Nga Agron Alibali*/
I. Hyrje/
Për jetën e Konicës gjatë periudhën studimore në Harvard gjatë viteve 1911-1912 nuk është ditur shumë. Arkivat e Universitetit të Harvard, të shfrytëzuara për herë të parë nga studiuesi Efthim Dodona, si dhe arkiva e tij private, japin informacion të vyer për jetën dhe veprimtarinë e Faikut gjatë studimeve në Harvard dhe më tej.
Dihet se Faik Konica shkeli në Boston për herë të parë më 9 tetor 1909 me anijen Ivernia. Ai i shkruante Fan S. Nolit se “do të mbërrinte në Boston i veshur me kostum popullor shqiptar”.Madje edhe vetë veprimi i zbritjes në tokën amerikane i veshur me fustanellë do të kishte kuptim të madh simbolik mbasi, sipas fjalëve të Nolit, synimi ishte që “ta botonte foton e vet në gazetë për ta përdorur për propagandimin e çështjes së kombit shqiptar, që mbeti edhe pasioni i tij gjatë gjithë jetës””. Menjëherë Fan Noli i dorëzoi Faikut drejtimi e Diellit, por ky i funditu largua nga pozicioni i Kryeredaktorit pas disa mosmarrëveshjes me punonjësit. Fill paskëtaj ne e gjejmë Faikun disa mijë kilometra larg, në qytetin St. Louis të shtetit Missouri në vitin 1911, ku ai botoi për pak kohë një fletore rivale, “Trumpeta e Krujës” para se të kthehesh në Boston mbas një ndalimi të shkurtër në Michigan dhe Chicago.
II.Periudha studimore e Konicës në Harvard
Arkiva e Harvardit jep informacione të tjera të rëndësishme për jetën dhe arësimin e Konicës. Çdo student i atij universiteti pajiset me dosje e cila mbledh të gjitha informacionet themelore për jetën profesionale të studentit deri në vdekje. Dosja e Konicës pëmban kartën e studentit, korrespondenca të ndryshme, formularin apo kërkesën e pranimit, një kopje të nekrologjisë, etj.
Pas kthimit në Boston, më 10 Gusht 1911 Konica bëri kërkesë për të studiuar për gradën shkencore Master of Arts [A.M.] në Familjen e Gjuhëve të buruara nga Latinishtja (Romance Languages) në Shkollën Pasuniversitare të Arteve dhe Shkencave në Universitetin e Harvardit. Vendimi i pranimit u mor vetëm dy ditë më pas, me 12 gusht 1911, me kusht që ai të provonte aftësitë e tij në gjuhën gjermane. Konica u regjistrua zyrtarisht në shkollë me 25 shtator 1911. Të nesërmen, me datë 26 shtator, Konicën e mori në intervistëpersonalisht Prof. J. Ford, i cili deklaroi më pas seFaiku “nuk kishte kurrfarë vështirësie për të punuar me libra në gjuhën gjermane.” Prof. Ford shkruajti më tej në raportin e vet se Faiku “kishte lexuar jo pak traktate në gjermanishte që lidheshin me punën e ti studimore në shqipe, dhe ai njeh mjaft mirë Grundriss-in e Grüber-it. Unë nuk do ta detyroja atë që të merrte kursin e gjermanishtes.” Kësisoj, parakushti u hoq pa patur nevojë që Konica t’i nënshtrohej provimit.
Faiku kërkoi që të regjistrohej në amzën e Harvardit me emrin Faïk Konitza, ose, Faïk Bey Konitza, “nëse – siç shkruante vetë – nuk ndalohen titujt e fisnikërisë”.Sikurse do të shpjegohet më poshtë, Faiku hoqi dorë nga përdorimi i dy emrave të mesëm që, sikurse pranon ai, “i kishte vënë vetë në rininë më të hershme”.
Synimi ambicioz i Faikut ishte marrja e diplomës brenda vitit. Edhe Harvardi e miratoi në parim objektivin e Konicës, duke theksuar se “nëse ju do të kryeni studime të avancuara, të miratuara nga katedra për notë të lartë dhe këto do t’i kryeni me vlerësime maksimale, kjo pa dyshim do t’ju sigurojë marrjen e diplomës brenda vitit”.
Gjatë vitit studimor në Harvard Konica studioi në kurs të rregullt lëndët e Letërsisë së Krahasuar, Frëngjishten I dhe II. Ai mori edhe kurse të pjesshme në Letërsi të Krahasuar II, Frëngjishte III, dhe Filologji të Gjuhëve të buruara nga Latinishtja (Romance Languages). Në të gjitha këto lëndë Faiku mori notën maksimale.Kësisoj ai ia arriti pikësynimit për t’i përfunduar studimet pasuniversitare brenda vitit dhe u diplomua në vitin 1912.Në kursin pasuniversitar të Letërsisë së vjetër Frënge, të Prof. Edward S. Sheldon, Konica zuri miqësi me Henry Grattan Doyle, i diplomuar në Kolegjin e Harvardit më 1911. Ata ishin të vetmit studentë në kurs. Miqësia e tyre zgjati për shumë vite, madje edhe gjatë kohës kur Faiku shërbente si Ministër Fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara. Doyle e përshkruante Konicën si “një xhentëllmen e studiues, si dhe diplomat dhe mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara” i cili “kishte shumë miq këtu”. Duke iu referuar pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939, Doyle shkruan se “zhdukja e përkohëshme e vendit të tij nga familja e vendeve të pavarura ishte një grusht i rëndë” për të”.Në korrespondencën e vet me Harvardin, Doyle përfshiu edhe nekrologjinë eKonicës, ndofta të botuar në gazetën The Washington Post. Kurse e fundmja adresë e banimit të Faikut jepej 1530, Sixteenth St., N.W., Washington, D.C.Nekrologjia e shkurtër përmendte se përveç shqipes, Konica “mund të lexonte edhe në italisht, spanjisht, rumanisht, portugalisht, turqisht, gjermanisht, greqisht, hebraisht, arabisht, frengjisht dhe anglisht”.Nekrologjia përmend edhe se Konica “u dënua me vdekje nga autoritetet otomane për veprimtarinë e tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, dhe se ndikimi i tij ishte vendimtar për të bindur Mbretin Zog që të adoptonte një reformë të gjerë agrare në vend”.
a. Karta e studentit
Çdo student i Universitetit të Harvardit ka në dosje edhe një kartë ku përfshihen të dhënat themelore biografike të jetës së studentit. Sipas saj, studenti Faik Konica u lind në mars 1876 në qytetin e Konicës, i biri i Shahin Beut dhe i Zoña Lalia (Delvina) Konica, dhe vdiq në 15 dhjetor 1942 në Washington, DC.Me interes është fakti se, më vonë Konica e jep ditëlindjen e vet vetëm si për muajin prill. Kjo ndofta lidhet me ndryshimet në kalendaret e zbatuara në atë kohë dhe më pas. Vendlindja e tij tek karta e studentit jepet Konica, Turqia e Europës..Karta tregon se Konica i plotësoi studimet pasuniversitare më 1911-1912, se ishte i punësuar me qeverinë shqiptare si Ministër në SHBA dhe se adresa e tij e fundit e njohur zyrtare ishte The Mayflower Hotel, Washington, D.C. Bashkëngjitur me kartën është edhe nekrologjia e shkurtër nga një fletore e Bostonit, ku jepen edhe informatet për varrimin si dhe shërbimet përkatëse.
b. Kërkesa apo Formulari i Pranimit
Një tjetër dokument i rëndësishëm arkivor është formulari i pranimit të Konicës në Universitetin e Harvardit i datës 4 gusht 1911. E veçanta e këtij dokumenti është se informatat personale janë dhënë prej vetë Faikut. Kështu për shembull, Konica e shkruan emrin e vet në trajtën frënge Faïk Konitza, trajtë që e ruajti gjatë gjithë jetës së vet duke e përdorur edhe në të gjitha dokumentet zyrtare, shkrimet, letrat dhe korrespondencën e tij.
Emri dhe Vendlindja
Emri i plotë i Konicës në diplomën frënge dhe vendlindja e tij janë: “Sieur Schich’go Konitza, Faïk, Suavi, né à Konitze, (Albanie-Turquie) le Mars 1876, Ka mendime se trajta “Schich’go” lidhet me fjalën shqipe “shishko”. Nuk është e qartë nëse ky ishte mbiemër i familjes ose i referohej thjesht një fëmije të shëndetshëm. Mirëpo Konica deklaron se përdori emrin e mesëm ekstravagant dhe të çuditshëm [“fanciful”]Schisch’go si kompozitë e emrit të shkrimtarëve Schiller dhe Hugo. Ja se si e shpjegon vetë Faiku këtë gjë në shënimin përkatës të Formularit të Pranimit në Harvard:Në Shqipëri ka një rrëmujë të madhe sa u takon emrave të përveçëm, pasi turqit nuk kanë mbajtur regjistra zyrtarë të gjendjes civile deri kohët e fundit. Kur mbusha formularin për provimin tim të parë bëra një çilimillëk: pranova përdorimin e dy emrave të çudtshëm të mesit, që afroheshin fonetikisht me emrat e Schiller-it dhe Hugo-it, dy poetëve që unë i admiroja më shumë. Sigurisht, sot unë nuk do të doja që kjo shaka të përjetësohej.”
Po ashtu, Faiku e shënon vendlindjen e vet si “Konitza (Albania)”, natyrisht duke i qëndruar besnik gjeografisë politike dhe etnike të asaj kohe. Kurse Regjistri i Studentëve të Diplomuar të Harvardit i vitit 1913 jep për Faikun këto të dhëna: Konitza, Faïk [g. 1911-1912 A. M.; B. ES. LETTRES, Univ. Dijon (France) 1895.] Janina, Albania, Turkey- in-Europe. Kuptimi i të dhënave lakonike të Regjistrit është se studenti Faik Konica ndoqi Shkollën Pasuniversitare të Arteve dhe Shkencave gjatë viteve 1911-1912; u diplomua me gradën shkencore Master of Arts; ka qenë i diplomar me diplomë të nivelit universitar në Letërsi në Universitetin e Dijon-it në Francë më 1895; tash jeton në Janinë, Shqipëri, Turqia Evropiane.
Arsimi
Arkiva e Harvardit jep të dhëna të tjera interesante për formimin arësimor të Faikut, të paraqitura prej vetë atij në Formularin e Pranimit.Duke iu referuar etapave të hershme të arsimit të vet, Konica shkruan se ai “kishte nxënë nga mësues privatë,” pa identifikuar gjithsesi shkollat e ndryshme që kishte ndjekur, të cilat përmenden tjetërkund.Aty konfirmojmë se Konica i filloi studimet universitare më 1890 në Collège de Lisieux, (Normandie); më 1893 ai shkoi në Lycée de Carcassonne (jugu i Francës) ku studioi deri më 1894, duke u përqëndruarnë studimet klasike, letërsi dhe filozofi. Më 1893, gjatë “Année du Rhétorique” doli studenti i parë i kursit në lëndën e Kompozicionit në Frengjisht dhe në Përkthimet Latine.Konica i përfundoi studimet universitare me diplomën of Bachelier de l’Enseignement Secondaire Classique (Lettres – Philosophie)në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit (Université de France) në 16 Nëntor 1895, pikërisht 115 vjet më pare. Sprova e tij “Për Shoqërizimin e Ideve” u vlerësua në provim prej Prof. Charles Adam si “eseja më e mirë”.Interesat studimore të Konicës ishin shumë të gjera dhe përfshinin Historinë, Filozofinë, Arsimin, Artet e Bukura, Astronominë, Fizikën, Kiminë, Botanikën, Zoologjinë, Gjeologjinë, Stilistikën ose Artin e të Shkruarit të Eseve. Sikurse u përmend më sipër, Konica kishte talent të veçantë për gjuhët e huaja. Ai kishte kryer studime të avancuara në greqishte (7 vjet), latinishte (nëntë vjet), frengjisht (12 vjet), anglisht (letërsi dhe kompozicion), italisht, si dhe kishte studiuar për dy vjet privatisht gjuhën dhe letërsinë gjermane.
Në vitin 1895-1896 Konica filloi studimet pas-universitare tekCollège de France në Paris, duke u përqëndruar në “letërsinë mesjetare frënge, dhe letërsi romake”, lëndë që jepeshin nga Profesorët Gaston Pâris and Gaston Boissier.
Të dhëna të tjera tek Formulari i Pranimit
Në rubrikën “Punësimi i Tashëm” të formularit Konica deklaronte se ishte “pedagog dhe redaktor letrar”[“Lecturer and Literary Editor].”Ndërsa pyetjes 13, se “në cilën fushë do të dëshironit të shqyrtoheshit si kandidat për diplomim? Shpjegoni me hollësi përvojën tuaj të përpashme në lidhje me temën”, Konica jep informacionin e më poshtëm biografiko-arsimor, të riprodhuar të plotë:
Frengjisht (me pjesëmarrje të rëndësishme në Anglisht)
Kam marrë me sukses provimet e letërsisë të kërkuara prej ligjës frënge për diplomën universitare (Bachelor); më pas, kam ndjekur për disa vjet si student i lirë kurse në Frëngjishten e Vjetër në Collège de France, dhe Letërsi Frënge në Sorbonne. Kam shkruar edhe punë origjinale në fushë, siç dëshmohet prej sprovës “Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale”, (“Essai sur les Langues naturelles et les langues artificielle”) botuar preje meje në Bruksel me 1904 nën pseudonimin Pyrrhus Bardyl”i.”
Kjo vepër prej 147 faqesh e Konicës u botua nga shtëpia Kiessling et Ciemë 1904. Gjindet, ndër të tjera, në Bibliotekën Widener të Harvardit, në Bibliothèque Royale de Belgique në Bruksel, si dhe në shërbimin e internetit Google Books. Vepra duket se u zbulua për herë të parë për botën e letrave shqipe prej studiuesit Luan Starovadhe më pas u analizua edhe prej studiuesit Artan Puto. Mund të shtojmë, pra, se pretendimi se Konica nuk ka lënë deri më sot asnjë vepër të plotë nuk qëndron.
Natyrisht, bagazhi veçanërisht i gjerë dhe i fortë arsimor i Konicës ia hapi me lehtësi atij dyert për në Universitetin e Harvardit.
c. Kërkesa apo Formulari i Punësimit
Tjetër dokument i rëndësishëm i cili nuk gjindet në arkivën e Universitetit, por u zbulua në arkivën private të Konicës me 13 mars 2006 është Kërkesa për Punësim, e paraqitur pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit. Konica u regjistrua tek kjo zyrë me14 mars 1912, d.m.th gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor.
Këtu Konica na jep të dhëna të tjera të rëndësishme për jetën dhe synimet e tij për të ardhmen. Ai synonte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romanse, kryesisht frengjisht dhe italisht”. Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A. dëshironte të punonte ai iu përgjigj: “Më 1912-1913, në rrethinat e Cambridge-it; në vitet e mëpasme kudo”. Synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy vieteve në kuadrin e organizatës VATRA. Sa i takon nivelit të pagesës, Konica shënon se do të parapëlqente të ardhura “në masën $1000-$1500 dollarë”. Natyrisht që bëhej fjalë për pagë vjetore, që në me vleftën e sotme do të vërtitej rreth 22,000-33,000 dollarë.
Në listën e e botimeve të tij, Konica shënon këto periodikë, libra dhe artikuj:
(1) periodiku “Albania”, 11 blenj “ku kam shkruar mëse 1500 shtylla me artikuj në frengjisht, si p.sh. “Relations entre la France et l’Albanie, d’apres des Manuscripts inedits per connu”;
(2) Essai sur la Langue naturelles et les Langues artificielles, …e komentuar me shumë lëvdata për stilin e autorit tek “Mercuri di France”, tek “Revu des Idees”, etj.”(Dielli-arkiv))