• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në 2015-tën, vendime të mëdha dhe reforma

December 30, 2015 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në konferencë shtypi të fundvitit, 30 dhjetor 2015/
-Kryeministri Isa Mustafa: Qeveria e Kosovës ka arritur Marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian/
-Kosova ka përfunduar “autostradën” energjetike deri në kufi me Shqipërinë prej 400 kilovatësh, investim rreth 34 milionë euro/
-Veçantë kryeministriMustafa ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, një investim privat amerikan në një vlerë prej 1 miliard euro, që përbën investimin më të madh deri më tani në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Dhjetor 2015/ Viti 2015 i Kosovë ishte i vendimeve të mëdha dhe reformave të fuqishme ekonomike, tha sot kryeministri Isa Mustafa një konferencë shtypi pas mbledhjes së fundit të qeverisë për këtë vit, të 67-tën, ku miratoi planin e saj të punës në vitin 2016.
“Plani vjetor i punës së qeverisë për 2016-tën është në përputhje me objektivat dhe synimet e përcaktuara në dokumentin e programit qeverisës, duke nisur nga prioritetet e vendosura edhe dokumentet tjera të rëndësishme të qeverisë së Kosovës si Strategjia kombëtare për zhvillim 2015-2020, programi i reformave ekonomike etj, drejt integrimit evropian”, u tha në mbledhje.
Në konferencën për shtyp të fundvitit, kryeministri Mustafa, duke u fokusuar në rezultatet kryesore gjatë kësaj periudhe, ka veçuar të arriturat në zhvillimin ekonomik, proceset integruese evropiane, qeverisjen e mirë dhe mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës, ndërsa ka theksuar se qeveria ka punuar me një program të qartë qeverisës, të harmonizuar paraprakisht ndërmjet partnerëve të koalicionit.
“Këtë punë tonën gjatë këtij viti e karakterizojnë dy drejtime ose dy qasje. Një qasje është përkushtimi shumë i madh i qeverisë në përmbushjen e programit qeverisës dhe në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, dhe në anën tjetër e kemi po ashtu një përkushtim tepër të madh të opozitës për ta penguar çdo proces të zhvillimit në Kosovë, për ta bllokuar shtetin dhe për ta bllokuar jetën institucionale dhe jetën ekonomike të vendit”, u shpreh kryeministri kosovar.
Ai veçmas theksoi suksesin se, qeveria ka arritur Marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, ndërsa renditi edhe arritje të tjera.
“Kemi filluar investimin më të madh që është zhvilluar ndonjëherë pas lufte në fushën e energjetikës në Kosovë. Kemi siguruar që të punohen të gjitha tokat në Kosovë. Kemi arrit që të përmirësojmë dukshëm mirëqenien sociale të qytetarëve tanë. Kemi arrit që të përmbushim kriteret për liberalizimin e vizave, sepse kjo është vlerësuar pozitivisht nga Bashkimi Evropian. Kemi arrit të kemi përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar në orientimet dhe në qasjen tone”, tha Mustafa.
Ndërsa, vijoi ai, opozita është marrë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, ka bllokuar punën e Kuvendit, ka shkatërruar pronat publike në Kosovë. “Opozita ka lënduar policët dhe qytetarët, ka sulmuar fizikisht anëtarët e qeverisë së Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën dhe në kundërshtim me rekomandimet dhe opinionet që i ka dhënë faktori ndërkombëtar, dhe veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kauzat e opozitës kanë dalë që janë të paqëndrueshme, sepse Gjykata Kushtetuese ka përfunduar se Asociacioni duhet të themelohet, sepse është kategori juridike në Kosovë dhe duhet të bëhet sipas marrëveshjes së parë, ndërkaq Departamenti i Amerikan i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konstatuar se vija kufitare me Malin e Zi është përcaktuar në vijën në të cilën është shpallur Pavarësia e Republikës së Kosovës dhe e cila është administruar nga Krahina Socialiste Autonome e Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë. Por, po ashtu jemi pajtuar që të formohet një komisioni ndërkombëtar në mënyrë që të sqarojë çdo dyshim dhe çdo pretendim lidhur me këtë vijë kufitare dhe ajo pastaj të zgjidhet në bashkëpunim me Malin e Zi”, tha kryeministri kosovar.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi se është e qartë se qytetarët e Kosovës kanë pritur edhe më shumë nga qeveria e Kosovës, sepse kërkesat dhe nevojat e qytetarëve janë shumë më të mëdha sesa që ka pasur mundësi gjatë kësaj kohe të zgjidhen.
“Por, po ashtu është shumë e qartë se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk e kanë përkrahur dhunën dhe nuk e përkrahin dhunën, nuk e përkrahin shkatërrimin e pronës publike dhe dhunën si mjet të zgjidhjes së problemeve politike të vendit”, tha kryeministri.
Mustafa vlerësoi se duke u nisur nga rrethanat në të cila ka punuar, qeveria dhe ministritë përkatëse me sukses e kanë përmbushur misionin e tyre gjatë këtij viti dhe kanë realizuar programin qeverisës duke i përmbushur obligimet ndaj qytetarëve. Kryeministri kosovar po ashtu tha se qeveria ka treguar lidershipin e duhur sepse është marrë me vendime të mëdha, gjë që nuk është çështje e lehtë dhe nuk është çështje e cila gjithmonë hasë në mirëkuptimin e të gjithëve.
“Sa i përket orientimeve themelore të qeverisë, mund të them se ne jemi përcaktuar me programin qeverisës që të punojmë shumë në zhvillimin ekonomik, të punojmë shumë në forcimin e shtetit ligjor, në integrimet evropiane dhe euroatlantike, dhe po ashtu në reformat themelore në fushën e arsimit dhe në fushën e shëndetësisë”, tha kryeministri i Kosovës.
Për zhvillimin ekonomik, kryeministri Mustafa tha se ky vit do të përmbyllet me një normë mesatare të rritjes të bruto produktit vendor, e cila do të sillet nga 3.2 deri në 3.8 që është më e larta në vendet në regjion, ndërsa theksoi se është arritur të sigurohet stabiliteti makroekonomik dhe stabiliteti buxhetor dhe të përmbushen të gjitha detyrimet e dala nga Buxheti i Kosovës.
Veçantë kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, një investim privat amerikan në një vlerë prej 1 miliard euro, që përbën investimin më të madh deri më tani në Kosovë.
“Kemi përfunduar ‘autostradën’ energjetike deri në kufi me Shqipërinë prej 400 kilovatësh, investim në vlerë prej rreth 34 milionë euro. Kemi arrit marrëveshjen me FMN-në, cila ka mundësuar që të ndryshohet korniza fiskale. Kjo marrëveshje na ka mundësuar që ne të marrim 185 milionë euro kredi nga FMN-ja dhe të kemi pajtueshmëri me FMN-në edhe për 400 milionë euro kredi hua nga institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat do t’i orientonim në programe të cilat gjenerojnë zhvillim ekonomik dhe punësim. Kjo do të na mundësonte që buxheti i vitit 2016, pasi që është aprovuar edhe ndryshim plotësimi i Ligjit mbi Financat Publike dhe Përgjegjësitë, të jetë rreth 2 miliardë euro”, tha kryeministri.
Mustafa, po ashtu, tha se gjatë kësaj kohe janë bërë reforma të nevojshme fiskale dhe se të hyrat buxhetore për këtë vit janë rritur për 113 milionë euro.
“Në fushën e bujqësisë, vlerësojmë se janë arritur suksese të mëdha. Kemi akorduar rreth 43 milionë euro grante dhe subvencione të cilat kanë mundësuar që të punohet thuajse çdo pëllëmbë toke në Kosovë dhe të krijohen 2500 vende të reja të punës në fushën e bujqësisë, ku kanë përfituar 38 mijë fermerë”, tha kryeministri Kosovar.
Ai bëri të ditur se janë arritur 10 marrëveshje për bashkëpunim financiar, të cilat do të mundësojnë zhvillime në fusha të ndryshme.
“Kemi siguruar mjete prej 160 milionë euro për rekonstruimin e hekurudhës e cila do ta lidhë Kosovën me 6 vende të Bashkimit Evropian. Këto huazime janë bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga Banka Evropiane për Investime dhe grante të cilat ne i kemi nga Komisioni Evropian”, tha kryeministri Mustafa.
Kreu i qeverisë kosovare theksoi edhe rëndësinë e miratimit të Ligjit për Faljen e Borxheve, nga i cili ligj kanë përfituar edhe bizneset edhe qytetarët, në një shumë prej 600 milionë eurove, të cilat janë falë deri në 31 dhjetor të vitit 2008 duke shtuar se një stimulim i rëndësishëm për bizneset është bërë edhe me Ligjin për Garantimin e Kredive për Bizneset, sidomos për bizneset e grave dhe bizneset e të rinjve.
“Për herë të parë kemi përgatitur dhe kemi aprovuar Ligjin për Investime Strategjike, i cili tani është në procedurë në Kuvend që do të mundësojë marrëveshjet e drejtpërdrejta të qeverisë me investitorë të jashtëm dhe mundësinë e tërheqjes së investimeve të jashtme”, tha ai.
Kryeministri Mustafa vlerësoi edhe trendin pozitiv sa i përket investimeve të huaja direkte, sidomos në numrin e firmave të themeluara nga investitorë të jashtëm gjatë vitit 2015 në Kosovë.
Duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Trustit të Kursimeve Pensionale dhe Ministrisë së Financave përkatësisht Administratës Tatimore dhe burimeve të tjera, kryeministri Mustafa theksoi se është arritur në konkludim se deri në nëntor të këtij viti, janë punësuar rreth 15 e 500 qytetarë duke mos i llogaritur edhe 2500 të tjerë si efekte të punësimit në fushën e bujqësisë.
“Po ashtu mund të konstatojmë se në vitin 2015 kemi pas një sektor shumë të fuqishëm dhe stabil bankar, i cili i ka ulur normat e interesit për rreth 30 për qind, dhe ulja e këtyre normave të interesit ka ndikuar veçmas në nxitjen e sektorit të prodhimit sepse janë përmirësuar këto kushte. Jemi zotuar qysh në fillim të vitit se do të bëjmë kursime buxhetore, dhe ne kemi konstatuar se kemi pasur kursime së paku prej 60 milionë eurove gjatë këtij viti. Po ashtu, jemi zotuar që ta zvogëlojmë edhe parkun e automjeteve dhe këtë park e kemi zvogëluar për 178 automjete të cilat edhe e zvogëlojnë përdorimin e tyre”, tha kryeministri.
Në fushën e politikave sociale, kryeministri Mustafa tha se është arritur që pas 16 vjetëve të jepen pensionet për veteranë të UÇK-së duke bërë të ditur se deri tani janë rreth 12 mijë përfitues të këtij pensioni. “Kemi rritur ndihmat sociale për 25 për qind, janë 27 mijë familje që përfitojnë nga ndihmat sociale me 135 mijë anëtarë që përfitojnë nga këto ndihma dhe po ashtu kemi siguruar me buxhet 23 milionë për rritjen e pensioneve për kontributdhënës që do të ndikojë po ashtu në përmirësimin e statutit të këtyre pensionistëve, ku llogarisim që i kemi 40 mijë pensionistë. Sa i përket pagave, pa marrë parasysh që ne kemi thënë se nuk do të ketë ngritje të pagave në vitin 2015, mund të konstatohet se ne kemi pasë ngritje prej 7 për qind të pagave si ngritje mesatare, që ka ardhur si efekt i zbatimit të 0.5 për qind të përvojës së punës, pra në të cilën kanë përfituar ata të cilët kanë një vit në 0.5, dhe ata që kanë përvojë shumë vite, deri në 22 për qind, do të thotë ka qenë rritja e pagave, në qoftë se merret si një shtrirje, varësisht prej përvojës së punës”, tha kryeministri kosovar.
Duke folur për fushën e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të ligjit, kryeministri Mustafa tha se gjatë këtij viti janë proceduar 79 ligje në Kuvend që përfshijnë fusha të ndryshme, që nga zhvillimi ekonomik, konsolidimi demokratik, fuqizimi i axhendës integruese evropiane, arsimi, siguria dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar.
Kryeministri kosovar theksoi edhe miratimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat kanë mundësuar që të themelohen dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale, marrëveshjet me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së në fushën e drejtësisë, e cila marrëveshje ka mundësuar që të shtrihet sovraniteti dhe zbatimi e respektimi i ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Kemi marrë masa ndaj të gjitha rasteve të evidentuara të korrupsionit dhe kemi larguar shërbyesit civilë, i kemi pezulluar nga puna të gjithë ata që janë të dyshuar qoftë për shkelje të detyrës zyrtare, ose për shkelje të tjera. Kemi filluar me prokurimin e centralizuar, dhe ky prokurim është zhvilluar në 83 organizata buxhetore, gjë që ka mundësuar që të evitohen ndryshimet e çmimit gjatë prokurimit, sidomos të materialeve që kanë qenë evidente në periudhat e kaluara. Kemi bërë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Prokurimin Publik, i cili do të mundësojë që nga fillimi i vitit të ardhshëm të fillojmë me prokurimin elektronik”, tha kryeministri Mustafa, duke përmendur edhe siguruam Buxhetin për të transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Për agjendën evropiane, kryeministri Mustafa veçoi nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si një marrëveshje tepër e rëndësishme kontraktuale për Kosovën, pastaj raportin pozitiv dhe të fundit lidhur me liberalizimin e vizave, duke shtuar se tani pritet vetëm rekomandimi për këtë proces.
Më tej, kryeministri Mustafa foli edhe për rezultatet e dialogut në Bruksel, duke veçuar zhbërjen e integrimin e “Mbrojtjes Civile” që ishte në veri të Kosovës.
“Kemi pasë shumë kontakte me vendet e Bashkimit Evropian, kemi pasë kontakte me NATO-n dhe vendet anëtare të NATO-s sa i përket transformimit të FSK-së. Është arrit marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e cila është kundërshtuar nga opozita, por e cila do të zbardhet tërësisht dhe nuk do të mbetet asgjë e dyshimtë dhe kontestuese për qytetarët, dhe çdo gjë, çdo pretendim do të zgjidhet me Malin e Zi. Dhe po ashtu kemi arritur të sigurojmë përmes programit IPA 2, 645.5 milionë euro deri në vitin 2020, të cilat do të shfrytëzohen edhe në programe të zhvillimit ekonomik, edhe të demokratizimit dhe të përgatitjes së administratës, në mënyrë që ajo të jetë e reformuar dhe të punojë. Kemi themeluar edhe Këshillin Konsultativ për Investime, i cili këshill së paku do të implementoj rreth 60 milionë euro nga programi IPA për çdo vit”, tha Mustafa.
Po ashtu, vijoi ai, vlerësoj se janë bërë edhe reforma thelbësore dhe suksese thelbësore edhe në fushën e arsimit dhe fushën e shëndetësisë.
“Janë dy fusha tepër të rëndësishme për ne, të cilat ne nuk i konsiderojmë vetëm si fusha sociale, por në radhë të parë edhe si fusha zhvillimore dhe ekonomike, sepse një shoqëri e arsimuar mirë, është një shoqëri e cila është bazë e zhvillimit ekonomik, dhe po ashtu një shoqëri e shëndoshë është një shoqëri e cila i nevojitet zhvillimit ekonomik dhe perspektivës ekonomike të vendit tonë”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri i Kosovës ka falënderuar përzemërsisht gazetarët dhe të gjithë përfaqësuesit e mediave për bashkëpunimin, duke i siguruar se edhe vitin e ardhshëm qeveria do të jetë plotësisht e hapur dhe do të trajtojë me seriozitet maksimal të gjitha vërejtjet, sugjerimet, në mënyrë që të gjitha ato të shërbejnë për një perspektivë më të mirë të vendit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosova ne 2015-ten, vendime te medha dhe reforma

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT