• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA DHE LIRIA, RIKTHIM TEK VIRTYTET…

April 6, 2013 by dgreca

– duke dalë nga burgologjia… mes dy statujave amerikane -/

Nga Visar ZHITI*/

..ndërsa po të nisesha për këtu, në një shesh të Tiranës pashë shtatoren e (porsa)ngritur gjatë festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, atë të një amerikani të madh, Presidentit  Wilson,  që doli në mbrojtje të të drejtave të popujve të vegjël dhe ndali copëtimin e  mëtejshëm të Shqipërisë. Dhe Shqipëria mbeti, aq sa ç’është sot, prej asaj ndërhyrjeje jetike dhe shteti i saj u fut tashmë në shekullin e dytë të punës.

Vështrimi m’u fiksua tek cilindri amerikan mbi kryet e shtatores, s’e di pse. Diktatori ynë, krahas borsalinës, kishte mbajtur dhe kokore sovjetike dhe kasketë kineze. Dhe i ngjeshi popullit helmetën, po mendoja, teksa e armiqësoi me botën dhe rrekej gjithë delir ta përgatiste të luftonte fillikat kundër SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik njëkohësisht dhe të fitonte, sepse kishte në duar armën e marksizëm-leninizmit. Absurditet dhe marrëzi vrastare, thashë me vete dhe pashë përsëri nga shtatorja e Wilsonit. Bronz i kujtesës, metaforë e mirënjohjes, mërmërita. Ky imazh nuk do të më ndahej gjatë udhës qiellore për në Nju-Jork. Ndërsa ai copëtim i pakryer i trojeve tona sikur kaloi në mëndësinë tonë si kompleks, preku dhe mishin e gjallë të jetës dhe, kur ne nuk po na copërlonin të huajt, po ia bënim vetes.

Por unë, edhe pse vij këtu si kujtim i një dhëmbjeje në gjyqin e Nju-Jorkut, ku do të dënohet moralisht diktatura, i ftuar nga organizata “The Freedom House”, me president z. Muç Xhepa, (bashkarisht falenderoj dhe ata që mundësuan ardhjen dhe ndejtjen time, z. Zef Balaj, bashkëvuajtësin tim z. Esat Coku, znj Engjellushe e Jadigjar Luzaj dhe familjen Seferi), ndërkaq do të doja të flisja për ndryshimet që bën jeta shqiptare, për ato metafora aq të befta, ndoshta nga që kam qënë dënuar për metaforat. Ja, burgu ynë u shndërrua në kujtesë, në burgologji dhe koha duhet të shkëputet ende më tepër nga psikoza munduese e së kaluarës, pa e harruar. Vërtet ka patur bëma dhe ndodhi të atillë paradoksale në një kohë aspak të largët, madje ngjitur me tonën si pas një Muri Berlini tashmë të shëmbur, kur nisi sundimi i fitimtarëve të pas Luftës II Botërore. Erdhën si çlirimtarë duke sjellë robëri më të rëndë. Duke përshtatur përdhunshëm një doktrinë gjysmake, utopi mizore, që gjakonte me gjak të krijonte rendin e ri, në fakt që të ruanin sundimin e tyre, socializmin real të njeriut të ri, pa virtytet vetanake dhe të përhershme. Nuk po lejohej asgjë, as fantazia, ishin rrëmbyer pronat dhe mundësitë, madje as jetën e as vdekjen nuk i kishe të tuat, por të shtetëzuara nga ai revolucion i paqartë, çapraz. Dhe më përpara se të hapnin universitete, hapën burgje. Dhe u shndërrruam në burgun më të madh, duke qenë vendi më i vogël në të gjithë perandorinë komuniste.

Si nëpër nënkatet qerthullore të ferrit, hidheshin rregullisht kundështarë e disidentë e viktima e dënoheshin dhe ide e besime, por dhe libra e lexues të tyre, biblioteka, po, po ngrehina bibliotekash dhe ato të teatrove bashkë me dramat, festivale këngësh, peizazhe dhe piktorë të tyre, le më pastaj që janë dënuar dhe varret. Të vdekurit e mëdhenj donin t’i vdisnin ende më shumë. Ja, poetit Gjergj Fishta, “Homeri i fundit” në Ballkan, i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, do t’i prishnin varrin dhe do ia hidhnin eshtrat në lumin Drin. Një kundërshtar si ai s’duhej të kishte kohën e pas vdekjes, duhej të zhbëhej për komunistët. Dhe kështu bënë dhe me të tjerë, të gjithë të pushkatuarit, të shuarit burgjeve s’duhej të kishin varre.

Ndërkohë diktatura kultivonte inteligjencien e saj, ku bënin pjesë dhe shkrimtarë dhe i mirëmbante ata ashtu si policinë, fabrikat e armëve apo fermat, teksa komplotonte ta zëvëndësonte Zotin me veten e vet, për rrjedhojë dhe kishat e xhamitë me komitetet e partisë dhe ato ekzekutive dhe klerikët i burgoste ose dhe më keq. Dhuna permanente në fund të fundit ushtrohej po me inteligjencë, jo vetëm me policë, me kundërkulturë kundër kulturës, me shërbimet perfekte të mediokritetit ideokracisë dhe sistemit totalitar.

 NË TEMPULLIN E KUJTESËS

Duhet të kthehemi herë pas here. Është njohje e së vërtetës, e vetes si individ dhe shoqëri, si komb dhe histori, që shumëçka të shndërrohet në përvojë dhe profilaksi, me qëllim që të mos përsëritet e keqja dhe të dimë që ëndrra e thyer të përtërihet e të bëhet sa më parë vepër e të prekim të ardhmen. Janë të domosdoshme “Shtëpitë e lirisë”, si vatra me zjarrin e çështjeve, jo me hirin. Jo vetëm të flasim për ç’ka ngjarë, por prej tyre të nxjerrim dukurinë.

Ja, në vendin tonë teatrot dhe kinematë ekzistuese, me të mbaruar lufta, i shndërruan në salla gjyqesh. E pa imagjinueshme. Në mesjetë ka patur një ide kësisoj, Theatrum mundi, që e shihte botën si një teatër, ku njerëzit kthehen në aktorë. Komunizmi shqiptar bëri të kundërtën. Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës, Përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë të gjithë, ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë. Në llozhat lart rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta dora zgjatej për monoklin siç bëjnë nëpër opera në Perëndim dhe kapte revolverin.                  Në altoparlantët jashtë nëpër rrugë të qyteteve të vendit dëgjoheshin gjyqet si gjëmime, si kërcënim. Binin copa fjalësh, emra. Dënoheshin me burg e pushkatim nga ata burra që kishin sjellë historinë e Shqipërisë deri aty. Ndërpriteshin jetët e tyre.

Mendo pastaj se si do të ishin dramat që do të viheshin në ato skena, realizëm socialist acarues, më shumë propagandë dhe s’dihej se sa art mbartnin. Dhe absurdi shkoi më në absurd, u arrestuan dhe metaforat, nuk lejoheshin në letërsi, kur në realitet të llahtarisnin.

 “SHQIPËRIA QË SHTYPEJ”

..megjithatë guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës. Me të drejtë kujtohet se vetëm 19 ditë zgjati ajo që historia e re e quan Revolucioni Hungarez i 1956-ës, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonin betejat me armë në dorë mbi 10 vjet të tjera rresht. Përrenjtë sillnin gjakun e tyre, edhe kufoma.

Në burgjet tona politike pati dy revolta masive, ajo e Spaçit, ku u ngrit Flamuri Kombëtar, nga vëllezërit Coku me shokë, i sajuar nga një këmishë me gjak, pa yllin e komunizmit dhe përsëdytja e saj në Qafë-Bar, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, ku u ridënuan të dënuar, dhe me pushkatime, pastaj u dënuan dhe vetë burgjet. Edhe ushqimit i hidhnin sodë sapuni për vdekje jo dhe aq të ngadalta. Nga që duhej të vazhdonim punën nëpër miniera gjithandej.

           Në një farë mënyre ne të gjithë jemi si pas vdekjes.               

Diktatura urren dhe shprish dhe donte që shumëçka të fillonte nga e para me to, prandaj dhe zhdukte atë që kishte qënë e para më parë. Harroi dhe dënoi firmëtarët e Pavarësisë, themeltarët e shtetit të ri shqiptar, patriotët, qëndresën e kundër pushtimit fashist, armët që u zbrazën në bregun shqiptar nga Mujo Ulqinaku dhe Abaz Kupi me shokë, të cilat ishin të parat në Europë në luftën kundër nazi-fashizmit, sakrificat e atyre nën pushtim për të mbrojtur vendin, duke luftuar dhe me forma të tjera në mbështetje të qëndresës.

Thënë shqip, diktatura përqafimet e tjetrit i quan mbytje, kurse mbytjet e saj i quan përqafime. Diktatura nuk di të bëjë paqe me historinë, prandaj dhe e ardhmja s’ka paqe me të.

Si shkrimtar këtu është rasti të kujtoj me nderim të dhëmbshur nismëtarët, autorin e romanit të parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj, të cilin e futën në burg në moshën 82 vjeçare si kundërshtar të regjimit, ku dhe vdiq pas 5 vjetësh.

Dhe tragjedianin e parë Et’hem Haxhiademi e helmojnë një javë para lirimit nga burgu. Në burg çuan dhe autorin e librit të parë me kritika, shkrimtarin Mitrush Kuteli, themelues i tregimit modern shqiptar së bashku me Ernest Koliqin, por ky i dyti i shpëtoi dënimit, kishte mbetur në Itali, ku dhe themeloi në Romë katedrën universitare të albanalogjisë. Në atdhe u dënua vepra e tij, u ndalua dhe dënohej lexuesi i tyre. Po edhe ai e dënoi diktaturën komuniste duke shkruar mes të tjerash dramën profetike, e para dhe e vetmja e këtij lloji, “Rrajët lëvizin”, ku si një anti-Oruell, me të cilin ishte moshatar, parashikoi, si asnjë shkrimtar tjetër në të gjithë Lindjen, rënien e komunizmit, që e filloi tatëpjetën pothuaj kur ai e përllogariti artistikisht, në vitet ’70 të shekullit të kaluar.

Edhe gruan e parë shkrimtare, Musine Kokalari, lauruar në Romë, disidenten e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeluese e një partie social-demokrate, e burgosën, më pas e internuan, ku punoi si punëtore në ndërtim dhe vdiq e vetmuar, ndërsa kamioni i llaçit, pa funeral, e hodhi në gropën e hapur për të. Kurse një shoqen e saj, Sabiha Kasimati, biologe e lauruar në Torino, e pushkatuan mes një grupi burrash kundérshtarë.

Dhe emra të tillë prometeanë u zëvëndësuan me emrat që përzgjidhte diktatura, të skifterëve që hanin mëlçitë mitike të realitetit. Tjetër, të gjithë ata patriotë që kundërshtuan fashizmin dhe u internuan në ishullin Ventotene, me t’u kthyer në atdhe që të vazhdonin luftën, përfunduan keq, o i vranë pas shpine, o u vetëvranë, o u bugosën, o mërguan. E theksoj, të gjithë. Sepse nuk duhej të kishte luftëtarë të tillë para datës kur diktatori Enver Hoxha iu bashkëngjit komunistëve dhe jugosllavët krijuan një parti në Shqipëri në shërbim të interesave të tyre duke ngulur atë në krye. Dhe patriotët do t’i caktonin ata.

Prandaj ata që qeverisën vendin në kohën e pushtimeve, që bashkëpunuan me pushtuesin në dobi të atdheut, e theksoj, në dobi të atdheut, kur kolaboracionizmi ishte nevojë e detyrueshme për të shpëtuar jetë sa më shumë, identitet dhe aspirata, patriotë e njerëz të ditur, konsideroheshin tradhtarë. Por ata nuk tradhtuan atdheun, ishte atdheu që do t’i tradhtonte ata më vonë, më saktë sundimi i kuq, që do të identifikohej dhunshëm me atdheun. Kurse klika e Enver Hoxhës, kur Shqipëria s’kishte pushtues, punonte në dëm të njeriut shqiptar, të cilësisë së jetës së tij shpirtërore dhe ekonomike, pra të vëndit e në dobi të atyre që nuk donin të kishte Shqipëri ose të ishte shtojcë e ndonjë federate ngjitur a e përunjur, pra ajo klikë duhej të ishte dënuar patjetër. Më shumë se sa neve, që u persekutuam prej tyre, kjo do t’i duhet së ardhmes, brezave që të besojnë se e keqja ndëshkohet, ndryshe ajo fiton imunitet dhe bëhet më e fortë se drejtësia. Po çdo e ardhme fillon me të tashmen.

  QËNDRUAM ME Ç’MUNDËM                                                                             

… kur fironin mundësitë e kundërshtimeve, u përdorën dhe përbetimet, shpërndarjet e trakteve të vetmitarëve guximtarë, por dhe metaforat, heshtja folëse. Edhe e fundit, vdekja. Ashtu siç u vetëflijua në burgun famëkeq të Burrelit intelektuali patriot Xhevat Korça, studiues dhe autor dhe ministër arsimi, i pari që kishte kërkuar duel ndaj dikujt që kishte fyer Shqipërinë tonë, një gazetari zviceran, i cili u tërhoq duke kërkuar falje. Dhe kur diktatura e burgosi, ai nisi të parën grevë urie, që sipas Sollzhenicin, është armë e pastër morale. Nëse nuk lejonin të jetoje me dinjitetin e njeriut, ai vendosi të tregojë se do të vdiste si i tillë, si një martir i heshtur tashmë, sfidant. Teksa shuhej madhërishëm, ai na la amanetin e pashkruar se ideali i jetës është më i fortë se jeta nën diktaturë. A nuk kishte vrarë veten si shenjë e rëndë qortimi ndaj luftës vëllavrasëse dhe pedagogu Safet Butka, ashtu siç kishte bërë dhe shkrimtari i famshëm Stafan Cvag, kur po triumfonte nazizmi, megjithëse ishte një kontinent larg?

Nderim për ata intelektualë të lartë, që dinë të luftojnë, por nuk dinë të vrasin njeriun. Përdorin Fjalën dhe Idetë.

Gjuha, dënohet dhe ajo. Dua të them diçka, që lidhet me të. Kur poetin Frederik Reshpja e pyetën nëse e pranonte akt-akuzën, jo, u tha duke e dridhur, nuk e pranoj. Pse? Sepse ka gabime ortografike!  Kundër-akuzë e rafinuar. E para dhe e vetmja. Pra, po na dënonin të vrazhdëtit, ata që nuk dinin të shkruanin gjuhën e tyre. Nga ky kompleks ata arritën të bëjnë masakra dhe me gjuhën si organ, fizikisht, ja, duke ia nxjerrë me zor nga goja Dom Mark Hasit dhe pasi ia shtrinë mbi tryezën e torturave, i ngulën thikën përsipër. Gjuhës(?!). Folë, pse nuk flet, i ulërinin. Ky akt sikur parandillte metaforikisht atë që do të ndodhte me gjuhën shqipe. Tharjen. Pra dhe tharjen e mendimeve. Do të vendosej kështu standarti zyrtar, si me thikë, ku një kongres do ta quante gjuhë letrare, duke lënë jashtë mbase gjysmën e thesarit të dialekteve, sidomos të gegërishtes dhe gjuhën liturgjike të shqipes. Natyrisht që askush nuk mund të jetë kundër gjuhës letrare, por ajo nuk duhej të vinte si ndërhyrje e partisë së diktaturës.

Po të shfletojmë dosjet, kancelaria e diktaturës në fillimet e veta i ka shkresat të shkruara keq, shëmtueshëm, me gabime të rënda jo vetëm drejtshkrimore. Me përmirësimin e shkrimit në vite, u përmirësuan dhe përgjimet, përndjekjet, u bënë më të rafinuara, lufta e klasave u bë profesion dhe makineria e dhunës punonte perfekt, e vetmja në industrinë e asaj kohe.                                       Ka që thonë se kishte rregull atëhere. Po, rregull burgu. Kishte qetësi. Po, qetësi varrezash.

Prandaj ikën dhe erdhën këtej dhe profesor Arshi Pipa, studiues e poet, kundërshtar i hapur, që, me të dalë nga burgu, u arratis bashkë me poezitë e tij. I kishte shkruar fshehurazi në letra të holla cigaresh. I gjithë libri ishte më i vogël se një kuti shkrepse.

Këtej punonin dhe profesori i ikur, Isuf Luzaj, poet, narrator dhe filozof.     Kur studiuesit dhe eseistit, profesor Sami Repishti, të dënuar me 10 vjet burg si i zhgënjyer dhe kundërshtar, në ditën që mbushi gjysmën e dënimit, i kërkojnë të firmosë pendimin e tij, si kusht që ta lironin, jo, u tha, do ta bëj dhe gjysmën tjetër. Në librat e tij, kur tregon për torturat e tmerrshme, unë nëpërmënd tim atë, ashtu ia bënë dhe atij, edhe xhaxhanë, që u shua në tortura. Pasi kreu të gjithë burgun, profesor Repishti, nga, nën hijen e Rozafës, kaloi nën hijen e Statujës së Lirisë. Shqipnia e njimendtë ishte nën dhé, thotë ai, por po del, besojmë ne.

Këtej erdhi për t’i shpëtuar burgut dhe poeti i baladave çame, Bilal Xhaferri. Gjetën patriotë nga Dostët e Dinet, nga Markagjonët e Mirakajt e Agajt, etj, etj. Përmenda disa, me bij të të cilëve jam njohur në burg, që shpesh me fantazi iknim përtej murve dhe rrethimeve.

Do te desha të them një detaj të vogël, pa rëndësi, e kam në faqen 93 të librit tim “Rrugët e ferrit”: në birucë, teksa krijoja poezi me mënd, arrita të bëj dhe një për Nju-Jorkun. E pabesueshme. Kur nuk shpresoja se do të mund ta shihja ndonjëherë, kur nuk e dinim se do të dilnim gjallë nga burgu. Nuk guxova ta ruaja për më vonë, se po më dukej vetja i çmendur. Por ja që mbërritëm dhe tek ëndrra më e guximshme. Gëzohem që këtu shoh dhe bashkëvuajtës të tjerë të mi, Hasan Bajon familiarisht, Lek Mirakajn, Edmond Sejkon, Ilir Spatën, etj.                              Për fat, kemi 20 vjet që kujtojmë, duke u përpjekur të (ri)edukojmë kohën tonë. Ne jemi ajo që kujtojmë, thotë poet i madh europian, Mario Luzi. Dhe të kuptojmë me doemos. Që lufta e klasave, p.sh. ishte luftë civile në kohë paqeje, sipas meje. Që lufta e klasave s’mund të jetë motori i historisë, se është dogmë vrastare e Marksit, se nuk mund të ecë njerëzimi nëpër shekuj e mijëvjeçarë nëpërmjet urrejtjes. Por nëpërmjet dashurisë dhe mënçurisë. Dhe pa drejtësi të dyja janë të mangëta.

QË DOSJET TË HAPESHIN

…. shumë veta në Shqipëri ngrinin zërin me të drejtë herë pas here. Krahas çertifikimit të krimeve, kërkohet të dihen dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit, ata të policisë politike. Unë kam shtuar që bashkë me listen e bashkëpunëtorëve, krahas çdo emri a pseudonimi, të vihen dhe emrat e atyre që i bënë ata spiunë dhe si. Torturat kanë qenë lemerisëse. Në botë ishin bërë të njohura dhe me Sollzhenicinin, me “Arkipelagun Gulag”, por tani i kanë rrëfyer dhe autorë shqiptarë.

Ndërkaq duhet të kujtojmë ata që nuk pranuam bashkëpunimin me të keqen, edhe kur i torturonin si Dinia që kam përballë bashkë me të birin, Leka, por dhe e shoqja e tij në internim, ku mes shumë vuajtjeve, rrobat e fëmijëve të tyre i arnonin duke përdorur në vend të perit, kur s’e gjenin dot, fijet e gjata të flokëve.

Listës së dytë me emrat e spiunbërësve i shmangen të nervozuar dhe më me forcë ata që kanë forcë. Ndërkaq përsa i përket tranzicionologjisë tonë, do të thosha se ajo zgjati ca si tepër e me mundime, se duhet të bëhej demokracia me kundërshtarët tradicionalë të saj, se duhet të ndërtonim kapitalizmin me armiqtë e kapitalit e të pronës private në doktrinë. Dëmshpërblimi simbolik i të persekutuarve ka qënë i shoqëruar dhe me rritjen e pensioneve të oficerëve të diktaturës, ndërsa presidenca e republikës dekoron ish të persekutuar për qëndresën e tyre dhe ish persekutorë për kryerjen e detyrës.

Një operativ, që u mor dikur ca kohë me mua për të më bërë  bashkëpunëtor, më fton në festën e përurimit të fabrikës së vet ushqimore, se kishte respekt tani, thoshte, nga që nuk pranova bashkëpunim me Sigurimin. Po atëhere, kur ai me shokë ma kërkonin me kërcënime kishte respekt? Pyet. Apo e kishte punë që duhet ta kryente me zellin e tanishëm që ka për biznesin, është pronar rishtar, kur të tjerë nuk i marrim dot aq kollaj pronat e etërve? Do të doja që ai me shokë të flisnin, të tregonin.

Duhet t’ja kishit hequr kokën vulnerabile kuçedrës së komunizmit ashtu si Herkuli, që ia dogji, që të mos mbinte më, se asaj, duke i prerë njërën, i dilnin dy të tjera, do t’i thoshte Idro Montaneli, themeluesi i gazetarisë moderne italiane, mikut tonë, inxhinierit-shkencëtar dhe studiuesit Mërgim Korça, që ndali për ca ditë në Romë, kur po ikte përgjithmonë për në Amerikë.

  TË RIZBULOJMË VLERA DUKE KRIJUAR TË TJERA

Gjithsesi ndryshimet janë të mëdha për të gjithë. Por nuk na duhet një demokraci pa virtyte, theksonte Papa Vojtila. Dhe Shqipëria jonë e vogël ka treguar se mund t’i japë botës së madhe. Të shfletojmë Kanunin, do të gjejmë vlera madhështore. Duhet të besojmë në kulturën tonë dhe të dimë t’ua tregojmë të tjerëve, natyrshëm, ndërsjelltas.

Kemi të drejtë të kujtojmë Nënë Terezën, gruan më të njohur të planetit, që bëri profesion dashurinë, investitorja më e madhe e buzëqeshjeve, industrialistja e mëshirës. Nobelistja jonë pati dhe medaljen më të lartë që jep Amerika, atë të Lirisë, e shpallur nga Kongresi “Qytetare e SHBA-së”. Edhe Rugova, Gandi i Ballkanit, Presidenti i parë i Kosovës, thoshte të bëjmë një luftë “Tereziane”. Nënë Tereza futet në 100 personalitetet më të mëdha të botë të të gjitha kohërave. Por kemi dhe dy të tjerë, Konstandini i Madh, që hodhi themelet e qytetërimit europian dhe Justiniani i madh. Çërçilli thoshte se “Perandorët nga më të aftët e Romës janë ilirë”.

Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, është parë dhe si  mbrojtës i paepur i qytetërimit perëndimor, që siç thotë për atë një senator amerikan, edhe Amerika do të ishte ndryshe pa Skënderbeun. Etj, etj.

Por kanë rëndësi jetike virtytet, përditshmëria e tyre, qëndresa tjetër ndaj asaj që i heq kuptimin jetës, që e bën të mëzitëshme apo të keqe apo të padurueshme. Edhe pse i varfër populli ynë, që nuk ka mundur apo nuk u la dot të ndërtonte vepra të famshme, i mahnit të tjerët me virtutologjinë, nga e cila mund të merren shëmbuj humanizmi. Ja:

1- Bashkëjetesa fetare, një popull me 4 fe që jetojnë në harmoni, pa natë Shën Bartolemeu a plojë të tillë, kur në një familje mund të ishin të feve të ndryshme, madje i njëjti person në shtëpi kishte fe tjetër e jashtë saj tjetër. Kushtet ishin të atilla, përçudnuese, por Zoti – Një. Dhe kjo mjaftonte.

2- Kur kapitulloi Italia fashiste dhe ushtarët pushtues të saj ndiqeshin e vriteshin në vend nga nazizmi i xhindosur, familjet shqiptare strehuan rreth 22 mijë ushtarë italianë, u dhanë bukë e mbrojtje. Pra ata që erdhën si uzurpatorë, u përcollën njerëzisht, madje si familjarë. Vërtet mrekulli biblike, porosi e shenjtë, të bësh armikun vëlla. Ja, që ndodhi në masë në Shqipëri.

3- Gjatë luftës së Kosovës, kur ndodhi eksodi i madh si në bibël, shqiptarët iknin duke mbartur me vete prindërit ashtu si Eneu dardan, kur digjej Troja me të atin mbi kurriz. Ishte fundi i shekullit XX, kur pleqtë braktiseshin në paqen indiferente, i konfliktit të brezave si një mosmirënjohje gjenerale. Shqiptarët treguan të kundërtën, unitetin e thellë etër dhe bij si vazhdimësi sakrificash dhe dashurie.

4- Pritja dhe mbrojtja që u bëri hebrenjve populli ynë gjatë Luftës II Botërore, kur, në kulmin e urrejtjes së armatosur, i ndiqnin për t’i shfarosur me miliona, është një tjetër mësim për popujt. Shqipëria u bë një lloj atdheu për hebrenjtë. Ka të dhëna se dhe fizikanti i madh Albert Ajnshajni erdhi në SHBA nga Tirana me pasaportë të Mbretërisë Shqiptare.

Pse gjermanët, popull me intelekt të lartë, kultura e të cilëve i ka dhënë botës filozofë të mëdhenj e gjeni në art e shkencë, arriti të kryejë holokaustin, kurse shqiptarët, popull i vogël me analfabetizmin më të lartë në Europë atëhere, mbi 95 %, doli kundër dhe i mbrojti me jetë hebrejtë?

Përgjigja është se shqiptarët kishin të fortë kulturën morale. Ta zhvillojmë më tej këtë kulturë. Nëpër botë flitet dhe për revolucione morale. Se kur ideologjitë marrin pushtet, krijohen tipologji doktrinash e kushte zbrazëtirash që ato futen dhe përfundohet në totalitarizëm, gjë që shqiptarët i çoi në “holokaustin” ndaj vetes.

Sipas shkrimtarit nobelist Imre Kërtesz, holokausti tashmë është kthyer në kulturë. Nga qëndrimi që mbahet ndaj tij, ne gjejmë se ç’është tjetri, popull apo shtet. Të burgosurit politikë ngjajnë me hebrejtë e dikurshëm. Se sa e vërtetë është një demokraci, sipas meje, kuptohet nga trajtesa që i bëhet burgologjisë, si shkencë e re dhe praktikisht çfarë bëhet me ish të persekutuarit, që në një farë mënyre janë pararendësit e asaj demokracie. Është ndërgjegje dhe përgjegjësi dhe shkalla e të kuptuarit të lirisë.

ISH TË BURGOSURIT POLITIKË, DEPUTETË MORALË TË DEMOKRACISË

Ish të burgosurit politikë janë deputetët morale të demokracisë dhe nëse ajo tregohet shpesh e plogët me ta, edhe ata nuk duhej të bënim të njëjtën gjë me veten, mund të ishin grupuar asisoj, bllok apo parti për të qënë faktor politik në qeverisjen e vendit. Me sa di, nga askund nuk u është dhënë një ndihmë e tillë.

Dëshira për liri e jetë tjetër më të mirë ju solli juve këtu, në vendin më të fuqishëm të botës, që prodhon forcë, ide e projekte globale, mbron dhe jep demokracinë më të lartë. Deshët të ishit sa më larg asaj që ishte mynxyrë, për ta harruar, por jo vend-lindjen, atdheun, zhvillimet e të cilit i ndiqni me vëmëndje, i gëzoheni dhe i trishtoheni ndodhive atje, jepni ndihmesën tuaj në vazhdim të traditës së mërgimtarëve të mëdhenj si Konica e Noli, Baba Rexhepi e Mit’hat Frashëri.

Ta mirëkuptojmë kulturën e tyre të pranimit të tjetrit dhe të zhvillohet në kushtet e tanishme bashkëpunimi. Filozofi i sotshëm francez Andrea Gluksman thotë se askush nuk ka të drejtë që të mirën e vet t’ia i mponojë të tjerëve, por të gjithë bashkë të mblidhemi për të thënë se ç’është e keqe. Përçarja, mëritë nuk na duhen. As mënjanësia. As mosmirënjohja. Korrupsioni jo dhe jo. Mungesa e drejtësisë dhe e dhëmbjes. Krimet dhe më keq se ato klima e krimit.

Ne i ndjekim me emocion shkrimet që vijnë nga këtej, porositë. Shpirt shqiptar ka dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ne kemi diasporën më të madhe se popullsinë brenda vëndit.

Në Greqinë antike kultura erdhi nga ishujt e saj. Arbëreshët thonë se rilindja jonë kombëtare zuri fill me ta, në bregun tjetër. Demokracia jonë e ka të domosdoshme pjesëmarrjen tuaj. Natyrisht që për këtë nuk ka ftesa nga askush për kurrkënd, prandaj mbetet çështje e vullnetit dhe e ndjeshmërisë shoqërore. Tani janë rritur fëmijët tuaj, janë shkolluar në metropole dhe mëndja e tyre duhet të çojë rreze dhe në dheun amë.

Ka ardhur një letërsi tjetër në Shqipëri, desha të shtoja. Mes të tjerash janë ringjallur poetët e pushkatuar Xhagjika, Blloshmi, Leka, Nelaj, etj. Kanë dalë Astrit Delvina e Zef Zorba, Trebeshina, At Zef Pllumi, Arbnori, Lubonja, Kalakulla, Ngjela, Musta, Kripa, Bungo, Prifti, etj. Ndërkohë po botojmë dhe librat e etërve tanë të ndaluar, si të thuash por ribëjmë etërit.

Falë prirjes, Shqipëria jonë në fund të fundit gjatë rrjedhave të shekujve ka ditur të vendoset nga ana e drejtë e historisë, me aleatët e fitores, megjithëse më së shumti e ka paguar shtrenjtë dhe me drama të rënda. Sot jemi dy shtete shqiptare në Ballkan, por një komb, në aleancë me shtetin më të fuqishëm në botë, me kampionin e demokracisë, SHBA. Një aspiratë e hershme jona, intuitë e llogjikës kolektive.

Gati një shekull më parë, kur s’kishte televezior, as rrjet ndërlidhës në Shqipëri, as shpërndarje normale gazetash, as hekurudha, aeroporte, ambasada, kryengritësi popullor, ai që thirrej Plaku i Butkës, mbi një pllajë në Jugun tonë, teksa ndiqte me merak Konferencën e Paqes së Parisit duke parë qiellin, thurte vargjet: Rroftë, rroftë Amerika,/ Presidenti i saj Wilsoni/, Me katëmbëdhjetë pika/ i tha botës qëndroni…

Tani jemi në NATO, së shpejti dhe në familjen europiane, ku na takon, jemi truall i saj, histori dhe shpirt dhe nuk mund të zhbëhet, por do të desha ta mbaroj fjalën time prapë me një statujë amerikane me cilindër, këtë radhë prej ere, e Uollt Uitmanit, poemat e të cilit më kanë shoqëruar gjithë jetën, edhe në burg e kam patur librin e tij, që nuk u ndalua, se falë titullit “Fije bari” (Leaves of grass), e dinin libër bujqësor.     Jam i lumtur që ndodhem në qytetin e tij tani, pranë lagjes së tij. Ai është poeti i madh i demokracisë, i Amerikës dhe parandjellës i Europës së Bashkuar. Më dukej sikur më mërmëriste, kujdes, se ka turma njerëzish që venë pas atyre që nuk besojnë në njerëz. Madje që vrasin, shtoj unë dhe prandaj jam thirrur në këtë gjyq moral të Nju Jorkut Dhe. dua të përsëris këtu vargje të tij: O sa të rronj të jem zot i jetës – jo skllav i saj…/ Të jesh me të vërtetë Perëndi! (O while I live to be the ruler of life, not a slave…/To be indeed a God!)

E meritojmë shoqërinë me perënditë e mira! Patjetër mes tyre dhe me perëndinë e drejtesisë. Faleminderit.( FOTO:Shkrimtari Visar Zhiti duke folur në atë që u cilësua si “Gjyqi i New Yorkut”)

*Kjo Esse e shkrimtarit Visar Zhiti u lexua nga ai në promovimin që u organizua nga Organizata Albanian-American Freedom House, me 18 shkurt 2013 në Yonkers, NY. Falenderojmë shkrimtarin Visar Zhiti që e dërgoi të plotë për ta botuar në Dielli.

Filed Under: Kulture Tagged With: amerikane, duke dale nga burgologjia, mes dy statujave, Visar Zhiti

VISAR ZHITI, I dënuari politik me 10 vite burg bëhet ministër i Kulturës

April 4, 2013 by dgreca

Kuvendi votoi shkarkimin e ministrave, Edmond Panariti, Edmond Haxhinasto dhe Vangjel Tavo. Si dhe votoi ministrat e rinj, në postin e Zv.kryeministrit dhe Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, Ministër i Jashtem, Aldo Bumçi, ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti dhe Ministër i Ekonomisë Florion Mima./

Shkrimtari i mirënjohur, Visar Zhiti nga një i dënuar nga diktatura me 10 vite burg politik, bëhet ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.

Visar Zhiti u lind më 2 dhjetor 1952 në Durrës dhe u rrit në Lushnjë, ku kreu edhe gjimnazin. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Shkodrës e disa vite punoi në Kukës si mësues. Në vitin 1973 provon të botojë dorëshkrimin poetik ”Rapsodia e jetës së trëndafilave”, botim që s’u jetësua dot, pasi dorëshkrimi interpretohet nga redaktorët e shtëpisë botuese shtetërore si “shtrembërim i realitetit socialist”. Mjaftoi vetëm kaq, për ta dënuar pastaj më 1980 me 10 vite burg.

Arrestimi i Visarit, erdhi pas denoncimit që i bënë redaktorët e libri të tij në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë, që e cilësonin si armik dhe akuza ndaj tij ishte: ”Nxirës i realitetit kundra realizmit socialist dhe poezi me ekuivoke kundra partisë e udhëheqësit të saj”.

Pasi kaloi nëtë muaj në hetuesi, duke i provuar gati të katër stinët e vitit aty në qeli, Visari doli në gjygj aty nga mesi i prillit i vitit 1980-të. Gjygji u bë në qytetin e Kukësit me dyer të hapura dhe me ftesa, duke zgjatur për dy ditë.

Visar Zhiti nuk i pranoi akuzat që i bëheshin duke u shprehur: “Në letërsi gjërat janë gjithmonë subjektive dhe si të tilla ato lënë mundësi për keqinterpretime. E për këto nuk mund të quhesh armik”. Pas këtyre fjalëve, prokurori e akuzoi atë se po bënte përsëri agjitacion e propagandë dhe aty në sallë. Në përfundim trupi gjykues e dënoi me dhjetë vjet burg politik dhe heqjen e të drejtës së botimit përgjithmonë kur të dilte nga burgu.

Tre katër vitet e para të dënimit, Visari i vuajti në burgun e Spaçit duke punuar me tre turne nëpër galeritë e minierave të piritit. Më pas ai u dërgua në kampin e Qafë- Barit (Pukë) duke punuar në minierat e akullta të saj, që dikur specialistët sovjetikë i kishin cilësuar si të papërshtatëshme për të punuar fuqi njerzore. Edhe në ato kushte Visari gjente mundësinë për të shkruar poezi…

Gjatë afro tetë vjetëve në ato burgje, ai shkroi rreth 400 poezi duke i nxjerrë të gjitha prej andej, me anë të nënës së tij kur i vinte për takim. Po në burgun e Spaçit ai shkroi dhe një roman të vogël, i cili i humbi gjatë kontrolleve që bëheshin nga komanda e kampit.

Pas lirimit nga burgu, Visar Zhiti ka botuar disa libra

Libri i tij i parë me poezi është:

”Kujtesa e ajrit”, Tiranë, 1993

Pastaj vijojnë me rradhë:

”Koha e krisur”, Tiranë, 1993

”Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, Tiranë, 1994

”Mbjellja e vetëtimave”, Shkup, 1994

”Dyert e gjalla”, Tiranë, Eurorilindja, 1995

”Kohë e vrarë në sy”, Prishtinë, ”Rilindja”, 1997

”Si shkohet në Kosovë, Tiranë, ”Toena”, 2000

”Rrugët e ferrit”, Tiranë, 2001

Visar Zhiti ka shkruar edhe librin ”Pazari i Këpuctarit”

”Molla e dënuar”, Poozi të zhgjedhura, (Condemned Apple),

përkthyer nga Robert Elsie, (Los Angeles: Green Integer, 2005).

Poetit Visar Zhiti në vitin 1991 iu dha çmimi italian për poezi “Leopardi d’oro” (Leopardi i artë), kurse në vitin 1997 ai mori çmimin prestigjioz “Ada Negri”.

Përveç kësaj krijimtarije të frytshme, Visar Zhiti ka punuar si gazetar, kurse më vonë, pas shembjes së komunizmit, ka punuar në shërbimet administrative të Kuvendit të Ri Shqiptar në vitin 1996 u zgjodh deputet në parlament.

Mbas realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999. Së fundi ka punuar në Ministrinë e Jashtme.

Kuvendi votoi shkarkimin e ministrave, Edmond Panariti, Edmond Haxhinasto dhe Vangjel Tavo. Si dhe votoi ministrat e rinj, në postin e Zv.kryeministrit dhe Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, Ministër i Jashtem, Aldo Bumçi, ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti dhe Ministër i Ekonomisë Florion Mima./

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: i Kultures dhe Turizmit, minister, Visar Zhiti

TRINIA E POST-BLLOKUT

April 1, 2013 by dgreca

SHKRUAN: VISAR ZHITI/

Instalacioni “Post-Bllok”, i porsavendosur në lulishten ndanë ngrehinës, ku dikur ishte Komiteti Qendror i PPSH, që sundonte gjithë jetën e vendin, është një risi në kryeqytet, i ideuar mjeshtërisht nga dy intelektualë artistë, Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi. Pikërisht nën dritaret e zyrës së diktatorit Enver Hoxha, ai bëhet më domethënës, megjithëse instalacioni në vetvete është i përkryer, me një thjeshtësi zhveshëse, në harmoni me mjedisin, estetikisht i denjë, që i ka dhënë kuptim më të thellë rrugës, dua të them metaforës së ecjes.
Janë tri objekte bashkë:
1- një bunker në avangardë, i ngulur nga dikur, për të ruajtur Bllokun e sundimtarëve nga sulmet eventuale të jashtme dhe të brendshme, duke vrarë këdo që mund të avitej andej.
2- I prapsur, në të majtë të tij, ngrihen disa trarë rrëqethës, autentikë nga minierat e burgut famëkeq të Spaçit.
3- Dhe simetrikisht në të djathtë lartësohet një copëz e zhvoshkur nga Muri i Berlinit.
Materia e tri objekteve është e njëjtë, betoni mizor, por e përbashkëta e tyre nuk qëndron te kjo, madje kjo është më e parëndësishmja. I bashkon një tragjizëm tjetër, një absurd vrastar, që tashmë i përkasin historisë. Prandaj dhe meditimi vjen natyrshëm. “Post-Bllok”, emër që na kujton se këtu dikur ishte e ndaluar të futeshe, kishte një postbllok-cereber, urdhër ushtarak, ndërkaq me gjuhën e një urdhri tjetër, atij të artit, do të thotë se kemi të bëjmë me kohën “post”, pas “Bllokut” komunist, kur ky vend nuk është më i tillë.

1- BUNKERI
Bunkerët –
si koka të qethura ushtarësh.
Sy guri,
gojë guri.
Fërgëllonin peizazhet…

Teksa shikoja instalacionin, mërmërita këto vargje, që i kisha shkruar dikur, student, nën diktaturë, kur botoheshin shumë vjersha për bunkerët, atentatorët, kufirin, telat me gjemba, ushtarët me automatik, diktatorin etj. Madje ato vargje i kisha çuar dhe për botim, duke shpresuar se nuk do të më keqkuptonin, se fjalët “tremben” apo “llahtarisen” peizazhet e kisha zëvendësuar me “fërgëllojnë”, si më poetike. Shqipëria ishte e mbushur me bunkerë, kudo e gjithandej, maleve, fushave, bregut të detit, ndanë udhëve, para pallateve, madje dhe brenda tyre si ai në Lushnjë, në MAPO-n e qytetit, përballë sheshit, që ta korrte me mitraloz. Do të luftonim me botën, po të na sulmonte. Specialistët thonë se bunkerët strategjikisht janë të pavlefshëm, nuk zgjidhnin dot asnjë betejë. Për çështje të tilla ka pasur dhe dënime me burg. Unë mendoj se bunkerët u ngritën për të prapsur e asgjësuar ndonjë lëvizje popullore, rebelim a kryengritje, pra i ndërtoi me urdhër populli kundër vetes. Si ai para Bllokut të sundimtarëve komunistë. Një lungë betoni e tokës. Kushtonin shumë, vetëm njëri sa një apartament i atëhershëm. Dhe ishin të shpërndarë mbi 60 000, pra 3-4 shqiptarëve u takonte një bunker, kur familje të tëra s’kishin strehim normal, jetonin ngushtë, dy-tri kurora në një shtëpi, kur ndodhte që dhomën e gjumit e ndanin me një çarçaf. Një harxhim i rëndë, sfilitje e ekonomisë së vendit. E gjithë kjo, nga shkaku i atij Blloku.
Bunkeri u bë simbol i Shqipërisë së mbyllur, i izolimit, i rrethimit, i gjendjes së përhershme të alarmit, i armikut që nuk vinte kurrë.
Në instalacionin e tanishëm bunkerit real i është bërë një ndërhyrje artistike, pa i prishur asgjë, është qarkuar me xham, i është bërë transparenca, si të thuash, dhe mund të hyhet brenda brenda në të. Jo si ushtar, por si vizitor. Nga i vërtetë, bunkeri është shndërruar në të pavërtetë, por më i vërtetë tani.

2- NË GALERI

E tmerrshme si gojë e kuçedrës
është hyrja e zezë e galerisë.
Andej punojmë, në bark të vdekjes,
ne, të burgosurit politikë.

Natë kemi tepër, por s’kemi yje,
as qiell fare përsipër s’kemi.
Veç kërcënueshëm na rrinë mbi krye
idiotë prej shkëmbi dhe prej shteti.

Vagonët shtyjmë plot bakër vuajtjesh
në të gjithë rrathët e skëterrës.
Dritë e kandilit rënkon si lutje
mbi kufomën e shqyer të jetës.

Mushkëritë e ditëve na u mbushën
me helme minash, pluhur martelesh.
Dhe zgjaten shinat si tyta pushkësh
nga zgavrat e kafkës xhelate të vdekjes.

Dhe gurët thyejmë me varé
në shembje furnelesh dhe epokash.
Ah, fati theu brenda te ne
statueta dashurish, guxim kolonash.

Nën tokë jemi, ku janë të vdekurit.
Skelete britmash me lecka hijesh.
Goja e galerisë në malin e shekullit
ha mish atdheu, kocka diejsh.

Ndoshta në ata trarë betoni të sjellë nga Spaçi, sipër tyre, ku dikur rëndonte shkëmbi i minierës, në ndonjë zgavër guri midis mund të ketë qenë e fshehur ndonjë poezi, ja si kjo, që e nxora nga libri im “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”.
Trarët e betontë tani më duken si skeleti i brinjëve të një qenieje të cofur. Ne u thoshim trupa galerie, ishin prej betoni, po dhe prej druri, që shërbenin për të veshur minierën nga brenda, rrugët e nëndheshme, frontet e punës, ato guva shkëmbore gjithë rreziqe, që të mos binte shkëmbi a mali e të zinte nënvete gjithçka, siç edhe ndodhte. Kjo bëhet për të mbrojtur jetët e atyre që punojnë nëntokë dhe për të mbrojtur punën. Ndryshe nuk vazhdohet dot. Por jetët e të burgosurve nuk kishin ndonjë vlerë në diktaturë, s’ishin jetë njerëzore, por armiqsh që duheshin mbajtur gjallë për t’i shfrytëzuar si skllevër, si kafshët a mjetet e punës.

3 – NJË COPË NGA MURI I BERLINIT

Urrej të ndjek si dhe të prij.
Fridrih Niçe

Mos harro
të më sjellësh një copë të vogël guri
nga Muri i shembur i Berlinit, miku im i huaj!

Kur ta mbaj në duar, e di, do të dridhen
kufijtë e përgjakur, burgjet, selitë e tiranëve
do të ndiejnë gërryerje dhe
do të duan të bien si në një mallkim.
Gurët në veshka do t’i shkaktojnë kriza të tjera shtetit.
Do të ndihen keq piramidat, do të lëvizë shkretëtira
valë-valë e zemërimit,
Muri i vjetër Kinez –
si një rresht pleqsh të lagur në azilin e historisë.
Oh, sa frikë kanë tani nga ky gur i pakët, i dhuruar,
që unë e kam lënë mbi tryezën e punës. E prek
si një plagë të përtharë dhe
menjëherë lëvizin të vrarët nën dhé, ata që deshën
të kapërcejnë muret,
telat me gjemba,
vdekjen…
Dhe gurët e varreve pendohen.

– Po nga ç’planet është marrë, pse e ruan këtë gur? –
do të më pyesë ndoshta ndonjë nga fëmijët. Dhe
unë do të them: është gur i historisë, nga një perandori e rënë…

Kisha kërkuar dikur një copëz të vogël, një guriçkë nga Muri i shembur i Berlinit, nuk e dija atëherë që ai ishte me pllaka betoni, parafabrikate si të pallateve që ndërtonim me punë vullnetare në diktaturë, ndërsa miku im gjerman më kishte kërkuar një copëz nga shtatorja e rrëzuar e Enver Hoxhës, një zhallatë nga bronzi i tij a nga mermeri i piedestalit. Shkëmbime në natyrë.
Dhe poezinë e mësipërme e futa në librin tim “Mbjellja e vetëtimave”, që u botua në Shkup nja 15 vjet më parë. Dhe atje ka ende Mur Berlini. Ndërkaq, në Tiranë nga ai Mur na erdhi për të gjithë një masiv i tërë. Për kujtesën kolektive.
Kur rri përballë tij, të kap një emocion i çuditshëm. Ka ardhur nga Gjermania. Me avion, me kamion? Apo e mbartën mbi shpinë, ashtu siç mbanim trupat e galerisë, sepse ai mur ka rënduar mbi supet e njerëzimit. Ndau një kryeqytet në mes, një atdhe. Dhe ne e kuptojmë shumë mirë se me mure të tilla jemi capërluar. Ndau Europën në dy sisteme. Ai vazhdonte i padukshëm dhe brenda çdo njeriu në Shqipëri. Na ndau me të tjerët me luftë klase dhe secilin e ndau nga vetja, nga dëshirat e tij, nga ëndrrat.
Mijëra ishin ata që kishin ëndërruar ta kapërcenin, që u rrekën ta kalojnë, që i grinin plumbat me duart mbi të si dy gjethe vdekjeje.
Nga ana këtej ajo copëz muri është e mbushur me vizatime, janë sprucuar ngjyra të ndryshme, shkronja, sy, e zeza, e kuqja, e verdha, abstraksione, ashtu siç i mbushin muret të rinjtë sot kur shkruajnë “I love you”. Sigurisht pjesa e pikturuar e Murit i takonte Perëndimit, nga andej qytetarët perëndimorë mund t’i afroheshin Murit, ta preknin, të bënin ç’të donin, por jo ta shembnin. Ishte shpejt.
Kurse faqja tjetër, ana e pasme në instalacionin tonë, i përkiste Lindjes, se është e shkretë si verbëria, pllakë gri betoni si ato që u vënë sipër arkivoleve para se të hedhin dheun. Nga pjesa lindore nuk mund të afrohej askush, se e grinte automatiku sovjetik. Ende ruhen në një rrugë pranë Murit në Berlin thasët me çimento të post-bllokut, të vendstrehimit ku vëzhgonte ushtari i kuq e sipër valëvitet ende flamuri me drapër e çekan, i leckosur tashmë nga shirat e erërat dimërore e dielli i verës.
* * *
Objektet e trinisë, duke mos pasur në zanafillën e tyre asnjë lidhje me artin, madje duke qenë kundër artit hapur dhe armiqësisht, të bëra bashkë sot nga dy intelektualë artistë, nga Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi, kanë marrë një vlerë të pazakontë, janë bërë art. Nuk kanë agresivitet, duken të pafajshme. Sikur i kanë shtuar kryeqytetit mençuri më shumë.
Bunkeri ngjan sikur kërkon të thotë diçka me gojën e gurtë: ruajuni nga e kaluara juaj, që ndonjëherë pret dhe në të ardhmen.
Trarët e Spaçit, që të fanepsin hyrjen për në ferr, por pa ferr pranë, se është zhbërë, sikur na kumtojnë që e keqja megjithatë pret dhe e padukshme. Që të mos ribëhet, na duhet dhe kujtesa, temjani i saj për të trembur djallin. Ja, pllaka e Murit të Berlinit si luspë e një kafshe të egër, kthetrat, dhëmbët e së cilës nuk të futin më frikën, madje janë bërë ornamente të mjedisit. Por trinia duket sikur thotë: ruajuni. Është në dorën tuaj…

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Trinia e Bost-Bllokut, Visar Zhiti

KUJTESA DHE LIRIA, RIKTHIM TEK VIRTYTET…

February 28, 2013 by dgreca

KUJTESA DHE LIRIA, RIKTHIM TEK VIRTYTET… 

 

– duke dalë nga burgologjia… mes dy statujave amerikane -/

 Nga Visar ZHITI*/

 …ndërsa po të nisesha për këtu, në një shesh të Tiranës pashë shtatoren e (porsa)ngritur gjatë festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, atë të një amerikani të madh, Presidentit  Wilson,  që doli në mbrojtje të të drejtave të popujve të vegjël dhe ndali copëtimin e  mëtejshëm të Shqipërisë. Dhe Shqipëria mbeti, aq sa ç’është sot, prej asaj ndërhyrjeje jetike dhe shteti i saj u fut tashmë në shekullin e dytë të punës.

Vështrimi m’u fiksua tek cilindri amerikan mbi kryet e shtatores, s’e di pse. Diktatori ynë, krahas borsalinës, kishte mbajtur dhe kokore sovjetike dhe kasketë kineze. Dhe i ngjeshi popullit helmetën, po mendoja, teksa e armiqësoi me botën dhe rrekej gjithë delir ta përgatiste të luftonte fillikat kundër SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik njëkohësisht dhe të fitonte, sepse kishte në duar armën e marksizëm-leninizmit. Absurditet dhe marrëzi vrastare, thashë me vete dhe pashë përsëri nga shtatorja e Wilsonit. Bronz i kujtesës, metaforë e mirënjohjes, mërmërita.                                                               

Ky imazh nuk do të më ndahej gjatë udhës qiellore për në Nju-Jork. Ndërsa ai copëtim i pakryer i trojeve tona sikur kaloi në mëndësinë tonë si kompleks, preku dhe mishin e gjallë të jetës dhe, kur ne nuk po na copërlonin të huajt, po ia bënim vetes.

Por unë, edhe pse vij këtu si kujtim i një dhëmbjeje në gjyqin e Nju-Jorkut, ku do të dënohet moralisht diktatura, i ftuar nga organizata “The Freedom House”, me president z. Muç Xhepa, (bashkarisht falenderoj dhe ata që mundësuan ardhjen dhe ndejtjen time, z. Zef Balaj, bashkëvuajtësin tim z. Esat Coku, znj Engjelushe e Jatiar Luzaj dhe familjen Seferi), ndërkaq do të doja të flisja për ndryshimet që bën jeta shqiptare, për ato metafora aq të befta, ndoshta nga që kam qënë dënuar për metaforat. Ja, burgu ynë u shndërrua në kujtesë, në burgologji dhe koha duhet të shkëputet ende më tepër nga psikoza munduese e së kaluarës, pa e harruar. Vërtet ka patur bëma dhe ndodhi të atillë paradoksale në një kohë aspak të largët, madje ngjitur me tonën si pas një Muri Berlini tashmë të shëmbur, kur nisi sundimi i fitimtarëve të pas Luftës II Botërore. Erdhën si çlirimtarë duke sjellë robëri më të rëndë. Duke përshtatur përdhunshëm një doktrinë gjysmake, utopi mizore, që gjakonte me gjak të krijonte rendin e ri, në fakt që të ruanin sundimin e tyre, socializmin real të njeriut të ri, pa virtytet vetanake dhe të përhershme. Nuk po lejohej asgjë, as fantazia, ishin rrëmbyer pronat dhe mundësitë, madje as jetën e as vdekjen nuk i kishe të tuat, por të shtetëzuara nga ai revolucion i paqartë, çapraz. Dhe më përpara se të hapnin universitete, hapën burgje. Dhe u shndërrruam në burgun më të madh, duke qenë vendi më i vogël në të gjithë perandorinë komuniste.

Si nëpër nënkatet qerthullore të ferrit, hidheshin rregullisht kundështarë e disidentë e viktima e dënoheshin dhe ide e besime, por dhe libra e lexues të tyre, biblioteka, po, po ngrehina bibliotekash dhe ato të teatrove bashkë me dramat, festivale këngësh, peizazhe dhe piktorë të tyre, le më pastaj që janë dënuar dhe varret. Të vdekurit e mëdhenj donin t’i vdisnin ende më shumë. Ja, poetit Gjergj Fishta, “Homeri i fundit” në Ballkan, i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, do t’i prishnin varrin dhe do ia hidhnin eshtrat në lumin Drin. Një kundërshtar si ai s’duhej të kishte kohën e pas vdekjes, duhej të zhbëhej për komunistët. Dhe kështu bënë dhe me të tjerë, të gjithë të pushkatuarit, të shuarit burgjeve s’duhej të kishin varre.

Ndërkohë diktatura kultivonte inteligjencien e saj, ku bënin pjesë dhe shkrimtarë dhe i mirëmbante ata ashtu si policinë, fabrikat e armëve apo fermat, teksa komplotonte ta zëvëndësonte Zotin me veten e vet, për rrjedhojë dhe kishat e xhamitë me komitetet e partisë dhe ato ekzekutive dhe klerikët i burgoste ose dhe më keq. Dhuna permanente në fund të fundit ushtrohej po me inteligjencë, jo vetëm me policë, me kundërkulturë kundër kulturës, me shërbimet perfekte të mediokritetit ideokracisë dhe sistemit totalitar.

Në tempullin e kujtesës/

…duhet të kthehemi herë pas here. Është njohje e së vërtetës, e vetes si individ dhe shoqëri, si komb dhe histori, që shumëçka të shndërrohet në përvojë dhe profilaksi, me qëllim që të mos përsëritet e keqja dhe të dimë që ëndrra e thyer të përtërihet e të bëhet sa më parë vepër e të prekim të ardhmen. Janë të domosdoshme “Shtëpitë e lirisë”, si vatra me zjarrin e çështjeve, jo me hirin. Jo vetëm të flasim për ç’ka ngjarë, por prej tyre të nxjerrim dukurinë.

Ja, në vendin tonë teatrot dhe kinematë ekzistuese, me të mbaruar lufta, i shndërruan në salla gjyqesh. E pa imagjinueshme. Në mesjetë ka patur një ide kësisoj, Theatrum mundi, që e shihte botën si një teatër, ku njerëzit kthehen në aktorë. Komunizmi shqiptar bëri të kundërtën. Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës, Përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë të gjithë, ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë. Në llozhat lart rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta dora zgjatej për monoklin siç bëjnë nëpër opera në Perëndim dhe kapte revolverin.                                     Në altoparlantët jashtë nëpër rrugë të qyteteve të vendit dëgjoheshin gjyqet si gjëmime, si kërcënim. Binin copa fjalësh, emra. Dënoheshin me burg e pushkatim nga ata burra që kishin sjellë historinë e Shqipërisë deri aty. Ndërpriteshin jetët e tyre.

Mendo pastaj se si do të ishin dramat që do të viheshin në ato skena, realizëm socialist acarues, më shumë propagandë dhe s’dihej se sa art mbartnin. Dhe absurdi shkoi më në absurd, u arrestuan dhe metaforat, nuk lejoheshin në letërsi, kur në realitet të llahtarisnin.

“Shqipëria që shtypej”

…megjithatë guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës. Me të drejtë kujtohet se vetëm 19 ditë zgjati ajo që historia e re e quan Revolucioni Hungarez i 1956-ës, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonin betejat me armë në dorë mbi 10 vjet të tjera rresht. Përrenjtë sillnin gjakun e tyre, edhe kufoma.

Në burgjet tona politike pati dy revolta masive, ajo e Spaçit, ku u ngrit Flamuri Kombëtar, nga vëllezërit Coku me shokë, i sajuar nga një këmishë me gjak, pa yllin e komunizmit dhe përsëdytja e saj në Qafë-Bar, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, ku u ridënuan të dënuar, dhe me pushkatime, pastaj u dënuan dhe vetë burgjet. Edhe ushqimit i hidhnin sodë sapuni për vdekje jo dhe aq të ngadalta. Nga që duhej të vazhdonim punën nëpër miniera gjithandej.

Në një farë mënyre ne të gjithë jemi si pas vdekjes. (*  Fjala e shkrimtarit Visar Zhiti ne Gjyqin e New Yorkut, mbajtur me 18 shkurt ne Royal Recency. Te plote do ta lexoni ne Diellin e radhshem ne print)

Filed Under: Featured Tagged With: duke dale nga burgologjia, Kujtesa dhe Liria, mes dy statujave amerikane, Visar Zhiti

NJË ZË NGA FERRI I ENVER HOXHËS

February 28, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi shkrimtari, poeti dhe vuajtësi i burgjeve të regjimit komunist shqiptar, Zoti Visar Zhiti zhvilloi aktivitete këtu në Shtetet e Bashkuara, përfshirë New Yorkun dhe Washingtonin, në kuadër të promovimit të dy librave të tij të fundit, ”Rrugët e Ferrit” dhe ”Ferri i Çarë”, një dëshmi okulare e jetës në dy kampet famkeqe të Shqipërisë, Spaç dhe Qafë Bar.   Aty ku torturat, interrogimet, dëshprimi, uria dhe mizori të tjera çnjerëzore, ishin vetëm disa prej tmereve që përshkonin jetën e e përditshme të kundërshtarëve të burgosur politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.   Njëri prej këtyre të burgosurve ishte edhe shkrimtari i njohur Z. Visar Zhiti.

Sipas të dhënave që më dërgoi Mustafa Xhepa i organizatës shqiptaro-amerikane, Shtëpia e Lirisë, si koordinuese e vizitës,  Zoti Zhiti pati një agjendë të ngjeshur në Washington ku zhvilloi takime zyrtare, përfshirë edhe takimin në Departmentin amerikan te Shtetit, me Z. Christopher Carver, i cili mbulon Shqipërinë.  Sipas të dhënave, në takimin me Z. Zhiti  zyrtari amerikan shprehi interesimin e tij për trajtimin e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë nga qeveria shqiptare.   Gjatë takimit me vizitorin nga Shqipëria,  Zoti Carver, ndër të tjera, nënvijoi gjithashtu edhe interesimin e Shteteve të Bashkuara për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të këtij viti në Shqipëri,  duke thënë se Amerika në përgjithësi ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në atë vend.   Zoti Zhiti foli mbi gjëndjen aktuale në Shqipëri duke shprehur optimizmin e tij për të ardhmen e vendit. Gjatë qendrimit në kryeqytetin amerikan, shkrimtari dhe vuajtësi i tmereve të gulagut komunist shqiptar, bëri edhe një vizitë në Bibliotekën e Kongresit amerikan ku e priti Z. Grant Harris, Drejtor për Evropën i këtij institucioni të njohur amerikan.

Si i ishpërndjekur i regjimit komunist, Zoti Zhiti nuk kishte si të mos shkonte tek memorialin në Washington kushtuar  viktimave të komunizmit në botë si dhe në muzeumin Laogai, ku ekspozohen krimet e regjimit komunist në Kinë. Aty Zoti Zhiti u takua me Drejtorin e muzeut, Zotin Harry Wu, vizitë këjo e cilësuar si një ”takim mes dy vëllëzërve”, pasi edhe ai vet është një ish i bugosur politik.    Zoti Zhiti vizitën e tij në Washington e përfundoi — siç është traditë me personalitetet shqiptare që vizitojnë kryeqytetin amerikan — me një intervistë tek Zëri i Amerikës.   Pyetjes  së Zërit të Amerikës në lidhje me trajtimin e ish të burgosurve  në Shqipëri , ai  u përgjigj duke thënë  se megjithëse “janë bërë shumë”  për të ndihmuar ish të burgosurit,  ”shoqëria shqiptare duhej të ishte më e ndejshme në këtë drejtim”, dhe se Shqipërisë i mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të rehabilitimit moral, shoqëror dhe financiar”,  të  tyre, shtoi Zoti Zhiti.   Por, ai me megjithëse i vuajtur  si edhe shumë  të tjerë,  me një butësi  dhe pa zemërim as inat   rrëfei  —  atë që më duket se ishte një frustrim i tij se si gjatë viteve pas rënjes së komunizmit e madje edhe sot se — ”gjithmonë mbi krye kishte, një shef, një të dikurshëm që ka urdhëruar dikurë, edhe tani po kështu.”   .  Zëri i Zotit Xhiti është një zë për mundësi të barabarta dhe për drejtësi për të gjithë.  Është një zë që në thelb  i bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e dëmshpërblimeve  morale dhe material,  me qëllim të tranformimit të marrëdhënjeve midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqendrimit dhe  “shefave të dikurshëm” të regjimit komunist  e të cilët ende japin  “urdhëra”.

Zoti Zhiti tha për Zërin e Amerikës se shoqëria shqiptare  dhe shteti, pasi ai me të drejtë ai tha se ”shoqëria dhe shteti janë pjellë e njëra tjetrës,”  i kanë borxh kësaj shtrese, duke venë në dukje se “shoqëria shqiptare ka përfituar shumë nga puna e të burgosurve, nga puna e pa paguar e të burgosurve”, theksoi ai, duke nënvijuar se, “të gjitha veprat e rëndësishme në Shqipërinë dikatoriale i kanë themelet në punën dhe djerësën e ish të burgosurve politikë.   Janë kockat dhe gjaku i tyre në to…boll të bëheshin akcionerë në vepra që edhe sot janë rentabël, këjo do ishte një mënyrë dëmshpërblimi”, shtoi ai, duke përmendur si shembull aeroportin e Rinasit, ”që ka filluar nga të burgosurit, e kanë bërë ata” , tha ai, duke shtuar se madje aty nuk ka asnjë pllakë për dokumentuar këtë fakt të hidhur.  Zëri i Zotit Xhiti është një zë për mundësi të barabarta dhe për drejtësi.  Është një zë që i bën thirrje drejtësisë shqiptare që të angazhohet më seriozisht për sigurimin e dëmshpërblimeve  morale dhe material me qëllim të tranformimit të marrëdhënjeve midis ish të përndjekurve që kanë mbijetuar kampet e përqendrimit dhe shty

Me qetësinë e tij shpirtërore, me fjalët e tija të buta dhe pa zemërim e as inat, ai të detyron   t’i   kushtohet vëmëndje deklaratave dhe kujtimeve të tija si dhe të ish të burgosurve të tjerë si At Zef Pllumi e shumë të tjerë,  të cilët  janë përpjekur dhe po përpiqen të  hedhin dritë mbi ato ngjarje e epizode, megjithëse të dhimëshme, të atij kapitulli të errët të historisë shqiptare.  Është e rëndësishme për të mësuar nga ato përvoja të rënda, si individë dhe si shoqëri,  me shpresë që  të mos përsëriten më, dhe ndoshta eventualisht për të bër të mundur heqjen e kësaj barre të rëndë  që ende rëndon mbi ndërgjegjen e kombit shqiptar.    Kujtimet e këtyre heronjve të kombit dhe librat e tyre janë një frymëzim dhe ofrojnë mundësinë e një reflektimi mbi vet natyrën njerëzore, si dhe mbi luftën midis të mirës dhe të keqës.   Këto, jo vetëm që përshkruajnë tmeret e një sistemi anti-njerëzor, si ai i regjimit komunist në Shqipëri, por ata  në të njëjtën kohë nderojnë viktimat e pafajshme të atij sistemi famkeq, me të cilët ata kanë ndarë të njëjtin fat në birucat e atij sistemi.   Besoj se synimi  i Zotit Zhiti dhe i veprave të autorëve të tjerë ish të burgosur është i të njëjtës rëndësi me objektivin për të informuar ne të gjallët që kemi pasur fatin të mos jetojmë nën atë sistem, dhe gjithashtu që nga përshkrimi  i  këtyre përvojave,  brezat e ardhëshëm të mësojnë nga këto  vepra mbi vuajtjet, kurajon dhe qendresën e pa imagjinueshme të shumë  bijve dhe bijave më të mirë të kombit, shumë prej të cilëve nuk patën fatin për të shënuar kujtimet e tyre, pasi  shumica ose u pushkatuan pa gjyq ose vdiqen nepër kampet e përqendrimit, e të cilëve as varri nuk u dihet.

Librat e Zotit Zhiti dhe të ish burgosurve të tjerë shqiptarë si vepra e njohur e At Zef Pllumit, Rrno për me Tregue, janë dëshmi dhe deponime të mbijetuarve të kampeve më të këqia të përqendrimit që ka njohur bota, ato të Shqipërisë komuniste. Ata ishin  ”dëshmitarë të atij shekulli”, dhe siç ka thënë  ish i burgosur  rus,  Dmitry Likhachev, ”është detyra  jonë  njerëzore për të thënë të vërtetën për atë periudhë”.

Në librin e autorit  amerikan Harold B. Segel me titull , The Walls Behind the Curtain, ose Muret pas Perdes, paraqiten  punimet dhe veprat e një numër shkrimtarësh e poetësh  evropianë  të  burgosur gjatë komunizmit.   Ndër ta janë emërat e shkrimtarëve më të mëdhej të Evropës Lindore, si Vaclav Havel, Adam Kuchnik, Eva Kanturkova, Paul Goma, Milovan Djilas, Tibor  Dery e të tjerë.  Është doemethënës fakti se në këtë listë shkrimtarësh të njohur nga Evropa të cilët kanë bërë histori me veprat e tyre,  autori  në këtë libër  për lexuesin amerikan, ka përfshirë edhe  shkrimtarin  dhe poetin shqiptar Visar Zhitin, si një shembull i një personi që e ndienë për detyrë njerëzore për të shkruar dhe për të  treguar të vërtetën për atë periudhë —  por dhe si  simbol  i qëndresës këmbëngulëse dhe i vullnetit të pashtershëm  të shpirtit të shqiptarit për liri e demokraci,  vlera dhe parime këto, për të cilat shumë  dhanë jetën në kampet e përqendrimit  anë e mbanë Shqipërisë dhe Evropës Lindore.

Zoti Zhiti, meriton përgëzimet e të gjithëve për kurajon dhe qëndresën e tij morale si individ dhe si shkrimtar, ndaj një regjimi shpirt-thyes.    Njëkohësisht meriton falenderimet tona për kujtimet e tija nga ajo periudhë e zezë e historisë shqiptare, pasi kujtime të tilla po zhduken dalngadalë me qëllim e pa qëllim, nga një shoqëri që  në mos e krijoi gulagun shqiptar, atëherë të pakën e toleroi.  Është një zë nga ajo e kaluar e trishtueshme e gulagut  shqiptar që duhet të dëgjohet jo vetëm nga  shoqëria shqiptare, por edhe nga bota e qytëruar, si një obligim ndaj të gjallëve dhe ndaj të  vdekurve.

NE FOTO: Zoti Zhiti pranë përmendores  në Washington kushtuar  viktimave të komunizmit botëror

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, nje ze nga ferri i Enver Hoxhes, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT