• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KËNGËTARI SHERIF MERDANI DHE VËLLAI IM ILIRJANI…

November 23, 2020 by dgreca

nga Visar Zhiti/

          (Kjo pjesë është shkëpur nga burgologjia “Ferri i çarë” i Visar Zhiti  dhe botohet në nderim të vëllait të tij, Ilirjan Zhiti, që shkruante vargje dhe maksima, i cili një muaj më parë ndërroi jetë…)

          …E ndjeva të dielën në burg… Për siguri, i numërova ditët me gishtat e vrarë: po, po, sot i takon të jetë e diel, por jashtë telave me gjemba. Oh, si po ma përthith shpirtin, po e hedh në ajër në ca si gjeratore ku përzihet gazi me brengën.

 Sot martohet yt vëlla, Iliriani, sikur pëshpërit letra ime më e fundit. Sot, sot, në kohën që unë do të jem nën dhé, duke shtyrë vagonin e rëndë, në shtëpinë time të largët vjen nusja e bardhë. O Zot, bëj që sot të mos vritem, të mos prishet hareja e dasmës me një telegram të zi. S’e di, edhe nëse nuk shkon lajmi, shkojnë rënkimet e mia, enden nëpër tryezat plot me miq e këngë, futen te gota e rakisë së tim eti, te kulaçi i dasmës që e ka bërë nëna, te loti i motrës, te këpucët e vëllezërve, në pjatat e atyre që më duan. Unë s’do të jem atje, në dasmën e afërt e të largët, ajo s’mund të shtyhet, jo, në asnjë mënyrë, s’dihet sa vonoj, s’ka kthim të shpejtë, më vjen keq, shumë keq që do të mungoj, që ju do të dëshpëroheni për mungesën, s’është faji im, por ngazëllimi im do të jetë, i përzier me urimet rrëzëlluese.

…Pra, ëmbëlsira mes dhëmbëve do të ketë një si hidhësirë, lumturia do të spërkatet me pikla të ndritura arseniku. Trishtimi do t’i zmadhojë sytë e nuses, fytyra do të marrë një si përzgjatje ikonash bizantine me zbehtësim hëne, por gjithsesi, bukuria do të shfaqet, sepse fustani i bardhë, velloja prej flladesh, pavarësisht nga çmimi e gurët e çmuar që mund të ketë, edhe pa rubinë fare, njëlloj duhet të emocionojë në të gjithë botën. Ajo një herë vishet. Teksa zvarget nëpër shkallë e në dysheme si një shteg bore, ai shteg i ëndërrt është i më i paharrueshmi dhe më magjepsësi në çdo jetë.

Ti, ti, vetja ime, po shihje malet përreth, sa shumë ishin afruar, oborret e burgut ngushtuar, fjetoret shformuar, shihi ngrehinat – shkurtepsur, me ato dritaret me llamarina si sy të zënë, ja dhe telat me gjemba, ferra shteti, kurse vendrojat qenë zmadhuar, edhe ushtarët, edhe grykat e armëve. Mu sipër tyre një shtëllungë e bruzdë reje dhe re të tjera iknin krushqërisht, me një ceremonial të parrëfyeshëm qiellor. S’i kishe pasur ndonjëherë zili retë, ishte hera e parë. Të mbështilleshe me to a të ishe re edhe vetë, të ikje, të ikje, sipër rrethimit, të rendje me erën mbi male, të ikje, të ikje si në përrallat që tregonte xhaxhai yt, ik e ik e ik e ik e… – ç’bëri pastaj? – po prit, s’ka mbërritur ende, ik e ik e ik… – po mjaft – ik e ik e ik, vazhdonte ai, pa asnjë ngjarje, veç rrafshinës së zbrazët, hiçnajës dhe asaj ecje pa mbarim… të ishe re, të kundroje nga sipër lumenjtë si fjongo e shtëpitë – kuti dhuratash, të kërkoje një dasmë në qytetin tënd të vogël. “Ku do të jenë mbledhur, në ç’lokal, se apartamenti s’nxë dot një dasmë të tërë. Kanë marrë orkestër? Venë muzikantët atje ku s’kanë biografi të mirë për Partinë? Nëna e ka pëlqyer nusen, se nënat gëzohen shpejt, por s’kënaqen lehtë. Po babai a sheh dot, apo i janë dobësuar sytë edhe më dhe vetëtima e nuses do t’ia djegë paksa qerpikët? E letra, letra nga burgu, kur mbërrin? Ndoshta e ndalin policët, s’e nis fare operativi me censorët, “s’lejohet aq shumë ndjenjë, pale dhe vargje. Nuk zuri mend ai? Ej, i dënuar, je dënuar për poezi! Hiq dorë!”

Dole në oborrin tjetër me diell, që shumë po shndrinte, por pak po nxehte. U përshëndete me dikë, se për ku ngutej, në asgjëkundi. 

Por Valerit ia the gëzimin dhe brengën. Edhe dëshirën. Një këngë, doje një këngë sot, ja, tani, sa pa vajtur në nëndhé. Po martoje vëllanë, “të trashëgohet”, – të tha ai, “në kokë tënde”, – qeshe ti, “dhe në tënden”, – ta ktheu. 

Po ne kemi këngëtar, më të mirin e muzikës së lehtë, i famshëm, Sherif Merdani, i dënuar pas Festivalit XI, edhe festivalin e dënuan, se u këndua si në Europë.

E harrove ç’biografi ke, i pandehur? Të bëmë dhe arsimtar ty, të lejuam dhe të këndosh e ti na tundje gjurin në skenë. Keni qenë të pasur, tregtarë! 

Nënën ia burgosën në fillim. Kërkonin floririn. Ku e keni fshehur?! Konfiskonin gjithçka, ç’shihnin, mor dhe gramafon, djepa, shpirtra. 

Sherifi i vogël merrte vëllanë e porsalindur në krahë, të mbështjellë me batanije dhe ia jepte policit te porta e rëndë. E ky ikte, s’dihej se ku… ia çonte në qeli s’ëmës që t’i jepte gji, të pinte qumështin e athët nga ankthet. Kështu çdo ditë. Dëgjonte të qarat e bebes dhe priste t’ia kthenin, ishte vëllai i vockël fare, se mos ti ishe i madh. Së brendshmi ndiente një si ndezulli dhe sytë i rrëmbusheshin me lot. 

Korça mërdhinte e mbështjellë me borën e saj. Nëna tani ledhatonte foshnjën, e mbështetur pas një muri të ftohtë. Qumësht muresh që klithnin… Edhe ti doje përkëdhelitë e saj, e doje atë në shtëpi, por dhe shtëpitë po i merrnin ata që zbritën nga malet, gjoja si çlirimtarë. Kështu të iku fëmijëria, përndjekje një pas një, kjo ishte loja jote, si me bomba të vërteta. Dhe çdo ngjarje shkrihej jo vetëm në kujtesën tënde, por dhe në zërin tënd. Ngopej me dhembje ai zë si me shi. Deshe të këndoje. Patjetër. Ndryshe do të plasje. Sa mirë këndon, more djalë! Kështu bëje pasditeve, kur të çuan mësues fshatrave të Skraparit, andej ku nuk shkonte askush, kishin nevojë, ti mbaje dhe një harmonikë goje, pastaj në Librazhd…. Ç’zë mahnitës, thoshin për ty, një drithërimë që s’e ka askush, është ca elegjiak. 

Si mund të këndojë në skenat e socializmit, ku duhet optimizëm, vrull revolucionar dhe biografi e mirë politike? Kjo e fundit është e para. Po atë duhet ta nxjerrim në publik, që të propagandojmë se edhe te ne mund të këndohet me nivel të lartë artistik, se te ne përkrahen talentet, ka liri proletare, e ç’liri, më e përçudnuara në botë… 

…këndon Sherif Merdani. Dhe ai dilte nga errësira në skenë, me kostum të zi, i gjatë, flokët e errët me zbardhëllime të pakta. Kur e shihja ashtu, edhe unë i fshehur mes brohërimave të spektatorëve, se si më dukej, dhëndër i përzishëm. Pse ishte veshur aq elegant, për ardhjen apo për lamtumirën? Dhe vërtet, kur këndonte “Këngën e nënës”, njerëzit mbanin frymën, prekeshin, paska dashuri më të madhe, për atë që të ka dhënë jetën, përloteshin. Duartrokitje të fuqishme, biiiiiiizzzz, prapë këngë dashurie, ç’zë, i thellë, nga vjen kështu me kaq dëshpërim si gëzimi, me kaq gëzim si dëshpërimi, ritëm i ri, hare, jetë, kitara, 1, 2… supe të zhveshura grash, 3 kitara… u bënë 9, “ten guitars”, Tom Xhons tamam. S’e ke dëgjuar në këngët italiane ti, sa melodioz e i ëmbël, në ato të ndaluarat. E di si më duket tani? Sikur jam në Romë, ku s’kam qenë kurrë. Festivali XI mbaroi, sa i bukur, por asnjë këngë për Partinë dhe shokun Enver, ku i çon mushka ata? Çfarë the, mushka? Ej, është kohë veturash e avionësh, pyet: ku i çon zemra? 

Nisën kritikat, ritme të shthurura, saks, xhaz, të ndalohet, Ple(h)numi IV, vetë Enveri ça s’shau, Europë e përdalë… Ç’këndoi ai me biografi të keqe, Sherif Merdani? “Duart e tua”, – lidhiani…

E zbritën nga autobusi, teksa shkonte në punë larg, dhe i hodhën prangat nja dy civilë të rinj si personazhet e Kafkës. Ke dëgjuar këngë të huaja në televizionin italian, ke kënduar si ata, ke përhapur idetë e tyre…

Në burgun e Spaçit… vrau veten, kështu thanë… Në fakt ra nëpër zgafellat e minierës, u thyen shkallët e lagura dhe të brejtura prej rrëshekëve me ujëra acide dhe, ndërsa binte në humnerën e ngushtë të ferrit, desh Zoti që marteli i tij me gjithë kolonën metalike ngecën shkëmbinjve (ngaqë ajo ka ca këmbka si kthetra) dhe mbetën të varura fare pranë kokës së përgjakur të njeriut. E çuan në spital pa ndjenja dhe më pas në burgun e Burrelit. 

Muzikë sipas kërkesave të dëgjuesve: “Kënga e nënës”, – prezantonte folësi i Radio-Tiranës në altoparlantin e varur në dritaren e pistë të qelisë së madhe, por nuk këndonte më Sherif Merdani. Dhe vetëm në këtë rast folësi përmendte emrin e këngëtarit tjetër. 

Këngëtarë të tjerë shkonin studiove, nxirrnin me leje të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Arkivi i Zi këngët e atij armikut të bukur, vinin kufjet në vesh dhe dëgjonin 5-6 orë në ditë, donin të mësonin si i kishte shqiptuar a-të dhe r-të, vibrimet, por pse ashtu mësohet dhembja? 

“Ah, – psherëtinte nëna ime, – qysh i dëgjon e shkreta nënë e Sherifit ato këngë tani! Se mos e hap radion ajo…ooiii” – tundte kryet e zbardhur. 

Unë e njoha këngëtarin në ditët kur sillnin të burgosur të tjerë për të mbushur kampin e akullt të Qafë-Barit. Kishte mërzi tjetër në fytyrë, me flokë të irnosur në tëmtha e me një shapkë të bardhë në kokë, nga ato që i qepin vetë të burgosurit me copa çarçafësh. Iu afrova, mund ta ndihmoja për thasët a thjesht të pinim një kafe, të mblidhte veten, unë kisha pak në qese, të gjitha këto për hir të këngës. 

Kur u miqësuam e shkëmbenim libra italisht dhe anglisht, mbaj mend se si ai erdhi njëherë me ngut në vendin ku flija, radha e dytë e shtretërve, vaisi kryet aty në anën kundruall dhe i pashë lot të mëdhenj në sy, të kulluar siç nuk janë shpesh në burg. “Falemnderit për poezinë që më kishe kushtuar, e mrekullueshme! S’e kam ditur se më kanë dashur aq. Ma shkruaj, e dua nga dora jote, se do të di ta ruaj.” “Falemnderit!” Më pa edhe një grimë e iku shpejt duke mbledhur kindat e kapotës së arnuar. S’pata kohë të lëvizja nga shtrati, ndieja lektisje brenda vetes, gëzim e mallëngjim njëherësh, ngaqë kisha dalldisur prekshëm një tjetër, këngëtarin. Një si ngjyrë mëllage, pllanga-pllanga, i veshi muret. Po binte muzgu hallavitës i burgut. 

Rende për në depon e ushqimeve, nxore pakon e madhe të llokumeve nga thesi yt, e ruaje për këtë ditë, e diel dasme, e shqeve me duart e harbuara, i dhe një rojës së burgosur të depos, pa i thënë asgjë, dhe e mbajte frymën te Valeri. “Dua një këngë, – i the i ngashëryer, – merre dhe një llokume tjetër.” “Shkojmë te Sherifi?” I dhe llokumen e urimit. Po këto të tjerat? T’i hamë të gjitha. Ashtu kokë më kokë të tre, pas murit para shkallëve të korridorit të zyrave të riedukimit. 

– Ejani, – tha këngëtari, – futemi në atë që gjoja është dhoma e kulturës. M’i kanë lënë mua çelësat, ngaqë di t’i bie fizarmonikës, – dhe, me të mbyllur derën, i hodhi rripat e atij instrumenti krahëve. Sikur dyfishoi krahërorin e vet. Zbrazi frymë. Se si t’u duk, si në një torturë. Fluturoi lehtë gishtat nëpër tastierë, tinguj, një melodi, kaq e ëmbël… muaj mjalti… kështu kishe lexuar nëpër libra, të porsamartuarit shkojnë e mbyllen në një dhomë hoteli, shohin shiun nga xhamat, pyllin, veturat, çifte kuajsh e s’dalin fare, bëjnë dashuri natë e ditë. Në diktatura s’lejohet. Zëri i këngëtarit të rrëqethi. Ajrin e shndërroi në cicërima gjithë flatrime zogjsh, që s’dihet se si ikën. Po i këndonte dashurisë, zëri forcohej, malli bashkë me të, por jo me tone të larta, jo, jo, nuk duhej të dëgjohej jashtë, një ngjirje mahnitëse sikur zëri të qe fërkuar në kurrize dritash në botën e tejme, me qytete të gjallësh. Kënga ecte e lumtur nëpër këmbësore, anash vitrinave llamburitëse, po, po, kishte prapë të tilla, ku rrotulloheshin veshje grash me shkëndijime të befta, fustane të ujvarta, çizme me majë të hollë sa takat – me t’i veshur duhej të vallëzoje vetvetiu – magnetofonë që përsëritnin këtë këngë, krehra, lëviznin vetë mbi floknaja muzgjesh, të kuq buzësh, mund të shkruaje xhamave me të: “Të dua”, por papritur fjala e kuqe shndërrohej në vazhdë gjaku. Këngëtari kishte anuar kokën e rëndë mbi fizarmonikë, e ngriti dhe buzëqeshi. Nisi të këndonte anglisht këngën e vet, atë që kishte kompozuar me mend në qelitë e Buu-uh- rrr-bbrrr-e-e-l-i-i-t-t, “When I am dead, my dear!”. “Është poezi e Kristina Rosetit”, – tha shpejt dhe zëri i tij nisi të ndizte qirinj, flakët e të cilëve, nga shkaku i lotëve, ngjanin si brerore të rubinta. Pastaj solli bregun e detit, dallgët që kërkonin të shuanin një emër të shkruar mbi rërën e lagur, emër vajze, i së fejuarës së këngëtarit – detin, detin të kesh rival në dashuri. – Dhe “Këngën e nënës, – iu lutët ju, – do ta këndosh?” “Patjetër!” Të ecësh krah për krah me nënën, nën borërimën e dhembshme të moshës, njeriu plaket, e ka dramën e vet, të bukur e madhështore. Pse shpiken dënime të tjera? Ah, zëri shtrihej, donte të mbulonte gjithësinë, pastaj hovte, hidhej nga njëri yll në tjetrin dhe vishej me argjend, po, po, e gjete, këngëtari ynë ka zë të argjendtë me gdhendje pikëllimi dhe t’u nëpërmendën servise fisnikësh, korniza, shandanë, pasqyra, bastunë dhe pena pranë një telefoni të zi, të mbledhur kutullaç si një kotele. Ti je supersticioz, macet e zeza s’ke qejf të të dalin përpara. Po është mace shtëpie! U ngrit dhe iku te pragu i dasmës, ku dëgjohej kënga. Si ta ruajmë këtë zë? Është yni!

Shfryu fizarmonika ose ai, a të dy bashkë një brengë, aq të madhe tani, teksa Sherifi e la mbi tryezën e pluhurosur. Buzëqeshi dhembshëm. “S’mund të bëja dot më shumë, kaq mundesha”, – dukej sikur thoshte. “Po ti bëre shumë, falemnderit, më dhe këngën, atë që s’duhej të mungonte tek unë sot. Të jam mirënjohës përgjithmonë.”

A kanë mbërritur retë e mia në dasmë? I nisa vetë si një karvan kuajsh. Qielli i natës qe ulur fare mbi kokët tona; i dëshpëruar sa më s’bëhet, po kërkonte ngushëllim nga ne. “Ju e dëgjuat një këngë, mendoni dhe për mua, – sikur lutej, – hidhmëni vështrime të gëzuara. Në djall telat me gjemba, perandoria komuniste në djall! Ndizeni dasmën brenda vetes, lartësojeni në qiell. Ejani, ta bëjmë këtu.” Ti u bëre re njëherë dhe tani po prin karvanin e kuajve të reve. Janë krushqit. Tani ti po sjell një re të bardhë, qumështore, kalin e nuses, kurse reja tjetër e përflakur është kali i dhëndrit. Fluturoni. 

Jeni të ftuar ta vazhdojmë dasmën në qiell, sepse toka s’ju mblodhi dot, s’e mbajti premtimin, ja, ja, pas xhamave ajrorë, po enden ngadalë pëllumba, fare ngadalë ose shami vallesh. Horoskopi u trand prarueshëm. Rruga e Qumështit, pikon gjiri i nuses, edhe mund të jetë shtatzënë, erashka hënash, ylbere të dehura dhe dy re në krye, të bruzta, prindërit. Po ç’kanë? Patjetër që janë të gëzuar midis reve të tjera të lumturisë, por një letër… 

Kush e solli atë letër nga toka dhe iku? Nga nëntoka, nga ferri i saj. O Zot, ç’letër e mrekullueshme, pikërisht tani, me vulën e burgut. Po pse tani? Ta kishte lënë për pas dasme, meqë nuk e solli dot para saj. Ta ketë bërë me qëllim postieri?! “Ç’do të thotë burg, të lutem, thuama”, – pyeti një re e vogël puplore. “Herë tjetër, – iu përgjigjën, – po shko dhe mbaji fustanin nuses nga pas.” 

Ngashërime, po qanin, jo me zë, jo, mosni, është dasmë. Letra… nuk e lexonin dot, sa prekëse. Leko, Frisko, u thoni të pushojnë, se juve ju dëgjojnë ata… Zonjë, je mamja e tre djemve dhe e një çupe, secilit i takon gëzimi i vet që është i të gjithëve. Jemi dëshpëruar bashkë, kur ishte për t’u dëshpëruar, të gëzohemi bashkë tani që duhet të gëzohemi. Është dhe porosia e tij, e ka shkruar në letër. Këndoni, ju lutem, një valle, dasma vazhdon.

Te xhamat pati një si dyndje resh, kuaj të bardhë dhe mes tyre llapsi një dritë e madhe, e diellt dhe reja në krye s’po shikonte dot më, e verbuar. 

           *   *   * 

Sherifi na erdhi për darkë në atë apartamentin e vogël, tek ai pallati i keq në Lushnjë. Sa u gëzua nëna ime dhe e përqafonte. 

“Ai është vërtet? – më ndalnin rrugës shokë nga fabrika e tullave. – Këndon, këndon më?”

Po, Sherifi u ngjit prapë në skenë, kur diktatura kishte dalë nga skena. 

Në një koncert kishte ardhur një këngëtar i njohur italian, Toto Cotugno. Prezantuesja i shpjegoi në italisht se kolegun e tij shqiptar e akuzuan dhe për një këngë të tij, pse e këndoi, pse, pse pikërisht atë… 

– Dhe e dënuan? – u trondit italiani. 

– Po. 

– Ju kërkoj falje, – tha ai dhe sytë iu rrëmbushën me lot. Dhe e kënduan të dy atë këngë, krah për krah, mes duartrokitjeve. 

Ishte e para falje dhe e vetmja që na u kërkua neve.

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE VËLLAI IM, ILIRJANI, KËNGËTARI SHERIF MERDANI, Visar Zhiti

JO KOSOVA NË HAGË, POR HAGA NË KOSOVË…

November 13, 2020 by dgreca

Nga Visar Zhiti-

Çuarja në Gjykatën e Hagës tani e disa prej krerëve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vendit ballkanik, me histori dramatike, të shkëputur nga dheu amë nga Fuqitë e mëdha dikur, por që mblodhi botën e përparuar, Europën e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n, që, si të thuash, bëri luftën e parë morale për të drejtat e njeriut, për shpëtuar një popull që po e vrisnin dhe ç’mbetej prej tij po e shkulnin nga trojet e tyre dhe kur ky vend u çliruar dhe u shpall Republika e Kosovës, më e reja në botë, e ata, krerët e U.Ç.K.-së zunë postet të larta drejtuese, ministra, kryeministra, kryetarë parlamenti, presidentë, 20 vjet pas luftës arrestohen dhe Haga i marr me avionin e saj për t’i gjykuar për krime lufte, më shumë se sa një akt drejtësia, duket si një aksion i rëndë revanshi, goditje e asaj lufte çlirimtare, sfidë aleancës Euro-Atlantike, prishje të ekuilibrave politikë në rajon dhe me gjerë dhe alarm për një luftë të re të makinerisë ushtarake Serbe, në përkujdesin e aleatit të saj të vjetër, Moskës. Kështu duket. Shqetësimi është i madh. Intelektualë, shkrimtarë, klerikë, gazetarët patjetër, edhe politikanët e lartë, që zakonisht në ngjarjet kritike kursehen në qendrime dhe në të folur, por presin, ndërkaq edhe personalitete të huaja, amerikanë, etj, dhanë në media opinionet e tyre, një pjesë, më e madhja besoj, duket se është kundër marrjes ashtu në Gjykatën Speciale të Hagës, nërsa një pjesë tjetër shprehen se duhen gjykuar, cilëtdo qofshin, nëse kanë bërë krime lufte e më pas, ndaj robërve apo civilëve dhe rivalëve të tyre politikë. Drejtësia duhet patjetër. Ne, si popull jemi të vonuar në këtë drejtim. E befas, si në shumë çështje e kriza politike, që vijnë më së shumti prej atyre ekonomike e morale, befas rrëmbehemi e dalim dhe kundër vetes dhe përfitojnë të tjerët, sidomos kundështarët, thënë troç, se jemi në Ballkan, armiqtë e kombit tonë. 

Gjykata Speciale e Hagës u krijua me miratim nga Kosova vetë, nga parlamenti i saj, me nxitjen dhe mbështetjen nga „Ndërkombëtarët”, nga OKB-ja dhe Drejtësia e madhe duhet të veprojë me drejtësi të lartë. Të gjykojë patjetër krimin, ta ndëshkojë tek cilido qoftë, që ka kryer krime, por jo dhe popullin nga ata kanë dalë, as vendin e tyre e luftën e tyre për liri. Krimi ndodhi në Kosovë. Shtetëror nga ana e Serbisë. I hatashëm për sytë e botës. Kombëtar. Goditej kështu një tjetër komb, Genocit i urryer. Madje bënin si të krishterë kundër një vendi, sipas tyre mysliman, me një fondamentalizëm që e sponsorizonin po vetë ata. Kur dihet që shqiptarët ishin të krishterët e parë në Ballkan dhe manastiret dhe kishat e mbetura, sipas historianëve ishin të vendasve, pastaj u konvertuan si të ardhacakëve sllavë, etj, etj, dhe sunduesi serb para 20 vjetësh, me Hitlerin e fundit në Ballkan, Millosheviçin, pasi i kishte shkelur të drejtat si popull shqiptarëve në Kosovë, të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, telsa bashkëjetonin në perandorinë e vogël dhe artificiale të Jogosllavisë, i dogji dhe e i vrau barbarisht. Plaçkiti dhe përdhunoi. Dhe falë përvojës së tyre shtetërore, diplomacisë dhe aleancave, propagandës dhe botimeve, investimeve gjithandej, tani kanë marrë rolin e viktivës dhe në vend të tyre gjykohet viktima më shumë. Dhe në vendin e viktimave nxisin krimin, politik, fetar, ordiner dhe e shpërndajnë këtë imazh. Unë them them se ka dy aspekte me rëndësi situata e tanishme. E para, nuk duhet të shkojë në asnjë mënyre Kosova në Hagë, por Haga mund dhe duhet të shkojë në Kosovë, – dhe kjo e dyta është e dyta. Që s’janë njëjta gjë. Shqiptrët luftuan për liritë dhe të drejtat e tyre si komb dhe njerëz në trojet e tyre, te pragu i shtëpive të tyre, që ua dogjën dhe u vranë familjarët, pleq e fëmijë e u përdhunuan gra e vajza, një turp i ndyrë e çnjerëzor. Gjykata e Hagës duhet të thërrasë në Hagë kriminelët serbë, që bënë krimet në popull tjetër, në shqiptarë. Me kujdes dhe siguri të plotë, duke i veçuar nga populli dhe intelektualët e saj, jo ata shovinistë, se serbët janë dhe një popull i emancipuar, me kulturë dhe dije. Dhe në qoftë se duhet ndihmuar Kosova, shteti i saj i ri, i brishtë, i kollajnëpërkëmbur, por që ka, në fund të fundit, një popull dinjitoz, fjalë pakë, të urtë dhe trim, me intelektualë të nivelit europian, me artistë të njohur nëpër botë, po aq sa serbët, në mos më shumë sot, nëse duhet luftuar korrupsioni dhe krimi në Kosovë, që janë, por dhe që sponsorizohen nga përreth, drejtësia duhet të veprojë e fortë, e ashpër, por brenda në Kosovë. Pra, të vijë Haga aty, se nuk mund të çohet liria e Kosovës, ëndrra e Kosovës, simboli botëror i Kosovës në bankën e të akuzuarve në tjetër vend. Bota s’mund të dalë kundër botës. Prandaj dhe qëndrimi i krerëve të U.Ç.K.- ishte aq dinjitoz, amblematik, prekës, se merrnin fuqinë nga lufta e drejtë, trimërore e tyre, nga bekimi i popullit të tyre dhe mirëkuptimi i botës së përparuar. Gjykatësit dukeshin të vëmendshëm, madje të hipnotizuar, që përpara tyre s’kishin kriminelët, por heronjtë. Në Kosovë e dinë më më mirë se kush janë. Dhe nëse drejtues të luftës së Kosovës kanë prishur paqen, ka akuza për ta, natyrisht të gjykohen nga drejtësdia e popullit të tyre, edhe me ndihmën e atyre që erdhën për ta çliruar Kosovën. Dhe gjyqi  të bëhet në Prishtinë. Degradimi dhe rënia në paqe, nëse janë aq kriminale, gjithsesi duhen ndarë nga lavdia e luftës, pa u cënuar ajo meritë heroike. Kosova nuk mund të shkojë në Hagë. Që Drejtësia e Hagës të mos duket sikur ka në sirtarin e saj dosjen e pergatitur nga Serbia, nga zyrat e atyre që bënë genocidin më kriminal mbas Luftës së Dytë Botërore. Presidenti i sotshëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte ministër i propagandës së makinerisë së luftës së çmendur të Millosheviçit, Kasapit të Ballkanit, kur ata digjnin dhe vrisnin Kosovën, ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i sapo dorëhequr për të shkuar në gjyqin e Hagës, luftonte për të mbrojtur popullin e tij nga ata, që janë të qetë, por shqetësojnë të tjerët, sidomos Kosovën. Edhe qeveria shqiptarë, politikanët e saj të lartë, pozitë dhe opozitë, diplomatët, duhet të kenë patjetër parasysh në marrëdhëniet me Serbinë historinë dhe aktualitetin, krimet shtetërore dhe prapaskenat e dëmshme të tyre, rrjetin agjenturor, etj, dhe të guxojnë jo vetëm të duan marrëdhënie të mira, të domosdoshme patjetër, por të mbajnë qendrime serioze ndaj shtetit Serb, ende të pa penduar, jo vetëm antiKosovë, por dhe antieuropian dhe anti Aleancës Atlantike, një shtet ballkanas që po kërkon revansh duke u armatosur rishtas nga Rusia e Putinit. Përvoja e Enver Hoxhës me Titon mbetet katastrofale për kombin tonë. Ne vazhdojmë të jemi të ndarë prej saj dhe humbës me një permanencë dëshpëruese. Kur Kosova është shqiptare dhe Shqipëria pa Kosovën, ashtu siç nuk ka të kaluar, nuk ka as të ardhme. Natyrisht të bashkuara në Bashkimin Europian. Në aleancë dhe besnikëri me mikun jetik të kombit tonë, SHBA-në.

  Në Hagë më parë duhet të ishin Vuçiçët. Se ndryshe do të duhet një Hagë për Hagën.

Filed Under: Opinion Tagged With: JO KOSOVA NË HAGË, POR HAGA NË KOSOVË, Visar Zhiti

KORTEZH NËN PANDEMINË IDEOLOGJIKE

November 10, 2020 by dgreca

– Botohet në Rumani romani “Funerali i pafundmë” i shkrimtarit Visar Zhiti –

Kohë pandemia, madje e rikthimit të saj, të Covid-19, kështu duket, a s’kishte ende, por kjo nuk e ndalon dot daljen e librave, përkundrazi, edhe si kundërshti e gjendjes… Ndërsa romani „Funerali i pafundmë” i Visar Zhitit duket se është dhe një metaforë e fuqishme kundër pandemive ideologjike, çdo diktature, qe edhe ato duket sikur rikthehen, nese nuk kanë ikur plotësisht. Me mesazhe të tilla është përcjellë dhe botimi i dytë në Rumani i këtij romani të çuditshëm, i pa ngjashëm me asnjë vepër tjetër, i cilësuar si roman postkafkian”…Sapo doli, tani nga Shtëpia Botuese „A”, me përkthim të përplotësuar të studiuesit dhe estetit Dr. Luan Topçiu. Pas suksesit të botimit të parë, me jehonë në median kulturore dhe televizive në Rumani, që më pas ky roman do të botohej dhe në Itali) botimi i dytë në Rumani sërish, ka marrë dhe nga shqetësimet e tanishme, që na lanë diktaturat e perandorisë komuniste, që vçanërisht në Shqipëri, por dhe në Rumani i pësuan më rëndë. Botimi i ri është luksoz, i pajisur me një prezantim nga përkthyesi dhe një pasthënie nga shkrimtari rumun Liviu Lungu, që po i sjellim të përkthyera nga Dr. Luan Topçiu. Ky është libri i katërt nga Visar Zhiti që botohet në Rumani.

  Përgatiti „F”.

MARRSHIMI I VERBËR I SHUMICËS

Nga Dr. Luan Topçiu

Romani „Funerali i pafundmë” është një udhëtim absurd i kortezhit terratisës pa një vendmbërritje, një sfidë e vazhdueshme e durimit sfilitës njerëzor në ballafaqimin me realitetin e brendshëm shpirtëror. Është një marshim funerali rraskapitës, një makth në të cilin mbartin dhe përjetojnë njerëzit, të drejtuar nga forca shtypëse, ndodhitë ilustrojnë absurditetin e situatës, herë me tone shpotitëse, herë deri në skaje karikaturale, herë me tragjizëm, por dhe me një lirizëm të pamunguar. Romani popullohet jo nga karaktere, por nga personazhet-maska, personazhet zëra ose thjesht personazhet hije të paforma që krijojnë kortezhin e pafund. Funerali është torturë e ngadaltë shumëvjeçare, gjë e shton dramacitetin, dhe jo rroposje e beftë. Ky kortezh i pandemive ideologjike shkon paralelisht me pandeminë COVID-19. Është marshimi i shumicës drejt një varri të nevojshëm, duke mbajtur një arkëmort enigmatik që nuk mbërrin në asnjë destinacion. Një javë më parë se sa të shuhet nga jeta, poeti i madh rumun Cezar Ivanescu lexoi dorëshkrimin e këtij romani, duke e përshkruar shkrimtarin Visar Zhiti si “një shkrimtar origjinal me forcë të madhe dhe dramatizëm të rrallë”.

GRIJA E TMERRIT…

Nga Dr. Liviu Lungu,

Anëtar i Lidhjes se Shkrimtareve te Rumanisë

“Funerali i pafundmë” i Visar Zhiti, përbën një tekst me vlerë të madhe letrare. Përmes një gjetjeje krejt origjinale, arrin t’i induktoje lexuesit hidhërimin, grinë dhe tmerrin e një intelektuali në fundin e mijëvjeçarit të dytë, nga një qenie inteligjente dhe e kultivuar, me shpirt të hapur, tek e fundit, duke jetuar (mbijetuar) në kohën e diktaturës „të çdo lloji”, diktatura me të gjitha shfaqjet e saj: me pamjen e opresionit, absurditetit, qesharakes, perspektivave të errëta, duke marshuar drejt qëllimeve me tregues të vagët, vdekje, ideale pa bazamente… Teksti, relativisht i shkurtër, duket që buron që diku përtej ballinës së parë dhe rrjedh nën pragun e faqes së fundit: kujtime, memento, metaforë me referime historike të qarta, historia e drejtuar dhe përmes metaforash, rrëfime me thekse tragji-komike dhe, vende-vende, cinike, grotesk, që dëshmon thellësi dhe frymë fine vëzhgimi, seri obsedante me ndodhi nga të cilat bien në sy disa, përsosmërisht të integruara, nga një lirikë e shkëlqyer… Për lexuesin e një hapësire gjeografike dhe historike të ngjashme me atë ku zhvillohet marshi i pafundëm funeral, romani shfaqet si një tekst që kuptohet më lehtë dhe asimilohet më shpejt. Por teksti dëshmon të njëjtat cilësi (si çdo letërsi e madhe) dhe lëçitje nga një lexues të tjetër të çfarëdolloji, ky fakt i detyrohet talentit letrar të pakapërcyeshëm të Visar Zhitit si dhe përvojave të tij si intelektual inteligjent dhe të kthjellët, pjesëmarrës në „kortezh”… „Funerali i pafundmë” është një roman që e kam lexuar me interes dhe kënaqësi dhe e them me zemër të hapur se në Rumani sigurisht që do të ketë jehonën e merituar. Dhe i lejoj vetes të besoj se botimi i këtij romani në Rumani do të jetë vetëm një hap për një popullarizim më të gjërë, që „Funerali i pafundmë” e meriton plotësisht!                     

LIBRI AKTUAL  I DIKTATURAVE QË PËRSËRITEN

(nga pasthënia e Dr. Liviu Lungu)

Visar Zhiti i takon asaj race të personaliteteve, të cilat e imponojnë veten natyrshëm, kësisoj, pa sforco, pa tamtame, me një fjalë të drejtpeshuar, nëse është e nevojshme, me një gjest, me një vështrim, me një shaka të stërhollë. Vepra e Visar Zhitit, bën pjesë ndër ato krijimet më të rëndësishmet të rezistencës anti-diktatoriale dhe anti-false-demokratike, shkrimtari imponohet po aq natyrshëm, përmes drejtpeshimit dhe qartësisë së fjalës së shkruar, pa “Inteligjencë të huajtur”, pa shpërthime, pa goditje të kota. Por si artikulimi ashtu edhe shkrimi janë të dyja jashtëzakonisht të mprehta, dhe nganjëherë të domosdoshme, si shprehje e fuqive të pazakonta të vëzhgimit dhe analizës; cilësi e lindur, e lëmuar falë përvojës për kaq shumë viteve, nga më tragjiket. Derisa të kaloni tek biografia e autorit, pothuajse arrini të njihni, përmes vargut dhe frazës, epopenë e disidentit. Unë këmbëngul në diçka që më duket e jashtëzakonshme: Vepra e Zhitit dhe vetë autori janë vendosur larg, shumë larg çdo qëndrimi dhe ligjërimi (copëza ligjërimesh) hakmarrës, të paktën me mungesë urrejtjeje. V. Zhiti është i lindur për të mos manifestuar ndjenja rudimentare-primitive. Zhiti, ai vetë, dhe poezitë e tij dhe proza e tij nuk kanë pikë urrejtjeje; është karakteristikë e personazheve të mëdhenj, të heronjve të vërtetë, të atyre që jetojnë shumë më dendësisht thellësitë dhe ëndrrat. (…) Por krijimtaria e Visar Zhitit, poetit dhe prozatorit, është shumë, shumë më e gjerë sesa nënkuptohet duke e thjeshtuar vetëm në “letërsinë e protestës”. Edhe më përfaqësuese, sipas meje, është poezia e dashurisë tek Visar Zhiti. Unë guxoj të them se, në thelb, Zhiti është një krijues lirik/ erotik, një fakt i lehtë për t’u identifikuar edhe në romanin “Funeral i pafundëm”, edhe nëse toni dominues i të gjithë tekstit është ai i një afresku shoqëror të amplitudës së pashembullt dhe duke mënjanuar çdo kompromis. Dhe, nëse në temat e “anti-diktaturës”, “anti-gënjeshtrës” dhe “anti-hipokrizisë” Zhiti, vazhdimisht i kujdesshëm, thellë në embrion, megjithëse ai njeh sensin e masës, i pa rrëmbyer nga pasioni ose i nxitur nga ndonjë pasion armiqësor rudimentar, në vargje dashurie dhe në fragmentet lirike të prozës është aq i thellë dhe aq i përkushtuar. Në veprën e Visar Zhitit ekziston diçka e ndershme (“lojë e ndershme”), diçka besnike ndaj vetvetes, ndaj veprave të tij, ndaj mjedisit qoftë ai dhe armiqësor dhe ballë lëçitësit. Çfarë kundërshtari këmbëngulës, në praninë e tij dhe në vepër, mund të ketë çdo regjim i absurdit (diktatura personale, diktatura e të paktëve dhe sidomos të zgjedhurve, pra e të vetë-zgjedhurve …)? “Funerali i pafundëm” është shembulli më i plotë i atyre që përmenda më sipër. Libri “Funeral i pafundëm” i marrë, në tërësi, po, është një metaforë. Metaforike janë gjithashtu mjaft nga episodet e tij. Dhe është gjithashtu një krijim simbolist. Por pasuria e jashtëzakonshme e momenteve që e kompozojnë atë, e konjukturave, e temave të ngritura në hijen e temës qendrore (prapa dhe nën hijen e arkëmortit) e nxjerrin romanin nga çdo kategori e inkuadruar në konceptimet teorike rutinë. Libri nuk ka protagonistë. Në të vërtetë nuk ka karaktere. Nuk është e nevojshme; masa e pjesëmarrësve nuk duhet të ketë as fytyrë dhe as maskë. Masa amorfe e njerëzve çojnë në rrugën e fundit … Kë? Çfarë? Një gri e errët është sovrane në kortezh. Fizionomitë janë të rralla, shfaqen në mënyrë sporadike, më shumë në rigresione dhe të sapo skicuara. Heshtja është gjithashtu e fortë, motër binjake ndaj murmuritjes dhe zhurmës së ritmit që shkaktohet ose jo. Ka edhe zhurma, varësisht nga rrethanat, por tingujt e vërtetë vijnë edhe nga kujtimet. Dhe nga historitë e pëshpëritura, qofshin ato të shprehuara dhe me zë të lartë. 

Libri rendit në kolonë një univers, universin e thatë, të butë, të helmuar të varrosjes së atij që nuk ka jetuar. Dhe marshimi i shoqëruesve të arkëmortit, me të gjitha kanunet e kaq shumë viteve, duket, në disa vende, si marshim i të vdekurve të pa kallur në dhe. Drama e popullsive të disa vendeve, drama e gjysmës së globit, drama e të gjithëve, me sa duket, paraqitet me veçoritë e territorit shqiptar. Aty ku, me siguri, morën format më mizore e më dramatike të shekullit. Por rrëfimi i Visar Zhitit është gjithashtu një pikëçuditje shumë e fortë. Një paralajmërim “anti-diktaturë”, “anti-fals”, “anti-hipokrizi” …Dhe kush mund të jetë më i besueshëm se një kundërshtar i tillë këmbëngulës, në prani dhe në vepër, të çdo regjimi absurd (diktatura personale, diktatura e të paktëve dhe veçanërisht e zgjedhurve, domethënë e vetë-zgjedhurve …)? Për sa kohë kërcënimi i përsëritjes së diktaturave më të urryera njerëzore është i mundshëm, ky libër mbetet aktual gjithmonë! “

Përktheu nga origjinali : Dr. Luan Topçiu

KANË THËNË PËR ROMANIN  «FUNERALI I PAFUNDMË» 

Romani “Funerali i pafundme” është prozë ndryshe. Në momente të ngre temperaturën gjatë leximit, ngjashëm me faqet e prozës së Orvellit, kur ben fjalë për torturat ndaj kundershtarëve politike… Pse gjithe ky trishtim, sikur të paskesh qenë paluar nëpër shekuj, e për t’u shpaluar pastaj në faqet e romanit “Funerali i pafundme”?

Ali Aliu

 Studiues, kritik arti, Prishtinë

Zhiti ka shkruar një vepër origjinale sa moderniste po aq edhe postmoderniste për nga konceptimi dhe ekzekutimi artistik si dhe mesazhi filozofik. Ky roman mund të krahasohet denjësisht me disa nga veprat më të mira të autorëve si Kafka, Orwell, Salinger, Heller dhe Solzhenitsi. Duke pasur parasysh historinë e romanit shqiptar, “Funerali i Pafundmë” është një arritje jo e vogël për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Dr Gëzim Alpion                          

Universiteti i Birminghamit, Angli

Visar Zhiti ndërton një mozaik marramendës, ku duket se janë vënë të gjitha me ngjyrat e ndjenjave : dhëmbja dhe ironia, seksi dhe ëndrra, vuajtja dhe bukuria, gjëmimet e luftrave në Ballkan dhe fantazmat, realja e përzier me jorealen duke u bërë më reale, përditshmëria e shpërndarë nëpër kohë, me një dënduri dhe harmoni që e arrijnë vetëm mjeshtrit.

  Elio Miracco

Kritik arti, përkthyes arbëresh, Itali.

Funerali surreal që përshkruan Zhiti përballon temën më shumë se aktuale të konfliktit  Vetvete – Ego që dominon shoqërinë e sotme postmoderne, temën e domosdoshmërisë së shembjes së skemave të konsoliduara antropologjike që i japin njeriut të sotëm disa  përsigurime, por jo siguri të vërtetë (që vetëm fitohet e nuk dhurohet) në të jetuarit, temën e konflikteve që sjell konfuzioni konceptual mbi nevojat dhe sentimentet në dëm të këtyre të fundit. 

Dr. Marko Solomom-Shkencëtar hebre

Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase janë pasqyra më e mirë e historisë së kombit të tij…

Robert Elsie

   Kritik arti, albanalog kanadezo-gjerman 

Filed Under: Opinion Tagged With: KORTEZH, ne Rumani, NËN PANDEMINË IDEOLOGJIKE, Visar Zhiti

Visar Zhiti, “Anëtar Nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

November 6, 2020 by dgreca

Nga Adnan Mehmeti*\ Që nga dita e parë e krijimit, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë i ka ngjarë një familje të madhe dhe të gëzuar. Kemi ndier gëzimin e veprave të secilit anëtar dhe shumë herë kemi bërë dhe festa me ditëlindjet e këtyre veprave. Kemi ndjekur sukseset e njëri-tjetrit me emocionin e një familjari. Jemi njohur me veprat e atyre shkrimtarëve që nuk jetojnë më. 

     Pjesë e kësaj feste të përhershme në të cilën të vë krijimtaria e secilit që i flet brezave, jemi bërë vlerësuas të krijimtarisë së atyre autorëve shqiptarë që kanë kaluar me veprën e tyre kufijtë gjeografikë. Me këtë ndjesi të bukur kemi ndjekur edhe krijimtarinë e shkrimtarit Visar Zhiti. Ai tani jeton në atdheun tonë të dytë, në Amerikë, dhe ndajmë ajrin, krijimtarinë dhe dëshirat me anëtarët e Shoqatës. 

Kryesia e Shoqatës e mirëpret dhe e shpall “Anëtar Nderi” poetin disident Visar Zhiti

     Ne jemi duke jetuar në këtë pandemi që paralizoi gjithë botën, por si krijues vazhdojmë të krijojmë në mënyrë vetjake. Dëshira për të zhvilluar një ceremoni për këtë nder dhe për atë që ai ka bërë dhe bën për fjalën e bukur dhe të lirë shqipe në mbarë botën për dorëzimin e dekorimit “Anëtar Nderi, është mjaft e madhe. Është obligim i madh, por që nuk mund të realizohet për arsye të pandemisë.

     Megjithatë, Visar Zhiti, ky vigan i madh i letrave shqipe, në vend të një takimi të përbashkët do të ndajë dashurinë me secilin anëtar të Shoqatës me krijimtarinë e tij të pasur letrare.

     Në pamje të parë quhet nderi i madh për atë që e merr këtë dekoratë mirënjohjeje, por në rastin e këtij shkrimtari tepër të dinjitetshëm, është më se e qartë se është nderi ynë që e kemi mes nesh, që na bën të frymojmë me fjalën e tij të ngrohtë, të bukur, të vërtetë. Si të kishim një diell që mezi e presim që të gdhijë në një agim tjetër. Ai është nga ata poetë që kapërcejnë jo vetëm kufij vendesh, po edhe kufij kontinentesh.

     E Amerika ku e shtrin aktivitetin e saj krijues edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është Shtëpia e shkrimtarëve, ku vlerësohet fjala e tij e bukur, e ngrohtë, me një art tepër origjinal të rrëfimit. Ai quhet në kuptimin e plot të fjalës “Poeti i lirisë”, me një shpirt të butë e të gjerë. 

     E në cilin vend më shumë se në Amerikë që ka kurorën më të ndritshme të lirisë, mund të kuptohet, të besohet e të shpërndahet fjala e tij më mirë?

     Për shkrimtarët shqiptaro-amerikanë ai është një zë i fuqishëm, një model i përkryer i artit që ka vetëm të ardhme që shpesh ngrihet mbi sakrificat e së kaluarës.

     Nder përjetë penës së shkrimtarit Visar Zhiti!

     Mirë se vjen në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, i dashur Visar Zhiti!    

Shënime biografike për Visar Zhiti

     Visar Zhiti është një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë të letrave në gjuhën shqipe, që lëvron poezinë, prozën, esenë, po kështu edhe gazetarinë dhe përkthimin. 

     Është biri i një mësuesi, aktori e dramaturgu, Hekuran Zhiti, nga Tomorrica, atje ku lartësohet Olimpi i shqiptarëve. Babai i tij ishte dënuar si nacionalist, duke ia ndërprerë krijimtarinë e tij. Poezitë e tij, satirat, komeditë dhe dramat u botuan postume, mbas rënies së perandorisë komuniste.

Nëna e Visarit, Resmija, vinte nga një familja e madhe kolonjare, Fama ose Shahu, nacionalistësh, që u përndoq dhe u dënua nga regjimi komunist në Shqipëri, nga që kishte dhe të ikur në SHBA.

     Visar Zhiti lindi dhe u rrit në Durrës, qytet buzë detit Adriatik. Gjimnazin e kreu në qytetin e Lushnjës, vend dhe internimesh, ku kishte dhe shumë familje nga Kosova.                 

     Më pas u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe nisi të botojë poezitë e para në shtypin letrar të kohës dhe dorëzojë për botim përmbledhjen “Rapsodia e jetës së trëndafilave”. 

     U emërua mësues në fshatrat e Kukësit, jo shumë larg kufirit shtetëror me Kosovën. 

     Visar Zhiti kritikohet ashpër për poezitë e tij, deri dhe në Komitetin Qendror nga udhëheqja komuniste, arrestohet, në gjyq e akuzojnë për poezitë e tij “të trishta dhe kundër realizmit socialist”. Në akuzën e tij është se ai dëgjonte fshehurazi dhe radiot “Zëri i Amerikës”, “Radio Vatikani” dhe “Radio Prishtina”, etj. E dënojnë me 10 vjet burg, me heqjen e të drejtës së botimit dhe të drejtës elektorale. 

     Visar Zhiti edhe në burg, ku ishte e ndaluar, krijoi poezi me mend, ndërsa në kampet-burg të Spaçit dhe të Qafë Barit, në kushte të tmerrshme brenda telave me gjemba, teksa punonin si skllevër në miniera, i shkruante fshehurazi nëpër fletoret, që të burgosur të tjerë i ndihmonin t’i fshihte ose i mësonin dhe përmendësh.

     Ai ishte në revoltën e të burgosurve politikë në Qafë-Bari, të cilën do ta përshkruajë në një nga veprat e tij të mëvonshme. 

     Visar Zhiti arriti të nxjerrë të fshehura nga burgu gati të gjithë poezinë e tij.

     Pasi lirohet, punon si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnjë, ku kishte dhe familjen.

     Ndërkaq në dosjen e Visar Zhitit është dhe dokumenti që ai nuk pranoi të ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, policisë sekrete të diktatues, megjithë pasojat e renda që do të kishte, duke pritur dënimin e ri.

     Kur nisën protestat dhe lëvizjet për demokratizimin e vendit, rreshtohet me të parët dhe bëhet gazetar në organin e parë të shtypit opozitar, ku artikujt e tij u vlerësuan për forcën, drejtësinë, frymën paqësore dhe dhimbjen. 

     Ndërkaq në vitet ’90 ai nis të botojë nga krijimtaria e tij, edhe poezi të burgut, tregime, romane dhe ese. 

     Pas vendosjes së demokracisë në vend, Visar Zhiti ka punuar dhe si drejtor në shëpinë botuese “Naim Frashëri”, atje nga ku i erdhi denimi, në Parlament, ndërkohë është zgjedhur dhe deputet, ka qene Ministër i Kultures, ka punuar në diplomaci, 2 herë në ambasadën e Shqipërisë në Itali, pastaj në Selinë e Shenjtë në Vatikan  dhe së fundmi në Washington, SHBA. 

     Vepra letrare e Visar Zhitit u vlerësua menjëherë nga lexuesi dhe kritika letrare për befasinë dhe guximin artistik, për të vërtetën që mbart, për gjuhën e gjallë, nivelin e lartë artistik, me metafora e kumbime, për imazhet sa tronditëse, po aq dhe magjepsëse, ku gërshetohen realizmi i ashpër me fantazinë, e përditshmja dhe kohët, tragjizmi dhe grotesku, shpresa dhe besimi tek njeriu, dashuria e pafund, dhembja dhe gëzimi i jetës plot me dritëhije dhe mister, gjithmonë me mesazhe paqeje. 

     Të gjitha çmimet letrare më të larta që jepen në Shqipëri për poezinë, prozën dhe esenë, etj, iu dhanë veprës së Visar Zhitit, por dhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi. Libra të Visar Zhitit nisën të përkthehen dhe në gjuhë të huaja dhe u vlerësua me çmime letrare dhe jashtë vendit. 

Visar Zhiti ka botuar librat: 

me poezi: 

1. “Kujtesa e ajrit”, Tiranë, 1993 

2. “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, Tiranë, 1994 

3. “Mbjellja e vetëtimave”, Shkup, 1994 

4. “Dyert e gjalla”, Tiranë, 1995 

5. “Kohë e vrarë në sy”, Prishtinë, 1996 

6. “Si shkohet në Kosovë”, Tiranë, 1999 

7. “Thesaret e frikës”, Tiranë, 2005 

8. “Nënë Tereza mes shqiptarëve”, Album me poezi e foto, Tiranë, 2012 

9. “Si është Kosova”, Prishtin”, 2014

10 “Të rritesh nga dashuria”, Tiranë, 2018

prozë: 

11. “Këmba e Davidit”, tregime, Tiranë, 1996  

12. “Funerali i pafundmë”, roman, Tiranë, 2003 

13. “Djali dhe legjenda”, tregim (shqip, maqedonisht, anglisht), Tiranë, 2004 

14. “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, roman, Tiranë, 2004 

15. “Në emër të a(r)tit”, ese, intervista, Shkup, 2006 

16. “V.V. & një vrasje e munguar”, biseda, portret, poezi, Tiranë, 2006 

17. “Shekull tjetër”, tregime, Tiranë, 2008 

18. “Në kohën e britmës”, roman, (dy botime), Tiranë, 2009 

19. “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, sprovë, Tiranë, 2010  

20. “Rrugët e ferrit”, roman, ribotim i plotësuar, Tiranë, 2012 

21. “Ferri i çarë”, roman, ribotim i plotësuar, 2012  

22. “Valixhja e shqyer”, ribotim i plotësuar, tregime, Tiranë, 2016

23. “Si na erdhi ai, i ndaluari…”, Tiranë, 2017

24- “Kartelat e Realizmit të dënuar”, sprovë (në shtyp), Tiranë, 2020

Vepra e Visar Zhitit e përkthyer: 

në anglisht: 

25. “The condemned apple”, poezi, Los Anxhelos, SHBA, 2005 

 në italisht:

26. “Croce di carne”, poezi, Oxiana, 1997 

27. “Dalla parte dei vinti”, poezi, D’Agostino, 1998 

28. “La vita”, poezi, Pulcino Elefante, 1998

29. “Passeggiando all’indietro”, tregime, Oxiana, 1999                                               30. “Confessione senza altari”, poezi, (shqip dhe italisht), Diana Edizione, 2012 

31. “Il visionario alato e la donna proibita”, romanzo, Rubbetinno, 2014                                                  32. “Dov’e’ la vita?” (shqip dhe italisht), Poesie, Pazini, 2016                                                            33. “Il funerale senza fine”, Rubbetinno, 2017                                                        34. “La note é la mia patria”, (shqip dhe italisht) Pazini, 2018

          në maqedonisht: 

35. “Бoc и лyд”, poezi, Shkup, 2001 

në kroatisht: 

36. “Izabrane pjesme”, poezi, Zagreb, Kroaci, 2010 

në serbisht:

37. “Kisha mog lica”, poezi, Beograd, 2019

           në rumanisht: 

38. “Psalm”, poezi, Bukuresht, 1997 

39. “Funeralii nesfarsite”, roman, Bukuresht, Rumani, 2008                                                

40. “Aripa Franta/ Flatra e mundur”, (shqip dhe rumanisht), Bukuresht 2018                                  41. “Cortegul fara sfarsit”, roman, ribotim “A” Bukuresh, Rumani, 2020

      Ka përkthyer në shqip:                                                           42. Mario Luzi, “Fati i ditës”, poezi  

43. Nënë Tereza, “Takohemi nëpër lutje”, poezi  

44. Federico Garsia Lorka, “Ballkon i hapur”, poezi 

45. Nënë Tereza, “mërmërimë shenjtoreje”, lutje-poezi 

46. Isikava Takuboku, “Poezi e shkruar nëpër gurë”, tanka 

47. Sebastiano Grasso, “Ti në grackë në qepalla”, poezi 

48. Adonis, “Iluzioni i hapave të mi”, poezi,                                               49. Evgeni Jevtushenko, 33 poezi “Si na erdhi ai, i ndaluari…”

     Poezitë e Visar Zhitit janë futur në tekste shkollash, në antologji të huaja dhe në gjuhët frengjisht, gjermanisht, polonisht, holandisht, greqisht, hebraisht, flaminge, arabisht, serbe, malazeze, boshnjake, kroate, kinezçe, etj.

Çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare: 

1. Leopardi d’oro, Milano, 1991 

2. Racconta il tuo Dio, Milano, 1992 

3. Çmimi Kombëtar – për veprën më të mirë në poezi, Tiranë, 1994 

4. Velija – Çmimi mbarëkombëtar për letërsi, Tiranë, 1995 

5. Gaetano Salveti, Romë, 1997 

6. Ada Negri, Lodi Vecchio, 1998 

7. La cultura del mare, San Felice Circeo, 1999 

8. Premio alla carriera, Romë, 2000                                                               9. Naim Frashëri, Tetovë, Maqedoni, 2001 

10. Kalimerja, Ulqin, Mali i Zi, 2002 

11. Çmimi i parë i poezisë, Gjakovë, Kosovë, 2003 

12. Penda e argjendtë, për romanin më të mirë të vitit, 2003 

13. Asdreni, Korçë, 2005 

14. Libri më i mirë i Panairit të Shkupit, 2007 

15. Premio Internazionale “Mario Luzi”, Romë, 2007 

16. Shkrimtari i vitit, Tiranë, 2008 

17. Çmimi letrar “Beqir Musliu”, Gjilan, Kosovë, 2009 

18. Mirënjohje, Rozhajë, Mali i Zi, 2012. 

19. Çmimi i Madh i Letërsisë, Tiranë, 2012 

20. Çmimi “Kurora e poezisë”, Korçë, 2014 

21. Çmimi “Azem Shkreli”, Pejë, Kosovë, 2015

22. Çmimi “Ali Podrimja”, Gjakovë, Kosovë, 2015

23. Linguaggio dell’anima, Roma, 2016

24. Çmimin e Karrierës në poezi, Como, Itali, 2019

25. çmimi “Dega e Ullirit”, Panairi i Librit në Ulqin, Mali i Zi, 2019

     Visar Zhiti ka marrë pjesë në shumë takime kombëtare dhe ndërkombëtare kulturore si dhe në festivale botërore poezie, ku ka përfaqësuar vendin si në Itali, Greqi, Francë, Rumani, Maqedoni, Mal të Zi, Austri, etj, si dhe është ftuar nga universitete të ndryshme në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Romë, Napoli, Milano, Paris, Vatikan, etj. 

     Në SHBA, në vitin 2013, u thirr nga “The Freedom House” në takim e gjerë me diasporën dhe jo vetëm, në veprimtarinë simbolike “Gjyqi i Nju Jorkut”, kundër diktaturës komuniste, ku në qendër kishte veprën e tij për burgjet.

     Ka dhënë disa intervista në “Zërin e Amerikës”, ndërsa libra të tij janë dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan. 

     Është anëtar nderi i Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” të Tetovës në Maqedoni. 

     Është anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali dhe anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, po kështu është anëtar i PEN Klubit në Itali. 

     Emri i Visar Zhitit është i përfshirë në enciklopedi dhe në Fjalor Enciklopedik në Shqipëri, në Enciklopedinë e njohur Piccolo Treccani-Itali, në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, etj. 

     Tani jeton në SHBA, në shtetin Illinois, shkrimtar në liri të plotë.

Me një grup anëtarësh të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë 

(Foto nga Beqir Sina, 2013)

Visar Zhiti dhe Adnan Mehmeti (Foto nga Beqir Sina, 2013)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Adnan Mehmeti, Anetar Nderi, shoq e shkrimtareve, Visar Zhiti

PAS TËRMETIT, DATËLINDJA E NJË POETI GREK, DHE NJË POEZI TURKE…

November 2, 2020 by dgreca

Nga Visar Zhiti-

Tërmeti i rëndë që ra këto ditë në Turqi dhe Greqi, i tronditi të gjithë, së pari vendet ku ra dhe më pas fqinjët ballkanikë. Ne, shqiptarët, u solidarizuam menjëherë, shprehëm dhimbjen tonë për jetët e humbura dhe dëmet materiale si dhe mbështetjen tonë, megjithësë jemi vend që vazhdimisht ndihemi si nën tërmet, i acaruar, me rrënoja jashtë nesh dhe brenda nesh. 

Megjithatë qeveria ngre lart flamurët e solidaritetit, i projekton me drita në fasada ngrehinash masive, ndërkaq na vijnë lajme se pikërisht kur konflikti mes Greqisë dhe Turqisë, me spektaklin e luftanijeve të dala në det të hapur, duke shkaktuar krizë të re në marrëdhenie e tyre dhe frikën e përplasjeve të nxehta, thënë hapur, të një luftë, pikërisht në ditët post-tërmet ka një qetësim dhe mirëkuptim mes këtyre dy vendeve, ndërsa qeveria shqiptare e ka çuar në Tribunalin e Hagës mosmarrëveshjen për ndarjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Jo se duan vetëm ujë më shumë, por naftën që është nënujë, kështu thuhet.

S’dihet ç’tërmet i përbashkët mund ta qetësojë gjendjen. Që unë të shpreh afërinë time me njerëzit grekë e turq në keto ditë të trishta, zgjodha poezinë, s’kam tjetër gjë. Dhe meqënese është 2 nëntor, gjej se në këtë datë ka lindur një poet grek me njohje botëore, Odisea Elitis, në 1911, po në këtë vit ka lindur dhe im atë.

Duke qenë se s’ka pak q:e u dha çmimi i ri Nobel, po bisedoja me njohësin e shkëlyqe të poezisë, përkthyes dhe poet dhe vetë, mikun tim Gëzim Basha dhe po i thosha se një nobelist grek e ka nënën arvanitae, Odisea Elitis, e saktësoi me netuziazëm Gëzimi. Unë kam lexuar një intervistë të tij, ja, po e gjej, po e riprodhoj në ligjëratë të drejtë: “Po, jam shume ngulmues. këtë kokëfortesi të tmerrshme e kam trashëgim nga nëna ime arvanitase“. Pse jo dhe poezine, po i thosha Gezimit. Mos harroni nënat, shkruajta diku. Dhe kështu na del se ne si shqiptarë, krahas Nobelit për Paqe, që e kemi me Shenjten Nënë Tereza dhe në shkenca, në mjeksi e kemi me Ferid Muratin, shqiptarin nga Maqedoania që jeton në SHBA, në letërsi kemi dhe një gjysmë Nobeli me Odisea Elitis-in. 

Nobelisti Odisea Elitis

Miku im, Gëzimi qeshte duke më thënë se nuk i kishte shkuar ndërmend kjo. Kretasi Odisea Elitis madje ka qenë dhe në Shqipëri gjatë Luftës së Dyte Botërore, kur jo Turqia, por Italia fashiste sulmoi Greqinë nga Shqiperia, në vitet 1940-41. Luftëtarët grekë bënë një kundersulm heroik dhe u futen dhe në trojet tona. Në familjen time tregonin se nga ata të komandes greke ishin vendosur dhe në shtëpinë e tyre lart në malin e Tomorrit, oficerë mdhorë thoshte gjyshi, ishin shumë miqësore, madje u jepnim dhe nga ushqimet tona, jo vetem biseda. Xhaxhai im partizan, teksa kthehej herë pas here në shtëpi dhe bënte punët e fshatit, kujton se teksa kulloste dhitë aty pranë dhe mjekrra i ishte bërë e gjatë si e cjapit, por e zezë, gjë që e tha për humor njëri nga oficerët greke frengjisht dhe u befasua, kur xhxhai im ia ktheu bisedën po në frengjisht…

Odisea Elitis përkthente poetË francezë, ishte i apasionuar pas poezisë franceze, kishte studiuar për jursipridence në Athinë dhe u bë perfaqësuesi me i madh i surrealizmit në Greqi. Të ishte njëri nga ata ushtarakët në shtëpin:e time? Me moshatarin e vet, tim atë, mësues që shkruante poezi dhe ai, a do të kenë biseduar? Elitis do të bontonte në vitin 1945 “Këngë heroike dhe funebre për nëntogerin  e rënë në Shqipëri”, kurse ima taë një poemë satirike për një farë shoviniste grek, natishqiptar, Kollokotroni.

Kur nazistet gjermanë i ranë Greqisë nga pas dhe u thyen, urdhëri erdhi që ushtarët grekë të tërhiqeshin, ktheheshin nga kishin ardhur, me tregonin, ikën nga shtëpia jonë duke qarë, nuk donin ta pranonin mundjen dhe lanë shumë gjera në shtëpinë tonë, konserva, s’di tjetër dhe njerëzit tanë i ndihmuan të tërhiqeshin sa më lehtë, mundëisht gjallë na kundërsulmi.

Elitis shkoi poemën “Albaniada”, titull homerik, që nuk e përfundoi, mbase nuk prit si do të donte,  dhe  – poema e tij e pa perfunduar… titull hoerik 

Shqipëria ndikoi shumë në formimin e Elitisit. Lufta dhe njerëzit, qëndresa dhe vlera e jetës. Pasi u sëmur nga tifoja U sëmur nga tifoja, e kthyen në një spital n:e Athinë dhe ndodhi mrekullia, shpëtoi… Shqipëria për gjendjen time fizike ishte një aventurë e vështirë, por për historinë time shpirtërore, ishte një plagë e thellë, do të thoshte,  dëshmon gazetarja dhe përkthyesja Gerta Banushi.

Pjesë të poemës për Shqipërinë, atë me nëntoger, i perktheu Kadare, në Antologjinë që doli dikur, në diktaturë, kurse të plotë e nxori poeti Romeo Çollaku.

Nobeli Elitisit iu dha në vitn 1979, atë që mua më arrestuan për poezitë e mia…

Aeroporti ndërkombëtar i Lesbos tani ka emrin Odisea Elitis.. po ai ka nënën arvanitase, përsëris unë me vete…       

Krejt pa pritur më ndërmendet se dhe nobelisti turk, romancieri Orhan Pamuk, ai ka lindur në një vit me mua, në librin e tij “Stambolli” tregon se ka dashur një vajzë shqiptare në rininë e tij të parë, madje prandaj dhe e shpërngulën në Zvicër atë, që ta largonin nga piktori i ri Orhan Pambuk, studionte për pikturë atëhere, se me piktura nuk jetohet dot e do të mbeteshin të varfër.

Dashuria e parë ka poezinë e saj dhe romancieri nobelist turk ka dhe ai një poezi, e gjeta italisht, ja ç’thotë:

ESHTË GJITHMONË NJË YLL

Çdo njeri e ka një yll,

çdo yll e ka një mik

dhe çdo njeri ka dikë që i ngjan,

një yll ashtu si të vetin,

që e mban brenda vetes

gjithë besnikëri….

Gruaja shqiptare si nënë apo si grua, si dashuri gjithmonë, jep dritë dhe forcë, si Rozafë dhe si Nënë Terezë, di të qendrojë mbi luftrat dhe tërmetet, në opozitë me diktaturat si një Musine Kokalari. Ato që dinë të mbajnë shtëpinë, dinë tË mbajnë dhe vendin. Të mirëpritura në drejtim. Ballkani gjaknxehtë, i koflikteve pa mbarim, ka nevojë për dhembshurinë dhe intuitën e gruas.  

Në këto ditë të shqetësura, me tërmet e pandemi, kur vendet tona si me thika ndër duar duan të ndajnë dhe detin, m’u gjend poezia si përherë, poezia e madhe ballkanike, që të mërmëit me zë dashurie prej gruaje, që e dëgjoj si një fëmijë, që me ato thika metaforike ndani një miollë së bashku, mollën e miqësisë. Pa pritur tërmete të tjera…   

Filed Under: Opinion Tagged With: DATËLINDJA E NJË POETI GREK, DHE NJË POEZI TURKE, PAS TËRMETIT, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT