• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VILAJETI I KATËRT

March 1, 2015 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Deputetët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi, në një vizitë të këtyre kohëve në Prishtinë, iu ankuan opozitës për gjendjen e rëndë politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në trojet e tyre në këtë Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe për rolin të cilin duhet ta kenë Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në përmirësimin e pozitës dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje. Konkretisht ata theksuan se shqiptarët atje ballafaqohen me një mori të pafundme problemesh që prej diplomave të fakulteteve, të cilat nuk u pranohen nga Serbia, e deri te mungesa absolute e përfaqësimit proporcional në gjyqësi dhe polici. Deputetët ngrenë zërin me të drejtë se kjo është në shpërputhje të plotë me koncesionet të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës po i bën në këtë fushë, sikur në fushat tjera, ndaj Serbisë. “Asnjëherë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka ngritur në Bruksel shtypjen dhe diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, theksuan deputetët.
Lugina e Preshevës, hapësira shqiptare më verilindore, ka një sipërfaqe prej 1 249 kilometrash katrore dhe një popullsi të përgjithshme prej 100 000 banorësh. Ajo përbëhet nga tri komuna: komuna e Preshevës, e banuar rreth 95% me shqiptarë, komuna e Bujanocit, e banuar rreth 65% me shqiptarë; dhe komuna e Medvegjës, e banuar rreth 35% me shqiptarë. Në bazë të marrëveshjes së 21 majit 202, kjo hapësirë duhej t’i fitonte një mori të drejtash kombëtare dhe lirish themelore, por ato vazhdojnë t’u mohohen shqiptarëve nga ana e Beogradit.
Riza Halimi (lindur në Preshevë më 1947), mësues fizike që kaloi në politikë sapo u lejua pluralizmi politik, kur krijoi Partinë për Veprim Demokratik, u zgjodh më herët kryetar i komunës së Preshevës, ndërsa deputet i Luginës së Preshevës në Parlamentin e Republikës së Serbisë është zgjedhur më 2007, 2008 dhe 2012. E njoh personalisht Riza Halimin që në fillimet e tij politike dhe jemi tekuar disa herë, më parë në Shqipëri dhe pastaj në Perëndim. Është një politikan shumë i përgjegjshëm dhe tejet i përkushtuar e i vendosur në misionin plot me sfida që ia jep vota e shqiptarëve.
Shaip Kamberi (lindur në Bujanoc më 1964) u shkollua për jurist në Prishtinë, ishte veprimtar i të drejtave të njeriut para se të kalonte në politikë, si nënkryetar i Partisë për Veprim Demokratik, më herët ishte kryetar i komunës së Bujanocit, derisa, më 2014 u zgjodh për herë të parë deputet i Bujanocit në Parlamentin e Republikës së Serbisë. Edhe Kamberi është një politikan me përvojë dhe i suksesshëm.
Ndërkohë, qeveria e Malit të Zi, pa dijeninë e shqiptarëve të Vuthajve, popullsi vendase shumicë, ka riaktualizuar projektin për ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Gërllë. Para një jave vizituan për këtë qëllim komunën e Gucisë ambasadori austriak në Podgoricë dhe përfaqësuesit e firmës austriake së cilës i është dhënë me koncesion hidrocentrali, natyrisht, siç shprehen me shqetësim shqiptarët, pa e pyetur fare popullatën vendase të fshatit Vuthaj, pa marrë parasysh pasojat ekologjike negative që do të shkaktonte realizimi i tij.
Lidhja Demokratike e Malit të Zi, subjekt kryesor politik në këtë vend, iu ka bërë thirrje të gjithë faktorëve shqiptarë të atjeshëm të kundërshtojnë projektin dhe të bashkohen në mbrojtje të natyrës dhe të ekonomisë se zonës. Kjo parti, për këtë qëllim, sensibilizon pushtetin komunal, atë qendror, firmën koncesionare dhe ambasadën austriake, ambasadën e Shqipërisë, përfaqësitë diplomatike të vendeve të BE-së në Podgoricë.
Shqiptarët në trojet e tyre në zonën e Plavë-Gucisë vitet e fundit disa herë janë përballur me uzurpime të tokave të tyre për ndërtime kishëtare, duke shkuar në konflikte të hapura deri në përleshje me policinë dhe arrestime, burgosje, torturime, keqtrajtime të tjera. Prej shumë vitesh shqiptarët e Tuzit kërkojnë shkëputjen nga komuna e Podgoricës dhe formimin e komunës së tyre. Me sfida të tjera të shumëllojta përballen shqiptarët e Ulqinit, të Tivarit, të Rozhajës.
Shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë sot 7,1% të popullsisë së republikës. Me votën e tyre të 21 majit 2006 ata ishin vendimtarë në fitoren e referendumit, nëpërmjet të cilit Mali i Zi mori pavarësinë. Në shkëmbim të kësaj vote, shqiptarëve të Malit të Zi iu premtua realizimi i të drejtave të mohuara që nga viti 1878, kur trojet e tyre u shkëputën padrejtësisht nga Shqipëria.
Ndërsa është e parakuptueshme që shqiptarët në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë t’i kenë mundësitë e mjaftueshme për t’i mbrojtur të drejtat e tyre kombëtare dhe për t’i realizuar liritë e tyre themelore, këtë mundësi e kanë të kufizuar shqiptarët në trojet e tyre në Luginën e Preshevës, hapësirë e përfshirë në Republikën e Serbisë, shqiptarët në trojet e tyre në Plavë-Guci, në Rozhajë, në Podgoricë, Ulqin e Tivar, hapësira këto të përfshira në Republikën e Malit të Zi. Etj.
Sfida e përhershme me të cilën përballen shqiptarët në hapësirat shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, Republikës së Maqedonisë është mirëfilli tipike sfidë e mbijetesës në kushtet e një politike që synon defaktorizimin e tyre sa më ekstrem, në mënyrë që të detyrohen të largohen nga fshatrat dhe qytetet e tyre të lindjes dhe zbrazëtinë e tyre ta mbushin banorë nga popullsitë shumicë të republikave përkatëse.
Politikës së defaktorizimit të gjithanshëm ekstrem nga Beogradi, Podgorica e tjerë është e rëndësishme që t’i kundërvihemi me politikën tonë të faktorizimit të gjithanshëm të shqiptarëve në çdo hapësirë, në trojet e veta mijëravjeçare. Kjo do të thotë faktorizim politik, faktorizim ekonomik, faktorizim kulturor, faktorizim shpirtëror.
Me interes është për ne edhe krahina e Sanxhakut të Tregut të Ri (Novipazar), në Republikën e Serbisë, zemra e së cilës ka filluar të dëgjohet sërish shqip. Kjo krahinë është vazhdim i drejtpërdrejtë i gjeografisë sonë, në pikën më veriore të saj, e kufizuar me Kosovën.
E ndodhur brenda hapësirës shqiptare, në Maqedoninë Lindore, ndodhet një zonë e konsiderueshme e ortodoksëve shqipfolës. Edhe në këtë zonë ka shenja konkrete të kthimit të kujtesës kombëtare.
Iluminizmi kombëtar meriton të përkrahet kudo që të shfaqet. Po ashtu meriton interesimin tonë elementi shqiptar kudo që ndodhet në vendet e kufizuara me kombin tonë.
Këto janë detyrime që i ka çdo komb ndaj vetvetes. Kombet e kuptojnë këtë sa më të vetëdijshme që bëhen.
Na takon ta ruajmë dhe ta forcojmë substancën tonë kombëtare atje ku ajo është më solide dhe ta rigjenerojmë, ta përtërijmë e ta ripërtërijmë atje ku ajo është më e dobësuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Skender Bucpapaj, VILAJETI I KATËRT

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT