir e në Vllahi….”, që do ta ndërtonin dhe do ta bënin më të bukur…

       Në thirrje shkruhej: 

“Na ka dalë namë, që kemi para’, që kemi shoqërira të mëdha këtu, në Amerikë, që s’flemë, veçse me një ëndërr; që s’flasim, veç për një dëshirë; që s’punojmë, veç për një qëllim, TA SHPËTOJMË SHQIPËRINË!”

      Thirrja depërtonte në shpirtra e zemra: “Dhe tani po na e këndojnë këngën jo vetëm fëmijët e vegjël, por edhe gurët, edhe drurët e ngushëllojnë dhe i japin garjet Nënës tonë Shqipëri në shtrat të zisë me këto fjalë:

             Mbahu, nëno, mos ki frikë

Se ke djemtë n’Amerikë!

A do ta lëmë të presë më kot e të mos i vemë kurrë? A do t’i dalim të pabesë Nënës sonë në orën e saj të ligë? A do të bëhemi të shurdhët për thirrjen e saj të funtme? Kurrën e kurrës!

Në qoftë se fati i saj varet nga ne, shqiptarët e  Amerikës, Shqipëria do të çlirohet e do të trashëgohet. Në qoftë se mund ta ngjallim me paret tona, do të japim sa të mundim…”

Në thirrjen drejtuar shqiptarëve të Amerikës, përmendej shembulli i shkëlqyer i Dr. Mihal Turtullit, që dhuroi i pari dhe ftonte të tjerët.

Për aktin e tij shkruhej: 

“Dyfeku i parë gjëmoi! Fisheku i parë vërshëlleu. Është një plumb prej 1,000 dollarësh. Ushtari, që e dha shenjën, është një nga ata djemtë e zgjedhur që ka Shqipëria në kurbet.

Nëna jonë e dëgjoi këtë shkrepje të parë dhe do të ketë thënë: “Vjen një djalë…! Po ata të tjerët, ku janë?… Pse s’dëgjohen?… Po ngrihet me mundim në shtrat, po vë veshin, po prêt, duke numëruar minutat…..A po vijnë djemtë, të më shpëtojnë?!”

      BAHRI OMARI: LE TË NDJEKIM SHEMBULLIN E FRANCEZËVE ME BISMARKUN

Gazeta “Dielli” ishte lokomotiva, që udhëhoqi fushatën dhe që e mbajti të ndezur për shumë kohë shpirtin e garës. Editor i “Dielli”-t ishte Bahri Omari. Në editorialin e publikuar para fushatës, ai sillte si shembull aktin patriotik të francezve, të cilët, në vitin 1871, qenë mundur nga gjermanët. Bismarku, për të ruajtur zotërimet e disa territoreve, përmes Traktatit të Versajës kërkoi si dëmshpërblim një shumë të madhe për atë kohë, 5 miliardë franga, ndryshe nuk do t’i lëshonte territoret. Mendoi se kjo shumë nuk mund të shlyhej, por francezët treguan shpirtin patriotik. Secili francez dhuroi edhe monedhën e fundit, sendet e shtrenjta, orët, gratë hidhnin nga ballkonet e shtëpive stolitë e tyre të çmuara dhe shuma u sigurua. Bismarku u zhgënjye përballë patriotizmës franceze, por s’kishte ç’bënte e ua ktheu territoret. Ja, kështu të bëjmë dhe ne, të japim sa të mundim dhe të shpëtojmë Shqipërinë, apelonte editori i “Dielli”-t, Bahri Omari.

Më pas, ai sillte shembullin e një shqiptari të Amerikës, që ofronte për fushatën 500 dollarë, në ndihmë të Shqipërisë, por, vetëm një njeri nuk e shpëton Shqipërinë, duhet të gjithë të japim sa të kemi, shkruante editori i “Dielli”-t.

Omari e mbyllte editorialin me thirrjen: 

“Shqiptarë! Ne duhet që, në këto çaste kritike për vendin, të lozim rolin e madh historik, që kemi për barrë. Le të bëjmë, siç bënë patriotët francezë, duke zbrazur qeset tona për hir të Atdheut. Le të japim dhe ne, unazat dhe sahatet e vyera, siç i dhanë francezët. Ne, as na prish e as na ndreq, ndenja një javë apo dy pa rrogë, duke e dhënë atë për Shqipërinë, por, ndihmat tona bashkë, e shpëtojnë Shqipërinë.

Le të japim dollarët, që të marrim Shqipërinë!”

NOLI DHE POEZIA QË FRYMËZOI SHQIPTARËT

 Poezia – hymn e Nolit për shqiptarët e Amerikës ka lindur pikërisht për të frymëzuar shqiptarët e Amerikës në fushatën e Shpëtimit të Shqipërisë. Poezia  kaloi gojë më gojë dhe u mësua shumë shpejt përmendësh. Ajo e  kreu misionin jo vetëm për atë fushatë, por mbetet aktuale edhe sot. Në fakt, poezia ka si ditëlindje ( datë krijimi) 25 Majin e 1917-ës, me titull:

”Jepni për Nënën”…

                    JEPNI PËR NËNËN

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë, 

-Mbretëreshë pa kurorë- 

Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar, 

Shpirt e zëmër përvëluar; 

Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë, 

Nënës mos ia bëni varrë!” 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Qan e lutet Nën’ e mjerë, 

Kërkon vatrën edhe nderë, 

Do lirinë dhe atdhenë, 

Siç e pat me Skënderbenë, 

Bijt’ e besës thërret pranë. 

Kur i thirri dhe s’i vanë? 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Cilët jan’ ata tiranë,

Që të pren’ e që të vranë, 

Që të therrë bij e bija, 

Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija? 

Derthni plumba, o shqiptarë, 

Gjakn’ e Nënës për të marrë. 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Cilët bij të trathëtuan, 

Dhe të doqnë dhe të shuan, 

Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë, 

Pa fole, pa zog, pa shpatë? 

Këta qena, o shok’ i mbytni, 

Mbushni gjylet që t’i shtypni. 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Sa kërkon e sa të duhen? 

Burrat nga detyra s’ndruhen! 

Trim’ i mirë do të japë, 

S’kursen jetën as paratë; 

Hithni, hithni tok dollarë, 

Të mos mbetemi të sharë. 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë. 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Do të ndihim pa kursyer,

Për ty, Nëna jon’ e vyer, 

Që me drit’ e nder të thurresh, 

Dhe me bijt’ e tu të mburresh. 

Cila Nënë lyp paranë? 

Cilët bij me shpirt s’i dhanë? 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Armë dhe fishekë mblithni, 

Qesen edhe shpirtin hithni: 

Për lirin’ e vëndit t’onë, 

Sot, se nesër është vonë. 

Jepni, Nënën të shpëtoni, 

Komb e vatra të nderoni. 

Mbahu, Nëno, mos kij frikë, 

Se ke djemtë n’Amerikë. 

Boston, 25 Maj, 1917. 

Kjo poezi dhe nxitja e fuqishme, që përcillte gazeta “Dielli”, bënë mrekullinë. “Dielli”, për të nxitur rekordmenët, që udhëhiqnin garën, shkruante me shkronja të mëdha në faqen e parë: 

“Plumbi goditi në shenjë. Rekordin e mori Ali Kuçi”… Një punëtor nga Worcester, pasi kishte hedhur në shportën e fushatës aq dollarë, sa kishte në xhep, kishte thënë: “Ah, i mjeri unë, nuk kam të tjera!”… Hoqi xhaketën e trupit dhe e hodhi në shportën e ndihmave kombëtare duke thënë: “Ndoshta u bën punë!”

Kur u mblodhën shumat për të gjitha degët, askujt nuk i shkonte ndër mend, se do të mblidhej ajo shumë. Ata punëtorë, që rropateshin 12-14 orë punë në ditë dhe merrnin 8-9 dollarë në javë, ia kishin dalë që të mblidhnin jo 40 mijë, sa kishin shpresuar, por 150 mijë, që, krahasuar me kursin  e sotshëm, janë miliona. Ditës historike të 3 qershorit i kushtoi një poezi me 70 vargje edhe vjershëtori Ramiz Harxhi, që e lartësonte këtë ditë, si ditën e shpëtimit të Shqipërisë.

                  NDËSHKIMI…

Shqiptarët e Amerikës, ata të Kandasë, madje dhe kolonia e shqiptarëve të Argjentinës, iu përgjigjën bujarisht thirrjes së Vatrës. U mblodh jo vetëm shuma e kërkuar nga Dr. Turtulli, po gati  katërfishi i saj. Asnjë vatran nuk mbeti jashtë fushate. Fryma e garës i nxiti degët e individët, kush e kush të jepte më shumë.

Pikërisht, ata punëtorë, që kishin lënë familjet për të rregulluar ekonominë, që punonin rëndë nga 12-14 orë në ditë, që merrnin 8-9 dollarë në javë, që flinin bashkë 10-12 veta në një konak për të kursyer pak dollarë, bënë mrekullinë për shpëtimin e Shqipërisë. Shqiptarët e Amerikës i dhanë çdo gjë Shqipërisë dhe nuk kërkuan kurgjë. Shumë nga këta patriotë as që mundën të shkelnin tokën e Shqipërisë, ndërsa një pjesë u kthyen për t’i shërbyer Shqipërisë dhe u dënuan si armiq nga diktatura komuniste!! 

Kolë Tromara, kryetari i Vatrës, që hartoi thirrjen e shpëtimit, – u pushkatua nga diktatura komuniste; 

Bahri Omari, editori i “Dielli”-t, frymëzues për fushatën, u pushkatua; 

Aqif Përmeti, që përgatiti trupat vullnetare të Vatrës, duke i udhëhequr edhe në rrugëtimin e tyre nga Amerika nëpër Shqipëri, që, në kohën e fushatës ishte anëtar aktiv i Komisionit, u ndëshkua me plumba; 

Kolë Rodhja, anëtar i fushatës dhe botues i gazetës “Vullnetari” u burgos, siç ishin burgosur edhe bashkëthemeluesit e tjerë tëVatrës si: 

Kristo Kirka, ish kryetari dhe editori i “Dielli”-t, Aqile Tasi e të tjerë.

Të ndëshkohesh, se shpëtove Shqipërinë?!!

Shkruan vatrani Petro Ktona në Misionin e Federatës “Vatra”: 

“Emigracioni i ri le t’u jetë mirënjohës këtyre shqiptarëve, le t’i respektojë për patriotizmin dhe të kaluarën e tyre dhe të mos shikojë influencën politike, që kanë pësuar nga rrethanat e kohës. I gjithë Kombi duhet t’i jetë mirënjohës VATRËS. Këta janë të gjithë patriotë shqiptarë.”

Shuma prej 150 mijë dollarësh ka qenë e mjaftueshme për të mbajtur delegatët në Konferencën e Paqes (jo vetëm të Vatrës), për të dërguar ambasadorë në kryeqytetet e ndryshme të Evropës dhe për të përballuar protestat e shumta të shqiptarëve, peticionet, dërgimin e kablogrameve, shtypin, dhe të tjera shpenzime të nevojshme për një ndërmarrje kaq të madhe organizuar nga “VATRA”. Kjo sakrificë e vatranëve ndihmoi shumë në shpëtimin e Shqipërisë nga rreziku i copëtimit.

Ali Kuçi, vatrani shpirtbujar, që pat kryesuar kryesinë e Pleqësisë së Vatrës në PA, (Ali Kuçi ishte kryetari i pleqësisë së Vatrës në Pennsylvany, që shënoi rekordin e fushatës me 680 dollarë, para tij rekordmen ishte Banush Fetah, që pat shënuar rekord me dollarë) la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri, nën thirrjen e Fan S Nolit “Të bëjmë Shqipërisë”. Madje, ai ngriti edhe një fermë të tipit amerikan në Shqipëri. Nuk u kthye më në Amerikë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, i mbrujtur me parimet e Demokracisë Amerikane, ndihmoi këdo, që luftonte për liri. Përkrahu edhe partizanët, edhe nacionalistët, por, menjëherë pas lufte, ai u arrestua dhe iu kërkua që të jepte llogari, “pse i kishte ndihmuar ballistët”! Asnjë fjalë për kontributet, që u kishte dhënë partizanëve. Shpirti i tij i lodhur nga torturat fizike të trupit, u shua në qelitë e hetuesisë së Beratit. Ky ishte shpërblimi për kontributin, që kishte dhënë ai si prijës i fushatës (mbajti rekordin deri në fund si dhuruesi i shumës më të madhe)…dhe i pesëmijë vatranëve të tjerë, që nuk kursyen asgjë për shpëtimin e Shqipërisë.

Filed Under: Featured Tagged With: 3 qershor, dalip greca, Vatra

VATRA- NJË FOTOGRAFI-NJË HISTORI- DEGA E PARË

May 29, 2020 by dgreca

DEGA E PARË E VATRËS U KRIJUA NË BOSTON ME 12 MAJ 1912, KRYETAR KRISTO KIRKA/

Fotografia e parë shoqëruse e kësja kronike historike prezanton degën e Parë të Vatrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po si u krijua dega e parë e Vatrës dhe të tjerat që e pasuan?

Imzot Noli ishte Chairman i mbledhjes themeluese.

Projekti i krijimit të degëve të Vatrës u bë menjëherë pas mbledhjes themeluse të 28 Prillit 1912. 

Dega e parë u krijua me 12 Maj 1912, u themelua në qytetin e Bostonit, dhe mbante NR.1, pasi që aty nisi numerimi i degëve, nga 1-86. Ishte dega e parë e Vatrës. Mbledhja u organizua nga Imzot Fan S. Nolit, që ishte edhe Chairman i asaj mbledhje themeluse.

Takimi u organizua në Phoenix Hall, 724 Washington Street. Takimin e hapi me Lutje Imzot Fan S Noli. Folën edhe Faik Konica dhe Kristo Floqi.Kryetari j ri Kristo Kirka, falenderoi për besimin që iu dha për të drejtuar të parën degë të Federatës.

Kristo Kirka u zgjodh kryetar i pare i deres nr.1

Mbledhja themeluse e degës NR.1 zgjodhi këtë Pleqësi: Kryetar Z. Kristo Kirka, (ishte edhe menaxheri I parë i Gazetës Dielli pas themelimit të Federatës.). Arkëtar i parë i degës u zgjodh Kristo Aristidi, Sekretar z. Elia Zografi, Pleq- Kosta Ratska, Efthim Natsi, Nikolla Caknaqi dhe Petro Lazar.

Degët e tjera do të hapeshin më pas sipas një kalendari të detajuar dhe u caktuan personat përgjegjës. JA KALENDARI I THEMELIMIT TË TYRE:

1-FAN S. NOLI

 Imzot Fan S. Noli do të ishte përgjegjës dhe organizator për krijimin e dëgëve Federale në :

  1. Dega Nr 1 Boston, 12 Maj 192
  2. Brockton, Mass, të Dielën me 19 Maj 1912, 
  3. Dega e Natick, Mass, e Dielë 9 qershor, 1912,
  4. Dega në Cochituate, Mass, e Dielë 16 qershor 1912.

2-FAIK KONITZA: Do të ishte përgjgjës dhe organizator për degët:

Faik Konica.
  1.  Worcester, Mass, të Dielën me 19 Maj 1912
  2. Lynn, Mass, të Dielë 26 Maj 1912
  3. Manchester, N.H, të Dielë 2 Qershor
  4. Central Falls. Rohd Island, të Dielë, 9 Qershor 1912
  5. Southbridge Mass, të Dielë, 16 Qershor 1912.

            3-       EDITORI I DIELLIT, KRISTO FLOQI 

Kristo Floqi.

U ngarkuar si organizator dhe përgjegjës për degët Federale të Vatrës :

I-Milford dhe South Framingham, Mass, qendra do të vendosej ku të regjistroheshin më shumë anëtarë, data 19 Maj 1912

II Marlboro dhe Hudson, Mass, të Dielën me 26 Maj 1912(edhe për këtu qendra do të vendosej pas regjistrimit të anëtarëve. Më shumë u regjistruan në Marlboro.

III- Dega në Taunton , të dielën me 2 Qershor.

!V- Dega në New Bedford  Mass, të Dielën 9 qershor.

V-Bidford dhe Saco.Me,të dielën 16 Qershor, qendra u vendos në Bidford.

  • Lewiston, Sanford dhe Augusta Me, të Dielë me 23 Qershor (dega u vendos që ta kishte qendrën në Lewiston.
  • Concord, Franklin dhe Penacook, N.H, të Dielën me 30 Qershor.

Rubrika VATRA-NJE FOTOGRAFI-NJE HISTORI, Vijon

Përgatiti: Dalip Greca

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: dalip greca, dega nr1, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT