Ne Foto:Fehime Pipa, Arshi Pipa, Mithat Gashi, Washington D.C. Qershor 1996./
Nga Mithat Gashi/
Në librin e tyne “Intellectual Virtues,” Roberts dhe Wood (2007), ndër të tjera, rreshtojnë disa virtyte cerebrale të inteligjencës njerëzore.Ndër këto janë:
1) dashunia për ta ndjekë dijen;
2) guximi intelektual;
3) qëndrueshmënia ndaj bindjeve kur ke fakte dhe arsye edhe kur ato nuk janë popullore;
4) përultësia – mos me shkarravitë a me shkrue për me ra në sy, por se ke diçka thelbësore që don më e thanë;
5) autonomia – kur nuk pranon çdo lloj ideje pa e sitë mbarë e mirë. I rendita këto virtyte, sepse ma kanë sjellë ndër mend karakterin e profesor Arshi Pipës. Arshi Pipa e ka dashtë dhe ndjekë dijen. Ai kurrë nuk ka qenë i lëkundshëm në karakter dhe në mendime. Si rrallë kush, u ka qendrue besnik bindjeve të veta. Si intelektual i përgjegjshëm, Pipa kurrë nuk ka shkrue për me u dukë, por ka dashtë me e publikue atë çka ai thellësisht, ka mendue se asht thelbësore për t’u thanë. Profesor Pipa ka qenë mendimtar i pavarun, në kuptimin e plotë të kësaj fjale; nuk ka pranue çdo lloj ideje pa e futë në sitën e vet të arsyes dhe llogjikës.
Në temën e sotme, unë do të përqendrohem tek virtyti i guximit intelektual të Profesor Arshi Pipës, dhe për të ilustrue guximin e tij intelektual, do të jap vetëm pak shembuj tue i bâ nji vështrim veprave të tij në: poezi, kritikë letrare, gjuhësi, analiza politike, si në publicistikë dhe veprimtari.
Roberts dhe Wood (2007) theksojnë se forma ma e dukshme e guximit intelektual asht rezistenca në mbajtjen e pikëpamjeve jopopullore. Për të mbërri në konkluzionin e pikëpamjeve jopopullore, duhet të merren në konsideratë të gjitha faktet dhe anët e argumentit.
Kur Arshiu ishte i ri, ideologjitë marksiste kishin penetrue në rininë shqiptare, sidomos në Korçë dhe Shkodër. Pushtimin e Shqipnisë nga Italia komunistët e shfrytëzuen më rritë radhët e tyne. Siç pohon edhe vetë Pipa, elementë të ndryshëm u munduen me e futë në radhët e komunistëve, por aj, tue përdorë synin kritik dhe intuitën, dijti të dallojë të keqen prej të mirës. E pa qysh herët që komunizmi nuk asht sistem i mirë për njerëzimin. Dhe për kët arsye nuk e pranoi atë idelogji.
Tash po jap disa ilustrime të shkurta të guximit intelektual të Pipës në fushat që përmenda ma parë:
Poezia e Pipës
Në “Libri i Burgut”, jo vetëm që në kohën ma të vështirë Pipa merr guximin me i bâ kritikën e duhun sistemit komunist, por ai i len historisë së letërsisë shqipe nji testament mbi krimet e komunizmit. Në parathanien e këtij libri, shkrue në vitin 1958, ai tregon se zgjodhi vargun, jo sepse vargu asht sintetik dhe zen vend ma pak, por donte të paraqiste jehonën e shpirtit tue kapë momentet e realitetit, ose siç shkruen ai vetë: “me ruejtë çasin, çasin vështrimplotë, herë mbas here, në mënyrë qi ndija e kohës, e asaj kohe, të mbetej e gjallë.”
Nji prej përshkrimeve të këtij realiteti asht “Kanali” që tregon vuejtjen e të burgosunve në Kampin e Vloçishtit.
Poeti shkruen:
Kanali
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamas mbi krena e shroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
Kur rojeve u tekej me u zbavitun
Merrshin ndokên nga puna, zakonisht
Fetarë a njerëz shkolle, dhe me bisht
Lopate u hyjshin sa t’ishin mërzitun.
Mandej nji doç i hypshin mbi kërbisht
Qi e ngitte posi kalin tu’ e shetitun
Përgjatë kanalit, “hyja!” tue i britun…
E ja diftojshin puntoris me gisht:
“Sabotator i poshtër! klysh i Carit!
Sabotoni po deshët ju të tjerët!…”
Zgërdhiheshin, ngërdhesheshin. At’herë
dy-tre zuzarë ma t’lig, shokët e t’parit,
shtymjen i jepshin n’gjol qi nga skarpati,
dhe t’qitmen kryet me hunj i rrijshin gati.
Në “Kështjelli” ku përshkruen jetën e burgut në Gjirokastër, Pipa shkruen:
“Kush e mendonte se prej ktij kështjelli/do ta soditsha rishtas pamjen tande”.
“kur me prindin erdha/te shpija e etnëve.
E shumta u dogjën. Nuk i dogj i hueji, /Greku, Italjani, por banori i tyne/Gjatë luftës qytetare…
26 vjet mbas shembjes së Murit të Berlinit, propaganda komuniste ende e glorifikon “Luftën Nacional Çlirimtare”. Pipa e ka shkrue në poezi qysh në vitin 1950, kur ishte në burg, se ajo ishte luftë qytetare, pra luftë civile.
Nëpër burgje, të burgosunve u banin edukim politik. Mbi këte, Pipa shkruen,
“Na thonë se sot na miq i kemi Grekët, /se jemi lidhun kundër komunizmit/me ta për nji qellim!…
Dhe në pjesën tjetër të strofës, ban pyetjen:
“Shqiptarë, a i njifni? /Harruet Hormovën? Kristo Negovanin, /shërbëtorin e Zotit e t’atdheut/therun me thika? Egzodin çam harruet?
Në pjesën përmbyllëse të kësaj strofe, Pipa deklaron:
Jo, nuk e due lirín qi m’falë anmiku!/Ma parë kalbem e vdes ndër kto bodrume/se me shpërblye kamatën e lirimit/me turpin e nji heshtjeje tradhtare!
Mund të gjejmë plot vargje të tjera ku shprehet guximi intelektual i Pipës në poezi.
Kritikë letrare
Arshi Pipa asht themeluesi i kritikës letrare shqiptare. Qysh në moshë të re, e pa se ndër letrat shqipe ekzistonte edhe boshllëku i kritikës letrare. Për këtë arsye, ai argumentoi se nuk duhet të çuditemi që nuk kemi kritikë shqipe, sepse “mungon materiali për t’u kritikue.” Në vitin 1944 nxori në botim revistën “Kritika” të cilën e drejtoi vetë. Në numrin e parë të kësaj reviste, në faqen 27, Pipa shënon se revista ka për qellim me botue në pjesën e parë prodhime origjinale dhe përkthime dhe në pjesën e dytë, kritikë lerare. Mbi kritikën letrare, Pipa shkruen: “N’art e ndër letra, në shkencë e në filosofi, e deri në fé, kritika asht baza e çdo ndërtimi të sigurtë. Kritika asht shêji i mendjes së pjekun. Derisa mendja nuk kthehet me rishikue atë çka ka bâ, tue e vlerësue, ajo asht ende fëminore. Ajo mund të prodhojë vepra madhështore, kur intuita e përpjek me burimin e jetës. (nxjerrë nga: https://gazetadielli.com/shpirti-kritik/#sthash.hDRa0IJ5.dpuf). Pasionin e tij për kritikën letrare, Pipa e vazhdoi ma vonë në Amerikë me botimin e Trilogia Albanica (1978), Montale dhe Dante (1968), me shkrimet që botoi në revistën “Albanica” të cilën e drejtoi vetë, etj.
Gjuhësi
Në librin Politika e Gjuhës në Shqipninë Socialiste (1989), spikasin njohunitë e Pipës në lamën e gjuhësisë, të metodologjisë hulumtuese, dhe të analizave teknike në linguistikë. Pipa muer guximin me i bâ nji autopsi procesit të standardizimit të gjuhës shqipe.
Në studimin e tij gjuhësor, Pipa vê në dukje mungesat dhe të metat methodologjike të tri veprave: 1) Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973), 2) Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), dhe 3) Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980).(Te plote lexoje ne Diellin e Printuar, Korrik 2015)