• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRJETIME TË DIKTATURËS

October 27, 2018 by dgreca

1 agron Alibali

 Nga Agron Alibali/

Tiranë, mes tetori 1975.  Atë vit kishte qëlluar një tetor i zymtë, i vranët, i lagësht. Kishte ditë që binte shi me gjyma. Aq sa dukej sikur ishte bashkuar qielli me dheun, si për të parandjerë një mynxyrë…

1 Zizi

Natë që nuk harrohet  

Natën e13 tetorit, ndërsa shiu nuk pushonte, rreth orës 22:30 papritur troket dera. E hap unë. Ishte Hatixhe B., kryetare e Frontit Demokratit të bllokut, të lagjes 8 në Tiranë.

-“Dua të flas pak me prindërit”, – shprehet ajo, pas përshëndetjes së rastit. Del babai.

-“Nesër duhet të paraqiteni qysh në ora 6:00 në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit të Lagjes”, – kumtoi Hatixhe B., pa e zgjatur.

-“Për ç’arsye”?, – pyesim ne.

-“Nuk di t’ju them më tepër. Natën e mirë”, – tha, dhe u largua.

Asnjeri nga ne nuk mundi të vërë gjumë në sy atë natë. Mijëra mendime filluan të na vinin në kokë. Pse na thirrnin? Ç’do të ndodhte me ne nesër? Pse të na njoftojnë kaq vonë për një takim kaq herët?

Të nesërmen, rreth orës 5:40 dal me babain nga shtëpia, për të shkuar drejt vendit të caktuar. Rruga ishte e mbushur me njerëz “me kostume doku”, që na ndiqnin e na  vëzhgonin hap pas hapi, qysh nga shkolla “11 janari”, sot “Edith Durham”, e deri tek ndërtesa e Lagjes, pranë Shkollës “Petro Nini Luarasi”.

Rrugës babai më porosit se ç’duhet të bëja nëse atij do t’i ndodhte diçka. I burgosur nga fashistët italianë kur ishte student në Firence në dimrin e v. 1941, i arrestuar nga nazistët në burgun e Tiranës në verën e v. 1944, kuptohet se ai nuk përjashtonte as edhe një arrestim të mundshëm pikërisht atë mëngjes tetori në Tiranë.

Ai vit kishte qenë veçanërisht i rëndë për mbarë familjen tonë. Në shkurt dhe mars ishin arrestuar dy xhaxhallarë, për “veprimtari armiqësore”, dhe në korrik ishin dënuar me nga 10 vjet heqje lirie.

Në qershor unë dhe im vëlla, Iliri, ishim “gjykuar” nga organizatat e rinisë të shkollave që ndiqnim, dhe ishim përjashtuar “për shfaqje të theksuara të huaja të ideologjisë borgjezo-revizioniste”.  Masa e tejskajshme dhe krejt e pazakontë represive ndaj dy të rinjve njomëzakë, praktikisht vinte njollë të pashlyeshme dhe mbyllte krejtësisht të ardhmen tonë.

Mamaja, artiste në Teatrin e Operas dhe Baletit, dhe aktore kryesore në një film të shquar, ishte pushuar nga puna dhe nxjerrë papritmas në pension të parakohshëm, ndërkohë që babai, për “shfaqje liberalizmi dhe mungese vigjilence”, ishte dërguar “për riedukim” si punëtor me turne në sektorin e presave dhe shtampave në Uzinën “Partizani”.

E pra, siç dukej, terrori dhe represioni do të vijonin më tej e më egërsisht.

  • Humbja e lirisë

Tek prisnim në heshtje atë mëngjes të 14 tetorit para zyrës së Kryetarit të Lagjes, në sallon hyn Kozeta. M., e bija e një tjetër “armiku të Partisë”. “Mirëmëngjes”, tha e tronditur, dhe menjëherë pyeti: “Dini gjë pse na kanë thirrur”?

Ndërkohë hapet dera e Kryetarit dhe thërrasin emrin e babait. Futet brenda i qetë dhe me dinjitet. Pas mëse 5 minutash, që mua m’u dukën si shekuj, del jashtë. Ia bën me shenjë Kozeta M.-së, se diçka jo e mirë pritej, dhe largohemi ngadalë.

Rrugës më thotë: “Sapo më lexuan Vendimin Nr. 5 të Komisionit Qendror të Internim Dëbimeve. Internohemi nga 6 muaj deri në 5 vjet në fshatin Labovë e Vogël, Gjirokastër. Largimi nga Tirana brenda 24 orësh”.

Kthehemi ngadalë në shtëpi. Njerëzit me “kostume doku” ishin kudo, dhe tanimë që kishim marrë njoftim, na survejonin fare haptas dhe pa kurrfarë ngurrimi.

Njoftojmë nënën dhe vëllain. Parandenja e keqe e një natë përpara ishte vërtetuar. Kishim humbur lirinë.

  • Përballja

Papritmas gjithshka ishte përmbysur. Tashmë duheshin marrë vendime dhe hapa të shpejta. Çdo gjë duhet të bëhej me kujdes dhe gjakftohtësi. Rrugë tjetër nuk kishte.

Së pari, duhet të njoftonim gjyshërit dhe të afërmit. Së dyti, duhet të fillonim të paketonim plaçkat dhe orenditë. Së treti, duhet të bëja shkëputjen nga shkolla. Shpresa ishte për ta vazhduar atë diku gjetkë, në vendbanimin tonë të ri e të panjohur.

Ndarja me katër gjyshërit ishte pjesa më e vështirë. Me prejardhje nga Shkodra dhe Dibra, dhe pasi kishin mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, kishin përjetuar Luftën I Botërore, Mbretërinë e Zogut, pushtimin fashist dhe nazist, ata e kishin të vështirë ta kuptonin se si, në mugun e jetës, regjimi komunist do të mund t’i ndante për së gjalli nga fëmijët dhe nipërit e tyre.

Pjesa tjetër e vështirë ishte përgatitja për rrugën e gjatë drejt Jugut.

“Sa kamiona do t’ju nevojiten,” mbaj mend se na pyetën dikur. Menduam se një Zis do të mjaftonte.

Ndërkaq, një pjesë të mirë të plaçkave, përfshirë dhomën e pritjes me mobilje, një pjesë librash dhe dokumentesh, arritëm t’i bartim për ruajtje tek shtëpia e gjyshit nga mamaja, Haki Sharofi. Shpresa, që vdes e fundit, na mbante gjallë dhe mbetej besimi që do të ktheheshim dikur.

Gjatë ditës Ndërmarrja Komunale Banesa, e quajtur ndryshe si Pasuria e Shtetit, dërgoi në apartamentin tonë dy punonjës për të mbyllur kontratën e qerasë. Gjatë kontrollit të banesës ata vërejtën një plasaritje të vogël të një lavamani. Pa e zgjatur, na e vunë lavamanin në ngarkim për detyrim shpagimi, me një shumë aspak të vogël për kohën. Ajo faturë më vonë do të na ndalej deri në shlyerje çdo 15 ditësh nga mëditja jonë si punëtorë krahu të brigadës së Labovës së Vogël të Ndërmarrjes Bujqësore “Muzafer Asqeri” në rrethin Gjirokastër.

Shkoj në sekretarinë e shkollës për të marrë dokumentin e transferimit. Takoj zv. Drejtoreshën, që do ta nënshkruante.

-“Ku do të transferoheni”, – më pyet?

-“Në Labovë të Gjirokastrës”, – i them.

-“Oo, po aty është qytet”, – më thotë, sigurisht për të më lehtësuar apo për të më ngushëlluar sadopak…

Me sa duket ajo i referohej Labovës së Kryqit, që ndahej në të Sipërmen dhe të Poshtmen. Të nesërmen e mësuam me siguri se, ndër katër Labovat e Gjirokastrës, destinacioni ynë ishte Labova e Vogël, ose e Odries ose e Zhapës, praktikisht një ndër katundet më piktoreskë, por edhe më të largët dhe të izoluar të Gjirokastrës.

Atë mëngjes largohem përfundimisht nga shkolla ime, ku edhe pse isha ndër nxënësit më të mirë, vetëm disa muaj më parë, i isha nënshtruar një procesi të pashembullt inkuizicioni të mirëfilltë. Zanafilla kishte qenë një libër në italisht i Frojdit, “Pesë leksione të psikoanalizës”. Ngjarjen do ta përshkruaj tjetërherë, mbështetur edhe në shënimet e imta që mbajta asokohe. Shkurtimisht, krejt befas unë u akuzova se kisha dashur ta përkthej dhe ta përhap librin “e ndaluar”. Pas mbledhjesh të panumërta, madje unë kisha dalë si “pjestar i një grupi të rinjsh që synonin të përhapnin literaturë të ndaluar”, ku bënin pjesë Zana G., e vitit IV, Ilir K., i vitit II, dhe unë, që isha vetëm në vit të parë. Ngjarja bëri bujë të madhe në Tiranën e “grupeve armiqësore”, që zbuloheshin çdo gjashtë muaj. Përfundimisht, pavarësisht se isha më i vogli në moshë, qëlloi që unë pësova dënimet më të ashpra, dhe u përjashtova nga organizata e rinisë.

  • Largimi

Nata e fundit në Tiranë kaloi edhe ajo pa gjumë. Shi nuk binte më. Kur u err, vërejmë se pas derës së apartamentit, në shkallë, qëndronte një person i armatosur. Humbja dhe kufizimi i lirisë kishte nisur qysh atë mbrëmje…

Në mëngjes herët na njoftojnë se kamioni erdhi.

Fillojmë bartjen e plaçkave. Unë ndërkohë u ngjita një kat më sipër, në katin e tretë, dhe trokita tek apartamenti i Petraq M., për të dorëzuar diçka që ua kisha huazuar. bBashkëshortja e tij, Ermioni, mësuesja ime e fillores, nuk mundi të dalë për çastin e hidhur të ndarjes…

Vijuam të ngarkojmë kamionin. Surpriza nuk vonoi. Nuk kishte më vend për plaçkat tona. Mirëpo “organet përkatëse” i kishin parashikuar të gjitha. Nuk vonon shumë, dhe vjen Zisi i dytë.

E ngarkojmë me shpejtësi edhe atë.

Mbyllim apartamentin dhe dorëzojmë çelësin. Zbresim për herë të fundit shkallët – ato shkallë që i kishim përshkruar me mijëra herë.

Ishte ora rreth 7:30, koha kur unë zakonisht  nisesha për në shkollë. Nga hyrja e ndërtesës përballë shpesh qëllonte që dilte njëkohësisht me mua edhe Ilira H. dhe Vladimir M. Ilirën, nxënëse e shkëlqyer, sidomos në matematikë e shkencat e sakta, e kisha shoqe klase. Ishte ndër të paktat që më kishte dalë përkrah gjatë mbledhjeve inkuizitoriale kundra meje në shkollë disa muaj më parë. Tjetri ishte edhe ai nxënës tek Petro Nini, por një vit më lart. Pasi përshëndeteshim, rrugën drejt shkollës e bënim bashkë.

Por këto kujtime e përkitje tashmë i takonin së kaluarës.

Tek po bartnim në Ziset plaçkat e fundit, papritmas vjen me biçikletë nga shtëpia e tij në Rr. H. Tahsin, për të na thënë lamtumirë daja, Faik Sharofi, mjek epidemiolog., me disa barna për mamanë, që po kalonte një gjendje shëndetësore të rënduar. Duke sfiduar gjithshka, dhe me një dashuri e guxim të admirueshëm, daja erdhi edhe për të na sjellë diçka për të ngrënë gjatë rrugës, të përgatur nga e shoqja e tij. Mirëpo ardhja e tij në ato momente ishte kumt i rrallë shprese, besimi, trimërie e afekti njerëzor.  Nuk ia harruam kurrë!

Tek i hipnim kamionëve, dhe shihnim për herë të fundit oborrin dhe pallatin ku isha lindur dhe rritur, nga ballkoni i katit të tretë të ndërtesës përballë, Pallatit Nr. 9, një grua zonjë del dhe na përshëndet me dorë. Ishte sopranoja e mirënjohur Nina M. Tjetër gjest i pashembullt dhe i paharruar i guximit, sfidës, humanizmit dhe solidaritetit qytetar!

Në secilin nga dy kamionët u vendos një polic dhe u nisëm për rrugën e gjatë drejt Jugut të thellë. Mamasë i bënë një favor: e vendosën në kamionin e dytë, pranë shoferit.  Bashkë me policin, ne ishim lart, në kamionin e parë. Lotët e saj nuk kishin të reshtur, gjithë rrugës.

Sëbashku me ne atë mëngjes të 15 tetorit, Tiranës i dhanë lamtumirën gjithsejt 84 familje, të cilat u internuan në të njëjtën ditë, në një nga goditjet më masive të represionit komunist në Shqipëri. Fatet e qindra njerëzve të pafajshëm, papritmas atë ditë tetori 1975, u përmbysën dhe jeta e tyre u transformua rrënjësisht.

Të nesërmen, me 16 tetor, ndërsa të internuarit e rinj filluan të pëballonin jetën e tyre të re dhe të papritur, në mbarë Tiranën u organizuan mbledhje masive, ku familjet e larguara një ditë më parë u denoncuan si “armiq të partisë” e të sistemit.  Tezja ime, Drita H. “u ftua” të asistonte pikërisht në mbledhjen e ish-lagjes tonë, ku u denoncua dhe shpërfol familja “armike”, e motrës së saj, Adivie, tashmë e “spastruar” nga Tirana dhe e vendosur në internim në Labovë të Vogël të Zhapës në Gjirokastër.

Simbolika dhe përkitja me ditëlindjen e diktatorit nuk mund të ishte më e goditur. Dhe më goditëse.

  • Po sot?

Pas kaq e kaq vitesh, ndërkohë që shoqëria shqiptare ecën përpara ngadalë dhe me këmbë të ngathta, bëhen përpjekje edhe për të trajtuar me vëmendje të kaluarën,. Mirëpo shumë pak është bërë për t’i kthyer dinjitetin dhe dëmshpërblyer masën e gjerë të të internuarve politikë të regjimit komunist në Shqipëri.

Në debatet e herëpashershme, që jo rrallë dalin nga shinat e diskursit profesional, demokratik, etik e qytetar në Shqipëri, ndodh edhe shpesh në mënyrë krejt absurde që mendimi kritik apo i ndryshëm nga narrativa e grupeve të interesit, të etiketohet me terma dhe metoda të ngjashme me ato të diktaturës komuniste…

“Kur diskursi qytetar del nga shinat, ne kemi si model Kushtetutën”, do të shprehej pak a shumë paradokohe ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Amerikane, A. Kennedy.

Shqiptarët sot, mjerisht, nuk e kanë luksin e një dokumenti themelor të ngjashëm me Kushtetutën Amerikane.

Mirëpo besojmë se ata bashkohen në një pikë: që të gjithë personave të internuar dhe dëbuar me rrugë administrative për shkaqe politike në Shqipëri, qysh nga fundi i viteve 1940 dhe deri në fundin e viteve 1980, duhet t’u njihet koha e vështirë e viteve të gjata të internimit.

Ndërkohë që është bërë punë e lëvdueshme për masën e të burgosurve politikë, ritheksojmë se pak ose aspak është bërë për të internuarit politikë.

Aktorja e rolit të Mamica Kastriotit, që ndofta është e vetmja artiste në botë e internuar, kaloi mbi 13 vjet internim, dhe me të drejtë ankohet që asaj dhe shumë të tjerëve ende nuk u njihet periudha e gjatë e lirisë së humbur.

Ndofta një nismë e Kuvendit të Shqipërisë mund të ndëmerret sa më parë, që ta korigjojë këtë mangësi të pazakontë. Kjo do të përfshinte hapa konkrete për trajtimin me përparësi në punësime në administratë [apo për strehime] për brezin, në rrudhje, të të aftëve për punë nga shtresa e të ish-të internuarve politikë. Duke qenë të ndërgjegjshëm për vështirësitë në buxhetin e shtetit, ka rëndësi thelbësore që nisma në favor të ish-të internuarve politikë në Shqipëri – ku mund të bashkoheshin edhe fonde nga fondacione e OJQ të huaja – të sigurojë kompensimin material, sado të vogël dhe simbolik, për ditët e gjata të internimit, ditë të cilat ish të internuarve nuk u kthehen dot më. Por të paktën, liria e tyre, e kufizuar dhe e humbur brutalisht, si dhe dinjiteti ende i nëpërkëmbur, mund dhe duhet t’u afirmohen dhe t’u njihen.

(për t’u vijuar).

 

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: agron alibali, PËRJETIME TË DIKTATURËS

ARIZONA-PROMOVOHET LIBRI ‘’FAIK KONICA,DRITEHIJET E NJE DIPLOMATI”

October 13, 2018 by dgreca

1 agron LulzimNGA LULZIM MULLIQI/ SHBA/1 faik-konica-dritehijet-e-nje-diplomatiKeto dite ne ambientet e lokalit Nick & Beni’s Pizza,prone e bashkeatdhetarit tone,Arben Tafilica,ne Surprise te shtetit te Arizones nen patronatin e Shoqates se grave shqiptaro-amerikane te Arizones dhe Shoqates kulturore shqiptaro-amerikane “ Shqipe e Arizones “ u mbajt promovimi i librit “ Faik Konica,dritehijet e nje diplomati” te  autorit Agron Alibali.Ne kete promovim te ketij libri moren pjese nje numer simbolik i bashkeatdhetareve tane qe jetojne,punojne dhe veprojne ne shtetin e larget te Arizones.

1 agroni flet

1 MulliqiGjithashtu merrnin pjese edhe intelektualet,prof.dr. Shahin Berisha,ligjerues ne disa Kolegje dhe Universitete amerikane dhe prof.dr. Zeqir Veselaj nga Universiteti i Prishtines.Vlene te permendet se njera nga organizatoret e ardhjes se autorit,Agron Alibali ne Arizona ishte veprimtarja e dalluar e Shoqates se grave shqiptaro-amerikane te Arizones,zonja Kristina Kellici.Kete promovim e shpalli te hapur veprimtari i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan te Arizones,prof.dr. Arben Lasku.Ai ne fillimi pershendeti autorin e librit,Agron Alibalin dhe te gjithe pjesemarresit e pranishem ne kete takim.Dr.Arben Lasku,theksoi se autori ne kete liber ka pershkruar me nje mori dokumentash figuren e Faik Konices si nje diplomat i shquar i kohes,si dijetar dhe atdhetar i devotshem qe ndihmoi ne forcimin e mardhenieve mes SHBA-ve dhe Shqiperise.Me pas e mori fjalen autori i librit” Faik Konica,dritehijet e nje diplomati”,Agron Alibali,i cili theksoi se per veprimtarine letrare dhe artistike te Faik Konices eshte shkruar edhe me heret nga autore te tjere,por e vecanta e ketij libri eshte se ne kete liber eshte perfshire veprimtaria diplomatike,zakonore, Juridike dhe kushtetuese e Faik Konices,gjate qendrimet te tij si diplomat ne SHBA.Ai theksoi se libri bazohet ne arkiven e legates shqiptare ne SHBA,si dhe ne tere praktiken diplomatike dhe konsullore te legates se Konices dhe konsullit Prifti ne Boston.Pra risia e ketij libri eshte vete mbeshtetja ne dokumente paresore,historike dhe arkivore  ku shfaqet veprimtaria e legates shqiptare ne Uashington ne lidhje me raportet dypaleshe ne mes Shqiperise dhe SHBA-ve,si dhe mardheniet

e legates shqiptare me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe Shoqaten e shqiptareve te Amerikes “ Vatra”,gjate kohes kur Faik Konica sherbeu si diplomat.Gjithashtu autori Agron Alibali,u ndal duke analizuar ngjarjet kronologjike te kohes,duke vene ne dukje gjykimet e sakta te Faik Konices per etapat e ndryshme te shtetit iliro-shqiptar,qe nga kohet e lashta si Mbreteria e Bardhylit,deri ne mesjete.Autori nje vemendje te vecante i kushtoi edhe shtetit autonom te Ali Pashe Tepelenes,perpjekjeve per pavaresi ne periudhen e Rilindjes sone kombetare,qeverise se Vlores dhe te drejtes zakonore shqiptare..Ne vijim e mori fjalen edhe gazetari  Mr.Sc.Lulzim Mulliqi,i cili theksoi se vete titulli i librit eshte shume kuptimplote,keshtu qysh nga titulli kuptohet se lexuesi ka te beje me nje perzonash te vecante sa te kompletuar,por aq edhe kompleks dhe kontravers,sepse ne njeren ane paraqet shkelqimin e diplomatit ne etapa te caktuara kohore dhe ne anen tjeter paraqet edhe zbehjen e figures se tij sidomos ne raportet e tij me Fan Nolin te cilin e kishte denoncuar tek autoritet amerikane,duke e quajtur si bolshevik.Ne anen tjeter,gazetari Lulzim Mulliqi theksoi se ne veprimtarine e tij diplomatike,Faik Konica shkelqeu,duke u bere njeri nga diplomatet me te zeshem te kohes dhe njeri nder hartuesit  e pare te terminologjise juridike dhe diplomatike ne gjuhen shqipe.Gjithashtu,Lulzim Mulliqi vleresoi larte kontributin e Faik Konices ne rrafshin e diplomacise,duke nenvizuar rolin e tij te rendesishem ne zhvillimin e maredhenieve dypaleshe (bilaterale) ne mes te Shqiperise dhe SHBA.Ku njera nga arritjet me te medha te Konices ishte lidhja e disa traktateve dypaleshe ne mes SHBA-ve, dhe Shqiperise ne mes te dy lufterave boterore sic ishin:Traktiti i Natyralizimit,ai i Ekstradimit dhe Arbitrimit nderkombetar.Me pas pati nje numer diskutimesh dhe pyetjesh nga te pranishmit si nga:prof.dr. Shahin Berisha,prof.dr. Zeqir Veselaj,Dr. Elonia Lasku,Kristina Kellici etj.Ne fund te ketij promovimi u dhe nje koktej,ku te pranishmit u sherbyen me ushqime tradicionale shqiptare dhe pije te ndryshme.

Filed Under: Komunitet Tagged With: agron alibali, Lulzim Mulliqi, pFaik Konica, Promovimi ne Arizona

Një letër pa përgjigje dhe e ardhmja e Piramidës

August 12, 2018 by dgreca

Nga Ben Andoni */

– Michael Granoff është kryetar i Bordit të të Besuarve, pjesë e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Prej kohësh atij i është përcjellë një letër nga një grup veprimtarësh, por që është firmosur nga dy aktivistë të njohur të komunitetit hebre dhe shqiptar në lidhje me një çështje që ka lidhje me procesin e transformimit të ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës (QNK) në një inkubator për novatorizmin dhe sipërmarrjen për rininë. QNK ose ndryshe siç njihet Piramida mbart një trashëgimi të madhe dhe në dekadën e fundit është degraduar në atë masë, saqë është kthyer në një nga pikat më tërheqëse për turistët për t’u treguar fytyrën live të socializmit shqiptar. Zoti Berisha bashkë me një shpurë të tërë të gjithë fushave ishin gati ta hidhnin në erë, pasi sipas tyre ajo përcillte trashëgiminë e komunizmit dhe mbi të gjitha destinacioni i saj lidhej me kujtimin e Enver Hoxhës. Debati i madh që pasoi dhe presioni nga të gjitha fushat bëri që Piramida të ruhej, por ndërkohë pjesa e saj kryesore filloi të degradonte frikshëm.

Pas shumë vitesh në aktivizmin e tij tepër energjik kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Erjon Veliaj, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me dy bashkë-drejtorët e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit në Tiranë për ta transformuar ish-Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në një inkubator për novatorizmin dhe sipërmarrjen për rininë. Pa mohuar rëndësinë e këtij aksioni të lavdërueshëm dhe gjetjen e qëllimit për godinën, duhet të themi se destinacioni do t’i shkonte shumë më mirë një ndërtese me një arkitekturë krejt tjetër, por edhe një hapësire tjetër në qytetin tonë, i cili është shtrirë shumë në drejtimet lindore dhe verilindore. Një gjë që nuk po merret parasysh nga pushtetarët e vendit tonë, që mundohen ta grumbullojnë çdo gjë në qendër të qytetit.

…
Prej pak kohësh apelojmë që kjo godinë (Lexo: QNK ose Piramida), duke marrë parasysh gjendjen katastrofike të Bibliotekës Kombëtare të ishte vend strehimi i saj dhe pse jo kuartieri kryesor i Bibliotekës Kombëtare. Në javët e fundit, Biblioteka Kombëtare i ka mbijetuar një gjendje përmbytje, që erdhi prej problemeve teknike. Godina i ka mbijetuar një zjarri, që e detyroi të ishte e paaksesueshme për lexuesit dhe po ashtu edhe shumë problemeve të tjera. Zyrtarët e saj vazhdimisht e kanë bërë hapur apelin e tyre dhe kanë treguar mundësitë e kufizuara të hapësirës dhe jo vetëm, por që gjithsesi duket se kanë rënë në vesh të shurdhër. Apeli ynë ka qenë i vazhdueshëm që Piramida të kthehej në Bibliotekën Kombëtare, kuptohet me modifikimet e mundshme, anipse duke marrë parasysh se energjia kryesore në këto kohëra ka shkuar për ruajtjen e Godinës së Teatrit Kombëtar pakkush është kujtuar për Bibliotekën dhe ca më tepër për Piramidën. Do të ishte në nder të autoriteteve shqiptare që ta rishihnin memorandumin e tyre me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe nga ana tjetër këta të fundit të tregoheshin mirëkuptues për një drejtim të ri. Mbase juristët do të dinë të japin përgjigje më të arsyeshme se ç’mund të bëhet në këtë rast, por duken shenjat jo të mira për mos reflektim: që nga mospërgjigja e autoriteteve të Fondit, që nuk e kanë marrë shumë parasysh, qoftë dhe letrën e drejtuar nga bashkëkombasit e tyre.

****
Michael Granoff
Kryetar i Bordit të të Besuarve
Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit
Nju Jork
SHBA

4 maj 2018
I nderuar z. Granoff,
Po ju shkruajnë dy shtetas amerikanë me prejardhje hebraike dhe shqiptare. Ju drejtohemi në detyrën tuaj si Kryetar i Bordit të të Besuarve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.
Rreth një vit më parë filluam përmes Komitetit Amerikan të Trashëgimisë Kulturore [U.S. Heritage Commission] një nismë private dhe të pavarur qytetare për të transferuar në Shqipëri Bibliotekën dhe Letrat e Prof. Dr Norbert Jokl [1877 – 1942], qytetar i shquar hebre-austriak dhe linguist me famë botërore, i cili u shfaros gjatë Holokaustit.
Ishte dëshira e vetë Prof. Joklit që e gjithë pasuria e vet akademike t’i lihej trashëgim popullit të Shqipërisë. Mirëpo ende sot testamenti i tij ka mbetur i paekzekutuar. Biblioteka dhe Letrat e Joklit ende ndodhen në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë, Kjo është njëlloj sikur krimi të vijojë të jetë duke u kryer.
Në përputhje me një traktat dypalësh SHBA – Shqipëri, ne i kemi kërkuar qeverisë sonë amerikane ndihmë që (i) pasuria e Joklit të përcaktohet si “pasuri me vlera të veçanta kulturore” për trashëgiminë tonë: (ii) të punohet me Austrinë për kthimin e pasurisë akademike të Joklit në Shqipëri, në përputhje me dëshirën e tij dhe (iii) të punojë me shtetin shqiptar për ruajtjen e pasurisë së Joklit me shkallën më të lartë të përkujdesjes dhe vëmendjes, me shpresë në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë [BKSH].
Në pikën e fundit, ne kemi ndjekur me vëmendje një nismë të kohëve të fundit në Shqipëri për ta transformuar ish-Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës [QNK] në një ndërtesë apo aneks modern të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku Pasuria Akademike e Joklit do të mund të ruhej e sigurt për brezat e ardhshëm. Sikurse sugjeron përvoja jonë me ndërtesat e shumta të Bibliotekës së Kongresit, aneksit të ri të BKSH-së në Tiranë mundet edhe t’i vihej emri i Prof. Norbert Jokl.
Ndërkohë që kjo nismë vendore na gëzoi mjaft dhe u gatitëm ta mbështesnim publikisht, mësuam nga ana tjetër të zhgënjyer se kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Erjon Veliaj, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me dy bashkë-drejtorët tuaj në Tiranë për ta transformuar ish-Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në një inkubator për novatorizmin dhe sipërmarrjen për rininë.
Z. Granoff, ne ju kërkojmë me mirësi dhe respekt që ju ta pezulloni dhe ta anuloni këtë angazhim të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit [AADF].
Faktorët që e bëjnë të domosdoshme një qëndrim reflektiv dhe të kujdesshëm nga ana tuaj janë të shumtë.
Së pari, sikurse e dini, inkubatorë të kësaj natyre përgjithësisht strukturohen apo ngrihen në zona të dëmtuara ose të lëna pas dore të një qyteti. Kurse ish Qendra Ndërkombëtare e Kulturës ndodhet pikërisht në qendër të Tiranës, as 50 metra lart nga Kryeministria. Pse u dashkan investuar fondet tuaja të vlefshme atje, dhe jo në zona të lëna pas dore në periferi të Tiranës?
Së dyti, është e vërtetë se ndërtesa në fjalë fillimisht u projektua dhe u ndërtua si një Muzeum për Enver Hoxhën, ish diktatorin e Shqipërisë. Megjithatë, vlerat e saj simbolike tashmë janë tejkaluar. Fill pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ndërtesa, sikurse vërejtëm, u shndërrua në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës. Madje, gjatë një periudhe të caktuar, ndërtesa strehoi edhe zyrat e Agjencisë Amerikane të Informacionit [U.S Information Agency] si edhe USAID-in, sëbashku me stacione të rëndësishme televizive vendase. Për më tepër, përdorimi si sinonim i termit “Piramidë” është i pasaktë. Me të vërtetë, këqyrja nga lart e ndërtesës së QNK-së do të tregonte se ajo ka trajtën e shqipes, që sikurse e dini, është simboli i kombit shqiptar. Prandaj, e gjithë ideja se, përmes këtij projekti AADF-ja kinse po transformoka një simbol të ish regjimit komunist në një simbol të sipërmarrjes kapitaliste në Shqipëri është më së paku e pavend dhe e pavërtetë.
Së treti, vetë ndërtesa fillimisht u projektua për muzeum. Prandaj, ajo mund të shndërrohet lehtë në një ndërtesë shtesë të Bibliotekës Kombëtare. Me të vërtetë, përdorimi i saj si një bibliotekë për popullin e Shqipërisë do të ishte diçka e përkryer. Përse vallë AADF do të hidhej dhe angazhonte veten në një nismë biznesi e cila, edhe pse me qëllime të mira, në vetvetet do të cenonte ruajtjen dhe shpëtimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë për të tashmen dhe të ardhmen?
Së katërti, sikurse mund ta dini, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka vuajtur qysh nga mesi i viteve 1980 prej mungesës dramatike të investimeve, vëmendjes dhe përkujdesjes nga ana e të gjitha qeverive shqiptare në vijimësi kronologjike. Si rrjedhojë, ndërkohë që hapësirat e saj librare dhe institucionale kanë mbetur të pandryshuara, ose më saktë, janë reduktuar në mënyrë drastike, madhësia e koleksioneve të saj si dhe vëllimi i librave të ruajtura është rritur në shkallë eksponenciale. Për pasojë, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë përballet me nevojën kritike dhe urgjente për hapësirë raftesh dhe magazinimi, si dhe për vend të përshtatshëm. Zgjerimi i saj duke përfshirë edhe ndërtesën e ish Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës do të ishte, me të vërtetë, një zgjidhje e përkryer.
Së pesti, ndërtesa e ish QNK-së u ngrit me djersën dhe gjakun e mbarë popullit të Shqipërisë, që nga Tropoja në Veri e deri në Gjirokastër në Jugë. Rrjedhimisht, vendimi i qeverisë qendrore për ta zhveshur apo hequr ndërtesën nga varësia e saj në favor të bashkisë së Tiranës ngre prima facie shumë pikëpyetje të ligjshme. Me të vërtetë, çdo qytetare shqiptar mund të ngrinte me mirëbesim një padi administrative për ta kundërshtuar me sukses vlefshmërinë e këtij transferimi dhe për të kërkuar rikthimin e ndërtesës në pronësi të Ministrisë Shqiptare të Kulturës. Qartazi gjasat janë se e gjitha kjo mund të shkallëzohej deri në një përplasje juridike me rezultat së paku të paqartë, por që gjithsesi, do të mund të cenonin objektivisht emrin e mirë dhe reputacionin e AADF-së.
Së fundi, është fakt i mirënjohur se, edhe pse gjuha dhe kultura shqipe janë ndër më të lashtat në Europë, interesi akademik për studime shqiptare në universitete perëndimore paraqet rënie dramatike. Prandaj, mbetet detyrim i ngutshëm për institucionet përkatëse në Shqipëri marrja e vendimeve strategjike për ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore të kombit të tyre për brezat e ardhshëm. Transformimi ndërtesës së ish-QNK-së në një pjesë funksionale e ruajtëse të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë të kushtuar konservimit të kësaj gjuhe dhe kulture të lashtë për Mijëvjeçarin e Tretë, dhe mundësisht, emërtimi i saj pas Prof. Dr. Norbert Jokl, kthehet vërtetë një akt tejet të ngutshëm dhe fisnik.

A do ta mbështesnit ju dhe Bordi tuaj i të Besuarve këtë nismë?
A do ta rishqyrtonit ju dhe Bordi tuaj i të Besuarve nismën e inkubatorit?

Për dijeninë tuaj, ne do t’i drejtohemi edhe Kryetarit të nderuar të Bashkisë, z. Veliaj, me kërkesën që ai t’ia rikthejë qeverisë qendrore dhe popullit të Shqipërisë dhuratën ” ndërtesë të ish-QNK-së.

Lutem jeni të lirë të lidheni me ne nëse do t’ju nevojitet më shumë informacion.
Ju falenderojmë për vëmendjen dhe mirëpresim reagimin tuaj sa më sipër

Sinqerisht,
Benjamin Neumann
Agron Alibali

Filed Under: Featured Tagged With: agron alibali, BEN ANDONI?, Benjamin Neumann, Michael Granoff, Nje leter pa pergjigje

DETI JON SI DET I PAQES

June 11, 2018 by dgreca

– Sërish për Marrëveshjen e Delimitimit Shqipëri – Greqi/

1deti Jon

Agron Alibali, LL.M.[1]/

 1-agron-alibali-2

 “Good fences make good neighbors”.[2]

 Hyrje; 2. Spektri i Ligjit të Gjendjes së Luftës…; 3. Marrëveshja Detare e riparë; 4. Ishujt – efekt të plotë apo të pjesshëm?; 5. Divergimi i regjimeve në brezin e Detit Territorial; 6. Zbatim i pjesshëm apo i padeklaruar; 7. Traktati i Konstatinopojës dhe Marrëveshja Detare; 8. Delimitimi i ZEE-së dhe i shelfit kontinental; 9. Precedenti i Ishullit të St. Martin-it; 10. Përfundime.

  1. Hyrje

Traktativat e fundit midis Shqipërisë dhe Greqisë për “zgjidhjen” e problematikës dypalëshe, dhe sidomos për delimitimin e hapësirave detare në Detin Jon, natyrisht që duhen përshëndetur.  Eshtë pa dyshim zhvillim pozitiv kur dy palë apo shtete sovrane negociojnë në barazi dhe mirëbesim.Megjithatë, trysnia dhe ngutja janë armiku i marrëveshjeve të drejta e të qëndrueshme. Trysnia shfaqet tërthorazi me përdorimin e kartës së “hapjes së negociatave”, apo anëtarësimit në BE. Deklarata të papërshtatshme janë bërë nga zyrtarë të lartë të BE-së dhe të shtetit grek. Kurse ngutja duket tek afatet e vendosura artificialisht, dhe tek nxitja, sidomos nga pala greke, për t’i mbyllur negociatat sa më parë, kinse problematika e akumuluar tash 110 vjet mund t’u zgjidhka brenda 110 ditëve…Dhe gjithshka u dashka bërë para Samitit të rradhës të BE-së në qershor…

  1. Spektri i Ligjit të Gjendjes së Luftës…

Mirëpo punët e mira bëhen ngadalë, jo “me goditje të përqendruar”. E prapëseprapë, duket se pala shqiptare ka bërë ca lëshime të paparimta, në kundërshtim me interesat jetike të vendit, me të drejtën ndërkombëtare e me kuadrin historik përkatës. Qeveritarët vendit kanë bërë herëpashere deklarata, jo shpesh patetike se, tash e mbrapa, në marrëdhëniet me fqinjin e lashtë e të mirë të jugut, do të uleshim si të barabartë në bisedime. E megjithatë, ishte pikërisht VKM-ja antikushtetuese e dhjetorit 2017 lidhur me trajtimin e eshtrave të të rënëve në Luftën Italo-Greke që i përgënjeshtron ato.[3]

Me të drejtë është shtruar pyetje: nëse italianët i morën të rënët e tyre në atë luftë, pse të mos i tërheqë edhe pala greke? Pse të devijohet nga qëndrimi zyrtar, konstant dhe i prerë i shtetit shqiptar se eshtrat e një ushtrie të paftuar nuk mund të prehen në territorin e vendit?

Përveç rrezikut të manipulimit për qëllime shoviniste të varrezave në të ardhmen, “kryelëshimi” ka edhe ndërlikim tjetër serioz, pasi pranon në mënyrë implicite se Shqipëria paskërka qenë vend agresor në Luftën Italo-Greke, dhe për pasojë, është shtet humbës në Luftën II Botërore, sikurse pretendojnë sot e gjithë ditën disa qarqe në Greqi[4]… Në këtë kuadër, edhe qasja e “zgjidhjes globale” të problematikës dypalëshe [Marrëveshje e Delimitimit të Hapësirave Detare, Marrëveshje e Demarkimit të Kufirit Tokësor, dhe Shfuqizim i Dekretit Mbretëror të Gjendjes së Luftës me Shqipërinë i v. 1940], pa u kryer paraprakisht me Dekret Presidencial akti i anullimit të Ligjit të Gjendjes së Luftës, është objektivisht mungesë e vullnetit të mirë në raportet dhe traktativat dypalëshe. Mosanullimi paraprak, dhe pa kushte, bie ndesh edhe me interesat jetike të Shqipërisë, për të mos përmendur cenimin e barazisë e të dinjitetit shtetërore e kombëtar. Duhet përshëndetur dënimi haptas që i ka bërë Ministri i Jashtëm Kotzias statusit de jure të “gjendjes së luftës” midis dy vendeve[5]. Mirëpo veprat vlejnë më shumë se sa fjalët.Duke i parë në optikë optimiste dhe bashkëpunuese negociatat e tanishme intensive me Greqinë, ritheksojmë se kryerja e çfarëdo bisedimi apo traktative dypalëshe stonon përderisa në atmosferën përmbi tryezën bisedimore mbetet i pranishëm spektri i ligjit “skizofrenik” të Gjendjes së Luftës. Absurdi thellohet më tej po të kujtojmë se të dyja vendet janë tashmë anëtare të NATO-s.Prandaj, ndryshe nga qëndrimi grek për anullimin e Ligjit të Gjendjes së Luftës njëkohësisht me miratimin e Marrëshjes së Delimitimit, trajtimi dinjitoz dhe me bona fide i problematikës së marrëdhënieve dypalëshe kërkon që Ligji i Gjendjes së Luftës të shpallet paraprakisht dhe menjëherë i pavlefshëm nga ana e Presidentit të Greqisë. Pa u bërë ky hap, i ndërmarrë pa kushte dhe pa vonesë, nuk ka kuptim që të bisedohet, pavarësisht nga Samiti i Qershorit, i Dhjetorit apo i “kalendave” greke.

3-Marrëveshja Detare e Riparë

Gjithsesi, le të analizojmë zhvillimit e negociatave dypalëshe për delimitimin e hapësirave detare në Detin Jon.

Siç dihet, marrëveshja e v. 2009, e anulluar nga Gjykata Kushtetuese,[6] bazohej në ekuidistancën strikte, dhe pra, binte ndesh me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit. Ajo nuk mbante parasysh “rrethanat e veçanta” të konfiguracionit gjeografik përkatës dhe, pra, nuk sillte “një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme”.

Dihet tashmë se komisioni i ekspertëve ka ca kohë që ka ndërmarrë bisedime për një marrëveshje të re delimitimi në këtë fushë delikate të së drejtës ndërkombëtare.Sipas njoftimeve zyrtare, raundi i parë i bisedimeve për delimitimin e zonave detare u mbajt  në Tiranë me 30 prill 2018 “në një frymë pozitive dhe bashkëpunuese”,[7] apo “ndërtuese dhe bashkëpunuese”[8]. Raundi i dytë “konstruktiv” u zhvillua me 15 maj në Athinë. Edhe ky u zhvillua në një “klimë pozitive dhe bashkëpunuese”.[9]

Siç e kemi thënë më herët, çështjet e delimitimit të hapësirave detare midis dy vendeve zgjidhen përmes bisedimeve dypalëshe ose përmes një forumi gjyqësor ose arbitrimi ndërkombëtar. Bisedimet dypalëshe janë hapi i parë i domosdoshëm në këto procese.Strategjia greke për delimitimin e hapësirave detare është konsideruar “shumë serioze nacionale”.[10] Elemente tërësore të saj u shpalosën nga Ministri Kotzias në një intervistë të 1 majit 2018. Sipas saj, Greqia është duke negociuar marrëveshjet për ZEE-në me tri vende: Egjiptin, Shqipërinë dhe Italinë. Për Egjiptin, Greqia pret stabilizimin e gjendjes politike; përparësi merr negociata me Shqipërinë, ku parashikohet mbyllja e afërt e marrëveshjes; kurse me Italinë do të procedohet “fill pas përfundimit me Shqipërinë”.[11]

Në thelb, strategjia greke duket se është si vijon:

(i) deklarimi gradual dhe i pjesshëm i gjerësisë së Detit Territorial të Greqisë në brezin12 milje detare [md] nga 6 md të sotme;

(ii) arritja e marrëveshjes me Shqipërinë dhe delimitimi i Detit Territorial, Shelfit Kontinental dhe i ZEE në Detin Jon sipas një kufiri të njëjësishëm [single, all-purpose boundary];

(iii) lidhja e marrëveshjes me Italinë për delimitimin e ZEE-së në Jonin Verior, dhe

(iv) me gjasë përdorimi i precedentit shqiptar të gjerësisë së Detit Territorial prej 12 md në traktativat eventuale me palën turke edhe për rrethanat gjeografike në Detin Egje.Në një intervistë në shtyp, MPJ grek Kotzias parapa se marrëveshja me Shqipërinë për hapësirat detare do të arrihet brenda fundit të majit ose deri në fillim të qershorit, dhe mbetej për t’u diskutuar vetëm çështja e Zonës Ekskluzive Ekonomike [ZEE].[12]

  1. Ishujt – efekt të plotë apo të pjesshëm?

 Ndarja e hapësirave detare dypalëshe në Detin Jon ka karakteristika të veçanta. Së pari, këtu kemi të bëjmë pjesërisht me kufi shtetëror [Deti Territorial] dhe pjesërisht me kufi detar [shelfi kontinental dhe ZEE.] Së dyti, kufiri ravijëzohet edhe (i) midis brigjeve të përngjitura [adjacent], në Gjirin e Ftelias ku është edhe pika fundore e kufirit tokësor; edhe (ii) të kundërta [opposite], siç janë bregu lindor i Korfuzit me dheun kontinental ballkanik përballë.

 Për qëllimet e kësaj analize, dhe edhe në praktikë, besojmë se koordinatat e Marrëveshjes së Re për Detin Territorial do të përputhen – për aq sa është e mundshme – edhe me ato të Shelfit Kontinental dhe të Zonës Ekskluzive Ekonomike. Për kujtesë, Deti Territorial është brezi detar ngjitur me bregun dhe me gjerësi deri në 12 milje detare nga bregu, ku shteti ushtron sovranitet të plotë në shtrat, nëntokë dhe hapësirën ajrore mbi të.[13] Shelfi Kontinental shkurtimisht përfshin shtratin e detit dhe nëntokën përtej Detit Territorial.[14] Zona Ekonomike Ekskluzive është hapësira përtej dhe ngjitur me Detin Territorial deri në 200 md nga bregu, ku shteti bregdetar ushtron të drejta sovrane për eksplorimin, shfrytëzimin, konservimin dhe administrimin e burimeve natyrore të ujrave mbi shtratin e detit, si dhe të shtratit të detit dhe të nëntokës të tij etj.[15]

Pra, sikurse ka qenë edhe qëllimi dypalësh në Marrëveshjen e anulluar të prillit 2009, kufiri detar midis Greqisë dhe Shqipërisë parashikohet të jetë i njëjësishëm dhe gjithëfuksional [all purpose, single boundary], i cili do të ndajë Detin Territorial, Shelfin Kontintental dhe ZEE-në, përfshirë pra nëntokën, shtratin e detit, shtyllën e ujit mbi to, dhe rrafshin ajror vertikalisht pingul me syprinën e detit.

Dihet se ndërlikimi kryesor në përcaktimin e drejtë të hapësirave detare në Jon është konfiguracioni i veçantë gjeografik apo pykëzimi i Korfuzit dhe dy ishujve të Diapontit, më saktë Erikusa [Merlera] dhe Othonoi [Fano] në veri. Praktikisht, këta ishuj pëbëjnë pengesë natyrale për dheun kontinental shqiptar, duke krijuar ndikim “ndërprerës” [cut-off effect] ndaj “fasadës” së bregdetit shqiptar në Jonin Verior, qysh nga Gjiri i Ftelias e deri në gjerësinë gjeografike që kalon përafërsisht nga Vunoi apo Gjiri i Gramës.

Për më tepër, konfiguracioni i veçantë gjeografik ngre pikëpyetje të qenësishme lidhur me shkallën apo masën e efektit që këta ishuj do të kenë për hapësirat detare që u takojnë [entitlements]. Pozicioni i palës greke ka qenë maksimalist – i shprehur më së qarti me Marrëveshjen e anulluar të Delimitimit të v. 2009. Sipas tij, ishujt kanë efekt të plotë dhe si metodë delimitimi ndiqet ekuidistanca strikte.

Mirëpo Gjykata Kushtetuese përcaktoi disa piketa tejet të rëndësishme në këtë pikë. Ajo qartësoi me të drejtë se Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit, e drejta zakonore ndërkombëtare dhe jurisprudenca përkatëse trajtojnë, në varësi të rastit specifik, shkallën e efektit që mund t’i jepet një ishulli, sipas tiparave të tij, konfiguracionit gjeografik e faktorëve të tjerë, gjithnjë me synimin për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme [equitable solution] në procesin e delimitimit. Konkretisht, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, Tribunali i të Drejtës Ndërkombëtare të Detit [ITLOS] në Hamburg, apo Tribunalet e Arbitrazhit, sipas rastit, u kanë dhënë ishujve efekt të plotë, efekt të pjesshëm, ose nuk u kanë dhënë fare efekt.[16]

Duke abstraguar këtu lidhur me raportet midis masët tokësore kontinentale dhe masës tokësore ishullore me të drejtat përkatëse të tyre [entitlements] mund të vërehet se prirja e përgjithshme në të drejtën ndërkombëtare të detit sot është që “dheu kontinental sundon ndaj dheut ishullor”, në zgjatim logjik me parimin kardinal se “dheu sundon detin” [land dominates the sea].[17]

Dihet se vija kufitare e Detit Territorial Shqiptar me atë Grek fillon në një pikë bazë afër piramidës së fundit të kufirit tokësor në bregun e Gjirit të Ftelias, ku brigjet janë të përngjitur [adjacent]. Ajo më tej ecën sipas vijës së mesme pingule me vijën e drejtë bazë[18] përmbyllëse të Gjirit të Ftelias, deri në një pikë të barazlarguar nga pika bazë përballë në bregdetin ishullor të Korfuzit. Këtë pikë po e quajmë Pika Pika Ω [omega], që është skaji më jugor ku shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë. Vija kufitare mandej kthehet djathtas në trajtë bërryli me orientim verior dhe transformohet në mesore të barazlarguar nga dy vijat bazë të brigjeve të kundërta [opposite], duke ndjekur “mesin e Kanalit të Korfuzit”.

1 Gjiri i FteliasFig. 1. Kanali i Korfuzit dhe delimitimi sipas Marrëveshjes së anulluar Greqi-Shqipëri.  Pika më jugore është quajtur këtu Pika Ω, me koordinata 39° 38′ 25.97″ gjerësi veriore dhe 19° 59′ 29.25″ gjatësi lindore. Paraleli përkatës 39° 38′ 25.97″ gjerësi veriore mund të shërbejë si vijë indikative e të drejtave të mundshme [entitlements] për ZEE-në dhe shelfin kontinental që mund t’i takojnë fasadës bregdetare të Shqipërisë në hapësirën detare në VP të ishullit të Korfuzit, përtej Detit Territorial [6 md] dhe Zonës së Puqur [6 md]. Harta është ndërtuar me ndihmën e personelit të Bibliotekës së Kongresit amerikan.

Në rastin hipotetik të mungesës së Korfuzit, vija e mesme do të vijonte tranversalisht në Detin Jon me delimitimin e ZEE-së dhe shelfit kontinental deri sa të takohej me hapësirat detare të buruara nga dheu kontinental i Gadishullit Apenin. Kuptohet që e drejta ndërkombëtare detare i pranon rrethanat gjeografike ashtu siç janë, dhe ishujve u njihen hapësirat e nevojshme detare, edhe pse – sikurse përmendëm – praktika përkatëse është e pakonsoliduar, dhe secili rast ka specifikat e veta.[19]Në rastin tonë, dhe sa i takon Detit Territorial, duhen mbajtur parasysh këto rrethana të posaçme:

(i) Në Gjirin e Korfuzit, që përputhet me përkufizimin e Konventës si gji i mbyllur[20], mesorja e baraslarguar e mbështetur mbi diametrin që përmbyll Gjirin, e sjell kufirin detar fare pranë bregut shqiptar. Kësisoj për të arritur rezultat të drejtë dhe të ndershëm lypet korrektim i mesores paraprake dhe shtyrja e saj kah Perëndimi;

(ii) Në Kanalin e Korfuzit, si korridor lundrues ndërkombëtar, vija e kufirit kalon “nëpër mesin e kanalit”. Ishulli i Barketës, apo shkëmbinj të tjerë në bregdetin grek, nuk mund të merren si pika bazë. Barketa, të cilin hartat e google maps ia njihnin Shqipërisë, duhet të jetë vetë si pikë ndarëse e kufirit dypalësh, ose të paktën të administrohet bashkërisht si kondominium. Në këtë kuadër, dhe për të qenë krejtësisht objektivë, duhet thënë se as vijat e drejta bazë në bregdetin shqiptar në hapësirën e Kanalit të Korfuzit nuk përputhen me Konventën e OKB për të Drejtën e Detit.[21]

  1. Divergimi i regjimeve në brezin e Detit Territorial

(iii) Mirëpo një veçori e rëndësishme në delimitimin e Detit Territorial në Jon është diferenca midis regjimeve të brendshme ligjore për gjerësinë apo brezin [breadth] e Detit Territorial.

Vija e delimitimit të Detit Territorial në Kanalin e Korfuzit është kufi shtetëror. Ajo ndjek “mesin e Kanalit”, ose mesoren e ndërtuar mbi ekuidistancën e korrektuar nga pikat/vijat bazë të brigjeve të kundërta, dhe pranohet se do të përcaktojë kufirin e Detit Territorial dhe të shelfit kontintental.

Dihet se Shqipëria, në zbatim të Konventës dhe me akt ligjor të brendshëm, gjerësinë e Detit Territorial e ka përcaktuar në masën e 12 miljeve detare (md). Mirëpo Greqia sot për sot zbaton brezin prej 6 md. Problemi dypalësh i regjimit divergues haset në delimitim kur distanca midis dy brigjeve të kundërta në pjesën veriore të Kanalit të Korfuzit zgjerohet përtej 12 md. Deri në atë pikë, kur mesorja e barazlarguar nga çdo pikë bazë në brigjet përballë është në distancën 6 md, pra distanca nga bregu në breg është 12 md, të dyja shtetet ushtrojnë sovranitet të plotë mbi Detin e tyre Territorial.

Por ç’ndodh kur distanca midis brigjeve të kundërta zgjerohet përtej 12 md? Me fjalë të tjera, si duhet kryer delimitimi në një rast mospërputhjeje të regjimeve të brendshme juridike për gjerësinë përkatëse të Detit Territorial? Dhe e shtruar ndryshe, cili shtet do të ushtrojë sovranitet në një pikë hipotetika, të quajtur α [alpha], të barazlarguar nga bregu i Korfuzit dhe bregdeti shqiptar, e ndodhur në hapësirën ujore ku distanca midis dy brigjeve të kundërta është 13 md?

Konventa e Detit [Neni 15] përcakton se:

“Në rastin kur brigjet e dy Shteteve janë të kundërta ose të përngjitura, asnjë shtet nuk ka të drejtë, përveç se kur janë marrë vesh ndryshe, të shtrijë detin e vet territorial përtej vijës mesore, secila pikë e së cilës është e barazlarguar nga pikat më të afërta në vijat bazë prej nga matet gjerësia e Detit Territorial të secilit nga të dy Shtetet.”[22]

Bazuar në Konventën e Detit, Greqia ka shprehur qëllimin për ta kryer zgjerimin në 12 md në një kohë të përshtatshme. Mirëpo dihet botërisht se një veprim i tillë do të konsiderohej nga Turqia si casus belli, për shkak të implikimeve të pritshme në Detin Egje, me rreth 7500 ishujt dhe shkëmbinjtë ujorë atje.

  1. Zbatimi i Pjesshëm apo i Padeklaruar

Deklarata të palës greke nënkuptojnë se Geqia ka ndërmarrë zbatim të pjesshëm të brezit prej 12 miljesh në Detin Jon dhe Shqipëria e ka pranuar këtë.[23] Për analogji, edhe Turqia në delimitimet e veta në Detin e Zi ka zbatuar brezin prej 12 md të Detit Territorial, duke mos ndryshuar brezin prej 6 md në Detin Egje. Kësisoj, përmes marrëveshjes dypalëshe me Shqipërinë, Greqia shmang nevojën e shpalljes me ligj dhe erga omnes të brezit të Detit Territorial në gjerësinë prej 12 md, duke konsideruar edhe reagimet e pritshme të palës turke.

Mirëpo kjo nënkupton se Korfuzit dhe Ishujve të Diapontit u është njohur efekt i plotë, çka mund të bjerë sërish ndesh me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese, duke kritikuar rezultatet e Marrëveshjes së anulluar të Delimitimit lidhur me ndikimin e ishujve Lazereto, Erikusa, Othonoi “por edhe vetë i ishullit kryesor të Korfuzit”, u shpreh se: “Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë.”[24]

Duke iu kthyer sërish Nenit 15 të Konventës së Detit, parimi thelbësor që parashikohet është ky:

“…asnjë shtet nuk ka të drejtë… të shtrijë detin e vet territorial përtej vijës mesore…”

Pra, dy janë momentet kryesore për analizën tonë:(i) përdorimi i metodologjisë së mesores së barazlarguar dhe të korrektuar, dhe (ii) përcaktimi i “detit të vet territorial” [theksimi yni, A. A.].

Një mënyrë për shmangien e divergimin të deteve territoriale mund të ishte përdorimi nga pala greke e konceptit juridik të zonës së puqur [contiguous zone].

Pra, në rastin tonë Shqipëria nuk mund ta shtrijë Detin e vet Territorial përtej vijës mesore pavarësisht nga divergimi i regjimit të brezit të gjerësisë [12 md ndaj 6 md]. Nga ana e vet, Greqia ka të drejta sovrane deri në vijën mesore, por ajo sovranitet të plotë mund të ushtrojë vetëm brenda brezit të Detit Territorial me gjerësi 6 md. Përtej kësaj vije Greqisë mund t’i vijë në ndihmë zona e përngjitur [contiguous zone], ku tagret e sovranitetit të saj ruhen, por janë më kufizuara.

Problemi mandej në traktativë lind tek efekti që do t’u jepet ishujve të Erikusës dhe Othonoit, të cilët e përforcojnë më tej “ndikimin pengues” dhe “shtrembërues” të Korfuzit ndaj dheut kontinental të bregdetit shqiptar. A do t’u njihet atyre “efekt i plotë” apo “i pjesshëm” sa i takon Detit Territorial? Çfarë të drejta të tjera [entitlements] do të kenë ata sa u takon ZEE-së dhe shelfit kontinental? Nëse nuk arrihet marrëveshje e drejtë në këtë pjesë të Detit Jon, ndofta mosdakordësia i duhet referuar një forumi gjyqësor ndërkombëtar, sikurse ka deklaruar edhe opozita shqiptare.[25]

  1. Traktati i Konstantinopojës dhe Marrëveshja Detare

Nevoja për pauzë reflektimi e për mosngutje në traktativat e delimitimit detar shqiptaro-grek del më së miri në pah po të kemi parasysh një tjetër faktor të rëndësishëm historik: Traktatin e Konstantinopojës të 21 marsit 1800[26]. Traktati në fjalë njihet apo studiohet fare pak në historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, mirëpo ka vlerë të veçantë në të drejtën ndërkombëtare të kohës, dhe mund të ketë implikime edhe në periudhën e sotme.

7 Traktati

Fig. 2. Konventa e Konstantinopojës e 21 marsit 1800 – pjesa hyrëse.

Fare përmbledhurazi, Traktati është një marrëveshje ndërkombëtare midis Perandorisë Ruse dhe asaj Otomane që krijoi një republikë sui generis të ishujve jonianë pas daljes nga skena e historisë të Venedikut. Ajo, pra, trajton juridikish, pas rënies së Republikës së Venedikut, sovranitetin dhe të drejta të tjera rrjedhuese të ish-zotërimeve venedikase në territoret e mëposhtme:

(i) ishujt jonianë, d.m.th. Korfuzi, Zaçinti, Santa Maura, Itaka, Paksos, Cerigo, etj, dhe

(ii) në “bregdetin shqiptar” siç quhej rripi jonian atëbotë, d.m.th. në Prevezë, Pargë, Vonicë dhe Butrint.

Traktati i vendoste ishujt e lartpërmendur nën sovranitetin e Portës së Lartë dhe nën garancinë e Perandorisë Ruse, duke krijuar Republikën e Shtatë Ishujve Jonianë të Bashkuar, me status të njëjtë vasaliteti e privilegjesh sikurse kishte Republika e Raguzës.[27] Kurse zotërimet në bregdetin “shqiptar” i aneksoheshin apo kalonin përfundimisht nën sovranitetin e Perandorisë Otomane, d.m.th. Ali Pashë Tepelenës, duke u dhënë status të njëjtë sa u takon tagreve fetare dhe juridike si për Principatat e Moldavisë dhe Vllahisë.[28]

Për subjektin tonë merr rëndësi të veçantë Neni VII i cili, sa u takon ishujve jonianë, përmend “…kufinj detarë që janë përcaktuar dhe markuar [shënuar] qysh prej një periudhe shumë të gjatë ndër vite” [“…limites maritimes qui ont été assignées et marquées depuis une très grand nombre d’années”].[29]

Cila është relevanca e këtij traktati në lidhje me konfiguracionin aktual politik – gjeografik të bregdetit shqiptar nga Kepi Stillos e veri? Ç’janë këta kufinj, të përcaktuar dhe shënuar, dhe ç’lidhje eventuale kanë ato me Korfuzin dhe bregdetin shqiptar?

Në dukje referenca në Traktat i drejtohet Regjencës së Barbarisë, ose territoreve në bregun e Afrikës Veriore që ishin në varësi të Sulltanit, dhe pra, larg kontekstit tonë gjeografik.[30] Neni i plotë është si vijon:

“Përderisa Porta e Lartë ka në zemër sigurinë dhe qetësinë e Ishujve të lartpërmendur, Ligjet e përparshme për lirinë e tregtisë dhe lundrimit në detrat ku gjenden këta ishuj do të ruhen të pandryshuar, në mënyrë të tillë që të mos cenojnë Nenet që kanë të bëjnë me tregtinë dhe sigurinë, dhe që janë përfshirë ab antiquo [qysh në të shkuarën, A.A.] në Traktatet e Portës së Lartë me Shtetet kufitare, dhe Porta e Lartë do të urdhërojë me ashpërsi dhe rigorozitet Regjencave të Barbarisë që të mos kapërcejnë kufinjtë detarë që janë caktuar dhe markuar qysh prej një periudhe shumë të gjatë vitesh.”[31]

Dihet se pirateria që vinte nga bregu i Afrikës Veriore ishte shqetësim i madh dhe i vazhdueshëm në rajonin e Deti Jon, përfshirë Korfuzin, e madje deri në Kotorr e më lart në Adriatik. Siç përmend Prof. Pëllumb Xhufi në veprën e tij ” Árbërit e Jonit”, piratët nga Afrika infiltronin gjerësisht ujërat dhe brigjet nga Grama në Karaburun, Gjiri i Vlorës, Apollonia e Kotorri në brigjet shqiptare, e deri në Kalabri e Loreto në brigjet italiane.[32]Kuptohet se referenca për “kufinjtë detarë” të përmendur në Traktatin e Konstantinopojës, tejkalonte objektin e parandalimit të akteve të piraterisë të asaj kohe. Me të vërtetë, siç del më pas në Traktat, ata “kufinj detarë” mund të konsideroheshin mirëfilli edhe si kufinj politikë, të cilët Porta e Lartë angazhohej dhe “i premtonte” Republikës së re se anijet e saj të luftës do t’i respektonte […ses bâtiment de guerre n’iront point au-delà des si dites limites maritimes…], përveç rasteve të urgjencës.[33]

Është mëse e qartë, pra, se “kufinjtë detarë” të Republikës së Bashkuar të Ishujve Jonianë, ku bënte pjesë edhe Korfuzi, ishin të njohura dhe relativisht të përcaktuara, qysh në vitin 1800. Prandaj edhe relevanca e rrjedhimet e tyre të mundshme juridike për periudhën e sotme sa i takon delimitimit të hapësirave detare në Detin Jon as nuk mund të injorohen, as nuk mund të anashkalohen.Kjo invokohet qartë dhe drejtpërdrejtë edhe në Konventën OKB-së për të Drejtën  Detiit, më konkretisht tek dispozitate Nenit 15 për delimitimin e Detit Territorial, ku thuhet shprehimisht se ekuidistanca nuk zbatohet në rastet e “titullit historik” ose “rrethanave të posaçme”.[34]

Sqarimi i kësaj reference të rëndësishme kërkon kohë. Lypet para së gjithash studim e thellim i mëtejshëm i materialit përkatës arkivor, gjegjësisht edhe hartave apo koordinatave të mundshme që, nëse ekzistojnë, duhet të gjenden në arkivat e Portës së Lartë në Stamboll, dhe/ose të oborrit perandorak në Shën Petersburg.Kuptohet se kjo punë e domosdoshme nuk mund të varet nga kalendari i Samiteve të BE-së. Nëse Bullgaria dhe Rumania kanë mbi 20 vjet që negociojnë – dhe ende nuk bien dakord – për një trekëndësh të vogël të ZEE-së përkatëse në Detin e Zi, pse u dashkërka kaq ngutje e paparë në rastin e Detit Jon?

  1. Delimitimi i ZEE-së dhe shelfit kontinental

 Edhe më delikat paraqitet problemi i ZEE-së dhe shelfit kontinental. Sikurse e kemi theksuar tjetërkund,[35] për arsye të ndryshme Shqipëria deri më sot nuk ka deklaruar ZEE dhe nuk marrëveshje për ZEE-në me ndonjë shtet tjetër. Përsërisim se marrëveshja me Italinë ka të bëjë vetëm me shelfin kontinental, dhe jo me Detin Territorial apo me ZEE-në. Për Adriatikun, si det i mbyllur, kjo shpjegohet me detyrimin për bashkëpunim ndërshtetëror midis shteteve bregdetare, në përputhje me Pjesën IX të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit.[36]

Kurse marrëveshja e anulluar me Greqinë e v. 2009 ishte, në një kuptim, marrëveshje mjaft moderne, pasi përcaktonte përfundimisht një “kufi të njëjësuar” e shumëfunksional për të gjitha hapësirat detare [all purpose, single boundary]. Kjo është tjetër arsye që negociata të tilla duhet të jenë sa më të matura, të kujdesshme dhe të përgatitura. Shkurt, ato duan kohën e tyre.Sa i takon Shqipërisë, çështjet themelore janë efekti që do të marrin Korfuzi dhe Ishujt e Diapontit, si dhe të drejtat  [entitlements] që projeksioni i dheut kontinental shqiptar, përgjatë fasadës bregdetare nga Gjiu i Ftelias në Jugë e deri në Gjirin e Gramës në Veri, mund të gjenerojë për ZEE-në dhe shelfin kontinental, edhe në hapësirën detare në Veriperëndim apo shpinë të ishullit të Korfuzit.Me fjalë të tjera, pyetja shtrohet nëse Shqipërisë i takon ndonjë hapësirë detare në anën e djathtë [ose lindore] të mesores ndarëse midis bregut apenin me atë ballkanik?  Theksojmë se, në rastin hipotetik të moskonsiderimit të Korfuzit thjesht për lehtësi të argumentit, atëhere përgjigja do të ishte e qartë: të drejtat për hapësirë detare do t’i takonin edhe dheut kontinental të buruar nga Gadishulli Ballkanik. d.m.th. Shqipërisë.Mirëpo ishulli i Korfuzit është aty ku është dhe nuk lëviz dot. Atëhere si do të veprohej?Në këtë rast na vjen në ndihmë jurisprudenca në kazusin Bangla Deshi kundrejt Myanmarit.

  1. Precendenti i Ishullit të Saint Martin-it

9 Ishulli Martin

Fig. 3.  Vija e Delimitimit të Detit Territorial e vendosur nga ITLOS lidhur me Ishullin e Sh. Martinit. Ishullit i njihet efekt i plotë sa i takon Detit Territorial [marrë nga vendimi përkatues i ITLOS].

Mosmarrëveshja për delimitimin detar në Gjirin e Bengalit midis Bangla Deshit dhe Birmanisë, sot Myanmar, është trajtuar nga Tribunali i së Drejtës Ndërkombëtare të Detit [ITLOS] me seli në Hamburg.[37] Vendimi përfundimtar u shpall me 14 mars 2012, ose rreth tre vjet pas Marrëveshjes së anulluar të Delimitimit Greqi-Shqipëri. Precedenti i rëndësishëm, që tashmë është pjesë e asaj që quhet acquis judiciaire[38] në të drejtën ndërkombëtare të detit, është veçanërisht relevant në rrethanat e posaçme gjeografike të delimitimit në Detit Jon.

Në atë rast, ishulli i St. Martin-it, i cili i takon Bangla Deshit, ka ngjashmëri të rëndësishme me ishullin e Korfuzit. Sikurse Korfuzi, ai është i banuar, është i madhësisë mesatare, ndodhet në largësi 5 md nga bregdeti përkundruall, i cili përndryshe i takon Myanmarit.Bangla Deshi i kërkoi Tribunalit që ishullit të St. Martinit t’i akordoheshin të gjitha hapësirat detare që do t’i takonin normalisht, d.m.th. Deti Territorial në brezin prej 12 md, dhe përtej tij, ZEE dhe shelfi kontinental përkatës, deri në gjerësinë prej 200 md.[39]

Tribunali mori një vendim shumë të rëndësishëm. Duke theksuar se “nuk ka formulë magjike“[40] në delimitim, Tribunali pranoi se “objektivi i vijës [së delimitimit, A.A.] është që t’u mundësojë brigjeve relevante të Palëve që t’i prodhojnë efektet e tyre, lidhur me të drejtat [entitlements] detare që u takojnë, në mënyrë të arsyeshme dhe reciprokisht të balancuar“. [theksimi A.A.].[41]

Sa i takon Detit Territorial, Tribunali i dha efekt të plotë ishullit të Shën Martinit, duke i njohur gjerësinë deri në 12 md. Kujtojmë se brenda kufinjve të Detit Territorial shteti përkatës ushtron sovranitet të plotë.

Sa i takon ZEE-së dhe Shelfit Kontinental, Tribunali vërejti se efekti që i takon ishullit “…varet nga realitetet gjeografike dhe rrethanat e rastit specifik. Në këtë drejtim nuk ekziston rregull i përgjithshëm. Çdo rast është unikal dhe lyp trajtim të veçantë, ku synimi përfundimtar është arritja e një zgjidhje të drejtë dhe të ndershme” [equitable solution].[42]

Në pasazhin më relevant, Tribunali deklaroi:Ishulli i Shën Martinit është tipar i rëndësishëm që mund të konsiderohej rrethanë relevante në rastin tonë. Mirëpo, për shkak të vendndodhjes, dhënia efekt e ishullit të Shën Martinit në delimitimin e zonës ekskluzive ekonomike dhe shelfin kontinental do të rezultonte në një vijë që do të bllokonte projeksionin detar të bregdetit të Myanmarit në një mënyrë të tillë që do të shkaktonte një shtrembërim të pajustifikuar [unwarranted distortion] të vijës së delimitimit. Ndikimi shtrembërues i një ishulli në lidhje me vijën e baraslargësisë do të mund të rritej në mënyrë thelbësore kur vija zgjatet përtej 12 md nga bregu.[43]

Rrjedhimisht, Tribunali vendosi që Ishullit të Shën Martinit “të mos i japë kurrfarë efekti në përcaktimin e vijës së delimitimit sa i takon zonës ekskluzive ekonomike dhe shelfit kontinental”. [44]

10 vija e delimitimit

 Fig. 4.  Vija e plotë e Delimitimit midis Bangla Deshit dhe Myanmarit në Gjirin e Bengalit. Ishullit të Sh. Martinit i jepet efekt zero [0] sa i takon EEZ dhe shelfit kontinental [marrë nga vendimi përkatës i ITLOS].Me fjalë të tjera, Ishullit të Shën Martinit Tribunali ITLOS i dha efekt të plotë sa i takon Detit Territorial dhe efekt zero sa i takon shelfit kontinental dhe ZEE-së.Precedenti i rëndësishëm i kazusit Bangla Deshi kundrejt Myanmarit, i shpallur – sikuse përmendëm – tre vjet pas marrëveshjes së dështuar të delimitimit të v. 2009, përbën pasurim të rëndësishëm të praktikës ndërkombëtare të delimitimit, ose të acquis judiciare.Kazusi i mësipërm afirmon të drejtat e rëndësishme të shteteve bregdetare kur projeksioni detar i bregut të tyre “pengohet” nga ishuj që janë nën sovranitetin e një shteti tjetër.Paralelisht me çështjen e shkallës së efektit përkatës ishullor, pyetja e shtruar mbi tryezë është nëse Korfuzi dhe Ishujt e Diapontit në Detin Jon, sikurse Shën Martini në Gjirin e Bengalit, krijojnë “ndikim shtrembërues” ndaj vijës së delimitimit të buruar nga bregdeti shqiptar.

5 figura 5

Figura 5. Harta e Marrëveshjes së Delimitimit të Shelfit Kontinental midis Italisë dhe Greqisë./

Mund të argumentohet se projeksioni i bregdetit shqiptar në Detin Jon lidhur me ZEE-në dhe Detin Territorial, në përputhje me precedentin e Ishullit të Shën Martinit, fillon përtej Detit Territorial grek në Perëndim të Korfuzit, dhe shkon deri në hapësirat detare të Italisë. Ai ndodhet midis paralelit të nisur në Jugë nga pika më e skajshme jugore e Marrëveshjes së anulluar të Delimitimit, të quajtur Pika Ω, në Kanalin e Korfuzit, dhe në Veri me paralelin e dalë nga bregu i Himarës. Koordinatat e pikës Ω janë: 39° 38′ 25.97″ gjerësi veriore dhe 19° 59′ 29.25″ gjatësi lindore,[45]kurse paraleli gjeografik në bregun e Himarës ndodhet përafërsisht në gjerësinë veriore 40° 6′ 5″.

  1. Përfundime

 Në diplomaci, sikurse edhe në jetën e përditshme, palët mbrojnë interesat e tyre në mënyrë kryesisht proaktive. Greqia ka një strategji të përcaktuar, si dhe merr nisma të ndryshme në kontekste të ndryshme, si p.sh. negociatat trepalëshe për çështje të tjera me Qipron dhe Izraelin në Mesdheun Lindor, dhe me Maqedoninë e Shqipërinë në rajonin e Prespës. Prandaj nuk ka arsye që edhe Shqipëria të mos ndërmarrë inisiativën e vet diplomatike. Në rastin konkret, Shqipëria mund t’i propozonte palës greke një rradhë të tillë negociatash: (i) Anullimi i menjëhershëm i Ligjit të Gjendjes së Luftës, si parakusht për çdo traktativë tjetër; (ii) Lidhja e Marrëveshjes për Demarkimin e Kufirit Tokësor; (iii) Lidhja e Marrëveshjes për Trajtimin e Pellgut Ujor të Vjosës, për sa kjo mbetet ende shqetësim;  (iv) Marrëveshje të tjera të rëndësishme, pa harruar natyrisht “kryeçështjen”, apo problemin e minoritetetit çam të Greqisë që u shpërngul përkohësisht në Shqipëri, etj, të cilat mund të trajtohen krahas Marrëveshjes së Delimitimit Detar.

Për t’u kthyer tek kjo e fundit, dihet se praktika e zakonshme është që marrëveshjet e delimitimit detar zakonisht kryhen përmes negociatash midis dy shteteve drejtpërdrejt të interesuara. Mirëpo, duke patur parasysh interesat e ndërthurura trepalëshe, ndofta nuk ka pse të mos ndërmerren, në frymë konstruktive e mirëkuptimi, edhe negociata treshe midis Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, për përcaktimin dhe delimitimin e ZEE-së dhe shelfit kontinental në Jonin Verior në hapësirar ku puqen apo mbivendosen interesat e të treja shteteve. Qëllimi mbetet gjithherë i njëjtë: arritja e një zgjidhjeje apo rezultati të drejtë dhe të ndershëm [equitable solution]. Ndër vëzhgimet e tjera që mund të paraqesim në mbyllje, parashtrojmë si vijon.

Së pari, çdo çështje delimitimi ka veçoritë e veta. Pa dashur të nënkuptojmë në mënyrë absolute se parimet e parashtruara në precedentin e mësipërm zbatohen detyrimisht edhe në rastin tonë sa i takon delimitimit përkatës të shelfit kontinental dhe ZEE-së, precedenti i Ishullit të Shën Martinit ka vlerë udhëzuese në metodologjinë e delimitimit të hapësirave detare në raste analoge dhe duhet mbajtur seriozisht parasysh në negociatat aktuale.Prandaj pala shqiptare nuk mund të neglizhojë të drejtat për hapësirat detare të ZEE-së dhe shelfit kontinental që mund të burojnë nga zhvillimet e fundit të acquis judiciare në praktikën e delimitimit në rastet dhe rrethanat gjeografike kur projeksioni bregdetar i njërës palë “pengohet” nga ishuj nën sovranitetin e palës tjetër, efekti i të cilëve sa u takon hapësirave detare, është i diskutueshëm. Një rast i tillë do të ishin “ndikimi shtrembërues” ndaj bregdetit shqiptar i Korfuzit dhe Ishujve të Diapontit.

Së dyti, problem tjetër që duhet sqaruar me palën greke është zbatimi i Dekretit Presidencial 6/18 të shtatorit 1931, që përcakton se hapësira ajrore sovrane greke është përtej kufirit të Detit Territorial, gjegjësisht 10 md kundrejt 6 md. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar botërisht se nuk njohin hapësirë ajrore territoriale që tejkalon hapësirën e Detit Territorial.[46] Për të davaritur çdo paqartësi, nuk ka kuptim që teksti përfundimtar i Marrëveshjes së Delimitimit të mos përfshijë edhe nenin ku të përcaktohet qartë se, në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, kufiri i Detit Territorial puqet me kufirin e hapësirës ajrore territoriale.Së treti, në rastin tonë, rëndësi parësore merr çështja e efektit që do t’u jepet në marrëveshje ishujve grekë përballë bregdetit shqiptar. Ka aludime apo nënkuptime se atyre u është dhënë efekt i plotë.

8 edward Lee

Fig. 6. “Dheu dominon detin“. – Edward Lear, Himarë, 25 tetor 1848, në sfond ishulli i Othonoit.[47]

Prirja e përgjithshme në të drejtën ndërkombëtare të detit është e qartë: dheu kontinental sundon jo vetëm detin [parimi land dominates the sea], por dheu kontinental merr përparësi edhe kundrejt ishujve përballë tij, që kanë sovranitet të ndryshëm nga shteti bregdetar. Me të vërtetë, jurisprudenca dhe e drejta zakonore ndërkombëtare deliberojnë shkallën e efektit të ishujve [nga 100 % deri në 0%], por në asnjë rast nuk venë në pikëpyetje shkallën e efektit të dheut kontinental, që është gjithnjë i plotë.

Ritheksojmë se, nëse ishujve grekë u është dhënë efekt i plotë, kjo mund të bjerë sërish ndesh me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese, duke kritikuar rezultatet e Marrëveshjes së anulluar të Delimitimit të v. 2009 lidhur me ndikimin e ishujve Lazereto, Erikusa, Othonoi “por edhe vetë i ishullit kryesor të Korfuzit”, u shpreh se:

“Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë.”[48]

Në mungesë të pajtimit midis pozicionit maksimalit grek për ishujt [efekt i plotë], dhe “vijës së kuqe” të Gjykatës Kushtetuese [efekt i pjesshëm], ndofta nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veç Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Së fundi, traktativat e tanishme të delimitimit mund ose mund të mos sjellin në një marrëveshje dypalëshe. Metodologjia e delimitimit është pasuruar dhe saktësuar së tepërmi nga jurisprudenca më e fundit, çka mund të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të ndershme [equitable solution].  Ajo ndjek kryesisht këto hapa: (i) përcaktimi i pikave bazë dhe brigjeve relevante; (ii) ndërtimi i vijës [mesore] provizore;  (iii) shqyrtimi i rrethanave të posaçme dhe i ndikimit të Ekitésë; (iv) korigjimi i vijës provizore; (v) shqyrtimi i testit të disproporcionalitetit bazuar në brigjet relevante; (vi) ndërtimi i vijës përfundimtare të delimitimit.[49]

Thelbësore është që vija e delimitimit t’u mundësojë brigjeve relevante shqiptare dhe greke që t’i prodhojnë efektet e tyre lidhur me të drejtat detare [entitlements] përkatëse në mënyrë të arsyeshme dhe reciprokisht të balancuar.

Nuk mund të parashikohet nëse kjo do të arrihet me negociata, apo përmes ndërhyrjes së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Palët mund të kenë pozicione të largëta midis tyre, dhe lëshimet e ndërsjellta mund të jenë të vështira. Të mos harrojmë se “formula magjike nuk ka”, dhe se bëhet fjalë për delimitimin e njërit prej detrave më të rrahura qysh nga Lashtësia, si korridori kryesor komunikues midis Romës, Athinës dhe Konstantinopojës, dhe më tej në Mesjetë, si hapësirë simbiotike midis bregdetit “arbëror” dhe territoreve venedikase, e deri sot e gjithë ditën. Faktorë historikë, gjeografikë, politikë, ekonomikë etj. mbeten përherë relevantë. Prandaj, sa u takon afateve të Marrëveshjes së Delimitimit, nuk besojmë sa ka ngutje të madhe që kjo të përfundojë se s’bën në qershor 2018. Bisedimet duan kohën e tyre.

Sikurse parashtruam, lypet medoemos një pauzë studimore për të hulumtuar relevancën midis Nenit 15 të Koventës së OKB-së për të Drejtën e Detit me dispozitat e Traktatit të Konstantinopojës për “kufinjtë detarë të përcaktuar dhe markuar…” që përmenden aty.

Lidhjet e ngushta, simbiotike midis dy brigjeve janë të tilla sa që mund ta bëjnë të vështirë “ndarjen si me thikë” të ujrave, edhe pse kjo do të ishte zgjidhja ideale. Mirëpo, përveç vullnetit të mirë dhe atmosferës ndërtuese, kjo mund të kërkojë edhe qasje risore, përfshirë mundësinë e zgjidhjeve me jurisdiksion të përbashkët për hapësirat ku palët mund të mos bien dakord. Sot në botë ekzistojnë rreth 23 raste regjimesh juridike të përbashkëta, apo “kondominiume” të llojeve të ndryshme në hapësirat detare midis vendeve. Vetëm në hapësirat ujore që lagin Ballkanin ka rreth 4 “zgjidhje të tilla”, duke filluar nga “Zona e Përbashkët e Peshkimit” midis Italisë dhe ish-Jugosllavisë në ujrat e Triestes, tek “Zona e Përbashkët e Lundrimit” në ujrat e Kotorrit midis Kroacisë dhe Malit të Zi, e deri tek dy zgjidhjet e përbashkëta praktike tek kufiri shtetëror detar Bullgari – Turqi.

Përndryshe, qoftë me marrëveshje dypalëshe apo me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, synimi është, gjithsesi, që Deti Jon të mbetet përherë si Det i Paqes.

Agron Alibali

Tiranë, maj-qershor 2018

[1]Copyright © Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Autori ka qenë studiues për të drejtën ndërkombëtare të detit në Qendrën Ndërkombëtare të Studiuesve “Woodrow Wilson”, në Washington, D.C.

[2] “Gardhi i mirë, fqinji i mirë”, tek Robert Frost, Mending Walls, North of Boston, Henry Holt and Co. New York, 1914, ff. 11-13.  Ilustrimi në ballë është nga Edward Lear, Porto Tre Scoglie, Albania, v. 1862, ose Ksamili. Burimi, www.sothebys.com

[3] Shih Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 742, datë 13.12.2017 Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr. 10256, datë 25.3.2010, Fletore Zyrtare v. 2017, Nr. 225 f. 11972. Shih edhe Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 759, datë 20.12.2017 Për dhënien e statusit “Varrezë historike” vendprehjes së ushtarëve të rënë gjatë luftës italo-greke të viteve 1940–1941, me vendndodhje në fshatin Bularat, Bashkia Dropull, Fletore Zyrtare, v. 2017, Nr. 230, f. 12127.

[4] Shih p.sh. Fjalën e Presidentit grek Stefanopullos në darkën zyrtare për Presidentin amerikan Clinton në Athinë, nëntor 1999.

[5] Intervistë e Ministrit Kotzias, 11 maj 2018, www.mfa.gr. Teksti i plotë në anglisht është “I think that we have held the first meetings on the issues of economic zones. I think these are good and that, in the coming meetings that have been scheduled, they will lead to a fair agreement based on international law. I am optimistic about this agreement. I also must say that, together with this agreement, we will have a presidential decree on the abolition of the state of war, which is a kind of historical schizophrenia, along with certain agreements on land borders, which concern delimitation and determination of border markers.”

[6] Vendim Nr. 15. datë 15.04.2010, i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, www.gjk.gov.al

[7] Mesazh në twitter i Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bushati, 30 prill 2018.

[8] Deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, 30.04.2018, www.mfa.gr.

[9] Deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, 15 maj 2018, www.mfa.gr.

[10] Shih intervistën e z. Kotzias me 18 prillit 2018.

[11] Shih intervistën e z. Kotzias me 1 maj 2018, www.mfa.gr

[12] Deklaratë e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Kotzias, 4 maj 2018, www.mfa.gr

[13] Shih Nenin 2-4 të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, www.un.org

[14] Shih Nenin 76.1 të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, www.un.org

[15] Shih Nenin 56.1.a të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, www.un.org

[16] “Teoria dhe praktika gjyqësore ndërkombëtare ka treguar se sipas rrethanave, një ishulli mund t’i jepet efekt i plotë, efekt i pjesshëm, asnjë lloj efekti ose asnjë lloj efekti por përfiton pak hapësire detare neë delimitimin e hapësirave detare[16]. Ka raste ku ishujve u është dhënë efekt i plotëdhe këtu, si rregull, vija e kufirit kalon në mes të ishujve që u përkasin respektivisht të dy palëve. Por ka dhe raste kur ishujve u është dhënë efekt i pjesshëmose nuk u është dhënë fare efekt por kanë përfituar një hapësirë të kufizuar detare, ose kur ishujve nuk u është dhënë as efekt e as hapësirë detare”. Paragrafi 106 i Vendimit Nr. 15. datë 15.04.2010, të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, bashkë me referencat përkatëse në jurisprudencë. www.gjk.gov.al

[17] Parimi është afirmuar nga GJND tek North Sea Continental Shelf Case, 1969, para. 96. Për më shumë, shih edhe Stephen Fietta dhe Robin Cleverly, “A Practicioner’s Guide to Maritime Boundary Delimitation, Oxford University Press, 2016.

[18] Shih përkufizimet përkatëse në Nenin 5 dhe 7 të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit.

[19] Shih Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, Pjesa VIII, Regjimi i Ishujve, Neni 121.

[20] Shih Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, Pjesa II, Deti Territorial dhe Zona e Puqur, Neni 10 – Gjiret.

[21] Po aty, Neni 7 – Vijat e Drejta Bazë.

[22] Neni 15 i Konventës së OKB për të Drejtën e Detit, paragrafi i parë. Në origjinalin anglisht: “Where the coasts of two States are opposite or adjacent to each other, neither of the two States is entitled, failing agreement between them to the contrary, to extend its territorial sea beyond the median line every point of which is equidistant from the nearest points on the baselines from which the breadth of the territorial seas of each of the two States is measured”. United Nations Convention on the Law of the Sea (with annexes, final act and procès-verbaux of rectification of the final act dated 3 March 1986 and 26 July 1993). Concluded at Montego Bayon 10 December 1982. Authentic texts: Arabie, Chinese, English, French, Russian and Spanish. Registered ex officio on 16 November 1994. No. 31363, United Nations Treaty Series, 1994.

[23] Shih deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, z. Kotzias për ERT1, dt. 29 janar 2018.

[24] Vendim Nr. 15. datë 15.04.2010, i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Para. 108, www.gjk.gov.al

[25] Deklaratë e deputetit të PD-së, z. Tritan Shehu, Koha Jonë, 2 mars 2018.

[26] Convention entre l’Empire de Russie et la Porte Ottomane, concernant la Republique des Sept Isles Unies, conclue a Constantinople le 21 Mars, 1800, tek Treaties, & c between Turkey and Foreign Powers, 1535 – 1855, Foreign Office, London, 1855, f. 321-325.

[27] Po aty, Neni I e II, f. 322.

[28] Po aty, Neni VII, f. 323-324.

[29] Po aty.

[30] “Les régences barbaresques d’Alger, Tunis et Tripoli, ne formet point partie des États du grand seigneur, mais sont sous sa dépendance.”  M. Magnein, M. Deu, Dictionnaire de production de la nature et de l’art qui font l’Objet de Commerce, Vol. 2, Part I., Paris, 1809, f. 97.

[31] Convention entre l’Empire de Russie et la Porte Ottomane, concernant la Republique des Sept Isles Unies, conclue a Constantinople le 21 Mars, 1800, tek Treaties, & c between Turkey and Foreign Powers, 1535 – 1855, Foreign Office, London, 1855, f. 321-325.

[32] Më konkretisht, në vitin 1554 “anije barbareske kishin kapur një fregatë veneciane në Gjirin e Gramës” në Karaburun. Po ashtu, në vitin 1555 një pirat nga Barberia “bënte namin midis brigjeve të Vlorës dhe Kalabrisë”. Në vitin 1638 një flotë pirate tunizo-algjeriane, pasi dështoi në inkursionin e vet në portin italian të Loretos në Adriatikun Verior, rrëmbeu disa anije veneciane në Kotorr, dhe mandej u ndoq nga skuadra e flotës venedikase deri sa u asgjësua në Gjirin e Vlorës. Në vitin 1671 “tre anije pirate nga Tripoli, të nisura nga Vlora, sulmuan në ujërat e Apollonisë një anije nga Perasti, të ngarkuar me grurë dhe e plaçkitën dhe e zunë”. Kurse në vitin 1680  ” piratët kapën në ujërat e Vlorës qeveritarin venedikas të Cerigos, Matteo Querini, që e dërguan për ta shitur në Algjer”, Pëllumb Xhufi, Árbërit e Jonit, Onufri, Tiranë, 2016, f. 1047 – 1050.

 

[33] Pasazhi relevant në paragrafin e dytë është:

“Porta e Lartë premton si favor të shkëlqyer dhe mirësi të shenjueshme kundrejt Republikës së lartpërmendur që luftanijet e saj nuk do të kapërcejnë kufinjtë detarë të lartpërmendur, përveç nevojave të domosdoshme urgjente dhe pasi të jetë njoftuar Republika e lartpërmendur dhe Konsulli i saj rezident pranë Portës së Lartë, me ç’rast atyre do t’u lejohet kalimi dhe luftanijet që do të dërgohen do të zbatojnë Karantinën dhe Rregullat e tjera të Vendit ku do të shkojnë”. Convention entre l’Empire de Russie et la Porte Ottomane, concernant la Republique des Sept Isles Unies, conclue a Constantinople le 21 Mars, 1800, tek Treaties, & c between Turkey and Foreign Powers, 1535 – 1855, Foreign Office, London, 1855, f. 321-325, Neni VII.

[34] Neni 15 i Konventës së OKB për të Drejtën e Detit, paragrafi i dytë. Në origjinalin anglisht:  “The above provision does not apply, however, where it is necessary by reason of historic title or other special circumstances to delimit the territorial seas of the two States in a way which is at variance therewith.”

United Nations Convention on the Law of the Sea (with annexes, final act and procès-verbaux of rectification of the final act dated 3 March 1986 and 26 July 1993). Concluded at Montego Bayon 10 December 1982.

Authentic texts: Arabie, Chinese, English, French, Russian and Spanish.

Registered ex officio on 16 November 1994. No. 31363, United Nations Treaty Series, 1994.  Shih edhe interpretimin e gjerë të koncepteve të “titullit historik”, “Ekitesë” dhe “rrethanave të veçanta” në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 15, 15.04.2010, para. 91-95.

[35] Prezantim nga i nënshkruari në Qendrën Ndërkombëtare të Studiuesve “Woodrow Wilson”, Washington, D.C. maj 2014.

[36] Detrat e Mbyllur dhe Gjysëm të Mbyllur, Nenet 112-123 të Konventës.

[37] Delimitation of the maritime boundary in the Bay of Bengal (Bangladesh/Myanmar), Judgment, ITLOS Reports 2012, f. 4.

[38]  Termi referohet nga gjykatësi Wolfrum i ITLOS-it në çështjen e lartpërmendur. Fraza përkatëse është: “The ensuing international case law constitutes an acquis judiciaire, a source of international law to be read into articles 74 and 83 of the Convention.” Po aty, f. 137.

[39] Po aty, para 4. f. 27, para 138 – 145, ff. 44 – 46; para 292-308, ff. 81-84.

[40] Po aty, para 327, f. 88 duke iu referuar Arbitrazhit midis Barbados and Trinidad dhe Tobago, (Vendimi i 11prillit 2006, RIAA, Vol. XXVII, p. 147, p. 243, para. 373).

[41] Po aty, para 326, f. 87.

[42] Po aty, para 317,f. 86.

[43] Po aty, para 318, f. 86.

[44] Po aty, para 319, f. 86.

[45] Koordinatat përkojnë me pikën #20 – skaji më jugor i territorit sovran shqiptar – në Marrëveshjen e anulluar për Delimitimin e Zonave Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, Neni 1.2, prill 2009.

[46] Referenca është Dokumenti i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, DoD 2005. 1-M.

[47] Titulli i veprës nga A.A. Houghton Library, Harvard University, Provenance: Field (Northbrook), Call number/location: MS Typ 55.26 NII.L5, Bibliographic references: JOURNAL OF A LANDSCAPE PAINTER IN ALBANIA, opp. p. 274. Leja në pritje.

[48] Vendim Nr. 15. datë 15.04.2010, i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Para. 108, www.gjk.gov.al

[49] Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Delimitimi detar në Detin e Zi, (Rumania kundrejt Ukrainës), Citimi, Maritime Delimitation in the Black Sea (Romania v. Ukraine), Judgment, I.C.J. Reports 2009, p. 6 , para. 115 – 122.

 

Filed Under: Histori Tagged With: agron alibali, DETI JON, LL. M., Marrveshja me Greqine, SI DET I PAQES

NJË JETË PËR SHQIPEN – NË KUJTIM TË PROF. NORBERT JOKL

March 5, 2018 by dgreca

1-agron-alibali-2

Nga Agron Alibali/

Në mëngjesin e një dite të ftohtë marsi, pikërisht 76 vjet më parë, me 4 mars 1942, dy oficerë të Gestapos do të trokisnin në portën e apartementit të Prof. Norbert Jokl në rrugën Neustiftgasse 67 në Vjenë.Në kryerje e sipër të arrestimit, dy oficerët nazistë nuk mund të mos vërenin studion e vogël dhe modeste tê profesorit të shquar, si dhe bibliotekën me mëse 3000 libra të rrallë dhe mijëra faqe dorëshkrimesh.Trazimet në jetën e prof. Jokl kishin nisur rreth 4 vjet më parë, me “bashkimin” e Austrisë me Gjermaninë, kur Jokli ishte pushuar nga puna e tij si kryebibliotekar në Universitetin e Vjenës dhe Prof. i Gjuhësisë atje.Menjëherë filloi edhe beteja e miqve shqiptarë, në Europë e Amerikë, për shpëtimin e tij. Në krye të përpjekjeve u vunë Faik Konica dhe Fan Noli. Synimi fillestar ishte dhënia e shtetësisë shqiptare për Joklin në pritje të nguljes së tij në Shqipëri. Kurse në atdhe për Joklin po përpiqeshin edhe Poradeci, Fishta etj.

Jokli ia kishte kushtuar jetën gjuhës shqipe. Edhe pse studimet universitare i kishte kryer në drejtësi, Jokli kishte mbaruar doktoraturën në gjuhësi krahasimore, duke u specializuar në shqipen, gjuhët balltike e sllave, dhe më pas u përfshi tërësisht në këtë fushë të rrallë të dijes.

Me punën e tij këmbëngulëse dhe njohuritë e thella në gjuhësinë krahasimore, ai kishte arritur përfundime shkencore me rëndësi të jashtëzakonshme në studimet albanologjike dhe të gjuhëve indoeuropiane.  Vetë Mbreti Zog e kishte nderuar Joklin me dekoratën më të lartë të Mbretërisë me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë.  Sipas Prof. Mahir Domit, shteti shqiptar, me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit, kishte dhënë 5000 franga qysh në vitin 1926 për botimin e punimit madhor të Joklit – Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe.

Mirëpo pushtimi fashist i Shqipërisë ndryshoi rrjedhën normale të jetës dhe të historisë. Prandaj, Jokli e mendoi seriozisht për të emigruar në Amerikë dhe për të vijuar punën atje. Dhe aty atij iu gjindën sërish Fan Noli dhe Faik Konica, edhe pse ky i fundit tashmë kishte mbetur pa punë. Noli madje përfshiu në përpjekjet për shpëtimin e Joklit edhe Departamentin amerikan të Shtetit, si dhe institucione të ndryshme që ndihmonin studiues hebrenj të rrezikuar nga përndjekjet naziste.

Ndërkaq, autoritetet kolaboracioniste në Tiranë, të cilat e njihnin mirë dhe e respektonin së tepërmi personalitetin dhe punën e Joklit, i nisën atij ftesën e njohur të shtator 1941″, ku i ofronin punësim si Kryebibliotekar i Shqipërisë dhe i bënin thirrje të nisej pa humbur kohë.

Mirëpo Jokli ngurroi. Përse vallë?

Sipas gjetjeve të fundit, tri ishin arsyet kryesore:

Së pari, Jokli ende mbante shpresë për kalimin përfundimtar në Amerikë. Mirëpo dera amerikane u mbyll tërësisht pas sulmit në Pearl Harbor në dhjetor 1941.

Së dyti, duket se ai ruante njëfarë rezervë ndaj autoriteteve kolaboracioniste në Tiranë. Shqipëria e pavarur nuk ishte më. Mbreti Zog dhe qeveria e tij, që e patën vlerësuar aq shumë, ishin larguar nga vendi. Kur vetë bashkëvendësit nazistë të Joklit në Vjenë po e kërcënonin seriozisht, ç’garanci do të kishte që edhe fashistët në Shqipëri ë të mos kthenin pllakën pas nguljes së tij në Tiranë?

Dhe së treti, pengesë ishin edhe vetë biblioteka dhe arkiva e tij e jashtëzakonshme. Jokli nuk kishte familje, as fëmijë. Ai kishte vetëm librat dhe punën e tij, të pasqyruar në botimet e dorëshkrimet e çmuara e të pafund. Kur zjarri bie në shtëpi, gjëja e parë dhe e vetme është shpëtimi i vetes dhe i familjes. Librat dhe dorëshkrimet ishin fëmijët e tij. Jokli nuk mund t’i linte ato pas.

Arrestimi me 4  mars 1942 ishte filllesa e mbarimit të Norbert Joklit. Data e 11 majit 1942 jepet zyrtarisht si dita e eliminimit të tij fizik në Kampin nazist të shfarosjes në Maly Trostinec në Bjellorusi.

Siç na dëshmon Prof. Eqrem Çabej, Norbert Jokli ia la trashëgim popullit shqiptar gjithë pasurinë e tij në këtë botë, përfshirë bibliotekën dhe dorëshkrimet e tij të çmuara.Humbja tragjike e Norbert Joklit është ndër krimet më të përbindshme të nazizmit. Në bazë të doktrinës juridike të cenimit të vazhdueshëm, krimi ndaj Joklit vijon edhe sot e gjithë ditën përderisa autorët nuk janë ndjekur penalisht dhe efektet e tij vijojnë edhe sot. Në mes të viteve 1950, Prokuroria Federale Gjermane hapi çështjen penale për vrasjen e dhunshme të Prof. Joklit, ndërkohë që pasuria e tij bibliotekare dhe intelektuale ende nuk i është kthyer “popullit shqiptar”.

Duhet thënë se shteti shqiptar ka shprehur në vijimësi nderimin, por sidomos interesimin e veçantë për trashëgiminë e Joklit. Nê vitin 1977 profesorët Kostallari dhe Çabej hartuan një listë të plotë të trashëgimisë intelektuale të Joklit. Zyrtarë të lartë të kulturës shqiptare sot kanë shprehur gatishmërinë për mbajtjen e një konference shkencore në nderim të Joklit, ndërkohë që Instituti Çabej dhe Shtëpia Botuese Çabej, në bashkëpunim me gjuhëtarë të shquar, po përgatisin botimin në shqip të një ndër veprave më të rëndësishme të tij.

Një nismë private është ndërmarrë para një viti nga tre shtetas amerikanë për kthimin në Shqipëri të trashëgimisë së Joklit, në përputhje me vullnetin e tij. Mirëpo ka ardhur koha që të ndërmerren hapa konkrete institucionale për kthimin e plotë dhe strehimin e sigurtë të gjithë trashëgimisë së Joklit në Shqipëri. Por ku?

Para dy vitesh, Këshilli i Mnistrave i Republikës së Shqipërisë transferoi pronësinë e ndërtesës së ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës nga Ministria e Kulturës për tek Bashkia e Tiranës. Gazetari dhe studiuesi Ben Andoni ka hedhur idenë që ndërtesa të tansformohet në bibliotekë. Vërtetë, pse të mos t’i kthehet sërish kjo ndërtesë në pronësi dhe administrim Ministrisë së Kulturës, dhe të transformohet në Bibliotekën e Studimeve Albanologjike “Norbert Jokl”, ndofta si aneks i BKSH-së ose i Akademisë së Shkencave? Kësisoj ajo mund të shndërrohet në qendër gjithëpërfshirëse depozitare, bibliotekare dhe arkivore moderne, multimediale, e shkencave dhe studimeve albanologjike, ku do të ruheshin për brezat në vijm jo vetëm pasuria intelektuale e Norbert Joklit, por edhe biblioteka të albanologëve të tjerë të shquar, brenda dhe jashtë vendit, të cilat u mbeten familjeve pas vdekjes së tyre.

Jokli ia kushtoi jetën e tij gjuhës shqipe që, sipas Çabejt, është pasuria e vetme dhe më e çmuar që kemi si komb. Prandaj do të ishte një akt i rrallë fisnik, qytetar, dhe madje historik i Bashkisë së Tiranës rikthimi i ndërtesës së ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës nën administrimin e Ministrisë së Kulturës, dhe emërtimi e shndërrimi i saj në Bibliotekën e Studimeve Albanologjike “Norbert Jokl”.

Filed Under: Opinion Tagged With: agron alibali, Ne kujtim te Norbert Jokl

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIELLI ME SHQIPTARËT E ITALISË / SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI
  • 2023 A Consequential Year for Cybersecurity – Albania, Example of What Can Happen
  • Kryeministri Kurti përkujtoi dëshmorët në Rogovë të Hasit, Vraniq, Bishtazhin e Gadish
  • Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës
  • Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike
  • SA PËR RIKUJTIM!
  • FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË
  • THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!
  • PSE KJO PO NDODH VETËM TEK NE? KU ËSHTË PROBLEMI?
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT