
Visar Malaj, profesor i asociuar i Universitetit të Tiranës, publikoi në shtator 2022 punimin e titulluar “Albanian Customary Law, Religion, and the Rescue of Jews during the Holocaust” (Kodi Zakonor Shqiptar, Feja dhe Shpëtimi i Hebrenjve gjatë Holokaustit), në revistën zyrtare të United States Holocaust Memorial Museum (USHMM), botuar në Oxford University Press. Ky studim bazohet në burime të shumta arkivore të Arkivit të Shtetit Shqiptar, Yad Vashem-it (The World Holocaust Remembrance Center), si dhe të USHMM-së. Holokausti ndodhi gjatë viteve 1933–1945. Gjatë kësaj periudhe u persekutuan dhe u vranë në mënyrë sistematike të paktën gjashtë milionë hebrenj evropianë, jo vetëm nga shteti nazist gjerman, por edhe nga shumë aleatë dhe bashkëpunëtorë të tij. Shqipëria ishte i vetmi vend, i pushtuar nga gjermanët, ku numri i hebrenjve u rrit pas luftës së dytë botërore. Shqiptarët shpëtuan pothuajse gjithë hebrenjtë vendas, si dhe mijëra hebrenj të tjerë refugjatë, të ardhur nga ish-Jugosllavia, Greqia, Austria, Gjermania etj. Motivimi kryesor, i lidhur me këtë sjellje të jashtëzakonshme, erdhi nga tradita shekullore e Besës, elementi kryesor i Kodit Zakonor shqiptar (Kanuni). Sipas shumë studiuesve të rëndësishëm, Kanuni e ka prejardhjen nga ligjet tribale Ilire, të cilat u percollën gojarisht në shekuj, nga njëri brez te tjetri. Prof. Visar Malaj përcjell mesazhin e mëposhtëm për gazetën Dielli:
“Vendi ynë u godit ashpër nga egërsirat nazi-fashiste: dhjetëra mijëra partizanë dhe njerëz të paarmatosur u ekzekutuan; dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë pasi fshatra të panumërt u dogjën dhe u plaçkitën nga jugu në veri. Statistikat zyrtare (vendase dhe të huaja) tregojnë se Shqipëria ishte një ndër vendet me humbjet më mëdha për frymë në Evropë nga lufta e dytë botërore. Shpëtimi i hebrenjve gjatë Holokaustit nga shqiptarët është një akt i mrekullueshëm për të cilin duhet të ndihemi të gjithë krenar. Për më tepër, ky akt mund të konsiderohet si një “ngjarje historike madhore” për kombin tonë, i cili duhet të vazhdojë t’i bëhet i njohur botës dhe brezave të ardhshëm. Toleranca fetare dhe mungesa e diskriminimit ndaj të huajit janë vlera të paçmueshme, të cilat duhet të ruhen me fanatizëm në shoqërinë shqiptare. Fatkeqësisht, gjuha e urrejtjes dhe racizmi janë prezente në një masë të madhe sot, si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në ato të zhvilluara. Ky fakt e bën ende aktual dhe të dobishëm misionin tonë edukativ.”
Studimi i plotë i prof. Malaj mund të aksesohet në adresën e mëposhtme:
Të gjitha të drejtat e punimit i takojnë “Oxford University Press” dhe “United States Holocaust Memorial Museum”.