Baronesha Anelay në Prishtinë, vizita përforcon marrëdhëniet e fuqishme bilaterale të Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën/
-Baronesha Anelay do të shpall mbështetjen e re të MB-së prej 80.000£ për Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës dhe partnerët e tyre/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Korrik 2015/-Zhvillon sot takime në Prishtinë ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuesja Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baronesha Joyce Anelay, në vizitën në Kosovë prej 20 deri në 22 korrik.
Në orën 10:00 pritet në takim te Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në 11:10 nga kryeministri Isa Mustafa, në 12:00 te kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sipas axhendave të dërguara nga institucionet kosovare.
“Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, Baronesha do të takohet me zyrtarë të lartë qeveritarë duke përfshirë Presidenten Atifete Jahjaga, Kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar përpjekjet që po i bën Kosova në adresimin e çështjeve të dhunës seksuale në konflikt, marrëdhëniet bilaterale si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë”, ka bërë të ditur Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë në njoftimin e dërguar para vizitës.
Baronesha Anelay viziton Kosovën dhe shpall mbështetje të re të Mbretërisë së Bashkuar për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, thekson sot njoftimi dërguar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.
Baronesha Anelay është në vizitë në Kosovë për të diskutuar për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt (PDhSK) dhe prioritetet e tjera, përfshirë Gjykatën Speciale për Krime të Luftës dhe axhendën e reformave në Kosovë.
Në vizitën e parë në Kosovë të një ministri Britanik që nga viti 2012, Ministrja e punëve të jashtme për të drejtat e njeriut dhe Përfaqësuesja speciale e Kryeministrit për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, Baronesha Anelay, do të takohet me Presidenten dhe Kryeministrin dhe do të dëgjojë tregimet drejtpërdrejtë nga dora e parë nga të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar në mbështetjen e lidershipit të Presidentes të Kosovës për PDhSK-në dhe gjatë kësaj vizite Baronesha Anelay do të shpall mbështetjen e re të MB-së prej 80.000£ për Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës dhe partnerët e tyre. Këto fonde do të mbështesin punën e çmuar të cilën Qendra po e bën në ndihmën e të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikt përmes programeve të rehabilitimit dhe fuqizimit ekonomik.
Ministrja gjithashtu do të premtoj mbështetjen e MB-së në trajnimet në Kosovë për Protokollin ndërkombëtar për dokumentimin dhe hetimin e dhunës seksuale në konflikt, që do të fuqizojë praktikën më të mirë në Kosovë për dokumentimin e dhunës seksuale si krim në konflikt dhe do të ndihmoj në sigurimin e qasjes për të mbijetuarit në Kosovë në mbështetjen, shërbimet dhe drejtësinë që ju takon.
Si pjesë e përpjekjeve të Kosovës në adresimin e të këqijave nga e kaluara, Baronesha Anelay gjithashtu do të inkurajoj udhëheqësit e Kosovës që të themelojnë Gjykatën Speciale për Krime të Luftës, një element thelbësor për promovimin e sundimit të ligjit dhe luftës kundër mosndëshkimit.
Baronesha Anelay ka thënë:
“Jam e gëzuar që po e bëj vizitën e parë në Kosovë dhe se po mësoj më shumë lidhur me punën e Presidentes dhe partnerëve të saj, përfshi edhe të MB-së, në luftimin e krimeve të dhunës seksuale në konflikt dhe mbështetjen për të mbijetuarit.
Vizita do të më lejoj mua në veçanti, që të dëgjoj tregimet drejtpërdrejtë nga dora e parë nga të mbijetuarit lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohen dhe të mësoj çka po bëhet në mënyrë të përgjithshme për të luftuar mosndëshkimin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.
Njoftimi nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë thekson se, vizita do të përforcojë marrëdhëniet e fuqishme bilaterale të MB-së me Kosovën. Ministrja gjithashtu do të bisedojë lidhur me axhendën e reformave në Kosovë, nevojën e luftimit të korrupsionit dhe kërcënimin nga krimi i organizuar, si dhe promovimin e një klime të përshtatshme për investime të jashtme dhe krijimin e vendeve të punës. Ajo njëkohësisht do të inkurajoj përparimin e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë.
Në 8 korrik 2015 Presidenca kosovare njoftonte se, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi në Londër Ministren e shtetit për politikë të jashtme dhe përfaqësuesen speciale të Kryeministrit britanik për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, Baroneshën Joyce Anelay me të cilën diskutuan për iniciativat institucionale dhe shoqërore në Kosovë për t’i rehabilituar dhe reintegruar të mbijetuarit e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë dhe zhvillime të tjera në vend dhe rajon. Ministrja Anelay falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen viktimave të dhunës seksuale dhe për përkushtimin e saj ndaj drejtësisë.
Në njoftimin e dërguar nga Presidenca theksohet se, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti në takim Ministren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuese Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baroneshën Joyce Anelay, vizita e së cilës zhvillohet në kuadër të vazhdimit të marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, dhe bashkëpunimit të ngushtë në fushën e të drejtave të njeriut përkatësisht ndihmën për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Presidentja Jahjaga dhe Baronesha Anelay kanë diskutuar rreth progresit që Kosova ka bërë në rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, në kuadër të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar nevojën e vazhdimit të hapave institucionalë dhe shoqërorë, për të garantuar vënien e drejtësisë gjithëpërfshirëse për të mbijetuarit.
Presidentja Jahjaga dhe Baronesha Anelay kanë biseduar edhe për çështje të tjera të aktualitetit politik në vend dhe për angazhimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit, sfidat në rrugën evropiane dhe dialogun me Republikën e Serbisë.
Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Baronesha Anelay do të ketë një drekë pune me anëtarët e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe do të vizitojë organizatat joqeveritare të grave në Drenas dhe në Gjakovë.
PERIUDHË E THELLIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRMJET KOSOVËS DHE MBRETËRISË SË BASHKUAR
Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe Baronesha Anelay mbajtën një konferencë për shtyp.
Në deklaratën e bërë në këtë konferencë, Presidentja e Kosovës Jahjaga tha:
Kam mirëpritur sot në vizitën e saj të parë në Kosovë, me ftesën time, Baroneshën Anelay, pas takimit të përbashkët pak ditë më parë në Londër, që shënon edhe vazhdimësinë e angazhimit për çështjet konkrete në ndihmë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Vizita e Baroneshës në Kosovë, vjen në një periudhë të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe pas takimit historik që zhvillova me Mbretëreshën Elizabetë II, javën e kaluar në Londër.
Shpreh falënderimin tim të thellë për mikpritjen dhe për takimin e jashtëzakonshëm me lideren vizionare të Mbretërisë së Bashkuar dhe për mbështetjen që vazhdon t’i japë popullit të Kosovës në rrugën e zhvillimit demokratik të tij. Gjithashtu, kjo vizitë e Baroneshës në Kosovë bëhet në një kohë të rëndësishme për vendin tonë dhe për rolin e tij në skenën ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të sigurisë në përgjithësi.
Së bashku me Baroneshën biseduam rreth përparimit që Kosova ka bërë në krijimin e një qasjeje institucionale dhe shoqërore në kuadër të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për të garantuar rehabilitimin e të mbijetuarve, duke vendosur theks të veçantë në nevojën e vënies së drejtësisë për krimin e kryer mbi qytetarët e Kosovës, në kohën e luftës. Ne kemi hapur një kapitull të ri për viktimat e dhunës seksuale, të cilat për 15 vjet janë stigmatizuar në shoqëri, dhe së fundi po njihet e drejta e tyre me ligj që do të garantojë të drejtën e tyre, dinjitetin e tyre dhe rikthimin në shoqëri..
I shpreha mirënjohje Baroneshës Anelay për kontributin që shteti i saj dhe zyra që ajo udhëheq i kanë dhënë organizatave joqeveritare në Kosovë me programet dhe ekspertizën e tyre, si dhe për angazhimin e tyre në nivel global për të mos e lënë këtë krim të pandëshkuar, kudo që ai ndodh. E drejta e secilës viktimë të dhunës seksuale gjatë luftës duhet të garantohet dhe qasja në drejtësi do të ndihmonte ato të gjejnë qetësinë shpirtërore dhe ta luftojnë stigmën.
Kosova duhet të jetë pjesë e nismave ndërkombëtare, dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë duhet të njihen, sepse kështu luftojmë padrejtësinë për to dhe sepse kështu ndihmojmë ato ta mundin përbuzjen që kanë pasur për këto 15 vite me radhë. Britania e Madhe ka qenë përkrah Kosovës dhe në mbështetje e ndihmë të këtyre viktimave, duke e bërë Kosovën pjesë të Protokollit Ndërkombëtar për Investigimin dhe Dokumentim e këtyre akteve mizore.
Pa diskutim se përfshirja e Kosovës në këto nisma do të kontribuojë jo vetëm në shkëmbim të përvojave, por edhe në vënien e drejtësisë dhe parandalimin e këtyre krimeve.
E ritheksoj se Kosova është treguar si një partnere e rëndësishme në skenën ndërkombëtare edhe në fushat e tjera, në veçanti në atë të sigurisë, në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe në ruajtjen e paqes në botë.
Gjithashtu Kosova dhe qytetarët e saj do të dëshmojnë se janë të përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, në fushën e drejtësisë, dhe në respektim të parimit të drejtësisë për të gjithë njëlloj. Me Baroneshën kemi ritheksuar shpresën se institucionet e vendit do të gjejnë mundësinë që, së shpejti, të votojnë krijimin e Gjykatës Speciale, duke mos lejuar që një institucion tjetër, e në këtë rast Këshilli i Sigurimit i OKB-së, të ndërtojë një organizëm të veçantë të drejtësisë për vendin tonë.
DISKUTIME PËR DISA ÇËSHTJE SERIOZE TË INTERESIT TË PËRBASHKËT
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuese Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baroneshën Joyce Anelay.
Pas takimit, Kryeministri Mustafa dhe Baronesha Anelay u prononcuan për gazetarët e pranishëm.
“Unë pata kënaqësinë sot që të takoj Baroneshën Anelay, të bisedoj me të, t’i falënderohem shumë për përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, edhe gjatë periudhës së luftës por edhe gjatë ndërtimit demokratik të periudhës së pasluftës”, tha Mustafa.
“Ne e çmojmë lartë mbështetjen në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, mbështetjen në zhvillimin ekonomik dhe poashtu vlerësojmë se ne do ta kemi përkrahjen edhe më tutje të Mbretërisë së Bashkuar në të gjitha proceset që do t’i kalojmë, në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në proceset e tjera integruese dhe në ndërtimin e vendit tonë”, vijoi ai.
“Biseduam poashtu edhe për temat që janë aktuale, si dhe për pasojat e luftës, veçmas që kanë të bëjnë me dhunimet seksuale dhe me atë se çfarë Kosova dhe Qeveria e Republikës së Kosovës po ndërmerr në këtë aspekt në përkujdesjen e të gjithë atyre që kanë pësuar nga këto veprime të luftës”, tha kryeministri kosovar.
“Biseduam lidhur me nevojën e themelimit të Gjykatës Speciale dhe me nevojën e ndërtimit të shtetit ligjor në Kosovë, si parakusht të tërheqjes së investimeve dhe të zhvillimit ekonomik si një prej prioriteteve të cilat ne i kemi përcaktuar me programin qeverisës”, pwrfundoi Mustafa.
Fjala e Baroneshës Joyce Anelay: “Kryeministër faleminderit për fjalët e mirëseardhjes.
E di që është vizita e parë e një ministri nga Mbretëria e Bashkuar që nga viti 2012, por mungesa e vizitave për tre vite nuk duhet të shihet si mungesë e miqësisë. Siç thatë edhe ju kryeministër, Mbretëria e Bashkuar, nuk është vetëm mike e Kosovës, por e vlerëson miqësinë me Kosovën, dhe dëshiron të shoh që kjo miqësi zhvillohet në vitet e ardhshme. Çfarë mund të bëjmë është të vazhdojmë të punojmë jo vetëm në projekte si parandalimi i dhunës seksuale në konflikte, por edhe në gjithë punën e Qeverisë, në ofrimin e një rruge për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, një rrugë që mund të jetë e vështirë, por mund të negociohet me vullnet të mirë dhe me vullnet të fortë nga Qeveria.
Kryeministër, ju keni treguar vullnetin tuaj të fortë këtë mëngjes dhe unë mund t’iu siguroj që kemi miqësi të fortë.
Kryeministri dhe unë, ashtu si e shpjegoj edhe kryeministri, kemi diskutuar për disa çështje serioze të interesit të përbashkët, dhe këtu përfshihet edhe rëndësia që ne në Mbretërinë e Bashkuar i kushtojmë themelimit të shpejtë të Gjykatës Speciale. Ne i kushtojmë rëndësi shumë kësaj çështje sepse Kosova si vend, si shtet, si shtet funksional, i ka dhënë zotim komunitetit ndërkombëtar dhe komuniteti ndërkombëtar dëshiron të shoh që Kosova po e mban fjalën.
Kryeministër, unë e di që ju dhe zonja presidente jeni njerëz që e mbani fjalën, dhe pres themelimin e Gjykatës Speciale. Shpresoj se do të bëhet së shpejti, dhe jo me vonesë dhe shpresoj që kjo do të na ndihmojë të gjithëve që të shohim Kosovën duke bërë progres në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Sepse e di që për njerëzit në Kosovë ajo që vlen më së shumti është që të kenë të ardhme paqësore, të ardhme të suksesshme dhe të begatë, në mënyrë që fëmijët e lindur sot në Kosovë, të kenë një sukses ekonomik në të ardhmen dhe të jenë krenar me vendin e tyre.
Dhe në ndërkohë, mund të jeni të sigurt se ne jemi krenar me miqësinë që e kemi me Qeverinë dhe me popullin e Kosovës”.
BARONESHA ANELAY SIGURON PËR VAZHDIMËSINË E POLITIKËS VENDIT TË SAJ NDAJ KOSOVËS EDHE NË TË ARDHMEN
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Baroneshën Joyce Analey nga Britania e Madhe, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, të arriturat e saj dhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë në mes të Kosovës dhe Britanisë së Madhe.
Kryetari Veseli e njoftoi Baroneshën Analey me proceset nëpër të cilat po kalon vendi, por edhe me sfidat dhe problemet me të cilat ai po përballet.
Kreu i Kuvendit të Kosovës e falënderoi Baroneshën Analey për mbështetjen e vazhdueshme të e Britanisë së Madhe për Kosovën në të gjitha proceset e saj historike, që nga çlirimi e deri te pavarësia e shtetndërtimi, ndërsa konsideroi se një përkrahje e tillë i nevojitet Kosovës edhe në proceset aktuale, veçanërisht në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik.
Baronesha Anelay, nga ana e saj, e siguroi kryetarin Veseli për vazhdimësinë e kësaj politike të vendit të saj ndaj Kosovës edhe në të ardhmen.