• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RIKTHIMI I ISMAIL QEMALIT NGA PERTEJ JETA

December 15, 2012 by dgreca

Për romanin më të ri të shkrimtares së mirënjohur, Vilhelme Vranari (Haxhiraj)/

Nga Bedri Çoku/

 Rikthimi i Ismail Qemalit” nga përtej jeta, e lexova me një frymë në romanin e bijës së shquar të Kaninës, Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj), një penë e rrallë në historinë e letërsisë sonë, e cila, për 16 vjet ka nxjerrë nga shtypi mbi tridhjetë libra, romane, novela tregime, ese e tjerë. Pa llogaritur artikujt e saj “të dëshpëruar” posaçërisht për mbrothësinë e vendit në tranzicionin e tejzgjatur të demokracisë së ashtuquajtur parlamentare, pluraliste. E lexova me një frymë aspak i nxitur nga parathëniet, në këtë libër, të dy njerëzve të shquar të mendimit intelektual, përkatësisht Dr. Fatmir Terziu dhe Prof. Dr. Eshref Ymeri, të cilët, të them të drejtën, si njerëz të lartësuar në fushën e letërsisë, janë përpjekur boll, si e si, të pajtojnë ose të përqasin figurën madhore të Ismail Qemal Bej Vlorës, me përshkrimin e penës të së talentuarës Vranari, portretizimin që ajo i bën artistikisht njërit prej personaliteteve më të mëdha e të vështirë të kombit tonë, por gjithsesi, në mënyrë lavdëruese. Pa guxuar as njeri, as tjetri të hyjë tek nevoja që ka pasur shkrimtarja për të ngritur nga varri “Babanë e Kombit” dhe t’i rrëfehet atij (nëpërmjet gojës së dy të rinjve) për gjithçka ka ndodhur e po ndodh sot me popullin, për të cilin ai sakrifikoi e bëri aq shumë sa ishte gjallë e me këmbët mbi tokë.

Në promovimin e këtij libri, i pari i këtij lloji, i cili ka meritën e padiskutueshme që na i sjellë të gjallë, artistikisht madhështorin Ismail Qemal Bej Vlorën, ndoshta jo në lartësinë e një diplomati apo shtetari të rangut që ishte ai për kohën, por të një prindi, apo të një edukatori, që na ngushëllon, miklon me këshillat dhe porositë e mençme e të ngrohta të një plaku fisnik e atdhetar.

Në fjalën time që m’u rezervua me respekt në atë tubimin e jashtëzakonshëm, me pedagogët dhe studentët e universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, nuk i thashë të gjitha fjalët e mia të zemrës për këtë vepër të mrekullueshme artistike me vlera të rralla edukuese për brezin e ri. Vetëm se ishte koha e kufizuar, siç më thanë. Më ngelën pa thënë, p.sh. se romani në fjalë nuk ishte shkruar vetëm me qëllim për të risjellë Ismail Qemal Bej Vlorën, në memorien e lexuesve të dashur të shkrimtares, dekoruar  me Urdhrin “Mjeshtri i madh i penës”, por një nevojë e domosdoshme e saj për t’u rrëfyer për brengat dhe problemet e mëdha që ka pasur e ka populli ynë qysh nga shpallja e Pavarësisë, me të cilat shkrimtarja u përballë dhe po përballet vetë dhimbshëm. Duke iu rrëfyer “Babait të Kombit”, shkrimtarja beson se tek ai mund të gjejë njeriun e vetëm që do ta kuptonte, si askush tjetër i vdekur apo i gjallë, marrë aq shumë me punët e kombit e të shtetit shqiptar. E ardhur nga një familje historike e popullit të vet, stërmbesë e Aranitit të Madh, vjehrrit të Skënderbeut Legjendar, ajo nuk rreket të na përsërisë në librin e shkruar gjëra që i tregon historia, ndryshe nuk do të kishte marrë guximin për të na i sjellë formuesin e kombit e të shtetit të parë shqiptar, ashtu siç e donte ajo. Me fantazinë e shfrenuar të një artisteje e ngre nga gjumi shekullor burrin e madh të shtetit shqiptar dhe e shëtit nëpër rrugët e Vlorës, jo pa qëllim. Që ai të shohë ndryshimin e madh të vendlindjes, por ndërkohë edhe të mësojë ç’ka ndodhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, gjatë kohës që ka munguar. Ndoshta për të parë ato gjëra që nuk mundi t’i bënte në kohën e tij, por edhe për ato që duheshin bërë ndryshe ose edhe për ato që janë bërë gabim. Mjeshtëria e shkrimtares nuk qëndron tek aftësia e saj për të na treguar pamjen apo karakterin e vërtetë të njeriut që bëri epokë në historinë e kombit tonë, por tek interesi që ka lexuesi çfarë ai na thotë për të “Djeshmen” dhe si reflekton ndaj të tashmes. Ky është, mendoj unë, sekreti që shkrimtarja na i mban fshehur mjeshtërisht midis dialogëve të Ismail Qemal Bej Vlorës, me dy të rinjtë, njeri prej të cilëve është student i universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

I trishtuar nga rrëfimet e studentit për çka i tregon lidhur me regjimet, nëpër të cilët shqiptarët kaluan këto njëqind vjet dhe nga koha e largimit të tij nga kjo jetë, diktatura komuniste e trishtoi më shumë babanë e kombit. Por si burrë i mençëm e me përvojë të madhe që ishte, përgjigjet:

– Të mençurit nuk thonë kot: “Ruaju nga lufta brenda llojit , sepse është e tmerrshme, pasi të çon në urrejtje dhe hakmarrje pa fund”. Kam parasysh tmerret që po më thua dhe ndjehem tejet i tronditur. Tani e kam të qartë mosbesimin tuaj tek e tashmja dhe e nesërmja. Kur të kanë bërë një mijë e një të zeza, edhe kur të troket lumturia, që ndoshta vetëm njëherë të vjen në jetë, ti ke frikë t’ia hapësh derën menjëherë. E marrë me mend se sa e vështirë është t’ia nisësh sërish nga e para në këto kushte pasigurie.

Janë pikërisht këto padrejtësi që hasen në rrugën e jetës sonë – vazhdon studenti – shkaku që shqiptarët ndjehen të lodhur, të drobitur e të zhgënjyer. Ndaj vjen një çast dhe kërkojnë drejtësinë dhe dashurinë e munguar në kohë. Po ku, ku ta gjejnë vallë? Nuk dinë më se kujt t’i besojnë, sepse jo vetëm i kanë mashtruar, por edhe janë vetëmashtruar nga njohja e pamjaftueshme e realitetit.

– Duket haptazi, se ju keni nevojë për dashuri, i përgjigjet burri i mençëm. Që të shembet ky mur betoni, krijuar mes këtij realiteti dhe ndërgjegjes së ndotur, çdo njeri duhet të shohë brenda vetes, për të zbuluar gabimet e veta. Atëherë është në gjendje t’i bëjë mirë vetes dhe t’u bëjë mirë edhe të tjerëve.

-Po për vuajtjet çnjerëzore kush do të përgjigjet vallë? (Në diktaturë, B. Çoku). Njerëzve u iku jeta, rinia, u ngriu buzëqeshja, u venitën ëndrrat, iu shuan shpresat, nuk e njohën kurrë lumturinë, madje nuk dinin më edhe pse merrnin frymë.

– Bir, në të gjithë historinë botërore tragjeditë e kombeve të vegjël dalin nga portat e shteteve të mëdha. Mjerë kush është i vogël dhe lum kush është i duruar…

Jo më kot autorja provokon bisedat të tilla me këtë temë, me babanë e kombit, pikërisht stërmbesa e shqiptarëve të shquar, të cilën e ka lajtmotivin e të gjithë përmbajtjes së romanit, sepse “gjuha shkon te dhëmbi që dhëmbë”. Pse, kujt tjetër mund t’i ankohej kjo grua me zemër të madhe e kombit të vet, padyshim nga më të shquarat ndër gratë e talentuara dhe humane që ka nxjerr toka jonë, teksa ende nuk e ka gjetur qetësinë shpirtërore për të provuar, mes atyre shqiptarëve që, posi ajo vuajtën kalvarin e regjimit komunist, se një ditë e vërteta dhe drejtësia do të triumfojë?

Unë kam shpresë dhe besim se në të ardhmen shkrimtarja do të vazhdojë të na mallëngjej e të na edukojë me praninë e Ismail Qemal Bej Vlorës, duke “shëtitur” me të edhe jashtë nahisë së Vlorës e Kaninës së bukur, ndër vise të tjerë po kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse erdhi koha, më së fundi, që t’i kemi kaq pranë paraardhësit tanë të shquar, me fjalët dhe këshillat e tyre shumë të vyera për një të ardhme më të ndritur.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bedri Coku, Ismail Qemali, Vilhelme Vranari

VRANARI PROMOVOHET NE UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI”

December 9, 2012 by dgreca

Universiteti “Ismail Qemali” promovon botimet e vitit 2012 të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj/

Nga Saimira Konda/

E quaj veten të nderuar dhe të privilegjuar që pasqyroj një takim letrar sa të bukur dhe tejet produktiv të një zonje të respektuar, e vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Nuk e tepëroj me entuziazmin tim, pasi referuasit apo moderatori u pritën me duartrokitje nga të pranishmit.
Dje më 7/12/2012, ditën e premte, në orën 11, në sallën e Konferencave në Universitetin “Ismail Qemali” me nismën e Z. Bujar Leskaj (ish Ministër i Kulturës) dhe nën drejtimin organizativ të Rektorit të këtij tempulli dijeje, Prof.Dr. Albert Qarri, u promovuan tre libra të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, ku u prezantuan 4 botime të vitit 2012. Theksoj 4 botime, pasi romani “Rikthim i Ismail Qemalit” është botuar dy herë. Botimi i parë u bë nga Sh. Botuese”LULU” (USA),nën kujdesin e Dr. Fatmir Terziut – Londër. Kurse ribotimi u bë nga Sh. Botuese “Nacional”.
Moderator i takimit ishte Z.Fitim Haxhiraj.

Librat që u analizuan dhe u bënë të njohur për të pranishmit  janë:
1- “Rikthim i Ismail Qemalit” -roman
2-“Çmimi i Dualizmit “-novelë
3- “Bashkë në dashuri dhe  atdhetari” studim, që u botua në Bukuresht nën kujdesin  e plotë (tekniko-financiar) të Z.Baki Ymeri.
Ky takim ndryshe nga promovimet e tjera të shkrimteres Haxhiraj kishte një vlerë të veçantë pasi u bë në prani të mëse 300 studentëve.Morën pjesë përfaqësues të: Ministrisë së Kulturës, Zv/ministri Abaz Hado, ish ministri i Kulturës, Z.Bujar Leskaj(Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me përfaqësues të Qarkut Vlorë ,sekretari i Qarkut Vlorë Z. Ridvan Mersimi, Drejtori i Drejtorisë Arsimore Vlorë, Z.Ermal Xhelili,përfaqësues të  shoqatave, “Ismail Qemali”, “Ali Asllani”,”Dukati”,”Labëria”, “Kanina”, “Shoqata e të persekutuarëve”, shkrimtarë dhe lexues të autores.

Moderatori Fitim Haxhiraj, pasi falenderoi Rektorin e Universitetit, z. Bujar Leskaj, Zv/ministrin Hado, Sekretarin e Qarkut, Z.Ridvan, drejtorin e arsimit Z. Xhelili studentët dhe pjesëmarrësit, për këtë takim në Universitetin që mban emrin e Ismail Bej Vlorës, burrit të shquar të kombit, themeluesit të Pavarësisë dhe shtetit të parë shqiptar, citoi këto vargje të kënduara në Labëri:

“Moj Vlorë,

    moj strehë  xheneti,

       Doli e foli prefekti,

       Osmën Haxhi Muhameti:

       Të mblidhet gjithë mileti

       Se vjen Qemali nga deti”

“Labëri”

Fjalën e çeljes e mbajti Rektori i Universitetit, Z. Qarri, i cili e quajti domosdoshmëri takimin me një shkrimtare të tillë me përmasa tej kufijëve tanë shtetëror me studentët e Universitetit. Ai e quajti të rëndësishëm futjen e letërsisë bashkëkohore në institucionet  e arsimit dhe Kulturës për një edukim dhe drejtim ndryshe studentëve dhe brezit të ri.
Më pas, Prof.Dr . Bardhosh Gaçe “Mjeshtër i Madh” bëri analizën e romanit “Rikthim i Ismail Qemalit”dhe nxori në pah vlerat e tij, referat që do ta japim të plotë, fjalën e të cilit moderatori Haxhiraj e përshëndeti me disa vargje krenarie pr të shoqen:

“Zoti i madh që je lart.

Ma bëre dhuratë mua.

I lumtur që e kam shoqe

I nderuar që e kam grua!”

Fitim Haxhiraj
Bedri Çoku ardhur enkas nga Tirana, foli për vlerat e Vilhelmes si shkrimtare, së cilës ia mohuan të gjitha të drejtat humane apo si një nga gratë e para , që theu frikën e punoi në fushën sociale për demokracinë tonë të brishtë, për emancipimin e shoqërisë dhe veçanërisht në integrimin e gruas, ka luftuar dhe vazhdon të luftojë me letërsinë e dhe publicistikën e saj për barazi gjinore si dhe zbutjen e problemeve sociale . Z.Bedri Çoku theksoi se asnjë shkrimtar tjetër ,jo në 16 vjet por as në 68 vitet e pasluftës, si Znj. Haxhiraj që i ka dhuruar lexuesit 32 libra, me mijëra faqe , gjë për të cilën e falendereoj. Si Vilhelmja nuk ka tjetër në Shqipëri, është unikale.Ndaj pa droje jam i lumtur që e quaj “Shkrimtarja e Kombit”.

Nxënësja e shkollës së mesme “Orikum” Brixhid Çeloj, përshëndeti takimin me poezinë në hyrje të romanit, e cila me deklamimin e bukur, bëri gjithë auditorin të ngërthehej pas fjalëve të saj shprehëse.

“E Djeshmja”

Iku…

si ku kështu?!

Mbeti diku…

në rrugët e drobitura,

nën peshën e kohës.

La pas të qeshurat,

gëzimin,

dhembjen…

dhe zhgënjimin që lë mohimi.

Harroi përleshjet mes epokave.

Shpërfilli

ngërdheshjet demoniane,

hakërrima zagarësh…

lajkat servile…

buzëqeshjet hipokrite…

dhe me pluhurin e shekujve i mbuloi…
Ajo që iku dje,

vazhdon të çapëlojë

këmbëzbathur …

e përbaltur…

e lodhur…

e sfilitur…

Në shinat e jetës

bashkëudhëton me të sotmen,

rrugën e Nirvanës i tregon…

E sotmja …kapur për dore,

të dyja i ngërthen…

dilemën që nesër pritet të vijë

me gungaçen e zymtë që shkoi…

Buzëqeshjen…

shpresën…

të bukurën e rilindur…

mes dallgëve zulmëmëdha të jetës…

në një pikëkohë …e tashmja i bashkon!”

Vivra
Z.Ahmet Demaj, mësues, Kryetar i Sh.” Labëria”, autor i librit”Burimi që s’fal”,para se të bënte analizën e novelës “Çmimi i Dualizmit”,tha: “Z.Fitim Haxhiraj e kam njohur si qytetar, si artist, koreograf e kërcimtar, apo aktor, kohët e fundit si menaxher i letërsisë së bashkëshortes, znj.Vilhelme, kurse sot po njoh një moderator të shkëlqyer. Pas analizës së novelës, u shpreh duke pyetur: “Kjo novelë, këlthet ulërin:’ O njerëz, çfarë jemi dhe ku po shkojmë?” dhe më pas vazhdoi: “Kjo ngjarje mos ndodhtë në Shqipëri…larg nga vendi im, larg nga qyteti a fshati im, larg nga lagjia ime dhe larg nga shtëpia ime…!”

Ndërsa Z.Bajram Koshena pasi dhe mendimin për vlerat letrare të krijimtarisë së Vilhelme Vranarit, ku ai gjente veten, përshëndeti me  një poezi kushtuar autores:

 

Lulja që mbiu në gur

 

Në agun e qiellit arbëror

Kur nata ra…

mbi qiellin blu të vendit blu,

dhe maleve shkrepin vetëtima

Rrënjët …

Ti fort i mbolle mbi gurë,

Atje…,

ku lindin vetëm trima.

Mbi kalanë e lashtë

të Kaninës Zonjë…

u rrite …hodhe shtat,

detet e kaltër ta lanë ball

ti emrin e saj e ngrite lart.

S’të trembën vitet e përgjakur

fjala jote…

mes territ çeli si dritë

mirësi…

shpresë shpërndau anekënd,

edhe pse të keqen barbarët

mbillnin për çdo ditë,

Ti shpërfillëse

të ardhmen e brishtë po gdhend.

Lule je

në ballkonin mbi Vlorë,

fjala aromë mirësie

kë kundërmon në çdo vend

sikur Zoti…

të paska dërguar me dorë.

Si rreze drite, ngjyrë ergjënd

fjala jote

si ujëvarë që zbret nga mali

mendjekthjellët..

nën shkëlqimin diellor,

e shtrenjta jonë, Vilhelme Vranari,

je si rreze drite…

në agimet e qiellit arbëror!

Ish i burgosuri politik,qytetari fisnik,Anëtar Nderi i Sh.”Ali ASllani”,Z.Shaban Xhyheri, përmes fjalëve të tij si i moshuar përcolli te studentët mesazhe e dukimi mbi vlerat e një letërsie bashkëkohore, ku shkrimtarja i bënë radiografinë dhe autopsinë shoqërisë dje edhe sot. Lexoni letërsinë e saj që të njihni të vërtetën për Shqipërinë dhe shqiptarët. Moderatori Haxhiraj e përshëndeti me vargjet:

“Kështu lufton shqiptari,

për mëmëdheun e tija,

ndaj e gjithë bota thonë :

“atje buron trimëria!”

Zv/ministri Abaz Hado përgëzoi takimin e mrekullueshëm, uroi për vlerat e kësaj shkrimtareje të famshme brenda kufijëve tanë tokësor, në trevat shqiptare. E vlerësuar me çmime edhe jashtë vendit, në formë autoktritike pranoi mungesën e futjes së letërsisë moderne, veçanërisht të zonjës së nderuar Vranari për t’u studiuar nga nxënës dhe studentët tanë. E mori si detyrë për të ardhmen.

Nxënësja e gjimnazit të Orikumit, Marsela Seferi uroi shkrimtaren dhe përshëndeti të pranishmit me poezinë në ballinën e fundit të romanit. E ulur në gjunjë, ajo vajzë e re 16-17 vjeçe, iu fal qytetit “Nder i Kombit”mes duartrokitjesh për qytetin ëndërr.

Të falem , o Vlorë

 

Të falem …

ty Vlorë!

O qytet i Diellit,

ty…Parajsa,

ku kanë folenë Perënditë…

Adriatiku i kaltër…

të dhuroi mirësinë…

Joni blu i thellë…

me të tepërt të fali bujarinë…

Kodrat me agrume e ullinj…

dhuratë e vyer për begati.

Të pyes moj fatmadhe:

-a gjendet ndokund..

një tjetër Perlë margaritare…

si ti ?!

 

Ndaj Zoti…

me bujari të përkëdheli…

sepse të ka pasur …

dhe përjetësisht të ka

“Të Përzgjedhurën e tij…”

 

Unë…

bija jote të përgjërohem,

sot e përgjithënjë,

se kurrë nuk do të të ndërroj

me asnjë thesar të gjithësisë…

 

Të lutem,

më thuaj,

o qytet ëndërr…

a mund ta gjej vallë …

tjetërkund…

si ti një tjetër mrekulli ?! 

                 Vivra

Iniciuesi i takimit, biri i Vlorës Z. Bujar Leskaj i bëri një analizë prurjes letrare dhe cilësore të autores. Kujtoi promovimin e trilogjisë “Vështroni Meduzën”më 2005, kur ishte Ministër i Kulturës, e kam quajtur Zonjën Vranari “Musine Kokalari e Vlorës” kurse trilogjinë “Saga e Vranajve”.Ajo që ka shumë vlerë është ballafaqimi që i bën autorja të vërtetës së hidhur. Nga romani ai udhëtoi bashkë me Ismail Qemalin nëpër vite duke pasqyruar vlerat e diplomatit të shquar, fisnikut të mençur që pas Skënderbeut themeloi shtetin e parë shqiptar. Si Skënderbeu për kohën e vet, edhe Ismail Bej Vlora kanë vlera të pallogaritshme dhe janë të papërsëristshëm. Vilhelmja na e solli të gjallë në këtë 100 vjetor., gjë që nuk e bëri asnjë tjetër: Ndaj kritiku i mirëfilltë Dr. Fatmir Terziu dhe Prof. dr.Eshref Ymeri e kanë quajtur“E munguara në letrat shqipe”

 Së fundmi shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj shprehu falenderimet për të pranishmit, iniciues dhe organizatorë, si dhe lumturinë e saj që ky promovim u bë mes studentëve, pasi para së gjithash ajo është mësuese.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ismail Qemali, Saimira Konda, Universiteti, Vilhelme Vranari

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT