Ambasadori Lu në Vlorë: Më shumë vëmendje viktimave të trafikut njerëzor/Ambasadori amerikan Donald Lu ishte këtë të mërkurë, data 16 nëntor në Vlorë, ku mori pjesë në një takim me studentë të universitetit Ismail Qemali, me të cilët diskutoi mbi trafikun e qënieve njerëzore dhe parandalimin e kësaj veprimtarie kriminale. Në fjalën e tij, ambasadori e vuri theksin tek nevoja për dënime më të rënda për trafikantët dhe për një bashkëpunim më të ngushtë polici-prokurori. “Kemi shumë punë për të bërë. Policia dhe prokurorët duhet të punojnë më ngushtë së bashku për të identifikuar viktimat e trafikimit.Trafikantët duhet të jenë përgjegjës me dënime më të gjata në burg dhe viktimat të kenë të drejta të plota dhe mbrojtje. Qeveria vendore mund të bëjë më shumë duke mbështetur integrimin e viktimave të trafikimit dhe t’u ofrojë ndihmë”, theksoi zoti LU. Vlora, nënvizoi ambasadori Lu, mbetet një komunitet që ka vuajtur nga trafikimi i qënieve njerëzore, ndaj kërkoi më shumë mbështetje për personat e trafikuar. Trafiku i qënieve njerëzore mbetet ende shqetësues për vendin tonë. Vetëm në 5 vitet e fundit janë regjistruar 560 viktima të trafikut, 24 për qind e të cilëve fëmijë, të cilët bien lehtësisht pre e kërcënimeve të trafikantëve. {Sh.K}.