• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VDEKJA E IDEOLOGJISË!

December 18, 2013 by dgreca

(Një rilindje e pamundur)/

Shkruan: Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1.

A po vdes, vërtetë, ideologjia? Ideologjia e lirisë?/

Ka një kohë që kjo pyetje intriguese bëhet kudo n’Europë. Po n’Kosovë në ç’stadium është, vallë, shuarja e saj?/

E përse, përgjithësisht, vdekja e ideologjisë? Sociologë të politikës pohojnë se midis formacionesh të mëdha partiake, që suksesivisht ngrejnë pushtete vetore apo koalicioniste, hetojnë gjithherë e më pak diferenca identitare. Ato shpesh janë, thjeshtë, vetëm nominale e syprinore. Gjithçka duket se agon e ngryset në gjakimet për të marrë pushtetin apo për të ruajtur atë.

Po, fundja, ç’të keqe ka këtu? A s’është më elegante e më pak lodhëse dhe, pastaj, më etike e më pak mashtruese kështu? Mbase, nga kjo arsye ky milje politik do të cilësohet romantik, një idilë politike e këndshme dhe prehëse për njeriun politik të Botës së vjetër! Ai, tashmë, nuk vuan vështirësitë e identifikimit  interesor me njërën nga forcat që lypin votën e tij. Ato janë tëpër të ngjashme mes tyre, në një anë dhe me legjislaturat e ikura, në anën tjetër, për ta joshur a eksituar atë me daullet e premtimeve të radhës, tok me titullarët që i deklamojnë me zjarr. E të tilla janë, qoftë kur vetëqeverisin dhe, sidomos, kur, rrallë, koalicionojnë. Për rrjedhojë, zgjedhjet nuk sjellin angushti e dramë. As përplasje e mort partizanësh, vjedhje e deformim korruptiv të verdiktit sovranor. Përkundrazi, shndërrohen në festë të hareshme popullore.

Në paraqitjet autoriale mbi temën ka një kundërshti e mospajtim me teorinë, paksa ironike, të “idilës” e, poaq, shqetësim për apatinë zgjedhore dhe këtë lloj siameziteti të “atdheve” të shumtë politikë. Udo Di Fabio, prof. i shkencave politike në Bon, shprehet se partitë, megjthatë, kanë ruajtur veçanësitë dhe, si dëshmi, jep rivalizimet e ashpëra pozicionale për Kontratën e bashkëqeverisjes. Ç’është e vërteta, atë e kishte refuzuar Rinia socialdemokrate  (Jusos)  që pledon kthimin e etshëm në gjenealogjinë e saj, sikundër dhe dinjitarë të epërm demokristianë. Në fakt, Partia më vjetër demokratike gjermane  (SPD), ka shfaqur, së voni, shenja çorientimi themeltar. Ish-kancelari Schröder do ta çonte atë drejt qendrës dhe, për pasojë, ithtarësia e dëshpëruar do të kërkonte  veten në të Majtën (Linke) e ish-komunistëve gjermanolindorë. Tani, e tretur pa kauzë, ajo vijon të shijojë humbjet pambarimisht. Ndërsa, pra, Fabio justifikon koalicionizmin përfshirës, një koleg i tij tjetër, Uwe Volkmann, autor i termit të “idilës”, ngulmon argumentisht se prirja gjermane për konsens është bjerrje e besimit në shtetin dhe apolitizim dëshpërues i jetës.

Sipërthënja rreket të jetë bindëse, sepse afiniteti uniformitar është shenjë e zvetnimit të kulturës së ndryshmërisë demokratike. Fenomeni, prandaj, trishton shpirtërat e paqetë krijues. A nuk e parashihte këtë dhe i madhi Ludwig Erhard, demiurgu i ekonomisë sociale të tregut në Gjermani? Tash e 45 vjet më parë, në një ligjëratë mbajtur n’Skotlandë ai venëronte se  “koalicioni i madh”  mes kryepartive (si ky i sotmi që është ngjizur në Berlin), është fatal. Pikëpamjen e tij të aherëshme do ta botonte në edicionin special të fundjavës së fillimdhjetorit, “Frankfurter Allgemeine”  prestigjioze, për vrajën e temës sot e gjithë ditën. Qeveritë e kompozuara kësodore  janë të njëmendimta e monolitiste dhe të tilla, i vetmojnë jetimërisht të drejtën dhe lirinë, vlera sublime që humbin, ashtu, dalëzotësit në ftomë vullnetesh arbitrare. Kjo është një fatkeqësi! Dhe droja është e ligjshme. Demokracia është një pemë e brishtë që do mirëkujdesur përherë. Janë të liga ernat e barishtat e egra që i sulen në çdo orë harrimi. Arkmorti i ideologjisë së lirisë, është djeplindja e ideologjisë së vdekjes!..

 

2.

A do të akomodohej dhe në Kosovë ky vlerësim i artë i kolosit gjerman? Hiç aspak! Atje, si një tëhuajsim endemik, gjithçka ngjan e paadoptueshme: edhe politika, edhe rezoni, edhe morali i saj! Profili i i personelit politik është i pashenjë, fluid dhe amorf. Guvernat njëpartite apo koalitive, sidoqë t’ndërtohen, nuk rrjeshtohen askurrë, me dedikim e frymëzim, pranë lirisë dhe të drejtës. Madje, fqinjërojnë zellshëm me paktin përbetues kundër tyre. Më saktë, ato janë pakti demoniak vetë.

 

Po ç’është tani puna e “idilizmit” politik, që nuk është  veçse dyshimsi dhe demobilizim apatik i elektorëve ndaj politikës dhe krijesës shtetërore?  Asgjë për admirim! Nëse idila e politikës është e re në Europë, në Kosovë ajo nuk është as e re dhe as e vjetër, sepse nuk pati të tillë asnjëherë. Në vend të saj kishte: ose pushtet të huaj ose tirani komuniste ose intermezo luftërash e vakumesh të hirta! Në të gjithë versionet e shfaqjes ajo nuk gëzoi kurrë demokraci nacionale alternativash prosperuse dhe as idilën komode të distancës, si “çlirim” nga kthetrat e mundimshme të ideologjive poshtëvënëse. Nëse “romantizmi politik zgjedhor” dhe brënga e Erhardit për lëndueshmërinë e lirisë, janë të luftueshme dhe, pra, të shmangshme e provizoriale – në Kosovë, ato janë të paluftueshme dhe, pra, në këtë vështrim, të pashmangshme e trollëzuese. Pikërisht kjo përherësi totale dhe, disi, e paracaktuar nga tipi i kulturës politike që rezulton në pamundësi të zgjedhjes, është fatkeqësia e vërtetë! Në Europë, së paku, vrujon prore një opozitë reale (koalicionet e mëdha janë tepër të rralla) dhe e drejta e liria kanë zë. Ankohen e bërtasin në kupë të qiellit. Kurse në Kosëvë, çfarëdo konstelacioni t’kenë kooperativat politike,  zëri dhe sytë e tyre – të së drejtës dhe lirisë, janë të ngjirur, dergjur e vërbuar krejt në rrapëllimën dhe shkëlqimin e hyqmetarëve të ndërkryer.

 

3.

Sërish pyetja e fillimshkrimit: a po vdes ideologjia, këtë herë e çlirësisë, në Kosovë?

Jo, gjithësesi jo! Është një retorikë sofiste, sepse ajo, thjeshtë, nuk mund të vdiste. Është parë ndonjëherë të rroposet diç pa u shfaqur, pa lindur akoma? Më parë se të jetëndërronte, si çdogjë tjetër e kësaj bote, ideologjia politike e lirisë në rrethnajën e begatë demokratike, duhej të lindte, që nuk ndodhi e s’po ndodh dot! Kosova ka përjetuar mbi fytyrën e saj të bukur vetëm këtë trini ideologjish: ideologjinë e pushtimit, atë të bashkëpunimit  dhe ideologjinë e çlirimit. Ndërsa të parat janë të qarta si loti dhe nuk lënë hapsirë interpretimesh ekstensive – kjo e fundmja, për shpjegim, do të nënkuptojë se shqiptarët kultivuan ideologjinë e çlirimit, por jo të lirisë dhe të së drejtës në shtetin e vet kombëtar. Që këtej, ata do të dinin të nënshtroheshin heshtur, të kolaboronin zëshëm dhe, primun ideje të çlirimit, të kryngriteshin përgjakshëm. Por, tani, assesi të mësojnë ideologjinë e lirisë. Bashkëjetesën me hopet e pellgjet, truket e magjinë që ajo shkëndijon paprerë.

Por shteti dhe njerëzit nuk bëjnë dot pa ideologji, pa aromën a thonjtë e saj. Aherë, duhej zëvëndësuar ideologjinë e lirisë, që, e munguar siç është, nuk mund t’prodhonte substitutin e lig, “idilën” – këtë mosbesim apatik ndaj politikës dhe pushteteve përverse. Apatia “romancore” e Kosovës  do t’ketë  tjetër shtysë përlindëse. Ndërkohë që akoma hijesojnë errtë të moçmet, tani, mbi mbetjet e tyre, ka lëshuar shtat lulzueshëm, një rrfanë mondane: jo e panjohur në botë, por e njohur për krusmën e ligë mbi krahët e ngushtë të Kosovës. Është ideologjia e mafiokracisë me pajisjet e rënda: vjedhje, mort dhe vobektësim!  Ky është  “pushteti paralel i së keqes”, për të cilin alarmonte një studim i mëhershëm i Organizatës botërore  (relator: Maria Costa), që hidhte tezën se kriminaliteti  i organizuar kërcënon paqen globale e, gjithaq madje, sovranësinë  e kombeve dhe vetë ( si p.sh. në viset veriore të Kosovës) gjithësinë toksore të shteteve të tyre. E pra, vetëjetesën e nacioneve në këtë motin e ri, nuk e gërryejnë  “armiku i jashtëm”, “armiku i klasës” apo “armiku i opozitës”. Është korporata shumëkrerëshe e krimit që sfidon atë dhe, më keq akoma, paritë politike që bëhen karusel tragjik i saj.

Si të dërgohet kjo ideologji dhe eksponentët e saj atje ku kalben të gjitha?

“Nuk njoh të drejtën e revolucionit, por nuk më pengon të shfajsoj masat që shpërthejnë zemërimit”, thoshte Herman Hess.

Ah, sikur ta njihte ai njeriun shqiptar që shumë më lehtë e shtrinë dorën sesa e bën grusht atë!

Berlin, dhjetor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Rexhep Kasumaj, vdekja e ideologjise

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT