Opinion nga Thanas L. Gjika/
Situata parazgjedhore mjaft e nderë tregon se Partia Socialiste, që kryeson sot qeverinë e Republikës së Shqipërisë i ka kurdisur planet pa marrë parasysh kërkesat e opozitës e në vecanti ato të të përndjekurve të ndërgjegjes, forcës më brilante të shoqërisë sonë. Mirëpo rëndësia që kanë posti i Presidentit dhe ai i Kryetarit te Gjykatës Kushtetuese për ecurinë e reformës në drejtësi, na shtyn të shprehim disa mendime pse personalitete të shquar të opozitës shqiptare nga radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, si shkrimtari i talentuar Visar Zhiti dhe analisti i mprehtë avokati Spartak Ngjela duhet të caktohen dhe të zgjidhen sa më parë në postet e rëndësishme të Presidentit dhe të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.Deri sot të përndjekurit e ndërgjegjes janë mbajtur larg nga pushteti, prandaj Shqipëria është kthyer në një vend prej të cilit duan të ikin të gjithë të rinjtë, sepse aty mungon morali dhe vlerësimi i së vërtetës, sepse këtë mund ta sjellin vetëm ata që kanë vuajtur prej diktaturës komuniste dhe jo ish komunistët, ish sigurimsat e bijtë e tyre që kanë veshur rroba blu ose rozë.
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, nëse do vërtet të realizojë reformën në drejtësi duhet pa tjetër të luftojë për të sjellë në postet e duhura njerëz që do ta ndihmojnë me ndershmëri për ecurinë e kësaj reforme.
VISA ZHITI, është intelektuali i shquar me bindje të thella demokratike, nga radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, shkrimtar shumë i talentuar, i vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Me veprat e tij të shumta letrare dhe gazetareske ka zënë vendin e shkrimtarit më prestigjoz të ditëve tona, është rast ideal dhe i pakonkurueshëm për t’u propozuar dhe zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë.
Visar Zhiti
|
|
Zgjedhja e këtij personaliteti shqiptar, që ngjan aq shumë me Vaclav Havelin e Republikës Çeke, do të krijonte një imazh tjetër për Shqipërinë në planin ndërkombëtar, kurse në plan kombëtar do të tregonte se partitë politike, sidomos PS-ja, po ecin drejt emancipimit.
SPARTAK NGJELA është avokat nga profesioni, ka njohuri të thella shkencore në shkencat juridike dhe historike. Ai ka shkruar analizat më të thella në plan juridik e filozofik për të metat dhe krimet e diktaturës komuniste. Ai është një nga analistët më aktivë për ecurinë e reformës në drejtësi. Përgatitja e tij e shumanshme si jurist, historian e filozof e bëjnë këtë personatitet, që vjen nga radhët e të përndjekurve të ndërgjegjes, një person të pakonkurueshëm për t’u caktuar dhe zgjedhur në postin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Duke zgjedhur të tillë personalitete me formim të lartë demokratik në postet që sugjeruam, reforma në drejtësi do të ecë shpejt dhe Shqipëria do të bëhet atdhe i dashur për të gjithë shqiptarët. Edhe në Shqipëri do të mbizotërojë kultura perëndimore europiane e individualitetit dhe e personalitetit të ndershëm.
Attachments area