• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROJEKTLIGJI KONICA

March 2, 2018 by dgreca

1 agron alibali

Nga  Agron Alibali/

Me 5 janar 1924 Faik Konica u zgjodh deputet i Korçës dhe “mis” i Kuvendit Kushtetues. I ndodhur në krye të Vatrës në Boston, Konica nuk i pranoi detyrat e rëndësishme politike. Me 2 mars 1924 ai hoqi dorë zyrtarisht nga mandati i deputetit.

2faiku

Largësia nga Shqipëria dhe ngjarjet e vrullshme të atij viti i mundësuan Konicës të mbante qëndrime deri diku objektive për gjendjen në vend. Këtë e shohim sidomos tek korrespondenca me Zogun në dhjetor 1924, ku bën thirrje për qetësi dhe vënien mbi gjithshka të interesave të vendit.

Mirëpo gjetje hipotetike në arkivën e tij private mund të hedhin dritë edhe për një veprimtari legjislative të Konicës, të mbetur në embrion. Fjala është për një projektligj tejet interesant për lobimet politike. Edhe ky dokumenti juridik do të shquhej për kthjelltësinë, lakonizmin dhe frymën e interesit publik.

I titulluar shkurt “Nyjat për ndalimin e veprimtarisë lobiste”, projektligji do të përmbante vetëm dy nene, si më poshtë:

“Neni 1 – Ndalohet financimi nga çdo subjekt i Mbretërisë Shqiptare i veprimtarive lobiste të çfarëdolloji, përfshirë konsulencë zgjedhore, të kontraktuar në favor të subjekteve të huaja”.

“Neni 2 – Shkelja e këtij ligji dënohet me gjobë të barasvlefshme me shumën e kontraktuar për shërbimin e lobingut.”

I mbetur në letër, ky projektligj nuk mund të mos na sjellë në vëmendje shumat marramendëse që kanë kontraktuar për veprimtari lobiste politike etj. tre partitë kryesore në vend. Sipas të dhënave të shpallura në faqen e Departamentit Amerikan të Drejtësisë [www.fara.gov], vlera monetare që tre partitë kryesore harxhuan sëbashkë për veprimtari lobimi në SHBA në periudhën parazgjedhore në vitin 2017 ishte baras me 125,000 dollarë amerikanë në muaj. Nëse këtë e shumëzojmë për katër muaj, atëhere deri në korrik 2017 arrijmë shumën e konsiderueshme prej 600,000 dollarësh. Një kontratë prej 20,000 $/muaj, madje, isht njëvjeçare.

Pyetja e parë që vjen ndërmend është: prej nga dalin këto para? Ligji fillimisht përcaktonte tre burime financimi për partitë politike: (i) kuotat e anëtarësisë; (ii) çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme; (iii) ndihma buxhetore. [Ligji për Partitë Politike, Nr. 8580, dt. 17.02.2000, Neni 17]. Vështirë që këto fonde të dalin nga kuotat e anëtarësisë apo ndihma buxhetore. Me ligjin e ndryshuar [Nr. 10 374, dt. 10.02.2011] u krijuan hapësira të gjera përmes termit “fondet jopublike”, ku përfshihen “dhurime financiare, dhurime në natyrë, shërbimet, sponsorizimet, kreditë apo garancitë e ndryshme, si edhe çdo transaksion tjetër financiar.” Lepuri, pra, fle në ferrnajën e gjerë dhe gjithpërfshirëse të “fondeve jopublike”…

Po kush i kontrollon burimet dhe veprimet financiare të partive politike?

Fillimisht tagrin e kontrollit ndaj financimit të partive në çdo kohë e kishte Kontrolli i Lartë i Shtetit. Me ndryshimet ligjore ky tagër fatkeqësisht i kaloi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Po të mbajmë parasysh ndikimin e thellë të partive politike tek KQZ-ja, është e qartë se mënjanimi i rolit të KLSH-së e ka dobësuar ndjeshëm kontrollin publik mbi financimin e partive politike në vend.

Sipas Nenit 23/1 të ligjit të ndryshuar, “dhurimet regjistrohen në një regjistër të posaçëm, ku shënohet shuma e fondeve të përftuara dhe identifikimi i qartë i dhuruesit, qoftë ky person fizik ose juridik”. Dhe më tej: “Lista e personave, që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.” Ndofta mund t’i takonte shtypit profesionist dhe të pavarur shqiptar që të zbardhë deri në fund këtë lumë parash që del nga Shqipëria në mes të ditës me diell…

Pyetja e dytë është nëse këto fonde të majme do të mund të përdoreshin përndryshe për hallet e mëdha të vendit? Dhe si mund të frenohet kjo dalje e pakontrolluar e parave jashtë vendit, ndërkohë që Shqipëria është në krizë ekonomike e financiare?

Dihet se shoqëria shqiptare sot ballafaqohet thuajse në çdo fushë me nevoja të shumta e të jashtëzakonshme. Kemi parasysh këtu shkollat e spitalet sidomos në zonat e thella të vendit, katastrofën urbane e emergjencën mjedisore kudo, gjakmarrjen që ende po korr jetë njerëzish në malet e Veriut etj. Ndërkohë totali i detyrimeve të prapambetura, të akumuluara në periudhën janar 2015 – dhjetor 2016 ka arritur në shifrën 1 miliard e 800 milion lekë. Atëhere, a justifikohen shumat e konsiderueshme që nxjerrin nga Shqipëria partitë politike vendase, duke mbushur kësisoj xhepat e firmave lobiste amerikane me synimin kinse për të marrë sa më shumë vota në Shqipëri?!

Prandaj, do të ishte mëse e mirëpritur ndërmarra e një nisme ligjëvënëse për ndalimin e menjëhershëm dhe përfundimtar të financimit të shërbimeve lobiste prej partive politike. Përndryshe, nën trysninë e opinionit publik, është imperative që kryetarët e partive ta ndërpresin menjeherë këtë praktikë të dëmshme e thellësisht hipokrite, dhe listat e dhuruesve të mëdhenj të deritanishëm të partive politike të bëhen publike sa më parë.

*Shënim: shkrimi mbështetet në një trajtë të argumentit reductio ad absurdum. Konica nuk paraqiti projektligj të tillë ndonjëherë.

Filed Under: Politike Tagged With: agron alibali, PROJEKTLIGJI KONICA

FUNDI I NJE ERE

December 16, 2017 by dgreca

1 Faik Konica21-konica-300x178

– Në kujtim të 75 vjetorit të vdekjes së Faik Konicës –

1-agron-alibali-2

Nga Agron Alibali*/

Si meteori që shkëputet nga qielli një mbrëmje gushti, ashtu do të këputej në mes edhe jeta e Faik Konicës atë mëngjez të ftohtë të 15 dhjetorit 1942. Pikërisht 75 vjet më parë, do të ndërronte jetë në kryeqytetin amerikan ish-diplomati i shquar i Mbretërisë Shqiptare në SHBA.

Puna intensive kërkimore në Arkivën e Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, në Arkivën Kombëtare [NARA] në SHBA, si dhe në arkiva universitare etj, mundësoi shpalosjen në përmasa të plota të veprimtarisë patriotike, diplomatike e studimore të Faik Konicës.

I lindur në qytezën piktoreske malore të Konicës 66 vjet më parë, jeta e Faikut ishte në vetvete pasqyrë e historisë së kombit të vet, duke përmbledhur përmes një simbioze të rrallë të bukurën me tragjiken.

“Unë jam themeluesi i lëvizjes kombëtare në Shqipëri, si dhe shkrimtari më i njohur në gjuhën shqipe”, do të shprehej Konica për vetveten në vitin 1934. Penda e magjishme e Konicës tek revista “Albania”, ngjallja e ndjenjës kombëtare në kolonitë shqiptare në Europë dhe Amerikë, themelimi i Federatës pan-shqiptare Vatra, ishin të gjitha disa nga copëzat e asaj lufte vigane e fisnike për shpëtimin e Shqipërisë. Po ashtu, botëkuptimi kushtetues i Konicës, i shprehur përmes dhjetëra shkrimesh, ndihmoi njëfarësoji në ngrehinën juridike të vendit. Mirëpo gjithshka u rrëzua me 7 prilli 1939. Mbarimi i asaj dite të zezë hapi për Konicën dhe gjithë shqiptarët patriotë “faqen e tragjedisë së madhe”…

Rrethanat e koklavitura të Luftës II Botërore bënë që Shqipërisë së pushtuar t’i mungonte përfaqësimi legjitim ndërkombëtar. Si dikur, në vitin 1919, kjo mangësi çuditërisht rivinte në rrezik integritetin territorial të vendit. Disa deklarata të Aleatëve të Mëdhenj përcillnin mbështetje ndërkombëtare, por nuk ishin të mjaftueshme. Lëvizja guerrilase brenda vendit ishte ende në embrion.  Një lëvizje tjetër e jashtme për “Bashkimin e Shenjtë”, ku u përfshinë Mbreti Zog, Fan Noli dhe Konica, synonte t’i jepte vendit udhëheqjen e bashkuar që do ta përfaqësonte atë denjësisht në Kombet e Bashkuara.  Një kabinet i ngushtë qeveritar, me atributet e një qeveria në mërgim u mendua të ngrihej në Londër. Në mungesë të një përfaqësimi zyrtar në nivel diplomatik, Mbreti Zog ishte përgatitur ta emëronte Konicën sërish në Washington, por kësaj rradhe si përfaqësues të tij personal.

Mirëpo pikërisht në këto momente kosa e pamëshirshme e vdekjes mori me vete Faik Konicën.

E udhëhequr nga Noli dhe me kontribute nga kolonitë shqiptare në mbarë Amerikën, Federata Vatra u kujdes për pasjetën e Faikut, i cili në Amerikë nuk kishte të afërm. Vatra mori përsipër borxhet, përgatiti funeralin, si dhe ruajti librat e tij të çmuara në pritje të mbarimit të Luftës, kur do t’i besoheshin Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, sipas amanetit të shenjtë të Konicës.

Dihet se në jetë Konica pati shumë miq dhe armiq. Një ndër miqtë më të ngushtë e të fismë të  tij ishte Prof. Norbert Jokl, albanologu, gjuhëtari dhe juristi i shquar hebre. Sëbashku me Nolin, Konica u mundua qysh me 1938 t’i shpëtonte jetën Joklit, duke u interesuar për nguljen e tij në Shqipëri. Konica nuk e mësoi kurrë se në maj 1942, vetë Jokli kishte humbur jetën tragjikisht në kampet e shfarosjes naziste. Dy korifenjtë e padiskutueshëm të studimeve albanologjike, Jokli me Konicën, nuk lanë pasuri, përveç bibliotekave të tyre të jashtëzakonshme, që në njëfarë kuptimi pasqyronin shpirtin e tyre kurioz, shtegtar e ndriçimtar. Çuditërisht, dy miqtë e ngushtë u bashkuan edhe në dëshirën e fundit, që pasuria e tyre e vetme dhe e çmuar librare pas vdekjes t’i dhurohej Shqipërisë.

Largimi i papritur i Konicës nga jeta tronditi gjithë koloninë e gjerë shqiptare në SHBA, si dhe miqtë e dashamirët e tij në Europë e në mbarë botën. Lajmi u përhap edhe në Shqipëri, por në kushtet e pushtimit, humbja kaloi në heshtje. Shqiptarët e kishin të qartë se, pavarësisht nga “dritëhijet” e njohura të Konicës, ata sapo kishin humbur një prej mëndjeve më të ndriçme dhe pendat më të mprehta të kombit.

Epitafi në varrezat Forest Hill në Boston nuk dallon shumë nga vlerësimi që Konica kishte shprehur për veten tek Akademia Diplomatike Ndërkombëtare në Paris. Shkruhet aty: FAIK KONITZA, 15 Mars 1876 – 15 Dhjetor 1942, KAMPION PËR JETË I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, MINISTËR I SHQIPËRISË NË SHTETET E BASHKUARA, 1926 – 1939.

Kurse ëndrrat e gjalla të Konicës për të arritur diçka në këtë botë i përcjell mjeshtërisht soneti i tij i famshëm, Vaj për një vashëz të vdekur, një nga më të ndjerët e shkruar prej tij në gjuhën angleze. Aty Faiku i përgjërohet dashurisë së vet më të madhe në jetë, një dashurie tragjike, thellësisht koniciane, që mbeti e mistershme dhe, me gjasë, jo e përmbushur…

“Sytë e saj të mëdhenj, të përhimë, tash e kanë humbë fuqinë dhe dritën.

Leshrat e saj të verdha e të hinjta, figura e hajthme, trupi i zhdërvjellët,

tash nuk janë veç një pirg i praruar pluhuri.

“E pra, në qetësinë e kullës time prej fildishi

kujtimet shpërhapin një rreze të ëmbël

Kundërmimin e hollë të një – tashmë të varrosure – ëndërr”.

Ndarja nga jeta e Konicës ishte, pa fjalë, fundi i një ere.

*Agron Alibali

Autor i librit “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati”.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 75 vjet, agron alibali, Fundi i nje Ere, Ikja e konices

Alibali: Një reformë e suksesshme duhet të burojë nga brenda Shqipërisë

February 22, 2017 by dgreca

1 agron AlibaliNga Keida Kostreci/Zeri i Amerikes/Analisti Agron Alibali, paraqiti gjejtjet e tij gjatë punës për librin në shqiptaro-amerikan “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”, një një aktivitet në Bibliotekën e Kongresit, në Uashington. Si studiues jo vetëm i figurave historike por edhe së drejtës ligjore dhe kushtetues, duke folur për Zërin e Amerikës, ai mori shkas nga tradita diplomatike e trashëguar nga figura si Konica dhe Musine Kokalari, për të theksuar se reformat në Shqipëri duhet të jenë produkt i brendshëm bazuar në traditën kombëtare.

Zoti Alibali tregon se çfarë portreti i Faik Konicës shfaqet nga kërkimet dhe dokumentat e gjetura prej tij.“Këtu paraqitet një Faik, si të themi me të gjitha dritëhijet e tij dhe për këtë arsye, ai paraqitet më njerëzor, më i afërt dhe mendoj që ai do të vazhdojë si personalitet me veprën e tij, do të vazhdojë të ketë interes në botën kulturore shqiptare”.Zoti Alibali thotë se Konica ishte ambasador i kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe një gjigant përsa i takon paraqitjes sa më me dinjitet dhe pozitive të kombit të vet të lashtë.“Ai fuqizoi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në një periudhë kritike midis dy luftrave botërore, ndërkohë që shteti i Mbretit Zog po fuqizohej përherë e më shumë përmes reformave shumë të rëndësishme kushtetuese dhe juridike të Mbretit Zog dhe nga ana tjetër Konica ishte negociatori dhe gjatë periudhës së tij u lidhën katër marrëveshje dypalëshe midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”.Por duke nxjerrë në pah kompleksitetin e një personazhi të tillë, zoti Alibali thotë se nga ana tjetër mund të thuhet se ai nuk u tregua një faktor bashkues përsa i takon komunitetit shqiptar sidomos në lidhje me mbështetësit e Fan Nolit në rrethet e Masaçusetsit dhe më gjerë.

Duke bërë një lidhje mes atyre kohëve dhe situatës së sotme politike në Shqipëri, zoti Alibali thotë se kontributi i Konicës, ishte në mbështetje të një doktrine kushtetuese moderne, mbështetur në traditën vendase.

Ai i referohet madje edhe shkrimtares dhe aktivistes antikomuniste dhe antifashiste, Musine Kokalari, e cila në një dokument që i paraqiti me kolegët e saj misionit amerikan dhe britanik në vitin e vështirë 1945, shprehej se do të bëheshin përpjekje që reformat “të mbështeteshin në traditën vendase”.

Ndërsa në Shqipëri së fundmi ka pasur debate ldhur me shkallën e angazhimit të Ambasadorëve të huaj, përfshirë atë amerikan, Donald Lu në politikën shqiptare dhe në përpjekjet për reformën e drejtësisë, zoti Alibali shpreh vlerësimin më të lartë për rolin e diplomatëve amerikanë në lidhje me Shqipërinë, megjithatë shton se:

“Do të ishte një gjë shumë, shumë e bukur dhe vërtet e vlerësueshme që çdo diplomat i huaj në republikën e Shqipërisë të veprojë në bazë të rregullave diplomatike dhe të konventës së Vienës për marrëdhëniet diplomatike dhe kodit të hershëm zakonor diplomatik”.

Zoti Alibali e pranon se ka munguar mbështetja e politikës në vend për të luftuar korrupsionin që ai thotë se është shpërndarë pothuajse në çdo pjesë të jetës shqiptare, dhe se klasa politike e vendit ka pasur më shumë se një herë mundësi që ta zgjidhë këtë çështje, por ai këmbëngul që kushtetuta duhet të reflektonte parimet e qenësishme të së drejtës krahasimore dhe të jetë e kuptueshme nga populli.

“Gjendja e jashtëzakonshme sigurisht që kërkon masa të jashtëzakonshme mirëpo unë kam mendimin që një reformë e suksesshme në drejtësi dhe në kushtetutë dhe në sistemin e zgjedhjeve nuk mund të kryhet nga lart dhe nga jashtë, duhet të kryhet nga brenda dhe nga poshtë dhe të jetë gjithëpërfshirëse”.

Zoti Alibali thotë se reforma mbetet një problem i brendshëm, pasi është për qytetarin shqiptar i cili duhet “të ishet i pari që përfshihet në këtë reformë dhe ai duhet të jetë përfituesi i parë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: agron alibali, dritehijet, Faik Konica, reforma ne Shqiperi

GJURMIMI I BIBLIOTEKËS SË FAIK KONICËS

February 13, 2017 by dgreca

Nga Agron Alibali, LL.M. [1]/*

IMG_2368

Ne Foto: Studiuesi Agron Alibali duke i dhuruar dr. Gjon Bucaj per Biblioteken e Vatres,  librin e  tij”Dritehijet e nje Diplomati”, fitues i cmimit”Konica” ne konkursin”2016- Viti i Faik Konices”/Biblioteka e Faik Konicës (BFK) është ndër vlerat e çmuara të trashëgimisë kombëtare që ende konsiderohet e humbur. Megjithatë, falë përpjekjeve të kohëve të fundit, janë zbuluar një sasi e konsiderueshme librash, të cilët iu besuan me 16 nëntor 2016 Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (BKSH). Ndryshe nga biblioteka të tjera të pasura private të personaliteteve shqiptare, që për arsye të ndryshme kanë humbur, biblioteka e Faik Konicës paraqet vlerë të veçantë edhe për faktin se është ndërtuar dhe pasuruar jashtë kufinjve të Shqipërisë.

1 agron ok

  1. Përbërja – Nga të dhënat e deritanishme mund të themi se BFK ishte ndër bibliotekat më të pasura private të ndonjë personaliteti shqiptar brenda dhe jashtë shtetit. Ajo, madje mbahej si një ndër më të çmuarat edhe nga personalitete amerikane që e njihnin Konicën personalisht, dhe që e kishin vizituar atë.[2]

Konica mbahej si bibliofil i mirëfilltë, që e dashuronte librin. Ai u miqësua me librin qysh në moshë të njomë, dhe filloi të ndërtojë bibliotekën e tij kur ishte me studime në Francë dhe mandej si botues dhe redaktor përgjegjës i revistës “Albania”. Lëvizjet e shumta në dy kontinente, Lufta Botërore, ngulja përfundimtare në Amerikë, duhet ta kenë vështirësuar përpjekjen e Konicës për ruajtjen, pasurimin dhe bartjen e bibliotekës së tij. Megjithatë, pikërisht këto itinerare të pashtershme, ku ai u zgjeroi më tej rrethin e dijes, njohurive dhe të njohurve, si dhe të interesave të tij të larmishme, e shtojnë edhe më shumë vlerën e librave, që u bënë shoqëruesit e shokët më të mirë të tij.

Përbërja lëndore e BFK-së përfshin libra në gjuhë të ndryshme, në fushën e letërsisë, historisë, gjuhësisë, filozofisë, diplomacisë, jurisprudencës etj. Librat janë shumë të çmuar. Si shembull përmendim se, në pjesën e gjetur kohët e fundit është edhe një libër i autorit arbëror Nikollë Leonik Tomeut, i vitit 1532.

Sa i takon përbërjes sasiore të BFK-së, të dhënat janë deri diku të papajtueshme. Peter Tyko dhe Vasil Pani, përfaqësues të Vatrës që numëruan të parët librat e BFK-së në Uashington pas vdekjes së Konicës në fund të vitit 1942 patën deklaruar se sasia ishte përmbi 3000 blenj.[3] Pas sjelljes së tyre nga kryeqyteti amerikan dhe vendosjes në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në South Boston në vitin 1954, numri i raportuar në Dielli jepet si 1929 libra.[4]  Deri me 11 shkurt 2017 janë gjetur 280 libra të BFK-s. BKSH-së i janë kthyer 279. Mbeten ende pa u gjetur dhe kthyer edhe 1649 libra të tjerë…

  1. 2. Çështja e lënies trashëgim tek BKSH – Dëshira e Konicës që biblioteka e tij e pasur t’i besohej pas vdekjes BKSH-së është e vërtetuar plotësisht dhe në mënyrë të pakontestueshme. Kjo provohet nga dëshmitë e Charlotte Graham, sekretare e Konicës deri kur ai vdiq,[5] dhe u konformua më tej nga Fan S. Noli. Për ruajtjen e saj dhe përmbushjen e dëshirës së Konicës kontribuan dhjetra antarë të Vatrës nga e gjithë Amerika, emrat e të cilëve u botuan në një numër të posaçëm të Diellit në vitin 1943.[6] Kontribut të veçantë dha “shoku i tij i armëve”, Fan S. Noli. Për arsye objektive amaneti i Konicës mbeti i panjëmendësuar për një kohë shumë të gjatë. Pesha e pamëshirshme e kohës, ndryshimi i brezave brenda komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe faktorë të tjerë sollën si pasojë humbjen e gjurmëve të kësaj pasurie me vlera të jashtëzakonshme. Gjetjet e fundit, dhe aktet përkatëse të kthimit dhe besimit të librave tek BKSH konfirmojnë më tej amanetin e Konicës dhe mishërojnë realizimin praktik të tij.
  2. Si dhe ku u gjet pjesa e njohur e BFK-së: Hollësirat për gjetjet historike të BFK-së jepen në librin “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati”.[7] Këtu mund të përmendim se gjetjet janë si më poshtë:
  • Libri i parë: Storia e Letteratura del Popolo Albanese, nga Gaetano Petrotta – u gjend në zyrat dhe bibliotekën e Vatrës në NYC në vitin 2004;
  • Tre libra të tjerë u gjendën tek sendet e Sarah Panarity-t në rrethet e Bostonit në vitin 2006;
  • 272 libra të tjerë u gjetën në pranverën e vitit 2016, të ruajtura me përkushtim nën kujdestarinë e familjes së ish-Kryetarit të Vatrës dhe udhëheqësit legjendar të komunitetit shqiptaro-amerikan, z. Andon Athanas.
  • Sikurse përmendëm, nga 1929 libra të ruajtur fillimisht në Kishën e Shën Gjergjit në mesin e viteve 1950 sot janë gjetur gjithsejt 280 blenj.[8] Përveç librit të fundit, të gjetur në zyrat e Vatrës me 11 shkurt 2017 me rastin e aktivitetit për 100 vjetorin e Musine Kokalatrit, të gjithë librat e gjetur deri tani tashmë janë kthyer në BKSH, duke vënë në jetë amanetin e Faik Konicës. Autori gjen rastin të vlerësojë kontributin e veçantë dhe të pazëvendësueshëm të BKSH-së në përmbushjen me sukses të këtij projekti madhor e me përmasa historlke për kulturën kombëtare mbarëshqiptare.
  1. Ku mund të ndodhet pjesa tjetër e BFK-së, e përbërë prej 1649 librash?: Nga gjetjet e deritanishme mund të arrihet në përfundimin se BFK ka qenë në masë dërrmuese në rrethet e Bostonit deri të paktën mesin e viteve 1990. Po ashtu, me probabilitet të lartë mund të konkludohet që librat të kenë qenë në ruajtje, përdorim apo administrim të këtyre tre palëve:
    1. Kisha e Shën Gjergjit – kjo vërtetohet nga fakti që librat u vendosën fillimisht në mjediset e kësaj kishe kur u tranportuan nga Uashingtoni, si dhe nga fakti tjetër që, pikërisht në Kishën e Shën Gjergjit u ndodh edhe shtampa e famshme EX LIBRIS F.K, me të cilën Konica përgatiste etiketat që i ngjiste në kapakun e brendshëm të librave[9];
    2. Qerim Panariti – kjo vërtetohet nga gjetja e tre librave të Konicës në sendet e fundit të Sarah Panaritit, të shoqes së Qerimit, libra që iu kthyen BKSH-së në 13 janar 2016;
    3. Familja e Andon Athanasit – Kjo konfirmohet nga libri i parë dhe i fundit, të gjetur në zyrat e Vatrës në Nju Jork përkatësisht më 2004 dhe 2017, në pjesën e materialeve dhe arkivave të Vatrës që ishin ruajtur prej shumë vitesh në magazinat e Athanasit në rrethet e Bostonit. Kjo vërtetohet më tej, madje katërcipërisht, nga fakti se gjetja e fundit e rëndësishme e BFK-së prej 272 librash është nga biblioteka e familjes së Andon Athanasit.
  1. Përfundime:Duhet theksuar se në pjesën e gjetur deri tani janë në gjuhën shqip vetëm 3 libra. Duke supozuar me njëfarë sigurie se Konica do të ketë pasur një numër të konsiderueshëm librash të çmuar në shqip, mungesa e tyre nënkupton një trajtim deri diku sistematik të pjesës ende të pagjetur deri tani.

Duhet mbajtur parasysh, po ashtu, se ka të dhëna të tërthorta dhe të pakonfirmuara se një sasi librash nga BFK mund t’i janë dhuruar bibliotekave të Universitetit të Çikagos dhe të Universitetit të Harvardit.

Duke u nisur nga rrethanat e adresës së fundit të librave të gjetur mund të konkludohet se edhe pjesa tjetër, ende e humbur, e BFK-së, nuk mund të ndodhet larg vendit e mjedisit të lidhur me aktorët e mësipërm.

Në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Pan-shqiptare Vatra dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, qeveria shqiptare mundësoi në vitin 1995 kthimin në atdhe të eshtrave të Faik Konicës. Dy dekada më vonë, bashkëpunimi midis komunitetit shqiptaro-amerikan dhe institucioneve të shtetit shqiptare mundësoi gjurmimin e kthimin në atdhe të një pjese të bibliotekës së humbur të Faik Konicës, duke nderuar edhe kujtimin e Fan S. Nolit si dhe kontributin e dhjetra antarëve të Vatrës, që dhanë kursimet e tyre për ruajtjen dhe shpëtimin e BFK-së.

Le të shpresojmë se, ashtu sikurse eshtrat e Faikut të madh u kthyen të plota në atdhe, edhe biblioteka e tij të mos mbetet e gjymtuar, por të gjurmohet dhe kthehet një ditë e plotë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, duke përmbushur më në fund amanetin, ende të patretur, të këtij rilindësi të shquar të kombit dhe shtetit shqiptar.

Agron Alibali, LL.M.

*[1] Autori është Senior Fellow në Universitetin e Massachusett-it në Boston. Kumtesa u paraqit në Seminarin e Vatrës për vitin përkujtimor për Faik Konicën – NYC, 26 nëntor 2016. Në pamundësi të pranisë së autorit, kumtesa u lexua nga zv. Kryetari i Vatrës, z. Asllam Bushati.

[2]…Father Cartwright, of the Immaculate Conception Church in Washington, who was a great friend of Mr. Konitza, knows something of the value of the library…” Charlotte Graham, [Faik Konitza, Selected Correspondence, Ed. B. Destani,, London, p. 139.

[3] Peter Tyko, Libraria e Faik Konitzës, Dielli, 1943.

[4] “Librat e F. Konicës. Librat e të ndjerit Faik Konica, rreth 1929 blej të fushave të ndryshme, u vunë në kuti metalike dhe ruhen në Katedralen e Shën Gjergjit”. Dielli, vëll. 45, nr. 49, Boston, MA, 19 January 1955, 45th Year, Front Page.

[5] “…many times Mr. Konitza told me that he wanted [the books] to be part of the Albanian National Library…”  Charlotte Graham, [Faik Konitza, Selected Correspondence, Ed. B. Destani,, London, p. 139.

[6] Dielli, Numër i Posaçëm, Nr. 5571, Boston, Mass, June 19, 1943, Vol. XXXVI, 36th Year, tashmë është në koleksionin e BKSH-sê

[7] Agron Alibali, “Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati”, Argeta, Tiranë, 2016.

[8] Tre libra tjerë u identifikuan në bibliotekën personale të të nënshkruarit në qershor 2017, të dhuruar në gjallje nga z. Athanas, kurse libri i fundit u gjend në zyrën e Vatrës me 11 shkurt 2017 dhe titullohet The Saga of Coffee, the Biography of an Economic Product, by Heinrich Eduard Jacob, London, George Allen & Unwin, Ltd, 1935.

[9] Shtampa EX LIBRIS F.K prej aliazhi metalik iu kthye BKSH-së në shtator 2016.

*Kumtesa e mbajtur ne Simpoziumin shkencor organizuar nga Vatra me 26 Nentor 2016 me rastin e mbylljes te veprimtarive”2016-Viti i Konices”.

Filed Under: Histori Tagged With: agron alibali, GJURMIMI, I BIBLIOTEKËS SË FAIK KONICËS, LL. M.

NË NDERIM TË MUSINE KOKALARIT

February 5, 2017 by dgreca

1 Musine_Kokalari_during_the_processNga Agron Alibali/

Më kishte mbetur në mendje imazhi i saj në sallën e gjyqit – e hijshme, elegante, me flokët e gjatë gështenjë, derdhur mbi supe. E marrë në momente tragjike, fotoja rrezatonte guxim, sfidë, vendosmëri, mençuri, inteligjencë! Mbaj mend që im atë më fliste shumë për të. E kishte njohur në Tiranë, më ngjan në librarinë Lumo Skëndo, ndër qendrat intelektuale të kohës. Thuhej se ajo ishte personazhi “borgjez” i romanit “Para Agimit”. Më vonë më ra në dorë bleu simpatik “Seç më thoshte Nënua Plakë“. E përpiva dhe e rilexova disa herë, duke e përfytyruar veten në botën e çuditshme të Gjirokastrës mitike, ku Musineja të zhyste me butësi e elegancë, përmes gjuhës e stilit të saj të praruar, të njomë e të kthjellët, në botën ku Kadareja do të shpaloste më vonë kryeveprat e tij letrare.

1 Musine-Kokalari

  1. Takim në pasjetë

Dënimi i një gruaje, internimi i saj, vetmia e imponuar nga diktatura, fundi i Musine Kokalarit në Mirditë  – të gjitha këto përçonin vetëm dhimbje, bashkë me pyetjen “përse vallë”?

Ritakimi me Musinenë ndodhi krejt rastësisht, përmes një dokumenti të arkivës së Departamentit amerikan të Shtetit. Si në një film tragjik bardhezi, të ngjizur në tekst, Kokalari u rishfaq në pasjetën e saj (posterity), gjithnjë sfiduese, e hijhme, me flokët e derdhur, ngjyrë gështenjë.

Pasdreken e 27 qershorit 1946 një telegram arrin në Uashington nga Legata Amerikane në Tiranë. Autor është shefi i misionit Jacobs. Dokumenti është i shkurtër, vetëm një faqe. Subjekti është seanca gjyqësore e një dite më parë në Tiranë. Misionet amerikane dhe britanike ishin të shqetësuara për përmendjen e lidhjeve të tyre me të akuzuarit. Teksti në fund bëhet rrënqethës.    

  1. Rrethana të vështira

Bota sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Ishte pragu i Luftës së Ftohtë. Shqipëria ndodhej në udhëkryq. Komunistët nuk kishin aspak ndërmend ta lëshonin pushtetin. Krahas orientimit drejt Jugosllavisë dhe BS-së, ata mëtonin edhe lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA dhe Britaninë e Madhe. Ky hap do t’i rriste legjitimitetin regjimit, por ndofta ishte edhe si njëfarë qasje origjinale e “neutralitetit”, parim i qenësishëm qysh në zanafillë të shtetit shqiptar.

Misioni diplomati amerikan ishte ngarkuar të vëzhgonte zhvillimet në vend dhe të rekomandonte njohjen ose jo. Mirëpo misioni britanik në Tiranë ende nuk kishte diplomatë të mirëfilltë. Interesat e qeverisë së Madhërisë së Tij i përfaqësonte Misioni Ushtarak Britanik [BMM].

Mungesa e kredencialeve demokratike të komunistëve të Tiranës, fushata e terrorit dhe e spastrimeve, ishte shkak serioz për mosnjohjen. Mirëpo SHBA ishin më afër njohjes diplomatike, ku kusht kryesor ishte vijimësia e traktateve dypalëshe të lidhura me Mbretin Zog.

Kurse me britanikët puna ishte mjaft më e ngatërruar. Komunistët shqiptarë shihnin me dyshim të madh çdo hap që vinte nga Londra ose përfaqësuesit e saj në Tiranë. Në raportet me ta rëndonin ngarkesa politike dhe emocionale, që nuk mund të injoroheshin. Mosbesimi kishte lindur qysh gjatë viteve të Luftës në male, kur, edhe në rrafsh personal, në sjelljen e britanikëve jo rrallë vërehej njëfarë përçmimi në raport me vendasit (shih, p.sh. librin OSS në Shqipëri, të Peter Lukas).

Ndërhyrja britanike në zhvillimet në Greqi, pikërisht në përfundim të Luftës, mbështetja e tyre për mbretin Jorgo e forcat ekstreme të djathta, madje me të kaluar kolaboracioniste, shihej me shumë shqetësim nga udhëheqësit komunistë të Tiranës. Tragjedia çame, e konsumuar pikërisht dy vjet më parë, refuzimi i qeverisë greke ndaj kërkesës së UNRRA-s për kthimin në Çamëri të refugjatëve çamë të strehuar përkohësisht në Shqipëri, tensioni ushtarak në kufirin tokësor e detar, si dhe incidentet në Kanalin e Korfuzit, përbënin sfondin aspak të qetë apo paqtues të rrethanave të zhvillimit të gjykimit. Por rrethana kryesore rënduese ishte animi i Londrës në favor të Athinës lidhur me pretendimet absurde greke për aneksimin e Jugut të Shqipërisë.

Efektet e këtyre përplasjeve gjeopolitike objektivisht nuk mund të mos ndikonin edhe brenda sallës së gjyqit. Luftëtarë të një kauze të drejtë për Shqipëri demokratike, të akuzuarit ishin bërë pa dashur viktima të lojrave e përplasjeve që, shpesh, nuk kishin lidhje me idealet e tyre të pastra demokratike.

3 Musine-kokalari-sheradin-berisha-1983

  1. Gjyqi

      Gjykimi kundër 37 të akuzuarve filloi me 18 qershor 1946. Akuza ishte komplot për përmbysjen e qeverisë, sabotazh, spiunazh. Në seancat e gjyqit doli mëse qartë se 17 persona të akuzuar, ndërgjegjshëm të angazhuar në përparimin e idealeve demokratike në një Shqipëri që pakkush mund ta parashikonte se si do të evoluonte, kishin patur kontakte të niveleve e dendurive të ndryshme me BMM-në. Emrat e përmendur ishin: Fuad Asllani, Shaban Balla, Shefqet Beja, Profi Çoka, Qenan Dibra, Koço Dilo, Ali Jonuzi, Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, Jani Konomi, Professor Lozzi, Abdyl Muça, Anastas Llazar Papapostoli (Larry Post), Sami Qeribashi, Hasan Reçi, Selaudin Toto, dhe Kristo Xhunga. [Shih: Owen Pearson, Albania in the XX Century, Vëll. III, f. 42]. Vërejmë në listë juristë, diplomatë e intelektualë të shquar.

Pikërisht ato ditë, Jacobs do t’i telegrafonte nga Tirana Departamentit të Shtetit:

“Larry Post dëshmoi se kishte qenë i lidhur me opozitën qysh në maj të vitit të kaluar dhe kishte vepruar si ndërlidhës midis misioneve amerikane dhe britanike.”

Larry Post ishte emri i amerikanizuar i Llazar Papapostolit. Lindur në Ziçisht të Korçës, Papapostoli kishte mbaruar studimet në SHBA, hyri në shërbimin sekret OSS, dhe u hodh në atdhe nga fundi i luftës. Në Shqipërinë e çliruar ai punoi për ca kohë me UNRRA-n, dhe pastaj u arrestua, u dënua dhe u internua deri sa vdiq në rrethana të paqarta në fshatrat e Lushnjes.

Telegrami përmend edhe lidhjet, të deklaruara në gjyq, midis të akuzuarve dhe oficerëve britanikë, Palmer, Smith e Hodgson. Ndërhyrja e oficerëve anglezë ishte, natyrisht, shkelje e marrëveshjes së pranimit, si dhe e praktikës zakonore në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Qëndrimi i Musinesë në gjyq ishte heroik. Ajo u mbrojt vetë: pa ndihmë avokatore. Teza e saj e doktoraturës në Romë kishte qenë për Naim Frashërin. “Jam dishepulle e Frashërlliut të nderuarit, dhe duke më dënuar mua, ju doni të dënoni Rilindjen”. Musineja nuk u lejua ta mbaronte fjalën e vet. Megjithatë ajo tha: “Atdheun tonë nuk e duan vetëm komunistët”. 

  1. I qetë dhe i sigurtë në Londër…

Ndërkohë që në Tiranë zhvillohej gjyqi, ish-shefi i BMM-së në Tiranë, majori Arnot, do të raportonte me 30 qershor në Londër si vijon:“Deklarimet e bëra në gjyqet në Shqipëri janë, në njëfarë sensi, të vërteta. Ato përfaqësojnë, pa asnjë dyshim, implikimet që shqiptarët e akuzuar kanë nxjerë prej komenteve të mija…Pres që të dalin në dritë edhe shumë gjëra të tjera për kontaktet e mija me të akuzuarit e tjerë – Kokoshin, Asllanin, Shaban Ballën, Musine Kokalarin, Larry Postin, dhe ndofta edhe Profesos Lozzi-n, ndër të tjera….Jam shumë i lumtur që u largova dhe nuk ndodhem më në Shqipëri…”. [po aty, f. 47.].

E pra, majori Arnot ishte i qetë dhe i sigurtë në Londër, por idealistët shqiptarë mbetën aty, në Shqipëri.  Pa dashur të nënkuptojmë ndonjë përgjegjësi të BMM-së, në këtë përvjetor të 100 të lindjes së Musine Kokalarit, intelektuales së shquar patriote gjirokastrite, mund të themi se ajo dhe të bashkëakuzuarit e tjerë provuan skajshëm në kurriz jo vetëm dhunën e diktaturës komuniste, por edhe tejkalimet, t’i quajmë të çartura apo “naive”, të oficerëve britanikë.

Dokumenti i sipërpëmendur mbyllet me përshkrimim e një akti tragjik:

“Dje, pas seancës gjyqësore, turma sulmoi furgonin e të burgosurve dhe rrahu keqaz të pandehurin. Kokalarit, njërës nga dy gratë e akuzuara, ia shkulën shumicën e flokëve. Rojet qëndruan indiferente e nuk ndërmorrën asnjë veprim.” …

                          Nënshkruar   JACOBS

  1. Gruaja nuk preket…

Parimi i shenjtë i paprekshmërisë së gruas qëndron në themel të së drejtës zakonore shqiptare. Imuniteti absolut i buruar prej tij shtrihet dhe mbulon madje edhe gjakësin nëse ky rrugëton në shoqërinë e një gruaje. E pra, gjithshka u shqelmua atë mëngjes qershori të vitit 1946 në Tiranë. Ishte dhunuar një grua, ishte cenuar Musine Kokalari. As hetuesia apo seanca gjyqësore nuk e kishin thyer Musinenë. Kishte mbetur mjeti i vetëm – cenimi fizik. Dhe një dorë mizore kishte guxuar të prekte edhe flokët e saj… Bota në kuptimin e saj normal ishte përmbysur. Ishte tronditur nga themelet edhe vetë kodi i lashtë zakonor shqiptar.

Mirëpo ky akt i pashembullt dhune ishte në kundërshtim të hapur edhe me të drejtën pozitive, d.m.th. me ligjet e kohês. Akti përbënte thjesht një krim, të konsumuar në mes të ditës, në të dalë të Kinema 17 Nëntorit në Tiranë.

Vërtetësia e telegramit të Jacobs-it nuk mund të vihet në dyshim. Diplomati amerikan do të raportonte në qendër vetëm diçka që ishte tërësisht e saktë dhe e vërtetë. Nga largësia mëse 70 vjeçare është e vështirë të hetohet krimi dhe të përcaktohet dhunuesi, që nuk përjashtohet të ketë qenë vetë një grua. Po ashtu, është e vështirë të konkludohet pa mëdyshje se akti ishte i paramenduar apo i porositur nga lart. Prapëseprapë është e pamundur që ai të ishte akt spontan. Imazhi i rojeve të armatosura, që qëndronin indiferente, pa reaguar, përballë atij quasi-linçimi, është thjesht i pashlyeshëm. Me mosveprimin e tyre, rojet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të kohës, dhe jo vetëm ata, u bënë praktikisht bashkëdhunues e fajtorë në cenimin brutal, thellësisht të dënueshëm ndaj çdo gruaje, e sidomos një gruaje heroinë si Musine Kokalari.

 

Filed Under: Featured Tagged With: agron alibali, ne nderim, TË MUSINE KOKALARIT

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit
  • Tё lartёsojmё Rilindjen Kombёtare dhe Humanizmin Shqiptar
  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITOI FEDERATËN VATRA
  • Skulptori Gëzim Muriqi vjen me “ringjalljen” e Skënderbeut
  • Mistika dhe Fizika
  • “Atdhetari i shtigjeve të lirisë” – monografi për heroin e kombit Xhavit Hazirin!
  • THE UNITED STATES DAILY (1928) / AHMET ZOGU FALENDERON PRESIDENTIN AMERIKAN CALVIN COOLIDGE PËR NJOHJEN DHE URIMET E TIJ ME RASTIN E NGJITJES NË FRONIN E SHQIPËRISË (TELEGRAMI)
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi dhe Kongresistin Torres

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT